E RËNDË në Kosovë/ Gjendet i vdekur një çift të rinjsh në një vilë
Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e sotme qytetin e Pejë, ku dy persona janë gjetur pa shenja jete brenda një vile, e cila ndodhet në rrugën e KFOR-it.
Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili bëri të ditur se rreth orës 15:10 autoritetet kanë marrë njoftimin për rastin dhe kanë reaguar menjëherë duke u nisur drejt vendngjarjes.
“Sot rreth orës 15:00, policia është informuar se në një vilë në rrugën e KFOR-it dyshohet se dy persona janë pa shenja jete. Njësitet policore, së bashku me ekipin e emergjencës, kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e dy personave,” deklaroi Gashi.
Sipas informacioneve paraprake, viktimat janë një mashkull dhe një femër. Deri në këtë fazë, autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi identitetin e tyre, ndërsa rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja mbeten ende të paqarta.
Policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit, me qëllim përcaktimin e shkaqeve të vdekjes dhe verifikimin nëse bëhet fjalë për vdekje natyrale, aksident apo ndonjë vepër penale. Hetimet po vijojnë, ndërsa pritet që në orët në vijim të ketë më shumë informacion zyrtar lidhur me këtë ngjarje të rëndë.
The post E RËNDË në Kosovë/ Gjendet i vdekur një çift të rinjsh në një vilë appeared first on Albeu.com.