Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 27 January 2026Main stream

Dëmtohet Kurani në Gjakovë - policia nis hetimet

27 January 2026 at 16:41


Një ngjarje tronditëse raportohet të ketë ndodhur në Çabrat të Gjakovës, ku persona të paidentifikuar dyshohet se kanë dëmtuar Kuranin.

Aktualisht nuk dihet identiteti i autorëve dhe motivi pas këtij veprimi, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Kështu ka deklaruar për Telegrafin, zëdhënësja e Policisë së Gjakovës, Vlera Krasniqi.

"Lidhur me ngjarjen është njoftuar prokurori i prokurorisë speciale, përderisa jemi duke ndërmarr veprimet e nevojshme për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, ka thënë Krasniqi.

Rasti është duke u hetuar, ndërsa qytetarët janë të inkurajuar të bashkëpunojnë me autoritetet për sqarimin e plotë të ngjarjes./Telegrafi/

Tre zyrtarët komunalë ndalohen për 48 orë, u janë sekuestruar telefonat

27 January 2026 at 16:13


Tre zyrtarët e Komunës së Prishtinës janë ndaluar për 48 orë pas aksionit të zhvilluar të martën nga Njësia për Krime Ekonomike.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.

Nga prokuroria bëhet e ditur se të dyshuarit po hetohen për veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrja e ryshfetit”.

“Pas aksionit të zhvilluar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, prokurori i shtetit ka marrë aktvendim për ndalimin e tre personave, të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 414 i KPRK-së dhe ‘marrja e ryshfetit’ sipas nenit 421 të KPRK-së,” ka bërë të ditur Shala.

Ajo ka shtuar se gjatë aksionit janë sekuestruar edhe telefona dhe prova të tjera, të cilat do të shërbejnë në vazhdimin e procedurës hetimore.

“Janë sekuestruar telefona si prova materiale, të cilat do të përdoren në zhvillimin e mëtejmë të hetimeve. Prokurori i shtetit, brenda afatit ligjor, do të parashtrojë kërkesë me shkrim në gjykatën kompetente për caktimin e ndonjërës prej masave ndaj të dyshuarve,” ka theksuar ajo për Telegrafin.

Ky zhvillim vjen pas aksionit të raportuar më herët, ku njëri nga zyrtarët komunal u kap në flagrancë duke pranuar ryshfet. /Telegrafi/

Pasivizimi i adresave, Mustafi reagon ndaj qasjes së Qeverisë së Serbisë për shqiptarët e Luginës

27 January 2026 at 15:44


Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryetarit të Trupit Koordinues të Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Martinoviq, duke i cilësuar ato si shembull të diskursit institucional që fsheh diskriminimin real ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Sipas Mustafit, pretendimi i Martinoviq se pasivizimi i adresave është një procedurë administrative neutrale nuk qëndron, pasi pasojat e saj prekin pothuajse ekskluzivisht shqiptarët.

“Ligji nuk bëhet diskriminues nga teksti i tij, por nga zbatimi. Dhe zbatimi i kësaj politike ka prodhuar pasoja të qarta etnike, duke u marrë qytetarëve e drejta e votës, sigurimi shëndetësor, arsimi, prona dhe vetë ekzistenca juridike”, ka theksuar Mustafi.

Ai nënvizon se heqja e adresës nuk është një akt teknik, por një formë e përjashtimit institucional.

“Kur një shtet i heq qytetarit adresën, ai nuk po e rregullon sistemin. Ai po e përjashton qytetarin nga sistemi”, shprehet ai.

Duke komentuar deklaratat e Martinoviq për të drejtat e garantuara me Kushtetutë, Mustafi vlerëson se të drejtat formale nuk përkthehen në barazi reale në terren.

“E drejta ekziston vetëm kur është e zbatueshme. Kur shqiptari nuk punësohet në polici, në gjykata apo administratë, kur diploma nga Prishtina nuk njihet dhe kur policia ia pasivizon adresën, atëherë nuk kemi barazi, por përjashtim institucional”, ka deklaruar Mustafi.

Ai shton se demokracia nuk matet me numrin e neneve kushtetuese, por me trajtimin praktik të qytetarëve.

Mustafi ka kritikuar gjithashtu listimin e projekteve simbolike nga autoritetet serbe, duke theksuar se ato nuk e zëvendësojnë barazinë strukturore.

“Dy çerdhe nuk e kompensojnë mungesën e përfaqësimit. Disa libra nuk e zgjidhin mosnjohjen e diplomave. Renovimi i një shkolle nuk e fshin realitetin e diskriminimit sistemik - aq më tepër kur këto projekte as nuk janë përfunduar”, ka thënë ai.

Në lidhje me thirrjet për dialog, Mustafi thekson se dialogu nuk mund të ndërtohet mbi mohimin e realitetit.

“Nuk mund të ketë dialog mbi mohimin. Nuk mund të ketë dialog kur njëra palë mohon ekzistencën e problemit, ndërsa pala tjetër jeton pasojat e tij çdo ditë”, është shprehur ai.

Në fund, Mustafi thekson se kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës janë elementare dhe demokratike.

“Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk kërkojnë trajtim të veçantë. Kërkojnë barazi para ligjit, përfaqësim në institucione dhe të drejtën për të qenë qytetarë. Kjo nuk është kërkesë politike, por kërkesë demokratike”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/

Veliu kërkon reformim të degës së LDK-së në Podujevë: Humbjet e njëpasnjëshme tregojnë krizën

27 January 2026 at 12:10


Anëtari i Kryesisë së LDK-së dhe ish-kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka bërë një thirrje publike për reformim të menjëhershëm të Degës së LDK-së në Podujevë, duke e cilësuar gjendjen aktuale si krizë të thellë politike dhe organizative.

Në një reagim publik, Veliu tha se pesë humbjet e njëpasnjëshme zgjedhore janë pasojë direkte e një drejtimi të gabuar dhe mungesës së përgjegjësisë politike.

“Dega e LDK-së në Podujevë ndodhet në krizë të thellë politike dhe organizative. Pesë humbje rresht janë pasojë direkte e një kryetari të komanduar që ka humbur besimin e anëtarësisë, pa marrë asnjëherë përgjegjësi”, ka deklaruar Veliu.

Ai ka kujtuar se për më shumë se tri dekada, kjo degë ka qenë shembull i organizimit dhe fitoreve, duke theksuar se qytetarët e Podujevës i kanë besuar pesë herë drejtimin e komunës.

“Kjo tregon se partia di të fitojë kur respektohen parimet, demokracia e brendshme dhe baza e saj”, ka shtuar ai.

Sipas Veliut, pas largimit të tij nga drejtimi i degës, janë marrë vendime që i ka cilësuar si kundërstatutore dhe pa legjitimitet.

“Degës i janë imponuar vendime të mbyllura, përjashtuese dhe pa legjitimitet. Rezultati është i qartë: humbje, demotivim dhe largim i anëtarësisë”, u shpreh Veliu.

Veliu ka theksuar se për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare, LDK në Podujevë nuk ka arritur të sigurojë përfaqësim në Kuvendin e Kosovës.

“Kjo është alarm serioz dhe kërkon reagim të menjëhershëm”, tha ai.

Në këtë kontekst, Veliu ka kërkuar marrje përgjegjësie politike, hapje të degës ndaj anëtarësisë dhe organizim të zgjedhjeve të lira dhe transparente.

“Kjo është thirrje për shpëtim politik të LDK-së. Heshtja dhe nënshtrimi përballë dështimit vetëm sa e thellojnë krizën”, ka deklaruar ai.

Ai ka theksuar se është i gatshëm të kontribuojë me përvojën e tij politike për reformimin dhe rikthimin e besimit të humbur.

“Nuk kërkoj privilegje. LDK nuk i përket një individi apo një grupi të vogël. Ajo është e anëtarëve dhe votuesve të saj”, përfundoi Veliu. /Telegrafi/

ZRRE shtyn afatin për aplikimet, për tarifat e energjisë vendoset në mars

27 January 2026 at 11:55


Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka shtyrë afatin për dorëzimin e aplikimeve të operatorëve të sektorit energjetik në procesin vjetor të shqyrtimit të tarifave.

Afati i ri është caktuar për datë 28 janar, pasi kompanitë ende nuk i kanë kompletuar dokumentet. Vendimi për tarifat e reja pritet të merret para fundit të marsit, ndërsa ato do të hyjnë në fuqi më 1 prill.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka shtyrë afatin për dorëzimin e aplikimeve fillestare nga operatorët e sektorit të energjisë në kuadër të procesit vjetor të shqyrtimit të tarifave.

Afati i ri është caktuar për datën 28 janar 2026. Drejtori menaxhues i ZRRE-së, Petrit Pepaj, ka bërë të ditur për Radio Kosovën se shtyrja është bërë pasi kompanitë ende nuk e kanë kompletuar dokumentacionin e tyre për aplikim. Sipas tij, pas pranimit të aplikimeve, ZRRE do të ndërmarrë një shqyrtim të hollësishëm ligjor, rregullativ dhe financiar.

Pepaj, në një përgjigje me email, ka theksuar se në këtë fazë nuk mund të paragjykohet nëse do të ketë rritje të tarifave të energjisë elektrike. Ai tha se vetëm pas analizës së plotë dhe procesit të konsultimit publik do të vlerësohet ndikimi i mundshëm tarifor për konsumatorët.

Nga ana tjetër, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Kushtrim Ahmeti, ka deklaruar se operatorët e sektorit energjetik zakonisht presin momentin e fundit për dorëzimin e dokumenteve. Sipas tij, duke parë gjendjen aktuale në sektorin e energjisë dhe reduktimet e shpeshta, pritet se do të ketë ndryshime tarifore.

“Duke e parë situatën se si po shkon sektori energjetik, me gjithë këto reduktime të shumta që po ndodhin dhe duke ua lënë fajin njëra-tjetrës, na bën të kemi dyshimet tona se nga të gjitha kompanitë që do t’i dërgojnë kërkesat e tyre në ZRRE, do të ketë kërkesa për rritjen e të hyrave, gjë që pa dyshim do të ndikojë në rritje të tarifave për ne si konsumatorë”, tha Ahmeti.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos e pranojnë një rritje të re të çmimit të energjisë elektrike, duke kujtuar se pasojat e rritjes së fundit prej 16.1 për qind po ndihen çdo ditë.

“Jemi duke pasur rritje të vazhdueshme të çmimeve jo vetëm të produkteve, por edhe të shërbimeve. Për shembull, kemi pasur rritje të çmimeve të shërbimeve të ujësjellësit. Këto po i vërteton edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës”, shtoi ai.

ZRRE pritet të marrë vendimin përfundimtar para fundit të muajit mars, ndërsa tarifat e reja të energjisë elektrike, cilat do qofshin ato, do të hyjnë në fuqi më 1 prill./RTK/

Publikohen pamjet e aksidentit në Mamushë, polici shpëton për pak sekonda nga goditja

27 January 2026 at 10:57


Një aksident i rëndë trafiku ndodhi të dielën mbrëma në Mamushë, ku mbetën të lënduar 6 persona.

Së fundmi janë publikuar edhe pamje ku shihet momenti i aksidentit në të cilin për pak sa nuk u godit edhe një zyrtar policor.

Në pamjet e shpërndara në rrjete sociale, vërehet se një veturë që po lëvizte me shpejtësi të madhe godet fillimisht një kamionetë të ndaluar nga policia dhe më pas përplaset edhe me veturën zyrtare policore.

Në video shihet qartë se polici, i cili ndodhej në afërsi të automjeteve, arrin të largohet vetëm disa sekonda para goditjes, duke shmangur kështu përplasjen direkte.

Si pasojë e aksidentit, raportohet se gjashtë persona kanë mbetur të lënduar, ndërsa të njëjtit janë dërguar për trajtim mjekësor dhe pastaj janë liruar për në shtëpi. Rasti është duke u hetuar nga Policia e Kosovës. /Telegrafi/


Kurti diskuton hapat e formimit të institucioneve me ambasadorin e Britanisë dhe Suedisë

27 January 2026 at 10:45


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar të hënën një takim të përbashkët me ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, dhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Sipas njoftimit për media bëhet e ditur se gjatë takimit, palët diskutuan për çështjet aktuale në vend, përmbylljen e procesit zgjedhor të 28 dhjetorit, si dhe hapat e ardhshëm drejt formimit të institucioneve të reja.

Po ashtu, në fokus të bisedimeve ishin prioritetet e qeverisë së ardhshme dhe bashkëpunimi ndërmjet Kosovës, Suedisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në fusha me interes të përbashkët.

Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë ndaj sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës, pa diskriminim dhe pa privilegje, për të gjithë qytetarët dhe komunitetet.

Ai vuri në pah rëndësinë e rritjes së vazhdueshme ekonomike, progresit shoqëror dhe avancimit demokratik.

Në takim u theksua gjithashtu angazhimi i Kosovës për paqe dhe siguri, ruajtjen e rendit publik dhe mbrojtjen e kufijve, si dhe synimi për integrim në Bashkimin Evropian dhe NATO. /Telegrafi/

Në QNR janë rinumëruar 74% e vendvotimeve, 27 komuna e përmbyllin procesin

27 January 2026 at 10:11


Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon rinumërimi i fletëvotimeve për vendvotimet për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për rinumërim.

Sipas KQZ-së, deri më tani janë rinumëruar rreth 74 për qind e vendvotimeve, apo 1,887 nga gjithsej 2,557 vendvotime të përfshira në këtë proces.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se rinumërimi ka nisur të martën, më 13 janar 2026, në ora 18:00, dhe po vazhdon pa ndërprerje.

“Nga fillimi i këtij procesi dhe deri më tani, më 27 janar 2026, ora 10:00, janë rinumëruar rreth 74 për qind apo 1,887 nga 2,557 vendvotime”, ka njoftuar Elezi.

Ai ka shtuar se procesi i rinumërimit tashmë është përmbyllur në 27 komuna, ndërsa në komunat e tjera po vazhdon sipas planifikimit të KQZ-së.

KQZ ka bërë të ditur se rezultatet e rinumërimit publikohen pas përfundimit për secilin vendvotim dhe janë të qasshme për qytetarët në platformën zyrtare të rezultateve, në seksionin QNR > Rinumërim.

Procesi i rinumërimit po zhvillohet nën mbikëqyrjen e institucioneve përkatëse, me qëllim të garantimit të transparencës dhe integritetit të procesit zgjedhor./Telegrafi/

Me pistoletë në bagazhe drejt Italisë, arrestohet 30-vjeçari në Rinas

27 January 2026 at 09:14


Një 30-vjeçar është arrestuar në Rinas teksa do të udhëtonte drejt Italisë, pasi nga kontrolli me skaner në bagazhet e tij është gjetur një pistoletë me municion luftarak.

Sipas njoftimit të policisë, arma do të trafikohej nga Shqipëria drejt vendit fqinj nga 30-vjeçari H.H., rezident në Itali.

Nga kontrolli nëpërmjet skanerit, në bagazhet e këtij shtetasi, u gjet 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Ai u arrestua me akuzën për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i kontrolleve të dedikuara, bazuar në analizën e riskut dhe në informacionet e inteligjencës policore, të intensifikuara me qëllim parandalimin e çdo paligjshmërie, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Rinas, në bashkëpunim me shërbimet e sigurisë në aeroportin e Rinasit, finalizuan operacionin policor të koduar “Siguria”, në kuadër të të cilit u godit një rast i tentativës për të trafikuar armë zjarri, nga Shqipëria në Itali.

Gjatë këtij operacioni, u kap në flagrancë, në dalje të Shqipërisë, dhe u vu në pranga shtetasi shqiptar H. H., 30 vjeç, rezident në Itali. Nga kontrolli nëpërmjet skanerit, në bagazhet e këtij shtetasi, u gjet 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”./euronews/

Before yesterdayMain stream

Protestat në rajon bllokojnë eksportin dhe importin e kompanive kosovare, reagon DHTIK-ja

26 January 2026 at 14:04


Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) ka shprehur shqetësim të madh lidhur me protestat që po mbahen në shtetet fqinje nga kompanitë transportuese, të cilat po shkaktojnë vështirësi të konsiderueshme për bizneset kosovare.

Sipas DHTIK-së, këto protesta kanë pamundësuar në masë të madhe eksportin dhe importin e mallrave të kompanive vendore drejt dhe nga tregjet evropiane, duke krijuar pengesa serioze në qarkullimin e mallrave.

Me këtë rast, DHTIK u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të vihen në kontakt me Bashkimin Evropian me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje sa më të shpejtë për tejkalimin e kësaj situate.

Po ashtu, DHTIK i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të ndërmarrë veprime urgjente për menaxhimin dhe tejkalimin e problemeve të shkaktuara nga zbatimi i sistemit të ri Entry/Exit System (EES), i cili është vendosur në kufijtë e jashtëm të zonës Schengen dhe ka nisur të zbatohet gradualisht që nga 12 tetori 2025.

Sipas Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, zgjidhja e kësaj çështjeje është jetike për funksionimin normal të zinxhirit të furnizimit dhe për ruajtjen e stabilitetit të biznesit në Kosovë./Telegrafi/

Babai kishte dalë nga burgu në Itali, zbardhen detaje nga plagosja e dy të rinjve në Durrës

26 January 2026 at 13:39


Një ngjarje e rëndë është shënuar paraditen e së hënës në qytetin e Durrësit, ku babai ka plagosur me thikë vajzën e tij 24-vjeçare, si edhe një të ri kalimtar që ndërhyri për të ndaluar konfliktin.

Sipas Policisë, autori i dyshuar është Mikel Ndoj, 56 vjeç, i cili pas sulmit është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ndodhet në kërkim. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:03.

Vajza e plagosur, Xhesika Ndoj, si edhe i riu Onard Memlika, janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Durrësit, bluzat e bardha bëjnë me dije se ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Sipas dyshimeve paraprake, konflikti mendohet që ka lindur për shkak të mospranimit të autorit në familje.

Mësohet se 56-vjeçari kishte kryer burg në Itali dhe ishte kthyer së fundmi në Shqipëri, ku kishte kërkuar të ribashkohej me familjen, por kjo kërkesë nuk është pranuar nga vajza e tij.

Kjo dyshohet se ka çuar në përshkallëzimin e situatës, duke bërë që ai t’i shkonte vajzës në vendin ku ajo punonte dhe ta plagoste me thikë në rrugë.

Gjatë ndërhyrjes për t’i ndarë, një kalimtar i rastit ka mbetur gjithashtu i plagosur.

Policia dhe grupi hetimor po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërkohë që vijojnë kontrollet për kapjen e autorit./euronews/

Incidenti në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve, flasin nga QKUK-ja

26 January 2026 at 13:02


Në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka ndodhur sot një incident mes dy punonjësve shëndetësorë.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësja e QKUK-së, Mirlinda Qyqalla, e cila ka bërë të ditur se lidhur me rastin janë njoftuar organet e rendit dhe se policia ka dalë në vendin e ngjarjes.

“Sipas informatave fillestare, në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve ka ndodhur një incident mes dy punonjësve shëndetësorë. Për rastin janë njoftuar organet e rendit, të cilat kanë dalë në vendin e ngjarjes”, ka deklaruar Qyqalla.

Ajo ka shtuar se për momentin nuk ka detaje shtesë lidhur me shkaqet e incidentit, ndërsa rasti është duke u trajtuar nga autoritetet kompetente.

Edhe nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar incidentin. Zëdhënësi i policisë për kryeqytetin, Enis Pllana i ka thënë Telegrafit se informatën e kanë pranuar sot rreth orës 08:00.

"Sot kemi pranuar informatën për një përleshje fizike, e cila ka ndodhë në QKUK në Prishtinë. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast janë përfshirë dy persona. Në koordinim me Prokurorin e Shtetit rasti është iniciuar "Sulm". Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit po merret për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit", ka thënë Pllana.

Ndryshe Gazeta Shneta ka raportiar se B.K. dhe Xh.A. janë përplasur fizikisht në hyrje të ashensorit në objektin e Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve.

Gjithçka kishte nisur të premten me një përplasje verbale në mes dy kirurgëve, për të përfunduar me grushta ditën e sotme. /Telegrafi/

Dyshime për manipulim të zgjedhjeve lokale në Ferizaj, 33 ish-kandidatë për asamble kërkojnë rinumërim

26 January 2026 at 12:57


Kandidati i pavarur për Kuvendin Komunal të Ferizajt, Bashkim Fazliu, ka bërë të ditur se ka dorëzuar kërkesa në Prokurorinë Themelore në Ferizaj dhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke kërkuar zgjerim të hetimeve dhe masa të jashtëzakonshme verifikuese lidhur me procesin zgjedhor, përfshirë edhe rinumërimin e votave.

Fazliu deklaroi se në Prokurori janë dorëzuar emrat e 33 ish-kandidatëve për asamble komunale nga Ferizaj për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, ndërsa paralajmëroi se së shpejti pritet të dorëzohen edhe emra nga komuna të tjera.

Ai tha se kërkesa në Prokurori ka të bëjë me zgjerimin e hetimeve që tashmë janë duke u zhvilluar për 28 dhjetorin, duke theksuar se bëhet fjalë për të njëjtët komisionerë zgjedhorë dhe për shkelje të natyrës së njëjtë.

Sipas tij, ekziston dyshim i bazuar se komisionerët që dyshohet se kanë kryer shkelje më 28 dhjetor, mund të kenë keqpërdorur vullnetin e qytetarëve edhe në zgjedhjet e 12 tetorit.

Paralelisht, Fazliu njoftoi se i është drejtuar edhe KQZ-së me kërkesë për ndërmarrjen e masave të jashtëzakonshme verifikuese, pas, siç tha ai, daljes në pah të provave të reja për keqpërdorime dhe manipulime. Ai theksoi se njëra nga kërkesat kryesore është rinumërimi i votave.

“Në zgjedhje lokale edhe një votë e bën diferencën. Nëse pas rinumërimit rezultati mbetet i njëjtë, atëherë mirë, por nëse ndryshon, do të kërkojmë anulimin e procesit”, deklaroi Fazliu.

Ai ngriti gjithashtu dyshime lidhur me asgjësimin e fletëvotimeve, duke thënë se nuk ka hasur në asnjë njoftim zyrtar nga KQZ për këtë çështje.

“Kam hulumtuar faqen e KQZ-së dhe nuk kam gjetur asnjë njoftim zyrtar për asgjësimin e fletëvotimeve. Kam dëgjuar se janë asgjësuar, por mungon një konfirmim zyrtar”, tha Fazliu. /Telegrafi/

​Kosova lanson Rrjetin e parë të Grave në Siguri, nënshkruan memorandume

26 January 2026 at 12:27


Fondacioni Jahjaga ka lansuar të hënën Rrjetin e Grave në Siguri, i cili synon të jetë mekanizëm mbështetës që plotëson strukturat ekzistuese institucionale të sigurisë.

Gjatë kësaj ceremonie u nënshkrua edhe memorandum bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Inspektoratit Policor e institucione të tjera, raporton KosovaPress.

Themeluesja e Fondacionit Jahjaga, Atifete Jahjaga deklaroi se Kosova është rasti i parë në botë që po lanson një rrjet të tillë.

Ish-presidentja, Jahjaga thotë se rrjeti është mekanizëm mbështetës që plotëson strukturat ekzistuese, por nuk zëvendëson mandatet.

“Sot po lansojmë një diçka që të shërbej jo vetëm grave, por edhe vetë institucioneve tona të sigurisë në vend. Gratë janë pjesë aktive e institucioneve tona të sigurisë dhe këtë neve e kemi dëshmuar me dekada me radhë, kontributi i tyre dhe juaj është i pamohueshëm në policisë, mbrojtje, mbikëqyrje institucionale dhe menaxhim të emergjencave.....04’26Rrjeti është menduar si një mekanizëm mbështetës që plotëson strukturat ekzistuese, ai nuk zëvendësonë mandate apo kompetenca, por i fuqizon ato për bashkëpunimin profesional dhe dialogut të vazhdueshëm. Përmes këtij rrjeti gratë pjesëmarrëse mund të ndajnë praktika të mira të mësojnë nga njëra tjera dhe të ndërtojnë iniciativa të përbashkëta”, tha ajo.

Drejtoresha ekzekutiv e Fondacionit Jahjaga, Egzona Bexheti tha se ky rrjet është ‘kthesë strategjike e Kosovës duke tejkaluar aspiratën për barazi’.

“Nuk mund të ketë siguri të qëndrueshme pa përfshirjen kuptim plotë të grave. Themeli i rrjetit të grave në sektorin e sigurisë shënon një kthesë strategjike në Kosovë duke shkuar përtej aspiratës për barazi. Ky rrjet do të shërbej si urë bashkëpunimi në hapësirë ku profesionalizmi, përkushtimi i grave përkthehet në fuqi vendimmarrëse në shërbim të shoqërisë në tërësi”, tha ajo.

Ndërsa, e ngarkuara me punë në Kosovë nga Ambasada e Holandës në Kosovë, Desiree Bonis tha se në sektorin e sigurisë gratë mbeten të nënpërfaqësurara. Ajo thekson se rrjeti i grave në siguri është investim në ndryshime afatgjate.

“Holanda beson fuqishëm që institucionet e sigurisë përfitojnë legjitimitetin dhe ligjshmërinë kur janë të rrënjosur në llogaridhënie dhe gjithpërfshirje. Ne e dimë që sfidat në sektorin e sigurisë ekzistojnë në Kosovë dhe nuk janë abstrakte as të reja, besimi i lëkundur i paqëndrueshëm mes shoqërisë civile dhe pjesës veriore të Kosovë ndikojnë në sigurinë publike dhe kohezionin shoqëror. Në të njëjtën kohë gratë mbeten të nënpërfaqësësuara në masë të madhe në institucionet e sigurisë në sektorin e sigurisë ë në veçanti në rolet e lidershipit dhe vendimmarrjes dhe shifra ka shkuar nga 10-12 deri në 30%....09’;31 me këtë themel të rrjetit nënkuptohet se nuk është platformë është investim në njerëz në lidership dhe në ndryshime afatgjata”, tha ajo.

Lansimi i Rrjetit të Grave në Siguri u mbështet nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovës përmes projektit Matra. /KP/

“Kërcet grushti” në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK

26 January 2026 at 11:49


Një fjalosje ka përfunduar me rrahje në mes dy kirurgëve në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK.

Një incident me përplasje fizike në mes dy kirurgëve ka ndodhur sot në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK, shkruan Gazeta Shneta.

Gazeta ka mësuar nga burime se B.K. dhe Xh.A. janë përplasur fizikisht në hyrje të ashensorit në objektin e Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve.

Gjithçka kishte nisur të premten me një përplasje verbale në mes dy kirurgëve, për të përfunduar me grushta ditën e sotme.

Për rastin janë njoftuar Policia e Kosovës dhe menaxhmenti i QKUK-së.

Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve Sejdi Statovci e ka iniciuar rastin në Komisionin Disiplinor. /Gazeta Shneta/

E rëndë në Durrës, babai ther me thikë vajzën e tij dhe një djalë

26 January 2026 at 11:33


Dy të rinj kanë mbetur të plagosur me thikë mëngjesin e së hënës në Durrës.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen 12 të qytetit bregdetar ku shtetasi Mikel Ndoj ka plagosur me thikë vajzën e tij Xhesika Ndoj, 23 vjeçe dhe një djalë.

Përmes një njoftimi zyrtar policia bëri me dije se, shtetasi Mikel Ndoj 56 vjeç, në rrethana ende të paqarta, ka plagosur në rrugë me mjet prerës (thikë) vajzën e tij, shtetasen Xhesika Ndoj, 24 vjeçe, banuese në lagjen nr. 12, Durrës.

I plagosur ka mbetur edhe shtetasi O. M., kalimtar i rastit, i cili ka ndërhyrë në momentin që babai ka plagosur vajzën me mjet prerës (thikë).

Të dëmtuarit ndodhen në Spitalin Rajonal Durrës, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë po vijojnë punën për kapjen e 56-vjeçarit./euronews/

Rruga Rozhajë - Kullë do të bllokohet sot nga ora 12:00

26 January 2026 at 11:25


Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK) njofton për bllokim të rrugës në aksion rrugor nga Rozhaja.

QKMK shton se sipas informacionit të pranuar nga autoritetet kufitare të Malit të Zi, sot me fillim në orën 12:00 do të ketë bllokim të përkohshëm të rrugës në aksin rrugor nga Rozhaja drejt pikës kufitare Kulla në territorin e Malit të Zi.

Për çdo informacion shtesë, qytetarët mund të kontaktojnë QKMK në numrat e telefonit: +383 45 198 000, +383 45 198 606 ose në numrin pa pagesë: 0800 500 95.

QKMK falënderon qytetarët për mirëkuptim dhe bashkëpunim.

Ndryshe sot duke filluar nga ora 12:00 gjithashtu do të ketë bllokim të qarkullimit për kamionë në të gjitha pikat kufitare drejt Serbisë. /Telegrafi/


LDK të shtunën mban Kuvendin zgjedhor, Abdixhiku: Koha të flasë anëtarësia

26 January 2026 at 11:01


Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se partia do të mblidhet këtë të shtunë për të diskutuar dhe vendosur mbi çështjet e brendshme, duke vënë theksin te procesi demokratik dhe pjesëmarrja e lirë e anëtarësisë.

Abdixhiku ka theksuar rëndësinë e hapjes dhe debatit brenda partisë.

“LDK nuk është parti që frikësohet nga anëtarësia e vet, as nga vota, as nga gara. Vendimet e saj i ka marrë gjithmonë në Kuvend, mes njerëzve të vet, hapur, me debat dhe pa frikë; dhe në fund, me shumicë. Edhe në kohë shumë më të vështira se kjo”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka sqaruar se procesi i së shtunës do të jetë në frymën e respektimit të anëtarësisë dhe pa ndikime të jashtme.

“Këtë të shtunë mblidhemi për të diskutuar dhe për të vendosur mbi të gjitha çështjet tona, me vullnet të lirë dhe me votë të lirë, ashtu siç i takon një partie demokratike që respekton anëtarësinë e saj dhe asnjë interes tjetër veç saj. Ky është parimi ynë dhe mënyra jonë e veprimit. LDK nuk di ndryshe”, u shpreh Abdixhiku.

Kreu i LDK-së ka bërë thirrje për pjesëmarrje aktive dhe ka theksuar se nga ky proces partia do të dalë më e fortë.

“Koha tani të flasë anëtarësia jonë. Nga ky proces do të dalim më të fortë, më të organizuar, më funksional e më të përqendruar te e ardhmja e LDK-së dhe e Kosovës”, ka shkruar ai.

Abdixhiku ka konfirmuar gjithashtu se ftesat zyrtare për delegatët e partisë janë dërguar.

“Sot kam dërguar ftesën zyrtare për delegatët e LDK-së. Të shtunën takohemi për të vendosur drejtimin e shtëpisë sonë”, u shpreh Abdixhiku.

Ndryshe Avdullah Hoti, ish‑kryeministër dhe anëtar i kryesisë së partisë ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për kryetar të LDK-së, duke njoftuar se do të kërkojë besimin e delegatëve në kuvendin e datës 31 janar 2026.

Hoti ka thënë se kandidatura e tij vjen “pas dorëheqjes së Kryetarit Abdixhiku për shkak të rezultatit të fundit zgjedhor” dhe ka kërkuar mbështetjen e strukturave të partisë për të udhëhequr LDK‑në drejt ringritjes politike e organizative. /Telegrafi/


AUV njofton për tërheqjen nga tregu të produktit ushqimor për foshnje “APTAMIL AR 2"

26 January 2026 at 10:29


Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) e Kosovës ka njoftuar opinionin publik për tërheqjen e një serie të produktit ushqimor për foshnje APTAMIL AR 2, për shkak të pranisë së substancës Cereulide.

Lajmi ka ardhur përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), me njoftimin nr. 2026.0598.

“Në një seri të këtij produkti, i cili përdoret për qëllime të veçanta mjekësore, është identifikuar prania e substancës Cereulide, dhe është kërkuar tërheqja e menjëhershme e produktit nga tregu", thuhet në njoftim.

Agjencia bën të ditur se niveli i rrezikut është vlerësuar si serioz, ndaj janë ndërmarrë masa të menjëhershme në bashkëpunim me kompaninë importuese.

"Produkti që tërhiqet është: APTAMIL AR 2 – formulë ushqimore për foshnje, paketimi ENG 24 x 400 gr, prodhuar nga Nutricia Infant Nutrition Ireland Ltd. (Danone) dhe importuar në Kosovë nga UNION SH.P.K., Vushtrri", thuhet tutje në njoftim.

AUV i bën thirrje konsumatorëve që të mos e përdorin këtë produkt dhe ta kthejnë në pikat e shitjes.

Agjencia thekson se mbetet e përkushtuar në monitorimin e tregut dhe zbatimin e masave parandaluese dhe kontrolluese:

“Qëllimi ynë është garantimi i sigurisë ushqimore dhe mbrojtja e shëndetit të konsumatorëve në Republikën e Kosovës”, shton AUV. /Telegrafi/


Rinumërimi i votave në QNR, mbi 67% e vendvotimeve të përfunduara

26 January 2026 at 10:21


Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon rinumërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim.

Nga fillimi i këtij procesi, më 13 janar 2026, ora 18:00, deri më 26 janar, ora 10:00, janë rinumëruar rreth 67% ose 1,729 nga 2,557 vendvotime.

Procesi i rinumërimit është mbyllur në 24 komuna.

Rezultatet e rinumërimit të çdo vendvotimi janë të publikuara në platformën e KQZ-së për rezultate, në hapësirën QNR > Rinumërim: https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/.

KQZ ka bërë të ditur se rinumërimi do të vazhdojë deri në përfundimin e listës së vendvotimeve për të cilat është marrë vendimi, duke siguruar transparencë dhe korrektësi në procesin zgjedhor. /Telegrafi/

❌
❌