Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 January 2026Main stream

TEHERAN – Irani kufizon aksesin në internet, ndërsa protestat vazhdojnë në mbarë vendin

8 January 2026 at 18:56

TEHERAN, 8 janar /ATSH-DPA/- Autoritetet iraniane kanë kufizuar ndjeshëm aksesin në internet mes protestave të vazhdueshme në të gjithë vendin, thanë sot grupet e monitorimit.

Në provincën perëndimore të Kermanshah, e cila është tronditur nga trazirat, organizata e monitorimit të internetit “NetBlocks” raportoi një ndërprerje totale në operatorin kryesor të internetit TCI.

Banorët raportuan se interneti ishte i kufizuar edhe në pjesë të tjera të vendit.

Interneti në telefonat celular u kufizua gjithashtu në disa qytete të mëdha.

Kufizimet, shihen gjerësisht si të lidhura me thirrjet e ripërtërira për protesta sot dhe nesër nga Reza Pahlavi, djali i i ish-monarkut të fundit të Iranit, i cili u rrëzua në Revolucionin Islamik të vitit 1979.

Një valë protestash ka përfshirë Iranin për 11 ditë, të shkaktuara nga kriza ekonomike në thellim dhe një rënie e ndjeshme e monedhës kombëtare, rialit iranian.

Në Teheran, tregtarët e zemëruar fillimisht dolën në rrugë, me demonstratat që u përhapën më pas në pjesë të mëdha të vendit.

“Të paktën 38 persona janë vrarë në përleshjet me autoritetet që nga shpërthimi i protestave”, sipas rrjetit të të drejtave të njeriut HRANA, me qendër në SHBA. //a.i/

The post TEHERAN – Irani kufizon aksesin në internet, ndërsa protestat vazhdojnë në mbarë vendin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SIRI – Alepo në ditën e tretë të përleshjeve midis ushtrisë siriane dhe SDF-së të udhëhequr nga kurdët

8 January 2026 at 18:18

DAMASKË, 8 janar /ATSH-DPA/- Përleshjet e ashpra midis forcave të udhëhequra nga kurdët dhe trupave qeveritare kanë vazhduar në ditën e tyre të tretë, në qytetin verior sirian të Alepos.

Ky është konflikti më i rëndë – i parë ndonjëherë në qytetin e dytë më të madh të Sirisë – që nga përmbysja e sundimtarit Bashar al-Assad në fund të vitit 2024, tha Rami Abdel Rahman, kreu i Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut.

Komiteti Qendror i Reagimit në Alepo tha se rreth 142 000 persona ishin zhvendosur nga lagjet “Sheikh Maqsoud” dhe “Ashrafieh”, si dhe zonat e banimit aty pranë, duke përfshirë rreth 13 000 banorë vetëm sot.

Një zëdhënës i Forcave Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequra nga kurdët, Farhad al-Shami, tha se shifrat qeveritare ishin të ekzagjeruara.

Sipas autoriteteve lokale, janë ngritur strehimore të përkohshme emergjente në Alepo dhe zonat përreth, ndërsa banorët e plagosur mbetën të bllokuar në lagjet e prekura – që u shpallën zona ushtarake dhe të kufizuara nga ushtria siriane, një ditë më parë.

Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare tha dje se ishin zhvendosur mbi 30 000 banorë.

Pas një afati të evakuimit, ushtria siriane bombardoi objektivat e përcaktuara më parë në dy distrikte kurde.

“SDF u përgjigj me mortaja dhe raketa, duke plagosur të paktën pesë civilë”, tha zyrtari.

“Që nga e marta, të paktën 12 civilë janë vrarë, ndërsa katër anëtarë të forcave qeveritare dhe një luftëtar kurd kanë vdekur gjithashtu. Më shumë se 60 persona janë plagosur”, sipas observatorit. //a.i/

The post SIRI – Alepo në ditën e tretë të përleshjeve midis ushtrisë siriane dhe SDF-së të udhëhequr nga kurdët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – Starmer: X duhet të marrë masa mes shqetësimeve për imazhet e gjeneruara nga “Grok”

8 January 2026 at 17:59

LONDËR, 8 janar /ATSH-DPA/- Kryeministri britanik, Keir Starmer tha se platforma X duhet të marrë masa mes shqetësimeve në lidhje me krijimin e imazheve të seksualizuara të të rriturve dhe fëmijëve përmes IA-së të integruar në faqen e medias sociale.

Starmer tha se mbështet “Ofcom”, rregullatorin britanik për shërbimet e komunikimit – i cili po heton X dhe xAI – platforma sociale e themeluar nga Elon Musk e cila krijoi “Grok”, aplikacioni falas i inteligjencës artificiale i projektuar nga xAI, që ofron kërkim në kohë reale, gjenerim imazhesh etj.

Deklarata e Starmer vjen pasi një ish-ministër i kërkoi qeverisë së Britanisë së Madhe dhe Partisë Laburiste të ndalonin plotësisht përdorimin e faqes.

Përdoruesit e X duket se e kanë nxitur inteligjencën artificiale “Grok”, e cila është e integruar në platformë, të gjenerojë imazhe të rreme të fëmijëve.

“Kjo është e turpshme. Është e neveritshme. Dhe nuk duhet toleruar”, tha Starmer.

“X duhet ta kuptojë këtë. “Ofcom” ka mbështetjen tonë të plotë për të ndërmarrë veprime në lidhje me këtë. Është e paligjshme. Nuk do ta tolerojmë. Kam kërkuar që të gjitha opsionet të jenë në tryezë”, shtoi kyeministri britanik.

Më herët, ministrja e Teknologjisë, Liz Kendall tha se duhej të ndërmerreshin veprime urgjente për këtë çështje – duke shprehur mbështetje për “Ofcom” për të ndërmarrë çdo veprim zbatues që konsiderohej i nevojshëm. //a.i/

The post BM – Starmer: X duhet të marrë masa mes shqetësimeve për imazhet e gjeneruara nga “Grok” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

METEO – Gjermania pritet të goditet nga stuhia dimërore “Elli”

8 January 2026 at 16:29

BERLIN, 8 janar /ATSH-DPA/- Gjermania po përgatitet për reshje të mëdha dëbore këtë fundjavë duke çuar në mbylljen e shkollave dhe vonesa të fluturimeve.

Shërbimi Gjerman i Motit DWD ka parashikuar stuhi të forta dëbore që do të godasin vendin gjatë natës, veçanërisht në Gjermaninë lindore dhe qendrore, si dhe midis qyteteve veriore të Bremenit dhe Hamburgut.

Një meteorolog i DWD-së e përshkroi motin si “ekstrem”, me trashësinë e borës që pritet të arrijë deri në 20 centimetra në disa pjesë të Gjermanisë.

Ndërsa disa pjesë të Gjermanisë janë mbuluar nga dëbora dhe akulli për ditë të tëra, shërbimi i motit paralajmëroi se “kombinimi i erës dhe dëborës” që po vjen mund të shkaktojë kaos dhe të çojë në ndërprerje të trafikut.

Stuhia “Elli” pritet të godasë nesër vendin, përpara se të humbasë forcën dhe të lëvizë në lindje drejt Republikës Çeke të shtunën.

Partia qeverisëse e Kristiandemokratëve (CDU) anuloi takimin e parë të madh të partisë për këtë vit – për shkak të përkeqësimit të motit.

Rreth 350 pjesëmarrës, përfshirë kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe rreth 100 përfaqësues të medias, do të mblidheshin në konferencën dyditore të partisë në Mainz, në dalje të Frankfurtit.

Merz tha se udhëheqja e partisë ka planifikuar ta zhvillojë takimin online dhe të miratojë disa rezoluta. //a.i/

 

The post METEO – Gjermania pritet të goditet nga stuhia dimërore “Elli” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjuetarët përdorën helm në majat e shigjetave rreth 60 000 vjet më parë

8 January 2026 at 08:08

STOKHOLM, 8 janar /ATSH/- Përdorimi i helmit në shigjeta shënoi një revolucion në teknologjinë e gjuetisë njerëzore – provat e reja sugjerojnë se kjo ndodhi dhjetëra mijëra vjet më herët se sa dihej më parë, sipas “Science Advances”.

Studiuesit kanë gjetur gjurmë – të asaj që duket të jetë helm i nxjerrë nga bimët – në maja të vogla shigjetash prej guri nga Afrika e Jugut, që datojnë 60 000 vjet më parë.

Shkencëtarët kanë qenë prej kohësh të magjepsur nga zhvillimi i mjeteve të helmuara të gjuetisë.

Nga njëra anë, ato mund të kenë përmirësuar lojën e të parëve tanë për të mbledhur ushqim.

Nga ana tjetër, ato ofrojnë një dritare në njohje: mjetet e helmuara përfaqësojnë një teknologji shumë të sofistikuar që kërkon njohuri se si të nxirret helmi nga bimët, si ndikon helmi në pre dhe si të shfrytëzohen këto efekte për të rritur efikasitetin e gjuetisë.

Më parë, provat më të vjetra të drejtpërdrejta të armëve të helmuara vinin nga majat e shigjetave prej kocke në një varr egjiptian që datonte rreth 4 000 vjet më parë dhe majat e shigjetave prej kocke nga shpella ”Kruger” në Afrikën e Jugut që datojnë rreth 6 700 vjet më parë.

Megjithatë, studiuesit kishin arsye të dyshonin se teknologjia mund të ishte dukshëm më e vjetër se kaq, sepse ata kishin gjetur maja shigjetash prej kocke dhe guri shumë më të vjetra që ngjanin me ato të helmuara në madhësi dhe formë.

Por shkencëtarët nuk kishin prova të drejtpërdrejta të helmimit në këto mjete gjuetie më të vjetra.

Në studimin e botuar sot në “Science Advances”, Sven Isaksson i Universitetit të Stokholmit dhe kolegët e tij tregohet për analizat mikrokimike dhe biomolekulare të mbetjeve të gjetura në majat e shigjetave prej kuarci 60 000-vjeçare nga Streha Shkëmbore Umhlatuzana në KwaZulu-Natal, Afrika e Jugut.

Analizat zbuluan komponime toksike nga anëtarët e familjes Amaryllidaceae të bimëve që janë indigjene në Afrikën Jugore.

Autorët supozojnë se njerëzit e lashtë përdorën sekrecione nga bulbat e Boophone disticha, një specie Amaryllidaceae që dihet mirë se është përdorur për helm shigjetash.

Isaksson dhe kolegët e tij thanë se këto shigjeta të helmuara ndoshta nuk i vrisnin menjëherë kafshët pre.

Në vend të kësaj, ato do t’i kishin dobësuar kafshët me kalimin e kohës. Gjuetarët do të kishin pasur nevojë të gjurmonin kafshët e plagosura ndërsa ato vraponin.

“Helmi është një adaptim i përparuar për njerëzit, dhe këtu e shohim të shfaqet të paktën 60 000 vjet më parë”, tha Curtis Marean i Universitetit Shtetëror të Arizonës, i cili nuk ishte i përfshirë në studimin e ri.

Ai tha se fakti që helmi u gjet në mikrolite – vegla të vogla prej guri – është gjithashtu i rëndësishëm.

Miniaturizimi i veglave prej guri ishte një tjetër përparim kyç për njerëzit, që ndihmoi në zhvillimin e teknologjisë së harkut dhe shigjetës.

Sipas Marean, zbulimi i ri ngre pyetjen nëse zhvillimi i teknologjisë së mikrolitit lidhet me zhvillimin e helmit. //a.i/

 

The post Gjuetarët përdorën helm në majat e shigjetave rreth 60 000 vjet më parë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

METEO – Bosnjë-Hercegovina përfshihet nga reshje të rrëmbyeshme shiu dhe bore

7 January 2026 at 23:38

SARAJAVË, 7 janar /ATSH/- Bosnjë-Hercegovina është goditur nga reshje të rrëmbyeshme shiu dhe bore, kryesisht në rajonet veriore, sipas “TIP.ba”.

Trashësia e borës në Bosnjën lindore dhe pjesën qendrore arriti 10-20 centimetra, ndërsa në zonat malore deri në 35 centimetra.

Reshjet e borës kanë mbuluar jugun dhe jugperëndimin e vendit me temperatura deri në minus 13 gradë Celsius.

Meteorologët në Bosnjë-Hercegovinë paralajmëruan se kushtet e motit të paqëndrueshëm do të vazhdojnë në ditët në vijim, veçanërisht në zonën e Hercegovinës jugore.

Sipas tyre, sasia intensive e reshjeve në nivel lokal, mund të ndërlikojë më tej problemet ekzistuese në terren.

Temperatura jashtëzakonisht të ulëta, parashikohen kryesisht në rajonet malore me temperatura minus 20 gradë Celsius.

Në rajonet e poshtme të Bosnjë-Hercegovinës, temperaturat mund të ulen në minus 15 gradë Celsius..

Për shkak të reshjeve të shiut dhe të ftohtit që po vjen, qytetarëve u këshillohet të jenë të kujdesshëm, veçanërisht në zonat e prekura nga shiu dhe bora e rrëmbyeshme, por edhe për shkak të pasojave të mundshme të temperaturave jashtëzakonisht të ulëta në ditët në vijim. //a.i/

The post METEO – Bosnjë-Hercegovina përfshihet nga reshje të rrëmbyeshme shiu dhe bore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

METEO – Bullgaria përballet me stuhi të forta dhe temperatura të ulëta

7 January 2026 at 23:03

SOFJE, 7 janar /ATSH-BTA/- Bullgaria pritet të përjetojë nesër një ndryshim të ndjeshëm të motit, ndërsa një valë e të ftohtit pritet të përfshijë të gjithë vendin, duke sjellë shi, borë dhe një rënie të dukshme të temperaturave.

Sipas parashikimeve, do të ketë reshje të vazhdueshme, të cilat mund të jenë të dendura në disa zona. Stuhi të izoluara janë gjithashtu të mundshme përgjatë kufirit frontal.

Ndërsa temperaturat bien, shiu do të shndërrohet në borë, veçanërisht në Bullgarinë Veriore dhe në rajonet malore, ku pritet të formohet një mbulesë bore.

Deri në mbrëmje, reshjet do të lehtësohen gradualisht nga veriperëndimi.

Erërat do të zhvendosen nga veriperëndimi dhe do të forcohen, duke sjellë ajër të ftohtë në të gjithë vendin. Në Ultësirën e Epërme Trake dhe Fushën e Danubit, erërat mund të arrijnë nivele stuhie.

Shtresa bore janë të mundshme në zonat malore dhe rajonin Ludogorie, ndërsa akullnajat priten në veriperëndim.

Autoritetet kanë lëshuar një paralajmërim të verdhë dhe të kuq për nesër, më 8 janar në disa pjesë të vendit për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe erërave të forta.

Rajonet malore, veçanërisht zona Rila-Rodope, pritet të përfshihen nga reshje të konsiderueshme, të cilat mund të shndërrohen në borë në lartësi më të ulëta.

Erërat do të jenë të forta deri në stuhi nga perëndimi-veriperëndimi, me temperatura maksimale në 1,200 metra që arrijnë rreth 0 gradë Celsius.dhe në 2,000 metra rreth minus 5 gradë Celsius.

Përgjatë bregdetit të Detit të Zi, kushtet do të jenë me erë, me reshje shiu dhe stuhi.

Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë ka lëshuar një paralajmërim në lidhje me kushtet sfiduese të rrugëve në Bosnjë-Hercegovinë, të cilat janë rezultat i reshjeve të vazhdueshme të borës.

Ministria tha se ka pasur kufizime në trafik. Rruga kryesore midis Bosansko Grahovo dhe Strmica është mbyllur dhe kamionëve u është ndaluar udhëtimi në rrugët midis Bosansko Grahovo dhe Drvar, dhe midis Prijedor dhe Sanski Most.

Shenja paralajmëruese shtesë dhe kufizime janë vendosur në rrugën kryesore midis Stolat dhe Taskovci, dhe trafiku për automjete mbi 3,5 tonë është pezulluar në rrugën kryesore midis Jablanës dhe Blidinjes.

Rrëshqitjet e tokës për shkak të borës kanë bllokuar pjesërisht rrugët Kupres-Livno dhe Ripac-Bosanski Petrovac-Drvar.

Ministria e Punëve të Jashtme ka shtuar se përdorimi i zinxhirëve të dëborës është i detyrueshëm për kamionët mbi 7,5 tonë në zonat malore.

Ministria rekomandon që të gjithë qytetarët bullgarë që banojnë ose planifikojnë të udhëtojnë në Bosnjë-Hercegovinë, në ditët në vijim – të informohen përmes Agjencisë së Infrastrukturës Rrugore BIHAMK për kushtet e motit.

“Shirat e rrëmbyeshëm gjatë 24 orëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje në jug të Bosnjë-Hercegovinës”, raportoi të martën stacioni televiziv rajonal N1.

Përmbytjet kanë prekur shtëpi dhe fshatra të tëra, duke shkaktuar daljen e lumenjve dhe rrëshqitje dheu. //a.i/

The post METEO – Bullgaria përballet me stuhi të forta dhe temperatura të ulëta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SERBI – Reshjet e dendura të borës bllokojnë transportin dhe ndërpresin energjinë elektrike

7 January 2026 at 23:00

BEOGRAD, 7 janar /ATSH-TANJUG/- Serbia është përfshire nga reshje dëbore të dendura, me disa zona, veçanërisht në veri dhe perëndim, ku trashësia e borës ka arritur në 10-30 centimetra.

Zyrtarët e motit kanë raportuar akumulim të dendur të borës (potencialisht mbi 20 centimetra), temperatura nën zero gradë Celsius (0°C) dhe një rrezik të konsiderueshëm të shiut të ngrirë.

Dëbora e vazhdueshme ka rezultuar në rrugë të rrëshqitshme dhe të akullta, duke shkaktuar bllokime të konsiderueshme të trafikut në Beograd dhe duke ndaluar plotësisht trafikun në disa zona me trashësi më të madhe.

Moti i keq ka ndikuar gjithashtu në udhëtimet ajrore. Fluturime të shumta janë anuluar ose vonuar në Aeroportin Nikola Tesla të Beogradit për shkak të borës së dendur dhe temperaturave të ulëta.

Për më tepër, janë raportuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa pjesë të vendit.

Instituti Hidrometeorologjik Serb (RHMZ) ka lëshuar paralajmërime për motin portokalli dhe të verdhë për reshje bore dhe akull, pasi këto kushte paraqesin një rrezik të konsiderueshëm për infrastrukturën dhe trafikun.

Ne rajonet kodrinore dhe malore, trashësia e borës ka tejkaluar 30-40 centimetra.

Temperaturat shënuan nën zero gradë Celsius (0°C) në shumë zona. Mëngjesi i së premtes parashikohet të sjellë ngricë, me temperatura deri në minus 10 gradë Celsius (-10°C).

Shërbimi meteorologjik ka lëshuar paralajmërime për shi të ngrirë, veçanërisht në zonën më të gjerë të Beogradit, Banatin jugor, Sumadija, Pomoravlje dhe Serbinë lindore.

Shiu i ngrirë përbën një rrezik të madh për akumulimin e akullit në sipërfaqe. //a.i/

 

The post SERBI – Reshjet e dendura të borës bllokojnë transportin dhe ndërpresin energjinë elektrike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 7 January 2026Main stream

METEO – Greqia goditet nga shira të rrëmbyeshëm dhe stuhi në rajonet perëndimore dhe verilindore

7 January 2026 at 22:29

ATHINË, 7 janar /ATSH/- Meteorologët grekë paralajmëruan sot për stuhi intensive deri nesër në mëngjes në rajonet perëndimore dhe verilindore të vendit, sipas “Kathimerini”.

Moti i ashpër, me reshje të zgjatura të shiut dhe stuhi të forta, nisi sot dhe do të vazhdojë deri në orët e para të ditës së nesërme.

Paralajmërimet e nivelit portokalli mbeten për ishujt Jon, Epirin, Greqinë Qendrore perëndimore dhe Maqedoninë Lindore dhe Trakën, me Peloponezin që do t’i bashkohet të mërkurën në mbrëmje.

Stuhitë mund të sjellin breshër dhe erëra që arrijnë 62 to 74 km/h. Erërat jugore me intensitet të ngjashëm goditën sot Detin Egje.

Kushtet do të dobësohen gradualisht nesër në mëngjes, megjithëse stuhi të shkurtra do të prekin zona të tjera.

Meteorologët theksuan intensitetin dhe kohëzgjatjen e reshjeve si shqetësime kryesore, me erëra shumë të forta që priten nesër në perëndim të vendit.

Ndërkohë që, Mbrojtja Civile ne Greqinë Perëndimore, Epirin dhe Ishujt Jonian shpalli gjendjen e mobilizimit (Kodi i Kuq) për dje dhe sot.

Nga dita e sotme deri nesër, i njëjti nivel mobilizimi do të zbatohet për Maqedoninë Lindore dhe Trakën, si dhe Peloponezin.

Vendimi u mor pasi Komiteti i Vlerësimit të Rrezikut u mblodh të hënën, pas lëshimit të një emergjence nga Shërbimi Kombëtar Meteorologjik që paralajmëronte për stuhi me bubullima në Greqinë perëndimore dhe verilindore në orët e para të ditës së djeshme deri nesër në mëngjes.

Sipas meteorologëve, Ishujt Jonian, veçanërisht në Korfuz, si dhe në Epir, Etoli-Akarnani, Maqedoninë Lindore dhe Traki, u përfshinë dje dhe sot nga reshje të dendura shiu dhe stuhi. //a.i/

 

The post METEO – Greqia goditet nga shira të rrëmbyeshëm dhe stuhi në rajonet perëndimore dhe verilindore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

QIPRO – Costa: Groenlanda i përket popullit të saj

7 January 2026 at 20:50

NIKOZIA, 7 janar /ATSH-DPA/- Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa i ka siguruar Groenlandës dhe Danimarkës solidaritet përballë pretendimeve të reja të SHBA-së për aneksimin e ishullit më të madh në botë.

“Lidhur me Groenlandën, më lejoni të jem i qartë: Groenlanda i përket popullit të saj”, tha Costa në ceremoninë e hapjes së presidencës së radhës të Bashkimit Evropian në kryeqytetin e Qipros, Nikozia.

“Asgjë nuk mund të vendoset për Danimarkën ose Groenlandën pa Danimarkën, ose pa Groenlandën. Ato kanë mbështetjen dhe solidaritetin e plotë të Bashkimit Evropian”, tha ai.

Costa tha se Evropa ishte më shumë se një koncept gjeografik, duke e përshkruar atë si një komunitet të themeluar mbi vlera të përbashkëta.

“Forca jonë kolektive bazohet në një ekonomi të begatë dhe investime në rritje në mbrojtje. Por, mbi të gjitha, bazohet nga qëndrueshmëria me të cilën i mbrojmë këto vlera”, theksoi ai.

“Kjo është arsyeja pse Bashkimi Evropian nuk mund të pranojë shkelje të së drejtës ndërkombëtare – qoftë në Qipro, Amerikën Latine, Groenlandë, Ukrainë apo Gaza”, shtoi Costa.

“Evropa do të mbetet një kampione e fortë dhe e palëkundur e së drejtës ndërkombëtare dhe multilateralizmit”, tha ai.

Shtëpia e Bardhë nuk e ka përjashtuar ndërhyrjen ushtarake për të aneksuar Groenlandën, pasi presidenti amerikan, Donald Trump tha së fundmi se SHBA-ja duhej të merrte kontrollin e territorit danez për arsye sigurie.

Groenlanda, me një popullsi prej rreth 57,000 banorësh, është kryesisht autonome, por zyrtarisht i përket Mbretërisë së Danimarkës.

Më 1 janar, Qiproja, një nga vendet më të vogla të BE-së, mori Presidencën e Këshillit të BE-së.

Kombi ishullor ka vetëm rreth 1 milion banorë. Presidenca e këshillit ndryshon çdo gjashtë muaj. Danimarka e mbajti atë deri në fund të dhjetorit. //a.i/

The post QIPRO – Costa: Groenlanda i përket popullit të saj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Rubio do të takohet me zyrtarët danezë javën e ardhshme mes mosmarrëveshjeve për Groenlandën

7 January 2026 at 20:05

UASHINGTON, 7 janar /ATSH-DPA/-  Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio thasot se ka planifikuar të takohet me përfaqësuesit e Danimarkës, javën e ardhshme për të diskutuar mosmarrëveshjet për Groenlandën

Ai nuk pranoi të thoshte nëse kjo nënkuptonte që veprimi ushtarak i SHBA-së për të marrë kontrollin e ishullit ishte jashtë diskutimit.

Duke folur me gazetarët, Rubio nuk specifikoi se kur ose ku do të zhvillohej takimi.

Danimarka dhe Groenlanda kishin kërkuar më herët bisedime me diplomatin më të lartë të SHBA-së.

Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, tha këtë javë se ishte i frustruar që komunikimi me SHBA-në ishte kryer, kryesisht përmes medias.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kohët e fundit ngriti sërish mundësinë e aneksimit ose blerjes së Groenlandës, duke përmendur interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së.

Groenlanda, shtëpia e rreth 57 000 banorëve, është kryesisht autonome, por zyrtarisht pjesë e Mbretërisë së Danimarkës, e cila është anëtare e NATO-s.

Trump e ka lakmuar prej kohësh Groenlandën. Gjatë mandatit të tij të parë, ai shkaktoi shqetësim diplomatik duke shprehur interes për blerjen e ishullit Arktik.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha sot se mundësia e blerjes së Groenlandës po diskutohej në mënyrë aktive nga presidenti Trump dhe ekipi i tij.

“Të gjitha opsionet janë në tryezën e bisedimeve për presidentin Trump, ndërsa ai shqyrton se çfarë është në interesin më të mirë të SHBA-së, por ju bëj me dije se opsioni i parë i presidentit ka qenë gjithmonë diplomacia”, tha ajo.

Qeveria daneze, e mbështetur nga disa partnerë evropianë, si Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe, ka hedhur poshtë me vendosmëri pretendimet e Trump për aneksimin e ishullint.

Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen ka paralajmëruar se një sulm i SHBA-së ndaj Groenlandës do ta çonte në fund NATO-n. //a.i/

The post SHBA – Rubio do të takohet me zyrtarët danezë javën e ardhshme mes mosmarrëveshjeve për Groenlandën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PARIS – Wadephul i kërkon SHBA-së të respektojë sovranitetin e Groenlandës

7 January 2026 at 19:53

PARIS, 7 janar /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul i kërkoi sot Shteteve të Bashkuara të Amerikës të respektojnë parimet e Kombeve të Bashkuara, mes retorikës së ripërtërirë të Uashingtonit për marrjen e mundshme të kontrollit të Groenlandës.

“Parimet e sovranitetit, integritetit territorial dhe paprekshmërisë së kufijve të sanksionuara në Kartën e OKB-së duhet të respektohen”, tha Wadephul në Paris, pas takimit me homologët e tij francezë dhe polakë.

Wadephul tha se vendimet për të ardhmen e Groenlandës i takonin popullit të Groenlandës dhe Mbretërisë së Danimarkës, së cilës ishulli i përket zyrtarisht.

Të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë në rajonin e Arktikut duhet natyrisht të diskutohen brenda kornizës së NATO-s.

Ai mirëpriti deklaraten e sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, i cili tha se Uashingtoni do të zhvillonte bisedime me qeverinë e Danimarkës, anëtare e NATO-s, javën e ardhshme.

I pyetur nëse veprimi ushtarak i SHBA-së kundër Groenlandës do të shënonte fundin e NATO-s, Wadephul tha se nuk kishte “as dyshimin më të vogël” se aleanca do të mbetej e bashkuar.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kohët e fundit ngriti sërish mundësinë e aneksimit ose blerjes së Groenlandës, duke përmendur interesat e sigurisë kombëtare.

Trump e ka paraqitur blerjen e saj si pjesë të një gare strategjike në Arktik – që përfshin fuqi të tilla si Kina dhe Rusia, si dhe një mënyrë për të siguruar akses në mineralet e rëndësishme. //a.i/

The post PARIS – Wadephul i kërkon SHBA-së të respektojë sovranitetin e Groenlandës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – Rubio: Plani i SHBA-së për Venezuelën është stabiliteti, rimëkëmbja dhe pastaj tranzicioni

7 January 2026 at 19:46

UASHINGTON, 7 janar /ATSH/- Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka hedhur poshtë kritikat se Uashingtoni po “eksperimenton” në Venezuelë – ndërsa ka shpjeguar strategjinë e SHBA-së për vendin pas operacionit kundër Nicolas Maduro, sipas “Reuters”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një plan prej tre hapash për Venezuelën – që do të fillojë me stabilizimin e vendit pasi forcat amerikane arrestuan udhëheqësin, Nicolas Maduro, duke siguruar që kompanitë amerikane të naftës të kenë akses në vend gjatë një faze rimëkëmbjeje dhe më në fund duke mbikëqyrur një tranzicion, tha sot Rubio.

“Politika e SHBA-së ndaj Venezuelës bazohet në një strategji të strukturuar që përfshin kontrollin mbi naftën, e cila shihet si një mjet të jashtëzakonshëm – për të nxitur ndryshime politike dhe ekonomike në vend”, tha Rubio.

Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Rubio u përpoq të qetësonte kritikat e senatorëve – të cilët akuzuan Uashingtonin se po vepron pa një qasje të qartë.

Rubio tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë ndërmend të qeverisin Venezuelën drejtpërdrejt, por synojnë të mbajnë një “karantinë energjetike” për anijet që shkojnë dhe vijnë nga Venezuela.

“Ne do të vazhdojmë me karantinën dhe presim të shohim ndryshime që jo vetëm që përparojnë interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës – por gjithashtu çojnë në një të ardhme më të mirë për popullin e Venezuelës”, tha ai.

“Ne do ta shesim naftën venezueliane me çmimet e tregut dhe paratë do të menaxhohen nga SHBA-ja, të cilat do të kontrollojnë shpërndarjen e saj të drejtpërdrejtë tek populli i Venezuelës”, tha ai.

Rubio sqaroi gjithashtu se qëllimi i SHBA-së nuk është të “qeverisë” Venezuelën, por të përdorë instrumentet ekonomike dhe politike me mençuri për të arritur objektivat e politikës së jashtme në Hemisferën Perëndimore, duke shmangur një prani të drejtpërdrejtë ushtarake në terren. //a.i/

The post UASHINGTON – Rubio: Plani i SHBA-së për Venezuelën është stabiliteti, rimëkëmbja dhe pastaj tranzicioni appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – SHBA lehtëson sanksionet për të lejuar naftën venezueliane të hyjë në tregun botëror

7 January 2026 at 18:40

UASHINGTON, 7 janar /ATSH-DPA/- Departamenti amerikan i Energjisë njoftoi se SHBA-ja ka hequr disa nga sanksionet e saj ndaj Venezuelës për të lejuar transportin dhe shitjen e naftës venezueliane në tregun global.

Departamenti nuk specifikoi se cilat sanksione do të lehtësoheshin ose kur do të hynin në fuqi ndryshimet.

Disa cisterna nafte të përfshira në transportimin e naftës bruto të Venezuelës aktualisht i nënshtrohen sanksioneve të SHBA-së.

Njoftimi vjen pasi Uashingtoni tha se planifikon të kontrollojë shitjet e ardhshme të naftës nga Venezuela, pasi ushtria amerikane arrestoi udhëheqësin autoritar të vendit, Nicolás Maduro, në një operacion fundjavën e kaluar.

Presidenti amerikan, Donald Trump tha të shtunën se SHBA-ja do të drejtonte Venezuelën dhe se kompanitë amerikane të naftës do të shpenzonin miliarda dollarë për të riparuar infrastrukturën e dëmtuar rëndë dhe për të fituar të ardhura për vendin.

Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright tha sot se SHBA-ja do të shiste naftën e Venezuelës për një kohë të pacaktuar.

Trump tha këtë javë se Venezuela do të furnizonte midis 30 dhe 50 milionë fuçi naftë të sanksionuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai tha se ai personalisht do të mbikëqyrte të ardhurat nga shitjet e naftës për të mirën e popullit të Venezuelës dhe SHBA-së.

Eksportet e naftës janë burimi kryesor i të ardhurave dhe valutës së huaj të qeverisë së Venezuelës.

Në vitet e fundit, Kina ka qenë blerësja më e madhe e naftës bruto të Venezuelës.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar se qeveria e përkohshme e Venezuelës do t’i kthejë SHBA-së midis 30 dhe 50 milionë fuçi naftë me cilësi të lartë, sipas “Sky News”.

“Nafta – me vlerë mbi 2 miliardë dollarë (1,48 miliardë paund) – do të merret nga anijet e magazinimit dhe do të sillet direkt në portet e shkarkimit të SHBA-së”, tha presidenti Trump në “Truth Social”.

“Nafta do të shitet me çmimin e saj të tregut dhe paratë e gjeneruara nga shitjet do të kontrollohen nga vetë Trump”, tha ai.

Sekretarit të Energjisë, Chris Wright i është kërkuar të zbatojë planin.

Trump ka qenë i hapur në lidhje me planet e tij për rezervat e naftës së Venezuelës që nga kapja dhe arrestimi i presidentit, Nicolas Maduro në një sulm të guximshëm amerikan në Karakas.

Ai ka sugjeruar që kompanitë amerikane të naftës mund të fillojnë punën në vend brenda 18 muajsh dhe ka kërcënuar regjimin e përkohshëm të Venezuelës me më shumë ndërhyrje ushtarake nëse nuk bashkëpunon.

CNBC, duke cituar burime nga Shtëpia e Bardhë, tha se sanksionet e SHBA-së që rregullojnë rrjedhën e naftës së Venezuelës mund të lehtësohen.

Kjo doli në pah pasi u konfirmua se autoritetet amerikane kishin sekuestruar anijen cisternë me flamurin rus në Atlantikun e Veriut, duke përmendur “shkelje të sanksioneve”.

Një cisternë e dytë, me sa duket e drejtuar për në Kinë, e quajtur “Sophia”, u kap më vonë në Detin e Karaibeve për të njëjtën arsye.

Konfiskimet duket se do të nxisin tensionet me Rusinë dhe Kinën mbi kontrollin amerikan të naftës venezueliane.

Aktualisht, ekziston vetëm një kompani shumëkombëshe amerikane nafte në Venezuelë – “Chevron”.

Dy të tjera, “Exxon Mobil” dhe “ConocoPhillips”, u larguan pasi paraardhësi i Maduros, Hugo Chavez, shtetëzoi industrinë e naftës, duke i bërë ato të panevojshme.

Venezuela ndodhet mbi rezervat më të mëdha të naftës në botë, përpara vendeve si Kanadaja dhe Rusia.

Muajin e kaluar, SHBA-ja ndaloi cisternat e naftës të largoheshin nga vendi dhe sekuestruan disa anije cisternë në ujërat ndërkombëtare – si pjesë e përpjekjeve për të zbatuar sanksionet e saj mbi industrinë e naftës së Venezuelës.

Raportet kanë pohuar se drejtuesit e kompanive amerikane të naftës pritet të vizitojnë nesër Shtëpinë e Bardhë – për të diskutuar investimet në Venezuelë. //a.i/

The post UASHINGTON – SHBA lehtëson sanksionet për të lejuar naftën venezueliane të hyjë në tregun botëror appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – Trump: Pa SHBA-në, NATO nuk i tremb dot Rusinë dhe Kinën

7 January 2026 at 17:55

UASHINGTON, 7 janar /ATSH/- Pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO nuk i tremb dot Rusinë dhe Kinën, tha sot presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ndërsa nënvizoi se të gjithë ishin me fat që ai e kishte rindërtuar ushtrinë amerikane në mandatin e tij të parë, sipas NDTV.

Udhëheqësi republikan u kujtoi gjithashtu kombeve të NATO-s se si, pas presionit të fortë, shtetet anëtare ranë dakord zyrtarisht të rrisnin objektivin e shpenzimeve të mbrojtjes në 5 përqind të PBB-së deri në vitin 2035.

Angazhimi i ri zëvendëson objektivin prej 2 përqind të vendosur në vitin 2014.

“Mbani mend, për të gjithë ata adhurues të mëdhenj të NATO-s, ata shpenzonin 2% të PBB-së, dhe shumica nuk po i paguanin faturat e tyre, derisa erdha unë. SHBA-ja, pa mend, paguante për ta!”, tha Trump.

Në kritika të ashpra në “Truth Social”, presidenti i SHBA-së Donald Trump shënjestroi vendet e NATO-s – pasi Danimarka paralajmëroi se një sulm nga Amerika do të thoshte fundi i NATO-s.

Ai tha se Rusia dhe Kina nuk kishin frikë nga NATO dhe dyshonin nëse NATO do të ishte aty për SHBA-në nëse do të ishte e nevojshme.

“Mbani mend gjithashtu, unë i dhashë fund i vetëm tetë luftërave, dhe Norvegjia, një anëtare e NATO-s, zgjodhi në mënyrë të pamend të mos më jepte Çmimin Nobel për Paqen”, shkroi Trump.

“Por kjo nuk ka rëndësi! Ajo që ka rëndësi është se kam shpëtuar miliona jetë.  Pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO nuk i tremb dot Rusinë dhe Kinën”, tha ai.

Ai tha gjithashtu se pa SHBA-në, Rusia do të kishte të gjithë Ukrainën tani.

“Ne do të jemi gjithmonë aty për NATO-n, edhe nëse ata nuk do të jenë aty për ne”, shkroi Trump.

“Presidenti Trump po shqyrton mënyrat se si të marrë kontrollin e Groenlandës dhe përdorimi i ushtrisë amerikane është “gjithmonë një opsion”, tha dje Shtëpia e Bardhë, duke rritur më tej tensionet me aleatin e NATO-s, Danimarkën. //a.i/

 

 

The post UASHINGTON – Trump: Pa SHBA-në, NATO nuk i tremb dot Rusinë dhe Kinën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Franca i jep lamtumirën ikonës së kinematografisë, Brigitte Bardot

7 January 2026 at 16:59

PARIS, 7 janar /ATSH-DPA/- Fansat, miqtë dhe familja i dhanë sot lamtumirën aktores së ndjerë franceze, Brigitte Bardot në një shërbim funerali në Saint-Tropez, në jug të Francës.

Shërbesa u transmetua drejtpërdrejt në ekrane të mëdha në vende të ndryshme në të gjithë qytetin.

Fansat gjithashtu mundën të ndiqnin shërbimin funeral në televizionin francez. Pas kortezhit nëpër qytet, Bardot do të varroset në një vend familjar.

Disa adhurues të aktores u mblodhën sot në mëngjes në Saint-Tropez.

“Ne udhëtuam për 10 orë dje për të shprehur respektin tonë,” tha një fans për “France Info”.

Pavarësisht rrethit të vogël të të ftuarve në Kishën e Notre-Dame de l’Assomption, në ceremoninë e lamtumirës morën pjesë edhe disa figura të njohura. Këngëtarja e njohur franceze, Mireille Mathieu këndoi në shërbim.

Aktivisti i njohur kundër gjuetisë së balenave, Paul Watson, gjithashtu mori pjesë në shërbim. Bardot ishte shumë e përkushtuar ndaj mirëqenies së kafshëve.

E lindur në vitin 1934, aktorja arritit suksesin e saj ndërkombëtar me filmin “And God Created Woman” me regji të Roger Vadim.

Ajo u shfaq në më shumë se 40 filma, por në mesin e viteve ’70, në kulmin e karrierës së saj, ajo ndaloi së xhiruari filma, duke thënë se ishte lodhur nga fama.

Bardot vdiq nga kanceri në fund të dhjetorit në moshën 91-vjeçare.

Sipas raportimeve, pallati presidencial francez kishte propozuar një homazh të madh për të, por familja e yllit të kinematografisë, e cila mbështeti nacionalisten e krahut të djathtë Marine Le Pen, refuzoi.

Bashkëshorti i Bardot, Bernard d’Ormale, tha për revistën “Paris Match” se “Brigitte donte një funeral të thjeshtë”.

The post Franca i jep lamtumirën ikonës së kinematografisë, Brigitte Bardot appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – BE dhuron 40,000 bileta treni për të udhëtuar nëpër Evropë

7 January 2026 at 16:26

BRUKSEL, 7 janar /ATSH-DPA/- Komisioni Evropian ka dhuruar rreth 40,000 bileta treni për udhëtim falas nëpër Evropë për të rinjtë që festuan ditëlindjen e tyre të 18-të, vitin e kaluar.

“Dyzet vjetori i zonës së udhëtimit të lirë, Shengen vitin e kaluar shërbeu si një rast i veçantë për shpërndarjen e biletave”, njoftoi sot komisioni në Bruksel.

Fituesit mund të udhëtojnë nëpër Evropë deri në 30 ditë. Periudha e mundshme e udhëtimit shtrihet nga marsi 2026 deri në maj 2027.

Për më tepër, ekziston një kartë me zbritje çmimi për transporte të tjera publike, si dhe oferta kulturore, akomodimi dhe të tjera në 36 vende evropiane.

Programi filloi në vitin 2018 dhe dhuron mijëra bileta dy herë në vit. //a.i/

The post BRUKSEL – BE dhuron 40,000 bileta treni për të udhëtuar nëpër Evropë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

PARIS – Starmer: Trupat britanike do të vendosen në terren nëse arrihet paqja në Ukrainë

6 January 2026 at 22:59

PARIS, 6 janar /ATSH-DPA/- Zyra e kryeministrit britanik, Keir Starmer tha sot se forcat e armatosura britanike do të vendoseshin në terren në Ukrainë në rast të një armëpushimi me Rusinë.

Duke folur në një konferencë për shtyp në Paris, së bashku me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, kryeministri britanik, Starmer tha se qendraT ushtarake do të ngriheshin në të gjithë Ukrainën sapo të arrihej një marrëveshje paqeje.

“Nënshkrimi i deklaratës hap rrugën për krijimin e kuadrit ligjor që forcat franceze dhe britanike të veprojnë në tokën ukrainase, duke siguruar qiellin dhe detet e Ukrainës dhe duke ndërtuar një forcë të armatosur të përshtatshme për të ardhmen”, sipas deklaratës së Zyrës së kryeministrit britanik, Keir Starmer.

Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme të ofrojnë garanci sigurie për forcën paqeruajtëse të ngritur nga “Koalicioni i të Gatishmëve”.

“Paqja mund të arrihet vetëm nëse Vladimir Putin është gati të bëjë kompromise”, tha Starmer.

“Ne do të vazhdojmë të ushtrojmë presion mbi Rusinë, duke përfshirë masa të mëtejshme mbi anijet cisternë të naftës dhe operatorët e “flotës hije” që financojnë fondin e luftës së Putinit”, shtoi Starmer.

Sipas marrëveshjes së paqes, pala amerikane është e vendosur të udhëheqë një mekanizëm monitorimi dhe verifikimi të armëpushimit, në të cilin pritet të marrë pjesë edhe Britania e Madhe.

Garancia amerikane, ndoshta në formën e mbrojtjes ajrore, është konsideruar prej kohësh thelbësore për të ndaluar Rusinë nga veprime të mëtejshme ushtarake në të ardhmen.

“Presidenti amerikan, Donald Trump qëndron fuqishëm në mbështetje të garancisë së sigurisë”, tha në konferencën për shtyp i dërguari i tij special në Lindjen e Mesme, Steve Witkoff.

“Këto protokolle sigurie kanë për qëllim të pengojnë çdo sulm të mëtejshëm në Ukrainë”, shtoi ai.

Jared Kushner, dhëndri i Trump tha se presidenti amerikan kërkn një marrëveshje ku të dyja palët synojnë të ulin tensionet.

“Ky është një gur themeli vërtet i rëndësishëm drejt një marrëveshjeje përfundimtare paqeje dhe mendoj se është një moment shumë i rëndësishëm që është arritur sot midis evropianëve, me “Koalicionin e të Gatishmëve”, shtoi Kushner. //a.i/

The post PARIS – Starmer: Trupat britanike do të vendosen në terren nëse arrihet paqja në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FRANCË – Zelensky: Mosmarrëveshjet territoriale vazhdojnë të mbeten, pavarësisht progresit në bisedimet e Parisit

6 January 2026 at 22:25

PARIS, 6 janar /ATSH-DPA/- Pavarësisht progresit në bisedimet për paqen në Ukrainën në samitin e zhvilluar sot në Paris, ka ende çështje të pazgjidhura, sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Çështjet territoriale nuk janë zgjidhur 100%”, tha Zelensky pas takimit të “Koalicionit të të Gatshmëve” në Paris.

“Prandaj, negociatorët ukrainas duhet të qëndrojnë në terren dhe të vazhdojnë bisedimet”, tha ai.

“Pas takimit të të ashtuquajturit “Koalicionit të të Gatshmëve”, tani ka më shumë qartësi se çfarë kontributesh mund të japë secili vend”, tha Zelensky.

“Koalicioni ende duhet të punojë për garancitë e sigurisë. Angazhimet duhet të jenë ligjërisht të detyrueshme”, shtoi presidenti ukrainas.

Ai shprehu mirënjohjen e tij ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat shprehën gatishmërinë për të marrë pjesë në monitorimin e armëpushimit.

“Parandalimi i Rusisë nga agresioni i mëtejshëm është një pjesë e rëndësishme e mbrojtjes së Ukrainës”, tha Zelensky.

Mosmarrëveshjet territoriale përqendrohen në tërheqjen e plotë të trupave ukrainase nga rajonet e Donetskut dhe Luhanskut në lindje, siç kërkohet nga Moska.

SHBA-ja i ka bërë thirrje Kievit ta pranojë kërkesën e Moskës, duke argumentuar se paqja me Rusinë nuk mund të arrihet ndryshe.

Ukraina e ka refuzuar kushtin. Ndërkohë, Rusia kohët e fundit deklaroi se do t’i pushtonte këto territore ushtarakisht, gjithsesi. //a,i/

The post FRANCË – Zelensky: Mosmarrëveshjet territoriale vazhdojnë të mbeten, pavarësisht progresit në bisedimet e Parisit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PARIS – Merz ngre mundësinë e përfshirjes së forcave gjermane për të siguruar paqen në Ukrainë

6 January 2026 at 21:59

PARIS, 6 janar /ATSH-DPA/- Gjermania ka ngritur mundësinë e përfshirjes ushtarake në sigurimin e një armëpushimi të mundshëm në Ukrainë gjatë një takimi të aleatëve të Kievit sot në Paris.

“Kjo mund të përfshijë, për shembull, regjistrimin e forcave tona për Ukrainën në territorin fqinj të NATO-s pas një armëpushimi,” tha kancelari Friedrich Merz pas takimit.

“Natyra dhe fushëveprimi i kontributit gjerman duhet dhe do të vendoset nga qeveria federale dhe Bundestagu sapo të qartësohen kushtet e përmendura”, tha Merz.

“Dua të them për veten time dhe gjithashtu për qeverinë federale, ne nuk po përjashtojmë asgjë në parim”, theksoi kancelari gjerman.

“Kjo mund të nënkuptojë që edhe vendosja e ushtarëve të Bundeswehr-it në Ukrainë nuk përjashtohet”, shtoi ai.

Për muaj të tërë, aleatët kanë diskutuar se si të sigurojnë një armëpushim të mundshëm dhe të mbrojnë Ukrainën nga sulmet e reja ruse.

Franca dhe Britania e Madhe kanë qenë forcat lëvizëse pas kësaj përpjekjeje.

Aktualisht, Merz po ndryshon kurs. Ai ka konfirmuar gatishmërinë e Gjermanisë për të marrë pjesë ushtarakisht.

Megjithatë, mbetet e paqartë se sa ushtarë gjermanë do të përfshihen dhe çfarë detyrash do të marrin përsipër. //a.i/

The post PARIS – Merz ngre mundësinë e përfshirjes së forcave gjermane për të siguruar paqen në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌