Tregu i punës kërkon zanatçinj/ Eksperti: Kemi rritje të interesit për arsimin profesional, sipërmarrjet duhet të…
TIRANË- Tregu i punës ka nevojë për zanatçinj. Agjencia Kombëtare e Punësimit në vend ka publikuar mbi 6 mijë vende të lira pune, ku në listë bie në sy kërkesa e lartë për zanate si kamarierë, kuzhinierë e punonjës ndërtimi.
Por nuk mbeten pas edhe vendet e lira të punës për profesione që kërkojnë arsim të lartë.
Eksperti i punësimit, Arbër Xhihani, i ftuar në “Money Report” u shpreh se tregu në Shqipëri ka nevoja të shumta për gjetjen e zanatçinjve dhe kjo thotë ai vihet re tek njoftimet e vazhdueshme që jep Agjencia Kombëtare e Punësimit.
“Ka shumë kohë që zyrat e punës publikojnë vende vakante për vende pune, që i referohen zanateve. Ndër zanatet më të kërkuara janë elektricist, hidraulik, mekanik.
Në fakt është e vazhdueshme kërkesa e lartë dhe kjo tregun se ka një vështirësi për të përmbushur këto vende vakant, jo e ka vendosur në vështirësi dhe sipërmarrjen, për të përmirësuar shërbimet e tyre”, tha ai.
Ai theksoi se vitet e fundit pritja më e madhe e të rinjve ishte orientuar drejt teknologjisë pasi ky sektor ofronte pagesa të larta. Sipas ekspertit, punonjësit të cilët zotërojnë një zanat janë shumë të kërkuar në treg dhe të rinjtë sot e kanë më të lehtë të bëjnë zgjedhjet e tyre për tregun e punës.
“ Të rinjtë janë të orientuar drejt profesioneve që lidhen me teknologjinë. Sipërmarrjet vuajnë për gjetjen e krahut të punës. Marrja e punonjësve të huaj, ishte një lloj zgjidhje për sipërmarrjet. Sektori i turizmit ka nevojë për më shumë punonjës. Ky sektor ofron dhe paga të mira”, tha ai.
Gjatë diskutimit në studio, eksperti e cilësoi lajm të mirë faktin që shumë të rinj sot po i orientojnë studimet e tyre drejt zanateve. Ai theksoi se sipërmarrjet shqiptare, krahas rritjes së pagave duhet të përmirësojnë sjelljet dinjitoze me punonjësit.
“Një element pozitiv ishte numri i aplikantëve për arsimin profesionale, që shkonte rreth 60 mijë aplikime. Po tregon se preferencat po shkojnë edhe drejt zanateve. Trajtimet dinjitoze duhet të jenë në fokus të sipërmarrjes shqiptare, në mënyrë që të mbajnë të rinjtë këtu.”, theksoi eksperti. /abcnews.al