Durmishi: Jemi për rritje të pagës minimale nëse dakordohen sindikatat dhe punëdhënësit
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi deklaroi sot se që të ketë rritje të pagës minimale, duhet të merren parasysh stabiliteti ekonomik, inflacioni dhe shumë kritere tjera. Ai tha se qeveria është për rritje të pagës minimale nëse dakordohen sindikatat dhe punëdhënësit.
“Ne jemi aty për të ndihmuar, duke marrë parasysh produktivitetin në vendin tonë, i cili, për shkak të politikave të gabuara në të kaluarën, është në nivelin më të ulët nga të gjitha vendet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe në krahasim me vendet e tjera. Administrata shtetërore është në shërbim të qytetarëve dhe sektorit privat në mënyrë që të krijojë vende të reja pune, të ulë papunësinë dhe të rrisë ekonominë”, tha Durmishi.
Ai për pagën minimale thotë se ekziston një formulë dhe metodologji, të cilën edhe qeveria e mëparshme, siç tha, e ka respektuar.
“Ka marrëveshje midis sindikatave, Ministrisë dhe Qeverisë. Qëndrimi ynë është qëndrimi i formulimit, i cili është në fuqi. Ne kemi Këshill ekonomik, ku duhet të diskutohet paga minimale. Dhe si çdo pikë tjetër, edhe kjo merret në konsideratë kur mbahen ato takime. Ne vazhdimisht themi se jemi aty për të ndihmuar të dyja palët. Ne punojmë për interesin e të gjithë qytetarëve, siç janë punëdhënësit, punëtorët dhe sindikatat. Çfarëdo marrëveshjeje që arrihet, ne jemi aty për ta mbështetur. Në fund të fundit, punonjësit në administratën shtetërore duhet t’i shërbejnë sektorit privat dhe ne e arrijmë këtë përmes masave nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës, siç kemi plan operativ, përkrahje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Ne e dimë se shtylla kryesore e vendit tonë janë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, tha Durmishi.
Ai përkujtoi se vitin e kaluar kemi pasur 4,1 për qind inflacion dhe, siç tha, nuk ka pasur rritje të çmimeve, konkretisht për produktet ushqimore, ku duhej të reagohet.
“Projeksionet tona ja në që inflacioni të jetë nën tre për qind dhe punojmë në këtë. Lidhur me produktet ushqimore, në tre muajt e fundit të vitit, sipas të dhënave të Entit shtetëror për statistikë, këto pordukte kanë ulje të çmimeve. Ashtu edhe do të vazhdojmë, e kjo qartë tregon se politikat tona kanë efekt”, tha Durmishi.
