BRUKSEL – Draghi: Evropa të kapërcejë ndasitë e vjetra për t’u bërë një fuqi e vërtetë
BRUKSEL, 2 shkurt /ATSH-AFP/ – Mario Draghi, ish-president i Bankës Qendrore Evropiane dhe ish-kryeministër i Italisë, ka bërë thirrje që Evropa të kapërcejë ndasitë e vjetra për t’u shndërruar në një fuqi të vërtetë, gjatë një fjalimi në Universitetin e Lëvenit.
“Mes të gjithë atyre që sot janë të kapur mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, vetëm evropianët kanë mundësinë të bëhen një fuqi e vërtetë”, tha Draghi, duke kërkuar krijimin e një federate evropiane në çështje të mbrojtjes, politikës së jashtme dhe fiskalitetit.
“Duhet të vendosim: a duam të mbetemi vetëm një treg i madh, nënshtruar prioriteteve të të tjerëve apo duam të ndërmarrim masat e nevojshme për t’u bërë një fuqi”, theksoi Draghi..
“Përsa i përket mbrojtjes, politikës industriale apo çështjeve të jashtme, ne trajtohemi si një grup i shpërndarë shtetesh me madhësi mesatare, të cilat mund të ndahen dhe trajtohen sipas dëshirës së të tjerëve”, shtoi ekonomist gjatë fjalimit në një ceremoni, ku ai mori titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Lëvenit.
Ai vuri në dukje se, që nga rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, SHBA-ja ka treguar qartë për herë të parë se fragmentimi politik evropian i shërben interesave të saj.
“Ne përballemi gjithashtu me një Kinë që kontrollon nyjet kyçe të zinxhirit global të furnizimit dhe është gati të shfrytëzojë këtë avantazh”, vijoi ai.
”Pa një reagim të vendosur, Evropa rrezikon të bëhet e nënshtruar, e ndarë dhe e deindustrializuar. Dhe një Evropë që nuk mund të mbrojë interesat e saj nuk do të ruajë për shumë kohë vlerat e saj”, paralajmëroi Draghi./ /Ad.Ab./ a.jor.
The post BRUKSEL – Draghi: Evropa të kapërcejë ndasitë e vjetra për t’u bërë një fuqi e vërtetë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.