Harrojeni Brahim Diazin, një meksikan ekzekuton në mënyrë të tmerrshme 'Panenkan'
Në një kohë kur marokenët dhe e gjithë bota e futbollit ende diskutojnë për “panenkën” dhe penalltinë e humbur nga Brahim Diaz në momentet vendimtare për titullin afrikan, nga Amerika e Jugut ka ardhur një tjetër episod edhe më i pabesueshëm i të njëjtit stil goditjeje.
Në Montevideo, mbrëmjen e kaluar u zhvillua një tjetër ndeshje e Serie Rio de la Plata, turneu jozyrtar që prej pesë vitesh shërben si hyrje e sezonit të futbollit në Amerikën e Jugut dhe që mbledh skuadra e lojtarë të njohur të kontinentit.
Skuadra uruguaiane Penarol dhe ajo kiliane Colo Colo barazuan 1:1 në kohën e rregullt, përpara se fituesi të përcaktohej përmes gjuajtjeve të penalltive. Pikërisht aty ndodhi momenti që po bën xhiron e botës.
Futbollisti i Colo Colos, Cristian Zavala, tentoi të mashtronte portierin me një goditje “panenka”, por ekzekutimi i tij rezultoi katastrofik. Topi mezi arriti në vijën e portës dhe u kap pa asnjë vështirësi nga portieri i Penarolit, duke shkaktuar reagime të forta në stadium dhe në rrjetet sociale.
Cristián Zavala pateó el peor penal de la historia y fingió una lesión. pic.twitter.com/424l5KloQL
— Chilensis Fútbol (@ChilensisFutbal) January 22, 2026
Situata u bë edhe më e çuditshme kur Zavala, pas dështimit, u ul në fushë dhe u përpoq të justifikohej duke simuluar një dëmtim në gju. Pamjet u shpërndanë me shpejtësi, ndërsa shumë tifozë dhe analistë e cilësuan këtë si një nga penalltitë më të këqija në historinë e futbollit.
Ky episod shërben si një tjetër dëshmi se goditja “panenka” nuk është për të gjithë dhe kërkon jo vetëm teknikë, por edhe qetësi dhe vetëbesim maksimal. Krahasimi me Brahim Diaz erdhi natyrshëm, edhe pse rëndësia e dy penalltive nuk është e njëjtë.
Megjithatë, Cristian Zavala tashmë është futur fuqishëm në garë për penalltinë më të dobët që kemi parë vitet e fundit, një moment që me gjasë do ta ndjekë gjatë në karrierën e tij. /Telegrafi/
