Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 31 December 2025Main stream

18:58 Fluks fëmijësh në Pediatri/ Spitali i Fierit shpërndan dhurata për pacientët e vegjël

By: EL
31 December 2025 at 18:58

Gjatë ditëve të fundit të vitit 2025, Pediatria e Fierit po përballet me një rritje të ndjeshme të pacientëve të vegjël.

Sipas mjekëve, shkak për këtë situatë është përhapja e virozave përmes kontakteve në mjedise të hapura, pavarësisht pushimeve shkollore. Baftiar Hysenaj, pediatër, shpjegon se rastet që paraqiten në urgjencë arrijnë deri në 120 vizita në 24 orë, ndërsa aktualisht në repartin e pediatrisë janë të shtruar 25 fëmijë, disa prej të cilëve duket se do ta kalojnë edhe ndërrimin e viteve në spital.

Përveç gatishmërisë së stafit mjekësor, drejtoria e spitalit të Fierit ka organizuar gjatë këtyre ditëve dhurata dhe aktivitete për fëmijët e shtruar, për t’u sjellë pak gëzim gjatë festave./e.t

17:51 Emocione për fundvit! 6 bebe lindin në Elbasan në orët e fundit të 2025

By: EL
31 December 2025 at 17:51

Last Updated on 31/12/2025 by EL

Dy prej gjashtë foshnjave kanë ardhur në jetë në Spitalin Rajonal të Elbasanit, ndërsa katër bebe të tjera kanë lumturuar çifte të reja në bashkitë Gramsh, Librazhd, Belsh dhe Cërrik, duke përhapur gëzim, emocione dhe shpresë në të gjithë qarkun.

Lajmin e bukur e ka ndarë edhe drejtoresha e Spitalit Rajonal të Elbasanit, Zheni Gjergji, e cila në një postim në rrjetin social Facebook shkruan:

“ Mirëseardhja më e bukur e fundvitit

 

Në prag të festave, drita e shpresës ndizet më fort në Spitalin Rajonal Elbasan.  Dy bebe të porsalindura, Darla dhe Riguel, engjëj të vegjël me buzëqeshjen e jetës që sapo ka nisur, sjellin gëzim, dashuri dhe besim për të ardhmen.

Mes duarve të kujdesshme të personelit shëndetësor dhe ngrohtësisë së festave, këto jetë të reja janë dhurata më e çmuar e fundvitit”, shkruan drejtoresha e spitalit rajonal në një postim në Facebook./e.t

PARIS – Edhe Franca do të ndalojë mediet sociale për nën 15-vjeçarët

31 December 2025 at 17:49

PARIS, 31 dhjetor /ATSH-AA/ -Franca do të shqyrtojë në janar një projektligj që synon të ndalojë mediet sociale për fëmijët nën 15-vjeç dhe telefonat celularë, raportoi sot “FranceInfo”. 

Këshilli i Shtetit do të shqyrtojë projektligjin më 8 janar me qëllim ndalimin e aksesit në mediat sociale për të rinjtë nën moshën 15-vjeç dhe ndalimin e përdorimit të telefonave celularë në shkollat ​​e mesme duke filluar nga viti i ri shkollor, që do të thotë shtatori 2026.

Sipas burimeve qeveritare, projektligji është hartuar në një mënyrë që siguron se është në përputhje me ligjin evropian, ndryshe nga një përpjekje e mëparshme që dështoi.

Në nëntor, presidenti francez Emmanuel Macron tha se dëshiron ta zgjerojë ndalimin e përdorimit të telefonave celularë në shkollat ​​e mesme që nga fillimi i vitit shkollor 2026-2027 dhe të vendos një ndalim të medieve sociale për të rinjtë nën 15 ose 16-vjeç.

Ndalimi i telefonave celularë ka qenë tashmë në fuqi nga kopshti deri në shkollën e mesme sipas një ligji të vitit 2018, megjithëse ndonjëherë ka rezultuar i vështirë për t’u zbatuar.

Shumë studime akademike kanë dokumentuar rreziqet për shëndetin mendor të përdorimit të mediave sociale nga të rinjtë si dhe rreziqet e shpërqendrimit nga telefonat celularë tek adoleshentët./  /Ad.Ab./  a.jor.

 

 

 

The post PARIS – Edhe Franca do të ndalojë mediet sociale për nën 15-vjeçarët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qeveria rrit pagesën për paketën higjieno-sanitare të paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve, efektet nisin nga 1 Janari

By: A R
31 December 2025 at 18:19

Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të ri që sjell rritje të mbështetjes financiare për kategorinë e invalidëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Vendimi i marrë me propozim të Ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale prek paketën e veçantë higjieno-sanitare, një zë i rëndësishëm për mbulimin e kostove të kujdesit ditor për këta individë.

Sa bëhet pagesa e re?

Sipas ndryshimit të bërë në vendimin nr. 78 (të vitit 2007), masa e përfitimit mujor pëson një rritje. Deri më tani, pagesa për paketën higjieno-sanitare ishte në vlerën 20,000 lekë. Me vendimin e ri, kjo shumë indeksohet dhe bëhet 20,480 (njëzet mijë e katërqind e tetëdhjetë) lekë në muaj.

Hyrja në fuqi

Vendimi saktëson se efektet financiare të kësaj rritjeje do të fillojnë të llogariten menjëherë, duke nisur nga data 1 janar 2026.

Zbatimi Për implementimin e këtij vendimi dhe shpërndarjen e fondeve me vlerën e re, qeveria ka ngarkuar Ministrinë përgjegjëse për Çështjet Sociale, Shërbimin Social Shtetëror, si dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore (bashkitë), të cilat menaxhojnë listat dhe pagesat për këtë kategori.

Ky ndryshim vjen në mbështetje të ligjit “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, me qëllim përshtatjen e ndihmës ekonomike me nevojat e shtuara të kësaj kategorie.

Ndryshojnë tarifat e ndërtimit, 300 mijë lekë për certifikatën e karabinasë, zbardhen kostot për ndryshimin e lejeve

By: A R
31 December 2025 at 17:59

Këshilli i Ministrave ka miratuar një paketë ndryshimesh financiare që prekin zhvilluesit e pronave dhe kompanitë e ndërtimit që aplikojnë pranë Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT).

Nëpërmjet një vendimi, qeveria ka shtuar shërbime të reja me pagesë dhe ka saktësuar formulën e tarifimit për rishikimin e lejeve të zhvillimit.

Tarifa e re për “karabinanë”

Një nga risitë kryesore të vendimit është vendosja e një tarife specifike për një shërbim të ri: pajisjen me vërtetim për përfundimin e strukturës së objektit.

Sipas vendimit, tarifa për shqyrtimin e kërkesave për lëshimin e “certifikatave për përfundimin e punimeve të karabinasë” do të jetë fikse, në masën 300,000 (treqind mijë) lekë.

Vendimi sjell qartësi edhe për kostot që duhet të paguajnë subjektet kur kërkojnë të ndryshojnë apo rishikojnë një leje zhvillimi ekzistuese. Tarifat ndahen në dy kategori, në varësi të ndryshimit të sipërfaqes së ndërtimit.

Pa shtesë sipërfaqjeje

Nëse kërkesa për ndryshimin e lejes bëhet brenda kufirit të miratuar më parë (pra nuk shtohet sipërfaqe ndërtimi, ose ka zvogëlim të saj), zhvilluesi do të paguajë një tarifë fikse prej 300,000 lekësh.

Me shtesë sipërfaqjeje

Nëse rishikimi i lejes shoqërohet me rritje të sipërfaqes së përgjithshme të pronës, llogaritja bëhet e kombinuar: Paguhet tarifa fikse prej 300,000 lekësh, plus një vlerë prej 100 lekësh për çdo metër katror shtesë.

Tarifat për situacionet përfundimtare

Qeveria, në vendim, ka saktësuar edhe pagesat në fazën përfundimtare të investimit. Në rastet kur vlera e situacionit përfundimtar të punimeve është e njëjtë ose më e vogël se preventivi fillestar i deklaruar, tarifa e shërbimit do të jetë fikse: 500,000 (pesëqind mijë) lekë. E njëjta tarifë aplikohet edhe për rastet e certifikatave të veçanta të përdorimit.

Këto ndryshime hyjnë në fuqi menjëherë dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT) është ngarkuar të lëshojë faturat me tarifat e reja për të gjitha vendimmarrjet e KKT-së që do të nënshkruhen pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Qeveria miraton krijimin e sistemit SMIAL, të gjitha të dhënat për studentët nga regjistrimi deri te diploma në një regjistër unik

By: A R
31 December 2025 at 17:30

Qeveria shqiptare ka zyrtarizuar krijimin e bazës së të dhënave shtetërore për arsimin e lartë, duke shënuar një hap vendimtar drejt digjitalizimit të plotë të universiteteve.

Me anë të një vendimi të Këshillit të Ministrave (VKM), miratohet krijimi i Sistemit të Menaxhimit të Informacionit të Arsimit të Lartë (SMIAL), i cili do të shërbejë si “truri” elektronik për çdo të dhënë akademike në Republikën e Shqipërisë.

Çfarë është SMIAL dhe kush e menaxhon?

Sipas vendimit, institucioni që do të ketë “çelësat” e këtij sistemi është Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA). Kjo qendër do të administrojë bazën e të dhënave ku do të grumbullohet çdo informacion, duke nisur nga regjistrimi i studentit në vitin e parë, numri i matrikullimit, ecuria e notave, e deri te lëshimi i diplomës.

Sistemi i ri i jep fund epokës së regjistrave të shkëputur fizikë, duke detyruar të gjitha Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL), publike dhe private, që të hedhin të dhënat në këtë sistem të centralizuar.

Lidhja me Gjendjen Civile

Një nga risitë më të mëdha të SMIAL është ndërveprimi automatik me regjistrat e tjerë shtetërorë. Sistemi do të marrë të dhëna në kohë reale nga:

Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile (për identitetin e studentëve);

Sistemi i Tatimeve dhe Regjistri Tregtar;

Regjistri i të Huajve.

Kjo do të thotë se studentëve nuk do t’u kërkohet më të dorëzojnë dokumente që shteti i disponon tashmë, si certifikata personale apo vërtetime të tjera administrative, pasi sistemi i “thith” ato automatikisht.

Transparencë për diplomat dhe kuotat

Vendimi përcakton qartë rolet: Universitetet janë “krijuesit” e të dhënave (hedhin notat, strukturën, diplomat), ndërsa Ministria e Arsimit dhe QSHA konfirmojnë dhe certifikojnë.

Kjo strukturë pritet të rrisë sigurinë juridike të diplomave, duke eliminuar mundësitë për falsifikime apo lëshim diplomash fiktive, pasi çdo diplomë duhet të gjenerohet dhe regjistrohet përmes numrit unik të matrikullimit në sistem.

Gjithashtu, sistemi do të monitorojë rreptësisht kuotat e pranimit dhe tarifat.

Mbrojtja e të dhënave

VKM-ja sanksionon se përpunimi i të dhënave në SMIAL do të kryhet në përputhje të plotë me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Aksesi do të jetë i hierarkizuar, ku çdo institucion (Ministria, QSHA, ASCAL, AKFAL) do të ketë të drejta specifike vetëm për sferën e tij të kompetencës.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe ngarkon institucionet përkatëse arsimore për zbatimin e tij, duke hapur rrugën për një menaxhim modern dhe transparent të arsimit të lartë në vend.

15:58 “Nipër për ditë”, nisma e veçantë e të rinjve të Elbasanit që gëzuan zemrat e gjyshërve që jetojnë vetëm

By: EL
31 December 2025 at 15:58

Last Updated on 31/12/2025 by EL

Ditët e fundit të vitit, duket se kanë qenë ndryshe për të moshuarit që jetojnë vetëm në fshatrat e Elbasanit.

Në Bradashesh, Papër, Gracen, Funar, Labinot Fushë dhe Labinot Mal, dhjetëra të moshuar u vizituan nga të rinjtë e këtyre zonave në ditët e fundit të vitit duke përçuar një atmosferë krejt ndryshe dhe të veçantë, që surprizuan dhe gëzuan këtë shtresë që vuan ikjen dhe largimin e të rinjve në emigracion.

Nismës së të rinjve të PS-së Shkumbinit të Sipërm, iu bashkua edhe deputetja e zonës Sara Mila, e cila është mjaft aktive në zonë duke mbështetur dhe treguar vëmendje të veçantë për idetë dhe nismat e të rinjve.

Disa momentet nga kjo nismë, ajo i ka postuar edhe në rrjetet e saj sociale, ku shkruan:

“Kam përqafuar dhjetëra gjyshe e gjyshër të vetmuar. Në skaje të largëta, ku ndoshta rrallë shkon zëri i festës, por ku emocioni është gjithmonë i vërtetë. Bashkë me të rinj të mrekullueshëm, vendosëm t’ua çonim festën. Por ajo që morëm ishte shumë më tepër: sy që ndriçonin, duar që dridheshin nga gëzimi, dhe një ndjenjë e fortë se prania jonë kishte peshë. Se dikush kishte ardhur posaçërisht për ta”, shprehet deputetja Mila.

Prezenca, koha e kaluar së bashku me të rinjtë në këto familje nuk sollën vetëm atmosferën e fundvitit, por rikthyen ndjesinë e të kujtuarit për këdo.

“Ata kanë nevojë më shumë për prezencë sesa për dhurata. Për kohë. Për vëmendje. Këto ditë më mësuan se festa e vërtetë nuk është kalendari, as dritat, as zhurma. Festa është prania. Është koha që i fal dikujt. Është dashuria që nuk pret asgjë mbrapsht. Këto përqafime do të më shoqërojnë shumë gjatë” shkruan më tej deputetja e cila ka mbështetur idenë dhe realizimin e kësaj ideje.

Një nismë që më shumë se gjithçka kërkon të kthejë vëmendjen tek komuniteti dhe mbajtja gjallë e lidhjeve mes tij, por edhe afrimit të brezave. Dhe për të na kujtuar të gjithëve si shoqëri, se përveç gotave që torkasim me njëri-tjetrin në festa të tilla, një kujtesë sado simbolike për ata që kemi afër, nuk është kurrë tepër./e.t

Ndërrimi i viteve, urgjenca e QSUNT-së në gatishmëri të pandërprerë

31 December 2025 at 16:30

TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/ Në prag të ndërrimit të viteve, urgjenca kombëtare e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, së bashku me ekipet e urgjencës mjekësore në të gjithë vendin qëndron në vijën e parë të shërbimit, larg tryezave familjare, por pranë çdo qytetari që ka nevojë për ndihmë shëndetësore.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala zhvilloi sot një vizitë në QSUNT, prej nga uroi bluzat e bardha për Vitin e Ri.

“Kam ardhur t’ju falënderoj për punën që bëni për mbështetjen që jepni sepse jeni ju këtu në QSUT, por edhe në të gjitha urgjencat e tjera në vend, që ushtroni një profesion fisnik por edhe sakrifikon sepse nuk jeni me familjet tuaja. Bashkëpunoni shumë mirë dhe me shërbimin e urgjencave dhe është një koordinim i mirë, në të gjithë vendin.

“Ju uroj që nata të jetë e qetë faleminderit që jeni në krye të detyrës, sepse kur jeni në një gatishmëri të tillë qytetarët ndihen më të qetë për të kaluar një natë festive siç duhet të jetë dhe ndërrimi i vitit”, tha Sala.

Ministrja e Shëndetësisë bëri të ditur se “me gatishmëri të pandërprerë, 24/7, duke garantuar reagim profesional dhe shërbim të sigurt, gjatë 2025, vetëm në QSUNT janë trajtuar 125 mijë raste, ku ditët e fundit kanë marrë shërbim rreth 300 pacientë në ditë.

Mesazhin e ndau në rrjetet sociale edhe kryeministri Edi Rama, i cili shkruan “në prag të ndërrimit të viteve, së bashku me ata që çdo ditë punojnë në shërbim të kujdesit tuaj shëndetësor”.

/m.q/a f/r.e/

The post Ndërrimi i viteve, urgjenca e QSUNT-së në gatishmëri të pandërprerë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VENDIMI/ Kategoritë që përfitojnë nga kompensimi i të ardhurave mujore të pensionit

By: Fax Web
31 December 2025 at 14:25

Është publikuar vendimi për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve.

Me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave vendosi:

1. Përfitojnë kompensim të të ardhurave mujore deri në 1 800 (një mijë e tetëqind) lekë në muaj personat me të ardhura deri në 40 000 (dyzet mijë) lekë në muaj në datën 31.12.2025, sipas kategorive të mëposhtme:

a) Personat që përfitojnë pension pleqërie të plotë të caktuar sipas ligjit nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, të ndryshuar;

b) Personat që përfitojnë pension pleqërie të plotë urban, pension pleqërie si nënë me shumë fëmijë urban dhe pension të reduktuar të pleqërisë, me datë lindjeje të së drejtës deri në datën 31.12.2014, të caktuara në bazë të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

c) Personat që përfitojnë pension pleqërie me datë lindjeje të së drejtës nga data 1.1.2015 e në vijim, të caktuar në bazë të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, që plotësojnë periudhën e domosdoshme të sigurimit të parashikuar në nenin 92, pension pleqërie si nënë me shumë fëmijë, të caktuar në bazë të pikës 2, të nenit 31, dhe pension pleqërie të reduktuar, të caktuar në bazë nenit 31/1, të këtij ligji.

ç) Personat që përfitojnë pension pleqërie të caktuar në bazë të ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”;

d) Personat që përfitojnë pension për shkak të profesionit, të caktuar në bazë të ligjit nr.29/2019, “Për trajtimin financiar suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës dhe të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”.

2. Përfitojnë kompensim të të ardhurave mujore deri në 800 (tetëqind) lekë në muaj personat me të ardhura deri në 22 000 (njëzet e dy mijë) lekë në muaj në datën 31.12.2025, sipas kategorive të mëposhtme:

a) Personat që përfitojnë pension pleqërie të pjesshëm, të caktuar sipas ligjit nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, të ndryshuar;

b) Personat që përfitojnë pension pleqërie të pjesshëm urban, me datë lindjeje të së drejtës deri në datën 31.12.2014, të caktuar në bazë të neneve 34 e 95, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

c) Personat që përfitojnë pension pleqërie, me datë lindjeje të së drejtës nga data 1.1.2015 e në vijim, të caktuara në bazë të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, që nuk plotësojnë periudhën e domosdoshme të sigurimit të parashikuar në nenin 92 të këtij ligji;

ç) Personat që përfitojnë pension social të caktuar, në bazë të nenit 5/1, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

3. Përfitojnë kompensim të të ardhurave mujore deri në 1 000 (një mijë) lekë në muaj personat me të ardhura deri në 18 000 (tetëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj në datën 31.12.2025, sipas kategorive të mëposhtme:

a) Personat që përfitojnë pension pleqërie të caktuar në bazë të ligjit nr.4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, të ndryshuar;

b) Personat që përfitojnë pension pleqërie rural, me datë lindjeje të së drejtës deri në datën 31.12.2014, të caktuar në bazë të neneve 31, 34, 93, 95 dhe të paragrafit të dytë të nenit 96 të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

4. Përfitojnë kompensim të të ardhurave mujore deri në 600 (gjashtëqind) lekë në muaj personat me të ardhura deri në 30 000 (tridhjetë mijë) lekë në muaj në datën 31.12.2025, që përfitojnë pension invaliditeti, të caktuar sipas ligjit nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, të ndryshuar, ligjit nr.4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

5. Përfitojnë kompensim të të ardhurave mujore deri në 700 (shtatëqind) lekë në muaj personat me të ardhura deri në 18 000 (tetëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj në datën 31.12.2025, që përfitojnë pension familjar, të caktuar sipas ligjit nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, të ndryshuar, ligjit nr.4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, të ndryshuar, ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe ligjit nr.8455, datë 4.2.1999, “Për një trajtim të veçantë të familjeve të pilotëve, që humbasin jetën në përmbushje të detyrës, gjatë fluturimit”, të ndryshuar.

6. Masa individuale e kompensimeve të parashikuara në këtë vendim do të përfitohet deri në plotësimin e vlerës së të ardhurave të parashikuar në pikat 1, 2, 3, 4 dhe 5 të këtij vendimi.

Për të gjitha rastet që kompensimi i parashikuar sjell si pasojë tejkalimin e vlerës së të ardhurave sipas pikave 1, 2, 3, 4 dhe 5 të këtij vendimi, masa individuale e kompensimit do të llogaritet si diferencë e të ardhurave të parashikuara në pikat 1, 2, 3, 4 dhe 5 të këtij vendimi, me shumën e të ardhurave mujore të përfituesve, sipas përcaktimeve në këtë vendim.

7. Në kuptim të këtij vendimi, të ardhurat mujore të përfituesve të pensioneve, sipas pikave 1, 2, 3, 4 dhe 5 të këtij vendimi, përfshijnë:

a) masën e pensionit;

b) shtesën mbi pensionin e posaçëm shtetëror, të parashikuar në nenin 5, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

c) shtesën mbi pensionin e pleqërisë të caktuar sipas nenit 33, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

ç) trajtimet e veçanta financiare, sipas neneve 5/1/a, 5/1/b, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

d) përfitimet sipas dekretit nr.758, datë 1.2.1994, “Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut”, të miratuar me ligjin nr.7799, datë 24.2.1994, të Kuvendit Popullor, dhe ligjit nr.8097, datë 21.3.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar, ligjit nr.10139, datë 15.5.2009, “Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të universiteteve, të shkollave të larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë tituj shkencorë”, ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, ligjit nr.9128, datë 29.7.2003, “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues në pension”, të ndryshuar, ligjit nr.9361, datë 24.3.2005, “Për një trajtim të veçantë financiar të efektivave, oficerë dhe nënoficerë lundrues, të nëndetëseve dhe palombarëve të Forcave Detare, në pension”, ligjit nr.29/2019, “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”, ligjit nr.129/2021, “Për statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës””;

dh) kompensimet sipas vendimit nr.763, datë 27.11.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”, vendimit nr.401, datë 21.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”, vendimit nr.17, datë 20.1.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve të fshatit”, vendimit nr.415, datë 27.4.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për rritjen e pensioneve”, vendimit nr.474, datë 30.6.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për rritjen e pensioneve”.

8. Kompensimi shtesë për të ardhurat mujore, sipas këtij vendimi, u jepet edhe personave që do t’u caktohet pension nga data 1.1.2026 e në vazhdim, të cilët kanë datë lindjeje të së drejtës për pension deri në datën 31.12.2025, përfshirë edhe këtë datë, me kusht që masa e pensionit dhe përfitimet e përmendura në shkronjat “b”, “c”, “ ç”, “d” dhe “dh”, të pikës 7, të këtij vendimi, në datën 31.12.2025 të mos kalojnë të ardhurat e parashikuara në pikat 1, 2, 3, 4 dhe 5 të këtij vendimi.

9. Kompensimi shtesë për të ardhurat mujore, sipas këtij vendimi, u jepet edhe personave që do t’u caktohet pension nga data 1.1.2026 e në vazhdim, me kusht që data e lindjes së të drejtës për pension të jetë deri në datën 31.12.2026, përfshirë edhe këtë datë, me kusht që masa e pensionit dhe përfitimet e përmendura në shkronjat “b”, “c”, “ ç” “d” dhe “dh”, të pikës 7, të këtij vendimi, në datën e lindjes së të drejtës për pension të mos kalojnë të ardhurat e parashikuara në pikat 1, 2, 3, 4 dhe 5 të këtij vendimi. Personave, që do u caktohet pension me datë lindjeje të së drejtës nga data 1.1.2027 e në vazhdim, nuk janë subjekte përfituese sipas këtij vendimi.

10. Kompensimet e përfituara sipas këtij vendimi nuk do të jenë objekt ndryshimi, në rastet e indeksimit të pensioneve me vendime të Këshillit të Ministrave.

11. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi llogariten në shumën 9 800 960 000 (nëntë miliardë e tetëqind milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë, të cilat ndahen:

a) 9 728 460 000 (nëntë miliardë e shtatëqind e njëzet e tetë milionë e katërqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë, për mbulimin e pagesave të kompensimit të të ardhurave mujore të pensionistëve;

b) 72 500 000 (shtatëdhjetë e dy milionë e pesëqind mijë) lekë shpenzime administrative për procedurat teknike të zbatimit të këtij vendimi dhe për pagesën e komisioneve të shërbimit të pagesave të pensioneve nga Posta Shqiptare, sh.a., dhe bankat e nivelit të dytë.

12. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, në shumën 9 800 960 000 (nëntë miliardë e tetëqind milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë, do të përballohen nga buxheti i shtetit, i planifikuar në buxhetin për sigurimet shoqërore, për vitin 2026.

13. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1.1.2026.

Bllokohet prej dy ditësh aksi Strugë-Qafë Thanë, paralizohet qarkullimi për festat e Vitit të Ri

By: A R
31 December 2025 at 16:36

Prej dy ditësh, qarkullimi në aksin rrugor Strugë-Qafë Thanë është plotësisht i paralizuar, duke mos lejuar kalimin e asnjë mjeti në të dy drejtimet.

Shkak i bllokimit është rrëzimi i një autoboti të mbushur me gaz, ngjarje që ka detyruar autoritetet policore të Maqedonisë së Veriut të ndalojnë totalisht lëvizjen, për të shmangur rreziqe serioze për sigurinë e mjeteve dhe qytetarëve, shkruan A2.

Gjatë ditës së sotme është ndërhyrë me mjete të rënda dhe vinç, me qëllim largimin e autobotit nga rruga, por përpjekjet nuk kanë dhënë rezultat.

Sipas burimeve zyrtare, puna pritet të vijojë edhe ditën e nesërme, ndërsa nuk ka ende një afat të qartë nëse rruga do të hapet më 1 janar apo jo.

Bllokimi ka sjellë pasoja të edhe në pikat doganore, duke ndalur totalisht punën në të dyja palët, si në hyrje ashtu edhe në dalje.

Situata ka penguar gjithashtu qindra shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, të cilët kishin planifikuar të vinin në Shqipëri për të festuar ndërrimin e viteve, pavarësisht interesit të lartë për festat.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin këtë aks rrugor dhe të ndjekin njoftimet zyrtare për çdo zhvillim të ri.

Duhet theksuar se çdo ditë në këtë pikë kalimi kufitar në periudhë festash hyjnë dhe dalin më shumë se 6 mijë shtetas vendas dhe të huaj.

Bashkia Tiranë shtron drekë për fëmijët me aftësi ndryshe, Ristani: Dhurata më e bukur është të silleni mirë me njëri-tjetrin

By: A R
31 December 2025 at 15:52

Në prag të ndërrimit të viteve, kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës Anuela Ristani shtroi drekë me fëmijët me aftësi ndryshe dhe prindërit e tyre që frekuentojnë çdo ditë qendrat sociale.

Ristani përcolli edhe një falënderim special për stafin mësimor për punën e bërë gjatë gjithë vitit. Ajo bëri edhe një apel për fëmijët për të qenë sa më shembullorë në sjellje, me urimin për një vit të ri sa më të bukur bashkë me familjarët e tyre.

I urojmë të gjithë zyshave, gëzuar vitin e ri. Shumë faleminderit për punën tuaj. Pëveç zyshave, një falënderim special për të gjithë mamat që i shoqërojnë. Të gjithë ata të shtëpisë, që ju duan kaq shumë sa zyshat këtu dhe mezi presin që ju të kënaqeni këtu.  Nëse ju kënaqeni këtu, dhe silleni mirë, dhe i doni njëri – tjetrin dhe zyshat, dhe ata janë shumë të lumtur. Kjo është dhurata më e bukur që mund t’i bëni për vit të ri. Unë dua që të gjithë të kaloni një vit të bukur. Gëzoni shumë me familjet tuaja”,  tha në fjalën e saj Ristani.

Ditët e festave/ Autoriteti Rrugor, plan masash në të gjithë vendin për sigurinë në rrugë

By: Os De
31 December 2025 at 14:53

Në prag të ndërrimit të viteve, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka ndërmarrë një plan masash në të gjithë vendin për të garantuar sigurinë dhe qarkullimin normal në akset rrugore.

Drejtori i Përgjithshëm i ARRSH-së, Ami Kozeli, u shpreh se dita e fundit e vitit shoqërohet çdo vit me një fluks të shtuar të automjeteve në të gjitha rrugët e vendit. Sipas tij, autoritetet janë të përgatitura për të përballuar situatën.

““Sot është dita e fundit e vitit, ashtu si çdo vit. Pritet një fluks i shtuar i automjeteve në të gjitha akset e Shqipërisë. ARRSH, së bashku me të gjitha ekipet nënkontraktore, është në gatishmëri të plotë dhe ka marrë të gjitha masat për të siguruar një qarkullim të vazhdueshëm në të gjitha akset rrugore në mbarë Shqipërinë. ARRSH ka marrë masat, ku do jenë në gatishmëri 130 borëpastruese dhe 577 mjete të tjera dhe 800 punonjës, që do jenë në gatishmëri 24 orë”, deklaroi Kozeli.

Autoriteti Rrugor u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të pajisen me goma dimërore, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë udhëtimeve festive.

“Shqipëria dëshmoi vullnet për të ecur përpara”/ Begaj uron qytetarët: 2026-ta duhet të jetë viti i përpjekjeve të përbashkëta

By: Os De
31 December 2025 at 12:56

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar qytetarët shqiptarë për Vitin e Ri 2026, duke sjellë në kujtesë rëndësinë e familjes, bashkëpunimit dhe përgjegjësisë qytetare. 

Në mesazhin e tij, Presidenti Begaj nënvizoi se nata e ndërrimit të viteve është koha e reflektimeve dhe e shpresave për vitin e ri. Ai bëri thirrje për kujdes ndaj brezat e rinj, duke e quajtur investimin te fëmijët dhe të rinjtë si gur themeli për një Shqipëri evropiane. 

Ai theksoi gjithashtu se viti 2025 ishte një vit sfidash dhe përpjekjesh, duke përmendur progresin në forcimin e shtetit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe përparimet në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. 

Presidenti Begaj uroi bashkëpunim dhe bashkërendim për të arritur qëllimet e interesave mbarëkombëtare dhe për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të begatë. Ai dërgoi urime të veçanta për shqiptarët kudo që ndodhen, për mjekët, infermierët, punonjësit e rendit, zjarrfikësit dhe gazetarët që janë larg familjeve gjatë natës festive. 

Mesazhi i tij përfundoi me dëshirën për shëndet, gëzime, mbarësi dhe më shumë besim dhe mirëkuptim mes shqiptarëve, duke theksuar se e ardhmja e vendit ndërtohet me punë, solidaritet dhe përgjegjësi qytetare. 

Mesazhi i plotë:  

Sonte, teksa jeni mbledhur rreth tryezës festive me familjen dhe njerëzit tuaj të dashur, dëshiroj t’ju marr vetëm pak çaste për t’ju uruar përzemërsisht Vitin e Ri!
Nata e ndërrimit të viteve është koha e reflektimeve, momenti kur ndalemi për të parë çfarë lamë pas dhe për të projektuar shpresat tona për motmotin e ri. Kjo është, mbi të gjitha, festa e familjes. Vlerat që rriten brenda saj janë pikërisht ato që i japin forcë dhe qëndrueshmëri mbarë shoqërisë sonë.
Kujdesi për brezin e ri nuk është thjesht një ndjenjë, por një zgjedhje e mençur për të ardhmen. Investimi te fëmijët dhe të rinjtë tanë është gur themeli i Shqipërisë evropiane që aspirojmë.
Shqiptarët kanë treguar se dija, përkushtimi dhe puna e ndershme janë forca jonë më e madhe. Kemi dëshmuar arritje. Pas çdo suksesi, ka
punë e sakrifica familjare që dëshmojnë se e ardhmja nuk ndërtohet me fjalë të mëdha, por me angazhim të përditshëm. 

Të dashur shqiptarë,
Puna juaj e ndershme, angazhimi dhe suksesi juaj forcojnë besimin dhe shpresën tek e ardhmja. 

Motra dhe vëllezër,
Viti që po mbyllet ishte një vit përpjekjesh dhe sfidash, ku Shqipëria dëshmoi sërish vullnetin për të ecur përpara. Kemi ende punë për të ngushtuar pabarazitë dhe për të forcuar besimin tek institucionet. Forcuam rolin tonë ndërkombëtar dhe hodhëm hapa konkretë drejt Bashkimit Evropian. Kemi shënuar progres në forcimin e shtetit të së drejtës, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në pavarësinë e sistemit të drejtësisë.
Të inkurajuar nga sukseset dhe të përulur nga mosarritjet, viti 2026 duhet të jetë viti i një përpjekjeje të përbashkët për ta kthyer standardin evropian në një realitet të prekshëm në jetën e çdo familjeje shqiptare.
Interesi kombëtar dhe dialogu duhet të udhëheqin veprimet tona për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të begatë, sepse ajo që na bashkon është më e fortë se çdo interes që na ndan.
Ndaj, në vigjilje të Vitit të Ri 2026, urimi im i parë është për bashkëpunim dhe bashkërendim rreth qëllimeve e interesave mbarëkombëtare!
Përshëndetjet më të ngrohta dhe urimet më të mira kam sot për  shqiptarët kudo ndodhen në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Luginën e Preshevës, arbëreshët dhe Diasporën tonë! Ju jeni pjesë e pandarë e këtij kombi dhe energji vitale për të ardhmen tonë të përbashkët.
Një urim të veçantë kam sonte për të gjithë mjekët, infermierët, pjesëtarët e Forcave të Armatosura, punonjësit e rendit, zjarrfikësit dhe gazetarët, si dhe të gjithë ata që sot janë në krye të detyrës dhe larg familjeve të tyre!
Mendimi ynë shkon edhe për ata që këtë natë e kalojnë në spitale apo në kushte të vështira, larg ngrohtësisë së shtëpisë.
Çdo familje shqiptare, nga fëmijët, te gjyshërit, pastë shëndet, gëzime dhe mbarësi!
Mbi të gjitha, uroj për Vitin e Ri 2026 më shumë besim te njëri-tjetri dhe më shumë mirëkuptim, sepse Shqipëria është shtëpia jonë e përbashkët, përgjegjësia jonë e përditshme dhe e nesërmja që ndërtojmë bashkërisht!
Me përulësi për sfidat që kemi përpara, me besimin te vlerat e punës, solidaritetit dhe përgjegjësisë qytetare, dhe me vendosmëri për të  ndërtuar të ardhmen tonë evropiane, ju uroj nga zemra: Gëzuar Vitin e Ri 2026!
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët!
Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!
Gëzuar! 

 

Urgjenca Kombëtare për festa, Brataj: Masa dhe ekipe të shtuara, kujdes me alkoolin dhe fishekzjarrët

By: Os De
31 December 2025 at 12:20

Qytetarët po bëhen gati për natën e ndërrimit të viteve, ndërsa spitalet dhe shërbimi i urgjencës ka gati planin për çdo situatë dhe emergjencë në ditët e festave. Kreu i urgjencës kombëtare, Skënder Brataj tregon për masat e shtuara të ekipeve të urgjencës ku grupe të posaçme do të ketë edhe pranë shesheve festive natën e vitit të ri. 

“Janë forcuar ekipet, janë shtuar, janë shtuar materialet, janë shtuar medikamentet dhe sigurisht ne si urgjencë kemi dhe detyrë për gjithë sheshet e qyteteve që kanë festën, që shtojmë nga një ekip shtesë vetëm për sheshet ku do të bëhen këto koncerte dhe sidomos ai ndërrimi i viteve në orën 12:00 që është pak kritik edhe për ne veç faktit që njerëzit fatmirësisht dalin në shesh dhe festojnë edhe me nga një shishe shampanjë, por dalin dhe me fishekzjarrë dhe me kapsolla, gjë që mund të shkaktojë dhe aksidente”, thotë Brataj për A2 CNN. “Kështu që janë marrë të gjitha këto masa. Është vënë dhe një listë gatishmërie për personel shtesë në rast se do të ketë nevojë”. 

Nëse vendosni të konsumoni alkool me miqtë apo me familjarët, mos merrni më pas drejtimin e makinës.  Brataj këshillon veçanërisht të rinjtë të bëjnë kujdes që ditët e festave mos kthehen në tragjedi. “Duhet të mendojmë përballë ke një prind, ke një fëmijë apo ke një të ri që po udhëton dhe gjendet në aksident duke humbur jetën për fajin tonë. Kështu që në qoftë se pi mos përdor makinën ose një nga kolegët apo nga shokët të mos pijë, të përdorë pije freskuese ose qëndro aty ku e ke organizuar ose përdor mjete të tjera, taksi apo në çfarëdolloj qoftë ajo”, thotë Brataj. 

Referuar urgjencave dhe situatave vitet e kaluara, kreu i urgjencës kombëtare një mesazh të veçantë e ka edhe për prindërit. Bëni kujdes nga fishekzjarrët dhe mos i lini në duart e fëmijëve. “Mos e lër fëmijën vetëm me asnjë mjet piroteknik. Gjatë ndezjes duhet të jenë të rriturit që t’i shoqërojnë dhe drejtimi duhet të jetë drejt qiellit, sepse mund të shkojë te dritarja ose ballkoni përballë te komshiu. Mos u bëj kureshtar në qoftë se u ndez apo s’u ndez mos e drejto asnjëherë nga fytyra sepse aksidentet më të zakonshme janë këto: djegiet, qorrimi, deri në humbjen e komplet të shikimit, djegiet e gjymtyrëve në duart që ato i mbajnë, plagë të ndryshme nga shpërthimi i tyre”. 

Djegiet nga fishekzjarrët dhe traumat nga aksidentet në rrugë janë urgjencat që ndodhin më shpesh në natën e ndërrimit të viteve ndërsa në shërbimin e toksikologjisë fluksi i urgjencave nga përdorimi i pijeve alkoolike të përziera shpesh me substanca narkotike ndihet në ditët e para të Vitit të Ri. 

 

10:40 Mbi 13 mijë familje do të përfitojnë kompensimin financiar për pronat e tyre

By: Klara
31 December 2025 at 10:40

Mbi 13 mijë familje shqiptare do të marrin sot dhe në ditët e ardhshme kompensimin financiar për pronat e tyre nga Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP). Lajmin e ka bërë të ditur Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, përmes një video-mesazhi.

Ministri Lamallari shpjegon se fondi prej rreth 1.4 miliardë lekësh do të transferohet në llogaritë bankare të pronarëve. Ky është pjesa e mbetur prej 30% e kompensimit që u takonte subjekteve, duke e plotësuar shlyerjen përfundimtare si pronarë.

Ai thekson se ka kërkuar nga ATP-ja që procesi të kryhet me shpejtësi, transparencë dhe respekt rigoroz të ligjit, duke përmbushur detyrimin ndaj pronarëve dhe duke e avancuar standardin evropian për një shtet të së drejtës, ku prona dhe të drejtat themelore janë të garantuara.

Në fjalën e tij, Lamallari shprehet:
“Ky është një tjetër lajm i mirë për shumë familje që përfitojnë sipas ligjit kompensimin financiar nga shteti. Shteti shqiptar shlyen tani plotësisht të drejtën që u takon. Me fondin prej rreth 1.4 miliardë lekësh, mbi 13 mijë familje do të përfitojnë drejtpërdrejt. Ky nuk është vetëm një akt financiar, por një akt drejtësie dhe respekti për pronën, ligjin dhe qytetarin.”

Lamallari shton se kompensimi i sotëm për këto familje konsiderohet i kryer plotësisht dhe shënon mbylljen e një kapitulli të vjetër. Ai garanton se procesi i kompensimit për të gjithë pronarët do të vazhdojë, në përputhje me ligjin dhe me synimin për t’u përafruar me standardet evropiane.

Ministri përfundon duke theksuar rëndësinë e këtij procesi si pjesë të përparimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe si përmbushje e zotimit të qeverisë ndaj të drejtave ligjore të qytetarëve./KM

10:20 Nata e ndërrimit të viteve, ja cilat janë vendet që do të mirëpresin të parat 2026-ën

By: Klara
31 December 2025 at 10:20

Ndërsa bota përgatitet të festojë hyrjen e vitit 2026, disa vende në Paqësor do të jenë të parat që do ta përjetojnë momentin festiv të mesnatës.

Ishulli Kiritimati në Kiribati, i vendosur në zonën kohore më përparimtare në botë (ora 11 me orën shqiptare), do të jetë vendi i parë i banuar që do të hyjë në 1 janar 2026, me festa që fillojnë sapo ora të shënojë mesnatën lokale.

Pas Kiribati, Chatham Islands të Zelandës së Re do të bëjnë festimet e tyre pak minuta më vonë, falë një zone kohore +13:45 orë. Ndjekin më pas Zelanda e Re, Samoa dhe Tonga, duke nisur një valë festivalesh që do të lëvizë gradualisht drejt perëndimit.

Në vendet si Fiji dhe pjesë të Australisë lindore, atmosfera e festës zakonisht kulmon me fishekzjarrë dhe mbledhje familjare ndërsa ora shënon mesnatën e parë për shumë prej qyteteve të mëdha në Paqësor./KM

09:30 Kukësi zbardhet nga dëbora, temperaturat shkojnë nën minus 16 gradë/ Autoritetet bëjnë thirrje: Përdorni goma dimërore dhe zinxhirë

By: Klara
31 December 2025 at 09:30

Në ditën e fundit të vitit 2025, bora ka zbardhur fshatrat e zonave të thella të Kukësit. Reshjet e dëborës kanë përfshirë disa fshatra në njësitë administrative si Gryk-Çajë, Kalis, Bicaj, Topojan, Zapod dhe Shishtavec.

Fatmirësisht, bora nuk ka sjellë probleme me bllokimin e rrugëve në këto zona, pasi trashësia e saj ka qenë e vogël dhe e papërfillshme. Megjithatë, temperaturat e ulëta kanë ndikuar ndjeshëm në të gjithë qarkun.

Qarku i Kukësit është zgjuar këtë mëngjes i ngrirë, me temperatura që kanë zbritur deri në minus 3 gradë Celsius, ndërsa në zonat e thella malore termometri ka shënuar vlera ekstreme, duke arritur deri në minus 16 gradë Celsius. Këto temperatura kanë shkaktuar akull dhe ngrica në rrugë.

Drejtuesit e mjeteve duhet të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në rrugët rurale, pasi shtresa e hollë e borës ka mbuluar akullin e formuar mbi asfalt, duke e bërë qarkullimin të rrezikshëm.

Ndërkohë, në disa fshatra të njësive administrative të përmendura, banorët shprehen se dimrat në këto zona janë tradicionalisht shumë të ftohtë, por vitet e fundit moti dimëror nuk ka qenë aq i ashpër dhe reshjet e dëborës kanë qenë më të pakta.

Sa i përket akseve nacionale, në rrugët Kukës–Shishtavec, Kukës–Bushtricë, Kukës–Qafë Mali, Kukës–Krumë–Kamn–Tropojë, Tropojë–Qafë Morinë dhe Tropojë–Fierzë–Qafë Mali, është konstatuar prezencë e akullit dhe borës. Mjetet që lëvizin në këto segmente duhet të jenë të pajisura me goma dimërore ose zinxhirë.

Ndërkohë, firmat kontraktore janë në terren gjatë gjithë kohës, duke punuar për hedhjen e kripës dhe mbajtjen e rrugëve të hapura dhe të sigurta për qarkullim.KM

Yesterday — 30 December 2025Main stream

Miratohet krijimi i bazës së të dhënave të Sistemit të Menaxhimit të Informacionit të Arsimit të Lartë

30 December 2025 at 22:12

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot krijimin e bazës së të dhënave shtetërore të Sistemit të Menaxhimit të Informacionit të Arsimit të Lartë (SMIAL).

Sipas vendimit të miratuar në mbledhjen e sotme të qeverisë institucioni administrues i bazës së të dhënave shtetërore SMIAL është Qendra e Shërbimeve Arsimore.

Të dhënat e bazës shtetërore ndahen në të dhëna parësore dhe dytësore. Ndërkohë që të dhënat parësore të SMIAL-it konsiderohen të dhënat e mbledhura nga Qendra e Shërbimeve Arsimore.

Të dhënat dytësore të SMIAL-it konsiderohen të dhënat që merren nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile, Regjistri Elektronik Kombëtar për të Huajt në Republikën e Shqipërisë, Regjistri Tregtar dhe nga Sistemi i Tatimit Elektronik.

Sistemi SMIAL ndërvepron me bazën e të dhënave shtetërore të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile; Sistemin e Provimit të Shtetit dhe provimeve të tjera të digjitalizuara; Regjistrin Elektronik Kombëtar për të Huajt në Republikën e Shqipërisë; Regjistrin Tregtar dhe Sistemin e Tatimit Elektronik.
Institucioni administrues siguron që përpunimi i të dhënave personale në SMIAL të kryhet në përputhje me parimet dhe kërkesat e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale, duke garantuar ligjshmërinë, drejtësinë, transparencën, minimizimin e të dhënave, saktësinë dhe ruajtjen e tyre, vetëm për periudhën e nevojshme për të përmbushur qëllimin e grumbullimit.
Pas përfundimit të afatit të përcaktuar të ruajtjes, të dhënat personale fshihen ose anonimizohen, sipas procedurave të miratuara nga institucioni administrues, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Organizimi e funksionimi i brendshëm i sistemit dhe i bazës së të dhënave të SMIAL-it përcaktohen e miratohen me rregullore të brendshme të institucionit administrues, në përputhje me parashikimet e ligjit “Për bazën e të dhënave shtetërore”.
Palët zbatojnë masat e duhura teknike dhe organizative për të siguruar një nivel sigurie të përshtatshëm ndaj rrezikut, për çdo veprim në regjistër lidhur me aksesin, ndryshimin, korrigjimin, përhapjen e të dhënave personale, me qëllim garantimin e gjurmueshmërisë, konfidencialitetit, integritetit, disponueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e sistemeve e të shërbimeve të përpunimit.
Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Arsimit, Qendra e Shërbimeve Arsimore, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë dhe institucionet e arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
/k.s/r.e/a.f/

The post Miratohet krijimi i bazës së të dhënave të Sistemit të Menaxhimit të Informacionit të Arsimit të Lartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rindërtimi i banesave të dëmtuara nga tërmeti, qeveria akordon 540 milionë lekë, përfitojnë qytetet si..

By: Os De
30 December 2025 at 22:56

Këshilli i Ministrave ka miratuar dy vendime të rëndësishme që zhbllokojnë një fond total prej rreth 540 milionë lekësh (pa TVSH) për financimin e rindërtimit të banesave individuale.

Sipas vendimeve të zbardhura, fondet do të përdoren për ata qytetarë shtëpitë e të cilëve janë klasifikuar me aktekspertizë të thelluar si objekte që duhen rindërtuar nga e para.

501 milionë lekë për 4 bashki

Qeveria ka bërë një shtesë në vendimin e datës 26.12.2024, duke alokuar një fond prej 501,942,235 lekësh për vitin 2025. Këto para do të transferohen në formën e transfertës së pakushtëzuar për katër bashki kryesore, me qëllim dhënien e granteve për qytetarët.

Ndarja e fondit sipas bashkive është si më poshtë:

Bashkia Krujë: 177.8 milionë lekë (Përfituesja më e madhe).

Bashkia Vorë: 140.8 milionë lekë.

Bashkia Durrës: 136.6 milionë lekë.

Bashkia Shijak: 46.7 milionë lekë.

Financim shtesë për Shijakun

Përveç fondit të mësipërm, Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të veçantë vetëm për Bashkinë e Shijakut. Kësaj bashkie i është akorduar një fond shtesë prej 37,228,725 lekësh (pa TVSH).

Kjo do të thotë se në total, Bashkia e Shijakut do të përfitojë rreth 84 milionë lekë nga këto dy vendime për të vijuar me ndërtimin e shtëpive individuale për familjet e prekura.

Të dyja vendimet hyjnë në fuqi menjëherë dhe efektet financiare do të përballohen nga zëri “Fondi i Rindërtimit” në Buxhetin e vitit 2025.

Ministria e Financave dhe ajo e Infrastrukturës janë ngarkuar për ekzekutimin e shpejtë të këtyre transfertave.

Qeveria vendos: 4595 punonjës të sistemit të burgjeve përfitojnë sigurimin e jetës dhe shëndetit për tre vite

By: Os De
30 December 2025 at 22:22

Qeveria ka arritur të bëjë të mundur të garantojë policë sigurimi për 4595 punonjës të sistemit të burgjeve për tre vite. 

Kjo mbështetje garanton mbrojtje shëndetësore dhe financiare për punonjësit dhe familjet e tyre. 

Gjithashtu, në prag të festave të fundvitit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin e saj për përkushtimin, profesionalizmin dhe sakrificën e përditshme të të gjithë punonjësve të Sistemit Penitenciar. 

❌
❌