RUSI – Moska konfirmon pjesëmarrjen në bisedimet për Ukrainën në Abu Dabi
MOSKË, 23 janar /ATSH-DPA/ – Rusia konfirmoi sot, për here të parë, se do të marrë pjesë në negociatat me Ukrainën që do të zhvillohen më vonë gjatë ditës në Abu Dabi, pas bisedimeve të mbajtura në Moskë mes presidentit rus Vladimir Putin dhe të dërguarit special të SHBA-së Steve Witkoff.
”Delegacioni rus do të drejtohet nga Igor Kostyukov, kreu i shërbimit të zbulimit ushtarake rus (GRU)”, bëri të ditur këshilltari për politikën e jashtme i Putinit, Yuri Ushakov, sipas agjencive të lajmeve në Moskë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte njoftuar më herët përbërjen e ekipit të tij për bisedimet në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po marrin pjesë në negociata në rolin e ndërmjetësit.
Kremlini bëri të ditur se bisedimet në Moskë zgjatën më shumë se tre orë e gjysmë, pasi nisën pak para mesnatës.
Ushakov i cilësoi ato si negociata domethënëse dhe të dobishme.
Sipas tij, Putin theksoi se është sinqerisht i interesuar për një zgjidhje diplomatike të konfliktit në Ukrainë.
Megjithatë, ai shtoi se kjo do të kërkonte që udhëheqja e vendit fqinj të pranonte lëshimet territoriale të kërkuara nga Rusia , një kërkesë që qeveria e Zelenskyt e ka refuzuar vazhdimisht deri tani./ /Ad.Ab./ a.jor.
The post RUSI – Moska konfirmon pjesëmarrjen në bisedimet për Ukrainën në Abu Dabi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.