Njësiti policor ka bërë bastisje në një shtëpi të pa banuar në të cilën kanë gjetur dhe sekuestruar armë, uniforma dhe flamuj.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së martës rreth orës 21:15, në Leposaviq.
Tutje bëhet e ditur se janë sekuestruar: dy armë të gjata, 151 fishekë, disa pjesë përcjellëse të armëve, pjesë të uniformave, si dhe 7 flamuj të Serbisë.
"Leposaviq/03.02.2026 – 21:15. Njësiti policor ka bërë bastisje në një shtëpi të pa banuar në të cilën kanë gjetur dhe sekuestruar: dy armë të gjata, 151 fishekë, disa pjesë përcjellëse të armëve, pjesë të uniformave, si dhe 7 flamuj të Serbisë. Rasti është duke u hetuar", thuhet në raport.
Siç bëhet e ditur në raport rasti është duke u hetuar. /Telegrafi/
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka zhvilluar një takim me kongresistin republikan nga Teksasi, Pete Sessions.
Haradinaj këtë e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ku ndër të tjera ka shkruar se gjatë vizitës në Kongresin Amerikan, ka kërkuar mbështetjen e presidentit Donald Trump dhe të Kongresit Amerikan për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
“Gjatë vizitës në Kongresin Amerikan, kam kërkuar mbështetjen e Presidentit Trump dhe të Kongresit Amerikan për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Këtë çështje e kam adresuar në një takim me kongresistin republikan nga Teksasi, Pete Sessions”, ka shkruar Haradinaj. /Telegrafi/
Dy persona janë arrestuar pasi të njëjtit pas një mosmarrëveshje që kishin me një person tjetër dyshohet se e kanë sulmuar fizikisht atë.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të martën rreth orës 18:00 në fshatin Druarë të Vushtrisë.
Tutje bëhet e ditur se me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi të njëjtit pas një mosmarrëveshje që kishin me viktimën mashkull kosovar, të njëjtit dyshohet se e kanë sulmuar fizikisht atë. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport. /Telegrafi/
Dy persona janë arrestuar (një grua dhe një burrë), pasi që të njëjtit në cilësinë e dëshmitarëve kanë tentuar t’i mundësojnë personit të tretë pajisjen kundërligjshëm me dokumente identifikuese.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të martën rreth orës 14:00, në Prizren.
Tutje bëhet e ditur se në cilësinë e provave materiale, janë konfiskuar dy letërnjoftima të RKS-së të dyshuar si të falsifikuar, një letërnjoftim i Kroacisë i dyshuar si i falsifikuar, dhe një telefon.
“Janë arrestuar dy të dyshuar, një mashkull dhe një femër kosovare, pasi që të njëjtit në cilësinë e dëshmitarëve kanë tentuar ti mundësojnë personit të tretë pajisjen kundërligjshëm me dokumente identifikuese. Në cilësinë e provave materiale, janë konfiskuar dy letërnjoftim të RKS-së të dyshuar si të falsifikuar, një letërnjoftim i Kroacisë i dyshuar si i falsifikuar, dhe një telefon. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport. /Telegrafi/
Tre persona nën kërcënimin e armëve u kanë grabitur para në vlerë prej 40 euro dy viktimave (një mashkull dhe një femër).
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të martën rreth orës 01:00 në rrugën “Duran Rada”, në Prizren.
Tutje bëhet e ditur se viktima nuk kanë lëndime, lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe rasti vazhdon të hetohet.
“Është raportuar se tre të dyshuar nën kërcënimin e armëve u kanë grabitur para në vlerë prej 40 euro dy viktimave (një mashkulli dhe një femre kosovare). Viktimat nuk kanë lëndime, lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka aprovuar ankesën e Listës Serbe kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që nuk shpalli rezultatet përfundimtare për këtë parti.
PZAP ka vendosur që të shpallet rezultati përfundimtar për këtë parti dhe kandidatët e saj.
Sipas vendimit, PZAP bën të ditur se pas shqyrtimit të shkresave të lëndës si dhe arsyetimit të KQZ-së të përmbajtur në vendimin e ankimuar të datës 31.01.2026, me numër protokolli Nr.01/156/2026, vlerëson se një qëndrim i tillë nuk mund të pranohet si i drejtë dhe i ligjshëm, pasi është në kundërshtim me dispozitat ligjore të Ligjit për Zgjedhjet e përgjithshme LZp.
Vendimin e PZAP-së mund ta shikoni këtu. /Telegrafi/
Gjykata Themelore në Pejë, departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, me gjyqtaren e vetme gjykuese Blerta Kelmendi, ka shpallur aktgjykimin përmes video-lidhjes/video-incizimit, ndaj të pandehurit E.K., për veprat penale “Vjedhje e rëndë” dhe “Vjedhja”.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se gjykata e ka shpallur të pandehurin fajtor për pikat III dhe IV të aktakuzës dhe pas unifikimit të dënimeve e ka dënuar me dënim unik me gjobë 800 (tetëqind) euro dhe dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tri) vite e 4 (katër) muaj, në të cilin i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 02.07.2025.
Për pikat I, II dhe V të aktakuzës, gjykata ka refuzuar akuzën në bazë të dispozitave ligjore përkatëse, meqenëse Prokurori i Shtetit ka hequr dorë nga aktakuza.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 (tridhjetë) ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit me shkrim. /Telegrafi/
Një person i moshës madhore pas një mosmarrëveshjeje ka lënduar veten dhe kushërirën e tij sot rreth orës 11:00 në fshatin Osek Hilë – Gjakovë.
Lajmi për Telegrafin është konfirmuar nga zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi.
Sipas saj, bëhet e ditur se lëndimet dyshohet se janë shkaktuar me mjet të mprehtë (lëndime të lehta trupore), të dy personat e përfshirë kanë marrë trajtim mjekësorë.
“Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore”, ka thënë Krasniqi. /Telegrafi/
Rreth orës 11:30, në rrugën “Garibaldi” në Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime, ku janë përfshirë një motoçikletë dhe një zyrtar policor.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Prishtinën, Enis Pllana.
Sipas tij, gjatë përpjekjeve të zyrtarit policor për ta ndaluar motoçiklistin, ky i fundit e ka goditur zyrtarin dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Si pasojë e incidentit, zyrtari policor ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor.
"Rreth orës 11:30 ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime në rrugën Garibaldi në Prishtinë. Në aksident janë të përfshirë një motoçikletë dhe një zyrtarë policor. Gjatë përpjekjeve për ta ndaluar, motoçiklisti ka goditur zyrtarin policor dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Zyrtari policor ka pranuar tretman mjekësor dhe rasti është duke u trajtuar nga njësitet relevante", ka thënë Pllana. /Telegrafi/
Në vazhdën e pranimit të informacioneve nga ana e qytetarëve, sot më datë 03.02.2026, Policia e Kosovës ka pranuar informacion se në një bodrum të një ndërtese në rrugën “Vasilije Ostroshki”, në Mitrovicë Veri, mund të ketë mjete te dyshimta ilegale.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se pas pranimit të informacionit, policia ka ndërmarrë veprime të menjëhershme, ku gjatë kontrollit, përkatësisht në një bodrum kolektiv të ndërtesës, ka gjetur dhe sekuestruar armë.
Armët e sekuestruara janë: 3 armë të gjata, 1 tytë vazhduese, 1 Kondak për armë të gjatë, 764 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 14 karikatorë, 10 krehër për fishek, 1 granat dore tymuese, 2 antiplumb ushtarak, 2 jakne ushtarake, bluzë e uniformes ushtarake, 1 palë pantallona ushtarak, Mbështjellës me material tekstili, shirita ngjitës.
Ndërkaq, lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për veprën penale: “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Tutje bëhet e ditur se në lidhje me këtë rast nuk ka persona të arrestuar, ndërsa rasti mbetet nën hetime.
Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe ndihmën e vazhdueshme, si dhe i inkurajon që çdo rast të dyshimtë apo veprim të kundërligjshëm ta raportojnë në numrin emergjent 192 ose në stacionin më të afërt policor. Vetëm përmes bashkëpunimit të ndërsjellë mund të sigurojmë një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët, pa dallim. /Telegrafi/
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në përvjetorin e masakrës së 3–4 shkurtit 2000 në Mitrovicë, ka kujtuar me dhimbje dhe respekt një nga plagët më të rënda të pasluftës.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook, Osmani ka shkruar se: “Në ato ditë të errëta, bandat kriminale serbe vranë 10 civilë të pafajshëm, plagosën 25 të tjerë dhe dëbuan me dhunë 1 mijë e 564 familje me gjithsej 11 mijë e 364 anëtarë nga shtëpitë e tyre”.
Ajo tha se ky ishte një krim i hapur kundër njerëzimit, një përpjekje brutale për ta thyer shpirtin e një qyteti dhe për ta zhdukur praninë e shqiptarëve në pjesën veriore të këtij qyteti.
“Mitrovica qëndroi dhe nuk u thye, ndaj ky krim nuk do të harrohet kurrë dhe drejtësia do të mbetet kërkesë e pandalshme. Përulemi para viktimave dhe qëndrojmë pranë familjeve të tyre, ngase e vërteta, kujtesa dhe drejtësia janë themeli mbi të cilin ndërtohet paqja e qëndrueshme”, ka shkruar Osmani. /Telegrafi/
Një person është raportuar se është larguar nga shtëpia dhe se nuk dihej për vendndodhjen e tij, por rreth orës 13:40 viktima është gjetur dhe është dërguar për tretman mjekësor pasi kishte lëndime të lehta.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur më 01.02.2026, ndërsa viktima është gjetur më 02.02.2026 në Zveçan.
“Me 02.02.2026 është raportuar se viktima mashkull serb është larguar nga shtëpia dhe se nuk dihej për vendndodhjen e tij, ndërsa rreth orës 13:40 viktima është gjetur dhe është dërguar për tretman mjekësor pasi kishte disa lëndime të lehta”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Një person i cili ishte në kërkim policor është arrestuar dhe i njëjti gjatë shoqërimit duke u transportuar me veturë zyrtare për në stacion i ka kanosur verbalisht zyrtarët policorë.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të hënën rreth orës 08:50 në rrugën “Qerim Muriqi”, në Pejë.
Tutje bëhet e ditur se pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
“Rr. Qerim Muriqi, Pejë/ 02.02.2026 – 08:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i cili ishte në kërkim policor dhe i njëjti gjatë shoqërimit, duke u transportuar me veturë zyrtare për në stacion, i ka kanosur verbalisht zyrtarët policor. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, rasti nën hetime”, thuhet në raport. /Telegrafi/
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca fillestare ndaj Nadica Cepkenoviq, e akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile, lidhur me keqtrajtimin sistematik të të burgosurave shqiptare gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998–1999.
Ish-e burgosura Jehona Krasniqi-Morina tha se ballafaqimi me të akuzuarën pas gati tri dekadash nuk i ka sjellë emocione pozitive, por ka rikthyer kujtimet e dhunës së vazhdueshme fizike dhe psikike që, sipas saj, ushtrohej ndaj të burgosurave që nga momenti i arrestimit e deri në lirimin e tyre.
Ajo theksoi se procesi gjyqësor përbën një pikë kthese për viktimat, duke vlerësuar se pas më shumë se dy dekadash po dërgohet një mesazh se drejtësia po përpiqet të trajtojë krimet e kryera. Krasniqi-Morina shtoi se dhuna në burgjet serbe mund të krahasohet me kampet e nazizmit dhe se përgjegjësia, sipas saj, nuk duhet të kufizohet vetëm te një person, por edhe te gardianet e tjera të përfshira.
Ndërkohë, ish-e burgosura tjetër, Mevlyde Saraçi, deklaroi se dhuna e përjetuar i ka lënë pasoja të rënda shëndetësore, përfshirë dëmtim të dëgjimit, duke e bërë të vështirë edhe ndjekjen e seancës gjyqësore. Ajo kërkoi dënim meritor për të akuzuarën dhe për gardianet e tjera që, sipas saj, kanë marrë pjesë në keqtrajtim.
“Sot për mua është një ditë fitoreje, sepse ajo ndodhet në pozitën ku kemi qenë ne dikur. Megjithatë, drejtësia duhet të jetë e plotë dhe e merituar”, tha Saraçi, duke përshkruar fyerjet, dhunën dhe poshtërimin që, sipas saj, janë ushtruar ndaj grave shqiptare të burgosura për shkak të përkatësisë kombëtare dhe mbështetjes për lirinë e Kosovës.
Nadica Cepkenoviq është deklaruar e pafajshme për aktakuzën e ngritur ndaj saj. Sipas Prokurorisë, ajo dyshohet se, në cilësinë e ish-gardianes në Burgun e Prishtinës – paralelja për femra në Lipjan, në bashkëkryerje me Ljiljana Seliq, Danica Lukiq, Sladjana Arsiq dhe Biljana Stoliq, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare duke keqtrajtuar në mënyrë sistematike të burgosurat shqiptare.
Në aktakuzë thuhet se viktimat janë torturuar në mënyrë çnjerëzore, përfshirë rrahje me mjete të forta, kërcënime serioze për jetë dhe ushtrim të vazhdueshëm të dhunës psikike, duke u shkaktuar pasoja të rënda fizike dhe emocionale, të cilat, sipas Prokurorisë, vazhdojnë t’i bartin edhe sot.KP/Telegrafi.
Familjarët e viktimave të masakrës në Izbicë, kanë reaguar pasi gjykata shqiptoi dënim me 13 vjet burgim ndaj Muhamet Alidemajt, duke e cilësuar si dënim shumë i ulët, derisa ka paralajmëruar se do të ushtrojnë të drejtën e ankesë.
Familjari Islam Dani ka thënë se personalisht e ka parë e kam parë që iu ka prirë serbëve për të hyrë në fshatin Izbicë të Drenasit.
“Vendimi na duket shumë i ulët, mirëpo gjykata ka marrë vendim edhe çka kemi na me thënë përtej gjykatës. Më anku kemi me u anku, sa kemi me arrit qëllimin tonë, mbetet me u pa.. Kodi penal i Jugosllavisë e përcakton kështu, bie në maksimum. Se për neve edhe 15 vjet normalisht që është pak… Unë personalisht nuk e kam parë që e ka vrarë askënd. Unë e kam parë që iu ka prirë serbëve me hy në fshatin Izbicë. Çka s'e kam parë nuk mundem me thanë që e kam parë duke vrarë. Mirëpo atë ditë në Izbicë nuk ka pasur dasmë, atë ditë janë ndjerë krisma të tenkave, topave, kallashave, pushkëve edhe janë masakruar 137. Edhe dy herë mbasandaj na janë vrarë ka dy-trembëdhjetë. Edhe u djeg krejt fshati Izbicë, edhe u plaçkit. Janë djeg dy të paralizuar në prokolica të traktorit. Nuk mundet me iu ikë ky prej përgjegjësie, as s'mundet me thënë që s'kam qenë unë. Normalisht, familjet që i kanë ndarë, gratë i kanë ndarë, iu ka shtirë thikën në fyt, i ka plaçkitur, i ka rrahur. Kanë dëshmuar këto në gjyq”, tha Dani.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar sot me 13 vjet burgim, Muhamet Alidemajn, të akuzuarin për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë 99-ës ne fshatin Izbicë.
Sipas aktakuzës, Alidemaj kishte marrë pjesë bashkë me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe në vrasjen e civilëve shqiptarë në masakrën e Izbicës që kishte ndodhur në mars 1999.Në këtë masakër ishin vrarë dhe masakruar 130 shqiptarë. /Telegrafi/
Në seancën fillestare të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e akuzuara Nadica Cvetkoviq u deklarua e pafajshme lidhur me akuzën se në cilësinë e gardianes në burgun e Prishtinës- paralelen për gra në Lipjan, ka kryer krime lufte.
Deklarimin rreth fajësisë, Cvetkoviq e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori special, Atdhe Dema, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Më pas, kryetari i trupit gjykues, Leon Përlaska njoftoi të akuzuarën dhe mbrojtësen e saj, avokaten Jovana Filipoviq se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë për kundërshtim të provave dhe kërkesë për hudhje të aktakuzës.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 16 janar 2026 ka ngritur aktakuzë ndaj Nadica Cvetkoviq të cilën e akuzon se në cilësinë e ish-gardianes në burgun e Prishtinës- paralelja për gra në Lipjan, gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999, në bashkëkryerje edhe me zyrtare tjera të burgut në fjalë: Ljiljana Seliq, Danica Lukiq, Sllagjana Arsiq, Biljana Stoliq, ish-gardiane të burgut për gra në Lipjan, duke vepruar me dashje dhe duke shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës, në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurat shqiptare, duke i torturuar në mënyrë ç’njerëzore me mjete të ndryshme si shkop gome, shqelma e grushte, deri në alivanosje, duke iu shkaktuar lëndime trupore.
Aktakuza thotë se siç e shpjegojnë vetë viktimat, pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në gjithë trupin, dhunë psikike, i kanë kanosur seriozisht për jetën e si pasojë e kësaj dhe rrahjeve të vazhdueshme, kanë pësuar gjendje ankthi dhe frikë, është cenuar rëndë dinjiteti njerëzor, pasoja të cilat i bartin edhe më tej viktimat, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.
Me këtë, Cvetkoviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Krime kundër popullatës civile”, nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së. /BetimipërDrejtësi/
Ish presidentja e vendit, Atifete Jahjaga ka reaguar pasi në mesazhet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, dosja Jeffrey Epstein, përmendet emri i saj.
Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook Jahjaga ka shkruar: “Raportimet mediatike për 'lidhjen time' me dosjen 'Epstein' janë tërësisht të pabaza dhe të pavërteta. Si Presidente e Republikës së Kosovës nuk kam pasur asnjëherë njohje, takim apo çfarëdo lloj kontakti me personin në fjalë”.
Tutje Jahjaga ka shkruar se përmendja e emrit të saj nga mediat me rastin e dokumenteve të publikuara së fundmi lidhet vetëm me një korrespondencë elektronike të palëve të treta, e cila nuk përbën dhe nuk dëshmon asnjë takim, njohje apo lidhje personale me të.
“Emri im askund nuk përmendet në asnjë lloj dokumenti të publikuar. Në këtë email te palëve të treta permendet Presidenti i Kosovës, por nuk është e qartë cili, dhe nuk permendet kerkesa per takim në emër të tij apo të saj. Çdo raportim ndryshe është insinuate dhe mashtrim i opinionit, siç mund te verehet lehtë nga dokumentet”, ka shkruar Jahjaga.
Tutje ajo ka shkruar se: "Kërkoj që ky sqarim të jepet në mediat të cilat e kanë lakuar emrin tim, sidomos meqenëse as nuk e kam njohur, as takuar dhe as nuk kam kërkuar takim me personin në fjalë në asnjë pozitë që kam mbajtur deri më tani". /Telegrafi/
Sëmundjet e zemrës nuk janë më vetëm problem i moshës së shtyrë. Infarktet dhe problemet serioze kardiovaskulare po shfaqen gjithnjë e më shpesh edhe te personat e rinj, madje në të 30-tat dhe të 40-tat e tyre.
Kështu tha në episodin e 61-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, Fjolla Zhubi Bakija, specialiste e Mjekësisë Interne dhe Kardiologjisë.
Në këtë episod, doktoresha Zhubi Bakija thekson se rritja e rasteve të infarktit në moshë të re nuk lidhet me ndryshime gjenetike, por kryesisht me stilin e jetesës moderne.
Jeta sedentare, mungesa e aktivitetit fizik, ushqimi i përpunuar me shumë kripë, sheqer dhe yndyra të dëmshme, pirja e duhanit, konsumimi i alkoolit dhe stresi kronik janë faktorët kryesorë që po e përshpejtojnë shfaqjen e sëmundjeve të zemrës.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua kontrolleve preventive, të cilat shpesh neglizhohen, sidomos nga të rinjtë që ndihen “mirë” dhe nuk kanë simptoma të dukshme.
Sipas doktoreshës, matja e tensionit të gjakut, analizat e kolesterolit dhe sheqerit në gjak, si dhe një EKG e thjeshtë, mund të japin informacione jetike dhe të parandalojnë pasoja serioze në të ardhmen.
Ajo foli edhe për simptomat e infarktit, duke sqaruar se ato nuk paraqiten gjithmonë me dhimbje të forta në gjoks.
“Te gratë dhe personat me diabet, infarkti mund të shfaqet me lodhje ekstreme, djersitje të ftohta, vështirësi në frymëmarrje apo thjesht me ndjesinë se ‘diçka nuk shkon’. Këto simptoma nuk duhet të injorohen dhe kërkojnë vlerësim të menjëhershëm mjekësor”, ka sqaruar Zhubi-Bakija.
Zhubi Bakija thekson se shëndeti i zemrës ndërtohet që në fëmijëri dhe se parandalimi është gjithmonë më i fuqishëm se trajtimi.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë” e mbështetur nga United Hospital. /Telegrafi/
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) të dielën ka mbajt mbledhjen e përbashkët me drejtuesit e qendrave të kësaj partie.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se kjo ishte mbledhja e parë me qendrat pas zgjedhjeve të përgjithshme dhe përmbylljes së cikleve zgjedhore lokale, si vazhdim i organizimit dhe angazhimit të tyre në terren.
“Në mbledhje ishin të pranishëm kryeministri, njëherazi kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sekretari organizativ, Alim Rama, si dhe koordinatori i qendrave, Salih Zyba. Gjatë takimit u diskutua gjerësisht për situatën aktuale politike në vend dhe për fushatën tonë zgjedhore të suksesshme, e cila u kurorëzua me mbështetje qytetare prej 51.10% dhe 57 ulëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Po ashtu, u trajtuan çështje që lidhen me procesin e certifikimit të rezultatit zgjedhor dhe konstituimin e institucioneve të reja”, thuhet në postim.
Tutje bëhet e ditur se një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe aspektit organizativ të Lëvizjes, funksionimit dhe organizimit nëpër qendra, si dhe çështjeve të tjera të rëndësishme për forcimin e mëtejmë të strukturave tona. /Telegrafi/
Administrata Tatimore e Kosovës ka rikujtuar edhe një herë për të gjithë personat që zhvillojnë aktivitet ekonomik, se regjistrimi i aktivitetit është obligim ligjor dhe shmang pasoja serioze financiare dhe ligjore.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se në kuadër të projektit për formalizimin e ekonomisë dhe vendosjen e etiketave identifikuese për bizneset e regjistruara, ATK do të shtojë inspektimet në terren në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
“ATK u bën thirrje të gjithë personave që ende zhvillojnë aktivitet të paregjistruar që të veprojnë menjëherë dhe të regjistrohen vullnetarisht në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), përpara se të identifikohen nga inspektorët tatimorë”, thuhet në njoftim.
Nga ATK po ashtu thonë se në rast se gjatë inspektimeve identifikohen aktivitete të paregjistruara, ATK, në përputhje me Ligjin në fuqi, do të ndërmarrë pa përjashtim këto veprime: “Regjistrimin e detyrueshëm të aktivitetit dhe pajisjen me Numër Fiskal; Aplikimin e gjobave dhe sanksioneve ligjore të parapara”.
Tutje bëhet e ditur se regjistrimi vullnetar shmang penalitetet dhe kontribuon në një konkurrencë të drejtë në treg.
“Po ashtu, ATK kërkon nga të gjithë tatimpaguesit e regjistruar që të verifikojnë dhe përditësojnë të dhënat e tyre në sistemin tatimor, pasi mos-përditësimi i informatave përbën shkelje ligjore.
Administrata Tatimore e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e ekonomisë joformale dhe në ndërtimin e një sistemi tatimor të drejtë, transparent dhe të barabartë për të gjithë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/