Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 January 2026Main stream

Ministria e Arsimit ua tërheq licencat 16 mësimdhënësve në Rahovec

16 January 2026 at 16:55


Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka marrë vendim për tërheqjen e 16 licencave të mësimdhënësve, si pjesë e përpjekjeve për garantimin e ligjshmërisë dhe standardeve profesionale në sistemin arsimor.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila ka theksuar se licencimi dhe rilicencimi i mësimdhënësve mbetet një mekanizëm kyç për sigurimin e cilësisë në arsim. Sipas saj, gjatë këtij mandati janë miratuar legjislacioni dhe udhëzimet e nevojshme, si dhe janë zhvilluar takime nëpër komuna për të siguruar që ky proces të zhvillohet me sukses, transparencë dhe në përputhje me standardet përkatëse.

Vendimi për tërheqjen e licencave vjen pas një inspektimi tematik të realizuar nga Inspektorati i Arsimit në një shkollë në Rahovec, ku janë konstatuar shkelje dhe mospërfillje e procedurave ligjore. Bazuar në këto gjetje, janë dhënë rekomandime konkrete për institucionet përkatëse, të cilat duhet të zbatohen brenda afateve ligjore.

Raporti me gjetjet inspektuese i është dërguar paraprakisht Komunës së Rahovecit, ndërsa Këshilli Shtetëror për Licencimin e Mësimdhënësve ka vepruar në përputhje me kompetencat e tij ligjore.

Ministrja Nagavci ka theksuar se ky veprim dëshmon përkushtimin institucional për zbatimin e ligjit dhe ruajtjen e integritetit të proceseve arsimore. Ajo ka paralajmëruar se MAShTI do të vazhdojë monitorimin dhe ndërhyrjen në çdo rast të shkeljes, duke garantuar transparencë, barazi dhe integritet institucional.

“Reformat në arsim kërkojnë përgjegjësi. Ne mbesim të përkushtuar për një arsim cilësor dhe me standarde,” ka deklaruar Nagavci./Telegrafi/


Zidane zbulon çelësin e suksesit te Real Madridi, pak ditë pas shkarkimit të Xabi Alonsos

16 January 2026 at 16:42


Ish-trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, ka dhënë disa mendime rreth suksesit të tij me “Los Blancos”.

Francezi fitoi tre herë Ligën e Kampionëve gjatë periudhës së tij në krye të skuadrës në 'Santiago Bernabeu', si dhe dy tituj të La Ligës.

Real Madridi aktualisht ndodhet në mes të një sezoni të vështirë, pasi shkarkoi Xabi Alonson në mes të sezonit të tij të parë si trajner dhe e zëvendësoi atë me Alvaro Arbeloan.

Zidane pati dy periudha në krye të Real Madridit dhe solli shumë trofe në ‘Santiago Bernabeu’.

Tani ai ka folur për kohën e tij te Real Madridi në kanalin YouTube të Hamidou Msaidie, një prej anëtarëve të stafit të tij në Madrid, duke zbuluar se çfarë nevojitet për të qenë i suksesshëm.

“Te Real Madridi, ne ishim në dispozicion të lojtarëve. Për mua, kjo është ajo që e bën diçka të fortë; je aty për lojtarin. Nëse nuk e kupton këtë, nuk mund të zgjasësh në këtë profesion”.

“Ne jemi aty për t’i mbështetur; duhet të tregosh se je pranë tyre. Që dhoma e zhveshjes ta pranojë atë që dëshiron të zbatosh, ata duhet të na pëlqejnë”.

“Nëse lojtarët nuk bien dakord me gjithçka që vendos, stërvitjen, të gjitha këto… gjithmonë do të mungojë diçka”.

“Me ne, mendoj se ata u kënaqën vërtet në të gjitha aspektet. Ne u dhamë shumë vetëbesim lojtarëve”.

“Ata kishin kaluar një periudhë disi të vështirë dhe kishin nevojë të rifitonin besimin, formën fizike, gjithçka. Ne vendosëm një strukturë që t’i ndihmonte t’i rikthenin të gjitha këto”.

“Kur një lojtar është konkurrues, i lumtur të stërvitet dhe të dalë në fushë për të luajtur ndeshje, atëherë je i destinuar të fitosh të tre Ligat e Kampionëve”, ka thënë Alonso./Telegrafi/

Trazira të mëdha shpërthejnë në Ugandë pas zgjedhjeve, raportohen viktima

16 January 2026 at 16:40


Të paktën shtatë persona u vranë gjatë natës në Ugandën qendrore, tha policia pas zgjedhjeve kombëtare që dukeshin se do të zgjasnin sundimin e presidentit veteran Yoweri Museveni në një dekadë të pestë.

Rezultatet e shpallura nga komisioni zgjedhor treguan se Museveni kishte fituar mbi 75% të votave në zgjedhjet presidenciale të së enjtes, bazuar në numërimin e votave nga 59% e qendrave të votimit.

Sfiduesi i tij kryesor, këngëtari popullor Bobi Wine , ishte pas me rreth 21% dhe votat e mbetura u ndanë midis gjashtë kandidatëve të tjerë.

Pas një fushate të shoqëruar me përplasje në tubimet e opozitës dhe atë që Kombet e Bashkuara e quajtën shtypje dhe frikësim të përhapur, votimi kaloi në mënyrë paqësore, shkruan Reuters.

Por dhuna shpërtheu gjatë natës në qytetin Butambala, rreth 55 km në jugperëndim të kryeqytetit Kampala, sipas një zëdhënësi të policisë dhe një anëtari të parlamentit nga zona, të cilët dhanë shpjegime të ndryshme për ngjarjet.

Zëdhënësja e policisë lokale, Lydia Tumushabe, tha se “banditët” e opozitës së armatosur sulmuan një stacion policie dhe një qendër numërimi votash.

"Siguria reagoi në vetëmbrojtje sepse këta njerëz erdhën në numër të madh. Policia qëlloi në vetëmbrojtje", tha ajo, duke shtuar se 25 persona u arrestuan.

Ndryshe, zgjedhjet janë parë gjerësisht si një provë e forcës politike dhe aftësisë së 81-vjeçarit Museveni për të shmangur llojin e trazirave që kanë tronditur fqinjët Tanzani dhe Kenia.

Museveni u kishte thënë gazetarëve pasi hodhi votën e tij se priste të fitonte me 80% të votave "nëse nuk ka mashtrim". /Telegrafi/

MPB: Prej 20 deri 31 janar do të bëhet testimi, kalibrimi dhe verifikimi i kamerave të "Safe City"

16 January 2026 at 16:33


Ministria e Punëve të Brendshme njofton qytetarët se në kuadër të projektit "Safe City", në periudhën nga 20 janar (e martë) deri më 31 janar (e shtunë) do të kryhet testimi, kalibrimi dhe verifikimi i pajisjeve të instaluara të mbikëqyrjes së trafikut (kamerave).

Testet do të kryhen çdo ditë në periudhën nga ora 08:00 deri në orën 20:00.

"Gjatë zbatimit të këtyre aktiviteteve, automjeteve në vendet ku kryhet testimi nuk do t'u lejohet të kalojnë ndërsa procedura është në zhvillim e sipër. Në javën e parë të periudhës së planifikuar, aktivitetet do të kryhen ekskluzivisht në vendet me kamera të instaluara në zonën e qytetit të Shkupit".

"U bëjmë thirrje qytetarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë kufizimet e përkohshme, si dhe të tregojnë mirëkuptim, durim dhe bashkëpunim me qëllim që të sigurohet zbatimi i qetë dhe i sigurt i aktiviteteve të planifikuara", thonë nga MPB.

“Mos ki frikë nga unë, të pres në Vjosë”, çfarë i shkruante 46-vjeçari motrës së policit në Fier

16 January 2026 at 16:31


Historia e një problemi në Fier ka marrë rrjedhë tjetër pasi motra e policit Fredi Lamaj ka publikuar mesazhet e plota që i kishte marrë nga Altin Meçaj.

Meçaj deri tani kishte pretenduar se efektivi policor Fredi Lamaj e kishte rrahur vetëm pse ia kishte bërë “like” dhe një koment “komplimentues” së motrës.

Motra e policit shqiptar ka publikuar edhe mesazhet që ka marrë prej Meçajt, duke thënë se e ka denoncuar për përndjekje, pasi i shkruante vazhdimisht dhe i shprehte dashurinë.

Reagimi i plotë:

Kjo është hera e parë që flas publikisht dhe në media, dhe po e bëj vetëm sepse ndihem e detyruar të sqaroj disa të pavërteta që po përsëriten prej ditësh.

Unë jam motra e Fredi Lamaj dhe dua të sqaroj se akuzat e shtetasit Altin Mecaj, sikur vëllai im e ka dhunuar, nuk janë të vërteta.

Fredi Lamaj nuk ka marrë pjesë në asnjë rrahje apo konflikt, dhe kjo mund të faktohet.

Po flas sepse prej më shumë se 6–7 ditësh ky shtetas po del vazhdimisht në media, duke dhënë deklarata të pavërteta dhe duke u paraqitur padrejtësisht si viktimë.

Në mënyrë të veçantë, ai ka deklaruar publikisht se ndaj meje ka bërë vetëm një koment në Facebook, si një kompliment, gjë që nuk është e vërtetë.

Në realitet, unë kam qenë subjekt i mesazheve të shumta private, të vazhdueshme dhe insistuese, të cilat përbëjnë ngacmim dhe përndjekje.

Dua të theksoj qartë se nga ana ime nuk ka pasur asnjë përgjigje ndaj këtyre mesazheve.

Nuk kam komunikuar dhe nuk kam pasur mundësi t’i kthej as përgjigjen e merituar, pasi Facebook nuk më lejonte t’i shkruaja, çka e bën edhe më të qartë faktin se komunikimi ka qenë i njëanshëm dhe i padëshiruar.

Këto sjellje më kanë shkaktuar shqetësime serioze emocionale dhe familjare, si për mua, ashtu edhe për familjen time.

Për këtë arsye, kam ardhur ditën e djeshme nga Italia, ku jetoj, për të depozituar kallëzim penal për përndjekje ndaj këtij shtetasi, pasi veprimet e tij kanë sjellë pasoja të rënda në jetën time familjare dhe kanë prekur edhe vëllain tim.

Po ashtu, nga informacione që na janë komunikuar nga persona të ndryshëm, rezulton se këto sjellje nuk janë të izoluara, por të përsëritura edhe ndaj vajzave të tjera.

Sa i përket dhunës që ky shtetas pretendon se ka pësuar së fundmi, kjo ngjarje nuk ka asnjë lidhje me familjen tonë, dhe sipas dijenisë sonë nuk është shkaktuar nga vëllai im apo persona të afërt me ne, por nga individë të tjerë për të cilët ne nuk kemi dijeni.

Nuk kam pasur asnjë interes të dal në media, por nuk mund të lejoj që gënjeshtrat e përsëritura të dëmtojnë dinjitetin e një personi të pafajshëm dhe të shtrembërojnë të vërtetën.

Kërkoj vetëm që kjo çështje të trajtohet me qetësi, paanshmëri dhe verifikim faktesh, duke respektuar ligjin dhe dinjitetin njerëzor.

Faleminderit për mirëkuptimin.

Me respekt,

Motra e Fredi Lamaj/Top Channel/

Venezuela liron shtetas të huaj nga burgu, përfshirë edhe shqiptarë

16 January 2026 at 16:27


Venezuela ka liruar nga burgu shtetas të Shqipërisë, Çekisë, Hungarisë, Holandës dhe Gjermanisë dhe shteteve të tjera, njoftuan disa nga këto vende.

Lirimi i tyre është pjesë e një vale të lirimeve nga burgu pasi Shtetet e Bashkuara arrestuan presidentin e rrëzuar, Nicolas Maduro.

Një burrë nga Çekia që u lirua ishte në burgjet venezuelase që nga viti 2024, kur autoritetet në Venezuelë e akuzuan atë se planifikonte të merrte pjesë në një komplot për të vrarë Maduron dhe për të rrëzuar Qeverinë, raportuan mediat në Republikën Çeke.

Ministria e Jashtme e Çekisë kishte deklaruar vitin e kaluar se një shtetas çek ishte arrestuar pa “ndonjë aktakuzë dhe pa një gjykim të drejtë”. Grupi venezuelas për të drejtat e njeriut, Foro Penal, tha se ai u arrestua për arsye pilitike.

Ministri i Jashtëm i Çekisë, Petr Macinka, tha se ai u lirua së bashku me të burgosur të tjerë nga Shqipëria, Irlanda, Rumania, Gjermania, Ukraina dhe Holanda.

Ende nuk dihet se sa është numri i shqiptarëve të liruar nga burgjet në Venezuelë dhe ende nuk ka ndonjë reagim zyrtar për këtë çështje.

“Pas negociatash prej disa javësh, kemi arritur lirimin e tij”, tha Macinka gjatë një konference për media, duke shtuar se Republika Çeke është e gatshme që të përmirësojë raportet diplomatike me Venezuelën.

Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, shkroi në X se janë liruar tre shtetas gjermanë, duke e cilësuar si “gjest drejt raporteve më konstruktive”.

Holanda tha se tre shtetas të saj janë liruar, ndërkaq Hungaria njoftoi për lirimin e një shtetasi të saj që kishte qenë në një anije kërkimore.

Jorge Rodriguez, president i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, dhe presidenti amerikan, Donald Trump, kanë deklaruar se një numër i madh i të burgosurve do të lirohen pasi SHBA-ja kapi Maduron në fillim të janarit.

Venezuela tha gjatë kësaj jave se më shumë se 400 persona janë liruar, por grupet për të drejtat e njeriut kanë deklaruar se numri i të liruarve është më i vogël./Radio Evropa e Lirë/

Aktakuzë ndaj të pandehurit të ekstraduar nga Shqipëria për kultivim të 1 mijë 592 bimëve narkotike

16 January 2026 at 16:16


Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë, kundër të pandehurit N.Sh., shtetas i Republikës së Shqipërisë.

Në njoftimin e Prokurorisë Speciale thuhet se: Sipas aktakuzës, ndër të tjera ceket se i pandehuri N.Sh., shtetas i Republikës së Shqipërisë, nga data e pa vërtetuar deri më datë 19.06.2024, në fshatin Panorc, Komuna Malishevë, pa autorizim dhe në bashkëkryerje edhe me dy të pandehur tjerë, kultivojnë bimë të hashashit, shkurren e kokainës ose bimën e kanabisit me qëllim të prodhimit të narkotikëve ose substancave psikotrope. Në atë mënyrë që i pandehuri N.Sh., në bashkëpunim me të pandehurin O.Sh., shtetas i Republikës së Shqipërisë, dhe një i dyshuar i tretë i pa identifikuar deri më tani, kanë mbjellur dhe kultivuar narkotik të llojit Kanabis Sativa në tri parcela. Në këto tri lokacione janë gjetur gjithësej 1592 bimë narkotike të llojit Kanabis Sativa”.

Tutje në njoftim bëhet e ditur se parcelat janë identifikuar përmes vëzhgimit me dron nga ajri, ndërsa veprimet e të pandehurve, ku secili nga ta vërehet qartë duke i punuar këto bimë, shihen në foto dhe video të nxjerra nga masa e fshehtë e vëzhgimit.

“Me këto veprime i pandehuri N.Sh., në bashkëkryerje ka kryer veprën penale ‘Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit’ nga neni 272 pargraf 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. Ai është arrestuar me urdhër arrest ndërkombëtar dhe më pas është ekstraduar nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës, që nga data 2 dhjetor 2025, gjendet në masën e paraburgimit”.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë. /Telegrafi/


IPK verifikon pretendimet për keqtrajtim në Leposaviq – iniciohet hetim penal ndaj ankuesit për kallëzim të rremë

16 January 2026 at 16:15


Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) kanë përfunduar hetimet lidhur me pretendimet për keqtrajtim nga zyrtarë të Policisë së Kosovës në Leposaviq, duke konstatuar se ato nuk qëndrojnë. Si rezultat, ndaj ankuesit është iniciuar rast dhe hetim penal për veprën penale “Lajmërim i rremë apo kallëzim i rremë”.

Sipas njoftimit të IPK-së, para mesnatës së 13 janarit 2026, hetuesit janë informuar nga Policia e Kosovës për një person i cili kishte raportuar se ishte keqtrajtuar nga zyrtarë policorë. Incidenti pretendohej se kishte ndodhur tek Ura e Bistricës në Leposaviq, rreth orës 22:00.

Ankuesi kishte deklaruar se ishte ndaluar në një pikë kontrolli derisa po drejtonte një automjet të tipit Audi A4 me targa të Republikës së Serbisë, në të cilin ndodheshin edhe dy pasagjerë. Ai kishte pretenduar se gjatë kontrollit ishte goditur nga zyrtarët policorë, duke pësuar lëndime në qafë, bërrylin e majtë, dorën e djathtë dhe këmbë, për çka kishte kërkuar trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal në Mitrovicë – Veri. Po ashtu, ai kishte deklaruar se njëri nga zyrtarët policorë kishte goditur edhe shokun e tij me kondakun e armës së gjatë.

Pas pranimit të informatave, IPK-ja, në koordinim të vazhdueshëm me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, ka ndërmarrë veprime të menjëhershme hetimore. Ankuesi është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit, në prani të avokatit mbrojtës.

Në kuadër të hetimeve, hetuesit e IPK-së kanë siguruar prova materiale, përfshirë edhe video-incizime nga kamerat e sigurisë që mbulojnë vendin e ndalesës policore. Pas analizimit të këtyre provave, është konstatuar se pamjet nuk mbështesin pretendimet e ankuesit dhe se zyrtarët policorë nuk kanë tejkaluar autorizimet e tyre ligjore, as nuk kanë përdorur forcë.

IPK-ja ka vlerësuar se pretendimet e ankuesit janë të sajuara dhe këtë konstatim ia ka përcjellë Prokurorisë Themelore në Mitrovicë. Me kërkesë të prokurorit kompetent, ndaj ankuesit tashmë të dyshuar është iniciuar rast dhe hetim penal për veprën penale “Lajmërim i rremë apo kallëzim i rremë”.


“Kam punë të pakryer me Dritën sepse më mposhtën dy herë”, Milot Avdyli komenton përballjen ndaj “Intelektualëve”

16 January 2026 at 16:14


Ylli i Celje Milot Avdyli thotë se ka punë të pakryer ndaj Dritës pasi e kanë mposhtur dy herë kur ishte pjesë e Trepçës, ndërsa beson se skuadra sllovene do t’i eliminojë.

Drita të premten mësoi se në 1/16 e finales të Ligës së Konferencës do të përballet me Celje, skuadër ku edhe luan që prej verës ish kapiteni i Kosovës U21.

Në një intervistë për faqen zyrtare të Celjes, Avdyli deklaroi se kishte dëshirë për t’u përballur me klubin kosovar, ndërsa tani synon t’i “hakmerret” sepse kishte pësuar dy humbje prej tyre kur ka qenë pjesë e Trepçës.

“Doja që të luaja ndaj Dritës në fazën e ligës dhe dëshira ime tash është bërë realitet. Ndeshja do të jetë e veçantë sepse do të përballem me një klub nga vendlindja. Kam disa punë të pakryera me Dritën, sepse luajta dy herë ndaj tyre kur isha lojtar i Trepçës dhe humba në dy rastet”.

“Jam i sigurt se këtë herë do të jetë ndryshe. I njoh shumicën e lojtarëve të Dritës, i kam ndjekur edhe ndeshjet e tyre në Evropë, kanë kualitet por janë padyshim skuadër që mund të mposhtet”.

Në fund, Avdyli shtoi se Celje do të kualifikohet në fazën tjetër sidomos me ndihmën e tifozëve.

“Një atmosferë e mirë na pret në Prishtinë, por do të adaptohemi. Është mirë që luajmë ndeshjen kthyese në stadiumin tonë, ku gjithnjë kemi pasur mbështetje të zhurshme dhe me ndihmëne tifozëve arritëm t’i mposhtim AEK Athens dhe Legian në fazën e ligës, si dhe mbetet të pamposhtur në përgjithësi. Besoj se kualifikohemi”.

Përballja mes Dritës dhe Celjes do të zhvillohet më 19 shkurt./Telegrafi/

Nga muaji mars fillon linja e re ajrore Ohër-Bratislavë

16 January 2026 at 16:06


Futja e linjës së re ajrore Ohër-Bratislavë dhe përmirësimi i marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare midis Maqedonisë dhe Sllovakisë ishin temat e takimit të sotëm midis Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Transportit, Aleksandar Nikoloski, dhe Ambasadores së Sllovakisë, Iveta Hricova.

Linja Ohër-Bratislavë, e cila është vendosur që nga marsi i këtij viti përmes kompanisë ajrore "Wizz Air", do të kontribuojë në një lidhje më të mirë midis dy vendeve, dhe në funksion të zhvillimit të turizmit dhe sektorit të biznesit, konfirmuan dy bashkëbiseduesit.

Zëvendëskryeministri Nikolloski theksoi se Qeveria i kushton vëmendje të veçantë zhvillimit të trafikut ajror, dhe krijimi i kësaj linje ajrore do t'i afrojë lidhjet ekonomike midis dy vendeve.

Në takim u konfirmuan marrëdhëniet e mira dypalëshe midis Maqedonisë dhe Sllovakisë, u diskutua për forcimin e bashkëpunimit tregtar, marrëdhëniet politike dhe inkurajimin e klimës së biznesit.

Zëvendëskryeministri Nikolloski theksoi se vendi është në një cikël të fortë investimesh në zbatimin e projekteve kapitale që kanë dimension rajonal dhe japin një kontribut të madh në zhvillimin e bashkëpunimit rajonal përmes modernizimit të infrastrukturës së transportit./Telegrafi/

Vedat Muriqi, mes Mallorcas dhe Fenerbahces

16 January 2026 at 16:03


Sulmuesi kosovar i Mallorcas, Vedat Muriqi thuhet se është i interesuar për t’u kthyer në Superligën e Turqisë te Fenerbahce.

Youssef En-Nesyri po tërheq interesin e disa klubeve si Nottingham Forest dhe Everton në Ligën Premier, si dhe Napoli i Serie A, kanë hyrë në garë për lojtarin maroken, sipas raportimeve nga burime brenda klubit të Stambollit.

Për këtë arsye, Fenerbahce dëshiron të përgatisë një sulmues për të zëvendësuar ish-sulmuesin e Sevillas, nëse lind nevoja. Dhe sipas gazetës AS, Vedat Muriqi duket të jetë opsioni kryesor në këtë kontekst.

🔴⚫ El equipo turco está dispuesto a separar el camino con En Nesyri. https://t.co/wRs1D9qSZl
— AS Fútbol (@AS_Futbol) January 16, 2026

Muriqi, i cili luajti për Fenerbahçen në sezonin 2019-2020 , ka kontaktuar agjentin e tij, ish-lojtarin e NBA-së, Mirsad Turkcan, duke i treguar se është gjithashtu i etur të kthehet në Turqi.

Trajneri Domenico Tedesco është i etur për Muriqin dhe drejtuesit e klubit turk do të takohen me Mallorcën për të negociuar transferimin e mundshëm.

Sipas lajmit të publikuar në mediumin turk Sozcü, Fenerbahçe do t'i bëjë një ofertë zyrtare Mallorcës për Muriqin, për të cilin thuhet se klubi verdhë e kaltër ka ndarë 15 milionë euro për këtë transferim.

La conexión para el primero 🫵🏴☠️ pic.twitter.com/nCxDIhzXpm
— RCD Mallorca (@RCD_Mallorca) January 11, 2026

E vetmja pengesë për transferimin është se Mallorca nënshkroi një kontratë me Muriqin në fillim të sezonit dhe nuk dëshiron ta lërë sulmuesin me përvojë pa u plotësuar shifra e kërkuar.

Ndryshe, Muriqi ka kontribuar me 11 gola në 18 ndeshje me fanellën e Mallorcës këtë sezon dhe ka një kontratë me skuadrën spanjolle deri në vitin 2029.

Fenerbahce, e cila e transferoi Muriqin nga Caykur Rizespor për 5.6 milionë euro në vitin 2019, e shiti lojtarin te Lazio për 21 milionë euro një vit më vonë. /Telegrafi/

"The Maid" fiton 200 milionë dollarë në nivel global, filmi i Sydney Sweeney tejkalon të gjitha pritjet

16 January 2026 at 16:00


Filmi "The Maid" ka sjellë fitime të konsiderueshme në kinema, duke tejkaluar 200 milionë dollarë në shitjet e biletave në të gjithë botën.

Filmi, me protagonistë Sydney Sweeney dhe Amanda Seyfried, fitoi 100 milionë dollarë në Shtetet e Bashkuara dhe 100 milionë dollarë jashtë vendit pas katër fundjavave të publikimit.

Këto shitje biletash janë veçanërisht premtuese duke pasur parasysh se Lionsgate shpenzoi vetëm 35 milionë dollarë për të prodhuar filmin.

"The Housemaid" u shfaq premierë më 19 dhjetor, duke fituar 19 milionë dollarë në Amerikën e Veriut.

Filmi siç thuhet nuk rekomandohet për personat nën moshën 18 vjeç pa shoqërimin e një prindi ose kujdestari.

Falë rekomandimeve të forta, trilleri psikologjik pritet të përfundojë shfaqjen e tij në kinema me 225 deri në 275 milionë dollarë në të gjithë botën, një rezultat i madh në një kohë të vështirë për filmat me buxhet të mesëm, sipas Variety.

Me regji nga Feig dhe adaptim sipas romanit më të shitur të Freida McFadden, "The Maid" ndjek një grua të re (Sweeney) me një të kaluar të trazuar e cila bëhet shërbëtore që jeton me një familje të pasur (Seyfried dhe Sklenar si grua dhe burrë) të cilët nuk janë ashtu siç duken.

"Tortura në mënyrë çnjerëzore me shkop gome, shqelma dhe grushte", ngrihet aktakuzë për krime lufte ndaj ish-gardianes së burgut të Lipjanit

16 January 2026 at 15:56


Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj N.C., për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se ekziston dyshimi i bazuar mirë se e pandehura N.C., gjatë periudhës 1998-1999, në cilësinë e personit zyrtar-gardiane në Burgun e Prishtinës, paralelja për gra në Lipjan, në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë të burgut, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë konfliktit të armatosur, përkatësisht kohës së luftës.

"Sipas aktakuzës, N.C., gjatë gjithë kësaj periudhe, në mënyrë sistematike, i ka keqtrajtuar të burgosurat shqiptare, duke i kanosur për jetë dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme , si shkop gome, shqelma dhe grushte, deri në alivanosje, duke u shkaktuar lëndime trupore. Si pasojë e këtyre rrahjeve, viktimat kanë pësuar dhunë psikike, gjendje ankthi dhe frike, dhe u është cenuar rëndë dinjiteti njerëzor", thuhet në njoftim.

Rasti i ka kaluar për shqyrtim Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Telegrafi/

Mujë Igrishta emërohet Drejtor i Inspekcionit në Mitrovicë

16 January 2026 at 15:55


Me vendim të Kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, Mujë Igrishta është emëruar në pozitën e Drejtorit të Inspekcionit Komunal.

Në një postim në Facebook, Igrishta ka theksuar përkushtimin e tij ndaj detyrës.

“Angazhohem që këtë detyrë ta ushtroj me përgjegjësi të plotë para Zotit, me integritet dhe profesionalizëm, në përputhje me legjislacionin në fuqi, dhe në shërbim të interesit publik të qytetarëve, duke garantuar paanshmëri dhe transparencë në çdo veprim”, thuhet në postimin e tij.

Ai gjithashtu shprehu falënderimin për Kryetarin e Komunës për besimin e dhënë: “Shpreh falënderimin dhe mirënjohjen time të thellë për Kryetarin e Komunës, Faton Peci, për besimin e dhënë. Me përkushtim ndaj detyrës dhe bashkëpunim institucional, besoj se do të arrijmë rezultate konkrete në dobi të qytetarëve".

Igrishta përfundoi mesazhin me një premtim simbolik për qytetarët: “Na priftë e mbara e dalshim faqebardhë”. /Telegrafi/


❌
❌