Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 17 January 2026Main stream

Arratisja e Altin Ndocit, dalin para Gjykatës së Durrësit tetë të arrestuarit, mes tyre gjashtë policët e burgut

17 January 2026 at 10:01


Këtë të shtunë, 8 të arrestuarit, 6 efektivë të Policisë së Burgjeve, shefi i komanduar i policisë së burgut, si dhe kryeinfemieri i IEVP Durrës, të arrestuar një ditë pas arratisjes së të dënuarit Altin Ndocit, janë paraqitur para Gjykatës së Durrësit për vleftësimin e ligjshmërisë së arrestimit dhe caktimin e masës së sigurisë.

Hetimet vijojnë për të zbardhur përgjegjësitë konkrete të secilit prej të dyshuarve dhe rrethanat që çuan në arratisjen e Ndocit, raporton euronews.al

Vendimi i gjykatës pritet të shpallet në orët në vijim.

Ndërkaq një ditë më parë u ekzekutua vendimi i gjykatës për masën “arrest në burg” për ish-drejtorin e IEVP Durrës Indrit Cërloj dhe “arrest në shtëpi ” për mjeken e burgut, Ylfete Sema.

Sulmoi babanë, nënën dhe motrën – arrestohet i dyshuari në Kaçanik

17 January 2026 at 09:52


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person për dhunë në familje.

Rasti ka ndodhur të premten, në ora 13:00.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj babait, nënës dhe motrës së tij”, thuhet në raport.

I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/

Sulmohen dy policë në Stacionin policor në Kaçanik, marrin trajtim mjekësor

17 January 2026 at 09:28


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person për sulm fizik ndaj dy zyrtarëve policorë në vendin e punës.

Rasti ka ndodhur në Stacionin policor në Kaçanik, të premten e 16 janarit në ora 20:30, ndërkaq pas tretmanit mjekësor në QKMF, njëri nga zyrtarët është dërguar në emergjencën e Ferizajt për tretman të mëtutjeshëm.

“Stacion policor Kaçanik 16.01.2026 – 20:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që kishte sulmuar fizikisht dy zyrtarë policorë në vendin e punës”, thuhet në raport.

Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/

Ia dha zyrtarit policor 5 euro ryshfet, arrestohet i dyshuari

17 January 2026 at 08:59


Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të ryshfetit.

Në raportin policor bëhet e ditur se rasti ka ndodhur në pikën kufitare në Vërmicë, të premten në ora 16:15.

“SPK Vërmicë 16.01.2026 – 16:15. Është arrestuar i dyshuari për shkak se zyrtarit policor në pikë kufitar i kishte ofruar 5 euro ryshfet”, thuhet në raport.

Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/

Cakolli: Rinumërimi i pjesshëm i votave të kandidatëve ka rikonfirmuar keqpërdorimet serioze nëpër qendrat komunale të numërimit

17 January 2026 at 08:50


Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) theksoi sot se rinumërimi i pjesshëm i votave të kandidatëve ka rikonfirmuar keqpërdorimet serioze nëpër qendrat komunale të numërimit.

Cakolli në një postim në Facebook thekson se sipas të dhënave nga rinumërimi i deridjeshëm, në nivel kumulativ, ndryshimet në votat e kandidatëve arrijnë në gati 15 mijë vota, ndërkaq sipas partive më shumti ndryshime ka lista e PDK-së, LVV-së, LDK dhe pastaj e AAK-së.

Lexoni të plotë postimin e tij:

Rinumërimi i pjesshëm i votave të kandidatëve ka rikonfirmuar keqpërdorimet serioze nëpër qendrat komunale të numërimit. Sipas të dhënave nga rinumërimi i deridjeshëm, në nivel kumulativ, ndryshimet në votat e kandidatëve arrijnë në gati 15 mijë vota.

Sipas partive, më së shumti ndryshime ka lista e PDK-së me ~7,719 vota dallim; pasuar nga LVV me ~2,947 vota dallim; LDK – me ~1,676 vota dallim; si dhe AAK me ~639 vota dallim.

Në total, pas rinumërimit dhe korrigjimeve në QNR, rreth ~9,500 vota janë hequr dhe rreth ~3,500 janë shtuar për kandidatët. Vetëm te katër partitë kryesore, mbi 200 kandidatë kanë pësuar rritje dhe rreth 200 të tjerë rënie të votave. LVV ka 61 kandidatë me ulje dhe 46 me rritje. PDK ka 79 me rritje dhe 27 me ulje. LDK ka 59 me rritje dhe 46 me ulje. Ndërsa, AAK ka 60 me ulje dhe 37 me rritje.

Dhjetë kandidatët që pas rinumërimit në QNR, kanë rëniet më të mëdha në vota, janë:

1. Fetah Paçarizi (PDK) −1,336 vota

2. Nait Hasani (PDK) −669 vota

3. Arianit Çollaku (PDK) −506 vota

4. Xhavit Haliti (PDK) −477 vota

5. Luljeta Veselaj Gutaj (PDK) −451 vota

6. Kujtim Gashi (PDK) −440 vota

7. Enver Hoxhaj (PDK) −430 vota

8. Fadil Demaku (PDK) −306 vota

9. Ejup Maqedonci (LVV) −250 vota

10. Vendenis Lahu (LVV) −238 vota

Këto janë dallime substanciale, sidomos meqë shfaqen në një kontekst ku rinumërimi është duke u zhvilluar për vetëm 1/3 e vendvotimeve në nivel vendi. Për më keq, vërehet që votat e këtyre kandidatëve janë ndryshuar kryesisht nga qendrat komunale prej nga vijnë këta kandidatë.

Nëse ky trend do të vazhdojë proporcionalisht, volumi i dallimeve në nivel vendi bëhet edhe më domethënës, duke ndikuar potencialisht edhe renditjet e shumë prej kandidatëve. Prandaj, rinumërimi i plotë është zgjidhja e duhur – sa më parë që të jetë e mundur, para se të ndikohen afatet tjera kushtetuese. /Telegrafi/

Një i mitur në Lipjan sulmon bashkëmoshatarin me thikë

17 January 2026 at 08:33


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një të mitur pasi i njëjti dyshohet se kishte sulmuar me një mjetë të mprehtë bashkëmoshatarin.

Rasti ka ndodhur në rrugën “Skënderbeu” në Lipjan, të premten e 16 janarit, në ora 18:35.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i mitur, pasi që kishte sulmuar me një mjetë të mprehtë viktimën mashkull kosovar i mitur”, thuhet në raport.

I lënduari është dërguar në QKUK për tretman mjekësor, ndërkaq me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/

​Moti në Shqipëri, vranët dhe me diell

17 January 2026 at 08:25


Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se të shtunën në Shqipëri kushtet atmosferike do të jenë të qëndrueshme.

SHMU njofton se moti parashikohet i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit, ndërsa në relievet malore në lindje mot me vranësira mesatare deri të dendura si dhe intervale të herëpashershme me diell.

Tutje bëhet e ditur se do të ketë mjegull /mjegullinë përgjatë zonave luginore në orët e mëngjesit e të mbrëmjes.

Era do të fryjë me drejtim verilindje– lindje, me shpejtësi mesatare 6 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi deri në 14 m/s.

Deti - Valëzimi forcës 1-2 ballë. /Telegrafi/

Parashikimi i motit në fundjavë

17 January 2026 at 08:11


Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se në fundjavë do të mbajë mot kryesisht stabil, me vranësira dhe me intervale me diell.

IHK njofton se të shtunën parashihet të mbajë mot i vranët dhe vende-vende me intervale me diell.

Temperaturat minimale -4 deri -2 gradë Celsius, ndërkaq temperaturat maksimale nga 3 deri në 5 gradë Celsius.

Era do të fryjë nga veriperëndimi, me shpejtësi 1-3m/s.

Ndërkaq, për të dielën parashikohet të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell.

IHK njofton se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -6 deri -3 gradë Celsius, ndërkaq ato maksimale nga 1-4 gradë Celsius.

Era do të fryjë nga drejtimi i verilindjes, shpejtësia 1-4m/s. /Telegrafi/

Yesterday — 16 January 2026Main stream

PDK: Gjykimi në Hagë të përmbyllet me drejtësi dhe liri për çlirimtarët

16 January 2026 at 13:59


Pas njoftimit të Gjykatës Speciale se nga 9 deri më 18 shkurt do të zhvillohen deklaratat përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë që mbi pesë vjet, Partia Demokratike e Kosovës thekson edhe një herë nevojën që ky proces, i shoqëruar me problematika serioze, të përmbyllet me drejtësi.

PDK thekson se ky proces është karakterizuar me zvarritje të panevojshme, paqartësi procedurale dhe vendime që kanë ngritur shqetësime të vazhdueshme mbi standardet e drejtësisë dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut.

“Këto rrethana kanë cenuar perceptimin e drejtësisë së barabartë dhe kanë rënduar padrejtësisht mbi çlirimtarët dhe ish-udhëheqësit e shtetit tonë, të cilët tashmë kanë kaluar një periudhë të gjatë në paraburgim”, thuhet në njoftim.

PDK thekson tutje se në këtë fazë përmbyllëse është thelbësore që gjykimi të përqendrohet ekskluzivisht te drejtësia e paanshme, te faktet dhe te provat, duke u larguar nga çdo qasje politike, interpretuese apo spekulative që e ka shoqëruar këtë proces gjatë këtyre pesë viteve.

“Dëshmitarët kyç në këtë proces gjyqësor kanë hedhur poshtë në mënyrë të qartë pretendimet kryesore të aktakuzës, duke rrëzuar çdo dyshim mbi fajësi individuale, grupore apo komanduese. Këto dëshmi kanë kontribuar ndjeshëm në sqarimin e rrethanave faktike dhe kanë rrëzuar bazën e akuzave të prokurorisë.

Partia Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit, paqes dhe drejtësisë, duke besuar se vetëm një vendim i drejtë dhe profesional mund të kontribuojë në mbylljen e këtij kapitulli të rëndësishëm për Kosovën, drejtësinë ndërkombëtare dhe të ardhmen e rajonit tonë”, thuhet tutje në reagimin e PDK-së. /Telegrafi/

Ligji për të Huajt dhe Ligji për Automjete, MPB me informacion për shtetasit e huaj që hyjnë në Kosovë

16 January 2026 at 13:43


Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar një udhëzues përmes së cilës njoftohen shtetasit e huaj për detyrimet ligjore gjatë hyrjes, qëndrimit dhe punësimit në Republikën e Kosovës.

Një njoftimin e MPB-së bëhet e ditur se Ligji për të Huajt, i publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës fillon së zbatuari nga 15 marsi 2026.

Lexoni të plotë njoftimin e MPB-së:

Të dashur vizitorë, mirësevini në Republikën e Kosovës! Ju dëshirojmë qëndrim të këndshëm në vendin tonë. Jemi të obliguar të ju njoftojmë me të drejtat dhe obligimet për qytetarët e huaj e mysafirë në Republikën e Kosovës, për të bërë edhe qëndrimin tuaj në shtetin tonë më të lehtë e në përputhje me rregullat e ligjet e vendit tonë.

Ju lutem vini re që:

Me rastin e hyrjes në Republikën e Kosovës, i huaji duhet:

të posedojë dokument të vlefshëm udhëtimi;

të posedojë vizë ose leje qëndrimi, kur kërkohet;

të respektojë qëllimin dhe afatin e qëndrimit;

të lajmërojë adresën e qëndrimit në afat prej tri (3) ditësh nga dita e hyrjes, në kufi apo në stacionin më të afërt policor;

të ketë mjete të mjaftueshme për jetesë;

të respektojë ligjet e Republikës së Kosovës;

të mos ketë ndalim të hyrjes dhe qëndrimit në Republikën e Kosovës;

të mos përbëjë kërcënim për sigurinë shtetërore, rendin dhe shëndetin publik.

Me rast të qëndrimit afatshkurtër:

I huaji mund të qëndrojë deri në nëntëdhjetë (90) ditë brenda periudhës kohore prej njëqind e tetëdhjetë (180) ditë pa vizë ose me vizë kur kjo kërkohet,

Nuk i lejohet puna/punësimi gjatë kësaj periudhe pa leje pune;

Çdo qëndrim mbi 90 ditë kërkon aplikim për lejeqëndrim.

Me rast të qëndrimit në Republikën e Kosovës për çështje punësimi:

kërkohet leje qëndrimi e përkohshme për punë;

kërkohet leje pune;

Kërkohet licencim paraprak në rast të aplikimit për leje pune për profesionin që kërkon licencë;

puna pa leje është e ndaluar.

Aplikimi për leje të punës bëhet pranë Agjencisë së Punësimit.

Qëndrimi për qëllime të tjera:

Për çështje studimi, ribashkimi familjar ose arsye tjera humanitare, kërkime shkencore dhe rrethana tjera të parapara me ligj, kërkohet:

pajisja me lejeqëndrim të përkohshëm dhe

plotësimi i kritereve tjera ligjore në varësi nga qëllimi i qëndrimit.

Aplikimi mund të bëhet në misione diplomatike/konsullore ose në DSHAM, në rastet kur i huaji ka hyrë në Republikën e Kosovës dhe nuk ka nevojë për vizë.

Pasoja në rast shkeljeje

Atëherë kur nuk veprohet në pajtim me përcaktimet ligjore që lidhen me hyrjen, lëvizjen, qëndrimin dhe punësimin e të huajve, autoritetet kompetente mund të marrin masat e përcaktuara me ligj, të cilat mund të përfshijnë por nuk kufizohen në:

anulimin e lejeqëndrimit,

shqiptimin e gjobës,

urdhërimin e largimit dhe

ndalimin e hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës.

Për më shumë informacion mund t’i referoheni Ligjit Nr.04/L-219 për të Huajt, të publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

MPB njofton se zbatimi i plotë fillon nga data 15 mars 2026.

“Çdo hyrje pas kësaj date që rezulton me mosparaqitje sipas rregullave të listuara brenda këtij udhëzuesi, do rezultojë me ndalim hyrje në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Rama: Jemi larg kritereve të BE për sigurinë ushqimore, nuk do falim më askënd

16 January 2026 at 12:22


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e grupit të PS e vuri theksin tek siguria ushqimore duke thënë se pavarësisht punës së bërë, ende nuk janë arritur standardet e BE.

Rama u shpreh se do të kërkojë një fazë të ndërmjetme, 5 vite pas anëtarësimit në BE, për të plotësuar kriteret për këtë sektor, ndërsa theksoi se nuk do të falet asnjë shkelje në këtë aspekt.

“Po përpiqemi të fitojmë një fazë të ndërmjetme prej 5 vitesh. Por vitet kalojnë shpejt dhe përgatitje duhet të fillojnë. Po të kemi parasysh kur ne kemi marrë detyrën rrugët e Shqipërisë, ishin tregje ushqimore dhe thertore. Duke u kthyer pas në vitin 2013, të gjithë të kalonin filmin e kujtesës, gjënë e gjallë që therej në rrugë. Apo të gjitha autostradat e Shqipërisë që veçse ishin lënë rrugëve ishin të kufizuara nga tezga dhe tregje informale ushqimore.

Që nga ajo kohë ka përparim por në raporte me kriteret e sigurisë ushqimore të BE jemi shumë larg. Por në momentin e anëtarësimit dhe kur përfundon periudha e ndërmjetme asnjë ushqim i prodhuar në Shqipëri nuk mund të shitet veçse në Shqipëri. Pra edhe në Shqipëri ushqimet mund të bllokohen sepse nuk përmbushin kriteret e sigurisë dhe në skenarit më pesimist do të thotë që gjithçka që hahet të importohet. Pra duhet punë dhe vendosmëri, nga ana jonë si vendimmarrës, për të mos falur asgjë dhe askënd në emër të nevojës që të vazhdojë të punojë. Të gjithë do vendosen në pozita të forta përgjegjësie. Pra në rastin më të mirë janë 10 vite përpara”, tha ai, raporton euronews.al.

Tërmet në Shqipëri

16 January 2026 at 12:05


Një tërmet i shkallës 3.9 Rihter ka ndodhur sot në ora 11:28 në Shqipëri.

Sipas Qendrës Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare epiqendra e tërmetit ishte 56 km në jug-lindje të Elbasanit, ose 18 km në jug-perëndim të Pogradecit.

Thellësia e tërmetit ishte 15 km.

Deri tani nuk është raportuar për ndonjë të lënduar ose dëme. /Telegrafi/

⁠Ndryshim i numrit të votave pas rinumërimit, disa kandidatë marrin më shumë e disa me rënie të votave

16 January 2026 at 11:55


Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.

Ndryshime të votave ka në të gjitha partitë, në Lëvizjen Vetëvendosje, Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës, etj.

Te disa kandidatë vërehet rënie e numrit të votave, e te disa rritje.

Në linkun e KQZ-së, nga të dhënat e orës 10:50, del se lideri i LVV-së ka rënie për 86 vota, Glauk Konjufca ka rënie për 56 vota, Donika Gërvalla minus 6 vota, Avni Dehari – 29 vota, Albulena Haxhiu -18 vota.

Rritje të votave ka Hekuran Murati për 4 vota, Mimoza Kusari plus 7 vota, Shqipe Selimi plus 36 vota.

Në PDK rënie ka Bedri Hamza për 21 vota, Uran Ismaili – 20, Vlora Çitaku ka rënie për 11 vota, Enver Hoxhaj – 14.

Rritje të votave ka Ganimete Musliu për 10 vota, Përparim Gruda për 31 vota, Elmi Reçica për 27 vota.

Ndërkaq, te Lidhja Demokratike e Kosovës rënie të votave ka Lumir Abdixhiku për 20 vota, Kujtim Shala për 7 vota, Hykmete Bajrami minus 8 vota, Anton Quni – 16 vota.

Rritje të votave në LDK ka Jehona Lushaku për 1 votë, Adelina Thaçi Meta +3 vota, Visar Azemi +3 vota, etj.

Ndryshimin e votave pas rinumërimit mund ta përcillni në këtë LINK. /Telegrafi/

Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e një të dyshuari për grabitje

16 January 2026 at 11:23


Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin e një personi që dyshohet për grabitje.

Policia thekson se për çdo informatë që mund të identifikojë të dyshuarin qytetarët mund t’i shkruajnë Policisë.

“Personi i dyshuar kërkohet për përfshirje në veprën penale ‘Grabitje’. Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e tij, ju lusim të kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192 ose përmes emailit: info@kosovopolice.com”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Kapen 160 kg kokainë në Bergamo, dy shqiptarë të arrestuar

16 January 2026 at 10:09


Një sasi e konsiderueshme prej mbi 160 kilogramësh kokainë është sekuestruar nga Guardia di Finanza italiane gjatë një operacioni në një zonë industriale të provincës së Bergamos, ndërsa dy shqiptarë kanë përfunduar në pranga.

Droga ishte fshehur në shtatë çanta të mëdha dhe po transportohej me një automjet të tonazhit të rëndë (TIR), gati për t’u hedhur në tregun lokal, me një vlerë të përllogaritur rreth 20 milionë euro, raportojnë mediat italiane, përcjell A2.

Sipas autoriteteve, pas shërbimeve të posaçme të vëzhgimit dhe analizës së riskut në zonat industriale dhe tregtare të provincave Brescia dhe Bergamo, efektivët vunë re lëvizje të dyshimta.

Shoferi i mjetit u pa teksa hipte në rimorkio, duke pritur mbërritjen e një automjeti tjetër që iu afrua menjëherë. Gjatë momentit të dorëzimit të shtatë çantave voluminoze, forcat e rendit ndërhynë dhe gjetën 150 pako me kokainë, me peshë totale mbi 160 kilogramë.

Dy të dyshuarit, të shqiptarë, u arrestuan dhe u dërguan në burgun e Bergamos, në dispozicion të autoriteteve gjyqësore italiane.

Makina bie nga Ura e Dajlanit 30 metra poshtë, humb jetën 18-vjeçarja në Durrës - plagoset shoferi dhe dy këmbësorë

16 January 2026 at 08:03


Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Durrës, te Ura e Dajlanit. Një automjet tip BMW X5 ka dalë nga rruga dhe ka rënë nga ura, duke përfunduar rreth 30 metra poshtë saj.

Si pasojë e aksidentit, pasagjerja 18-vjeçare ka humbur jetën, ndërsa drejtuesi i mjetit, 26 vjeç, ka mbetur i plagosur rëndë dhe është transportuar drejt spitalit për ndihmë mjekësore. Po ashtu janë plagosur edhe dy këmbësorë, raporton euronews.al.

“Rreth orës 22:15, të datës 15.01.2026, te Ura e Dajlanit, në lagjen nr. 4, automjeti me drejtues shtetasin A. Xh., 26 vjeç, banues në Fier, ka rënë nga mbikalimi. Si pasojë e aksidentit, ka ndërruar jetë pasagjerja, shtetasja V. G., 18 vjeçe, ndërsa janë dëmtuar drejtuesi i automjetit, shtetasi A. Xh., si dhe dy këmbësorë, shtetasit T. T., 33 vjeç, dhe A. M., 35 vjeç, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve”, njofton policia.

Nga burime thuhet se është dashur ndërhyrja e forcave zjarrfikëse për nxjerrjen e dy të rinjve që ndodheshin brenda automjetit.

Grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.

Sulmi në Banjskë, sot seanca gjyqësore ndaj tre të akuzuarve

16 January 2026 at 07:42


Sot mbahet seanca gjyqësore për sulmin në Banjskë ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.

Seanca nis në ora 09:30.

Ndryshe, Prokuroria Speciale, më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve, për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës për sulmin e armatosur në Banjkë i ngarkon shumicën e tyre me terrorizëm dhe krime të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.

Radoiçiq akuzohet, gjithashtu, për lehtësimin dhe financimin e kryerjes së terrorizmit dhe pastrimit të parave, ndërsa i gjithë grupi akuzohet se me përdorim të dhunës dhe armëve të rënda, ka tentuar të ndajë pjesën veriore të Kosovës – ku gjenden komunat me shumicë serbe – dhe ta bashkojë atë me Serbinë.

Aktakuza e përshkruan Radoiçiqin si “udhëheqës të grupit terrorist”.

Në aktakuzë thuhet se më 24 shtator të vitit 2023, pasi bllokoi rrugën për në urën e fshatit me dy kamionë, ai dhe pjesëmarrësit e tjerë u fshehën dhe sulmuan oficerët e Policisë së Kosovës që shkuan për t’i larguar kamionët dhe për të liruar rrugën.

Në sulm mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, ndërsa u plagosën policët: Alban Rashiti, Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi.

Sipas aktakuzës, sulmi zgjati deri në orën 15:00, “kur shumica dërrmuese e grupit iku përmes rrugëve malore drejt Republikës së Serbisë”.

Në aktakuzë thuhet se ata ishin “trajnuar profesionalisht” dhe se kishin hyrë në Kosovë në mënyrë të paligjshme nga Serbia, përmes rrugëve malore, me dhjetëra makina, disa prej të cilave të blinduara dhe të ngarkuara me armë të rënda, municione, raketahedhës, eksplozivë, uniforma ushtarake kamufluese dhe pajisje të tjera ushtarake logjistike. /Telegrafi/

Moti në Shqipëri, reshje të herëpashershme – në zonat luginore mjegull

16 January 2026 at 07:24


Shqipëria të premten do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të qëndrueshme.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se moti parashikohet alternime vranësirash mesatare dhe hera-herës deri të dendura në pjesën më të madhe të territorit, pas orëve të mesditës mot me kthjellime dhe vranësira kalimtare.

Në veriperëndim – perëndim, pjesërisht në qendër dhe në ekstremin jugor në orët e mëngjesit deri në orët e mesditës reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët të karakterit lokal.

Ndërkaq, mjegull do të ketë përgjatë zonave luginore në orët e mëngjesit e të mbrëmjes.

Era do të fryjë me drejtim verilindje– juglindje, me shpejtësi mesatare 5 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi deri në 9 m/s.

Deti - Valëzimi forcës 1-2 ballë. /Telegrafi/



Moti sot, intervale me diell – temperaturat deri në 7 gradë

16 January 2026 at 07:12


Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot në Kosovë do të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me intervale me diel.

IHK njofton se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -5 deri -2 gradë Celsius, ndërkaq ato maksimale nga 4 deri 7°C

Era do të fryjë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i juglindjes. /Telegrafi/

❌
❌