Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Specialja reagon pas letrës së Avokatit të Popullit për dokumentet serbe në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

13 January 2026 at 18:11


Gjykata Speciale ka reaguar pas pranimit të letrës së Avokatit të Popullit, Naim Qelajt, lidhur me pranimin e dokumenteve që burojnë nga autoritetet serbe në rastet ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Në reagimin e saj, Gjykata Speciale thekson se vendimi për pranimin e provave nuk nënkupton automatikisht peshën apo besueshmërinë që do t’u jepet atyre gjatë vendimmarrjes finale, raporton Insajderi.

Sipas Gjykatës, gjatë hartimit të aktgjykimit, Trupi Gjykues vlerëson secilën provë individualisht, duke e shqyrtuar atë në kontekst të tërësisë së provave të administruara gjatë gjykimit.

“Gjatë shqyrtimit nëse janë vërtetuar pretendimet faktike, trupi gjykues bën një vlerësim dhe peshim tërësor duke i marrë provat në tërësi. Rregullorja nuk lejon që verdikti i fajësisë të bazohet vetëm në provat e një dëshmitari që Mbrojtja nuk ka pasur mundësinë ta marrë në pyetje”, thuhet në reagim.

Po ashtu, Gjykata Speciale thekson se pranimi i një prove nuk do të thotë domosdoshmërisht se ajo do të përdoret si bazë për aktgjykimin përfundimtar.

“Në fund të gjykimit, gjykatësit vlerësojnë secilën provë në kontekst të provave të pranuara dhe përcaktojnë peshën dhe besueshmërinë që do t’u jepet atyre”, thuhet më tej.

Ky reagim vjen pasi Avokati i Popullit ka shprehur shqetësime serioze lidhur me pranimin e dokumenteve zyrtare që, sipas tij, pretendohet se burojnë nga autoritetet serbe, të cilat kanë ushtruar juridiksion mbi territorin e Kosovës pas qershorit të vitit 1999.

Në letrën e tij, Qelaj ka theksuar se kjo periudhë përkon me vendosjen e administratës së përkohshme ndërkombëtare të autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, gjatë së cilës funksionimi i institucioneve gjyqësore serbe në Kosovë ka qenë i paligjshëm sipas së drejtës ndërkombëtare.

“Rrjedhimisht, pranimi i këtyre dokumenteve ngre shqetësime serioze si për ligjshmërinë e tyre, përfshirë sipas së drejtës ndërkombëtare publike, ashtu edhe për besueshmërinë e tyre provuese”, thuhet në letrën e Avokatit të Popullit.

Një vendim i gjykatësve për të pranuar prova, nuk do të thotë se gjykatësit duhet të mbështeten në to për aktgjykim. Në fund të gjykimit, gjykatësit vlerësojnë secilën provë në kontekst të provave të pranuara, dhe përcaktojnë peshën dhe besueshmërinë që do t’u jepet atyre. pic.twitter.com/0TbiUVAUYL
— Dhomat e Specializuara të Kosovës (@Dhomat_e_Spec) January 13, 2026

Shqetësimet e Avokatit të Popullit drejtuar Trendafilovas - kjo është letra e plotë

13 January 2026 at 12:32


Instituti i Avokatit të Popullit ka publikuar letrën, të cilën i ka drejtuar kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova.

Në letrën e Avokatit të Popullit të Kosovës, Naim Qelaj drejtuar Trendafilovas thuhet se Dhomat e Specializuara nuk i nënshtrohen asnjë mekanizmi monitorues apo llogaridhënieje nga institucionet vendore të Republikës së Kosovës.

Tutje në letrën e Qelajt paraqiten disa shqetësime që kanë të bëjnë siç thuhet ndaj disa mangësive themelore procedurale të vërejtura në zhvillimin e procedurave, mënyra se si janë pranuar disa prova dhe pranimi i dokumenteve zyrtare që pretendohet se burojnë nga autoritetet serbe.

Letra e plotë:

E nderuara znj. Trendafilova,

Më lejoni fillimisht t’ju falënderoj për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet institucioneve tona. Këtë e bëj duke qenë i vetëdijshëm plotësisht se ky bashkëpunim zhvillohet në një kontekst sfidues dhe jo gjithmonë në kushte të mirëkuptimit të plotë reciprok. Megjithatë, e vlerësoj komunikimin tonë të vazhdueshëm si dëshmi të një përkushtimi të përbashkët ndaj angazhimit, transparencës dhe dialogut institucional.

Po ju drejtohem për t’ju paraqitur shqetësimet e mia fillestare dhe parimore lidhur me përputhshmërinë e procedurave para Dhomave të Specializuara me të drejtat themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, instrumentet përkatëse ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe, kur është e aplikueshme, jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila përbën burim të brendshëm të së drejtës në përputhje me nenin 53 të Kushtetutës. Kjo letër është qëllimisht e kufizuar në fushëveprim dhe trajton çështje parimore, pa ofruar një vlerësim të detajuar apo shterues, e të cilin Zyra ime vazhdon ta bëjë ndaras.

Fillimisht, më duhet të ritheksoj konkluzionin tim paraprak se Dhomat e Specializuara nuk i nënshtrohen asnjë mekanizmi monitorues apo llogaridhënieje nga institucionet vendore të Republikës së Kosovës. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të theksohet se procedurat e zhvilluara para Dhomave të Specializuara shfaqin mangësi të theksuara në respektimin e të drejtave themelore, në veçanti të së drejtës për gjykim të drejtë. Këto mangësi janë të dukshme në disa dimensione. Në veçanti, Zyra ime ka vërejtur se të dy grupet e personave të akuzuar duket se janë monoetnike në përbërje. Kjo rrethanë, së bashku me mënyrën se si është ushtruar deri më tani juridiksioni, ngre shqetësime serioze lidhur me barazinë para ligjit dhe perceptimin e drejtësisë së paanshme. Është veçanërisht shqetësuese që juridiksioni duket se është zbatuar pothuajse ekskluzivisht në mënyrë monoetnike, pa ndonjë shpjegim të mjaftueshëm për opinionin publik vendor apo ndërkombëtar lidhur me bazën faktike, ligjore dhe juridiksionale që e arsyetojnë një selektim të tillë.

Kjo situatë bëhet edhe më befasuese kur marrim parasysh se financimi i Dhomave të Specializuara buron nga një Veprim i Përbashkët i Këshillit të Bashkimit Evropian, një institucion i cili, në bazë të traktateve themeluese dhe jurisprudencës së Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, është i detyruar t’i japë përparësi mbrojtjes së të drejtave themelore, përfshirë edhe në kuadër të veprimit të tij të jashtëm.

Gjithashtu dëshiroj të tërheq vëmendjen ndaj disa mangësive themelore procedurale të vërejtura në zhvillimin e procedurave para Dhomave. Me mbi njëzet vite përvojë profesionale si avokat mbrojtës, them se është jashtëzakonisht e pazakontë, dhe thellësisht shqetësuese, të shohësh një gjykatë duke i refuzuar pothuajse të gjitha kërkesat procedurale dhe provuese të paraqitura nga mbrojtja. Një model kaq i qëndrueshëm ngrit shqetësime legjitime për çekuilibër procedural dhe paragjykim të mundshëm, të cilat mund të minojnë seriozisht besueshmërinë e procedurave gjyqësore dhe të vënë në pikëpyetje trajtimin e paanshëm të të akuzuarve.

Po aq shqetësuese është edhe mënyra se si janë pranuar disa prova. Për ilustrim, po përmend dy shembuj. Së pari, kam vërejtur pranimin e dokumenteve zyrtare që pretendohet se burojnë nga autoritetet serbe, të cilat pretendojnë ushtrim juridiksioni mbi territorin e Kosovës pas qershorit të vitit 1999.

Kjo periudhë përkon me vendosjen e administratës së përkohshme ndërkombëtare të autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, gjatë së cilës funksionimi i institucioneve gjyqësore serbe në Kosovë ishte i paligjshëm sipas së drejtës ndërkombëtare, siç është përcaktuar qartë edhe në vendimet e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm. Rrjedhimisht, pranimi i këtyre dokumenteve ngre shqetësime serioze si për ligjshmërinë e tyre (përfshirë sipas së drejtës ndërkombëtare publike, dhe jo vetëm sipas Kushtetutës), ashtu edhe për besueshmërinë e tyre provuese.

Së dyti, kam vërejtur mbështetje të gjerë në materiale të paraqitura si “libra të botuar” që trajtojnë situatën në Kosovë. Sipas vlerësimit tim, këto botime kanë një prag të ulët kredibiliteti dhe nuk do të duhej të pranoheshin si burime të besueshme prove në procedura gjyqësore. Trajtimi i tyre si materiale provuese është ne kundërshtim me standardet themelore të neutralitetit dhe integritetit provues.

Së fundi, dua të ritheksoj shqetësimet e mia të thella lidhur me mënyrën se si Dhomat trajtojnë paraburgimin. Praktika e vazhdueshme e mbajtjes së të gjithë të akuzuarve në paraburgim të zgjatur dhe të pandërprerë, pa shqyrtim kuptimplotë të masave alternative, duket në papajtueshmëri si me kornizën e zbatueshme ligjore, ashtu edhe me standardet e konsoliduara që rrjedhin nga jurisprudenca e gjykatave ndërkombëtare dhe vendore. Vlerësimit të rrezikut të ikjes si uniformisht “i lartë”, siç parashtrohet nga Prokuroria dhe miratohet vazhdimisht nga Dhomat, i mungon një arsyetim bindës, veçanërisht duke pasur parasysh se të gjithë të akuzuarit janë vetëdorëzuar dhe se nuk ka prova të besueshme që sugjerojnë rrezik për ndërhyrje ndaj dëshmitarëve (duke marrë parasysh gjithashtu praninë e konsiderueshme të Misionit të EULEX-it në Kosovë). Për më tepër, monitorimi i komunikimeve dhe vizitave familjare, kufizimi i vizitave familjare dhe kufizimet tjera të lidhura me paraburgimin e zgjatur ngritin shqetësime serioze për shkelje të të drejtave themelore. E kam të vështirë të gjej ndonjë përputhje ndërmjet një regjimi kaq të ashpër të paraburgimit me parimet që rregullojnë privimin nga liria sipas standardeve të drejtësisë penale ndërkombëtare.

Ky vëzhgim paraqitet në frymën e përgjegjësisë institucionale dhe angazhimit konstruktiv. Nga këndvështrimi im, është plotësisht në përputhje me parimin e mbështetjes së ndërsjellë dhe synojnë të plotësojnë, e jo të dyfishojnë, përpjekjet e ndërmarra nga Ombudsman-i i institucionit tuaj. Prandaj, kërkoj që kjo letër të kuptohet si një nismë monitoruese që synon mbrojtjen e të drejtave themelore, të cilat përbëjnë garanci bazike dhe të pa-nënshtrueshme sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Zyra ime mbetet e përkushtuar për t’i shqyrtuar më tej këto çështje në mënyrë gjithëpërfshirëse, parimore dhe objektive. Ne shprehim besimin tonë të vazhdueshëm se Gjykata do të sigurojë respektim të plotë të standardeve të të drejtave të njeriut dhe do të garantojë të drejtën për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm në mënyrë të besueshme. /Telegrafi/

​Gjyqi i madh drejt fundit, hulumtuesja e Tribunalit të Hagës flet për pritjet për katërshen e UÇK-së​

10 January 2026 at 17:48


Gjyqi i madh është para fazës më të rëndësishme të tij, ku në pranverë pritet të shqiptohet vendimi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.

Ky pritet të jetë viti vendimtar për katërshen e UÇK-së, të cilët ndodhën në paraburgim në Hagë tash e pesë vjet.

Hulumtuesja e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi, Nevenka Tromp flet për rëndësinë që ka vendimi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit, derisa kritikon Specialen për punën gjatë këtyre viteve.

Se cili do të jetë epilogu, sipas saj është vështirë të dihet, megjithatë përmend pasojat e mëdha që do të kishte shteti në rast se Gjykata Speciale do të mbështeste akuzat e prokurorisë.

Në Gjykatën Speciale deri më tani janë gjashtë persona të akuzuar për krime të pretenduara lufte, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Pjetër Shala dhe Salih Mustafa. Shala është i dënuar me 13 vjet burgim, ndërkaq Mustafa me 15 vjet.

Nevenka Tromp

Nevenka Tromp, e cila punoi për shumë vite në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavinë, në intervistën për KosovaPress flet për zhvillimet kryesore gjatë vitit 2025 – vit që shënoi edhe dhjetë-vjetorin e themelimit të Gjykatës Speciale.

“Janë gjashtë të akuzuar që u akuzuan për krimet e supozuara gjatë periudhës që kjo gjykatë kishte mandat. Ishte kryesisht periudha 1998-1999 deri në vitin 2000. Një rast, rasti Salih Mustafa, është përfunduar plotësisht. Rasti i Shalës është në proces për t’u finalizuar. Por më i rëndësishmi, Rasti Thaçi dhe të tjerët që përfshin katër udhëheqës të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk është finalizuar ende. Këta njerëz janë në gjykatë në Hagë që nga viti 2020. Rasti pritet të përfundojë diku në vitin 2026, por vetëm instanca e parë. Pra, vlerësimi i parë i rëndësishëm i efikasitetit të kësaj gjykate është se nuk ka qenë shumë efikase. Ka vetëm gjashtë të akuzuar. Nga këta gjashtë, për katër personat kryesorë, ende nuk kemi as një vendim të instancës së parë, lëre më të përfunduar”, deklaron ajo.

Gjatë gjithë këtij procesi, Specialja është kritikuar në vazhdimësi për redaktime të shumta dhe mbyllje për publikun.

Edhe Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj ka shprehur shqetësime rreth punës së Gjykatës Speciale. Qelaj ka ngritur dyshimet e tij nëse në Speciale po respektohen parimet e gjykimit të drejtë dhe të paanshëm.

Për këtë çështje flet edhe Tromp, e cila përmend rastet kur të akuzuarve nuk u është lejuar të lirohen përkohësisht, duke e konsideruar si “trajtim të rreptë nga gjykata ndaj të akuzuarve”.

“Asnjëri nga katër të akuzuarit në rastin Thaçi dhe të tjerët nuk lejohej të lirohej përkohësisht, as për leje humanitare siç quhet. Leja humanitare është kur një i akuzuar që është në proces penal dhe gjyq lejohet të vizitojë anëtarët e familjes së tij në probleme, sidomos prindërit e sëmurë ose funeralet e anëtarëve më të afërt të familjes. Pra, ka qenë trajtim mjaft i rreptë nga gjykata ndaj të akuzuarve. Dhe kështu, kjo leje humanitare duket mjaft e përshtatshme për njerëzit në nivelin udhëheqës. Këta katër të akuzuar patën, dhe po flas qartë për Hashim Thaçin, refuzimin e tij për të marrë pjesë në disa raste shumë të rëndësishme familjare. Kështu, kjo leje humanitare është gjithashtu pjesë e asaj që quajmë gjyq të drejtë, që çdo person që gjykohet penalisht nuk është fajtor derisa të provohet pa dyshim. Dhe ata nuk u trajtuan me këtë dhembshuri të merituar sepse prokuroria gjithmonë mund të përdorte argumentin se ata janë një rrezik për procesin dhe drejtësinë e gjyqit për shkak të mundësisë së tyre për të trembur dëshmitarët. Kjo narrativë e intimidimit të dëshmitarëve mbizotëroi mbi të gjitha komponentët e tjerë që një i akuzuar sipas ligjit modern të të drejtave të njeriut duhet të gëzojë. Një nga këta ka të bëjë me kur dhe në cilat rrethana do t’i lejohej lirimi nga burgu gjatë pritjes së vendimit”, shprehet Tromp për KosovaPress.

Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës por veprojnë me personel ndërkombëtar në Hagë të Holandës.

Bashkimi Evropian është financuesi kryesor i Gjykatës Speciale e cila u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, pas kërkesës së bashkësisë ndërkombëtare.

Shqetësim i madh është ngritur edhe për pranimin nga ana e Gjykatës Speciale të dokumenteve prej autoriteteve të Serbisë, në cilësinë e provave materiale.

Ligjëruesja në Universitetin e Amsterdamit, Nevenka Tromp deklaron se Serbia nuk është palë neutrale në këtë proces dhe për këtë Prokuroria do të duhej të ishte e kujdesshme.

“Një çështje tjetër e rëndësishme është trajtimi dhe qasja në prova në gjykatë, që kryesisht vinin nga arkivat e shtetit të Serbisë. Kjo është një qasje interesante nga prokuroria, sepse Serbia nuk është një palë neutrale në këto procese dhe prokuroria duhej të ishte shumë e kujdesshme duke u mbështetur në provat që vijnë nga arkivat e shtetit serb, duke përfshirë arkivat e sigurisë shtetërore, arkivat e policisë, Ministrinë e Brendshme dhe arkivat ushtarake. Këto ishin çështjet që ndikuan shumë në mënyrën se si prokuroria u përball me këtë gjyq. Por deri sa të kemi vendimin e parë, nuk mund të themi se si u zhvillua. Nëse të katër të akuzuarit do të liroheshin, atëherë këto çështje procedurale do të harroheshin shpejt. Nëse ndonjëri nga katër të akuzuarit gjendet fajtor bazuar në provat e dorëzuara nga Serbia, ato do të ishin nën shqyrtim, por shpresojmë se atëherë do të kemi edhe ankimim për të parë vendimin përfundimtar”, shprehet ajo.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.

Gjatë vitit të kaluar në Prishtinë, Hagë, Tiranë, Strasburg e Shkup, me mijëra shqiptarë protestuan me thirrje “Drejtësi për Çlirimtarët”.

Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 - gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë./KosovaPress

Gjykata Kushtetuese e Speciales nis shqyrtimin e kërkesës së re të Hashim Thaçit

3 January 2026 at 19:53


Gjykata Speciale ka njoftuar se është caktuar Paneli i Gjykatës Kushtetuese për shqyrtimin e kërkesës së re referuese të Hashim Thaçit në rastin “Thaçi dhe të tjerët”, që ka të bëjë me veprat kundër administratës së drejtësisë.

Në një njoftim të Gjykatës, thuhet se më 30 dhjetor, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Alenka Trendafilova, caktoi Panelin e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur në lidhje me kërkesën që Thaçi e dorëzoi në të njëjtën ditë.

Paneli do të përbëhet nga gjyqtarët Vidar Stensland, Roumen Nenkov dhe Piotr Hofmański, të cilët do të shqyrtojnë kërkesën në vijim të vendimit të Gjykatës së Apelit të 28 tetorit 2025.

“Më 30 dhjetor, Kryetare Trendafilova caktoi Panelin e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur në lidhje me kërkesën referuese të dorëzuar nga Hashim Thaçi në të njëjtën ditë. Gjykatësit Vidar Stensland, Roumen Nenkov dhe Piotr Hofmański do të vendosin në lidhje me këtë kërkesë referuese që pason vendimin e Gjykatës së Apelit të 28 tetorit 2025”, njofton Specialja.

​‘Presioni mbi Specialen’, pesë protesta gjatë një viti në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së

1 January 2026 at 21:50


Në Prishtinë, Hagë, Tiranë, Strasburg e Shkup u ngrit zëri i shqiptarëve për drejtësi.

Shqiptarë nga të gjitha trevat u mblodhën në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Protesta e parë u organizua në Prishtinë nga kategoritë e dala nga lufta. Një muaj më pas, shqiptarë nga e gjithë bota protestuan në qytetin holandez, në Hagë, në afërsi të objektit të Gjykatës Speciale. Atje u protestua një ditë para fillimit të dëgjimit të dëshmitarit të parë të mbrojtjes, ish-ndihmëssekretar i shtetit amerikan, James Rubin.

Diplomati amerikan dëshmoi para trupit gjykues për procesin e Rambujesë, ku ndër tjera ka thënë se Hashim Thaçi nuk kishte rol udhëheqës në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Po ashtu, ai ka thënë se UÇK nuk ka pasur strukturë të organizuar komanduese. Dëshmia e tij u vlerësua si një nga më të rëndësishmet në këtë proces.

Edhe në Tiranë, zëri i shqiptarëve jehoi “Drejtësi për Çlirimtarët”.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së para Asamblesë së Këshillit të Evropës dorëzoi 285 letra, për të shprehur shqetësimin lidhur me procesin në Gjykatën Speciale.

Në fund të vitit, shqiptarët protestuan edhe në Shkup të Maqedonisë së Veriut, me të njëjtën kërkesë për drejtësi.

Gazmend Syla nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) thotë se gjithë këto protesta kanë pasur për qëllim sensibilizimin e opinionit publik dhe ndërkombëtar për procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë.

“Pesë protesta, me një buxhet që organizatat e veteranëve të luftës, zero buxhet, do të thotë, prej ardhjes në pushtet të qeverisë Kurti. Me vështirësi të mëdha, kemi arritur me i organizuar këto pesë protesta, qysh e dini edhe ju. Njërën në Kosovë, tjetrën në Den Haag, tjetrën në Tiranë, Strasburg e kështu me radhë, e fundit në Maqedoni. Mendojmë që e kemi ngritë qytetarin, i kemi treguar qytetarit tonë se çka po ndodh atje, sepse duke pasur parasysh faktin se Gjykata Speciale nuk i ka dhënë shumë dritë gjithë procesit atje. Ka qenë tepër e rezervuar me publikun, me shqiptarët, me ato seanca të mbyllura, me ato padrejtësi që ndodhin kohë pas kohe, me gjasë qytetarët nuk kanë mujt me e ditë krejt çka po ndodh atje. Kjo thirrje e jona për qytetarët që me dalë, me u mobilizu e me u sensibilizu për ato që po ndodhin në Gjykatën Speciale, besoj që ka qenë e arritur tepër e madhe edhe besoj që e kemi bërë punën ashtu siç është më së miri, gjithmonë duke pasur parasysh kapacitetet e organizatës së veteranëve të luftës”, deklaron ai.

Syla ka theksuar se paralelisht me protestat, OVL e UÇK-së ka vepruar edhe në rrafshin diplomatik, përmes takimeve me personalitete dhe përfaqësues ndërkombëtarë.

“Neve asnjëherë nuk kërkojmë që të ndërhyjmë në drejtësi, apo të pengojmë drejtësinë, ne kërkojmë vetëm drejtësi. Krejt çka kërkojmë ne është një monitorim i ndonjë instituti të pavarur ndërkombëtar, ose qoftë ndonjë mekanizmi që do të nxirrte Këshilli i Evropës, Asambleja e Këshillit të Evropës, ku edhe e mori dritën jeshile themelimi i Gjykatës Speciale, ose qoftë çfarëdo mekanizmi qoftë ai i pavarur. Vetëm monitorim të punës së Gjykatës Speciale, çfarë ka ndodhur prej atëherë deri më sot. Nëse do të ndodhë një monitorim i mirëfilltë i kësaj gjykate, i punës së gjykatës deri në këto kohë pra, deri në përfundim të procesit, ne jemi të bindur që bashkëluftëtarët tanë do të kthehen të pafajshëm në shtëpitë e tyre. Prandaj, në qoftë se nuk do të ketë monitorim të punës të asaj çka ka ndodhur deri më sot në Gjykatën Speciale, i druhem faktit që do të kemi vendim negativ ose do t'i përcjellë fati edhe bashkëluftëtarët tanë që janë në proces, do t'i përcjellë fati i dy bashkëluftëtarëve tonë që janë veç të dënuar atje”, shton ai.

Në dy prej këtyre organizimeve ishte e pranishme edhe Nevenka Tromp, e cila punoi për shumë vjet në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavi, ishte prezente në dy prej pesë organizimeve. Ajo për KosovaPress thotë se nuk është e zakonshme që qytetarët të interesohen për çështje penale.

“Nuk është shumë e zakonshme që njerëzit të interesohen për çështje penale, sigurisht jo në numra të mëdhenj. Nëse do të flisnim për protesta, nuk do të isha dakord me këtë përkufizim; këto ishin ngjarje publike për të rritur ndërgjegjësimin mbi atë që po ndodhte në Hagë dhe në gjykatë përmes këtyre proceseve. Një nga arsyet pse pranova me kënaqësi ftesat në gusht dhe tetor të kaluar ishte se njerëzit nga Kosova erdhën për të shprehur shqetësimin e tyre mbi funksionimin e Dhomave Speciale të Kosovës dhe ndikimin që mund të kenë mbi të akuzuarit, por edhe mbi Kosovën dhe luftën e saj për çlirim. Kurdo që një gjyq penal, veçanërisht për krime politike dhe mizori masive, ka elemente që shpesh neglizhohen publikisht, duhet të merret parasysh interesi publik i gjyqit që po vjen. Pra, çfarë është interesi publik? Për shembull, nëse akuzon dhe gjykon presidentin aktual të një shteti, a kontribuon ky veprim për drejtësinë dhe stabilitetin, apo ky veprim vetë mund të çojë në trazira publike, dhunë në rrugë dhe destabilizim më shumë sesa do të ndodhte nëse lihej pas dore. Ky interes publik është gjithashtu arsye pse disa njerëz shumë të lartë nuk u akuzuan për gjithë periudhën e konflikteve në Jugosllavi nga 1991 deri në 1999. Ky interes publik është mjaft i rëndësishëm”, deklaron ajo.

Fatmir Koci, i cili ka qenë përfaqësues i Këshillit të Protestës për Evropë pret se gjatë këtij viti të lirohen ish-krerët e UÇK-së.

“Një vendim të drejtë, të paanshëm, jo-politik dhe po besojmë shumë në pafajësinë e krerëve të UÇK-së dhe në pastërtinë e luftës tonë, dhe shpresojmë dhe presim që liderët tanë sa më shpejt të kthehen pranë familjeve të tyre në shtetin e tyre, ku shumë sakrifikuan si në luftën për çlirimin e Kosovës, po ashtu edhe në shtet-ndërtimin e Republikës së Kosovës...E vetmja mundësi e jona si OVL e UÇK-së ka qenë kjo, sepse ne faktikisht jemi duke i parë çdo ditë politika ditore ku, e them fatkeqësisht, shteti i Kosovës, Qeveria e Kosovës, institucionet e Kosovës janë marrë shumë pak ose hiç me rreth kësaj çështje, edhe përkundër asaj që deklarojnë që kemi dhënë fonde të mjaftueshme për gjykatën”, përfundon ai.

Rasti ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit pritet të përfundojë gjatë këtij viti.

Katërshja e UÇK-së ndodhet në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.

Në prill të vitit 2023 ka nisur procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, e cila i ngarkon ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me përgjegjësi për krime të pretenduara të luftës, pati sjell në gjykatore rreth 125 dëshmitarë, ndërkaq është mbështetur në mbi 100 dëshmi me shkrim.

Votojnë në Hagë ish-drejtuesit e UÇK-së

27 December 2025 at 20:14


Ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen në Kosovë, të dielën më 28.12.2025.

Kështu ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

“Mund t’iu konfirmoj se gjatë javës, shtetasit e Kosovës që ndodhen në Dhomat e Specializuara, në Hagë, kanë realizuar të drejtën kushtetuese dhe kanë votuar në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar Elezi më 27.12.2025.

Trumpi ka vënë në shënjestër ish-gjykatësin e Gjykatës Speciale

27 December 2025 at 12:35


Ish-gjyqtari i Gjykatës Speciale për Kosovën, tani pjesë e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN), është vënë në shënjestër të sanksioneve të ashpra të administratës Trump.

Për shkak të urdhërarrestit ndaj udhëheqësve izraelitë, Nicolas Guillou e gjen veten të radhitur krahas terroristëve në listat e zeza të Uashingtonit, duke humbur qasjen në llogari bankare, karta krediti dhe shërbime bazë digjitale.

Francezi Nicolas Guillou ka një vit që punon në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN), e cila ndjek krimet e luftës dhe e ka selinë në Hagë.

Më parë, 50-vjeçari Guillou, i cili është ekspert i së drejtës ndërkombëtare, ka punuar për tribunalet speciale të Kosovës dhe Libanit.

Në vitin 2023, Guillou dhe krerë të tjerë të GJPN-së lëshuan një urdhërarrest kundër presidentit rus, Vladimir Putinit për shkak të krimeve kundër njerëzimit sipas Kartës së OKB-së. Akuza përmend sidomos kidnapimin e fëmijëve ukrainas nga Rusia. Ndjekja penale e Putinit nuk befasoi askënd, shkruan portali zviceran Watson në një analizë.

Situata ndryshoi në nëntor 2024, kur GJPN shpalli në kërkim edhe kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant. Ata dyshohen se kanë kryer gjenocid në Gaza.

SHBA-ja, si fuqi mbrojtëse e Izraelit, me urdhër të Trumpit, u mobilizua menjëherë kundër GJPN-së në Hagë. Ndaj nëntë gjyqtarëve dhe tre prokurorëve u vendosën gjithashtu sanksione. Mes tyre është edhe Guillou.

Në intervistën e tij të vetme deri më tani për gazetën franceze “Le Monde”, ai tregoi se për qytetarët dhe kompanitë amerikane ai është tashmë një “persona non grata” (person i padëshiruar). Çdo kontakt me të është i ndaluar. Ai nuk ka më qasje ndaj platformave si Amazon, Airbnb ose Paypal.

“Për shembull, bëra një rezervim hoteli në Francë përmes Expedia. Disa orë më vonë mora një e-mail ku thuhej se kjo nuk ishte e mundur për shkak të sanksioneve”, raportoi ai.

Edhe një bankë franceze me marrëdhënie në SHBA i ka mbyllur llogaritë e Guillou. Kartelat e tij të kreditit si Visa, American Express ose Mastercard më nuk funksionojnë.

“Nga një ditë në tjetrën mbetesh pa mjete pagese”, shpjegoi Guillou, i cili për drejtësinë amerikane tashmë është po aq i izoluar sa 15 mijë terroristë, krerë bandash apo bosë të mafias në listën e sanksioneve të Uashingtonit.

Fuqitë e mëdha (SHBA, Rusia), përmes vetos së tyre, parandalojnë hetimet e GJPN-së në territorin e tyre ose te aleatët si Izraeli. Megjithatë, Putin u akuzua nëpërmjet Ukrainës, ndërsa Netanyahu nëpërmjet Palestinës - një manovër juridike e së drejtës ndërkombëtare. Kjo mbështetet nga organizatat e të drejtave të njeriut. /Telegrafi/

KMDLNJ: Gjykata Speciale raciste, shkel dinjitetin e shqiptarëve dhe të drejtën për vizita

26 December 2025 at 12:32


Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë ka reaguar ashpër ndaj Gjykatës Speciale, duke e cilësuar atë si “rimishërim të inkuizicionit” dhe duke kritikuar institucionet e Kosovës për mosveprim ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Në një deklaratë të publikuar sot, KMDLNJ thekson se Gjykata Speciale në trajtimin e të paraburgosurve shqiptarë dhe shtetasve të Kosovës, shkel në mënyrë brutale të drejtat e njeriut dhe standardet ndërkombëtare.

“Kush ka menduar se ka ikur koha e inkuizicionit, del se ka gabuar shumë. GJRS – Gjykata Raciste Speciale është rimishërim i inkuizicionit në zemër të Evropës, ku brutalisht shkelet dinjiteti i njeriut të privuar nga liria”, thuhet në reagim.

Organizata nënvizon se, në vendin e iluminizmit dhe të të drejtave themelore, “kemi terr informativ dhe mungesë të drejtave themelore të njeriut nga burokratët juridikë ndërkombëtarë”.

KMDLNJ thekson se institucionet e Kosovës nuk kanë ndërhyrë në mënyrë efektive, duke përdorur metaforën e “lojës së strucit”: “Institucionet e Kosovës brutalisht ndërhyjnë në të gjitha nivelet e gjyqësorit ndërsa sa i përket GJRS – Gjykatës Speciale Raciste, e kanë luajtur lojën e strucit. Askush nuk ka kërkuar që ato të ndërhyjnë në drejtësi, por ka qenë detyrim ligjor të sigurojnë transparencë dhe llogaridhënie”, thuhet më tej në reagim.

Një rast konkret i përmendur është ai i Salih Mustafës – Calit, për të cilin KMDLNJ shprehet se moslejimi i vizitës të babait të tij, i cili ndërroi jetë, tregon “rrënimin moral të Gjykatës Speciale dhe të institucioneve të Kosovës”. Organizata thekson se edhe në raste të tjera, përfshirë Hysni Gucatin, Nasim Haradinajn, Pjetër Shalën, Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin dhe Kadri Veselin, janë vërejtur shkelje të të drejtave dhe trajtim jo-mbarëvajtës.

“Këta të paraburgosur, të zhveshur nga çdo e drejtë, po kalojnë kalvarin shpirtëror nga kriminelët juridikë të Hagës dhe rrogëtarët e tyre politikë në Prishtinë. Heshtja e institucioneve ka përligjur diskriminimin e Gjykatës Raciste Speciale ndaj pengjeve të Hagës, të gjithë shqiptarë dhe të gjithë shtetas të Kosovës, udhëheqës të luftës dhe ndërtues të shtetit dhe paqes”, shtohet në deklaratë.

KMDLNJ vë në pah se Gjykata Speciale injoron Kushtetutën e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Rregullat e Nelson Mandelës për trajtimin e të paraburgosurve. Organizata e quan këtë sjellje si “fytyrë të shëmtuar të Gjykatës” dhe kërkon nga institucionet e vendit të respektojnë të drejtat e njeriut dhe të sigurojnë mbrojtje juridike cilësore.

Në përfundim, KMDLNJ bën thirrje që respekti ndaj vlerave të luftës dhe sakrificës për liri të jetë themel mbi të cilin ngrihen vlerat tjera në Kosovë.

“Te ne është e kundërta: antivlerat dhe antikombëtarët mbajnë poste të larta shtetërore, ndërsa vlerat e vërteta janë të margjinalizuara ose në burg”, përfundon deklarata. /Telegrafi/

Specialja nuk e lejoi ta vizitonte, vdes babai i Salih Mustafës

25 December 2025 at 12:04


Jahja Mustafa, babai i Salih Mustafes, ka ndërruar jetë.

Lajmin e ka konfirmuar Hysni Gucati, kryetari i OVL e UÇK-së, i cili shprehu ngushëllime të thella për familjen dhe miqtë e të ndjerit.

Gucati në një postim në rrjetet sociale shkruan se dhimbja bëhet edhe më e rëndë për shkak se djali i të ndjerit, Salih Mustafa, nuk ka mundur ta vizitojë babanë në momentet e fundit për shkak të situatës me Gjykatën Speciale.

"Ngushëllime të thella për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur Bacën Jahja. Pusho në paqe, Bace!", ka shkruar Gucati.

Ndërkaq në një reagim OVL UÇK ka shprehur indinjatën dhe shqetësimin e thellë për refuzimin e Dhomave të Specializuara në Hagë që t’i mundësojnë Salih Mustafës një vizitë humanitare pranë babait të tij, i cili tashmë ka ndërruar jetë, pa e parë dhe pa i dhënë lamtumirën e fundit të birit.

"Ky vendim i pashpjegueshëm dhe johuman përbën një shkelje të rëndë të parimeve themelore të të drejtave të njeriut dhe të çdo standardi minimal të humanizmit. Salih Mustafa është i dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe nuk ka ekzistuar asnjë rrezik për ndikim në dëshmitarë apo në ndonjë proces gjyqësor. Refuzimi i një kërkese të tillë humanitare nuk ka as bazë ligjore dhe as morale", thuhet në reagim.

OVL e UÇK-së shton se mohimi i së drejtës për t’i qëndruar pranë prindit në momentet e fundit të jetës dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit është një akt që tejkalon çdo kufi të drejtësisë dhe e zhvesh procesin nga çdo ndjenjë njerëzore.

"Drejtësia pa humanizëm nuk është drejtësi, por padrejtësi e institucionalizuar. Ngushëllime familjes Mustafa, bashkëluftëtarëve të Calit dhe të gjithë atyre që e njohën bacën Jahja", thuhet në reagim.

I ndjeri ishte tash e një kohë në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa djalit të tij, ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa, i cili gjendet në burg në Gjykatën Speciale, nuk iu lejua vizita ditë më parë. /Telegrafi/

Mustafës nuk i lejohet të vizitojë babain e sëmurë, reagon OVL-UÇK: Johumane dhe e pakuptimtë

20 December 2025 at 23:09


Organizata e Veteranëve të Luftës e UÇK-së ka shprehur shqetësimin e thellë për refuzimin e Dhomave të Specializuara në Hagë, që t’i mundësojnë Salih Mustafës një vizitë humanitare pranë babait të tij.

Sipas OVL-UÇK-së, babai i Salih Mustafës ndodhet në gjendje kritike shëndetësore.

“Salih Mustafa është i dënuar me aktgjykim të formës së prerë. Nuk ekziston asnjë rrezik për ndikim në dëshmitarë apo në proces gjyqësor. Refuzimi i kësaj kërkese është i pakuptimtë, johuman dhe në kundërshtim me parimet themelore të të drejtave të njeriut.

Ju njoftojmë se OVL UÇK këtë shqetësim do ta ngrejë tek të gjitha institucionet më të larta ndërkombëtare, përfshirë organizatat për të drejtat e njeriut, duke kërkuar reagim dhe përgjegjësi për këto shkelje të rënda” thuhet në reagim.

Nga kjo organizatë thonë se drejtësia pa humanizëm nuk është drejtësi.

Hamza viziton Thaçin e Veselin: Muret në Hagë nuk mund ta burgosin të vërtetën e UÇK-së

16 December 2025 at 15:55


Kryetari i PDK-së dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka vizituar sot në Hagë ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.

Pas takimit Hamza ka deklaruar se procesi gjyqësor ndaj tyre po shkon drejt fundit dhe se pret një përfundim të drejtë.

“Muret në Hagë nuk mund ta burgosin të vërtetën dhe idealin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe shokëve të tyre,” ka shkruar Hamza, duke shtuar se i ka gjetur ata “mirë me shëndet dhe plot entuziazëm për bashkimin tonë”.

Ai ka theksuar se ish-krerët e UÇK-së i kanë shërbyer Kosovës me sakrificë dhe se po përballen me padrejtësi.

“Ata i shërbyen Kosovës me sakrificë dhe sot qëndrojnë të fortë, me kokën lart, pavarësisht padrejtësive me të cilat po përballen këtu,” ka deklaruar Hamza.

Hamza ka thënë se këto padrejtësi i ndien personalisht, si qytetar i Kosovës, si mik dhe si kryetar i PDK-së.

“Si qytetar i Kosovës, si mik, si kryetar i PDK-së dhe kandidat për kryeministër, i ndiej personalisht këto padrejtësi,” ka shkruar ai.

Sipas tij, procesi gjyqësor po shkon drejt fundit dhe zvarritjet nuk i shërbejnë askujt.

“Ky proces tani po shkon drejt fundit dhe presim që fundi të jetë i drejtë. Zvarritjet nuk i shërbejnë askujt: as drejtësisë, as Kosovës dhe as bashkësisë ndërkombëtare,” ka theksuar ai.

Në fund, Hamza ka shprehur besimin se ish-krerët e UÇK-së do të kthehen në Kosovë.

“Kosova po i pret bijtë e saj me krenari. Liria ka emrat e tyre dhe ata po rikthehen në shtëpi,” ka shkruar Hamza, duke shtuar: “Të fala nga Haga! Iu premtova se do t’i gëzojmë më 28 dhjetor!” /Telegrafi/

“Çlirimtarët maten me unitet, jo me flamuj” - vëllai i Rexhep Selimit reagon ndaj mbështetjes vetëm për disa nga liderët e UÇK-së

15 December 2025 at 11:42


Vëllai i Rexhep Selimit, Ramadan Selimi, ka kritikuar publikisht diferencimin e çlirimtarëve të UÇK-së në protestat dhe veprimet simbolike kundër Dhomave të Specializuara në Hagë.

Në një reagim të fundit, Selimi thekson se çlirimtarët nuk maten me flamuj selektiv, por me unitet dhe qëndrim të përbashkët politik e shoqëror.

Ai shpreh shqetësim mbi flamurin e ngritur së fundmi në Drenicë, i cili sipas tij "simbolikisht i kushtohet vetëm dy prej tyre, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit"

Selimi pyet se a është i drejtë ky diferencim?

“A është e moralshme dhe politike që disa oponentë, madje edhe brenda spektrit politik që i ka nxjerrë këta liderë, të ndajnë çlirimtarët në 'më të merituar' dhe 'më pak të merituar', kur të gjithë po përballen me një aktakuzë të njëjtë – të përpiluar nga Serbia dhe të ngritur nga Dhomat e Specializuara në Hagë?", ka shkruar vëllai i Rexhep Selimit.

Ramadan Selimi nënvizon se kontributi i të gjithë anëtarëve të UÇK-së është i pandashëm.

"Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli janë një emër i vetëm në histori: UÇK-ja. Kontributi i secilit prej tyre për çlirimin e Kosovës është i pamohueshëm dhe i pandashëm. Çdo tentativë për t’i veçuar apo për t’i hierarkizuar është jo vetëm padrejtësi historike, por edhe dëm për kauzën që ata përfaqësojnë sot në Hagë", është shprehur ai.

Ramadan Selimi gjithashtu shtron pyetje mbi mbështetjen simbolike që u jepet vetëm disa prej çlirimtarëve.

"A i bën nder ky diferencim atyre dhe vetë PDK-së, veçanërisht kur dihet se djali i Jakup Krasniqit është nominuar nga kjo parti si kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës. Si mund të ndihet ai, por edhe familjet e të gjithë të akuzuarve tjerë që gjinden prapa grillave në Hagë, kur sheh flamuj, bilborde dhe mbështetje simbolike vetëm për dy emra, ndërkohë që babai i tij dhe Rexhep Selimi kanë dhënë po aq – nëse jo më shumë – për lirinë e këtij vendi?", ka shkruar Selimi.

Selimi thekson se nëse vërtet besojmë se gjykimi në Hagë është padrejtësi ndaj luftës çlirimtare, atëherë mbështetja duhet të jetë e barabartë, e sinqertë dhe pa dallime.

“Çlirimtarët nuk maten me flamuj selektivë, por me unitet dhe qëndrim të përbashkët politik e shoqëror. Historia nuk i ndan ata. As ne nuk duhet t’i ndajmë", ka shkruar ai. /Telegrafi/


Rrëzohet kërkesa për modifikimin e dënimit të Haxhi Shalës

12 December 2025 at 11:27


Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), Ekaterina Trendafilova ka vendosur që dënimi i Haxhi Shalës nuk do të ulet apo të modifikohet pas vuajtjes së dy të tretave të dënimit të tij.

Kështu bëhet e ditur në njoftimin për media të Dhomave të Specializuara.

“Për të marrë këtë vendim, Kryetarja u konsultua me gjykatësit e paneleve që kanë shqiptuar dënimin, siç parashihet në nenin 51(2) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (“Ligji”) dhe mori parasysh faktorët e përcaktuar në rregullën 196(3) të Rregullores së Procedurës dhe të Provave.

Kryetarja vuri në dukje konkretisht se Shala nuk kishte shprehur keqardhje dhe deklaroi se do ta shqyrtonte modifikimin e mundshëm të dënimit të Shala pas dy muajsh”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se procedurat lidhur me uljen, modifikimin apo ndryshimin e dënimeve, siç parashihet në nenin 51 (2) të Ligjit, janë procedura individuale. /Telegrafi/

Avokati Hodaj sqaron kushtet që Kilaj duhet të respektojë pas lirimit nga Specialja

10 December 2025 at 19:00


Ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, është liruar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, pasi gjykatësi vendosi se mbajtja e tij në paraburgim nën akuzat për pengim të drejtësisë nuk ishte “as e arsyeshme, as proporcionale”.

Avokati Taulant Hodaj, në emisionin FIVE ka sqaruar se lirimi i Kilajt me kusht nuk lidhet me ose mos pranimin e fajësisë.

Ai ka shpjeguar se vendimi për lirimin e Kilajt është bërë duke marrë parasysh kohën e kaluar në paraburgim dhe peshën e veprës penale.

“Në rastin e caktimit të paraburgimit shikohet pesha e veprës penale, mënyra dhe lartësia e dënimit, dhe gjithmonë është në praktik që në rastet kur kalon një kohë të konsiderueshme në paraburgim kalon kohën siç parashihet me ligjin e aplikueshëm atëherë zakonisht duhet të lirohet apo të shihet masat tjera të sigurisë. Pra masa e paraburgimit është vetëm më e rënda dhe gjykata ka vlerësuar drejtë që peshojnë më shumë argumentet në favor të lirimit me kusht, sesa mbajtjen në paraburgim të tij”, ka deklaruar ai.

Kushtet që Kilaj duhet të respektojë, sipas tij përfshijnë, moskontaktimin me dëshmitarët, mosmanipulimin me prova, mosndikimin e dëshmitarëve dhe përgjigjen ndaj thirrjeve të gjykatës.

Avokati Hodaj ka theksuar se mund të ketë edhe kushte të tjera që nuk mund t’i bëjnë publike.

Hodaj gjithashtu sqaron se lirimi i Kilajt nuk hap rrugë për të tjerët me akuzat për krime lufte.

“Nuk mund të diferencohen veprat penale kundër administrimit të drejtësisë apo krimeve të luftës, pesha e veprës penale dhe lartësia e dënimit dallon. Nëse në këtë rast vepra penale kundër krimeve të lutës do të ishte dënimi minimal 1 2 3, do të ishte aplikuar e njëjta por dënimet janë të larta dhe për atë nuk e kanë aplikuar deri tani”, ka deklaruar Hodaj.

Kilaj akuzohet së bashku me ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-ministrin e Drejtësisë Hajredin Kuçi, ish-shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliun për pengim të drejtësisë në gjyqin për krime lufte ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Akuzat për pengim të drejtësisë/ Lirohet me kusht ish-kryetari i Malishevës Isni Kilaj

By: Brisi
10 December 2025 at 15:13

Ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, është liruar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, pasi gjykatësi vendosi se mbajtja e tij në paraburgim nën akuzat për pengim të drejtësisë nuk ishte “as e arsyeshme, as proporcionale”, raporton REL. Gjykata Speciale njoftoi të mërkurën se gjykatësi erdhi në përfundim se e drejta themelore e Kilajt […]

The post Akuzat për pengim të drejtësisë/ Lirohet me kusht ish-kryetari i Malishevës Isni Kilaj appeared first on BoldNews.al.

Specialja liron me kusht Isni Kilajn

10 December 2025 at 14:45


Sot më 10 dhjetor 2025, Isni Kilaj u lirua me kusht në Kosovë, me kushte të vendosura pas rishikimit të fundit të paraburgimit nga Gjykatësi.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se në vendimin e tij të 3 dhjetorit, 2025, Gjykatësi konstatoi se rrethanat kishin ndryshuar që prej rishikimit të paraburgimit të Kilaj në tetor 2025 dhe se mbajtja e tij në paraburgim nuk ishte më as e arsyeshme, as proporcionale.

“Megjithëse Gjykatësi konstatoi se ekzistonte njëfarë rreziku që në qoftë se lirohet, Kilaj mund të pengojë ecurinë e procesit ose të kryejë vepra penale të tjera, ai arriti në përfundimin se në rrethanat konkrete e drejta themelore e Kilaj për liri peshon më shumë se këto rreziqe”, thuhet në njoftim.

Për më shumë lexoni njoftimin e Dhomave të Specializuara:

Sot më 10 dhjetor 2025, Isni Kilaj u lirua me kusht në Kosovë, me kushte të vendosura pas rishikimit të fundit të paraburgimit nga Gjykatësi i Vetëm i ngarkuar me gjykimin e ҫështjes Prokurorja e Specializuara k. Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit (“Ҫështja 12”).

Në vendimin e tij të 3 dhjetorit, 2025, Gjykatësi konstatoi se rrethanat kishin ndryshuar që prej rishikimit të paraburgimit të z. Kilaj në tetor 2025 dhe se mbajtja e tij në paraburgim nuk ishte më as e arsyeshme, as proporcionale. Megjithëse Gjykatësi konstatoi se ekzistonte njëfarë rreziku që në qoftë se lirohet, z. Kilaj mund të pengojë ecurinë e procesit ose të kryejë vepra penale të tjera, ai arriti në përfundimin se në rrethanat konkrete e drejta themelore e z. Kilaj për liri peshon më shumë se këto rreziqe.

Ndër faktorë të tjerë, Gjykatësi mori parasysh se koha që z. Kilaj ka kaluar në paraburgim në këtë moment tejkalon dënimin minimal sipas ligjit me të cilin ai do të përballej në qoftë se do të shpallej fajtor për veprat penale për të cilat është akuzuar. Gjykatësi gjithashtu mori parasysh se nuk është paraqitur asnjë provë që tregon se z. Kilaj ishte orvatur të pengonte procesin gjatë periudhës së lirimit të tij të mëparshëm me kushte në vitin 2024; se ka përfunduar paraqitja e provave në ҫështjen Prokurori i Specializuar k. Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit dhe se rreziku që z. Kilaj mund të ndikojë në dëshmitarët e Prokurorisë në Ҫështjen 12 është shumë i ulët duke marrë parasysh rrethanat e tyre specifike. Gjykatësi gjithashtu konstatoi se nuk ka rrezik që z. Kilaj të arratiset bazuar në periudhën e lirimit të tij të mëparshëm dhe shumën e ofruar të konsiderueshme si dorëzani financiare që do të humbiste. Z. Kilaj mbetet i akuzuar në gjykimin aktual dhe për lirimin e tij janë caktuar disa kushte që synojnë të zvogëlojnë rrezikun e ndikimit të tij ndaj dëshmitarëve në ҫështjen gjyqësore kundër të tij ose në ҫështje të tjera gjyqësore në Dhomat e Specializuara.

Në vendim përcaktohet se në qoftë se z. Kilaj do të shkelë cilindo prej kushteve të lirimit të tij, do të lëshohet një fletarrestim për arrestimin e tij të menjëhershëm. /Telegrafi/

Krasniqi u bën thirrje shqiptarëve për pjesëmarrje në protestën e 13 dhjetorit në Shkup në mbrojtje të UÇK-së

9 December 2025 at 20:27


Ish-kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka bërë thirrje për pjesëmarrje të gjerë qytetare në protestën gjithëkombëtare që do të mbahet më 13 dhjetor, në ora 13:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup, në mbrojtje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

Në një postim në Facebook, Krasniqi tha se pas Prishtinës dhe Tiranës, Shkupi do të jetë qendra e radhës ku shqiptarët do të ngrejnë zërin për drejtësi.

“Pas Prishtinës dhe Tiranës, këtë të shtunë, jehona për drejtësi e shqiptarëve do të ngrihet fuqishëm edhe në Shkup. Më 13 dhjetor, në ora 13:00, në Sheshin ‘Skënderbeu’, bashkohen zërat nga të gjitha trojet për të mbrojtur dinjitetin, të vërtetën dhe luftën e drejt të UÇK-së”, ka shkruar ai.

Krasniqi e ka cilësuar protestën si një kauzë të përbashkët të shqiptarëve kudo që jetojnë.

“Një protestë gjithëkombëtare, një kauzë e përbashkët. Drejtësi dhe liri për çlirimtarët!”, shtoi ai.

Protesta pritet të mbledhë pjesëmarrës nga të gjitha trevat shqiptare, në shenjë mbështetjeje për ish-drejtuesit e UÇK-së që po përballen me proceset gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë.

“S’ka arsye të na ndalojnë!” – OVL e UÇK sfidon Maqedoninë e Veriut për protestën e 13 dhjetorit

5 December 2025 at 19:53


Fatmir Sopi nga OVL e UÇK-së vlerëson se autoritet maqedonase nuk kanë ndonjë arsye që mos të lejojnë që protesta e radhës në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë të mbahet në Shkup.

Sopi, në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë vullnet për mbajtjen e kësaj proteste teksa shtoi se kanë edhe shumë bashkëluftëtarë atje.

“Ne jemi të bindur se protesta do të ndodhë se nuk ka asnjë arsye që autoritetet maqedonase të mos lejojnë mbajtjen e saj pasi ajo do të jetë një protestë paqësore ku do të shprehet mllefi ndaj padrejtësive në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne konsiderojmë që përderisa nuk kemi pasur pengesa në Prishtinë, Hagë, Strasburg e Tiranë nuk ka asnjë arsye që të pengohemi që të kemi një protestë të tillë në Shkup kur dihet se kemi shumë bashkëluftëtarë atje dhe kur dihet se shqiptarët janë pjesë përbërëse e popullsisë e qeverisjes atje dhe kanë vullnet për mbajtjen e kësaj proteste”, tha Sopi.

“Ne me dhunë nuk mund të organizojmë askund protestë, kemi paraqitë kërkesën në mënyrë zyrtare dhe presim që kjo të mos has në ndonjë pengesë”, u shpreh Sopi.

Kujtojmë se OVL e UÇK-së ka njoftuar të premten se protesta e radhës në përkrahje të çlirimtarëve, do të mbahet më 13 dhjetor sheshin “Skënderbeu” në Shkup.

- YouTube youtu.be

Apeli i Speciales ndryshon pjesërisht vendimin kundër Mustafës, hiqet norma e interesit mbi kompensimin prej 207 mijë euro

5 December 2025 at 18:05


Paneli i Gjykatës së Apelit sot miratoi, me shumicë, një aspekt të apelit të Mustafës kundër vendimit të Gjykatësit të Vetëm të 16 korrikut 2025 në lidhje me pagesën e normës së interesit në lidhje me Urdhrin për Zhdëmtim.

Paneli konstatoi, me mendimin pjesërisht të ndarë të Gjykatës Pikar, se, duke urdhëruar normën e interesit për t’u paguar për shumën e papaguar të zhdëmtimit që nga shpallja e aktgjykimit, Gjykatësi i Vetëm veproi jashtë fushëveprimit të kompetencave të veta dhe, rrjedhimisht prapësoi vendimin sa i përket zbatimit të normës së interesit dhe detyrimeve për raportim lidhur me të.

Salih Mustafa ishte komandant i njësitit gueril BIA i cili operonte brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (‘UÇK’). Gjykimi u zhvillua nga 15 shtatori 2021 deri më 15 shtator 2022.

Aktgjykimi u shpall më 16 dhjetor 2022, Mustafa u shpall fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe u dënua me 26 vjet burgim. Më 5 prill 2023, Trupi Gjykues urdhëroi Mustafën të paguajë një shumë të gjithsejtë prej 207.000 euro si kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj viktimave të krimeve për të cilat është shpallur fajtor.

Më 14 dhjetor 2023, Paneli i Gjykatës së Apelit zvogëloi dënimin e tij në 22 vjet burgim. Pas vendimit të Gjykatës Supreme më 29 korrik 2024, çështja iu kthye përsëri Panelit të Apelit për të shqyrtuar uljen e dënimit.

Më 10 shtator 2024, Paneli i Gjykatës së Apelit shqiptoi një dënim të ri të njësuar prej 15 vitesh, duke llogaritur dhe kohën në paraburgim. Në këtë çështje gjyqësore ishin 8 viktima pjesëmarrëse.

Iu vazhdohet paraburgimi Thaçit, Smakajt dhe Fazliut

4 December 2025 at 14:13


Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, është marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt dhe Fadil Fazliut të cilët së bashku me Isni Kilajn dhe Hajredin Kuçin akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Vendimet e ndara për secilin janë marrë nga gjyqtari i vetëm në këtë rast, Christoph Gosnell, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Vendimi për Thaçin

Në rastin ku Thaçi akuzohet se udhëhoqi tri grupe të ndara për të ndikuar tek dëshmitarët e Prokurorisë në çështjen në të cilën së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, Thaçit i është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj të tjerë.

Mbrojtja e Thaçit kishte argumentuar se i mbrojturi i saj nuk përbën një rrezik për arratisje dhe se mbyllja e afërt e fazës së provave në për krime lufte, si dhe transferimi i kësaj çështjeje në fazën e gjykimit, së bashku me natyrën e provave të Prokurorisë, justifikojnë një vlerësim të ri të rreziqeve të supozuara të pengimit të procedurave dhe kryerjes së krimeve të tjera nga ana e tij.

Gjyqtari Gosnell ka thënë se meqë Apeli ka konstatuar se në rast që një prej kushteve përmbushet për vazhdimin e paraburgimit, atëherë kushtet tjera mund të mos shqyrtohen. Rrjedhimisht, ka vendosur që të mos e shqyrtojë nëse Thaçi përben rrezik të arratisjes në rast se lirohet.

Por, në anën tjetër ka konstatuar se ai mund të ndikojë tek dëshmitarët, të pengojë procedurat dhe rrjedhimisht që të kryejë krime të tjera.

Sipas gjyqtarit, asnjë prej kushteve alternative nuk mund t’i zvogëlojnë rreziqet që dalin nga ky proces.

Vendimi për Smakajn

Gosnell kishte thënë se është i mendimit se ekziston rreziku që nëse lirohet, Smakaj mund të pengojë progresin e procedurave të DhSK-së duke u bazuar në natyrën e akuzave ndaj tij të cilat përfshijnë pretendime për ndikim në dëshmitarë.

Edhe për Smakajn ishte konstatuar se rreziku i ndikimit në dëshmitarë është reduktuar pasi paraqitja e provave të Prokurorisë dhe Mbrojtjes në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së është mbyllur.

Megjithatë, thuhet se Smakaj mund të ndikojë në dëshmitarët e mbrojtjes në çështjen aktuale. Rrjedhimisht, për Smakajn thuhet se ai mund t’i pengojë procedurat dhe të kryej krime të tjera në rast që lirohet.

Kësisoj, gjyqtari ka konstatuar se asnjë prej kushteve të propozuara më para nga mbrojtja nuk mund t’i zbusin mjaftueshëm rreziqet që dalin në rast që Smakaj lirohet me kusht.

Vendimi për Fazliun

Gjyqtari Gosnell në vendimin e tij të parë për vazhdimin e paraburgimit ndaj Fazliut ngjashëm sikur për dy të akuzuarit e tjerë ka thënë se ekziston dyshim i bazuar se ai ka kryer vepra penale që bien brenda juridiksionit të DhSK-së.

Duke u bazuar në atë se Apeli ka deklaruar se nëse njëra nga kushtet përmbushet për caktimin e paraburgimi, kushtet e tjera nuk duhet të shqyrtohen. Rrjedhimisht, Gosnell nuk e konsideroi të nevojshëm për momentin që të bëjë konstatime lidhur me rrezikun që Fazliu mund të arratiset.

Ndërsa, është konstatuar se ekziston rrezik real që Fazliu mund të pengojë progresin e procedurave të DhSK-së.

Në anën tjetër, gjyqtari ka konstatuar se rreziku i pengimit të dëshmitarëve të Prokurorisë është reduktuar në krahasim me periudhat e shqyrtimeve të mëparshme të paraburgimit.

“Gjykatësi i vetëm vëren se dëshmitarët që do të paraqiten për SPO-në, duke marrë parasysh rrethanat e tyre, nuk pritet të jenë subjekt i ndonjë ndikimi nga z. Fazliu ose nga dikush që mund të veprojë në emër të tij”, thuhet në vendim.

Megjithatë, gjyqtari ka konstatuar se ekziston rreziku që Fazliu të ndikojë tek dëshmitarët potencial të mbrojtjes dhe nëse lrohet mund të pengojë progresin e procedurave të DhSK-së. Rrjedhimisht, ai mund të kryejë edhe krime të tjera.

Gjyqtari i vetëm ka thënë se çdo kusht i mundshëm që mund të vendoset nuk e adreson mundësinë që Fazliu mund të përdorë pajisje komunikimi të personave të tjerë, nuk mund të monitorohen plotësisht komunikimet e Fazliut me djalin e tij i cili përmendet në aktakuzë si dhe çdo masë e vendosur nuk mund të jetë efektive sikur qendra e paraburgimit.

Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe vitin e kaluar i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Në këtë rast, Prokuroria ka dorëzuar dosjen paraprake dhe mund ta gjeni KËTU. Po ashtu, dosjen e tij për këtë fazë të procedurës e ka dorëzuar edhe Fadil Fazliu, të cilën mund ta gjeni KËTU. Ndërsa, atë të Thaçit KËTU. /BetimipërDrejtësi/

❌
❌