Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 January 2026Main stream

I ra bombola e gazit lotsjellës në kokë - momenti kur Lapaj mbërrin në Spitalin e Traumas

5 January 2026 at 08:29


Forcat e policisë kanë ndërhyrë në orët e vona të mbrëmjes së të dielës për të larguar me forcë aktivistët e “Shqipëria Bëhet” nga vendi ku prej rreth një muaji po zhvillonin protestën, para godinës së Kryeministrisë.

Policia ka marrë me automjet karriget, batanijet dhe disa soba më gaz të cilat shërbenin për t’u ngrohur aktivistët, të cilët qëndronin para godinës së Kryeministrisë.

Gjatë ndërhyrjes është lënduar edhe kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj. Dyshohet se Lapajt është lënduar në kokë nga një prej bombolave të gazit gjatë aksionit të policisë.

Aktivistët dhe policia kanë njoftuar ambulancën, e cila e ka transportuar atë me urgjencë në spital për të marrë ndihmën e parë.

Aktivistë të Shqipëria Bëhet thanë se disa protestues që ishin para kryeministrisë janë shoqëruar nga policia. Mes aktivistëve dhe policisë ka pasur shpesh herë përplasje lidhur me vendosjen e çadrave dhe sendeve të tjera në sheshin kryesor para godinës qeveritare. Disa herë policia ka hequr nga sheshi çadrat dhe gjeneratorët që përdoreshin për energji dhe ngrohje nga protestuesit.

Që prej datës 8 dhjetor, “Shqipëria Bëhet” kishte nisur një protestë pa ndërprerje para godinës së Kryeministrisë.

Paraditen e së dielës, “Shqipëria bëhet” zhvilloi tubimin e radhës ku nuk munguan tensionet dhe përplasjes me forcat e rendit./euronews/


Përditësohen të dhënat në kufi - deri në 3 orë pritje në Merdar

5 January 2026 at 08:12


E plotësuar: Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka përditësuar të dhënat mbi fluksin në pikat e kalimit kufitar, ku vërehen pritje të gjata për automjetet në disa prej tyre.

Sipas raportit të orës 08:29: pritjet më të mëdha janë regjistruar në pikën kufitare Merdar ku koha e pritjes për dalje arrin deri në 3 orë, ndërsa kolona e automjeteve shkon deri në 3500 metra.

Situatë e ngarkuar paraqitet edhe në Dheun e Bardhë, me pritje deri në 120 minuta dhe kolonë rreth 800 metra në dalje.

Në pikën kufitare Jarinjë, automjetet po përballen me pritje rreth 60 minuta, ndërsa në Mutivodë pritjet arrijnë deri në 40 minuta, me kolona të konsiderueshme në dalje.

Në pikat e tjera kufitare si Bërnjak, Hani i Elezit, Glloboçicë, Qafë e Morinës dhe Qafë e Prushit, qarkullimi po zhvillohet pa vonesa të mëdha dhe pa kolona të gjata.



------

Kolona kilometrike në dalje nga Merdara dhe Dheu i Bardhë, pritjet deri në dy orë

Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, udhëtarët që dalin nga Kosova përballen me vonesa të konsiderueshme në disa pika kufitare.

Më e rënduar situata paraqitet në pikën kufitare të Merdarës, ku pritjet për të dalë nga kjo pikë arrijnë deri në dy orë.

Në këtë pikë, kolona e automjeteve gjatë daljes arrin deri në 1000 metra, duke shkaktuar vonesa të zgjatura për ata që udhëtojnë jashtë vendit.

Edhe në pikën kufitare të Dheu i Bardhë, kolona në dalje arrin rreth 800 metra me pritje deri në dy orë.

Në pjesën tjetër të pikave kufitare, pritjet dhe kolonat në dalje janë më të shkurtra.

Autoritetet apelojnë për durim dhe mirëkuptim nga udhëtarët dhe rekomandojnë planifikimin e kohës për lëvizje për shkak të këtyre pritjeve. /Telegrafi/

Kujdes nga shtrëngatat dhe era e fortë këtë të hënë në Shqipëri

5 January 2026 at 07:56


Ditën e hënë, vendi ynë do të përballet me kushte atmosferike të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me vranësira mesatare dhe të dendura, të shoqëruara me reshje shiu të herëpashershme dhe lokalisht të vazhdueshme me intensitet nga i ulët deri në mesatar në pjesën më të madhe të territorit.

Në zonën e veriperëndimit, veçanërisht në qarkun e Shkodrës, reshjet priten të jenë me intensitet mesatar deri të lartë deri në orët e mesditës, në formën e shtrëngatave me shkarkesa elektrike. Nga pasdita deri në mbrëmje në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje të shiut me intensitet të lartë, të shoqëruara me shtrëngata dhe rrebeshe.

Në zonat malore, mbi 1500 metra lartësi, sidomos në Alpe dhe në verilindje, priten reshje dëbore me intensitet nga i ulët deri në mesatar.

Era do të fryjë nga drejtimi i jugut me shpejtësi rreth 12 metra për sekondë, ndërsa në zonat luginore dhe bregdet, sidomos në jug, era pritet të arrijë shpejtësi deri në 24 metra për sekondë.

Deti do të jetë me valëzim të forcës 4-6 ballë. /Telegrafi/

Aksidentohet vetura e policisë dhe një taksi në Prishtinë, katër persona të lënduar

5 January 2026 at 07:35


Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur pak pas mesnatës në Prishtinë, tek udhëkryqi i konvikteve,

Në këtë aksident janë përfshirë një veturë e Policisë së Kosovës dhe një veturë taksi.

Në pamjet e publikuara nga vendi i ngjarjes, shihet se të dyja veturat kanë pësuar dëme të mëdha materiale.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për kryeqytetin, Enis Pllana.

Pllana bëri të ditur se katër persona janë lënduar.

“Rreth orës 00:00 kemi pranuar informatën për një aksident trafiku melëndime në rrugën “Xhevë Lladrovci në Prishtinë. Në aksident janmë përfshirë dy vetura, si pasojë lëndime kanë pësuar katër persona, të cilët kanë pranuar tretman mjekësor”, ka thënë Pllana.

Ai ka shtuar se me rastin po merret trafiku i kryeqytetit. /Telegrafi/

Edhe 25 kuti pa numëruar – LVV prin me mbi 72% të votave me postë

5 January 2026 at 07:23


Në Qendrën e Numërimit të Rezultateve janë numëruar 72.83 për qind e votave me postë. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri më tani janë numëruar 67 nga gjithsej 92 kuti të votimit me postë.

Nga rezultatet preliminare, prin Lëvizja Vetëvendosje me 72.56 për qind të votave, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 10.62 për qind dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 8.19 për qind. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 4.73 për qind të votave.

Ndryshe sipas një njoftimi nga KQZ, nga fillimi i procesit të numërimit (e shtunë, 3 janar, ora 16:00) e deri të dielën në orën 16:00, ishin numëruar 41 nga gjithsej 92 kuti të votimit me postë, brenda të cilave ndodhen pakot me fletëvotime që deri tani janë sjellë në Kosovë.

Fletëvotimet e numëruara u takojnë komunave: Deçan (4 kuti), Gjakovë (6), Gllogoc (2), Gjilan (7), Dragash (1), Istog (4), Kaçanik (2), Klinë (2), Fushë Kosovë (2), Kamenicë (3), Mitrovicë e Jugut (4), Lipjan (2) dhe Rahovec (2).

Ndërkohë, në platformën elektronike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të dhënat për rezultatet e votimit me postë po përditësohen vazhdimisht.

Procesi i numërimit të votave me postë po vazhdon, ndërsa rezultatet mbeten preliminare deri në përfundimin e plotë të numërimit dhe certifikimin zyrtar nga KQZ. /Telegrafi/

Java sjell vranësira, reshje dhe ulje të temperaturave

5 January 2026 at 07:12


Kjo javë nis me mot kryesisht të vranët, i shoqëruar herë pas here me riga shiu dhe fjolla bore.

Vranësirat do të jenë prezente gjatë gjithë javës, ndërsa reshjet do të jenë më të theksuara në disa zona.

Temperaturat minimale dhe maksimale do të mbeten mbi vlerat zero deri të mërkurën, me përjashtim të viseve malore, ku mund të paraqiten ngrica të dobëta.

Nga e enjtja pritet një rënie e ndjeshme e temperaturave, të cilat do të zbresin dukshëm nën zero.

Era do të fryjë nga drejtime të ndryshme, me intensitet mesatar, ndërsa lokalisht mund të jetë e fortë.

E hënë - Moti do të jetë kryesisht i vranët, me riga shiu. Temperaturat minimale 1–3° kurse ajo maksimale 7–10°C.

Era do fryej kryesisht nga jugperëndimi, me shpejtësi 1–6 m/s/. /Telegrafi/

Yesterday — 4 January 2026Main stream

Përditësohen rezultatet nga numërimi i mbi 40% të votave me postë

4 January 2026 at 15:39


Procesi i numërimit të votave me postë për zgjedhjet parlamentare të Kosovës 2025 vazhdon në Qendrën e Numërimit të Votave. Deri tani janë numëruar 40.22% e votave të dërguara me postë.

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të udhëheqë me një përqindje të lartë prej 71.15%, duke marrë gjithsej 7,361 vota.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) renditet e dyta me 10.43% (1,079 vota), ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ndodhet në vendin e tretë me 8.81% (911 vota).

Po ashtu, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka fituar 6.53% të votave (676 vota), dhe partitë më të vogla janë: Partia Liberale Egjiptiane (PLE) me 1.26% (130 vota) dhe PSA me 0.50% (52 vota).

Edhe pse numërimi është ende në proces, LVV po ruan një epërsi të dukshme.

Të dhënat mund të ndryshojnë ndërsa numërimi i votave vazhdon. /Telegrafi/

Shefja e stafit të Osmanit i reagon Vuçiqit: Anti-amerikan, mbron regjimin e Maduros

4 January 2026 at 15:23


Learta Hollaj, shefe e stafit të presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me situatën pas ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara në Venezuelë.

Në një postim në X, Hollaj e ka cilësuar zgjedhjen e Serbisë si “anti‑amerikane” dhe pro‑Maduro, duke nënkuptuar mbështetjen e Beogradit për regjimin e Nikola Maduro në Venezuelë, i cili nga SHBA dhe aleatët e saj akuzohet si regjimi i një narko‑terrorizmit.

“Anti‑Amerikan. Pro‑Maduro. Kjo është zgjedhja e Serbisë”, ka shkruar Hollaj

Hollaj ka komentuar gjithashtu deklaratën e Vuçiqit, i cili pas ndërhyrjes amerikane në Venezuelë tha se “ligji publik ndërkombëtar nuk ekziston më, dhe rendi i OKB‑së ekziston vetëm në letër”.

“Pas ndërhyrjes amerikane në Venezuelë, Vuçiq sulmon @realDonaldTrump‑in, duke pretenduar se “ligji ndërkombëtar publik nuk ekziston më, dhe rendi i OKB‑së ekziston vetëm në letër”, ndërkohë që mbron regjimin narko‑terrorist të Maduros”, u shpreh ajo. /Telegrafi/

Anti-American. Pro-Maduro. This is Serbia’s choice.

After the 🇺🇸 intervention in Venezuela, Vučić rails against @realDonaldTrump, claiming “International public law no longer exists, and the UN order exists only on paper”, while defending Maduro’s narco-terrorist regime. ⬇️
— Learta Hollaj (@LeartaHollaj) January 4, 2026

LVV reagon pas rezultateve: Vullneti i qytetarëve është i qartë - fitore plebishitare në 24 komuna

4 January 2026 at 15:08


Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar një reagim pas rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke e cilësuar fitoren elektorale si plebishitare dhe një reflektim të qartë të vullnetit politik të qytetarëve.

Në komunikatën e shpërndarë për media, LVV thekson se së bashku me partnerët e saj kanë rezultuar të parët në 24 komuna të Republikës së Kosovës, dhe në çdo komunë kanë shënuar rritje të votave krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Vullneti politik i qytetarëve është i qartë, fitorja elektorale është plebishitare, referendumi demokratik kaloi,” thuhet në reagim.

Lëvizja gjithashtu ka përmendur rezultate pozitive në votën nga mërgata, duke e konsideruar atë një fitore të jashtëzakonshme dhe shenjë të mbështetjes së gjerë që ka marrë.

“Fitore e jashtëzakonshme po shënohet edhe në votën nga mërgata,” ka thënë LVV.

Në përfundim të reagimit, Lëvizja Vetëvendosje i ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e tyre dhe i ka uruar për fitoren historike të arritur në zgjedhjet e fundit.

“Ju faleminderit për mbështetjen. Urime fitorja historike!", thuhet në reagimin e LVV-së./Telegrafi/

Osmani kujton Tahir Zemajn: Oficer profesionist, atdhetar i jashtëzakonshëm dhe bashkëpunëtor i Presidentit Rugova

4 January 2026 at 15:01


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot me respekt dhe nderim 23-vjetorin e vrasjes së ushtarakut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kolonel Tahir Zemaj, së bashku me të birin Enisin dhe kushëririn Hasanin.

Në një reagim publik, Presidentja Osmani e ka përshkruar kolonel Zemajn si një oficer profesionist, atdhetar i jashtëzakonshëm dhe luftëtar të lirisë, si dhe si një bashkëpunëtor të afërt të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova.

“Kolonel Zemaj ishte oficer profesionist, atdhetar i jashtëzakonshëm, luftëtar i lirisë dhe bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova,” ka thënë Presidentja Osmani.

Presidentja ka theksuar se vrasja e tij, bashkë me familjarët, mbetet plagë e hapur dhe kujtesë e dhimbshme për shoqërinë kosovare, duke rikujtuar se drejtësia për disa krime të mëdha ende pret të realizohet.

“Vrasja e tij mbetet plagë e hapur dhe kujtesë e dhimbshme se drejtësia për disa krime ende pret,” ka deklaruar Osmani.

Sipas Presidentes Osmani, kujtimi i kolonel Zemajt dhe familjarëve të tij është një obligim moral dhe institucional për të vërtetën, drejtësinë dhe për Kosovën që ata ëndërruan dhe luftuan.

“Kujtimi për kolonel Zemajn dhe familjarët e tij është obligim moral dhe institucional për të vërtetën, për drejtësinë dhe për Kosovën që ata ëndërruan e luftuan,” ka theksuar ajo.

Në përmbyllje të mesazhit të saj, Presidentja Osmani ka nderuar jetën dhe veprën e kolonel Tahir Zemajt, Enisit dhe Hasanit, duke shprehur respektin e thellë për kontributin e tyre në lirinë dhe të ardhmen e vendit.

“Lavdi jetës dhe veprës së kolonel Tahir Zemajt, Enisit dhe Hasanit!”

“Rezistencë deri në largimin e Ramës!” - këta janë dy emrat që propozon Lapaj për qeverinë tranzitore

4 January 2026 at 14:40


Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, deklaroi se nuk pret reflektim nga kryeministri Edi Rama, por synon ndërgjegjësimin e qytetarëve përmes protestës si formë rezistence deri në realizimin e së drejtës. Në një deklaratë për A2 CNN me gazetaren Fjorela Beleshi, Lapaj tha se protesta duhet të vazhdojë me dinjitet, duke kritikuar autoritetet për moslejimin e ngritjes së çadrave dhe duke e cilësuar këtë si mungesë njerëzillëku.

“Nuk pres asnjë reflektim nga Rama. Ajo që pres është të ndërgjegjësojmë njerëz duke u bërë shembull që protesta është rezistencë derisa realizohet e drejta. duhet të vendosen çadra se i merr era. Mua më vjen rëndë që na lënë me plastmas dhe jo me çadër. Kjo është mungesë e theksuar njerëzillëku”, u shpreh Lapaj për A2 CNN.

I pyetur sesi mund ta rrëzojnë kryeministrin Rama i cili ka 83 mandate, Lapaj u përgjigj se mandatet kanë vlerë vetëm kur mbështeten mbi moralin dhe besimin qytetar, ndërsa argumenti i shumicës parlamentare është i pavlefshëm nëse pushteti kapet në shkelje dhe korrupsion.

“Mandatet kanë vlerë kur kanë moral. Dyshoj se janë marrë nën mënyrë të drejtë nëse nuk justifikohen moralisht nuk kanë vlerë mandatet. Kanë fuqi sa qëndron morali. Faktet tregojnë që nuk ka moral se është kapur në flagrancë duke vjedhur në të gjitha nivelet. Argumenti i 83 mandatave është i pavlefshëm. Bëj një qeveri tranzitore, ngri të gjithë drejtorët që të mos japin lekë nga administrata për zgjedhjet”, vijoi Lapaj për A2 CNN.

Ai theksoi se prej vitit 2022 ka pasur përkeqësim të të drejtave të qytetarëve dhe se frika është e instaluar në shoqëri, ndaj protestat me thelb politik janë të domosdoshme.

“Nga 2022 ka një përkeqësim të të drejtave të qytetarëve dhe njerëzit tremben. Protesta që kanë thelb politik janë protesta që i trembin se lidhen me ekzistencën e pushtetit. Kjo është dëshmi e frikës së shoqërisë dhe numrat tanë kanë ardhur duke u rritur. Por edhe sikur një njeri të protestojë”, tha Lapaj, për A2 CNN.

Sipas tij, zgjidhja është krijimi i një qeverie tranzitore, ndalimi i presionit mbi administratën dhe bashkimi i qytetarëve përtej flamujve partiakë. Ai përmendi emrat e Përparim Kabos dhe Tritan Kalo për krijimin e qeverisë tranzitore.

“Nuk është koha të ngremë flamurin e partisë por të bashkohemi për flamurin e Shqipërisë. Asnjë parti politike nuk mund dot regjimin e Ramës. Duke qëndruar dhe ndërgjegjësuar qytetarët. Na bashkon sheshi për këdo që vjen me flamurin kombëtar. Berisha të hyjë në stinën e jetës dhe sheshet t’ia lërë djemve e vajzave të PD-së. Asnjë politikan nuk duhet të jetë në qeveri tranzitore. Përparim Kabo e Tritan Kalo të merrnin përgjegjësinë kombëtare në këtë fazë të rëndësishme”.

PZAP: 66 ankesa të paraqitura për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Vetëvendosje dhe LDK me numrin më të madh

4 January 2026 at 14:30


Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka njoftuar se për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvend të Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025, janë paraqitur 66 ankesa gjatë gjithë procesit zgjedhor.

Në një përgjigje për Telegrafin, PZAP ka bërë të ditur se subjektet politike që kanë paraqitur numrin më të madh të ankesave përfshijnë: Lëvizjen Vetëvendosje, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Listën Serbe, Kosovski Savez, Za Slobodu Pravdu i Opstanak dhe Lëvizjen Përparimtare të Romëve të Kosovës.

Sa i përket natyrës së ankesave, Paneli sqaron se ato lidhen kryesisht me çështje të ndryshme gjatë procesit zgjedhor.

“Sa i përket natyrës së ankesave, kanë të bëjnë kryesisht me vendosjen e materialit promovues në hapësirë publike, shfrytëzimin e resurseve publike të institucioneve, ndikimin në votues, si dhe kundërshtimin e vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ),” thuhet në përgjigjen e tyre.

PZAP ka theksuar se çdo ankesë trajtohet sipas rregullave dhe afateve të parapara me ligj, ndërsa vendimet e panelit synojnë të sigurojnë një proces zgjedhor të drejtë dhe transparent për të gjitha subjektet dhe qytetarët. /Telegrafi/

​Një person theret me thikë në Leposaviq, dy të dyshuar në arrati

4 January 2026 at 14:14


Një incident i rëndë ka ndodhur dje në Leposaviq, ku një person ka mbetur i lënduar si pasojë e therjes me thikë.

Sipas informacioneve nga Policia e Kosovës, viktima, ka kërkuar ndihmë mjekësore pasi dyshohet se është therur me thikë nga dy persona të dyshuar, gjithashtu meshkuj kosovarë.

Mjekët kanë bërë të ditur se viktima ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht gjenden në arrati, ndërsa rasti është duke u hetuar nga njësitë kompetente policore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e të dyshuarve./Telegrafi/

Protestuesit përplasen me policinë para Kryeministrisë, shtohen përforcimet në radhët e efektivëve

4 January 2026 at 13:44


Është përfshirë nga tensionet protesta e “Shqipëria Bëhet”, teksa efektivët e policisë së shtetit janë përleshur me protestuesit.

Ende nuk dihen arsyet e dhunës, por forca të shumta policia kanë shtyrë fizikisht protestuesit duke u përpjekur t’i largojnë.

Ndërkohë kreu i lëvizjes, Adriatik Lapaj është shprehur se efektivë të veshur civilë u kanë bërë foto protestuesve që më pas t’i arrestojnë.

“Ka civilë me xhup ‘Louis Vuitton’ që po u bëjnë foto qytetarëve për t’i arrestuar. Turp të keni, hajdutë. “Arrestoni mua, ja ku jam. Pse u bëni foto qytetarëve? Pse i frikësoni njerëzit?” tha Lapaj, përcjell A2 CNN.

Ndërkaq protestuesit kanë ngritur çadra në bulevard, përballë godinës së qeverisë.

- YouTube www.youtube.com

23 vjetori i vrasjes së Kolonelit Tahir Zemaj, Abdixhiku: Kujtesa e tij mbetet e gjallë në LDK

4 January 2026 at 13:38


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, së bashku me familjen Zemaj dhe bashkëpunëtorë, ka bërë homazhe me rastin e 23-vjetorit të vrasjes së Kolonelit Tahir Zemaj, të birit të tij Enisit dhe të Hasan Zemajt, kryetar i Forumit të Rinisë së LDK-së në Deçan.

Në një përvjetor të cilin e përshkruan si të dhimbshëm, Abdixhiku ka kujtuar me respekt jetën dhe sakrificën e tre figurave të shquara që, siç tha ai, ia kushtuan jetën Kosovës dhe idealit të lirisë.

“Në këtë përvjetor të dhimbshëm, kujtojmë me respekt të thellë dhe dhimbje të madhe tre burra që ia kushtuan jetën Kosovës dhe idealit të lirisë,” ka thënë Abdixhiku.

Kolonel Tahir Zemaj është përshkruar si një patriot i rrallë, ushtarak vizionar dhe strateg i luftës, i cili me guxim e mençuri udhëhoqi beteja vendimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dukagjin kundër regjimit serb, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e rezistencës.

Dhimbja për vrasjen e tyre mbetet e thellë edhe pas më shumë se dy dekadash, për shkak se autorët e këtij krimi ende nuk janë ndëshkuar.

“Ishte janari i acartë i vitit 2003, kur Kosova u trondit nga lajmi i kobshëm për ekzekutimin e Kolonelit Tahir Zemaj, të birit të tij Enisit dhe të kushëririt Hasan Zemaj… Ata u vranë pabesisht, vetëm sepse besuan dhe punuan për një Kosovë të lirë, demokratike dhe me institucione të forta”, ka theksuar Abdixhiku.

Në nderim të kujtimit të tyre, kryetari i LDK-së e ka përshkruar Kolonelin Tahir Zemaj si një figurë kyçe jo vetëm për çështjen kombëtare, por edhe për historinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe bashkëpunimin me Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova.

“Kolonel Tahir Zemaj, veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, aktivist i orëve të para të LDK-së dhe bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, mbetet simbol i sakrificës, i dinjitetit dhe i përkushtimit ndaj atdheut.”

Abdixhiku ka theksuar se dhimbja për këtë humbje vazhdon të jetë e hapur, ndërsa padrejtësia bëhet edhe më e rëndë për familjen dhe gjithë LDK-në, duke kërkuar drejtësi për viktimat.

Në fund të mesazhit, ai ka nderuar jetën dhe veprën e Kolonelit Tahir Zemaj, Enisit dhe Hasan Zemaj, duke shprehur lavdi për kontributin e tyre në lirinë dhe të ardhmen e Kosovës. /Telegrafi/

Osmani ngushëllon familjen Ramabaja dhe komunitetin kulturor pas vdekjes së Rushit Ramabajës

4 January 2026 at 13:29


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllimet e saj më të thella për familjen Ramabaja, miqtë, kolegët dhe të gjithë komunitetin kulturor pas ndarjes nga jeta të Rushit Ramabajës, shkrimtar, gazetar dhe intelektual i shquar.

Në një reagim publik, Presidentja Osmani thekson se lajmi për vdekjen e Ramabajës e ka pikëlluar thellë dhe e cilëson atë një emër të veçantë të kulturës dhe gazetarisë shqiptare në Kosovë.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Rushit Ramabajës, shkrimtar, gazetar dhe intelektual i angazhuar, një emër i veçantë i kulturës dhe gazetarisë shqiptare në Kosovë,” ka thënë Presidentja.

Osmani vlerëson jetën dhe veprën e tij, duke theksuar kontributin e tij të madh përmes punës afatgjatë në media dhe letërsi. Ramabaja kishte një karrierë të dalluar në redaksitë e “Rilindjes” dhe Radio Kosova, si dhe një trashëgimi të pasur letrare me mbi 20 vepra.

“Për dekada me radhë, përmes punës së tij në ‘Rilindja’, Radio Kosova dhe përmes një trashëgimie të pasur letrare me mbi 20 vepra, ai i dha zë mendimit kritik, fjalës së lirë dhe shpirtit krijues. Vepra dhe përkushtimi i tij do të jetojnë gjatë në kujtesën kulturore të vendit tonë,” ka thënë Osmani.

Presidentja ka dërguar ngushëllimet e saj më të sinqerta për familjen, miqtë dhe kolegët e Ramabajës, duke theksuar se kujtimi i tij do të mbetet i përhershëm.

“Ngushëllimet më të sinqerta familjes Ramabaja, miqve, kolegëve dhe gjithë komunitetit kulturor. I përhershëm qoftë kujtimi për Rushit Ramabajën!”/Telegrafi/


Djali i Jakup Krasniqit mbetet jashtë Kuvendit, falënderon mbështetësit

4 January 2026 at 13:22


Kandidati për deputet, Altin Krasniqi, djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, ka reaguar pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen e dhënë, edhe pse ajo nuk ishte e mjaftueshme për të siguruar një mandat të ri.

Në një postim, Krasniqi ka thënë se vota dhe mbështetja e qytetarëve për të përfaqësojnë një besim të madh.

“Ju falënderoj nga zemra secilin qytetar për votën dhe mbështetjen që ma keni dhënë më 28 dhjetor. Kjo mbështetje, edhe pse nuk ishte e mjaftueshme për ta arritur qëllimin, për mua përfaqëson një besim të madh”, ka shkruar ai.

Krasniqi ka theksuar se gjatë fushatës ka ndier pritje për ndryshim në çdo vend ku është takuar me qytetarët.

“Në çdo shtëpi, në çdo fshat e në çdo qytet ku jam pritur me respekt dhe dinjitet, kam ndier nga afër besimin tuaj dhe pritjen për ndryshim”, ka deklaruar ai.

Ai ka shtuar se angazhimi i tij politik nuk ka qenë asnjëherë personal, por gjithmonë në shërbim të interesit të përgjithshëm.

“Ky besim është arsyeja pse angazhimi im publik nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë personal, por gjithmonë në shërbim të qytetarëve dhe interesit të përgjithshëm”, ka theksuar Krasniqi.

Duke folur për mandatin e tij të parë, të cilin e cilëson si të shkurtër, Krasniqi ka thënë se është përpjekur të japë maksimumin për vendin dhe për partinë.

“Edhe pse mandati im i parë ishte i shkurtër, jam përpjekur vazhdimisht ta jap maksimumin për vendin dhe për partinë, duke vepruar me përgjegjësi dhe bindje politike”, ka shkruar ai.

Ai ka pranuar se ka mbështetur vendime partiake edhe kur ato nuk kanë qenë të lehta apo të favorshme për të personalisht.

“Edhe në momente të vështira, kur vendimet e partisë nuk kanë qenë të lehta e as gjithmonë të mirëpritura, kam zgjedhur t’i respektoj ato”, ka shtuar Krasniqi.

Në fund, Krasniqi ka bërë thirrje që qeverisja e ardhshme të fokusohet në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe kthimin e Kosovës drejt normalitetit dhe zhvillimit.

“Vendi ka nevojë për qeverisje me vizion dhe përgjegjësi, jo për stagnim, përçarje dhe gjuhë urrejtjeje”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/

Kapja e Maduros, reagon Vuçiq: Rendi botëror ka rënë - bashk me të edhe rezolutua 1244

4 January 2026 at 13:06


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, iu drejtua mediave pas një mbledhjeje të Këshillit për Siguri Kombëtare, ku u trajtuan tre çështje kryesore: siguria politike dhe ushtarake në rajon dhe botë, siguria energjetike dhe siguria e Serbisë, si dhe veprimet e fundit ushtarake amerikane në Venezuelë.

Vuçiq vlerësoi se rendi i vjetër botëror është duke u shembur, dhe se ligjet ndërkombëtare dhe Kartat e Kombeve të Bashkuara nuk funksionojnë në praktikë, pavarësisht se ekzistojnë në letër.

Ai tha se pas veprimeve në Venezuelë kjo është bërë më se e qartë, dhe se Serbia duhet të jetë e vetëdijshme për këtë realitet.

Sipas mediave serbe, Vuçiq gjithashtu shprehu shqetësim për armatosjen e vazhdueshme të Prishtinës, duke e cilësuar si një shkelje të Rezolutës 1244 të OKB-së, e cila sipas tij është “në praktikë pezulluar” nga fuqitë e mëdha perëndimore dhe disa akter rajonalë.

Ai përmendi edhe një aleancë të re mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, të cilën e konsideron një kërcënim specifik ndaj sovranitetit të Serbisë.

“Pra, ju e shihni që nuk ka parime. Kjo është arsyeja pse ne jemi veçanërisht të shqetësuar për armatimin e mëtejshëm të Prishtinës, në kundërshtim me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244, e cila është pezulluar de facto, por jo de jure, nga fuqitë e mëdha, siç është Turqia. Ato po e armatosin me shpejtësi Prishtinën. Një kërcënim i veçantë për sigurinë e Serbisë është aleanca ose bashkimi i sapokrijuar i Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit, i cili po zhvillohet në një fushë të gjerë që përfshin zhvillimin e përbashkët të sistemeve komplekse luftarake nga automjetet katër me katër deri te armët dhe mjetet më të fuqishme”, tha Vuçiq.

Duke folur për ushtrinë, Vuçiq tha se Serbia do të përgatitet për mbrojtje nga ata që nuk fshehin më kërcënimet e tyre, duke njoftuar se brenda një viti e gjysmë synon të dyfishojë kapacitetet ushtarake, duke përfshirë edhe forcimin e njësive speciale.

Ai theksoi gjithashtu se Serbia duhet të mbështetet te vetja dhe të jetë e gatshme, sepse nuk pret ndihmë nga askush tjetër në rast të kërcënimeve të ardhshme. /Telegrafi/

Reshjet e shiut në Shkodër, probleme me energjinë elektrike në disa fshatra

4 January 2026 at 12:37


Moti i keq ka “pushtuar” vendin ndërsa është shoqëruar me disa problematika në disa zona. Mësohet se në territorin e bashkisë Shkodër ka probleme me furnizimin me energji elektrike në fidrat Zagorë, Vrakë dhe Kelmend.

Ekipet janë në terren dhe po punojnë për riparimin e defekteve. Në aksin Koplik-Bogë dhe Dedaj-Razëm qarkullimi kryhet normalisht, pa problematika. Mjetet duhet të jenë të pajisura me goma dimërore.

Aksi Bogë-Theth, kryesisht në zonën e Qafë Thores gjatë natës janë regjistruar reshje të lehta dëbore. Qarkullimi kryhet me goma dimërore.

Aksi Tamarë-Vermosh, rruga është e kalueshme pa probleme. Ka prezencë gurësh në disa segmente, ndërsa borëpastrueset dhe punonjësit janë në terren dhe po vijojnë pastrimin.

Nivelet e lumenjve Buna, Drin, Kir, Gjadër, Rezervuari i Shkodrës dhe prurjet në përrenjt kryesorë janë nën kuotat e rrezikut për përmbytje. Ndërsa hidrovorët e Velipojës janë në gatishmëri për punë me kapacitet të plotë./euronews/

​27 vjet nga fillimi i punës së KosovaPress-it

4 January 2026 at 12:32


27-vjetori i themelimit e gjen KosovaPress-in në objekt të ri Agjencia e Lajmeve KosovaPress sot shënon 27-vjetorin e themelimit dhe fillimit të punës. Kjo ditëlindje e gjen Agjencinë në objekt të ri, modern dhe funksional, i cili përmbush të gjitha kushtet për veprimtarinë e një mediumi bashkëkohor.

Ky zhvillim përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara në misionin e KosovaPress-it për informim të saktë, të shpejtë dhe objektiv, si dhe një investim në cilësinë e gazetarisë dhe komunikimit medial në Kosovë.

Objekti i ri i KosovaPress-it është i pajisur me studio televizive, sallë konferencash, hapësira redaksionale dhe infrastrukturë teknike bashkëkohore, duke krijuar kushte optimale për prodhim dhe shpërndarje të informacionit profesional dhe të besueshëm.

Me 27 vjet përvojë në shërbim të publikut, KosovaPress vazhdon të mbetet një nga shtyllat kryesore të informimit, duke u përshtatur me trendet moderne dhe nevojat e kohës.

KosovaPress u themelua më 4 janar 1999, duke dhënë kontribut të madh në informimin e opinionit vendor dhe ndërkombëtar për luftën çlirimtare.

Gjatë periudhës së luftës, KosovaPress publikoi lajme në gjuhën shqipe, angleze, gjermane dhe frënge.

Me shuarjen e Qeverisë së Përkohshme, në janar të vitit 2000 dhe krijimin e Këshillit të Përkohshëm Administrativ, në shtator të po këtij viti, KosovaPress nisi rrugëtimin e saj si Agjenci e Pavarur e Lajmeve.

Fillimi ishte i vështirë dhe luftohej për mbijetesë (në shkurt 2002 mediat dëbohen nga ish-ndërtesa e Rilindjes), ndërsa më pas, falë punës dhe këmbënguljes, nisi edhe periudha e zhvillimit dhe, vit pas viti, edhe zgjerimit të produkteve.

Një kronologji e shkurtër:

Në vitin 2002, KosovaPress kaloi në sistemin me parapagim, fillimisht në gjuhën shqipe, e prej vitit 2005 rifilloi publikimet edhe në gjuhën angleze, ndërsa, në 2007 edhe në gjuhën serbe dhe turke.

Në dhjetëvjetorin e themelimit (2009), KosovaPress solli në tregun medial të vendit, produktet më të reja: video-lajmin dhe audio-lajmin.

KosovaPress, në përvjetorin e 17 të punës (2016), prezantoi produktin e vet më të ri e që ishte transmetimi i drejtpërdrejt i ngjarjeve. Transmetimet e drejtpërdrejta u realizuan me teknologjinë më të re, përmes kamerave 4K.

Investimi i vazhdueshëm në teknologji i lejon sot KosovaPress-it të bëjë deri në 10 transmetime “live” në të njëjtën kohë, si dhe me regji.

Kur KosovaPress kremtoi dy dekada punë, u prezantua edhe Departamenti i Produksionit, i cili kujdeset për realizimin e emisioneve edukativo-argëtuese, siç është emisioni.

Në vitin 2017, KosovaPress, pas nje lobimi disavjeçarë anëtarësohet me të drejta të plota në rrjetin e Agjencive të Lajmeve të Vendeve të Ballkanit dhe të Evropës Juglindore (ABNA-SE www.abnase.com). KosovaPress, që prej anëtarësimit, është duke dhënë një kontribut të vlefshëm në promovimin e vlerave nacionale në rrjetin e lajmeve që editohen në platformat e ABNA-SE.

Në shtator të 2021, KosovaPress pasi organizoi suksesshëm Asamblenë e Përgjithshme të ABNA-SE, mori presidencën për një vit.

Pas presidencës 2021-2022, KosovaPress vazhdon të jetë për tri vjet radhazi, pjesë e bordit të ABNA-SE (https://abnase.com/contacts/).

Lobimi dhe përpjekjet për të qenë pjesë edhe e rrjeteve tjera të agjencive të lajmeve nuk u ndalën.

Në shtator të 2022-ës, në Asamblenë Gjenerale, KosovaPress pranohet zyrtarisht si anëtare me të drejta të plota në Aleancën Evropiane të Agjencive të Lajmeve (EANA), dhe me ketë anëtarësim KosovaPress-it iu hapën edhe më shumë rrugët për të bashkëpunuar me të gjitha agjencitë e lajmeve të Evropës duke sjell produktet që i ofrojnë këto agjenci .

Me këtë KosovaPress-it iu hapën edhe me shumë dyert e bashkëpunimit me të gjitha këto agjenci dhe rritjes së lajmeve nga këto vende dhe në këto vende për klientët e ndërsjellët.

Ne shkurt të vitit 2024 në Prishtinë, KosovaPress organizoi konferencën ndërkombëtare “Kufijtë e Lirisë së Fjalës”, për nder të 25-vjetorit të themelimit. Në Prishtinë u bashkuan më shumë se 20 agjenci botërore të lajmeve nga e gjithë Evropa dhe Ballkani.

Falë përkushtimit, përgjegjësisë dhe saktësisë, mediumet më të mëdha e më të rëndësishme në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut si dhe vende të tjera të rajonit e me gjerë i besojnë Agjencisë së Lajmeve KosovaPress, duke bashkëpunuar ngushtë çdo ditë, tashmë për vite me radhë.

Agjencia e Lajmeve KosovaPress vijon të sjellë për lexuesin dhe klientin gjithë çfarë ndodhë në jetën e përditshme politike, ekonomike e sociale të Kosovës, regjionit, Evropës dhe botës, por edhe duke ngritur çështje të rëndësishme përmes gjinive të tjera gazetareske si intervista, dokumentarë, reportazhe e të tjera.

KosovaPress është një burim i besuar i lajmit si dhe një kontribuues i madh i rritjes së lirisë së të shprehurit.

Vitin e kaluar i është bashkuar Clive Marshall, ish-shef ekzekutiv i Agjencisë së Lajmeve PA Media Group në Mbretërinë e Bashkuar, si President jo-ekzekutiv i KosovaPress-it.

❌
❌