Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 January 2026Main stream

BRUKSEL – BE dërgon rreth 450 gjeneratorë në Ukrainë mes dimrit të ashpër

23 January 2026 at 15:55

BRUKSEL, 23 janar /ATSH-DPA/ – Bashkimi Evropian pritet të dërgojë pothuajse 450 gjeneratorë emergjentë në Ukrainë, pas sulmeve masive ruse ndaj infrastrukturës energjetike të vendit, në kushtet e një dimri tejet të ashpër.

Komisioni Evropian njoftoi sot se 447 gjeneratorët, me vlerë 3,7 milionë euro (4,3 milionë dollarë),  synojnë të “rikthejnë furnizimin me energji elektrike për spitalet, strehimet dhe shërbimet kritike”.

“Sulmet e vazhdueshme të Rusisë ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës po i privojnë qëllimisht civilët nga ngrohja, drita dhe shërbimet bazë, në mes të një dimri të egër”, deklaroi komisionerja e BE-së për Barazi, Hadja Lahbib.

“Këto sulme janë të dizajnuara për të thyer shpirtin e ukrainasve. Ato do të dështojnë”, theksoi ajo.

Që nga fillimi i janarit, Ukraina po përballet me ngrica të forta, me temperatura që herë pas skojnë nën minus 20 gradë Celsius.

Situata është përkeqësuar edhe më tej nga sulmet e synuara ruse ndaj infrastrukturës së vendit, duke lënë miliona njerëz pa energji elektrike dhe pa ngrohje.

Që nga nisja e pushtimit rus, gati katër vite më parë, Bashkimi Evropian ka dërguar më shumë se 9 500 gjeneratorë në Ukrainë.

Komisioni Evropian ka ofruar gjithashtu mbi 1,2 miliardë euro ndihmë humanitare për mbrojtjen e popullsisë civile, si dhe të paktën 3,0 miliardë euro për sigurinë energjetike. /Ad.Ab./ a.jor.

The post BRUKSEL – BE dërgon rreth 450 gjeneratorë në Ukrainë mes dimrit të ashpër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

DAVOS – Lagarde: Kritikat ndaj Evropës mundësi për vetëpërmirësim

23 January 2026 at 14:04

DAVOS, 23 janar /ATSH-AFP/ – Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, vlerësoi sot kritikat ndaj Evropës gjatë Forumit Ekonomik të Davosit duke i konsideruar ato një mundësi për reflektim dhe përmirësim.

”Evropa është denigruar mjaft ditët e fundit, por në thelb, kjo është gjë e mirë dhe duhet t’i falënderojmë ata që e denigrojnë”, tha Lagarde gjatë një diskutimi në mbyllje të forumit në Alpet Zvicerane.

Ajo shpjegoi se kritikat e bëra e kanë bërë Evropën të kuptojë më mirë se “duhet të përqendrohemi më shumë tek inovacioni, përmirësimi i produktivitetit dhe gjithçka tjetër”.

Në një fjalim shumë të ndjekur në Davos, presidenti amerikan Donald Trump kishte kritikuar ashpër Evropën, duke evidentuar dobësitë e aleatëve të tij.

Po ashtu, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shprehu keqardhjen se Evropa është “fragmentuar” në vend që të shfaqet si “një fuqi e vërtetë globale”.

“Kemi dëgjuar shumë zhurmë këtë javë, por duhet të dallojmë sinjalet nga zhurma duke theksuar rëndësinë e të thënit të së vërtetës”, shtoi Lagarde.

“Besimi dhe e vërteta shkojnë së bashku. Ndërtimi i besimit kërkon kohë, por shkatërrimi i tij shumë pak”, tha ajo.

“Ka besim dhe afeksion të madh për popullin amerikan”, shtoi Legarde.

Lagarde gjithashtu bëri thirrje për “kujdes ndaj mënyrës se si shpërndahet pasuria dhe ndaj rritjes së pabarazive”./  /Ad.Ab./  a.jor.

 

The post DAVOS – Lagarde: Kritikat ndaj Evropës mundësi për vetëpërmirësim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Moska kërkon tërheqjen e trupave ukrainase nga Donbasi, para takimit në Abu Dabi

23 January 2026 at 12:34

MOSKË, 23 janar /ATSH-AFP/ – Rusia njoftoi sot se ende kërkon nga Kievi që të tërheqë trupat e tij nga lindja e Ukrainës për të zgjidhur konfliktin, përpara bisedimeve në Abu Dabi mes përfaqësuesve rusë, ukrainas dhe amerikanë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, nga ana e tij tha se çështja territoriale mbetet pika kryesore e pazgjidhur dhe do të jetë në fokus të bisedimeve, të cilat pritet të zgjasin sot dhe nesër.

Këto diskutime do të jenë bisedimet e para direkte mes Moskës dhe Kievit mbi një plan amerikan për zgjidhjen e konfliktit.

“Forcat e armatosura ukrainase duhet të largohen nga Donbasi, duhet të tërhiqen. Ky është një kusht shumë i rëndësishëm”, deklaroi zëdhënësi i presidencës ruse, Dmitri Peskov.

“Pa zgjidhjen e çështjes territoriale (…) është e kotë të shpresohet për arritjen e një marrëveshjeje afatgjate”, shtoi ai.

Rusia kërkon tërheqjen e forcave ukrainase nga Donbasi, një territor industrial dhe minierash në lindje të Ukrainës që përfshin rajonet e Donetskut dhe Luhanskut. Kërkesat e saj synojnë veçanërisht rajonin e Donetskut, të cilin ajo e kontrollon pjesërisht dhe që mbetet epiqendra e luftimeve që kanë shkaktuar të paktën dhjetëra mijëra viktima që nga viti 2022.

Ky takim në Abu Dabi do të mbahet një ditë pas dy takimeve në nivel të lartë: njëri në Davos mes Volodymyr Zelensky dhe presidentit amerikan Donald Trump dhe tjetri në Moskë mes presidentit Vladimir Putin dhe emisarëve amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner./  /Ad.Ab./

The post RUSI – Moska kërkon tërheqjen e trupave ukrainase nga Donbasi, para takimit në Abu Dabi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Moska konfirmon pjesëmarrjen në bisedimet për Ukrainën në Abu Dabi

23 January 2026 at 10:37

MOSKË, 23 janar /ATSH-DPA/ –  Rusia konfirmoi sot, për here të parë, se do të marrë pjesë në negociatat me Ukrainën që do të zhvillohen më vonë gjatë ditës në Abu Dabi, pas bisedimeve të mbajtura në Moskë mes presidentit rus Vladimir Putin dhe të dërguarit special të SHBA-së Steve Witkoff.

”Delegacioni rus do të drejtohet nga Igor Kostyukov, kreu i shërbimit të zbulimit ushtarake rus (GRU)”, bëri të ditur këshilltari për politikën e jashtme i Putinit, Yuri Ushakov, sipas agjencive të lajmeve në Moskë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte njoftuar më herët përbërjen e ekipit të tij për bisedimet në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Shtetet e Bashkuara  të Amerikës po marrin pjesë në negociata në rolin e ndërmjetësit.

Kremlini bëri të ditur se bisedimet në Moskë zgjatën më shumë se tre orë e gjysmë, pasi nisën pak para mesnatës.

Ushakov i cilësoi ato si negociata domethënëse dhe të dobishme.

Sipas tij, Putin theksoi se është sinqerisht i interesuar për një zgjidhje diplomatike të konfliktit në Ukrainë.

Megjithatë, ai shtoi se kjo do të kërkonte që udhëheqja e vendit fqinj të pranonte lëshimet territoriale të kërkuara nga Rusia , një kërkesë që qeveria e Zelenskyt e ka refuzuar vazhdimisht deri tani./ /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post RUSI – Moska konfirmon pjesëmarrjen në bisedimet për Ukrainën në Abu Dabi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Një flotë masive është nisur drejt Iranit

23 January 2026 at 09:26

UASHINGTON, 23 janar /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi  se një flotë masive po lëviz drejt Iranit, pas kërcënimeve të përsëritura ndaj Teheranit për ndërhyrje amerikane, në mes të shtypjes së dhunshme të protestave në vend.

”Ne kemi një flotë masive që po shkon në atë drejtim”, u tha Trump gazetarëve gjatë fluturimit të kthimit drejt Uashingtonit nga Forumi Ekonomik Botëror (WEF) në Davos.

”Dhe ndoshta nuk do të na duhet ta përdorim… kemi shumë anije që po shkojnë në atë drejtim, për çdo rast. Një flotilje e madhe po lëviz atje dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë. Kemi një forcë të madhe që po shkon drejt Iranit. Do të preferoja të mos ndodhte asgjë, por po i vëzhgojmë nga afër”, shtoi Trump, duke iu referuar autoriteteve iraniane.

Sipas raportimeve të mediave amerikane, Uashingtoni po forcon praninë e tij ushtarake në Lindjen e Mesme, përfshirë dislokimin e aeroplanmbajtëses “USS Abraham Lincoln” dhe disa anijeve shoqëruese.

Aeroplanmbajtësja me energji bërthamore zakonisht transporton disa mijëra ushtarë dhe dhjetëra avionë luftarakë dhe shoqërohet nga destrojerë të marinës.

Deri tani, Pentagoni nuk ka dhënë një konfirmim zyrtar për këtë dislokim.

Protestat nisën në Teheran në fund të dhjetorit, fillimisht si reagim i tregtarëve ndaj rënies së fortë të vlerës së rialit iranian dhe përkeqësimit të kushteve ekonomike, për t’u shndërruar më pas në një kryengritje mbarëkombëtare kundër sistemit autoritar të Republikës Islamike./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post SHBA – Trump: Një flotë masive është nisur drejt Iranit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 22 January 2026Main stream

FOKUS – SHBA dhe Danimarka rinegociojnë marrëveshjen e mbrojtjes së 1951 për Groenlandën

22 January 2026 at 16:00

DAVOS, 22 janar /ATSH-AFP/ – Shtetet e Bashkuara dhe Danimarka do të rinegociojnë marrëveshjen e tyre të mbrojtjes që daton nga viti 1951 për Groenlandën, bëri të ditur të sot një burim pranë diskutimeve që u zhvilluan një ditë më parë në Davos midis presidentit Donald Trump dhe kreut të NATO-s, Mark Rutte.

Sipas këtij burimi, siguria në Arktik do të forcohet dhe vendet evropiane të NATO-s do të kontribuojnë, duke shtuar se gjatë këtyre bisedimeve nuk ishte diskutuar ideja e vendosjes së bazave amerikane në Groenlandë nën sovranitetin e SHBA-së.

Që nga viti 1951, një marrëveshje mbrojtjeje, e përditësuar në 2004, i ka dhënë pothuajse dorë të lirë forcave të armatosura amerikane në territorin e Groenlandës, edhe pse ato duhet të njoftojnë autoritetet para veprimeve.

Disa vende të NATO-s po diskutojnë mënyrat për të forcuar praninë e tyre në Groenlandë dhe kanë dërguar atje një kontingjent të parë për të verifikuar kushtet për këtë forcim.

Gjermania, Franca, Norvegjia dhe Britania e Madhe kanë dërguar këta ushtarë për të përgatitur një mision të mundshëm të NATO-s, të ngjashëm me ato të zhvilluara në detin Baltik ose në frontin lindor të Aleancës, për të përballuar më mirë kërcënimin rus.

Pas javësh deklaratash agresive, Donald Trump njoftoi papritur dje  në Davos “kornizën e një marrëveshjeje të ardhshme” për Groenlandën, e cila mbetet ende shumë e paqartë në detaje.

Presidenti amerikan refuzoi të sqarojë nëse kompromisi në diskutim do t’u jepte SHBA-ve posedimin e territorit autonom danez, siç kishte kërkuar disa herë më parë, me qëllim, sipas tij, të sigurojë mbrojtjen ndaj Rusisë dhe Kinës./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – SHBA dhe Danimarka rinegociojnë marrëveshjen e mbrojtjes së 1951 për Groenlandën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SICILI – 740 milionë euro vlerësohet dëmi i përkohshëm i ciklonit ”Harry”

22 January 2026 at 14:44

ROMË, 22 janar /ATSH-ANSA/ – Sipas një vlerësimi fillestar nga Departamenti rajonal i Mbrojtjes Civile, dëmi i shkaktuar nga cikloni ”Harry” në Sicili aktualisht arrin në 740 milionë euro.

Presidenti i Rajonit Sicilian, Renato Schifani, njoftoi lajmin gjatë një takimi me gazetarët në përfundim të mbledhjes së jashtëzakonshme të këshillit rajonal, i cili miratoi një gjendje të jashtëzakonshme dhe një ndarje fillestare prej 70 milionë eurosh, 50 milionë euro nga të cilat do të jenë të disponueshme menjëherë, dhe 20 milionë eurot e mbetura do të tërhiqen nga fondet globale përmes një dispozite specifike që do t’i propozohet Asamblesë Rajonale Siçiliane.

Sicilia, Sardenja dhe Kalabria u goditën veçanërisht rëndë nga erërat e forta, reshjet e dendura dhe dallgët e stuhishme me valë shumë metra të larta.

Bizneset pranë plazheve u shkatërruan, muret e shtëpive u rrëzuan dhe dyqanet u përmbytën.

Asambleja rajonale siciliane po mban sot një mbledhje të jashtëzakonshme për të shpallur gjendjen e emergjencës.

Guvernatorja e Sardenjës, Alessandra Todde, tha se dëmet në rajonin e saj arrijnë në “qindra miliona” euro vetëm atje.

Shkencëtarët thonë se kriza klimatike, e shkaktuar nga emetimet njerëzore të gazrave serrë, po i bën më të forta ngjarjet ekstreme të motit, si valët e nxehtësisë, thatësirat, stuhitë dhe përmbytjet.

Megjithëse ka shumë burime të gazrave serrë që shkaktojnë ngrohjen globale, shkaktari kryesor është djegia e karburanteve fosile, si nafta, gazi dhe qymyrguri, shitja e të cilëve sjell fitime të mëdha për gjigantët energjetikë të botës./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post SICILI – 740 milionë euro vlerësohet dëmi i përkohshëm i ciklonit ”Harry” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

DAVOS – Witkoff sugjeron eksporte pa tarifa për Ukrainën nëse pranon planin e paqes

22 January 2026 at 14:09

DAVOS, 22 janar /ATSH-DPA/ – Shtetet e Bashkuara mund t’i lejojnë Ukrainës të eksportojë mallra në SHBA pa tarifa doganore, nëse Kievi pranon një plan paqeje, deklaroi sot i dërguari amerikan, Steve Witkoff.

“Presidenti ka folur për një zonë pa tarifa nga Ukraina. Kjo, sipas mendimit tim, mund të jetë vendimtare”, tha Witkoff gjatë një paneli në Forumin Botëror Ekonomik në Davos.

Sipas tij, një marrëveshje e tillë do t’i jepte vendit të Evropës Lindore një avantazh të madh konkurrues, me industri që potencialisht do të zhvendoseshin në Ukrainë “në përmasa shumë të mëdha”.

Negociatori, i emëruar nga presidenti Donald Trump, tha gjithashtu se në Davos janë bërë “shumë përparime” në bisedimet me palën ukrainase për një plan paqeje që synon t’i japë fund luftës me Rusinë.

“Mendoj se e kemi ngushtuar në një çështje të vetme”,  u shpreh Witkoff, pa specifikuar se për çfarë bëhet fjalë.

Kievi dhe Moska mbajnë qëndrime thellësisht të ndryshme lidhur me çështjet territoriale.

Kremlini vazhdon të kërkojë tërheqjen e plotë të Ukrainës nga rajoni i Donetskut, rreth 80% e të cilit ndodhet nën kontrollin rus.

Witkoff vlerësoi ekipin negociator të Ukrainës./ /Ad.Ab./  a.jor.

The post DAVOS – Witkoff sugjeron eksporte pa tarifa për Ukrainën nëse pranon planin e paqes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOPENHAGË – Frederiksen: Nuk ka negociata me SHBA-në për sovranitetin e Groenlandës

22 January 2026 at 12:10

KOPENHAGË, 22 janar /ATSH-DPA/ – Danimarka nuk do të zhvillojë negociata me Shtetet e Bashkuara lidhur me sovranitetin e Groenlandës, deklaroi sot kryeministrja Mette Frederiksen.

“Ne mund të negociojmë për çdo çështje politike, sigurinë, investimet, ekonominë”,  tha Frederiksen në një deklaratë.

“Por, nuk mund të negociojmë për sovranitetin tonë”, shtoi  ajo.

Komentet erdhën pasi presidenti amerikan Donald Trump  premtoi dje se “nuk do të përdorë forcë” për të marrë kontrollin e territorit arktik të administruar nga Danimarka, pas bisedimeve me shefin e NATO, Mark Rutte, në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

Trump, i cili ka këmbëngulur se Uashingtoni ka nevojë të kontrollojë ishullin për arsye të sigurisë kombëtare dhe globale, tha se ai dhe Rutte kishin “krijuar kornizën e një marrëveshjeje të ardhshme në lidhje me Grenlandën”, duke nxitur spekulime për detajet.

Deklarata e Frederiksen sqaroi se ajo është “informuar” se sovraniteti mbi Groenlandën nuk është objekt negociatash.

“NATO  është plotësisht e vetëdijshme për qëndrimin e Mbretërisë së Danimarkës”, përfundoi ajo. /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post KOPENHAGË – Frederiksen: Nuk ka negociata me SHBA-në për sovranitetin e Groenlandës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJENEVË – Ghebreyesus: Tërheqja amerikane nga OBSH është humbje për të gjithë

22 January 2026 at 10:34

GJENEVË, 22 janar /ATSH-DPA/ – Sot shënohet një vit që kur presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi tërheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), vetëm disa orë pas marrjes së detyrës.

Sipas marrëveshjes mes SHBA-së dhe agjencisë së OKB-së me seli në Gjenevë, tërheqja hyn zyrtarisht në fuqi sot, pasi u përmbush periudha e detyrueshme njëvjeçare e njoftimit.

Teorikisht, një nga kushtet e parashikuara në marrëveshje për t’u tërhequr nuk është përmbushur, pasi SHBA nuk i ka paguar plotësisht kontributet financiare siç ishte rënë dakord.

Megjithatë, OBSH-ja nuk ka mjete për të kërkuar pagesën apo për të refuzuar tërheqjen.

“Shpresoj që SHBA ta rishqyrtojë vendimin dhe të rikthehet në OBSH,” tha në Gjenevë drejtori i përgjithshëm Tedros Adhanom Ghebreyesus, duke shtuar se nga ky hap humbasin të gjithë.

“Tërheqja është humbje për SHBA-në dhe gjithashtu humbje për pjesën tjetër të botës,” tha Tedros, duke theksuar se çështja nuk ka të bëjë me paratë, por me bashkëpunimin dhe solidaritet.

Pakënaqësia e Trumpit me OBSH-në daton që nga pandemia e koronavirusit.

Ai u përpoq ta nxirrte SHBA-në nga organizata gjatë mandatit të tij të parë. Por, pasardhësi i tij, Joe Biden, u bë president para se të përfundonte afati njëvjeçar dhe e anuloi urdhrin e Trumpit.

Trump e akuzon OBSH-në për keqpërdorim fondesh dhe për menaxhim të dobët të pandemisë. /Ad.Ab./ a.jor.

The post GJENEVË – Ghebreyesus: Tërheqja amerikane nga OBSH është humbje për të gjithë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ZELANDË E RE – Të vdekur dhe të zhdukur pas rrëshqitjeve të tokës dhe përmbytjeve

22 January 2026 at 10:01

UELLINGTON, 22 janar /ATSH/ – Ekipet e shpëtimit po kontrollojnë rrënojat në një kamp pushimi në Zelandën e Re, në kërkim të personave të zhdukur, mes tyre edhe fëmijë, pas një rrëshqitjeje toke të shkaktuar nga reshje të dendura shiu, e cila ndërpreu furnizimin me energji për mijëra banorë dhe shkaktoi dëme të mëdha, sipas Reuters.

Deri tani rezultojnë dy viktima.

Banorë u evakuan dhe rrugë u mbyllën, ndërsa shirat e  rrëmbyeshëm përfshinë pothuajse të gjithë bregdetin lindor të Ishullit të Veriut.

Policia vlerëson se numri i personave të zhdukur ende nuk dihet pas rrëshqitjes së tokës në zonën turistike të Mount Maunganui.

Ekipet e shpëtimit thanë se fillimisht dëgjuan zëra që kërkonin ndihmë nga nën rrënoja, por deri në fund të pasdites nuk u zbuluan më shenja jete, ndërsa u shtuan shqetësimet për qëndrueshmërinë e shpatit.

Rrëshqitja vjen pas ditësh reshjesh të rrëmbyeshme të lidhura me një sistem moti tropikal, i cili ka sjellë sasi jashtëzakonisht të mëdha shiu në zona të gjera të Ishullit të Veriut.

Shërbimi i ndihmës së shpejtë njoftoi se rreth 40 zjarrfikës, përfshirë ekipe të kërkim-shpëtimit urban dhe qen nuhatës, po punonin në vendngjarje, e cila është evakuuar plotësisht.

Dy ekskavatorë janë angazhuar gjithashtu për të hequr mbeturinat.

Dëshmitarë përshkruan skena kaosi teksa shpati u shemb./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post ZELANDË E RE – Të vdekur dhe të zhdukur pas rrëshqitjeve të tokës dhe përmbytjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

STRASBURG – Parlamenti Evropian dërgon në gjykatë marrëveshjen BE-Mercosur

21 January 2026 at 16:06

STRASBURG, 21 janar /ATSH-DPA/ – Parlamenti Evropian ka vendosur që marrëveshja e kontestuar e BE-së për tregti të lirë me katër vende nga blloku amerikano-latin “Mercosur” të shqyrtohet nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë.

Në një votim sot, 334 ligjvënës të Bashkimit Evropian votuan pro vlerësimit ligjor, 324 kundër dhe 11 abstenuan.

Pritja për opinionin e gjykatës mund të vonojë ndjeshëm procesin e ratifikimit për marrëveshjen me katër vendet e Mercosur-it, Brazili, Argjentina, Paraguaji dhe Uruguaji.

Nuk dihet sa kohë do t’u duhet gjyqtarëve në Luksemburg për të dhënë vlerësimin, por proceset e mëparshme kanë zgjatur midis 16 dhe 26 muajsh.

Marrëveshja, e cila u nënshkrua javën e kaluar në Paraguaj, pas më shumë se 25 vitesh negociata, synon të heqë barrierat tregtare dhe tarifat doganore dhe të rrisë shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve.

Rezoluta e sotme kritikoi faktin që marrëveshja u vendos në një mënyrë që kërkon vetëm miratimin e Parlamentit Evropian dhe jo ratifikimin nga parlamentet kombëtare./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post STRASBURG – Parlamenti Evropian dërgon në gjykatë marrëveshjen BE-Mercosur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

DAVOS – Rutte: Pa presidentin Trump nuk do të kishim rritur shpenzimet për mbrojtjen

21 January 2026 at 14:25

DAVOS, 21 janar /ATSH-DPA/- Mark Rutte, sekretar i përgjithshëm i NATO-s, lavdëroi sot presidentin amerikan Donald Trump gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

”Besoj me të vërtetë se mund të jemi të lumtur që ai është aty, sepse na ka detyruar ne në Evropë të ngrihemi, të përballemi me pasojat dhe të kujdesemi më shumë për mbrojtjen tonë”, tha Rutte gjatë një paneli diskutimi.

Ai theksoi se vendimi i marrë në qershor për të rritur shpenzimet për mbrojtjen në 3,5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, plus 1,5% për fusha të tjera të mbrojtjes dhe sigurisë, ishte vendimtar në këtë drejtim.

”Jam plotësisht i bindur se pa Donald Trump, ne nuk do të kishim marrë këto vendime”, shtoi ai.

Pritet që Trump të mbajë një fjalim në Davos sot pasdite./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post DAVOS – Rutte: Pa presidentin Trump nuk do të kishim rritur shpenzimet për mbrojtjen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

STRASBURG – Von der Leyen: Marrëdhëniet BE–SHBA në udhëkryq

21 January 2026 at 12:05

STRASBURG, 21 janar /ATSH-DPA/ – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen vlerëson se marrëdhëniet transatlantike ndodhen në një moment kritik, pas përplasjes së fundit lidhur me Groenlandën.

“Ne jemi në një udhëkryq”, u tha ajo sot deputetëve të Bashkimit Evropian duke theksuar se Evropa preferon dialogun dhe zgjidhjet, por është “plotësisht e përgatitur të veprojë, nëse është e nevojshme, me unitet, urgjencë dhe vendosmëri”.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian pritet të mblidhen nesër në Bruksel, pasi presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se tetë vende evropiane do të përballen me tarifa më të larta derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës të sigurojnë, sipas tij, “blerjen e plotë dhe totale” të Groenlandës.

”Kërcënimi ndaj BE-së me tarifa shtesë për arsye sigurie është thjesht i gabuar”, tha Von der Leyen.

Ajo nënvizoi se Groenlanda nuk është vetëm e pasur me lëndë të para dhe një pikë strategjike në rrugë detare gjithnjë e më të rëndësishme globale, por edhe shtëpia e një populli të lirë dhe sovran.

“Është një komb me sovranitet dhe me të drejtën e integritetit territorial. E ardhmja e Groenlandës i takon vetëm groenlandezëve”, theksoi ajo.

Von der Leyen paralajmëroi gjithashtu për pasojat më të gjera të një përçarjeje në marrëdhëniet BE–SHBA.

“Ky moment ndryshimi global është i mbushur me rreziqe dhe Evropa duhet të jetë gati të ndryshojë edhe më shpejt për t’u bërë më e pavarur për të ardhmen e saj. Kjo nuk do të jetë e lehtë dhe do të kërkojë vendime të vështira”, tha ajo./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post STRASBURG – Von der Leyen: Marrëdhëniet BE–SHBA në udhëkryq appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

JAPONI – Vrasësi i ish-kryeministrit Abe dënohet me burgim të përjetshëm

21 January 2026 at 10:48

TOKIO, 21 janar /ATSH-DPA/ – Një gjykatë japoneze dënoi sot me burgim të përjetshëm autorin e vrasjes së ish-kryeministrit, Shinzo Abe.

Tetsuya Yamagami, 45 vjeç, kishte pranuar se e kishte qëlluar me armë të improvizuar ish-kryeministrin japonez, më jetëgjatin në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë një fjalimi elektoral në korrik 2022.

Vdekja e dhunshme e Abe tronditi opinionin publik në mbarë botën.

Yamagami u neutralizua dhe u arrestua menjëherë në vendngjarje, përpara kamerave.

Sipas hetuesve, ai deklaroi se veproi nga urrejtja ndaj “Unification Church”, (Kisha e Unfikuar) një organizatë fetare e themeluar në Korenë e Jugut në vitin 1954 nga Sun Myung Moon, e cila gëzonte mbështetje në Japoni nga gjyshi i Abe, ish-kryeministri Nobusuke Kishi.

Atentati ndaj Abe nxori në pah lidhjet mes Kishës së Unifikimit dhe anëtarëve të  Partisë Liberal-demokrate, partia në pushtet e Japonisë./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post JAPONI – Vrasësi i ish-kryeministrit Abe dënohet me burgim të përjetshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: OKB-ja nuk e ka shfrytëzuar kurrë potencialin e saj

21 January 2026 at 10:12

UASHINGTON, 21 janar /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e kritikoi sërish Organizatën e  Kombeve të Bashkuara (OKB), duke deklaruar se ajo nuk ka arritur të përmbushë potencialin e saj.

“OKB-ja thjesht nuk ka qenë shumë e dobishme”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

“Unë jam një mbështetës i madh i potencialit të OKB-së, por ajo kurrë nuk e ka përmbushur atë”, theksoi ai.

I pyetur nëse synon ta zëvendësojë OKB-në me Bordin e Paqes, i krijuar si pjesë e armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja mes Izraelit dhe organizatës militante palestineze Hamas, Trump u shpreh se OKB-ja duhet të vazhdojë të ekzistojë për shkak të potencialit të madh që ka.

“Besoj se duhet ta lini OKB-në të vazhdojë, sepse potenciali është shumë i madh”, tha ai.

Trump pretendoi gjithashtu se OKB-ja “duhej t’i kishte zgjidhur të gjitha luftërat që unë kam zgjidhur”.

“Unë nuk iu drejtova kurrë atyre. As nuk mendova të shkoja. Ata duhet të jenë në gjendje t’i zgjidhin këto luftëra. Nuk e bëjnë”, shtoi ai.

Presidenti republikan ka deklaruar vazhdimisht se administrata e tij ka përfunduar tetë luftëra në vitin e parë të mandatit të dytë presidencial dhe se për këtë meritonte çmimin Nobel për Paqen.

Bordi i Paqes u krijua fillimisht si pjesë e planit amerikan për Gazën, me synimin për të mbikëqyrur një qeveri tranzitore.

Diplomatë që kanë parë statutin e këtij organi i kanë thënë dpa-së se ai përbën një sfidë të hapur ndaj OKB-së, të cilën Trump e ka cilësuar vazhdimisht si jofunksionale.

Sipas këtyre burimeve, SHBA-ja po shqyrton zgjerimin e ndjeshëm të mandatit të bordit, nga Gaza drejt promovimit të stabilitetit dhe zgjidhjes së konflikteve në mbarë botën.

Draftstatuti parashikon që Trump të kryesojë këshillin e bordit dhe që vetëm krerët e shteteve dhe kryeministrat e ftuar prej tij të mund të jenë anëtarë./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post SHBA – Trump: OKB-ja nuk e ka shfrytëzuar kurrë potencialin e saj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky vendos kushte për pjesëmarrjen në Davos

20 January 2026 at 16:01

KIEV, 20 janar /ATSH-DPA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka deklaruar se pjesëmarrja e tij në Forumin Ekonomik Botëror (WEF) në Davos do të varet nga nënshkrimi i kontratave ose sigurimi i angazhimeve konkrete për ndihmë ndaj Ukrainës.

“Nëse dokumentet janë gati, atëherë do të ketë një takim (me presidentin amerikan Donald Trump) dhe një udhëtim”, u tha Zelensky gazetarëve, sipas raportimeve të medieve ukrainase sot.

Ai shtoi se do të udhëtonte drejt resortit alpin zviceran edhe nëse do të kishte premtime për mbështetje shtesë për sektorin energjetik të Ukrainës ose për sisteme të tjera të mbrojtjes ajrore.

“Por, deri tani, unë kam një detyrë këtu në Ukrainë dhe për mua është thelbësore të koordinoj të gjitha shërbimet këtu”, theksoi ai.

Kievi shpreson të sigurojë garanci sigurie dhe fonde për rindërtimin ekonomik në kuadër të një plani paqeje të udhëhequr nga SHBA për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, por bisedimet mbi këtë plan kanë mbetur të bllokuara./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post KIEV – Zelensky vendos kushte për pjesëmarrjen në Davos appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

DAVOS – Von der Leyen premton rritje të madhe të investimeve evropiane në Groenlandë

20 January 2026 at 14:34

DAVOS, 20 janar /ATSH-AFP/ – Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen premtoi sot një rritje të madhe të investimeve evropiane në Groenlandë dhe u angazhua të punojë me Shtetet e Bashkuara  të Amerikës për përmirësimin e sigurisë në Arktik.

“Po punojmë për një rritje të madhe të investimeve evropiane në Groenlandë”, deklaroi ajo gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, pa specifikuar ndonjë shumë konkrete.

“Ne do të bashkëpunojmë ngushtë me Groenlandin dhe Danimarkën për të përcaktuar se si mund të mbështesim më tej ekonominë dhe infrastrukturën lokale”, shtoi ajo.

“Unë mendoj veçanërisht se duhet të ndajmë një pjesë të rritjes së shpenzimeve tona të mbrojtjes për të krijuar një kapacitet evropian të thyerjes së akullit dhe pajisje të tjera thelbësore për sigurinë në Arktik”, theksoi Von der Leyen.

Kryetarja e Komisionit theksoi gjithashtu gatishmërinë e saj për të punuar me Shtetet e Bashkuara “dhe të gjithë partnerët tanë” për “përmirësimin e sigurisë në Arktik”.

“Kjo është qartë në interesin tonë të përbashkët dhe do të intensifikojmë investimet tona”, tha ajo.

Gjatë këtij fjalimi, Ursula von der Leyen premtoi gjithashtu një përgjigje “të fortë” ndaj kërcënimeve të përsëritura të Donald Trump për Groenlandën dhe tarifat doganore, të cilat i quajti “gabim”.

“Ne e konsiderojmë popullin amerikan jo vetëm si aleatin tonë, por edhe si mikun tonë. Të futemi në një spirale rënëse do të favorizonte vetëm kundërshtarët që të dy jemi të vendosur t’i mbajmë larg”, theksoi ajo.

Liderët evropianë do të mblidhen të enjten në mbrëmje në Bruksel për një samit të jashtëzakonshëm për të shqyrtuar këtë çështje./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post DAVOS – Von der Leyen premton rritje të madhe të investimeve evropiane në Groenlandë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Franca i konsideron të papranueshme kërcënimet e Trump mbi tarifat për verën

20 January 2026 at 12:41

PARIS, 20 janar /ATSH-AFP/ – Kërcënimet e presidentit amerikan, Donald Trump për të vendosur tarifa 200% mbi verën dhe shampanjën franceze janë të papranueshme dhe joeficente deklaroi sot një burim pranë presidentit francez, Emmanuel Macron.

”Kërcënimet tarifore për të ndikuar në politikën tonë të jashtme janë të papranueshme dhe nuk do të kenë efekt”, tha burimi, pas deklaratës së Trump lidhur me qëndrimin e Parisit për të refuzuar ftesën e tij për të marrë pjesë në Bordin e Paqes.

Presidenti Trump kërcënoi dje se do të vendosë tarifa prej 200% për verërat dhe shampanjat franceze, në përgjigje të refuzimit të homologut të tij Emmanuel Macron për t’iu bashkuar me Bordit të Paqes për Gazën.

”Do të vendos tarifa prej 200% për verërat dhe shampanjat e tij. Dhe ai do ta pranojë këtë. Por, nuk është i detyruar ta pranojë”, u tha ai gazetarëve në Florida./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post FOKUS – Franca i konsideron të papranueshme kërcënimet e Trump mbi tarifat për verën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

DAVOS – Bessent: Marrëdhëniet SHBA-Evropë më të forta se kurrë, pavarësisht krizës së Groenlandës

20 January 2026 at 10:33

DAVOS, 20 janar /ATSH/ – Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent deklaroi sot se marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Evropës mbeten të forta, duke u bërë thirrje partnerëve tregtarë që të marrin frymë thellë dhe të lejojnë që tensionet e nxitura nga kërcënimet e reja tarifore të administratës Trump lidhur me Groenlandën të marrin rrjedhën e tyre, sipas AP.

“Unë mendoj se marrëdhëniet tona kurrë nuk kanë qenë më të afërta”, tha Bessent, duke folur në kuadër të takimit vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

Presidenti Donald Trump njoftoi të shtunën vendosjen e një takse importi prej 10%, duke nisur nga shkurti, për mallrat që vijnë nga tetë vende evropiane që janë rreshtuar në mbështetje të Danimarkës, pas thirrjeve të intensifikuara të tij që SHBA-ja të marrë kontrollin e territorit gjysmautonom të Groenlandës.

Trump ka këmbëngulur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nevojë për Groenlandën për arsye sigurie, duke përmendur kërcënime të mundshme nga Kina dhe Rusia.

Kërcënimet e presidentit amerikan kanë shkaktuar indinjatë dhe një valë aktiviteti diplomatik në mbarë Evropën, ndërsa liderët po shqyrtojnë kundërmasa të mundshme, përfshirë tarifa hakmarrëse dhe përdorimin për herë të parë të instrumentit kundër shtrëngimit të Bashkimit Evropian./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post DAVOS – Bessent: Marrëdhëniet SHBA-Evropë më të forta se kurrë, pavarësisht krizës së Groenlandës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌