Përmbytjet në Durrës, prokuroria nis hetimet për tri vepra penale
TIRANË, 8 janar /ATSH/ Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për tri vepra penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia” pas përmbytjeve të ndodhura në disa rrugë të qytetit të Durrësit dhe zonat përreth tij.
Prokuroria njoftoi sot, se regjistrimi i këtij procedimi penal erdhi pas situatës së krijuar përgjatë dy ditëve ku për shkak të reshjeve të vazhdueshme u krijuan problematika reale, të dukshme për personat fizikë, për mirëqenien e tyre, por edhe dëme të konsiderueshme.
“Gjendja e krijuar e cila ka penguar zhvillimin normal të aktiviteteve arsimore, shtetërore, shëndetësore, ka krijuar bllokimin e rrugëve urbane dhe interurbane, përmbytjen e banesave dhe vendosjen në rrezik real të jetës së qytetarëve, përmbytjen e institucionit penitenciar duke vendosur në gjendje emergjente të gjithë qarkun në të cilin ushtron juridiksionin territorial dhe lëndor Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, jep të dhëna të mjaftueshme dhe të arsyeshme se jemi përpara një fakti penal”, njoftoi prokuroria.
Gjithashtu, sipas prokurorisë “nga të dhënat e deritanishme rezulton se si pasojë e kësaj situate dyshohet se ka ardhur për pasojë dhe vdekja e shtetasit A.H., i cili rezulton të jetë punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh. Nga të dhënat paraprake ka dyshime që ai ka humbur jetën për shkak se është marrë nga rrjedhja e ujit e shkaktuar në vend”.
“Në këto kushte, me qëllim thellimin në shkaqet që kanë çuar në shkaktimin e këtyre pasojave dhe analizimin në mënyrë ezauruese nëse shkaqet kanë qenë tërësisht natyrore apo kanë ardhur si pasojë e pakujdesisë apo mospërmbushjes së detyrës nga ana e organeve kompetente shtetërore apo të vetëqeverisjes vendore, merret iniciativa për regjistrimin e këtij procedimi penal. Ndërkohë, hetimi i mëtejshëm do të japë përfundime të drejta mbi ekzistencën ose jo të përgjegjësisë penale”, njoftoi Prokuroria e Durrësit.
/m.q/r.e/a.f/
The post Përmbytjet në Durrës, prokuroria nis hetimet për tri vepra penale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.