Trajneri i Torinos, Marco Baroni, ka lënë jashtë listës mesfushorin Kristjan Asllani për ndeshjen e radhës në Serie A kundër Romës.
Ndryshe nga periudha te Interi, ku Asllani mbetej jashtë vetëm në raste dëmtimesh, kjo zgjedhje e stafit teknik sinjalizon një mbyllje të mundshme të eksperiencës së tij te Torino.
Ndërkohë, klubi që zotëron kartonin, Interi, po punon për gjetjen e një destinacioni të ri, megjithëse operacioni konsiderohet i ndërlikuar në këtë fazë.
Nga ana tjetër, lajme pozitive vijnë për Ardian Ismajlin, i cili është rikuperuar dhe do të jetë i gatshëm për sfidën e radhës. Mbrojtësi la fushën i dëmtuar në ndeshjen e fundit të Kupës, por gjendja e tij fizike tashmë është e stabilizuar./mxh
Në nisje të “Fan Club”, Kiara Tito u surprizua për ditëlindjen e saj të 30-të.
Në kufje moderatores iu komunikua sikur në shtëpinë e Big Brother kishte mbërritur një zarf i zi dhe duhej shfaqur momenti në “Fan Club” por klipi në fakt ishte një surprizë për të.
Në video ishin momentet më të bukura të Kiarës dhe mesazhi i urimit për të.
Ajo u shpreh e emocionuar, ndërsa nuk i mbajti dot lotët./mxh
Pas komenteve të opinionistes Leonora Jakupi gjatë prime-it të së premtes, familjarët e Dolce kanë zgjedhur të reagojnë përmes llogarisë së saj zyrtare në Instagram.
Ata i janë drejtuar drejtpërdrejt Leonorës me një Instastory duke shkruar: “Kur gjykon mua, shpejt po e harron të kaluarën tënde… Pastaj në moshën që ke, normal vetëm gjumi të ka ngelur…”, duke e etiketuar emrin e saj në postim.
Komentet e Jakupit erdhën pas një diskutimi të nxehtë në studio, ku ajo i kishte thënë Dolces se po “zë meshkuj” më shpejt se sa e zë gjumi. Reagimet nuk vonuan, duke përfshirë edhe vetë konkurrenten./mxh
Hapet rruga Qukës-Qafë Plloçë. Sot ka filluar qarkullimi vetëm për mjetet që kanë destinacion fshatrat e Pogradecit që lidhen me këtë rrugë.
Duhet theksuar që është bërë largimi i gjithë masivit shkëmbor që ra rreth dhjetë ditë më parë si shkak i shirave dhe motit të keq që përfshinë Qarkun e Korçës.
Aktualisht firma është duke pastruar trupin e rrugës nga balta ndërsa mjetet me destinacion Elbasanin apo anasjelltas me drejtim Korçën do të vijojnë qarkullimin normal ditën e hënë.
Rruga ka patur problematika të shumta sa i përket rrëshqitjeve të dherave dhe shkëmbinjve nga skarpatet çfarë ka sjellë bllokimin e rrugës dhe pezullimin e lëvizjeve të mjeteve/kb
Ka folur për herë të në “Fan Club” bashkëshortja e Erik Lloshit, Romina, pas aludimeve se marrëdhënia mes tyre është krisur për shkak të pjesëmarrjes së këngëtarit në BBV.
Ajo sqaroi se nuk ishte dakord për hyrjen e tij në Big Brother, por tashmë e mbështet atë plotësisht, megjithëse nuk i përkrah sjelljet e tij të agravuara.
“Nuk kam qenë kurrë dakord të futej në Bigh Brother. Jam larg televizionit dhe nuk e kam dashur. Kam dashur që jetën personale ta kisha timen dhe të mos isha në syrin e publikut.
Eriku ka pak temperament të vështirë, është shumë gjaknxehtë. Kjo ka qenë arsyeja pse i kam thënë të mos futej në Big Brother se njerëzit aty luajnë me çdo kartë. Ai është njëri shumë i drejtë dhe jo aq agresiv sa e portretizojnë.
Eriku ka marrë ftesë dhe më parë dhe i kam thënë kategorisht jo, këtë herë nuk më dëgjoi. I thashë do marr valixhet dhe do të iki në shtëpi. Tashmë e mbështes totalisht, padiskutim. Tek Eriku ka gjëra që më pëlqejnë dhe disa që nuk i përkrah”-u shpreh bashkëshortja e këngëtarit./kb
Dëshmitarët ishin thirrur për të treguar se çfarë kishte ndodhur gjatë vrasjes në 1997 të Ardian dhe Majlinda Gjergji, kjo e fundit motra e Valbona Prengës.
Të dy ata konsiderohen dëshmitarë okularë mbasi janë shprehur se panë Gjovalin Lesin duke qëlluar me armë zjarri ndaj dy shtetasve.
Por ndryshe nga çfarë kishin rrëfyer në atë kohë, në gjykatën lokale të dy bashkëshortët këmbëngulën se nuk kishin qenë prezentë në ngjarje dhe nuk dinin gjë.
Sipas të dhënave gjyqësore i akuzuari Gjovalin Lesi, i dënuar në mungesë me burg të përjetshëm iu dorëzua Shqipërisë vitin e kaluar, dhe për këtë shkak vendimi po rishikohet.
Ai akuzohet se gjatë një konflikti vrau me armë zjarri motrën dhe kunatin. Bashkëshortët Prenga të dyshuar për dëshmi të rreme, kishin marrë masë ndalimi për të dalë jashtë vendit nga gjykata lokale, por ata kërkuan të vendosej garanci pasurore mbasi jetojnë në Greqi dhe gruaja mbahej nën trajtim mjekësor në këtë shtet
Gjykata nuk ka marre parasysh vetëm rrethanat shëndetësore por edhe te tjera.
Si argument gjykata pranon lehtësimin e masës për faktin se çiftit nuk duhet ti cenohet jetesa normale në shtetin grek përsa kohë vepra për të cilën po hetohen nuk është e rëndë./kb
Drejtuesi i Agjensisë së Sigurimit të cilësisë për arsimin parauniversitar thekson se deri në vitin 2029, po punohet që kurrikula shkollore të përafrohet me standardet europiane, ndërsa në shtator 2026 pritet të hyjnë në përdorim tekstet e përditësuara për klasat 1, 6 dhe 10.
“Përsa i përket teksteve ne do të kalojmë në dy procese. Me përditësimin e klasës së parë, gjashtë dhe dhjetë, që në shtator të 2026 ne të kemi të përditësuar rreth 140 tekste të të gjitha lëndëve dhe nga ana tjetër do të kemi tekste të reja për qytetarinë dhe gjuhën shqipe në klasën e parë, gjashtë dhe dhjetë.ne kemi punuar me ekspertizën më të mirë për të përforcuar pjesët e identitetit kombëtar, gjuha shqipe është një aset.
Vijojmë me përditësime edhe me mënyrën sesi i qaset punës në grup dhe punës individuale, përdorimi i teknologjisë në gjuhën shqipe është një risi. Do të ketë elementë edhe me përafrimin në kohë edhe me ruajtjen e identitetit kombëtar edhe me transmetimin e gjuhës shqipe në të gjithë brezat jo vetëm në hsqipëri por edhe në diasporë”, tha Gert Janaqi, drejtor i Ascal
Synimi, është që nxënësit të jenë më kompetentë, të aftë të përdorin gjuhën dhe teknologjinë.
“Në thelb i gjithë ndryshimi strukturor i perditësimit dhe modernizimit të kurrikulës bazohet jo vetëm te informacioni i ri por edhe te mënyra si mësimi do të zhvillohet në klasë. Do të ketë më shumë siituata të nxëni që vijnë nga jeta reale, më shumë investime në laboratorë inteligjentë por jo vetëm. Do të ketë orë praktike individuale, do të ketë punë në grup dhe sigurisht kurrikul të zbatueshme sipas rajoneve, ku cdo shkollë do të ketë mundësinë të implementojë tema që lidhen me kontekstin lokal”, shtoi Janaqi.
Ekspertët theksojnë gjithashtu rëndësinë e përshtatjes së këtyre ndryshimeve me realitetin e shkollave në vend.
“Është e rëndësishme që këto ndryshime të mos zbatohen në mënyrë shabllone, por të testohen dhe të përshtaten me realitetin e fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë. Gjuha shqipe është përfshirë si duhet, jo vetëm si komunikim, por si disiplinë me strukturë të qartë”, u shpreh Irsa Ruci, eksperte arsimi
Paralelisht me reformën, do të ndryshojë edhe mënyra e mësimdhënies, ndaj për shtatë universitete, të përfshihet trajnim në përgatitje të mësuesve./kb
Infeksionet e ndryshme respiratore të sipërme dhe të poshtme kanë shtuar ndjeshëm numrin e të prekurve tek të vegjlit. Në 24 orë në urgjencën pediatrike të QSUT, paraqiten mbi 250 raste, ku vetëm 15-20% prej tyre kanë nevojë për trajtim spitalor. Sa i takon simptomave, mbeten ata klasikët e gripit: kollë, dhimbje koke dhe temperaturë disa ditore.
“Pacientë që kanë nevojë të domosdoshme për trajtim të mëtejshëm në urgjencë, është 15-20% për trajtim në pavion. Pjesa tjetër, në 30%, kanë nevojë për trajtim të shkurtër në observim, një perfuzion… fëmijët paraqiten me kollë, temperaturë, ose me të vjella e diarre.”, tha doktori Albert Lama.
Në qarkullim janë infeksione të ndryshme, por ajo që po mbizotëron tek të vegjlit është varianti “A” i gripit.
“Mendoj se është influenca A, ajo që mbizotëron, duke qenë se është më agresive. Gripi po dominon stinën.”, shtoi ai.
Shefi i Urgjencës së Pediatrisë në QSUT, Albert Lama, këshillon prindërit që të jenë vigjilentë ndaj çdo ndryshimi në sjellje të fëmijës, çka do të thotë nga mungesa e oreksit, apo gjendja e parehatisë me gjumin, si dhe jeta joaktive.
“Ta shikojnë gjendjen çdo ditë. Nëse e shohin të plogësht, me temperaturë apo me kollë, jo si përditshmëria që janë mësuar, ta çojnë te mjeku i familjes. Më pas të ndiqet sipas protokollit, sepse mjeku i familjes e njeh edhe historikun e tyre.”, tha ai.
Në rastet kur të vegjlit paraqesin simptoma gripi, mjekët këshillojnë prindërit të mos i dërgojnë fëmijët në kopshte, çerdhe apo shkolla, masë kjo për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit të infeksioneve në qarkullim. Ende nuk kemi arritur në pikun e gripit; pritet të arrijë në fund të muajit janar, fillim shkurti./kb
Pas ngjarjes tragjike ku humbi jetën një 45-vjeçar, Policia e Himarës ka arrestuar një 32-vjeçar.
Ky i fundit duke drejtuar një eskavator në Palasë ka goditur aksidentalisht 45-vjeçarin.
Drejtuesi i eskavatorit akuzohet për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Forcat e policisë po punojnë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë të aksidentit tragjik./kb
Operacioni i Prokurorisë së Posaçme në një Call Center në Tiranë ka rezultuar në një aksion të gjerë, detajet e së cilit u publikuan këtë të diel, e që përfunduan në arrestime të shumta në flagrancë.
Sipas SPAK, në total, janë kryer kontrolle në 28 ambiente (banesa, zyra, automjete dhe garazhe), autoritetet sekuestruan pajisje teknologjike, sisteme monitorimi, dokumente të subjektit, si edhe automjete, motomjete dhe një automjet luksoz Ferrari, i dyshuar se i përket organizatorëve të rrjetit
Në ambientin e ri, në katin e 5-të, u zbulua një Call Center i dytë në ndërtim, ku u sekuestruan qindra pajisje kompjuterike, serverë, laptopë, telefona, karta SIM, hard disqe, dokumente dhe blloqe shënimesh. Gjithashtu, u sekuestrua edhe një kosh mbeturinash me materiale të dyshuara të asgjësuara nga Call Center-i i parë.
Nga veprimet hetimore rezultoi se organizatorët kishin ndërtuar një sistem të sofistikuar sigurie, me kamera dhe personel civil vëzhgimi jashtë godinës. Mbrëmjen e 15 janarit 2026, pas një sinjalizimi për ndërhyrje të mundshme, ambientet u boshatisën dhe pajisjet u larguan gjatë natës.
Megjithatë, mëngjesin e 16 janarit 2026, pas ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Posaçme nr. 85, hetuesit e BKH-së konstatuan zhdukjen e pajisjeve dhe, falë ndjekjes së automjeteve, arritën të kapin në flagrancë disa persona, të cilët po transportonin pajisjet drejt një ambienti tjetër të marrë me qira në godinën “Doëntoën One”, në Bulevardin Bajram Curri./Kb
Në fillim të emisionit “Fan Club”, atmosfera mori një kthesë krejt të papritur për Kiara Titon. Moderatorja u vendos përballë një situate që dukej serioze, pasi në kufje iu tha sikur në shtëpinë e “Big Brother VIP 5” kishte mbërritur një zarf i zi. Teksa Kiara priste që ky moment të shfaqej në ekran, publiku […]
Kryeministri Edi Rama përmes një reagimi në në X ka mohuar lajmet apo fjalët që qarkullojnë rreth pjesëmarrjes së tij në Bordin e Paqes, me ftesë të Presidentit Amerikan Trump.
Sipas Ramës në Bordin e Paqes nuk janë të ftuara të gjitha shtetet e pjesë e OKB-së, nuk është paguar shumë 1 miliardë euro për pjesëmarrjen e Shqipërisë dhe nuk do të sillen palestinezë në vend.
“Sa për mua personalisht, rëndësi ka vetëm besimi i shumicës së shqiptarëve, që më kanë ngjitur e mbajtur katër herë në majën e shtetit shqiptar dhe respekti i atyre që janë në majat e botës a të Europës, i cili më duhet mbi të gjitha për të nderuar e lartësuar Shqipërinë”, është shprehur Rama.
Postimi i plotë
Tenxheret politike mediatike po bubullojnë e gërrgërrojnë aq fort sa thua se në Bordin e Paqes së Presidentit Trump nuk është ftuar Shqipëria, po një vend armik i Shqipërisë! Në Bordin e Paqes janë ftuar të gjitha shtetet e OKB GËNJESHTËR Shqipëria do të paguajë 1 miliardë EURO GËNJESHTËR Palestinezët do të vijnë në Shqipëri GËNJESHTËR
E vërteta është shumë e thjeshtë se sa ç’pjell, sidomos në çdo rast kur nderohet Shqipëria, mllefi i injorancës dhe inati i ligësisë:
Tenxheret politike e mediatike të mexhelisit tonë janë teneqera të zhurshmshme Shqipërisë së vjetër, ndërsa kjo që po vazhdojmë të ndërtojmë me shumë mund e këmbëngulje të madhe është një Shqipëri Tjetër, e dinjitetshme ndërkombëtarisht dhe e respektuar botërisht.
Sa për mua personalisht, rëndësi ka vetëm besimi i shumicës së shqiptarëve, që më kanë ngjitur e mbajtur katër herë në majën e shtetit shqiptar dhe respekti i atyre që janë në majat e botës a të Europës, i cili më duhet mbi të gjitha për të nderuar e lartësuar Shqipërinë.
Ky është një moment i jashtëzakonshëm i Shqipërisë, ku tërbimi i tenxhereve thjesht na siguron se sa më shumë lehin qentë, aq më përpara është duke shkuar karvani”.
Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se është ndalur blloku B2 për shkak të një kontrolli teknik, duke shtuar se ky kontroll do të zgjasë dy ditë.
Sipas njoftimit të KEK-ut, ka filluar me ndërhyrjet dhe verfikimet.
“Njësia B2 ndalet për kontroll teknik– pas 2,000 orë operim të pandërprerë Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton opinionin publik se Njësia B2, e cila ka qenë në operim të pandërprerë që nga data 26 tetor 2025, ka realizuar me sukses rreth 2,000 orë pune apo 82 ditë operim kontinual”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Tutje thuhet se kjo periudhë do të shfrytëzohet për të realizuar edhe sanimin e disa gypave në kaldajë tek të cilët janë evidentuar rrjedhje
“Duke marrë parasysh ngarkesën e vazhdueshme operative dhe kushtet aktuale teknike, është e domosdoshme që kjo njësi t’i nënshtrohet një kontrolli teknik, me qëllim të vlerësimit të gjendjes së saj, rifreskimit të parametrave operativë dhe sigurimit të vazhdimësisë së qëndrueshme të prodhimit. Ky kontroll teknik pritet të zgjasë rreth 48 orë, gjatë të cilave ekipet profesionale dhe teknike të KEK sh.a. tashmë kanë filluar ndërhyrjet dhe verifikimet e nevojshme në pajisjet kryesore të njësisë. Njëkohësisht, kjo periudhë do të shfrytëzohet për të realizuar edhe sanimin e disa gypave në kaldajë, tek të cilët janë evidentuar rrjedhje, duke rritur kështu nivelin e sigurisë dhe efikasitetit të operimit të mëtejmë të njësisë”, thuhet në njoftim.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm në shëndetësi ka të bëjë me përdorimin e inteligjencës artificiale (AI) në diagnostikimin e sëmundjeve kardiovaskulare.
Raportohet se spitale në Britani po përdorin sisteme AI për të analizuar skanime të zemrës dhe për të identifikuar shenja të hershme të problemeve kardiake që shpesh kalojnë pa u vënë re nga mjekët, shkruan BBC.
Kjo teknologji mund të shkurtojë ndjeshëm kohën për diagnostikim, duke mundësuar trajtim më të shpejtë dhe më efikas. Për pacientët me rrezik të lartë, AI mund të parashikojë probabilitetin për sëmundje serioze, duke lejuar ndërhyrje preventive dhe ndryshime në stilin e jetës.
BBC thekson se kjo qasje ka treguar rezultate premtuese në testime klinike, ku përdorimi i AI për zbulimin e sëmundjeve të zemrës ka rritur saktësinë e diagnozës deri në 90 %, krahasuar me metodologjitë tradicionale.
Megjithatë, specialistët paralajmërojnë se AI nuk do të zëvendësojë mjekët, por do të jetë një mjet shtesë që ndihmon në marrjen e vendimeve më të informuara dhe shpejton trajtimin e pacientëve.
Kjo nismë tregon se teknologjia po ndryshon rrënjësisht kujdesin shëndetësor, duke sjellë përfitime reale për pacientët dhe duke u mundësuar spitaleve të menaxhojnë më mirë kapacitetet dhe kohën e stafit mjekësor.
Al Pacino u fotografua në një restorant luksoz me ish-partneren e tij Noor Alfallah, 54 vite më e re, duke ringjallur zërat për një pajtim.
Çifti, që ka një djalë së bashku, Romanin, mbetet në marrëdhënie të mira dhe i përkushtuar në rritjen e tij, ndërsa asnjëri nuk ka komentuar zyrtarisht mbi statusin e lidhjes.
Ka ndërruar jetë veterani i UÇK-së, Bajram Baqaj, i cili është vëllau i dëshmorit Ahmet Baqaj.
Lamtumira e fundit e të ndjerit iu dha sot në varrezat e fshatit Dranoc të Deçanit.
Bajrami bashkë me babain Ismetin i kishin mbijetuar pritës së policisë serbe me 3 qershor 1998, ku kanë ra dëshmorë, Ahmet Baqaj, Rexhep Mazrekaj e Selmon Dukaj.
Tetë vendet anëtare të NATO-s, të cilat presidenti amerikan Donald Trump i ka kërcënuar me tarifa duke filluar nga 1 shkurti, kanë lëshuar të dielën një deklaratë të përbashkët si reagim ndaj vendimit.
Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Holanda, Norvegjia, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar do të përballen me tarifa 10% për eksportet drejt SHBA-së nga muaji shkurt, të cilat do të rriten në 25% në qershor.
Megjithatë, në letër, vendet theksojnë se ato “qëndrojnë në solidaritet të plotë me Mbretërinë e Danimarkës dhe popullin e Grenlandës”.
“Jemi të gatshëm të angazhohemi në një dialog të bazuar në parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial, të cilave u qëndrojmë fort,” thuhet në deklaratë.
Të gjitha tetë vendet janë anëtare të NATO-s dhe nënvizojnë se janë “të përkushtuara për të forcuar sigurinë në Arktik si një interes i përbashkët transatlantik”.
Për këtë qëllim, ato theksuan se ushtrimi i fundit danez në Grenlandë, i quajtur “Arctic Endurance”, ishte një reflektim i këtij qëllimi dhe “nuk përbën kërcënim për askënd”.
Synimi i presidentit amerikan për të marrë kontrollin e Grenlandës ka shkaktuar tensione mes anëtarëve të aleancës më të madhe ushtarake në botë, NATO. Shumica e këtyre shteteve janë evropiane, por deklaratës iu bashkua edhe Kanadaja, duke dalë në mbrojtje të sovranitetit të Danimarkës, të cilës i përket Grenlanda.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat nga procesi i rinumërimit të disa vendvotimeve nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Kandidati i PDK-së për deputet, Fetah Paçarizi del të jetë me 5.571 vota më pak gjatë këtij procesi.
Pas tij është Nait Hasani të cilit deri tani i janë hequr 3 mijë e 77 vota. Kujtim Gashi në anën tjetër është me 2.190 vota më pak.
Nga ndryshimet e bëra përgjatë rinumërimit, Uran Ismaili është kandidati nga radhët e kësaj partie që rezulton se është dëmtuar më shumë nga të gjithë. Atij tani i janë shtuar 675 vota. Pas tij, është Arian Tahiri i cili ka tani 587 vota më shumë.
Në Lëvizjen Vetëvendosje, atij që iu zbuluan vota të vjedhura gjatë procesit të rinumërimit, është kandidati për deputet, Arbër Rexhaj. Atij i janë hequr deri tani 613 vota.
Pas tij është Rea Krasniqi me –536 vota. Në këtë parti, është Hajrulla Çeku, atij të cilit i janë shtuar votat, 155 .
Në LDK, kandidatit Xhavit Uka deri tani i janë hequr 1,505 vota. Driton Selmanajt 1,009 , dhe 520 i janë hequr kandidatit, Anton Quni.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka deklaruar se është e gatshme të forcojë marrëdhëniet me Qeverinë e ardhshme të Kosovës, por ka theksuar se një bashkëpunim i tillë do të kërkojë edhe përmbushjen e disa kushteve.
Lidhur me mënyrën se si Shtetet e Bashkuara planifikojnë të bashkëpunojnë me Qeverinë e ardhshme, Ambasada amerikane ka nënvizuar gatishmërinë për forcimin e partneritetit dypalësh.
“Shpresojmë të forcojmë partneritetin tonë me Qeverinë e ardhshme të Kosovës, përfshirë edhe rifillimin e Dialogut Strategjik. Arritja e kësaj, megjithatë, do të kërkojë veprime nga Qeveria e Kosovës që çojnë përpara agjendën tonë të përbashkët për paqe rajonale, stabilitet dhe prosperitet të ndërsjellë ekonomik”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës amerikane për REL-in.
Dy persona humbën jetën dhe dhjetëra u plagosën pas një sulmi të gjerë me mbi 200 dronë nga Rusia në disa rajone të Ukrainës, përfshirë Kharkiv, Sumy, Dnipro, Zaporizhzhia dhe Odesa.
Sulmet shkaktuan dëme të mëdha në infrastrukturën energjetike, duke sjellë ndërprerje masive të energjisë, edhe në Kiev, në mes të temperaturave ekstreme deri në -16°C.
Presidenti Zelensky urdhëroi përshpejtimin e importeve të energjisë dhe pajisjeve për të përballuar krizën.
Ndërkohë, bisedimet për paqe mes SHBA-së dhe Ukrainës vazhdojnë pa progres të dukshëm, ndërsa përshkallëzimi ushtarak vazhdon nga të dyja palët.