Policia e Kosovës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë ngasjes, si pasojë e ndryshimit të kushteve atmosferike dhe reshjeve të shiut e borës në disa pjesë të vendit.
Në njoftimin e saj, Policia thekson se kushtet aktuale krijojnë vështirësi në qarkullimin rrugor dhe rrisin rrezikun për aksidente, veçanërisht për shkak të rrugëve të lagura, të mbuluara me borë dhe mundësisë së paraqitjes së ngricave.
Autoritetet u bëjnë apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik, në veçanti drejtuesve të automjeteve, që të përshtatin shpejtësinë me kushtet atmosferike dhe gjendjen e rrugës, të mbajnë distancën e sigurisë mes mjeteve dhe të ngadalësojnë lëvizjen në segmentet rrugore me shi, borë apo akull.
Po ashtu, Policia e Kosovës këshillon shoferët që të pajisen me goma dhe pajisje dimërore, duke theksuar se respektimi i këtyre masave është i domosdoshëm për sigurinë në trafik.
“Siguria juaj është prioritet. Kujdesi i shtuar ndihmon në shmangien e aksidenteve dhe në ruajtjen e jetës”, thuhet në apelin e Policisë së Kosovës.
Pas reshjeve të shiut që shkaktuan vërshime në disa zona të Kosovës, situata meteorologjike ka ndryshuar, ndërsa në shumë pjesë të vendit ka nisur të bie borë.
Faqja “Meteo Ballkan” ka publikuar një video nga bora që po bie në Podujevë, ku shihet se qyteti është zbardhur brenda një kohe shumë të shkurtër.
“Podujeva zbardhet shumë shpejt”, thuhet në mbishkrimin e videos së publikuar.
Ndërkohë, pamje të reshjeve të borës janë publikuar edhe nga Mitrovica, ku bora ka mbuluar rrugët dhe objektet, duke krijuar kushte tipike dimërore pas vërshimeve të ditëve të fundit.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar në qarkullim, pasi temperaturat e ulëta dhe rrugët e lagura mund të shkaktojnë ngrica dhe vështirësi në trafik./Telegrafi.
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje të mëdha dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona të Kosovës gjatë kësaj jave, duke detyruar shërbimet emergjente të ndërhyjnë në incidente të shumta në mbarë vendin, shkruan agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters.
Sipas Reuters, pamje nga qyteti i Kuzminit tregojnë vetura të zhytura nën ujë, shtëpi të përmbytura dhe zjarrfikës që evakuojnë banorë të mbetur të bllokuar si pasojë e rritjes së nivelit të ujit.
Autoritetet lokale kanë angazhuar ekipet e emergjencës për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të prekur, ndërsa situata mbetet e vështirë në disa zona për shkak të reshjeve të vazhdueshme dhe dëmeve në infrastrukturë.
Reuters raporton se përmbytjet kanë shkaktuar gjithashtu probleme në furnizimin me energji elektrike, duke lënë pa rrymë disa vendbanime, ndërkohë që autoritetet po punojnë për normalizimin e gjendjes.
Po ashtu edhe Sky News edhe Al Jazeera kanë raportuar për gjendjen e rëndë si pasojë e vërshimeve./Telegrafi.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka paralajmëruar se sonte pritet të jetë një natë kritike sa i përket qarkullimit rrugor në Kosovë, për shkak të rënies së theksuar të temperaturave.
Sipas tij, kontrasti i madh i temperaturave, me parashikime që ato të zbresin deri në –9 gradë Celsius, rrit rrezikun në trafik, pasi rrugët e lagura nga reshjet e shiut mund të ngrijnë gjatë natës.
Kurti ka bërë të ditur se të gjitha kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve janë vazhdimisht në terren për të lehtësuar qarkullimin dhe për të parandaluar aksidentet.
Ai ka theksuar se është i domosdoshëm zbatimi i ligjit për sezonin dimëror, përfshirë pajisjen e automjeteve me goma dimërore dhe zinxhirë.
Kryeministri në detyrë u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme gjatë natës, ndërsa ata që janë të detyruar të qarkullojnë, të vozisin me kujdes të shtuar dhe t’u përshtaten kushteve atmosferike.
Sipas Kurtit, institucionet po bëjnë maksimumin për të garantuar sigurinë në rrugë, por kërkohet edhe bashkëpunimi i qytetarëve për të ulur rrezikun dhe për të rritur sigurinë e përgjithshme./Telegrafi.
KRU “Mitrovica” Sh.A. ka njoftuar se ka filluar trajtimin dhe shpërndarjen e ujit nga impiantet e saj, por me kapacitet të reduktuar. Sipas kompanisë, rritja e kapacitetit do të bëhet gradualisht, varësisht nga krijimi i kushteve teknike.
Nga KRU “Mitrovica” është bërë e ditur se uji i shpërndarë në këtë fazë nuk duhet të përdoret për pije, por vetëm për nevoja higjienike dhe sanitare.
Gjatë ditës në komunën e Zubin Potokut, përkatësisht në Varagë, si pasojë e reshjeve ka rrëshqitur dheu, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e ujit, duke lënë qytetarët pa furnizim të rregullt me ujë të pijshëm.
Ndërmarrja “Ibër-Lepenc” ka njoftuar se rrëshqitjet përgjatë kanalit kanë ndikuar në cilësinë e ujit të papërpunuar, duke e bërë atë të papërshtatshëm për trajtim në impiantet e KRU “Mitrovica”.
Ndërkohë, KRU “Mitrovica” ka sqaruar se ndërprerja e furnizimit ka ndodhur për shkak të rritjes së nivelit të turbullirës në ujin e papërpunuar që vjen nga kanali i Ibër-Lepencit.
Gjatë ditës, kjo kompani ka njoftuar se po realizon shpërndarje të ujit përmes autobotëve në disa lokacione të qytetit, përfshirë rrugën “Ali Zeneli”, sheshin “Adem Jashari” dhe rrugën “Mehë Uka”. Po ashtu, është bërë e ditur se nga ora 15:00, në zonën e Tunelit të Parë, autoboti do të jetë i pozicionuar pranë Shkollës së Mesme të Lartë “Elena Gjika”.
Nga KRU “Mitrovica” është theksuar se qytetarët do të informohen me kohë për çdo përmirësim të situatës dhe rikthimin e furnizimit normal me ujë të pijshëm.
Shirat e rrëmbyeshëm gjatë ditëve të fundit nxitën vërshime në pjesë të mëdha të Kosovës, të cilat shkaktuan dëme materiale dhe detyruan autoritetet ta shtyjnë për disa ditë rifillimin e mësimit pas pushimit dimëror.
Reshjet e mëdha në ditët e fundit sollën përmbytje duke shkaktuar dëme në prona dhe infrastrukturë, evakuime, si dhe bllokim rrugësh të martën.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka bërë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme për banorët, bizneset dhe bujqit e prekur nga përmbytjet, duke paralajmëruar rrezikun e reshjeve të reja.
Sipas saj, secili banor duhet të ndihmohet, secili biznes të kompensohet dhe çdo bujk të marrë mbështetje, ndërsa çdo familje të ketë ndihmë emergjente.
Ajo theksoi se shteti duhet të jetë në terren pranë qytetarëve në Drenas, Malishevë, Junik, Gjakovë dhe komunat e tjera të prekura.
Bajrami kërkoi që qeveria të sigurojë fonde emergjente, të hartojë një strategji dhe të ndajë buxhet në vitin 2026 për veprime konkrete në parandalimin dhe menaxhimin e situatave të tilla në të ardhmen.
Gjendja me vërshime në vend vazhdon të jetë “dinamike” në disa komuna, përfshirë Prizrenin, pasi Drini i Bardhë ka dalë nga shtrati, tha Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) në Facebook.
“Në pjesën tjetër të vendit, gjendja është stabile dhe nën monitorim të vazhdueshëm”.
Por, agjencia paralajmëroi se gjendja mund të përkeqësohet në rast se do të bjerë më shumë shi, “megjithatë rreziku i tanishëm vlerësohet i menaxhueshëm, me kapacitete të mjaftueshme reagimi”.
Kosova është përballur me përmbytje vitet e fundit, të cilat kanë shkaktuar kryesisht dëme materiale.
Vlerësohet se dëmtimi i shtretërve të lumenjve, si pasojë e nxjerrjeve të paligjshme të zhavorrit, kontribuon shumë në përmbytjen e zonave./Telegrafi.
Një aksident i rëndë ka ndodhur të mërkurën në zonën e Waldshut-Tingen, pranë kufirit me Zvicrën, duke përfshirë një familje pesëanëtarëshe shqiptare.
Familja po kthehej nga Kosova dhe aksidenti ndodhi pak minuta para se të mbërrinin në vendin ku jetojnë.
Sipas informacionit të publikuar nga gazetari Bahri Çani në Facebook, në makinë kanë qenë prindërit me tre fëmijë të vegjël, nga një deri në tre vjeç.
Të gjithë anëtarët e familjes kanë pësuar lëndime, ndërsa një prej fëmijëve ka marrë dëmtime më të rënda.
Të lënduarit janë dërguar në spitale, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Familja është me origjinë nga Rahoveci.
Gazetari u bën thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm gjatë udhëtimeve, duke pasur parasysh kushtet jo të mira në rrugë dhe distancat e gjata nga vendlindja.
Kur kosovarët e diasporës kthehen në vendlindje për pushime, ata gjejnë kënaqësi në kohën e kaluar me familjarët, por gjithashtu shprehin shqetësime për kushtet e jetesës në Kosovë, veçanërisht për çmimet e larta dhe të ardhurat jo të kënaqshme.
Megjithatë, mërgimtarët ua qajnë hallin atyre që jetojnë në Kosovë, për shkak të kushteve të jetës, të cilat lidhen me të ardhura jo të kënaqshme, e çmime të zorshme.
Qytetari Ajet Jonuzaj shprehu shqetësime për çmimet, të cilat sipas tij janë më të shtrenjta se vitet e kaluara.
“Dy javë… çmimet shumë ma të shtrenjta se vitet e kaluara… jo nuk janë të përballueshme çmimet e qytetarëve që jetojnë në Kosovë.”, tha:Jonuzaj.
Edhe Shpejtim Klinaku thotë se kaloi mirë, pasi bëri shumë vizita e shëtitje, por edhe këtij i vjen keq për situatën ekonomike në vendlindje.
“3 javë jemi kon te familja jem, gruja te familja e vet, kemi dalë, kemi shëtit, ma mirë se në Kosovë nuk ka kërkun… vallahin te çmimet veç gruja se une s’e di, ka ndryshime diçka pak, ama mendimi jem janë shumë këtu në Kosovë, çfarë rrogash i kanë, çmimet janë shumë të shtrenjta, domethënë sipas jush nuk janë çmimet e përballueshme për qytetarët? Ashtu është… pozitive mendimi jem është se përpara kur kemi ardhë këtu jemi marrë shumë me dokumente, me letërnjoftime të shkijeve, mendimi jem tash është mirë se veç ia jep letërnjoftimin, del, hyn edhe pa kurrfarë problemi, qajo është më e mira për neve… s’ka kurrfarë shqetësimi kur të vish në Kosovë s’ka as Amerikë as Dubai.”,theksoi:Klinaku.
Mira Hajdari dhe bashkëshorti i saj kaluan 10 ditë të pushimeve për festat e fundvitit në Kosovë. Ata përjetuan momente të mira, por thonë se vërejtën edhe ndryshime.
“10 ditë kemi qëndru… ka ndryshime, mua më duket personalisht kur vi për pushime, ndryshimet janë shumë të mëdha… për mu jo, për këta këtu në Kosovë është shumë zor… me 350 euro është shumë vështirë me ja dal… më e mira e këtuhit është se ka gjallni, shumë mirë është; shqetësuese është trafiku… veç, mundohem disi sikur me kon të huj, veç nuk vi mo kurr, qato e bojm me vje shumë keq”, shprehen ata për KP.
Banka Qendrore e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë tetë muajve të parë të vitit 2025, në Kosovë kanë hyrë mbi 928 milionë euro si remitenca nga diaspora.
Policia e Ferizajt ka marrë masa ndaj dy shoferëve për shkelje të rënda të rregullave të komunikacionit, pas publikimit të kundërvajtjeve të tyre në rrjetet sociale.
Shoferi L.B., 21 vjeç, duke drejtuar një BMW X6 me targa të huaja, në fshatin Greme ka arritur shpejtësi 209 km/h në një zonë me kufizim 50 km/h.
Ai është ndëshkuar me gjobë prej 500 euro, 5 pikë negative dhe heqje të patentës për 12 muaj. Shoferi e ka pranuar shkeljen e shkaktuar.
Ndërsa shoferi tjetër, E.K., 27 vjeç, duke drejtuar një Seat Ibiza me targa vendore në fshatin Zllatar, ka kryer manovra të rrezikshme me automjet.
Ai është ndëshkuar me gjobë prej 150 euro dhe 1 pikë negative dhe gjithashtu ka pranuar kundërvajtjen.
Policia Rajonale e Ferizajt apelon tek të gjithë shoferët që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe rregullat e komunikacionit për të mos rrezikuar jetën e tyre dhe të të tjerëve.
Qytetarët inkurajohen të raportojnë çdo kundërvajtje në numrin 192 ose përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”, duke garantuar konfidencialitet të plotë për identitetin e raportuesve.
Aktivisti Burim Qarri, ka paralajmëruar për rrezikun e madh që përmbytjet e fundit po krijojnë për jetën e qytetarëve.
Sipas tij, situata është pasojë e shkatërrimit të lumenjve dhe ndërtimeve të pa kontrolluara gjatë viteve të fundit.
“Lumenjtë gjithmonë e gjejnë rrugën e vet, uji nuk mund të ndalet. Por qytetet tona janë ndërtuar mbi këto rrugë natyrore të ujit, dhe për pasojë çdo investim dhe taksa e qytetarëve po shkatërrohet,” ka deklaruar Qarri për Telegrafin.
Ai thekson se mungesa e planeve adekuate dhe shfrytëzimi politik i situatës po përkeqësojnë problemin.
“Nëse nuk organizohemi dhe nuk ndërhyjmë në mënyrë të planifikuar, pasojat janë të pariparueshme, jo vetëm këtu në Kosovë, por edhe në rajon,” tha ai.
Qarri apelon për marrjen e masave emergjente, ndërhyrje profesionale dhe planifikim afatgjatë për menaxhimin e lumenjve dhe ndërtimet e sigurta, duke paralajmëruar se “nëse e duam vendin, duhet të punojmë për të, përndryshe uji do ta marrë gjithçka”.
Nxitja e përçarjes ndëretnike dhe ndërfetare mbetet një instrument sistematik, i planifikuar dhe shumëdimensional në strategjinë e Serbisë për destabilizimin e Kosovës, vlerëson Arben Fetoshi, drejtor i Instituti për Studime të Luftës Hibride ‘Octopus’, në një analizë të publikuar me rastin e Krishtlindjes Ortodokse.
Sipas Fetoshit, narrativat e përçarjes ndëretnike dhe ndërfetare kanë penguar integrimin e komunitetit serb në Kosovë dhe janë shfrytëzuar për ta instrumentalizuar atë kundër Republikës së Kosovës.
Këto narrativa, thekson ai, janë shoqëruar me një “viktimizim” perfid, ku Kosova paraqitet si shtet “terrorist” dhe që “cenon” liritë fetare, shqiptarët si “ekstremistë islamikë”, dhe së fundmi edhe diaspora shqiptare si “ndërhyrje” kundër mirëkuptimit dhe bashkëjetesës në Kosovë.
Derisa përçarja ndëretnike përbën themelin e kësaj strategjie – përmes kornizimit të Kosovës si kërcënim për serbët lokalë dhe “justifikimit” të ndërhyrjes së Beogradit – përçarja ndërfetare, sipas analizës, përfshin rolin aktiv dhe të sofistikuar të Kishës Ortodokse Serbe në përpjekjet për ta portretizuar Kosovën si shoqëri radikale dhe jo tolerante në sytë e bashkësisë ndërkombëtare.
Fetoshi thekson se këto dy konstante të strategjisë destabilizuese amplifikohen veçanërisht gjatë periudhave festive, si Krishtlindja Ortodokse sot, kur pretendimet e Gjuriqit për “ngacmime” e “presione” apo për triumfin e “Mbretërisë Qiellore” të peshkopit Ilarion, mund të pranohen më lehtë në opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar.
“Në vend që festat të jenë momente reflektimi për paqen dhe bashkëjetesën, Krishtlindja Ortodokse instrumentalizohet në strategjinë e viktimizimit, për të nxitur përceptimin e një ‘rreziku’ ndaj besimit ortodoks dhe trashëgimisë fetare serbe në Kosovë”, vlerëson ai.
Sipas drejtorit të Institutit Octopus, përmes deklaratave të sinkronizuara të zyrtarëve shtetërorë, përfaqësuesve të Kishës Serbe dhe mediave në Serbi, ndërtohet narrativa e “rrethimit” dhe “persekutimit”, e cila synon ta mbajë komunitetin serb në gjendje izolimi dhe frike të përhershme.
Kjo, sipas tij, përbën një mjet të sofistikuar të luftës hibride që synon ta dëmtojë imazhin e Kosovës dhe të nxisë dyshime te partnerët perëndimorë.
“Derisa në shoqëritë normale, festat fetare e forcojnë kohezionin shoqëror, në rastin e Serbisë ato keqpërdoren si “armë” politike në emër të fesë”, thotë Fetoshi, duke nënvizuar se liria dhe toleranca fetare në Kosovë kanë qenë dhe mbeten vlera të pacenueshme kulturore, përtej garancive kushtetuese.
Sipas Fetoshit, demaskimi i kësaj strategjie është thelbësor për stabilitetin rajonal dhe paqen në Ballkan, ndërsa një kundërpërgjigje e qartë, e bazuar në faktet historike të bashkëjetesës dhe respektit ndërfetar në Kosovë, mbetet e domosdoshme për neutralizimin e përdorimit të festave si mjete destabilizimi.
Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, ka vlerësuar se publikimi i detajeve për armatimin që blen FSK-ja nuk duhet të përdoret për qëllime mediatike apo politike.
Në emisionin FIVE, Kastrati tha se qeveria dhe institucionet duhet të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mos i shndërrojnë Forcat e Armatosura në mjet fushate.
Ai ka shtuar se ndonëse karakteristikat teknike të armatimit janë të njohura publikisht, detaje si sasia, vendosja dhe mënyra e përdorimit nuk duhet të publikohen.
“Me të vërtetë me keqardhje i shoh të gjitha këto ngjarje mediatike. Do të sugjeroja fuqishëm, si për Qeverinë ashtu edhe për institucionet, që të mos i përdorin forcat tona të armatosura për fushata mediatike apo politike. Të gjitha armët që blihen, qoftë tipi apo sasia e tyre, nuk do të duhej të bëheshin publike për një pjesë të publikut – e ajo pjesë janë fqinjtë tanë. Pse duhet ta dinë ata se me çfarë po furnizohemi, me cilët dronë apo raketa? Këto çështje nuk do të duhej të ishin kaq mediatike. E kemi parë edhe me dronët që erdhën nga Turqia – çdo blerje bëhet publike dhe shndërrohet në lajm për interesa të ngushta, qofshin ato mediatike apo politike”, ka deklaruar ai.
Kastrati përmendi edhe rastin e mëhershëm të dronëve të blerë nga Turqia, duke thënë se çdo blerje po shoqërohet me ekspozim të tepruar mediatik për interesa politike apo të ngushta.
“Armiku asnjëherë nuk bën ta dijë se me çfarë sasie të armatimeve dhe çfarë numri posedon FSK-ja sa i përket karakteristikat e këtyre armëve ato dihen janë publike mirëpo sasia vendndodhja e tyre, përdorimi i tyre kush i përdorë duhet të jenë jo publike” ka theksuar ai.
Deklarata e tij vjen pas pranimit nga Kosova të një dërgese me sisteme raketore kundërtanke OMTAS nga Turqia.
Pas reshjeve të dendura të shiut që shkaktuan përmbytje në disa vendbanime, Forca e Sigurisë së Kosovës ka ngritur nivelin e gatishmërisë së njësive të saj për të mbështetur Autoritetet Civile në menaxhimin e situatës.
Me urdhër të Komandantit të FSK-së, ekipet kanë intervenuar për shpëtimin e jetëve, duke vepruar sipas kërkesave të Qendrës së Situatave të Republikës së Kosovës.
Njësitë e Forcës së Sigurisë mbesin në gatishmëri të plotë për të ofruar ndihmë dhe kapacitete të Mbështetjes Ushtarake në zonat e prekura.
Shiu pushoi të mërkurën ditën por reshjet rifilluan pasdite vonë. Gjendja me vërshime në vend vazhdon të jetë “dinamike” në disa komuna, përfshirë Prizrenin, pasi Drini i Bardhë ka dalë nga shtrati, tha Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) në Facebook.
“Në pjesën tjetër të vendit, gjendja është stabile dhe nën monitorim të vazhdueshëm”, tha ajo.
Por, agjencia paralajmëroi se gjendja mund të përkeqësohet në rast se do të bjerë më shumë shi, “megjithatë rreziku i tanishëm vlerësohet i menaxhueshëm, me kapacitete të mjaftueshme reagimi”.
Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njoftoi të mërkurën se vërshimet kanë shkaktuar telashe me ujin e pijes në disa pjesë të vendit, si Prishtina, Prizreni, Suhareka, Malisheva, Kamenica, Vitia, Deçani, Klina dhe Mitrovica.
Instituti tha se do ta vëzhgojë dhe vlerësojë cilësinë e ujit të pijës në bashkëpunim me ujësjellesit rajonalë për shkak të turbullirave të shkaktuara nga vërshimet./Telegrafi.
Në orët e mbrëmjes, presidentja Vjosa Osmani, ka vizituar Komunën e Malishevës, ku është pritur nga Kryetari i Komunës, Ekrem Kastrati.
Qëllimi i vizitës ishte njoftimi i drejtpërdrejtë me gjendjen e krijuar nga reshjet e fundit dhe sfidat me të cilat po përballet Komuna e Malishevës.
Kryetari Ekrem Kastrati, pasi e falënderoi Presidenten për vizitën, e informoi atë për situatën aktuale, masat e ndërmarra për menaxhimin e saj, si dhe për rreziqet potenciale me të cilat është përballur komuna.
Ai theksoi se është aktivizuar Shtabi Emergjent, se ka pasur koordinim të vazhdueshëm me Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave (AME) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), si dhe sa komuna ju ka dalë në ndihmë qytetarëve që kanë pasur nevojë.
“Kemi monitoruar vazhdimisht digën e Liqenit të Mirushës, për shkak të rrezikut që mund të paraqesë ndonjë avari”. Po ashtu, kryetari Kastrati, e ka informuar presidenten edhe për dëmet e shkaktuara deri më tani. Ai po ashtu kërkoi mbështetjen e nivelit qendror për sanimin e dëmeve, kompensimin e të dëmtuarve dhe rindërtimin e infrastrukturës së dëmtuar, përfshirë digën dhe disa ura.
Nga ana e saj, Osmani përgëzoi Komunën e Malishevës dhe të gjitha ekipet emergjente për menaxhimin e situatës, duke shprehur solidarizimin e plotë me qytetarët dhe institucionet lokale.
Ajo theksoi se, pavarësisht situatës së vështirë, nuk ka pasur humbje jete dhe se mbrojtja e jetës së qytetarëve ka qenë prioritet.
“Bashkë gjithmonë mund të punojmë në menaxhimin dhe parandalimin e situatave të tilla, sidomos tani që problemet janë identifikuar, gjë që e lehtëson marrjen e masave nga të gjitha nivelet”, tha Presidentja Osmani, duke ofruar mbështetjen e plotë të Presidencës në përballimin e situatës.
Pas takimit, Osmani dhe Kryetari Kastrati vizituan digën e Liqenit të Mirushës, për t’u njohur nga afër me gjendjen dhe rrezikun eventual që mund të paraqesë ajo.
Një makinë luksoze e llojit “BMW M8”, e vjedhur në Gjermani, është gjetur në Tiranë.
Sipas njoftimit të Policisë, ajo dyshohet të jetë trafikuar dhe shitur në Tiranë nga një shtetas shqiptar i Kosovës.
Policia ka proceduar penalisht blerësin e automjetit të trafikuar, i cili ishte njëkohësisht edhe drejtues i tij në momentin e ndalimit në Vorë ndërsa ka shpallur në kërkim shtetasin kosovar që dyshohet se ka trafikuar këtë automjet në Shqipëri.
“Si rezultat i operacionit “Stolen Line”, u sekuestrua një automjet tip “BMW M8”, me vlerë rreth 140,000 euro, i cili nga verifikimet rezultoi i vjedhur në Gjermani. Në lidhje me këtë rast, u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi që dyshohet se e ka sjellë automjetin në Shqipëri me qëllim shitjen, F. H., 42 vjeç (shtetas kosovar), si dhe u procedua penalisht blerësi i automjetit (njëkohësisht drejtues i tij në momentin e ndalimit), E. D., 39 vjeç. Për momentin, punohet për kapjen e 42-vjeçarit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, njofton Policia.
Operacioni policor i koduar “Stolen Line”, kundër trafikimit të automjeteve luksoze të vjedhura jashtë shtetit në Shqipëri, ka çuar deri më tani në sekuestrimin e pesë automjeteve.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar Gjakovën pas vërshimeve të ditëve të fundit, ku ka shprehur solidaritet me qytetarët dhe ka vlerësuar angazhimin institucional për menaxhimin e situatës.
“Sot ishim këtu së bashku me ekipin tonë për të shprehur solidaritetin me të gjithë qytetarët e Gjakovës, me komunën e Gjakovës, për shkak të dëmeve të krijuara nga vërshimet e djeshme. Fatmirësisht, ato pak a shumë janë ndalur dhe po shpresojmë që nuk nuk do të ketë dëme të mëtejme, por dua t'i falenderoj të gjitha institucionet që janë angazhuar pa ndalë, nga kryetari i komunës dhe të gjitha institucionet lokale tek institucionet qendrore, agjencitë e emergjencave, organet e rendit dhe secilin qytetar që ka treguar solidaritet në mënyrë që kjo gjendje të tejkalohet më me lehtësi”, tha Osmani.
Ajo shtoi se ka familje të prekura nga kjo situatë dhe se institucionet do të jenë pranë tyre.
“Natyrisht që ka familje të prekura nga kjo situatë, vendbanimet e të cilëve janë dëmtuar. Do të punojmë bashkarisht që kjo të tejkalohet dhe të jemi pranë tyre në përballjen me këtë situatë. Kryetari Gjini na njoftoi për të gjitha masat që janë ndërmarrë e po ashtu për planet që do të hartohen në vazhdimësi sa i përket kalkulimit dhe kompenzimit të dëmeve dhe po ashtu çështjeve të tjera. Do të jemi aty për të bashkëpunuar sepse çdo sfidë është e tejkalueshme atëherë kur punojmë bashkë”, theksoi Osmani.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, e cilësoi vizitën e presidentes si të rëndësishme dhe bëri të ditur se situata është drejt stabilizimit.
Gjini: Po duket që situata ka me qenë më mirë
“Është vizitë e rëndësishme. E kemi kaluar një dy-tri ditë goxha të zorshme, po sot është e vërtetë që niveli i ujërave ka rënë edhe nuk po shihet që do të kemi rritje ose rritje të problemit në ditët që vijnë. Po duket që situata ka me qenë më mirë”, tha Gjini.
Ai njoftoi se gjatë vërshimeve ka pasur edhe evakuime të qytetarëve.
“Po, kemi pasur disa evakuime, i kemi vendosur në objektet tona të banimit social. Ka familjarë të cilët i kanë marrë të afërmit e vet nëpër shtëpitë e tyre. Jemi kujdesur deri sot për ushqim, një pjesë edhe për veshmbathje”, u shpreh ai.
Gjini shtoi se ekipet komunale janë duke punuar në sanimin e dëmeve dhe pastrimin e zonave të prekura. “Jemi duke i sanuar dëmet aty ku mundemi, duke i pastruar rrugët prej shembjeve ose prej vërshimeve ose prej mbeturinave fatkeqësisht që kanë sjellë dëme të shumta, fatkeqësisht duhet me thënë”, tha ai.
Sipas tij, nga dita e nesërme do të nisë procesi zyrtar i vlerësimit të dëmeve.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se pas reshjeve të fundit të shiut, janë paralajmëruar probleme me ujin e pijes në disa rajone, gjatë së mërkurës, më 07.01.2026.
Sipas IKSHPK-së, në rajonin e Prishtinës, fabrikat e ujit në Shkabaj dhe Bivolak nuk janë funksionale për shkak të turbullirës së madhe, ndërsa sistemet në Badovc dhe Batllavë funksionojnë normalisht dhe aktualisht nuk ka probleme me cilësinë e ujit në rrjet.
Në rajonin e Prizrenit, thuhet se uji nga “40 bunarët” përdoret vetëm për nevoja sanitare dhe nuk është i sigurt për pije, ndërsa në burimet e tjera si Cvilen dhe Soz, është i sigurt.
Në Suharekë dhe Malishevë, raportohet se uji i rrjetit nuk duhet të përdoret për pije, ndërsa në Dragash gjendja paraqitet stabile.
Në rajonin e Gjilanit, uji i pijes thuhet se është në rregull në qytetin e Gjilanit, por në fshatin Berivojcë të Kamenicës janë vërejtur nitrate të rritura dhe uji nuk rekomandohet për pije. Në Viti, furnizimi është ndërprerë për shkak të turbullirës.
Në rajonin e Pejës thuhet se janë vërejtur turbullira në disa burime, me ndërprerje të furnizimit në Deçan dhe në zonën e Jarinës në Klinë. Në Pejë, furnizimi nga burimi i Radacit ka rifilluar normalisht.
Sipas njoftimit, uji i pijes në Ferizaj dhe Gjakovë është i sigurt, përderisa në disa burime lokale në rajonin e Gjakovës uji nuk duhet të përdoret për pije.
Instituti njofton po ashtu se edhe në rajonin e Mitrovicës, uji ende nuk është i sigurt për konsum për shkak të turbullirës së madhe dhe nuk do të lëshohet për pije për një periudhë të caktuar.
IKSHPK u rekomandon qytetarëve që ujin nga bunarët e pambrojtur ta vlojnë para përdorimit, të përdorin vetëm burime të sigurta dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare të institucioneve në komunat e tyre.
“Qytetarët që furnizohen me ujë nga bunarë të pambrojtur (për arsye sigurie nga aspekti bakteriologjik), rekomandohet që uji të vlohet para përdorimit ose të shfrytëzohen burime alternative për furnizim me ujë të sigurt. Ushqimi të ruhet në vende të sigurta dhe të mos konsumohet ushqimi që ka qenë në kontakt me ujin e shiut. Shfrytëzoni ujin vetëm nga burimet e sigurta”- thuhet në njoftimin publik.
Reshjet e rrëmbyeshme të shiut gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime në pjesë të mëdha të Kosovës, duke sjellë dëme të konsiderueshme materiale, probleme në infrastrukturë dhe vështirësi në qarkullim.
Si pasojë e përmbytjeve, autoritetet u detyruan të shtyjnë për disa ditë rifillimin e procesit mësimor pas pushimit dimëror, për shkak të situatës së rënduar dhe rrezikut për sigurinë e nxënësve dhe stafit arsimor.
Reshjet intensive kanë shkaktuar përmbytje të pronave private, tokave bujqësore dhe rrugëve, ndërsa në disa zona janë raportuar edhe evakuime të banorëve. Të martën, qarkullimi në disa akse rrugore është bllokuar përkohësisht për shkak të nivelit të lartë të ujit.
Telegrafi ka realizuar disa fotografi përmes dronit, të cilat pasqyrojnë gjendjen e krijuar nga vërshimet e lumit Drin.
Pamjet tregojnë shtrirjen e madhe të ujit dhe dëmet e shkaktuara në zonat përreth, duke dëshmuar përmasat e situatës.
Autoritetet kompetente janë në terren dhe kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar, veçanërisht në zonat pranë lumenjve dhe rrugëve të rrezikuara nga përmbytjet, derisa situata të stabilizohet.
Situata në qytetin e Gjakovës paraqitet e qetë dhe stabile pas vërshimeve të ditëve të fundit. Sipas autoriteteve në terren, gjendja është e menaxhueshme dhe të gjitha ekipet emergjente janë duke intervenuar për të normalizuar situatën.
Xhevdet Brahimaj, komandant i zjarrfikësve në Gjakovë theksoi për KosovaPress se aktualisht, fokusi i ndërhyrjeve është te largimi i ujit nga bodrumet e shtëpive të prekura.
Sipas tij, nuk ka më zona që konsiderohen të rrezikshme dhe se ndërhyrjet po kryhen bazuar në kërkesat e drejtpërdrejta të qytetarëve.
Brahimaj tha se si pasojë e vërshimeve, një ditë më parë janë evakuuar rreth 45 persona. Me kërkesën e tyre, ata janë sistemuar në banesat sociale të ofruara nga Komuna e Gjakovës.
Ai tja se në krahasim me natën e kaluar, gjendja është normalizuar dhe nuk ka më rrezik për vërshime të reja.
Sipas tij, ekipet do të vazhdojnë punën në terren derisa të përfundojnë të gjitha intervenimet e nevojshme në pronat e banorëve.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ndodhet në Gjakovë. Kjo vizitë erdhi pas vërshimeve që kanë prekur këtë komunë.
Osmani u takua me kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, për të diskutuar situatën aktuale, ndërsa më pas pritet të vizitojë edhe Shtabin Emergjent.