Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 21 January 2026Main stream

STRASBURG – Von der Leyen: Marrëdhëniet BE–SHBA në udhëkryq

21 January 2026 at 12:05

STRASBURG, 21 janar /ATSH-DPA/ – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen vlerëson se marrëdhëniet transatlantike ndodhen në një moment kritik, pas përplasjes së fundit lidhur me Groenlandën.

“Ne jemi në një udhëkryq”, u tha ajo sot deputetëve të Bashkimit Evropian duke theksuar se Evropa preferon dialogun dhe zgjidhjet, por është “plotësisht e përgatitur të veprojë, nëse është e nevojshme, me unitet, urgjencë dhe vendosmëri”.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian pritet të mblidhen nesër në Bruksel, pasi presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se tetë vende evropiane do të përballen me tarifa më të larta derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës të sigurojnë, sipas tij, “blerjen e plotë dhe totale” të Groenlandës.

”Kërcënimi ndaj BE-së me tarifa shtesë për arsye sigurie është thjesht i gabuar”, tha Von der Leyen.

Ajo nënvizoi se Groenlanda nuk është vetëm e pasur me lëndë të para dhe një pikë strategjike në rrugë detare gjithnjë e më të rëndësishme globale, por edhe shtëpia e një populli të lirë dhe sovran.

“Është një komb me sovranitet dhe me të drejtën e integritetit territorial. E ardhmja e Groenlandës i takon vetëm groenlandezëve”, theksoi ajo.

Von der Leyen paralajmëroi gjithashtu për pasojat më të gjera të një përçarjeje në marrëdhëniet BE–SHBA.

“Ky moment ndryshimi global është i mbushur me rreziqe dhe Evropa duhet të jetë gati të ndryshojë edhe më shpejt për t’u bërë më e pavarur për të ardhmen e saj. Kjo nuk do të jetë e lehtë dhe do të kërkojë vendime të vështira”, tha ajo./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post STRASBURG – Von der Leyen: Marrëdhëniet BE–SHBA në udhëkryq appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

JAPONI – Vrasësi i ish-kryeministrit Abe dënohet me burgim të përjetshëm

21 January 2026 at 10:48

TOKIO, 21 janar /ATSH-DPA/ – Një gjykatë japoneze dënoi sot me burgim të përjetshëm autorin e vrasjes së ish-kryeministrit, Shinzo Abe.

Tetsuya Yamagami, 45 vjeç, kishte pranuar se e kishte qëlluar me armë të improvizuar ish-kryeministrin japonez, më jetëgjatin në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë një fjalimi elektoral në korrik 2022.

Vdekja e dhunshme e Abe tronditi opinionin publik në mbarë botën.

Yamagami u neutralizua dhe u arrestua menjëherë në vendngjarje, përpara kamerave.

Sipas hetuesve, ai deklaroi se veproi nga urrejtja ndaj “Unification Church”, (Kisha e Unfikuar) një organizatë fetare e themeluar në Korenë e Jugut në vitin 1954 nga Sun Myung Moon, e cila gëzonte mbështetje në Japoni nga gjyshi i Abe, ish-kryeministri Nobusuke Kishi.

Atentati ndaj Abe nxori në pah lidhjet mes Kishës së Unifikimit dhe anëtarëve të  Partisë Liberal-demokrate, partia në pushtet e Japonisë./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post JAPONI – Vrasësi i ish-kryeministrit Abe dënohet me burgim të përjetshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: OKB-ja nuk e ka shfrytëzuar kurrë potencialin e saj

21 January 2026 at 10:12

UASHINGTON, 21 janar /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e kritikoi sërish Organizatën e  Kombeve të Bashkuara (OKB), duke deklaruar se ajo nuk ka arritur të përmbushë potencialin e saj.

“OKB-ja thjesht nuk ka qenë shumë e dobishme”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

“Unë jam një mbështetës i madh i potencialit të OKB-së, por ajo kurrë nuk e ka përmbushur atë”, theksoi ai.

I pyetur nëse synon ta zëvendësojë OKB-në me Bordin e Paqes, i krijuar si pjesë e armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja mes Izraelit dhe organizatës militante palestineze Hamas, Trump u shpreh se OKB-ja duhet të vazhdojë të ekzistojë për shkak të potencialit të madh që ka.

“Besoj se duhet ta lini OKB-në të vazhdojë, sepse potenciali është shumë i madh”, tha ai.

Trump pretendoi gjithashtu se OKB-ja “duhej t’i kishte zgjidhur të gjitha luftërat që unë kam zgjidhur”.

“Unë nuk iu drejtova kurrë atyre. As nuk mendova të shkoja. Ata duhet të jenë në gjendje t’i zgjidhin këto luftëra. Nuk e bëjnë”, shtoi ai.

Presidenti republikan ka deklaruar vazhdimisht se administrata e tij ka përfunduar tetë luftëra në vitin e parë të mandatit të dytë presidencial dhe se për këtë meritonte çmimin Nobel për Paqen.

Bordi i Paqes u krijua fillimisht si pjesë e planit amerikan për Gazën, me synimin për të mbikëqyrur një qeveri tranzitore.

Diplomatë që kanë parë statutin e këtij organi i kanë thënë dpa-së se ai përbën një sfidë të hapur ndaj OKB-së, të cilën Trump e ka cilësuar vazhdimisht si jofunksionale.

Sipas këtyre burimeve, SHBA-ja po shqyrton zgjerimin e ndjeshëm të mandatit të bordit, nga Gaza drejt promovimit të stabilitetit dhe zgjidhjes së konflikteve në mbarë botën.

Draftstatuti parashikon që Trump të kryesojë këshillin e bordit dhe që vetëm krerët e shteteve dhe kryeministrat e ftuar prej tij të mund të jenë anëtarë./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post SHBA – Trump: OKB-ja nuk e ka shfrytëzuar kurrë potencialin e saj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 20 January 2026Main stream

KIEV – Zelensky vendos kushte për pjesëmarrjen në Davos

20 January 2026 at 16:01

KIEV, 20 janar /ATSH-DPA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka deklaruar se pjesëmarrja e tij në Forumin Ekonomik Botëror (WEF) në Davos do të varet nga nënshkrimi i kontratave ose sigurimi i angazhimeve konkrete për ndihmë ndaj Ukrainës.

“Nëse dokumentet janë gati, atëherë do të ketë një takim (me presidentin amerikan Donald Trump) dhe një udhëtim”, u tha Zelensky gazetarëve, sipas raportimeve të medieve ukrainase sot.

Ai shtoi se do të udhëtonte drejt resortit alpin zviceran edhe nëse do të kishte premtime për mbështetje shtesë për sektorin energjetik të Ukrainës ose për sisteme të tjera të mbrojtjes ajrore.

“Por, deri tani, unë kam një detyrë këtu në Ukrainë dhe për mua është thelbësore të koordinoj të gjitha shërbimet këtu”, theksoi ai.

Kievi shpreson të sigurojë garanci sigurie dhe fonde për rindërtimin ekonomik në kuadër të një plani paqeje të udhëhequr nga SHBA për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, por bisedimet mbi këtë plan kanë mbetur të bllokuara./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post KIEV – Zelensky vendos kushte për pjesëmarrjen në Davos appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

DAVOS – Von der Leyen premton rritje të madhe të investimeve evropiane në Groenlandë

20 January 2026 at 14:34

DAVOS, 20 janar /ATSH-AFP/ – Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen premtoi sot një rritje të madhe të investimeve evropiane në Groenlandë dhe u angazhua të punojë me Shtetet e Bashkuara  të Amerikës për përmirësimin e sigurisë në Arktik.

“Po punojmë për një rritje të madhe të investimeve evropiane në Groenlandë”, deklaroi ajo gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, pa specifikuar ndonjë shumë konkrete.

“Ne do të bashkëpunojmë ngushtë me Groenlandin dhe Danimarkën për të përcaktuar se si mund të mbështesim më tej ekonominë dhe infrastrukturën lokale”, shtoi ajo.

“Unë mendoj veçanërisht se duhet të ndajmë një pjesë të rritjes së shpenzimeve tona të mbrojtjes për të krijuar një kapacitet evropian të thyerjes së akullit dhe pajisje të tjera thelbësore për sigurinë në Arktik”, theksoi Von der Leyen.

Kryetarja e Komisionit theksoi gjithashtu gatishmërinë e saj për të punuar me Shtetet e Bashkuara “dhe të gjithë partnerët tanë” për “përmirësimin e sigurisë në Arktik”.

“Kjo është qartë në interesin tonë të përbashkët dhe do të intensifikojmë investimet tona”, tha ajo.

Gjatë këtij fjalimi, Ursula von der Leyen premtoi gjithashtu një përgjigje “të fortë” ndaj kërcënimeve të përsëritura të Donald Trump për Groenlandën dhe tarifat doganore, të cilat i quajti “gabim”.

“Ne e konsiderojmë popullin amerikan jo vetëm si aleatin tonë, por edhe si mikun tonë. Të futemi në një spirale rënëse do të favorizonte vetëm kundërshtarët që të dy jemi të vendosur t’i mbajmë larg”, theksoi ajo.

Liderët evropianë do të mblidhen të enjten në mbrëmje në Bruksel për një samit të jashtëzakonshëm për të shqyrtuar këtë çështje./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post DAVOS – Von der Leyen premton rritje të madhe të investimeve evropiane në Groenlandë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Franca i konsideron të papranueshme kërcënimet e Trump mbi tarifat për verën

20 January 2026 at 12:41

PARIS, 20 janar /ATSH-AFP/ – Kërcënimet e presidentit amerikan, Donald Trump për të vendosur tarifa 200% mbi verën dhe shampanjën franceze janë të papranueshme dhe joeficente deklaroi sot një burim pranë presidentit francez, Emmanuel Macron.

”Kërcënimet tarifore për të ndikuar në politikën tonë të jashtme janë të papranueshme dhe nuk do të kenë efekt”, tha burimi, pas deklaratës së Trump lidhur me qëndrimin e Parisit për të refuzuar ftesën e tij për të marrë pjesë në Bordin e Paqes.

Presidenti Trump kërcënoi dje se do të vendosë tarifa prej 200% për verërat dhe shampanjat franceze, në përgjigje të refuzimit të homologut të tij Emmanuel Macron për t’iu bashkuar me Bordit të Paqes për Gazën.

”Do të vendos tarifa prej 200% për verërat dhe shampanjat e tij. Dhe ai do ta pranojë këtë. Por, nuk është i detyruar ta pranojë”, u tha ai gazetarëve në Florida./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post FOKUS – Franca i konsideron të papranueshme kërcënimet e Trump mbi tarifat për verën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

DAVOS – Bessent: Marrëdhëniet SHBA-Evropë më të forta se kurrë, pavarësisht krizës së Groenlandës

20 January 2026 at 10:33

DAVOS, 20 janar /ATSH/ – Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent deklaroi sot se marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Evropës mbeten të forta, duke u bërë thirrje partnerëve tregtarë që të marrin frymë thellë dhe të lejojnë që tensionet e nxitura nga kërcënimet e reja tarifore të administratës Trump lidhur me Groenlandën të marrin rrjedhën e tyre, sipas AP.

“Unë mendoj se marrëdhëniet tona kurrë nuk kanë qenë më të afërta”, tha Bessent, duke folur në kuadër të takimit vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

Presidenti Donald Trump njoftoi të shtunën vendosjen e një takse importi prej 10%, duke nisur nga shkurti, për mallrat që vijnë nga tetë vende evropiane që janë rreshtuar në mbështetje të Danimarkës, pas thirrjeve të intensifikuara të tij që SHBA-ja të marrë kontrollin e territorit gjysmautonom të Groenlandës.

Trump ka këmbëngulur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nevojë për Groenlandën për arsye sigurie, duke përmendur kërcënime të mundshme nga Kina dhe Rusia.

Kërcënimet e presidentit amerikan kanë shkaktuar indinjatë dhe një valë aktiviteti diplomatik në mbarë Evropën, ndërsa liderët po shqyrtojnë kundërmasa të mundshme, përfshirë tarifa hakmarrëse dhe përdorimin për herë të parë të instrumentit kundër shtrëngimit të Bashkimit Evropian./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post DAVOS – Bessent: Marrëdhëniet SHBA-Evropë më të forta se kurrë, pavarësisht krizës së Groenlandës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Mijëra ndërtesa pa energji elektrike dhe ngrohje pas sulmeve ruse

20 January 2026 at 10:01

KIEV, 20 janar /ATSH-DPA/ – Furnizimi me energji elektrike, ngrohje dhe ujë është ndërprerë në disa zona të Kievit pas sulmeve të reja ruse, njoftuan sot  autoritetet ukrainase.

“Shumë pallate shumëkatëshe kanë mbetur pa ngrohje pas goditjeve ndaj kryeqytetit ukrainas”, tha kryebashkiaku Vitali Kliçko.

“Shumica e ndërtesave të prekura kishin pësuar tashmë dëmtime gjatë një sulmi të madh rus më 9 janar”, shkroi ai në Telegram.

Forcat Ajrore të Ukrainës bënë të ditur se Rusia përdori një kombinim dronësh dhe raketash lundruese në sulmin gjatë natës.

Përveç dëmtimeve në infrastrukturën energjetike, u goditën edhe ndërtesa banimi dhe automjete private. Disa makina u përfshinë nga flakët pasi u goditën nga mbeturinat e dronëve të rrëzuar.

“Furnizimi me ujë u ndërpre gjithashtu në bregun e majtë të lumit Dnipro, që kalon përmes Kievit”, tha Kliçko.

Kievi po përballet me dimrin më të vështirë që nga fillimi i pushtimit të plotë rus, gati katër vjet më parë.

Rusia ka shënjestruar në mënyrë sistematike sistemin energjetik të Ukrainës, duke e dobësuar rëndë rrjetin dhe duke shkaktuar ndërprerje të përditshme të energjisë që zgjasin disa orë.

Një seri sulmesh të rënda ndaj kryeqytetit në fillim të këtij muaji, e kombinuar me temperatura të ulëta nën zero, ka përkeqësuar kushtet për banorët e Kievit. Autoritetet kanë ngritur strehë emergjente ku qytetarët mund të ngrohen, të marrin ujë dhe të karikojnë telefonat celularë./   /Ad.Ab./

The post KIEV – Mijëra ndërtesa pa energji elektrike dhe ngrohje pas sulmeve ruse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

FOKUS – Berlini dënon kërcënimet për tarifa të Trump dhe paralajmëron kundërmasa

19 January 2026 at 15:57

BERLIN, 19 janar /ATSH-DPA / – Qeveria gjermane ka dënuar kërcënimin e papranueshëm të presidentit amerikan Donald Trump për tarifa ndëshkuese lidhur me mosmarrëveshjen për Groenlandën, ndërsa partitë në Berlin nga të gjitha spektrat politike po përpiqeshin të përgjigjeshin ndaj provokimit më të fundit të politikës së jashtme amerikane.

“Me këto kërcënime, ai po përshkallëzon konfliktin tregtar”, tha zëdhënësi i qeverisë, Stefan Kornelius.

“Nuk ka fitues në një konflikt tregtar”, shtoi Kornelius, duke theksuar se vendet evropiane janë të vendosura të përgjigjen me masa efektive kundërveprimi, përfshirë tarifat ndëshkuese.

“Do të përgatitim gjithashtu masa të mëtejshme ekonomike nëse është e nevojshme. Dhe nëse është e nevojshme, që nga shkurti”, tha zëdhënësi.

“Ka një marrëveshje të gjerë mbi këtë mes shteteve anëtare të Bashkimit Evropian”, shtoi  ai.

Komentet vijnë pasi Trump deklaroi  sot se do të vendosë një tarifë 10% mbi mallrat nga Danimarka dhe shtatë vende të tjera evropiane duke nisur nga 1 shkurti, e cila do të rritej në 25% nga 1 qershori, nëse nuk arrihet një marrëveshje e kënaqshme, që sipas tij do të ishte blerja e plotë dhe totale e Groenlandës, e administruar nga Danimarka.

Trump ka insistuar se kontrolli amerikan mbi ishullin Arktik është i nevojshëm për të mbrojtur rajonin nga Rusia dhe Kina.

Kërkesa e tij e ashpër ka hasur kundërshtim brenda Groenlandës, në Kopenhagë dhe mes aleatëve evropianë të Danimarkës./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Berlini dënon kërcënimet për tarifa të Trump dhe paralajmëron kundërmasa appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – Trump: SHBA do ta largojë kërcënimin rus nga Groenlanda

19 January 2026 at 15:25

UASHINGTON, 19 janar /ATSH/ – Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi sot  se Uashingtoni do të marrë masa vendimtare për të eliminuar kërcënimin rus në Groenlandë, sipas Reuters.

“NATO i ka thënë Danimarkës për 20 vjet. Duhet të largoni kërcënimin rus nga Groenlanda. Fatkeqësisht, Danimarka nuk ka qenë në gjendje të bëjë asgjë. Tani është koha dhe do të bëhet!”, tha Trump në platformën e tij Truth Social.

Trump ka insistuar vazhdimisht se nuk do të kënaqet me asgjë më pak se pronësinë e Groenlandës, një territor autonom i Danimarkës.

Liderët e Danimarkës dhe të Groenlandës kanë theksuar se ishulli nuk është për shitje dhe nuk dëshiron të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dhe Trump diskutuan dje situatën e sigurisë në Grenlandë dhe Arktik në një telefonatë.

Rutte tha se të dy do të vazhdojnë të punojnë për këtë.

Groenlanda ka tërhequr prej kohësh interesin e SHBA-së për shkak të vendndodhjes strategjike, burimeve të saj të mëdha minerale, si dhe shqetësimeve të supozuara për aktivitetin në rritje rus dhe kinez.

Ndërkohë, Kremlini pranoi javën e kaluar statusin ligjor të Groenlandës si pjesë e Danimarkës.

”Ne veprojmë mbi parimin se Groenlanda është një territor i Mbretërisë së Danimarkës”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post UASHINGTON – Trump: SHBA do ta largojë kërcënimin rus nga Groenlanda appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJENEVË – OKB: Rritje alarmante e dënimeve me vdekje në botë në 2025

19 January 2026 at 14:52

GJENEVË, 19 janar /ATSH-AFP/ – Dënimi me vdekje në botë ka shënuar një rritje alarmante, paralajmëroi sot Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, duke shprehur shqetësim për situatën në Iran, Arabinë Saudite dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

”Ndërsa tendenca globale vazhdon të shkojë drejt shfuqizimit universal të dënimit me vdekje, numri i ekzekutimeve është rritur ndjeshëm në 2025, kryesisht për shkak të një rritjeje të dukshme në disa shtete që e ruajnë këtë dënim”, theksoi Volker Turk në një deklaratë të publikuar sot në Gjenevë.

”Zyra ime ka konstatuar një rritje alarmante të përdorimit të dënimit me vdekje në 2025, veçanërisht për shkelje që nuk përfshihen në kriterin e krimeve më të rënda të kërkuara nga ligji ndërkombëtar”, deklaroi zyrtari i OKB-së.

Në Iran, ku sipas Turk të paktën 1 500 persona janë ekzekutuar në 2025, shkalla dhe ritmi i ekzekutimeve tregojnë një përdorim sistematik të dënimit me vdekje si mjet intimidimi nga shteti.

Në Arabinë Saudite, të paktën 356 persona, përfshirë të paktën dy të mitur, janë ekzekutuar në 2025, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm të vitit 2024.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas Komisionerit të Lartë, kanë ndodhur 47 ekzekutime në 2025, që përbën numrin më të lartë në 16 vitet e fundit./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post GJENEVË – OKB: Rritje alarmante e dënimeve me vdekje në botë në 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GROENLANDË – Oficerët e marinës holandeze përfundojnë misionin

19 January 2026 at 14:34

AMSTERDAM, 19 janar /ATSH-DPA/ – Dy oficerët holandezë të marinës që morën pjesë në misionin evropian të inspektimin në Groenlandë do të kthehen sot në Holandë, njoftoi Ministria e Mbrojtjes në Hagë.

Një numër vendesh evropiane anëtare të NATO-s morën pjesë në mision nën drejtimin e Danimarkës, me qëllim të shqyrtimit të opsioneve për një manovër të përbashkët ushtarake të NATO-s të quajtur ”Arctic Endurance”.

Sipas Ministrisë Holandeze të Mbrojtjes, përgatitjet do të vazhdojnë nga Danimarka dhe Holanda.

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të shtunën tarifa shtesë prej 10% për vendet që morën pjesë në misionin e zbulimit, duke kritikuar anëtarët e NATO-s që morën pjesë.

”Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Holanda dhe Finlanda kanë udhëtuar drejt Groenlandës, për qëllime të panjohura”, shkroi ai në platformën e tij Truth Social, duke e përshkruar situatën si ”shumë të rrezikshme për sigurinë, mbrojtjen dhe mbijetesen e planetit tonë”./   /Ad.Ab./ a.jor.

The post GROENLANDË – Oficerët e marinës holandeze përfundojnë misionin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Reza Pahlavi, djali i shahut të rrëzuar, premton kthimin në Iran

19 January 2026 at 12:45

UASHINGTON, 19 janar /ATSH-DPA/ – Reza Pahlavi, djali i shahut iranian të rrëzuar nga Revolucioni Islamik i vitit 1979, u zotua se do të kthehet në Iran nga mërgimi në Shtetet e Bashkuara.

Pahlavi, 65-vjeç, nuk përcaktoi një datë dhe mbetet e paqartë nëse autoritetet iraniane do ta lejojnë të hyjë në vend dhe çfarë pasojash mund të përballet si figurë opozitare.

Protesta shpërthyen në mbarë Iranin në fund të dhjetorit për shkak të përkeqësimit të krizës ekonomike dhe rritjes së fortë të inflacionit, për t’u shndërruar më pas shpejt në demonstrata më të gjera kundër sistemit autoritar të Republikës Islamike.

Në një mesazh video të publikuar në platformën X, Pahlavi tha se populli iranian po kërkon një rrugë të re dhe të besueshme përpara.

“Beteja në Iran sot është mes pushtimit dhe çlirimit. Populli iranian më ka thirrur të udhëheq. Unë do të kthehem në Iran”, shkroi ai.

Sipas Pahlavit, iranianët po veprojnë në terren dhe tani është koha që komuniteti ndërkombëtar t’u bashkohet atyre.

“Do të kthehem në Iran. Populli i Iranit është ngritur për të rimarrë vendin e tij. Historia do t’i nderojë ata që qëndrojnë me ta”, theksoi ai.

Pahlavi, i cili ishte shpallur princ i kurorës nga i ati, shahu i ndjerë i Persisë, jeton prej dekadash në mërgim në SHBA./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Reza Pahlavi, djali i shahut të rrëzuar, premton kthimin në Iran appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Express”: Shqipëria në qendër të vëmendjes britanike për plazhet e kristalta dhe çmimet e ulëta

19 January 2026 at 10:40

TIRANË, 19 janar /ATSH/ – Ndërsa kushtet arktike po godasin Britaninë e Madhe me erëra të akullta dhe reshje dëbore, shumë britanikë kanë filluar të mendojnë për pushime në vende më të ngrohta.

Një vend evropian i nënvlerësuar dhe shumë i lirë, ku një gotë birrë kushton vetëm 2,20 paund mund të jetë zgjidhja ideale, dhe vjen i rekomanduar edhe nga eksperti i udhëtimeve Simon Calder për britaniken ”Express”.

Ky vend mesdhetar arrin temperatura rreth 28 gradë Celcius në prill dhe 40 gradë Celcius në korrik dhe pushimet atje mund të jenë shumë më të lira krahasuar me destinacione të tjera të njohura evropiane.

Çmimet janë të ngjashme me ato që Britania e Madhe kishte në vitet ’90: turistët mund të blejnë një birrë për 2,20 paund dhe një kafe për vetëm 1,50 paund, sipas kalkulatorit të kostos së jetesës “Numbeo”.

”Pushuesit mund të kursejnë edhe në hotele, pasi qëndrimi mesatar kushton rreth 49 paund për natë”, sipas BudgetYourTrip.

Për më tepër, Simon Calder është një admirues i vendit, gjë që flet vetë.

Ai foli në emisionin ”This Morning” të ITV-së në shtator 2024 për qytetin e bukur të Durrësit.

Duke biseduar me prezantuesit Ben Shepherd dhe Cat Deeley, ai tha se ”është një nga qytetet më historike dhe më të bukura të Shqipërisë”.

Calder u shpreh gjithashtu entuziast për çmimet, duke kujtuar se kishte blerë një picë dhe një birrë për rreth 6,0 paund. Ai shtoi se udhëtimi i tij prej rreth 35 kimometrash nga aeroporti deri në hotel do t’i kishte kushtuar vetëm disa paund, po të mos kishte humbur autobusin e fundit.

Për turistët që kërkojnë histori, Durrësi është destinacion ideal, i njohur për amfiteatrin e tij romak mbresëlënës, me mozaikë ende të paprekur.

Nëse preferoni plazhin, shumë udhëtarë e kanë krahasuar Shqipërinë me Greqinë, por pa çmimet e larta, falë ujërave të kristalta dhe bregdetit mahnitës.

Vendi ka njohur një rritje të shpejtë të popullaritetit mes turistëve, me qytete bregdetare si Ksamil që janë bërë virale në rrjetet sociale. Megjithatë, sipas udhëtarëve në Reddit, Shqipëria mbetet ende e nënvlerësuar, ndërsa ata lavdërojnë peizazhet mahnitëse, udhëtimet e përballueshme dhe njerëzit jashtëzakonisht mikpritës.

Shumë plazhe janë private dhe të lidhura me bare ose restorante, ndaj mund të jetë e nevojshme të paguani për të qëndruar gjatë ditës. Pasi të sistemoheni, mund të notoni në ujërat e qeta dhe blu të thellë.

Shqipëria është gjithashtu një destinacion i preferuar evropian për ecje malore, me Alpet Shqiptare që ofrojnë maja të larta, bujtina lokale në fshatra të largëta dhe ujëvara mbresëlënëse./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post “Express”: Shqipëria në qendër të vëmendjes britanike për plazhet e kristalta dhe çmimet e ulëta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KANADA – Kryeministri Carney pjesë e Bordit të Paqes për Gazën

17 January 2026 at 19:19

OTAVA, 17 janar /ATSH-AFP/ – Kryeministri kanadez Mark Carney është ftuar nga presidenti amerikan, Donald Trump për t’u bërë pjesë e një bordi që do të mbikëqyrë Gazën pas luftës, dhe ai ka vendosur ta pranojë këtë ofertë, sipas një ndihmësi të lartë qeveritar kanadez.

Trump e ka shpallur veten kryetar të Bordit të Paqes për Gazën dhe deri tani ka emëruar ish-kryeministrin britanik Tony Blair dhe senatorin amerikan Marco Rubio në rolet kryesore.

Ai ka ftuar gjithashtu udhëheqësit e Egjiptit, Turqisë dhe Argjentinës të marrin pjesë ne bord.

Bordi ka për qëllim të mbikëqyrë qeverisjen e përkohshme të Gazës, e cila ndodhet nën një armëpushim të brishtë që nga tetori i kaluar.

Ministri i Jashtëm egjiptian deklaroi se vendi po shqyrton ftesën, ndërsa Turqia ka konfirmuar pjesëmarrjen e ministrit të saj të Jashtëm, Hakan Fidan.

Në bord përfshihen gjithashtu dërguari special i Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit, Jared Kushner.

Qëllimi i bordit është të menaxhojë situatën politike dhe humanitare në Gaza pas konfliktit, duke synuar stabilizimin e rajonit./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post KANADA – Kryeministri Carney pjesë e Bordit të Paqes për Gazën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GREQI – Thesare 2 000-vjeçare zbulohet në një tempull antik në Evia

17 January 2026 at 18:34

ATHINË, 17 janar /ATSH/ – Në ishullin grek Evia, arkeologët kanë zbuluar një tempull 2 000-vjeçar pranë Tempullit të Amarysisë Artemis, që përmbante ar, bizhuteri dhe thesare të tjera të çmuara, sipas “The Independent”.

Tempulli, i ndërtuar mbi themele guri në tokë të lagur, daton nga shekulli VII para Krishtit  dhe është zbuluar nga një ekip prej 50 studiuesish.

Brenda tij, janë gjetur struktura të shumta që mund të kenë shërbyer si altare, përfshirë një altar të veçantë në formë patkoi, dhe shtresa të dendura hiri me kocka të djegura.

Artefaktet përfshijnë vazo korinthiane dhe atike, bizhuteri prej ari, argjendi dhe korali, si dhe figurina bronzi nga periudha gjeometrike që paraqesin dem dhe dhi.

Ministria greke e Kulturës njoftoi gjithashtu se janë gjetur mure të mëdha të Epokës së Bakrit, të cilat i përkasin sistemit të fortifikimit të një vendbanimi parahistorik.

Zbulimi tregon se ky kult kishte rrënjë që shtriheshin menjëherë pas përfundimit të periudhës mikenase. /Ad.Ab./

The post GREQI – Thesare 2 000-vjeçare zbulohet në një tempull antik në Evia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – EASA: Rrezik i madh për fluturimet mbi hapësirën ajrore iraniane

17 January 2026 at 17:45

BERLIN, 17 janar /ATSH-DPA/ –  Agjencia e Sigurisë së Aviacionit të Bashkimit Europian (EASA) i bëri thirrje kompanive ajrore që të shmangin përkohësisht hapësirën ajrore iraniane, duke cituar “situatën aktuale dhe mundësinë e veprimeve ushtarake amerikane” atje.

EASA këshilloi operatorët e fluturimeve të tregojnë kujdes dhe të ndërmarrin plane rezervë për operacionet dhe itineraret brenda hapësirës ajrore të vendeve fqinj, veçanërisht aty ku ndodhen bazat ushtarake amerikane.

”Paralajmërimi, që do të qëndrojë në fuqi deri më 16 shkurt, fillimisht do të mbetet i vlefshëm për një muaj”, tha agjencia.

Që nga fillimi i protestave masive kundër sundimit autoritar të Republikës Islamike para më shumë se dy javësh, presidenti Donald Trump ka kërcënuar disa herë Iranin me ndërhyrje amerikane.

EASA njoftoi se forcat iraniane të mbrojtjes ajrore janë “në një gjendje të shtuar gatishmërie” për shkak të përshkallëzimit të situatës, duke shtuar se “aktualisht ka një rritje të mundësisë së identifikimit të gabuar” brenda hapësirës ajrore iraniane.

“Prania dhe përdorimi i mundshëm i një gamë të gjerë armësh dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore, së bashku me reagimet e paparashikueshme shtetërore dhe mundësinë e aktivizimit të sistemeve SAM, krijojnë një rrezik të lartë për fluturimet civile në të gjitha lartësitë dhe nivelet e fluturimit”, theksoi autoriteti në një njoftim.

Situata po monitorohet ngushtë për të vlerësuar nivelin e rrezikut.

Sipas raportimeve nga mediat amerikane, Uashingtoni po forcon aktualisht prezencën e tij ushtarake në Lindjen e Mesme, duke përfshirë vendosjen e aeroplanmbajtëses “USS Abraham Lincoln” dhe disa anije shoqëruese, por deri tani nuk ka pasur konfirmim zyrtar nga Pentagoni. /Ad.Ab./  a.jor.

The post FOKUS – EASA: Rrezik i madh për fluturimet mbi hapësirën ajrore iraniane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KËLN – Mario Draghi fiton çmimin ‘’Karli i Madh’’ për shërbimet ndaj Evropës

17 January 2026 at 17:12

KËLN, 17 janar /ATSH-DPA/ – Mario Draghi, ish-kryeministri italian dhe ish-kreu i Bankës Qendrore Evropiane, do të marrë çmimin prestigjioz ndërkombëtar ‘’Karli i Madh’’ për shërbimet ndaj unitetit evropian, thanë sot organizatorët.

Bordi i drejtorëve të çmimit vlerësoi 78-vjeçarin për “arritjen e gjërave të mëdha për Evropën me qëllim dhe vendosmëri të palëkundur”.

Bordi përmendi raportin e Draghit mbi konkurrueshmërinë evropiane, të botuar në vitin 2024 dhe të emëruar sipas tij.

Në të, ai paralajmëroi se Bashkimi Evropian duhet të bëhet urgjentisht më inovativ ose rrezikon të mbetet prapa fuqive të tjera ekonomike si Shtetet e Bashkuara dhe Kina.

Draghi gjithashtu shprehu kohët e fundit zhgënjim për zbatimin e ngadaltë të rekomandimeve të tij, duke paralajmëruar se dobësitë po rriten.

Fituesit e mëparshëm të çmimit, të dhënë nga qyteti perëndimor gjerman i Aachenit që nga viti 1950, përfshijnë Winston Churchill, papa Françeskun dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen e mori çmimin në vitin 2025.
Çmimi i ‘’Karlit të Madh’’ u themelua nga qytetarët e Aachen menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore.

Ai mban emrin e Karlit të Madh (748-814), perandoria e të cilit shtrihej në një pjesë të madhe të Evropës Perëndimore./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post KËLN – Mario Draghi fiton çmimin ‘’Karli i Madh’’ për shërbimet ndaj Evropës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOPENHAGË – Ligjvënësit kundër planeve të Trump për Groenlandën

17 January 2026 at 16:33

KOPENHAGË, 17 janar /ATSH-DPA/ – Para protestave të planifikuara në Danimarkë dhe Grenlandë, një delegacion dypartiak i ligjvënësve amerikanë riafirmoi sot në një konferencë për shtyp në Kopenhagë kundërshtimin e tyre ndaj dëshirës së presidentit amerikan Donald Trump për të kontrolluar ishullin arktik.

“Groenlanda është pjesë e Danimarkës. Danimarka është aleatja jonë në NATO”, tha senatori demokrat Chris Coons.

“Në mendimin tim, kjo duhet të mbyllë këtë diskutim”, shtoi ai.

Presidenti Trump ka argumentuar herë pas here se kontrolli amerikan i Groenlandës është i nevojshëm për të parandaluar zgjerimin e ndikimit të Rusisë dhe Kinës në rajon.

Grenlanda, një territor kryesisht autonom arktik, është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës.

Ai së fundmi ka kërcënuar vendet që kundërshtojnë planet e tij me tarifa ndëshkuese.

Coons e përshkroi deklaratën e Trump si “jokonstruktive,” duke paralajmëruar se trajtimi aktual ndaj Danimarkës mund të shkaktojë dëme të qëndrueshme në marrëdhëniet bilaterale.

Senatori, që përfaqëson shtetin e Delaware, pyeti se si mund të besohet SHBA-ja nëse aleati i NATO-s, Danimarka, lihet në vështirësi?

Njëmbëdhjetë ligjvënësit, që udhëtuan drejt Danimarkës, thanë se planet e Trump do të hasin rezistencë edhe në SHBA, ndërsa vetëm dy prej tyre ishin nga Partia Republikane e Trump.

Disa vende evropiane të NATO-s, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Britaninë e Madhe, po dërgojnë ekipe të vogla ushtarake për të vlerësuar aftësinë e NATO-s për të mbrojtur rajonin Arktik si pjesë e një misioni vëzhgimi të udhëhequr nga Danimarka./ /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post KOPENHAGË – Ligjvënësit kundër planeve të Trump për Groenlandën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IRAN – Khamenei fajëson presidentin Trump për protestat dhe viktimat në vend

17 January 2026 at 15:57

TEHERAN, 17 janar /ATSH-DPA/ – Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei fajësoi sot presidentin amerikan Donald Trump për protestat kombëtare që kanë tronditur Iranin.

Duke iu drejtuar mbështetësve në Teheran, Khamenei tha se Trump ka ndërhyrë personalisht në trazirat dhe ka nxitur “kryengritësit” që të vazhdojnë demonstratat e tyre.

“Irani e shpall Trumpin përgjegjës për viktimat, dëmet dhe shpifjet që janë bërë kundër popullit iranian,”, shtoi ai sipas rrjetit ”Islamic Republic of Iran Broadcasting” (IRIB).

Protestat nisën më 28 dhjetor në Teheran si demonstrata nga pronarët e dyqaneve për rënien e fortë të vlerës së rialit iranian dhe përkeqësimin e kushteve ekonomike, përpara se të shndërroheshin në një kryengritje kombëtare kundër sistemit autoritar të Republikës Islamike.

Forcat e sigurisë reaguan me dhunë dhe grupet iraniane të të drejtave të njeriut raportojnë mbi 3 400 viktima që nga fillimi i trazirave.

Numrat e saktë janë të vështirë për t’u verifikuar për shkak të kufizimeve të mëdha në aksesin në internet.

Në ditët e fundit, demonstratat duket se janë qetësuar, megjithatë situata e saktë mbetet e paqartë për shkak të bllokadës së informacionit./   /Ad.Ab./  a.jor.

The post IRAN – Khamenei fajëson presidentin Trump për protestat dhe viktimat në vend appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌