Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 9 February 2026Main stream

Frika nga lufta në Ballkan, Kosova më pak e shqetësuar se vendet fqinje

9 February 2026 at 08:32


Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të shfaqin nivelin më të ulët të shqetësimit në Ballkanin Perëndimor lidhur me mundësinë e një lufte apo sulmi terrorist, sipas të dhënave të “SecuriMeter 2025”, raport i hartuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC).

Sipas këtij raporti në vitet 2024 dhe 2025, një shumicë e madhe e qytetarëve të Kosovës kanë deklaruar shqetësim të ulët për një konflikt të mundshëm mes vendeve të rajonit, me 69.5% në vitin 2024 dhe 72.5% në vitin 2025.

Edhe sa i përket rrezikut të sulmeve terroriste, Kosova rezulton vendi me nivelin më të ulët të shqetësimit në rajon. Rreth 70% e qytetarëve shprehin shqetësim të ulët si në vitin 2024 ashtu edhe në vitin 2025, ndërsa vetëm rreth 27% raportojnë shqetësim të lartë, çka sugjeron se ky kërcënim perceptohet si i kufizuar.

Në nivel rajonal Bosnja dhe Hercegovina shfaq nivelin më të lartë të shqetësimit për një luftë të mundshme në rajon.

Në të dy vitet, mbi gjysma e qytetarëve kanë deklaruar shqetësim të lartë, edhe pse me një rënie të lehtë nga 57.8% në 54.2%. Edhe Serbia mbetet ndër vendet ku shqetësimi për konflikt është dominues, me mbi 53% të qytetarëve që shprehin shqetësim të lartë, transmeton Telegrafi.

Ndërkohë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, tregojnë një zhvendosje drejt një perceptimi më pozitiv të sigurisë. Në Shqipëri, shqetësimi i lartë për luftë ka rënë ndjeshëm në vitin 2025, ndërsa në Maqedoninë e Veriut shqetësimi i ulët është rritur mbi 50%, duke sinjalizuar rritje të besimit në stabilitetin rajonal.

Mali i Zi paraqet një tablo më të balancuar, me qytetarë pothuajse të ndarë mes shqetësimit të ulët dhe atij të lartë.

Sa i përket kërcënimit nga terrorizmi, raporti “SecuriMeter 2025” evidenton se Serbia është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor ku shqetësimi i lartë për sulme terroriste është bërë dominues në vitin 2025. Në vendet e tjera të rajonit, përfshirë Kosovën, ky shqetësim mbetet më i ulët dhe relativisht i qëndrueshëm.

Në këtë panoramë rajonale të pasigurisë së përzier, Kosova veçohet si vendi me perceptimin më të qëndrueshëm dhe optimist për sigurinë, si në aspektin e konfliktit të mundshëm ashtu edhe të kërcënimeve terroriste.

Duhet theksuar se ky raport ka përfshirë 6,007 të anketuar në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, i realizuar nga 30 maji deri më 18 qershor 2025. /Telegrafi/

E hëna me vranësira, shi dhe borë në zonat malore të Shqipërisë

9 February 2026 at 07:43


Ditën e hënë vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura si dhe alternime kthjellimesh prej orëve të mesditës.Reshje të herëpashershme shiu me intensitet kryesisht të ulët në pjesën më të madhe të vendit, në relievet malore shtrëngata afatshkurtra.

Prej orëve të mesditës e pasdite reshjet shiu me intensitet kryesisht të ulët humbasim territor duke mbetur prezent në relievet malore dhe në ndërprerjen graduale.

Në zonën e Alpeve, dhe relievet e larta malore mbi 1000-1100metër në verilindje -juglindje reshje dëbore me intensitet të ulët e lokalisht mesatar.

Era do të fryjë verilindje – veriperëndim me shpejtësi mesatare 6 m/s, në zonat luginore dhe përgjatë relieveve malore era fiton me shpejtësi deri 10 m/s.

Deti – Valëzimi forcës 1-2 ballë ./Telegrafi/

Toksina Cereulide​, AUV tërheq nga tregu disa produkte Aptamil për foshnje

9 February 2026 at 07:30


Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV) ka njoftuar për tërheqjen e menjëhershme nga tregu të disa produkteve ushqimore për foshnje të markës Aptamil, për shkak të dyshimeve për praninë e një toksine të rrezikshme.

Sipas AUV-së, përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF) janë pranuar disa njoftime zyrtare lidhur me praninë e toksinës Cereulide në qumësht formulë për foshnje të prodhuar në Gjermani, Holandë dhe Irlandë.

“Njoftimet zyrtare nga RASFF janë: njoftimi me nr. 2026.0663, që ka të bëjë me praninë e toksinës Cereulide në formulën për foshnje të prodhuar në Gjermani, njoftimi nr. 2026.1018 për produktet e prodhuara në Holandë, si dhe njoftimi nr. 2026.1017 për formulat për foshnje dhe formulat për qëllime mjekësore të prodhuara në Irlandë”, thuhet në komunikatën e AUV-së.

Agjencia bën të ditur se, për shkak të nivelit serioz të rrezikut, në bashkëpunim me kompaninë importuese UNION sh.p.k., nga Vushtrria, janë ndërmarrë masa urgjente për largimin e këtyre produkteve nga tregu kosovar.

“Për shkak të nivelit të rrezikut të konsideruar serioz, AUV, në bashkëpunim me kompaninë importuese, është duke ndërmarrë masat e menjëhershme për tërheqjen e këtyre produkteve nga tregu”, thuhet më tej në njoftim.

AUV u ka bërë thirrje të gjitha bizneseve që të ndërpresin menjëherë shitjen e këtyre produkteve, ndërsa konsumatorëve u kërkohet që të mos i përdorin ato.

“Konsumatorët që posedojnë produkte të tilla të mos i përdorin ato dhe t’i kthejnë në pikat përkatëse të shitjes”, thekson Agjencia.

Në fund, AUV rithekson përkushtimin e saj për monitorim të vazhdueshëm të tregut, duke theksuar se do të vazhdojë me masa parandaluese dhe kontrolluese për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve në Kosovë./Telegrafi/

Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së drejt fundit - sot nis faza përmbyllëse në Hagë

9 February 2026 at 07:21


Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po hyn sot në fazën përfundimtare, me nisjen e deklaratave përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Pas përfundimit të paraqitjes së provave dhe dëshmive nga Prokuroria dhe Mbrojtja, kjo fazë shënon hapin e fundit para vendimit përfundimtar të trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Deklaratat përmbyllëse janë planifikuar të mbahen gjatë periudhës 9-18 shkurt, ku fillimisht fjalën do ta ketë Prokuroria, për t’u pasuar nga ekipet mbrojtëse të të akuzuarve, ndërsa në fund pritet edhe fjala e të akuzuarve, nëse ata vendosin të deklarohen.

Në një njoftim zyrtar, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë bërë të ditur se kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për këtë fazë të rëndësishme të procesit gjyqësor.

“Të gjitha konfirmimet i janë dërguar personave që do të ndjekin seancën e deklaratave përmbyllëse në objektin e DHSK-së në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, që është caktuar të mbahet më 9-13 shkurt”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.

Po ashtu, nga DHSK është bërë e ditur se interesimi për të ndjekur seancat ka qenë jashtëzakonisht i lartë, ndërsa vendet për publikun kanë qenë të kufizuara.

“Jemi përpjekur që t’i përgjigjemi të gjitha kërkesave për t’u ulur në galerinë për publikun sa më shumë që ishte e mundshme, megjithatë, interesimi për të ndjekur seancat ishte i lartë dhe prandaj vendet në galerinë për publikun ishin të kufizuara”, thuhet më tej në njoftim.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.

Ata akuzohen për veprat penale që përbëjnë krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje.

Faza përfundimtare e gjykimit konsiderohet vendimtare, pasi pas saj trupi gjykues do të tërhiqet për shqyrtim dhe më pas do të shpallë aktgjykimin, i cili pritet të ketë jehonë të madhe politike dhe shoqërore në Kosovë dhe më gjerë. /Telegrafi/

Mot i ndryshueshëm gjatë javës, vranësira dhe reshje shiu

9 February 2026 at 07:09


Gjatë kësaj jave në vend pritet mot i ndryshueshëm, kryesisht i vranët, me intervale të shkurtra me diell dhe reshje shiu në disa zona.

Era do të fryjë nga juglindja dhe verilindja, me shpejtësi prej 1 deri në 7 metra në sekondë.

E hëna do të karakterizohet me mot të vranët, ku vende-vende do të ketë riga shiu.

Temperaturat minimale do të lëvizin nga 0 deri në 3 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 6 deri në 10 gradë Celsius.

Era do të fryjë kryesisht nga juglindja, me shpejtësi 1 deri në 5 metra në sekondë. /Telegrafi/

Yesterday — 8 February 2026Main stream

Sulmohet fizikisht në një pikë karburanti avokati i Ilir Metës, pëfundon në spital

8 February 2026 at 15:23


Kujtim Cakrani, avokati i njohur i Vlorës dhe mbrojtësi ligjor i ish-presidentit Ilir Meta, është dhunuar ditën e sotme rreth orës 13:30 në ambientet e një karburanti në qytetin e Vlorës.

Sipas vetë avokatit Cakrani, dy persona të panjohur për të e kanë sulmuar në momentin që ai po furnizohej me karburant.

Fillimisht, ata e kanë ofenduar dhe sharë, ndërsa dyshohet se konflikti ka nisur për shkak të një parkimi , edhe pse avokati shprehet se nuk beson se ky ka qenë shkaku i vërtetë.

Më pas, dy personat kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij, duke e goditur me një mjet prerës në pjesën e pasme të kokës. Si pasojë, Cakrani ka pësuar një frakturë të rëndë në pjesën e pasme të kokës dhe është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku ndodhet i shtruar në reanimacion.

Burime spitalore bëjnë me dije se avokati ka dëmtime serioze në kokë, dhe aktualisht nuk arrin të qëndrojë në këmbë.

Ndërkohë, në spital pritet mbërritja e ekspertëve mjeko-ligjorë, si edhe e përfaqësuesve të policisë, të cilët do të marrin dëshminë e avokatit dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

“Ishin dy çuna me një makinë, të cilët pasi më provokuan, më dhunuan fizikisht. Nuk i njoh ata. Me njërin po bisedoja, tjetri më goditi pas koke. Ka ndodhur në hyrje të Vlorës, në një pikë karburanti. Nuk e kam idenë. Erdhën aty provokuan dhe më pas filluan me fjalë fyese. Ata dolën nga makina, më dhunuan.

Ka qenë me mjet prerës. Më goditën pas koke. Unë isha ulur në makinë. Njëri nga dritarja po më ofendonte, kurse tjetri hyri nga dera e pasagjerit dhe më goditi.

Më thanë: ‘Pse ke parkuar keq makinën. Ke zënë gjithë karburantin’. Pra ishte një mënyrë, një formë provokimi. Nuk i njoh të dy. Ishin moshë e re”, tha Cakrani për Top Channel.

1.42 miliard euro nga diaspora për Kosovën gjatë vitit 2025, kryesojnë Gjermania dhe Zvicra

8 February 2026 at 15:13


Remitancat në Kosovë gjatë vitit 2025 kanë arritur vlerën prej 1.42 miliard eurosh, duke shënuar një rritje prej 4.4% ose rreth 60 milionë euro më shumë krahasuar me vitin 2024.

Muaji dhjetor mbetet ende me të dhëna preliminare dhe pritet të finalizohet në fund të shkurtit.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), pjesa më e madhe e remitancave ka ardhur nga Gjermania me rreth 39% të totalit.

Pas saj renditen Zvicra me 17.5%, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 7.2%, Austria me 4.2%, Italia me 3.9%, ndërsa Belgjika dhe Franca me nga 3.4%.

Sa i përket mënyrës së dërgimit të parave, rreth 55% e remitancave janë transferuar përmes agjencive për transfere të mjeteve, 17% përmes bankave dhe 28% përmes kanaleve të tjera. Kjo strukturë ka mbetur pothuajse e njëjtë si në vitin paraprak.

Mesatarja mujore e remitancave ishte rreth 117.9 milionë euro, ndërsa prurjet më të mëdha u regjistruan në muajt korrik, gusht dhe dhjetor, kryesisht për shkak të ardhjes së mërgimtarëve në Kosovë gjatë sezonit të verës dhe festave të fundvitit./rtk/

KEK thotë se ka prodhuar mbi 110 mijë MWh më shumë energji elektrike në dy muaj

8 February 2026 at 15:06


Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.) ka shënuar rritje të ndjeshme të prodhimit të energjisë elektrike gjatë muajve dhjetor 2025 dhe janar 2026, si rezultat i operimit stabil dhe menaxhimit të koordinuar të kapaciteteve prodhuese.

Sipas njoftimit të KEK-ut, kjo rritje është arritur falë operimit të qëndrueshëm mbi standardin normal, në veçanti përmes funksionimit të njëkohshëm të tri njësive të Termocentralit Kosova A.

“Korporata Energjetike e Kosovës – KEK Sh.A. ka realizuar rritje të ndjeshme të prodhimit të energjisë elektrike gjatë muajve dhjetor 2025 dhe janar 2026, si rezultat i operimit stabil dhe menaxhimit të koordinuar të kapaciteteve prodhuese”, thuhet në njoftimin e KEK.

Gjatë muajit dhjetor 2025, prodhimi i energjisë elektrike ka arritur në 127 për qind të nivelit të regjistruar në të njëjtin muaj të vitit paraprak, që përfaqëson një rritje prej 27 për qind, apo 46,539 MWh më shumë energji elektrike.

Ndërkaq, në muajin janar 2026, KEK bën të ditur se prodhimi ka shënuar 132.9 për qind të nivelit të janarit të vitit paraprak, që përkthehet në një rritje prej 32.9 për qind, respektivisht 63,003 MWh më shumë energji elektrike.

“Në total, gjatë këtyre dy muajve, KEK Sh.A. ka realizuar një rritje të konsiderueshme të prodhimit prej rreth 110 mijë MWh më shumë energji elektrike krahasuar me periudhën përkatëse të viteve paraprake”, thuhet më tej në njoftim.

KEK vlerëson se këto rezultate kanë kontribuar drejtpërdrejt në përmbushjen e kërkesës për energji elektrike në vend, veçanërisht gjatë sezonit dimëror.

“Këto rezultate janë dëshmi e punës profesionale, përkushtimit dhe angazhimit të punonjësve, stafit teknik dhe operativ të KEK”, thekson korporata.

Në fund, KEK Sh.A. rithekson se mbetet e përkushtuar ndaj operimit të sigurt, efikas dhe transparent, në funksion të interesit publik dhe forcimit të sigurisë energjetike të Republikës së Kosovës./Telegrafi/

“Kosova duhet të jetë në NATO”, mesazhi i kongresmenit Self në tryezën me deputetët shqiptarë

8 February 2026 at 14:46


Kosova duhet të jetë në NATO për të krijuar stabilitet në Ballkan. Ky ishte mesazhi i kongresmenit amerikan Kieth Self gjatë një Forumit të Sigurisë në Kongresin Amerikan ku ishin të pranishëm edhe deputetët shqiptarë.

Kieth Self Kongresmen tha: “Unë po kërkoj ekuilibër në Ballkan. Dua ekuilibër në Ballkan dhe mendoj se një nga pjesët kyçe - dhe e kam marrë si mision personal- është anëtarësimi i Kosovës në NATO, e cila do të ishte një forcë jashtëzakonisht stabilizuese në Ballkan. Prandaj duhet të bëjmë përparim në këtë drejtim dhe duhet t’u përgjigjemi kundërshtimeve të disa vendeve. Besoj se kjo është një pjesë kyçe e asaj për të cilën po flasim sot, sepse siguria në Ballkan-Ballkani sot, sipas mendimit tim, është një fuçi baruti- dhe ne duhet ta zgjidhim këtë dhe të sjellim stabilitet në rajon”.

I pranishëm në këtë tryezë ishte edhe Fatmir Mediu, si bashkëdrejtues i punimeve të konferencës, i cili theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të sillte stabilitet dhe partneritet në rajon.

Kryetari i PR Fatmir Mediu u shpreh: “Të gjithë shpresojmë që të gjitha vendet e NATO-s të bien dakord të paktën, për të nisur procesin e anëtarësimit për Kosovën. Brenda NATO-s, kjo do të sjellë më shumë stabilitet dhe më shumë partneritet në rajonin tonë, në Ballkan. Dhe mendoj se ata po punojnë fort për të arritur çdo objektiv që kërkohet për të qenë pjesë e aleancës së NATO-s”.

Në këtë takim u diskutua edhe lidhur me planin për të çuar në 5% të buxhetit për mbrojtjen të të gjitha vendeve të NATO-s/A2CNN/

- YouTube www.youtube.com

Goditet një tjetër rast i trafikimit të armëve nga Kosova - arrestohet 27 vjeçari në Tiranë

8 February 2026 at 14:04


Policia e Tiranës ka goditur një tjetër rast të trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova në Shqipëri, në kuadër të operacioneve të njëpasnjëshme për parandalimin dhe goditjen e këtij aktiviteti kriminal.

Pas disa javësh hetime me metoda proaktive, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Forcën Operacionale dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Barriera”.

Gjatë operacionit është arrestuar në flagrancë shtetasi D. B., 27 vjeç, banues në Kosovë, i cili dyshohet se po trafikonte armë zjarri me qëllim shitjen e tyre në kryeqytet.

Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin tip “Volkswagen”, në dalje të Unazës së Madhe, pranë mbikalimit të Tufinës.

Gjatë kontrollit të mjetit, konkretisht nën kofano, janë gjetur dhe sekuestruar 10 armë zjarri pistoleta të llojit Glock, së bashku me municion luftarak.

Në vijim të procedimit penal janë sekuestruar edhe dy pistoleta të tjera Glock, duke e çuar numrin total të armëve të sekuestruara në 12 pistoleta.

Nga hetimet paraprake dyshohet se 27-vjeçari kishte për qëllim t’i shiste armët në zonën e Freskut, në Tiranë.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet e thelluara për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore. /Telegrafi/

​Zbulohet fati i Pallatit të Rinisë, investimi gjigant prej 50 milionë eurosh dhe afati kur pritet të përfundojë gjithçka

8 February 2026 at 13:46


Një investim madhor pritet të transformojë njërën prej ikonave të arkitekturës në Prishtinë, Pallatin e Rinisë dhe Sporteve.

Në prag të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, është arritur një marrëveshje mes Ministrisë së Kulturës dhe Bankës Evropiane për një kredi afatgjate, vlera fillestare e së cilës kap shifrën e 50 milionë eurove.

Ky fond do të shërbejë për renovimin dhe revitalizimin e plotë të kompleksit prej rreth 50,000 metra katrorë, i cili prej vitesh ka mbetur në gjendje të rënduar, veçanërisht salla e madhe e djegur rreth 20 vite më parë.

Plani synon kthimin e objektit në gjendjen e tij të mëparshme, duke e rigjeneruar me të gjitha hapësirat përbërëse, përfshirë sallat e ndryshme sportive dhe ambientet e tjera.

Drejtori i departamentit të transformimeve në Komunën e Prishtinës, Gëzim Kastrati, në një intervistë për KosovaPress, bënë të ditur se qëllimi kryesor është rikthimi këtij objekti në funksionalitetin që ka pasur dikur.

“Ideja është që ky kompleks që ka qenë dikur, të kthehet në gjendjen që ka qenë. Do të thotë, të revitalizohet, të rigjenerohet me të gjitha premisat, duke filluar edhe ato sallat e ndryshme të sporteve poshtë, edhe salla e madhe e cila është e djegur tash e 20 vite, dhe mendoj që e kemi obligim ne si shoqëri edhe njerëz të këtij vendi që së paku ta kthejmë në atë gjendje e cila ka qenë dikur”, vijon tutje Kastrati.

Duke folur për afatet kohore, Kastrati shprehet optimist se faza e projektimit mund të përfundojë brenda një periudhe relativisht të shkurtër, ndërsa punimet e renovimit nuk pritet të zgjasin më shumë se dy vite.

“Sa i përket projektit besoj që brenda gjashtë muajsh, një vit duhet të kryhet. Edhe nëse jemi, që nga 2027-ta të hyjmë në renovim të pallatit, unë mendoj që më shumë se dy vite nuk ka nevojë të zgjasë kjo, pasi që dihet që tërë ky kompleks me 50,000 metra katrorë, dikur nga kompania që ka qenë “Ramiz Sadiku”, do të thotë punëtorë që kanë qenë të këtij qyteti, të këtij vendi, me kontributet e qytetarëve të Prishtinës, kanë arritur për katër vite ta bëjnë këtë pallat në vitin 1980. E tash 2026-ta, nuk ka arsye me zgjatë më shumë se dy vite renovim komplet”, shtoi Kastrati.

Në aspektin financiar, Kastrati bën të ditur se është siguruar një bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Bankës Evropiane, përmes së cilit është planifikuar një kredi në vlerë prej 50 milionë euro.

“Ministria e Kulturës ka arritur një bashkëpunim me Bankën Evropiane për një kredi prej 50 milionë. A janë të mjaftueshme apo jo, kjo do të shihet pas përfundimit të projektit dhe procedurave të prokurimit të cilat do të vijnë ndërkohë”, bëri të ditur Kastrati.

Duke iu referuar Lojërave Mesdhetare, Kastrati thekson se ky organizim për Kosovën përfaqëson shumë më tepër sesa një ngjarje sportive.

Sipas tij, këto lojëra janë një test serioz për kapacitetet organizative dhe bashkëpunimin institucional të vendit, duke shtuar se paraqitja dinjitoze është thelbësore për imazhin e Kosovës në sytë e Evropës.

“Unë mendoj që Lojërat Mesdhetare janë më shumë se vetëm lojëra. Domethënë është një test kombëtar. Të huajt dhe Evropa do të na shohin organizimin shoqëror që e kemi ne brenda këtu dhe unë mendoj që është një dëm i madh nëse ne nuk arrijmë të bëjmë një bashkëpunim dinjitoz, një bashkëpunim që t'i japim shembull jo vetëm neve këtu, por edhe të tjerëve, se si punohet. Sepse siç e dimë, ne po shohim ndërtimet e shumta këtu, mirëpo këta njerëz, domethënë shqiptarët, ndërtojnë gjithandej, nëpër botë, nëpër Evropë. Ashtu ka qenë edhe në kohën e perandorisë romake, edhe në kohën e perandorisë osmane, edhe në kohën e ilirëve. Domethënë, ata janë njerëz që kanë ndërtuar më së shumti”, theksoi Kastrati.

Në përmbyllje, Kastrati nënvizon se periudha e ardhshme katërvjeçare është afati i fundit për të dëshmuar seriozitet dhe përkushtim në realizimin e projekteve madhore.

“Unë mendoj që e kemi kohën, e kemi kohën e fundit, afatin e fundit, që për këto katër vite, që mendoj që janë mjaftueshëm nëse fillojmë tash seriozisht po merremi me këto dhe t’i përfundojmë edhe dalim faqebardhë së pari para njerëzve tanë, e mandej edhe para Komitetit Evropian”, tha në fund Kastrati.

Organizimi i Lojërave Mesdhetare shihet si një “test kombëtar” për Kosovën, një mundësi për të dëshmuar kapacitetet organizative dhe për të shtyrë përpara zhvillimin e infrastrukturës së nevojshme sportive./KP/

Rrëshqitje gurësh në bajpasin e Vlorës, vështirësi në qarkullimin e automjeteve

8 February 2026 at 12:53


Si pasojë e motit të keq gjatë natës, në bajpasin e Vlorës, mbi zonën e Kaninës, janë regjistruar rrëshqitje gurësh.

Kanë qenë vetë drejtuesit e mjeteve ata që kanë sinjalizuar Policinë e Vlorës për praninë e gurëve në rrugë, të cilët kanë rrezikuar qarkullimin.

Ndërkohë, pritet ndërhyrja për pastrimin e segmentit, pasi aktualisht në këtë aks qarkullimi kryhet me vështirësi dhe me rrezik për drejtuesit e automjeteve.

Problem mbetet Qafa e Vishës për shkak të rrëshqitjes së gurëve.

Autoritetet paralajmërojnë për rrezikshmëri për shkak se bien gurë çdo ditë ndaj është duke u menduar për një ndërhyrje të gjatë./euronews/

Pas gati një jave, rikthehet prodhimi në njësinë A5 të Termocentralit Kosova A

8 February 2026 at 12:38


Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.) ka njoftuar se njësia A5 e Termocentralit Kosova A është rikthyer me sukses në operim në orët e mëngjesit të sotëm.

Sipas KEK, rikthimi i njësi A5 u bë pas sanimit të rrjedhjeve të paraqitura ditë më parë, duke përmbushur të gjitha kushtet teknike dhe ato të sigurisë për funksionim të rregullt.

Aktualisht, Termocentrali Kosova A operon me tri njësi gjeneruese aktive, duke siguruar prodhim të qëndrueshëm të energjisë elektrike për vendin.

KEK Sh.A. falënderon stafin teknik dhe të gjithë punonjësit e Termocentralit Kosova A për angazhimin profesional, reagimin e shpejtë dhe punën e palodhshme gjatë adresimit të situatës.

Korporata thekson se mbetet e përkushtuar ndaj operimit të sigurt, stabil dhe të përgjegjshëm, në shërbim të interesit publik dhe sigurisë energjetike të Kosovës.

Kjo njësi nuk ishte duke funksionuar nga e hëna e javës së kaluar. /Telegrafi/

Mërgimtari nga Kosova maltretohet në Serbi - i marrin mbi 2 mijë euro shkak i fotografisë së babit dhe figurave të UÇK-së

8 February 2026 at 12:25


Mërgimtari nga Kosova i cili jeton në Gjermani, Rilind Krasniqi ka raportuar se është përballur me maltretim dhe bastisje gjatë një udhëtimi në Serbi.

Sipas njoftimit të tij, Krasniqi ka kaluar për rreth një orë nën kontrollin e autoriteteve serbe, të cilët kontrolluan pajisjet e tij personale dhe morën gjëra të ndryshme, përfshirë edhe 2,500 euro.

Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Krasniqi tha se bastisja lidhej me disa fotografi që ai kishte në telefon dhe në Facebook.

Fotografitë përfshinin imazhe të babait të tij, që ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe figura të njohura të luftës për liri në Kosovë, përfshirë Adem Jasharin, Vesel Arucin dhe Mujë Krasniqin.

“Ata më bastisën rreth një orë, më kontrolluan shumë dhe më morën gjëra personale, si dhe para në vlerë 2,500 euro,” shkroi Krasniqi.

Ai apelon që qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin udhëtimet nëpër Serbi.

Sipas Krasniqit, përvoja e tij tregon se qytetarët kosovarë, veçanërisht ata që kanë lidhje me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ose figura të njohura të luftës, mund të përballen me diskriminim ose kontrolle të ashpra në territorin serb.

Ky nuk është rast i izoluar. Qytetarë të Kosovës janë përballur edhe më herët me situata të ngjashme nga autoritetet kufitare serbe. Së fundmi, qytetari Mitehat Llozhani është arrestuar nga autoritetet serbe në pikën kufitare Batrovci, në kufi me Kroacinë.

Kujtojmë se Ministria e Punëve të Jashtme ka thënë se Serbia po cenon normat dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, për çka ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të ushtroj presion ndaj saj./Telegrafi/


Rihapja e Tik-Tok, Rama: Nuk ishte dorëzim - janë vendosur mekanizma të rinj sigurie

8 February 2026 at 11:56


Rama tha se rihapja e Tik-Tok pas bllokimit 1-vjeçar ishte një vendim i paralajmëruar më herët dhe vjen si rezultat i një procesi serioz rishikimi dhe bashkëpunimi me kompaninë.

Sipas kryeministrit, sot TikTok është serish i aksesueshëm sepse janë vendosur mekanizma të rinj sigurie.

“Këtë javë doli dhe vendimi i Këshillit të Ministrave për të hequr masën e bllokimit të TikTok.

Është një vendim që e pata lajmëruar kur pata shpjeguar në më shumë se një rast, jo vetëm këtu, por edhe në mediat ndërkombëtare, që për befasinë tonë të këndshme, pozitive, TikTok ishte shumë i hapur, ishte shumë aktiv në ndërtimin e një dialogu me ne, pasi ne bëmë bllokimin.

Dhe nuk është TikTok që na ka çuar në gjyq, por është ç’të të them ç‘është, kush është, dihet kush është, që na ka çuar në gjyq edhe për TikTok. Por çfarë t’i thuash! Kështu që, ajo që pata paralajmëtar ka ndodhur sepse me TikTok kemi vendosur, jo vetëm një komunikim, por kemi vendosur dhe një bazë të re dhe për këtë arsye Vendimi i Këshillit të Ministrave nuk është tërheqje, nuk është dorëzim dhe aq më pak pastaj nuk është mbyllje sysh siç është komentuar me sa më thonë, por është rezultat i një procesi serioz, rishikimi dhe i një pune konkrete adresimi real të shqetësimeve për sigurinë dhe për filtrat e nevojshëm që të ketë shumë më tepër kontroll në kuptimin e mirë të fjalës, jo censure, por kontroll mbi gjithë aktivitetin dhe mbrojtje të fëmijëve dhe më të rinjve, në radhë të parë.

Ky ishte dhe qëllimi i bllokimit, interesi publik mbrojtja e fëmijëve. Dhe kjo ishte dhe vija e dialogut dhe sot TikTok është serish i aksesueshëm sepse janë vendosur mekanizma të rinj sigurie. Ka filtra të rinj mbi përmbajtjen, ka kontrolle efektive dhe mënyra raportimi dhe trajtimi të shkeljeve që nuk ishin më parë”, tha Rama./euronews/

Gjobiten 15 shitës ilegalë për shitje të rrezikshme të mishit në tregun e automjeteve në Prishtinë

8 February 2026 at 11:45


Inspektorati i Komunës së Prishtinës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK), ka ndërmarrë një aksion të gjerë që në orët e hershme të mëngjesit për largimin e shitësve ambulantë nga hapësira publike në tregun e automjeteve që mbahet çdo të diel, duke gjobitur 15 shitës ilegal, që shesin shpezë dhe bagëti të vogla.

AUVK së bashku me drejtorinë e Inspektoratit të komunës së Prishtinës, e kanë cilësuar një veprim të tillë rrezik serioz për shëndetin publik, ku shitësit ilegal në mënyrë brutale therin shpezët dhe i shesin në atë mënyrë.

Drejtori i Inspektoratit, Bekim Brestovci tha se kjo pjesë e hapësirës publike nuk është e destinuar për shitje të tilla, ku edhe ka mundur të shpërndahen infeksione të ndryshme.

Brestovci ka bërë të ditur se kjo hapësirë nga sot, në asnjë formë nuk do të jetë e destinuar për treg siç ka qenë çdo të diel.

“Inspekcioni i kryeqytetit po punon me një plan operativ në zhdukjen e disa dukurive negative të cilat i kemi në kryeqytet. Njëra prej tyre natyrisht është edhe shfrytëzimi i kësaj hapësire publike, ndryshe që njihet rruga mbrapa tregut të automjeteve.. Bëhet fjalë për një rrugë, për një hapësirë publike e cila në asnjë formë nuk është e destinuar për shitje të tilla. Kemi pasur edhe një gjendje tepër katastrofike, sepse përveç që është bërë shitja e shpezëve dhe bagëtive të vogla, këtu njëkohësisht është bërë edhe therja e tyre, gjë që ka çuar natyrisht pastaj edhe në një pamje tepër të keqe, po edhe të një dukurie e cila mund të kishte pasur edhe shpërndarje të infeksioneve të ndryshme”, tha Brestovci.

Ai shtoi se kjo hapësirë tani e tutje në asnjë formë, në asnjë mënyrë dhe në asnjë periudhë kohore më nuk do të jetë e destinuar për treg, siç është përdorur deri më tani.

“Këta duhet t'i drejtohen komunës, është Drejtoria e Shërbimeve Publike, pastaj drejtori kompetente e cila merret me destinimin dhe dhënien në shfrytëzim të hapësirave publike”, tha ai.

Ndërkohë, kryeinspektori i Inspektoratit, Alban Ymeri tha se janë shqiptuar 15 gjoba me shumë 100 euro, për ata që nuk iu janë përfillur urdhrit të inspektorëve.

Ymeri bëri të ditur se aksioni do të vazhdojë, deri në momentin që shitësit ilegal vetëdijesohen.

“Kemi inspektuar komplet hapësirat këtu përreth tregut, ku të gjithë shitësit të cilët kanë tentuar të shesin ilegalisht janë larguar. Ndaj të njëjtëve është marrë edhe masa ndëshkuese konform rregulloreve dhe ligjeve në fuqi. Aksioni është duke vazhduar, derisa të vetëdijesohen gjithë shitësit ilegalë.. Diku rreth 15 gjoba janë shqiptuar deri tani nga ana e inspektoratit tonë. Shumica e kanë mirëpritur vendimin tonë dhe kanë filluar të largohen, ndërsa ata që nuk i janë përfillur urdhrit e inspektorëve, është marrë masa ndaj tyre, 100 euro, për secilin që është has duke tregtuar ilegalisht”, tha Ymeri.

Nga ana e AVUK-ut, shefi i zyrës për informim, Muharrem Shahini shtoi se blerja e shpezëve nga qytetarët në atë mënyrë janë të dëmshme për shëndetin, të pakontrolluara dhe anti-higjenike.

Shahini theksoi se ky aksion nuk do të vlej vetëm për Komunën e Prishtinës por në të gjitha komunat e vendit.

“Në mënyrën më brutale mund të them, theren, shiten, keqtrajtohen në këtë pjesë të qytetit të Prishtinës. Me këtë rast ne e kemi marrë edhe këtë, këtë vendim. Si agjencion dhe si institucion i cili kujdeset për shëndetin e qytetarëve të Kosovës sa i përket konsumimit të ushqimeve, mishrave dhe gjitha ushqimeve të tjera, atëherë ne edhe e kemi konstatuar që është e dëmshme për shëndetin. Njëkohësisht janë të pakontrolluara, mënyra se si theren, mënyra se si trajtohen është jo vetëm brutale po është anti-higjienike”, shtoi Shahini.

Shahini shtoi se me shitjen në një ambient të hapur mish apo ushqime të tjera është e palejueshme.

“Kjo nuk vlen vetëm për komunën e Prishtinës, ky aksion do të zgjerohet edhe në komuna të tjera dhe nuk do të lejohet në mënyrë absolute qytetarët të konsumojnë ushqimin nëpër tregje të tilla”, tha ai.

Shitësit ilegal, që kishin ardhur nga komuna të ndryshme të Kosovës, nuk ishin të pajtimit që t’u mos u lejohet të shesin produktet e tyre.

Të njëjtit si shenjë proteste qëndruan në rrugë, para Policisë së Kosovës.

Përndryshe, sipas Brestovcit, për dhënie të shfrytëzimit të hapësirave publike, shitësit ilegal duhet t’i drejtohen drejtorisë së Shërbimeve Publike

Sigurinë më të lartë në Ballkan, por ekonomi problematike - çfarë thotë raporti i "SecuriMeter" për Kosovën?

8 February 2026 at 11:00


Qytetarët e Kosovës raportojnë nivelin më të lartë të ndjenjës së sigurisë personale në Ballkanin Perëndimor, sipas raportit më të fundit SecuriMeter 2025, të publikuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC).

Sondazhi, i realizuar nga 30 maji deri më 18 qershor 2025 me 6,007 të anketuar në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, tregon se 64.3 për qind e qytetarëve të Kosovës ndihen të sigurt në jetën e përditshme, duke e renditur Kosovën në krye të rajonit për këtë tregues.

Po ashtu, 58.4 për qind e të anketuarve në Kosovë e konsiderojnë vendin e tyre një vend të sigurt për të jetuar, një përqindje dukshëm më e lartë se mesatarja rajonale, ku vetëm 38.4 për qind e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor ndajnë të njëjtin mendim për rajonin në tërësi.

Sa i përket së ardhmes, 36.9 për qind e qytetarëve të Kosovës presin që situata e sigurisë në rajon të përmirësohet gjatë vitit të ardhshëm, duke reflektuar një nivel relativisht të lartë optimizmi krahasuar me vendet e tjera të rajonit.

Në të njëjtën kohë, shqetësimet për skenarë si lufta apo konflikti civil mbeten më të ulëta në Kosovë sesa në disa vende fqinje, transmeton Telegrafi.

Megjithatë, raporti vë në pah se problemet ekonomike janë shqetësimi kryesor i qytetarëve, si në Kosovë ashtu edhe në të gjithë rajonin.

55.7 për qind e të anketuarve në të gjashtë vendet e Bllakanit e konsiderojnë koston e lartë të jetesës si sfidën më të madhe, ndërsa 52.8 për qind janë të shqetësuar për inflacionin dhe 52.4 për qind për nivelin e pensioneve.

telegrafi.com

Në Kosovë, vetëm 29.1 për qind e qytetarëve shprehen të kënaqur me gjendjen ekonomike, ndërsa një pjesë e konsiderueshme raportojnë vështirësi në përballimin e shpenzimeve mujore, veçanërisht për shpenzime të paparashikuara, pushime apo aktivitete sociale.

Raporti trajton edhe çështjen e migrimit, ku 27.3 për qind e qytetarëve në rajon shprehin dëshirë ose plane për t’u larguar jashtë vendit, kryesisht drejt vendeve të Evropës Perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara.

Në Kosovë, megjithatë, 80.6 për qind e të anketuarve deklarojnë se nuk planifikojnë të largohen nga vendi, duke treguar një nivel më të lartë qëndrueshmërie krahasuar me rajonin.

Sa i përket imigracionit, qëndrimet mbeten të ndara: 54.8 për qind e qytetarëve e shohin atë si përgjegjësi humanitare, ndërsa 43.4 për qind mendojnë se imigracioni mund të rrisë kriminalitetin.

Në aspektin institucional, besimi më i lartë në tërë vendet e rajonit vazhdon të jetë te institucionet e sigurisë, si policia dhe ushtria, ndërsa besimi te institucionet politike dhe mediat mbetet më i ulët, transmeton Telegrafi.

Një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve shprehin skepticizëm ndaj paanshmërisë së mediave dhe mënyrës së informimit publik.

Raporti SecuriMeter 2025 përfundon se, ndonëse Kosova dallohet për ndjenjë më të lartë të sigurisë personale dhe optimizëm krahasuar me rajonin, sfidat ekonomike, kostoja e jetesës dhe besimi në institucione mbeten çështje kyçe që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve. /Telegrafi/

Para false dhe drogë, aksion policor në Ferizaj dhe Kaçanik - sekuestrohen dollarë

8 February 2026 at 10:21


Policia e Kosovës ka iniciuar raste për “Falsifikim të parasë” dhe “Posedim të paautorizuar të narkotikëve” pas një incidenti të raportuar më 6 shkurt rreth orës 19:30, në fshatin Prelez i Jerlive, në Ferizaj.

Sipas njoftimit zyrtar, në një pompë të derivateve është dyshuar përdorimi i një kartëmonedhe të falsifikuar prej 20 eurosh. Patrulla policore ka identifikuar tre persona të dyshuar: Sh. V. (27), shtetas i Kosovës, si dhe dy shtetas palestinezë, N. Z. (30) dhe M. O. (28). Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar kartëmonedhën e dyshuar, një sasi të vogël substance narkotike dhe dy mulli.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, janë iniciuar procedurat penale, ndërsa dy shtetasit e huaj janë ndaluar për 48 orë. I dyshuari kosovar është liruar pas intervistimit.

Më 7 shkurt 2026, gjatë vazhdimit të hetimeve, policia ka identifikuar banesën me qira të të dyshuarve në Ferizaj, ku janë gjetur dhe sekuestruar dokumente identifikimi të shteteve të ndryshme. Po ashtu, është konstatuar se njëri nga të dyshuarit, M. O., ishte subjekt i një urdhërarresti ndërkombëtar.

Gjatë veprimeve hetimore është identifikuar edhe një e mitur kosovare, A. T. (17), e cila shoqëronte të dyshuarin. Në kontrollin e banesës së saj në Kaçanik janë gjetur 39 kartëmonedha prej 50 dollarësh amerikanë të dyshuara si të falsifikuara, një sasi e vogël narkotikësh dhe dokumente të huaja. Sipas policisë, substanca narkotike i përkiste E. D. (19).

Të gjitha veprimet janë zhvilluar në koordinim me Njësitin e Hetimeve të Kufirit dhe Prokurorinë Themelore në Ferizaj. E mitura është intervistuar në prani të prindit dhe avokatit mbrojtës, ndërsa ajo dhe E. D. janë liruar në procedurë të rregullt.

Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar. /Telegrafi/

Plumb në këmbë gjatë vozitjes, vet-plagoset aksidentalisht një person në Drenas

8 February 2026 at 10:11


Rreth orës 13:40, një person mashkull dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri derisa ishte duke drejtuar veturën e tij.

Sipas informacioneve fillestare, i dyshuari ka pësuar lëndime në këmbën e majtë, në afërsi të gjurit.

Rasti ka ndodhur në Drenas.

Në vendin e ngjarjes, si prova materiale, janë konfiskuar një pistoletë, pesë fishekë dhe një gëzhojë.

Rasti është iniciuar si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Autoritetet kompetente janë duke e hetuar rastin për të sqaruar plotësisht rrethanat e incidentit. /Telegrafi/

Gjykimi i katërshes së UÇK-së drejt fundit, cilat janë procedurat përpara?

8 February 2026 at 10:02


Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është në kilometrin e fundit, dhe pak hapa kanë mbetur deri te vendimi i trupit gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës, në Hagë, për akuzat ndaj tyre për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.

Ata akuzohen për veprat penale që përbëjnë krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje.

Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Në fillim të javës së ardhshme pritet të nisin deklaratat përmbyllëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Mbrojtësit të Viktimave dhe të ekipeve mbrojtëse të ish-eprorëve të UÇK-së, të cilët ndodhen në qendrën e paraburgimit të asaj që njihet si Gjykata Speciale, në Holandë, që nga nëntori i vitit 2020.

Çfarë ka ndodhur deri më tani?

Aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katërshes së UÇK-së u konfirmua më 26 tetor të vitit 2020. Me t’u bërë publike, më 5 nëntor të po atij viti, të akuzuarit u dërguan në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Pastaj nisi procedura paraprake, kur u mbajtën një sërë konferencash statusore, e u prezantuan materiale dhe prova të ndryshme. Gjykimi nuk filloi deri më 3 prill të 2023-tës.

Për tri ditë rresht, palët mbajtën deklaratat e tyre hyrëse. Fillimisht, prokurorët dhe mbrojtësit e viktimave.

Prokurorët e specializuar njoftuan se do të paraqisnin dëshmi se të akuzuarit ishin anëtarë të asaj që e konsiderojnë “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, që gjoja kishte shënjestruar kundërshtarët e perceptuar të UÇK-së. Në deklaratat hyrëse, ata thanë se ajo kishte udhëhequr një “luftë speciale” kundër atyre që i konsideronte “kolaboracionistë” dhe “tradhtarë”.

Në fjalimin e tij hapës në nisje të gjykimit, prokurori i specializuar, Alex Whiting, deklaroi se “shumica e viktimave të të pandehurve ishin bashkëkombës shqiptarë të Kosovës”.

“Në zellin e tyre për të goditur dhe eliminuar ata që i konsideronin kundërshtarë, të pandehurit mbështetën dhe zbatuan një politikë që shpesh i viktimizonte edhe të vetët e tyre”, tha Whiting.

Ndërkaq, përmes deklaratave të tyre hyrëse, për dy ditë me radhë, duke nisur nga 4 prilli i vitit 2023, ekipet mbrojtëse argumentuan se UÇK-ja s’kishte një komandë fikse, duke hedhur poshtë akuzën se ata ishin pjesë e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, siç pretendon Prokuroria.

Në seancën e 4 prillit, u deklarua edhe vetë Thaçi. Ai tha se është vërtetuar se UÇK-ja nuk ka kryer veprën e trafikimit të organeve, akuzë që ishte bërë nga ish-senatori zviceran, Dick Marty, që u konkretizua në një raport të Këshillit të Evropës më 2011. Pikërisht ky raport shërbeu si pikënisje për krijimin e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës, me seli në Hagë.

“Bota tani e di sot, si rezultat i këtij procesi, se nuk kishte trafikim organesh dhe se Shtëpia e Verdhë nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë se edhe unë, edhe UÇK-ja, populli i Kosovës dhe gjithë shqiptarët, jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë, dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr. Pra, kjo sakrificë ia ka vlejtur”, u shpreh Thaçi.

Që nga prilli i vitit 2023, e deri në dhjetorin e vitit 2025, palët paraqitën prova e thirrën dëshmitarë në gjykatore.

Në rastin ndaj katërshes së UÇK-së vlerësohet se janë 155 viktima pjesëmarrëse. Zyra e Prokurorit të Specializuar ftoi në gjykatore 125 dëshmitarë, ndërkaq 117 të tjerë dorëzuan dëshmitë e tyre me shkrim.

Një nga dëshmitarët e Prokurorisë ishte edhe Fadil Geci, i cili në tetor të vitit 2024 dëshmoi në Hagë se “Thaçi ka menduar të na shfarosë”.

“Kjo është e vërteta… me krejt familjen, qëllimi i tij ka qenë të na shfarosë”, shprehej Geci.

Në prill të vitit 2025, Prokuroria e Specializuar përmbylli fazën e prezantimit të dëshmitarëve, ndërkaq më vonë, gjatë atij muaji, e përmbylli paraqitjen e provave, duke prezantuar mijëra prova materiale, që tha se mbështesnin akuzat e saj.

Dy viktima u thirrën në gjykatore nga mbrojtësit e viktimave, ndërkaq shtatë dëshmitarë u ftuan nga ekipet mbrojtëse.

Dëshmitarët e mbrojtjes

Në shtator, ekipet mbrojtëse të Thaçit dhe Krasniqit nisën thirrjen e dëshmitarëve, dhe paraqitjen e provave të tyre. Ekipi i Veselit dhe ai Krasniqit zgjodhën të mos paraqisnin as prova, e as të thërrisnin dëshmitarë.

I pari që doli para gjykatores ishte James Rubin, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, i cili për tri ditë rresht, në shtatorin e 2025-tës, dëshmoi në mbrojtje të Thaçit. Ai tha se ish-presidenti i Kosovës kishte rol kryesisht politik në UÇK, dhe s’kishte kompetenca për vendime ushtarake, duke shtuar se për çdo vendim të rëndësishëm ai duhej të merrte miratimin e komandantëve të zonave. Rubin dëshmoi se nuk kishte informacione që e lidhnin Thaçin dhe Krasniqin me pretendimet për vrasje.

Në gjykatore u paraqit edhe Christopher Hill, diplomat i pensionuar amerikan, që kishte qenë i dërguar i Uashingtonit gjatë luftës në Kosovë. Edhe ai ishte në të njëjtën linjë se Thaçi nuk ishte përgjegjës në UÇK, duke theksuar se nuk kishte informacione se Thaçi kishte urdhëruar aktivitete të paligjshme.

Ish-komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s, Wesley Cark, ishte dëshmitari i fundit i mbrojtjes së Thaçit. Për dy ditë resht, në nëntorin e 2025-tës, ai dëshmoi për rolin e UÇK-së dhe të Thaçit. Sipas gjeneralit të pensionuar amerikan, Thaçi nuk mban përgjegjësi për aktet e dhunës në Kosovë.

Njeriu kryesor i fushatës së NATO-s ndaj caqeve serbe dëshmoi se UÇK-ja nuk kishte zinxhir komandues funksional, e as hierarki të plotë, dhe nëse do të kishte diçka të tillë, sipas tij, do të ishte e pamundur që SHBA-ja dhe NATO-ja të mos ishin në dijeni.

Ai i tha trupit gjykues se UÇK-ja nuk ishte terroriste dhe se pjesëtarët e saj luftuan për lirinë e tyre.

Deklaratat përmbyllëse

Me përmbylljen e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes, gjykimi kaloi në fazën tjetër: Dorëzimi i dosjeve përfundimtare nga palët, deri në fund të janarit.

Ndërkaq, nga 9 deri më 18 shkurt, palët do të mbajnë deklaratat përmbyllëse.

Fillimisht do të ketë radhën Prokuroria, ekipet e mbrojtësve të viktimave, dhe më pas nga 11 shkurti do të jetë radha e ekipeve mbrojtëse të të pandehurve.

Çështja te trupi gjykues

Pas përmbylljes së deklaratave, çështja kalon te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen dhe ta shpallin atë.

Nga Gjykata në Hagë më herët kanë treguar se gjykatësit mund të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit edhe për dy muaj, dhe në raste të jashtëzakonshme edhe më gjatë.

Teksa ky gjykim po shkon drejt fundit, Thaçi pritet të ketë ende punë me Dhomat e Specializuara, pasi ndaj tij pritet që së shpejti të nisë gjykimi për një rast të ndarë kundër administrimit të drejtësisë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u themeluan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. /REL/

❌
❌