Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 1 January 2026Main stream

ZVICËR – Të paktën 40 të vdekur dhe 100 të plagosur nga zjarri në resortin e skive Crans-Montana

1 January 2026 at 18:10

SIERRE, 1 janar /ATSH/- Të paktën 40 persona janë raportuar të vdekur pas një zjarri që përfshiu një bar në resortin zviceran të skive Crans-Montana gjatë festimeve të Vitit të Ri, tha sot policia.

Njëzet e dy të rinj – që pësuan plagë të rënda – u transportuan me helikopter në spitalin e Lozanës, njoftoi gazeta zvicerane “24 Heures”.

“Trajtimi i plagëve të tyre nga djegiet mund të zgjasë disa javë, ose muaj”, tha drejtoresha e Spitalit Universitar të Lozanës, Claire Charmet.

“Këta janë pacientë të rinj. Mesatarisht, midis 16 dhe 26 vjeç”, shtoi ajo.

Tetë pacientë dhe po transferohen në kujdes intensiv, sipas Charmet.

Pas katastrofës në vendpushimin Crans-Montana – në të cilën policia tha se 40 persona kishin vdekur dhe rreth 100 të tjerë ishin plagosur – klinika në Lozanë aktivizoi një plan krize për të qenë në gjendje të trajtonte një numër të madh pacientësh të plagosur.//a.i/

The post ZVICËR – Të paktën 40 të vdekur dhe 100 të plagosur nga zjarri në resortin e skive Crans-Montana appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MOSKË – Rusia: Të paktën 24 të vrarë pas sulmit ukrainas në rajonin e pushtuar të Khersonit

1 January 2026 at 17:49

MOSKË, 1 janar /ATSH-DPA/- Forcat pushtuese ruse thanë sot se mbi 24 persona u vranë gjatë një sulmi ukrainas me dron që goditi fshatin Khorly në Detin e Zi, në festën e Vitit të Ri.

Guvernatori në detyrë i rajonit të aneksuar – rajonit jugor ukrainas të Khersonit – që nga 4 tetori 2022, Vladimir Saldo tha se tre dronë ukrainas kishin goditur një kafene në Khorly ndërsa njerëzit po festonin vitin e ri.

Fillimisht, pati raportime për 24 të vdekur, por më vonë u tha se numri i të vrarëve mund të jetë më i lartë.

Imazhet dhe videot që qarkullojnë në media sociale treguan një restorant të djegur në Khorly, një vendpushim i vendosur në një gadishull të vogël që del në Detin e Zi, rreth 70 kilometra nga kryeqyteti rajonal, Kherson.

Saldo tha se midis të vrarëve ishte edhe një fëmijë – duke vënë në dyshim gatishmërinë e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky për t’i dhënë fund luftës së nisur nga Rusia gati katër vjet më parë.

Pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës të nisur më 24 shkurt 2022, Rusia aneksoi në mënyrë të paligjshme rajonin e Khersonit, së bashku me Zaporizhian, Donetskun dhe Luhanskun, edhe pse nuk kontrollon plotësisht asnjë nga këto rajone.

Kontrolli i Khersonit është i ndarë përgjatë lumit Dnipro – me forcat ruse që pushtojnë jugun e rajonit, përfshirë bregdetin e Detit të Zi.

Ministria e Jashtme ruse, Kisha Ortodokse Ruse dhe ligjvënësit rusë shprehën zemërim, ndërsa prokurorët rusë kanë nisur procedurat për terrorizëm

Kievi ende nuk ka komentuar mbi akuzat. Kanali pro-ukrainas i Telegram “Exilenova” tha se kishte pasur sulme të ngjashme në të kaluarën kur forcat pushtuese mblidheshin për festa. //a.i/

The post MOSKË – Rusia: Të paktën 24 të vrarë pas sulmit ukrainas në rajonin e pushtuar të Khersonit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFJE – Bullgaria i bashkohet zyrtarisht eurozonës

1 January 2026 at 17:12

SOFJE, 1 janar /ATSH/- Bullgaria u bë anëtari i 21-të i eurozonës, duke e çuar numrin e njerëzve që përdorin monedhën e vetme evropiane në më shumë se 350 milionë, sipas DW.

Bullgaria miratoi sot përdorimin e euros pavarësisht kundërshtimit në disa sektorë të shoqërisë.

Christine Lagarde, presidente e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), përshëndeti përfshirjen e Bullgarisë në eurozonë.

“Euro është një simbol i fuqishëm i asaj që Evropa mund të arrijë kur punojmë së bashku, dhe i vlerave të përbashkëta dhe forcës kolektive që mund të shfrytëzojmë për t’u përballur me pasigurinë gjeopolitike globale – me të cilën përballemi në këtë moment”, tha Lagarde në një deklaratë.

Vendi ballkanik, anëtar i BE-së që nga viti 2007, i bashkohet zonës së monedhës së vetme pas hyrjes së Kroacisë në janar 2023.

Ky vendim e çon numrin e evropianëve që përdorin monedhën në më shumë se 350 milionë.

Pranimi i Bullgarisë në eurozonë – lë vetëm gjashtë nga 27 vendet e BE-së jashtë unionit monetar: Suedinë, Poloninë, Republikën Çeke, Hungarinë, Rumaninë dhe Danimarkën.

Edhe pse presidenti bullgar, Rumen Radev e quajti adoptimin e euros “hapin e fundit” në integrimin e Bullgarisë në BE, ndërsa shprehu keqardhje që bullgarët nuk ishin konsultuar me referendum për adoptimin e monedhës.

“Ky refuzim ishte një nga simptomat dramatike të përçarjes së thellë midis klasës politike dhe popullit, e konfirmuar nga demonstratat masive në të gjithë vendin”, tha ai në një fjalim të Vitit të Ri.

Sipas anketës së fundit të Eurobarometrit, 49% e bullgarëve ishin kundër kalimit në euro.

Në ditët e fundit, pronarët e bizneseve dhe shitësit kanë raportuar vështirësi në marrjen e euros.

Bankat paralajmëruan gjithashtu për ndërprerje të mundshme të pagesave me karta dhe tërheqjeve nga bankomati.

Kursi fiks i këmbimit është 1,95583 leva për euro. //a.i/

The post SOFJE – Bullgaria i bashkohet zyrtarisht eurozonës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

HOLANDË – Kisha në Amsterdam shkatërrohet nga zjarri në natën e Vitit të Ri

1 January 2026 at 17:02

AMSTERDAM, 1 janar /ATSH-DPA/- Një zjarr në natën e Vitit të Ri shkatërroi kryesisht një kishë të madhe në qytetin holandez të Amsterdamit.

“Kulla afërsisht 50 metra e lartë dhe çatia e Kishës Vondel në qendër të Amsterdamit u shembën”, thanë sot autoritetet e sigurisë.

Nuk janë raportuar të plagosur pas rënies së zjarrit në kishë, e cila nuk është përdorur si vend adhurimi për disa dekada.

Një numër i madh apartamentesh në afërsi të kishës u evakuuan. Rreth 90 familje mbetën përkohësisht pa energji elektrike. Erërat e forta i përhapën flakët dhe shkaktuan shkëndija.

Shkaku i zjarrit, i cili shpërtheu pas mesnatës, është ende i panjohur.

Holanda festoi natën e Vitit të Ri ku individë privatë u lejuan të hidhnin fishekzjarrë.

Njerëzit blenë shumë më tepër fishekzjarrë të ligjshëm dhe të paligjshëm sesa në vitet e kaluara, duke çuar në zjarre të shumta.

Por, mebetet ende e paqartë, nëse zjarri në kishë lidhet me fishekzjarrët.

Brigada e zjarrfikësve luftoi me flakët me një ekip të madh forcash edhe nga qytete të tjera. Gjithashtu, marina holandeze mbështeti përpjekjet e shuarjes së zjarreve.

Një ekspert ndërtimi vlerërsoi sot në mëngjes se muret e kishës do të mbeteshin në këmbë dhe se nuk kishte rrezik të mëtejshëm shembjeje. //a.i/

The post HOLANDË – Kisha në Amsterdam shkatërrohet nga zjarri në natën e Vitit të Ri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Ukraina falënderon Gjermaninë për dorëzimin e dy sistemeve të reja “Patriot”

1 January 2026 at 16:44

KIEV, 1 janar /ATSH-DPA/- Ukraina ka marrë dy sisteme të tjera ajrore “Patriot” për të ndihmuar në mbrojtjen nga sulmet ruse, tha sot Ministria e Mbrojtjes, duke i dhënë meritën Gjermanisë për lehtësimin e dorëzimit të tyre.

“Sistemet janë dislokuar tashmë për të mbrojtur qytetet ukrainase dhe infrastrukturën kyçe, falë marrëveshjeve të fundit me qeverinë gjermane”, tha ministri i Mbrojtjes, Denys Shmyhal.

Sistemet e raketave tokë-ajër të prodhuara në SHBA janë pakti më i mirë i Ukrainës kur bëhet fjalë për mbrojtjen kundër raketave balistike dhe kruz ruse.

Sistemi “Patriot” përfshin komponentë të ndryshëm si, një radar, një stacion kontrolli zjarri, antena dhe lëshues për raketat antiajrore.

Që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, Kievi ka marrë një numër sistemesh “Patriot” nga aleatët perëndimorë.

Gjermania ka furnizuar tre sisteme të plota. Gushtin e kaluar, Ministria e Mbrojtjes në Berlin njoftoi dorëzimin gradual të komponentëve për dy sisteme të tjera “Patriot”, ndërsa Norvegjia tha se do të kontribuonte me fonde.

Në këmbim, Gjermania do të furnizohej me gjeneratën e fundit të sistemit “Patriot” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. //a.i/

The post KIEV – Ukraina falënderon Gjermaninë për dorëzimin e dy sistemeve të reja “Patriot” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Çokollata e zezë, e pasur me flavonoide, përmirëson shëndetin kardiovaskular

1 January 2026 at 16:14

TIRANË, 1 janar /ATSH/- Një çokollatë e zezë në ditë ul tensionin e gjakut dhe mbron arteriet.

E pasur me flavonoide, ajo lidhet me përmirësimin e shëndetit kardiovaskular duke rritur rrjedhën e gjakut, duke ulur presionin e gjakut, duke zvogëluar kolesterolin e keq (LDL), duke parandaluar mpiksjen e gjakut dhe duke përmirësuar funksionin arterial, sipas “News Medical”.

Çokollata e zezë duhet të konsumohet me moderim si një ëmbëlsirë për shkak të përmbajtjes së kalorive dhe yndyrës.

Hulumtimi i udhëhequr nga studiues në Universitetin Surrey sugjeron përdorimin flavonoideve – një klasë e polifenoleve me bazë bimore, që gjenden në ushqime si çaji, kakaoja, manaferrat dhe mollët, të njohura për përfitimet shëndetësore si përmirësimi i shëndetit kardiovaskular duke rritur funksionin endotelial dhe duke ulur presionin e gjakut.

Efektet e tyre pozitive shtrihen në veprime anti-inflamatore dhe anti-trombotike, duke ulur ulin në mënyrë modeste tensionin e gjakut dhe mbështetur shëndetin vaskular.

Duke analizuar të dhënat e 145 studimeve, ekipi zbuloi se marrja e rregullt e ushqimeve të pasura me flavonoide – çoi në një ulje të tensionit të gjakut, veçanërisht tek njerëzit me tension të lartë.

Tek disa pjesëmarrës, ulja e tensionit të gjakut ishte e krahasueshme me atë të arritur me disa ilaçe për tensionin e gjakut, duke nënvizuar potencialin e dietës si një mjet ndihmës në parandalimin dhe menaxhimin kardiovaskular.

Përtej tensionit të gjakut, flavonoidet treguan se përmirësojnë funksionin endotelial, duke rritur performancën e enëve të gjakut – pavarësisht nga çdo ndryshim në tensionin e gjakut.

Kjo sugjeron përfitime më të gjera kardiovaskulare, të tilla si rregullim më i mirë i rrjedhjes së gjakut dhe ulje e tendosjes vaskulare.

Autori kryesor i studimit, profesor Christian Heiss, theksoi se, ndërsa këto gjetje janë premtuese, ushqimet e pasura me flavonoide nuk duhet të zëvendësojnë trajtimet e përshkruara ose këshillat mjekësore profesionale.

Në vend të kësaj, sasitë modeste ditore të çajit, çokollatës së zezë, mollëve ose pluhurit të kakaos mund të jenë një shtesë praktike dhe e vlefshme për një dietë të ekuilibruar, duke mbështetur shëndetin e zemrës – si pjesë e një stili jetese të shëndetshëm në përgjithësi, veçanërisht tek individët me rrezik më të lartë kardiovaskular. //a.i/

 

 

The post Çokollata e zezë, e pasur me flavonoide, përmirëson shëndetin kardiovaskular appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkenca konfirmon se qentë ëndërrojnë për njerëzit që duan më shumë

1 January 2026 at 15:40

TIRANË, 1 janar /ATSH/-  Ëndrrat e qenve për pronarët e tyre janë një nga zbulimet më të ëmbla në psikologjinë e kafshëve, jo sepse tingëllon bukur, por sepse mbështetet nga shkenca e trurit, sipas “Scientific American”.

Ndryshe nga makinat që fiken gjatë gjumit, qentë kanë tru aktiv që riprodhon jetën e përditshme.

Hulumtimet e kryera nga Shkolla Mjekësore e Harvardit, në Boston, Masaçusets – tregojnë se qentë hyjnë në gjumin REM, në të njëjtën fazë ëndrrash që kanë njerëzit, ku përpunohen kujtimet dhe emocionet.

Gjumi REM, ndodh në intervale gjatë natës dhe karakterizohet nga lëvizje të shpejta të syve, më shumë ëndrra dhe lëvizje trupore, dhe puls dhe frymëmarrje më të shpejtë.

Studimet e gjumit tek gjitarët tregojnë se gjumi REM ndodh kur truri rishikon përvoja të rëndësishme.

Për qentë, kjo do të thotë shëtitje, lojëra, aroma dhe veçanërisht kohë e kaluar me njerëzit e tyre.

Meqenëse qentë krijojnë lidhje të forta emocionale me pronarët e tyre, këto marrëdhënie bëhen disa nga pjesët më kuptimplote të botës së tyre të brendshme.

Pse qentë ka të ngjarë të ëndërrojnë për pronarët e tyre?

Hulumtimet sugjerojnë se qentë shpesh ëndërrojnë duke luajtur me pronarët e tyre, duke përsëritur përvojat e përditshme gjatë gjumit REM, gjë që shpjegon pse ata dridhen, lëvizin putrat ndërsa flenë, ndërsa përjetojnë momente të gëzueshme me njerëzit e tyre të preferuar.

Meqenëse qentë krijojnë lidhje të forta dhe pronarët janë thelbësorë për jetën e tyre, këto ndërveprime bëhen pjesë e rëndësishme e ëndrrave të tyre, e ngjashme me mënyrën se si njerëzit ëndërrojnë për jetën e tyre të përditshme.

Në të kundërt, heshtja dhe qetësia nuk do të thotë se nuk po ndodh asgjë.

Truri i një qeni që fle mund të jetë shumë i zënë, edhe nëse trupi mezi lëviz.

Shkelmat dhe rënkimet e vogla janë shenja të kujtesës dhe emocioneve në veprim.

Ndërsa qentë nuk mund të na tregojnë ëndrrat e tyre, shkenca tregon se ata ka të ngjarë të jenë të mbushur me jetën që jetojnë më shumë. Kjo shpesh nënkupton vetë pronarët e tyre! //a.i/

The post Shkenca konfirmon se qentë ëndërrojnë për njerëzit që duan më shumë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vendet anembanë botës mirëpresin vitin 2026 me fishekzjarre dhe siguri të shtuar

1 January 2026 at 14:50

NJU JORK, 1 janar /ATSH/- Nga Sidnej në Paris e deri në Nju Jork, njerëzit në mbarë botën festuan ardhjen e Vitit të Ri 2026, sipas AP.

Ndërsa ora shënoi mesnatën në Japoni, kambanat e tempujve ranë dhe disa u ngjitën në male për të parë lindjen e parë të diellit të vitit të ri.

Dubai organizoi festimet e saj të famshme spektakolare të Vitit të Ri, duke shfaqur fishekzjarre verbuese dhe shfaqje lazeri në kullën ikonike Burj Khalifa, të sinkronizuara me Shatërvanët e Dubait, ndërsa vende buzë ujit si Palm Jumeirah dhe Dubai Marina gjithashtu pritën ngjarjen e madhe me dronë, elementë uji , duke krijuar një shfaqje të paharrueshme dritash në të gjithë horizontin e qytetit për miliona spektatorë.

Numërimi mbrapsht për vitin 2026 u projektua në Harkun e Triumfit në Paris, ndërsa në Moskë njerëzit festuan në dëborë.

Në “Times Square” të Nju Jorkut, pjesëmarrësit sfiduan temperaturat e ftohta për të festuar me hedhjen e famshme të topit të Vitit të Ri.

Në Rio de Zhaneiro, turmat mbushën Plazhin Copacabana të qytetit për të shijuar koncertin dhe një shfaqje fishekzjarresh 12-minutëshe, pavarësisht baticave të larta dhe valëve të mëdha që tronditën barkat që mbanin fishekzjarre.

Hong Kongu mbajti festime të kufizuara pas një zjarri të kohëve të fundit në një kompleks apartamentesh që shkaktoi vdekejen e 161 personave.

Australia e mirëpriti vitin e ri me kufizime –  pasi festimet në plazhin e famshëm u anuluan për shkak të sulmit vdekjeprurës terrorist në plazhin Bondi, në Sidnej dy javë më parë.

Në metropolin australian, 9 tonë fishekzjarrë u hodhën në qiell rreth Urës ikonike të Portit dhe Shtëpisë së Operas.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin turistik zviceran të Crans-Montanës, ku një zjarr në një bar në orët e para të vitit të ri supozohet se vrau dhjetëra njerëz.

Hedhja e topit në Nju Jork 

Turmat e mbledhura brohorisnin dhe përqafonin topin e Vitit të Ri të mbuluar me më shumë se 5,000 kristale që zbriste poshtë një shtylle në “Times Square”.

Pjesëmarrësit, të veshur me kapele festive dhe varëse të ndriçuara, kishin pritur me orë të tëra për të parë hedhjen e topit prej 5,602 kilogramësh.

Prezantuesit televizivë intervistuan vizitorët që merrnin pjesë nga vende të tilla si Florida, Meksika dhe Koreja e Jugut, dhe lexuan urimet e njerëzve për vitin e ri.

Policia në qytet kishte planifikuar masa shtesë anti-terroriste gjatë hedhjes së topit – me “ekipe kontrolli të lëvizshme”.

Pak çaste pasi topi u lëshua, ai u ngrit sërish, duke shkëlqyer në ngjyrë të kuqe, të bardhë dhe blu, për të shënuar 250-vjetorin e ardhshëm të vendit.

Më shumë siguri në Sidnej

Një prani e madhe policie monitoroi turmat që shikonin fishekzjarrët në Sidnej.

Një orë para mesnatës, viktimat e sulmit vdekjeprurës terrorist në plazhin Bondi, dy javë më parë – u përkujtuan me një minutë heshtje dhe turma u ftua të tregonte solidaritet me komunitetin hebre të Australisë.

Festime të kufizuara për shkak të luftës dhe fatkeqësive

Indonezia kufizoi festimet në solidaritet me komunitetet e shkatërruara nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut në disa pjesë të Sumatrës një muaj më parë që vranë mbi 1 100 njerëz.

Fishekzjarrët në ishullin turistik të Balit u zëvendësuan me valle tradicionale.

Hong Kongu e festoi vitin 2026 pa fishekzjarrë mbi Portin Victoria pas zjarrit masiv në nëntor.

Fasadat e monumenteve u shndërruan në orë numërimi mbrapsht dhe një shfaqje dritash në mesnatë.

Dhe në Gaza, palestinezët thanë se shpresonin që viti i ri t’i jepte fund konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit.

Rreth Evropës

Papa Leone XIV e mbylli vitin me një lutje – duke uruar që qyteti i Romës të mirëpriste të huajt dhe të brishtët.

Fishekzjarrët shpërthyen mbi monumentet evropiane, nga Koloseu në Romë deri te “London Eye”.

Në Paris, njerëzit u mblodhën rreth rrugës vezulluese Champs-Élysées.

Në Skoci, ku Viti i Ri njihet si “Hogmanay”, kryeministri John Swinney u bëri thirrje skocezëve të ndiqnin mesazhin e “Auld Lang Syne” nga poeti kombëtar Robert Burns dhe të tregonin akte mirësie.

Greqia dhe Qiproja kufizuan festimet, duke zëvendësuar fishekzjarrët tradicionalë me piroteknikë me zhurmë të ulët në kryeqytete.

Zyrtarët thanë se ndryshimi kishte për qëllim t’i bënte festimet më mikpritëse për fëmijët dhe kafshët shtëpiake.

“Në Crans-Montana, një zjarr që përfshiu një bar në orën 1:30 të mëngjesit shkaktoi viktima të mëdha”, sipas policisë.

Në një konferencë për shtyp, policia tha se dhjetëra njerëz kishin vdekur dhe rreth 100 të tjerë ishin plagosur. //a.i/

The post Vendet anembanë botës mirëpresin vitin 2026 me fishekzjarre dhe siguri të shtuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shfaqje spektakolare fishekzjarrësh në Londër, mijëra njerëz sfidojnë të ftohtin për të mirëpritur Vitin e Ri!

1 January 2026 at 12:37

LONDËR, 1 janar /ATSH/- Mijëra njerëz sfiduan të ftohtin për të mirëpritur vitin e ri – përgjatë lumit Thames në Londër për të parë shfaqjen spektakolare të fishekzjarrëve që hapi vitin 2026, sipas “The Independent”.

Pavarësisht temperaturave të ulëta – rreth 0 gradë Celsius – pothuajse 100,000 njerëz u mblodhën në brigjet e lumit Thames për të festuar.

Fishekzjarret shpërthyen në qiell për të mirëpritur Vitin e Ri rreth “London Eye” dhe Kullës Elizabeth, e njohur zakonisht me emrin e kambanës së orës “Big Ben”, në Pallatin e Westminster në Londrën qendrore në mesnatë, më 1 janar 2026.

Shfaqja spektakolare – e shoqëruar me një kolonë zanore që përfshinte artistë si Raye, Sabrina Carpenter, Ed Sheeran dhe Coldplay dhepjesëmarrjen e yjeve si Celia Imrie, Andrew Cotter dhe Alison Hammond – kujtoi disa nga sukseset kryesore të vitit 2025.

Ndër arritjet e njohura në shfaqje ishin triumfi i Anglisë në Kupën e Botës në “Regbi për Femra”, mbrojtja e Kampionatit Evropian nga Lionesses dhe fitorja e Kupës Ryder për Evropën.

Më shumë se 12,000 fishekzjarrë dhe më shumë se 400 drita ndriçuan qiellin e natës rreth “London Eye”, me animacione hologaze që plotësonin shfaqjen më të madhe vjetore të fishekzjarrëve në Evropë.

Përveç festimit të arritjeve kombëtare të 12 muajve të fundit, shfaqja iu referua gjithashtu verës së kaluar si më e nxehta e regjistruar ndonjëherë në Britaninë e Madhe.

Një numër qytetesh të tjera në Britaninë e Madhe po organizojnë shfaqje dhe evente me fishekzjarrë për Vitin e Ri.

Festimet në Hogmanay, Edinburg kthehen me më shumë se 40,000 pjesëmarrës pas anulimit për shkak të motit vitin e kaluar.

Mijëra njerëz filluan të mblidheshin në qendër të Edinburgut para orës 22:00 për të pritur vitin e ri në festimet e famshme të qytetit në “Princes Street”, ku argëtimi i natës përfshin një grup muzikor, bateristë dhe DJ.

Organizatorët thanë se më shumë se 40,000 bileta ishin shitur për ngjarjen e Vitit të Ri, e cila u rikthye pas anulimit të vitit të kaluar për shkak të motit.

Shfaqja zyrtare e Mançesterit do të zhvillohet në Sheshin e Shën Pjetrit në qendër të qytetit.

Shfaqja e fishekzjarrëve në Britaninë e Madhe nis përpara Nju Jorkut, i cili do t’i bashkohet festimeve në orën 5:00 të mëngjesit GMT në Ditën e Vitit të Ri, me performanca nga Diana Ross dhe Ciara. Njerëzit u rreshtuan rreth “Avenue” gjashte orë më parë. //a.i/

The post Shfaqje spektakolare fishekzjarrësh në Londër, mijëra njerëz sfidojnë të ftohtin për të mirëpritur Vitin e Ri! appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Hungaria humbet të drejtën për ndihmë nga BE-ja me vlerë mbi 1 miliard euro

1 January 2026 at 12:06

BRUKSEL, 1 janar /ATSH-DPA/- Hungaria ka humbur të drejtën e saj për ndihmë të konsiderueshme nga BE-ja për shkak të shkeljeve të shtetit të së drejtës, pasi reformat duhej të kryheshin deri në fund të vitit 2025.

Sipas Komisionit Evropian, fondet e humbura arrijnë në më shumë se 1 miliard euro.

Për të liruar fondet, Hungaria duhej të zbatonte reforma të mjaftueshme deri në fund të vitit 2025, duke përfshirë ndryshimin e ligjeve për të parandaluar konfliktet e interesit dhe për të luftuar korrupsionin.

Fondet, të destinuara nga programet për të mbështetur zonat strukturisht të dobëta dhe të planifikuara fillimisht për vitin 2023, u ngrinë pasi një analizë e Komisionit Evropian arriti në përfundimin se Hungaria kishte shpërfillur disa standarde dhe vlera themelore të BE-së.

Humbje të mëtejshme priten

Nëse Hungaria vazhdon të dështojë në zbatimin e reformave të mjaftueshme, ajo përballet me humbjen e fondeve të mëtejshme që arrijnë në miliarda euro në të ardhmen.

Legjislacioni i BE-së i quajtur “Rregullorja e Kushtëzimit të Shtetit të së Drejtës” hyri në fuqi në vitin 2021, duke i dhënë BE-së mjete shtesë financiare dhe buxhetore për të kontrolluar shtetin e së drejtës në shtetet anëtare.

Shtetet e BE-së ranë dakord të ngrijnë rreth 6,3 miliardë euro fonde të caktuara për Hungarinë nga buxheti shumëvjeçar i bllokut për vitet 2021-2027 në fund të vitit 2022 përmes mekanizmit.

Këstit të parë, gjithashtu pak më shumë se 1 miliard euro, i përfundoi afati në fund të vitit 2024 pasi Budapesti nuk arriti të zbatonte reformat e nevojshme.

Miliarda euro të tjera për vendin janë bllokuar gjithashtu pjesërisht nga rregullore të tjera.

Sipas komisionit, një total prej rreth 17 miliardë eurosh u ngrinë së fundmi. Prodhimi ekonomik i Hungarisë në vitin 2024 ishte rreth 205 miliardë euro. //a.i/

The post BRUKSEL – Hungaria humbet të drejtën për ndihmë nga BE-ja me vlerë mbi 1 miliard euro appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – CIA hedh poshtë sulmin e pretenduar të Ukrainës ndaj rezidencës së Putinit

1 January 2026 at 10:38

UASHINGTON, 1 janar /ATSH-DPA/- Agjencia Qendrore e Inteligjencës Amerikane (CIA) ka arritur në përfundimin se Ukraina nuk e ka shënjestruar presidentin rus, Vladimir Putin ose një nga rezidencat e tij në një sulm të fundit me dron, raportuan sot mediet amerikane.

Media të ndryshme, përfshirë “Wall Street Journal”, si dhe transmetuesit PBS dhe CNN, cituan zyrtarë të paidentifikuar të qeverisë amerikane në raportet e tyre të publikuara të dje në mbrëmje, duke kundërshtuar akuzat serioze të bëra nga Moska në fillim të javës.

Fillimisht, presidenti i SHBA-së Donald Trump kritikoi gjithashtu Ukrainën për sulmin e supozuar – pas një bisede telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin.

Kievi ka mohuar fuqimisht, sulmin ndaj një prej rezidencave të Putinit, duke thënë se ky ishte një pretekst rus – për të vazhduar luftën kundër Ukrainës – pavarësisht negociatave të vazhdueshme për paqe dhe gjithashtu për të shënjestruar sërish ndërtesat qeveritare në Kiev me raketa.

Rusia paraqiti dje prova të mundshme të sulmit për herë të parë, duke përfshirë mbetjet e një droni të supozuar ukrainas.

Shumë ekspertë dyshojnë se sulmi i përshkruar nga Rusia ka ndodhur siç është pretenduar.

Trump informohet nga shefi i CIA-s

Duke cituar zyrtarë amerikanë, “Wall Street Journal” raportoi se sulmi kontrovers me dron ukrainas kishte për qëllim objektivin ushtarak në të njëjtin rajon me një nga rezidencat e Putinit – por jo pranë pronës.

“Kjo mbështetet edhe nga një analizë e CIA-s”, tha raporti.

PBS dhe CNN raportuan se Trump ishte informuar dje nga drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, në lidhje me zbulimet e shërbimeve sekrete.

Po atë ditë, Trump ndau papritur një artikull nga “New York Post” që ishte shumë kritik ndaj Rusisë në platformën e tij, “Truth Social”.

“New York Post” e portretizoi Putinin si pengesën e vërtetë në rrugën drejt paqes dhe e kritikoi ashpër atë në raport. //a.i/

The post SHBA – CIA hedh poshtë sulmin e pretenduar të Ukrainës ndaj rezidencës së Putinit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Zohran Mamdani betohet si kryebashkiak i Nju Jorkut

1 January 2026 at 10:16

NJU JORK, 1 janar /ATSH-DPA/- Zohran Mamdani u betua sot si kryetar bashkie i qytetit të Nju Jorkut – duke u bërë myslimani dhe drejtuesi më i ri ndër breza – që bën betimin në qytetin më të madh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mamdani, 34 vjeç u betua pak pas mesnatës (05:00 GMT) në prani të prokurores së Përgjithshme e Shtetit të Nju Jorkut, Letitia James në një ceremoni të vogël në metronë “Old City Hall”.

Mamdani, i cili shoqërohej nga bashkëshortja e tij Rama Duwaji, tha se detyra e tij e re ishte një nderi dhe privilegji.

Në fjalët e tij të para si kryetar bashkie, Mamdani njoftoi gjithashtu emërimin e një komisioneri të ri të Transportit.

Një ceremoni e dytë publike betimi me dhjetëra mijëra të ftuar është planifikuar sot në mbrëmje në Bashkinë e Nju Jorkut, ku senatori i krahut të majtë, Bernie Sanders do të administrojë betimin dhe kongresmenja e Nju Jorkut, Alexandria Ocasio-Cortez do të mbajnë një fjalim.

Një festival publik është planifikuar më pas rreth Bashkisë së Qytetit.

Mamdani fitoi zgjedhjet në fillim të nëntorit, duke siguruar një mandat 4-vjeçar si kryetar bashkie.

Marrja e detyrës në ndërrimin e vitit është një traditë e gjatë në Nju Jork.

Paraardhësi i Mamdani, Eric Adams, bëri betimin e tij të parë në “Times Square”. //a.i/

The post SHBA – Zohran Mamdani betohet si kryebashkiak i Nju Jorkut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ZVICËR – Disa dhjetëra të vdekur nga zjarri në resortin e skive Crans-Montana

1 January 2026 at 09:31

SIERRE, 1 janar /ATSH/- Disa dhjetëra të vdekur dhe rreth 100 të plagosur janë raportuar, për shkak të një zjarri, në festën e Vitit të Ri, në vendpushimin zviceran të skive Crans-Montana.

Sipas BBC, ende nuk është bërë i ditur numri i saktë i të vrarëve.

“Zjarri filloi rreth orës 00:30 në një bar të quajtur “Le Constellation”, tha policia.

Shkaku nuk dihet, megjithëse policia fillimisht tha se kishte pasur një shpërthim.

Raportet lokale thonë se mund të ketë pasur piroteknikë të përfshirë – por kjo është e pakonfirmuar.

Shërbimet e emergjencës ndodhen në vendngjarje dhe detajet ende nuk dihen.

Një nga vendet më ekskluzive të Zvicrës, Crans-Montana, është i njohur për pamjet gjithëpërfshirëse që shtrihen nga Matterhorn në Mont Blanc. //a.i/

The post ZVICËR – Disa dhjetëra të vdekur nga zjarri në resortin e skive Crans-Montana appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 31 December 2025Main stream

Australia mirëpret vitin 2026 me shfaqje spektakolare fishekzjarresh

31 December 2025 at 15:55

SIDNEJ, 31 dhjetor /ATSH/- Australia ka mirëpritur Vitin e Ri me spektakël fishekzjarresh mbi Portin e Sidnejit, sipas BBC.

Më herët ishte Zelanda e Re, që mirëpriti vitin 2026-të, gjithashtu me spektakël fishekzjarresh.

Mijëra qytetarë u mblodhën në sheshe publike, me duart lart duke brohoritur, ndërsa fishekzjarret ndriçuan qiellin e natës pas festimeve.

Kiritimati, i njohur edhe si Ishulli i Krishtlindjes, së bashku me 10 ishuj të tjerë kryesisht të pabanuar në Paqësorin Qendror, ishin të parët që mirëpritën vitin 2026.

Në ishullin Chatham, pjesë e Zelandës së Re, Viti i Ri mbërriti disa minuta para pjesës tjetër të vendit. Ky arkipelag i largët ka rreth 600 banorë.

Tonga dhe Samoa gjithashtu festuan ardhjen e vitit 2026.

SHBA-ja është nga vendet e fundit që festojë Vitin e Ri. //a.i/

The post Australia mirëpret vitin 2026 me shfaqje spektakolare fishekzjarresh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEHERAN – Irani bën thirrje për dënimin e kërcënimeve të Trump

31 December 2025 at 15:55

TEHERAN, 31 dhjetor /ATSH-DPA/- Irani ka bërë thirrje për dënim ndërkombëtar të kërcënimeve të presidentit të SHBA-së, Donald Trump kundër Republikës Islamike.

“Kërcënimi për të përdorur forcën kundër shteteve të tjera është një shkelje e hapur e Kartës së OKB-së dhe duhet të dënohet”, tha sot ministri i Jashtëm, Abbas Araghchi.

Në një letër drejtuar homologëve të tij, Araghchi i përshkroi kërcënimet e Trump si “dëshmi të keqdashjes”.

“Uashingtoni duhet të mbajë përgjegjësi për pasojat e kërcënimeve të tilla”, shtoi kryediplomati iranian.

Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian lëshoi ​​dje një paralajmërim të ashpër në përgjigje të kërcënimeve të bëra nga Trump, i cili tha se do të mbështeste sulme të mëtejshme izraelite ndaj Iranit nëse vendi refuzonte marrëveshjen e re bërthamore.

“Republika Islamike e Iranit do t’i përgjigjet vazhdimisht çdo agresioni dhe do ta bëjë agresorin të pendohet për veprimin e tij”, shkroi Pezeshkian në platformën X.

Gjatë një takimi me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu të hënën në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida, Trump tha se do të mbështeste sulmet e mëtejshme izraelite ndaj Iranit nëse Teherani refuzonte marrëveshjen e re bërthamore dhe vazhdonte të avanconte me programet e tij bërthamore.

Izraeli zhvilloi luftë kundër Iranit për 12 ditë në qershor, duke bombarduar objektet kryesore bërthamore në vend, së bashku me SHBA-në.

Pavarësisht armëpushimit, një zgjidhje diplomatike për konfliktin midis armiqve të përbetuar nuk është në horizont dhe në të dy vendet kanë qarkulluar raporte për një rifillim të mundshëm të luftës.

Sipas burimeve izraelite, Irani po punon intensivisht për të rindërtuar arsenalin e tij raketor, i cili, së bashku me programin e tij bërthamor, shihet nga Izraeli si një kërcënim i madh. //a.i/

The post TEHERAN – Irani bën thirrje për dënimin e kërcënimeve të Trump appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Flossie thyen rekordin “Guinness” si macja më e vjetër në botë

31 December 2025 at 14:17

LONDËR, 31 dhjetor /ATSH/ – Flossie, një mace britanike shtëpiake me qime të shkurtra, ka mbushur 30 vjeç, duke thyer rekordin botëror “Guinness” si macja më e vjetër në botë, sipas “New York Post”.

E lindur më 29 dhjetor 1995, Flossie arriti ditëlindjen historike në vitin 2025, duke u renditur në librin e rekordeve.

Mosha e saj u verifikua zyrtarisht nga “Guinness World Records” në nëntor 2022, kur u konfirmua të ishte 26 vjeçe e 316 ditë.

Në atë kohë, mosha e saj vlerësohej të ishte ekuivalente me rreth 120 vite njerëzore.

Jeta e hershme e Flossie filloi pranë spitalit “Saint Helens” në Merseyside, Angli, ku ajo u shpëtua kur ishte ende një kotele.

Gjatë viteve, ajo jetoi me disa pronarë përpara se të binte përfundimisht nën kujdesin e organizatës bamirëse britanike për mirëqenien e kafshëve “Cats Protection”.

Në vitin 2022, “Cats Protection” mundësoi që Flossie të adoptohej nga Victoria Green, e cila jeton në Orpington, Angli.

Organizata bamirëse punoi ngushtë me veterinerët për të verifikuar datën e lindjes së Flossie duke përdorur të dhëna historike, dhe duke i mundësuar “Guinness World Records” të certifikonte zyrtarisht moshën e saj.

Në kohën e konfirmimit të rekordit të saj, “Guinness World Records” vuri re se Flossie ishte e shurdhër dhe kishte shikim të kufizuar.

Pavarësisht këtyre problemeve që lidhen me moshën, ajo konsiderohej me shëndet të mirë.

Organizata tha se ajo mbante një rutinë të qëndrueshme ditore që përfshinte vakte të rregullta, periudha të gjata gjumi dhe lojëra të lehta.

Flossie njihet aktualisht si “macja më e vjetër e gjallë në botë”  dhe renditet ndër shtatë macet më të vjetra të verifikuara në historinë e “Guinness”

Ndërsa macet e tjera, përfshirë Creme Puff, janë dokumentuar se kanë jetuar më gjatë në të kaluarën, Flossie mbetet macja më e vjetër e konfirmuar që është gjallë sot. //a.i/

 

The post Flossie thyen rekordin “Guinness” si macja më e vjetër në botë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TURQI – Arrestohen 125 persona të dyshuar si anëtarë të Shtetit Islamik

31 December 2025 at 13:53

STAMBOLL, 31 dhjetor /ATSH-DPA/- Forcat turke të sigurisë kanë kryer bastisje të mëtejshme që synojnë anëtarët e dyshuar të milicisë terroriste të Shtetit Islamik përpara natës së Vitit të Ri, thanë sot zyrtarët.

“Në operacione në 25 provinca, u arrestuan 125 anëtarë të dyshuar të ISIS-it”, shkroi ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya në X.

Sipas Zyrës së Prokurorit Publik të Stambollit, 29 të dyshuar u morën në paraburgim vetëm në Stamboll. Gjithashtu u sekuestruan materiale dhe dokumente digjitale.

Ndër të tjera, të dyshuarit në Stamboll akuzohen për përhapje të propagandës rreth operacionit kundër Shtetit Islamik në Yalova në Turqinë perëndimore.

Të dielën në mbrëmje, tre oficerë policie u vranë dhe nëntë anëtarë të tjerë të forcave të sigurisë u plagosën gjatë operacionit kundër anëtarëve të dyshuar të Shtetit Islamik.

Forcat e sigurisë kryen dje bastisje në të gjithë vendin dhe arrestuan qindra anëtarë të dyshuar të Shtetit Islamik.

Shteti Islamik mban rrjete dhe struktura logjistike në Turqi, duke bërë që Gjermania dhe vendet e tjera t’u kërkojnë qytetarëve të jenë veçanërisht të kujdesshëm në këtë kohë të vitit.

“Periudha para natës së Vitit të Ri është një “datë veçanërisht simbolike” për sulmet terroriste”, paralajmëroi Ministria e Jashtme në Berlin.

Autoritetet lokale kanë vendosur masa të rrepta sigurie, veçanërisht në kryeqytetin Ankara dhe në Stamboll.

Shteti Islamik ka marrë vazhdimisht përgjegjësinë për sulmet në Turqi, përfshirë sulmin në klubin Reina në Stamboll në natën e Vitit të Ri 2016-2017, në të cilin u qëlluan për vdekje 39 persona. //a.i/

The post TURQI – Arrestohen 125 persona të dyshuar si anëtarë të Shtetit Islamik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Jiang Lin, gruaja e parë që fiton garën me jahte në Australi

31 December 2025 at 12:54

SIDNEJ, 31 dhjetor /ATSH-DPA/-  Jiang Lin është bërë gruaja e parë që fiton garën me jahte “Sydney Hobart”, pasi jahti i saj “Min River” u shpall fitues i edicionit të 80-të.

Lin dhe bashkë-kapitenia, Alexis Loison fituan kur zyrtarët e garës penalizuan anijen franceze BNC për shkelje të rregullave të velave, duke i hequr vendin e parë dhe duke ia dhënë  fitoren “Min River” në edicionin e 80-të të garës.

BNC me flamurin e Kaledonisë së Re, e drejtuar nga kapitenët Michel Quintin dhe Yann Rigal, dukej se ishte gati për fitoren e përgjithshme përpara se komiteti i garës të vendoste një penalitet – prej një ore e pesë minutash – pas një proteste të suksesshme.

Triumfi shënoi një moment historik – jahtin e parë fitues të drejtuar nga një kapitene femër.

“As në ëndrrat e mia më të çmendura nuk mendoja se kjo do të bëhej realitet”, tha 60-vjeçarja Lin.

Gara e Jahteve Sydney Hobart është një ngjarje vjetore dhe konsiderohet gjerësisht si një nga garat më të vështira të jahteve në det të hapur, në botë. //a.i/

 

 

 

The post Jiang Lin, gruaja e parë që fiton garën me jahte në Australi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kiritimati, i pari vend që feston vitin 2026, i ndjekur nga Zelanda e Re

31 December 2025 at 12:33

KIRITIMAT, 31 dhjetor /ATSH-DPA/-  Viti 2026 ka nisur zyrtarisht – pasi rreth 7 300 banorë të Kiritimatit në Paqësorin Jugor – e pritën Vitin e Ri në mesnatë.

Kiritimati, i njohur edhe si Ishulli i Krishtlindjeve, është një atol në Oqeanin Paqësor në Ishujt veriorë Line. Është pjesë e Republikës së Kiribatit. Emri i tij rrjedh nga fjala angleze “Christmas” e shkruar në gjuhën gilberteze.

Atoli me 320 kilometra katrorë sipërfaqe toke dhe laguna, i përket republikës ishullore të Kiribatit, e cila ka disa zona kohore dhe shtrihet përgjatë ekuatorit në mes të Paqësorit Jugor.

Vetëm 15 minuta më vonë, Ishujt Chatham, të cilët i përkasin Zelandës së Re, ishin të radhës që festuan Vitin e Ri.

Ishujt, me një popullsi prej pak më shumë se 700 banorësh, ndodhen rreth 800 kilometra në lindje të Zelandës së Re dhe kanë zonën e tyre kohore.

Në orën 11:00, Zelanda e Re dhe kombet ishullore të Samoas dhe Tongës gjithashtu ndezën fishekzjarrët.

Në Zelandën e Re, monumentet e qytetit më të madh, Auckland, ishin në qendër të shfaqjeve të hollësishme të dritave dhe fishekzjarrëve – më së shumti Kulla e Qiellit – 328 metra e lartë – kulla më e lartë në hemisferën jugore.

Shfaqje dritash dhe muzika shënuan gjithashtu ardhjen e vitit të ri në kryeqytetin Wellington.

Festimet në plazhin Bondi në Sidnej u anuluan

Në orën 13:00, është radha e Sidnejit. Në metropolin australian, 9 tonë fishekzjarrë do të hidhen në qiell rreth Urës ikonike të Portit dhe Shtëpisë së Operas.

Megjithatë, pas sulmit vdekjeprurës terrorist në plazhin Bondi dy javë më parë, festimet në plazhin e famshëm janë anuluar.

Samoa Amerikane, e vendosur vetëm 220 kilometra në lindje të Samoas në anën tjetër të Vijës Ndërkombëtare të Datave, do të jetë vendi i fundit i banuar në Tokë që do të mirëpresë Vitin e Ri. //a.i/

The post Kiritimati, i pari vend që feston vitin 2026, i ndjekur nga Zelanda e Re appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – SHBA-ja dhe Izraeli i caktojnë Hamasit afat për dorëzimin e armëve

31 December 2025 at 12:22

TEL AVIV, 31 dhjetor /ATSH-DPA/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kanë rënë dakord për një afat dymujor për çarmatimin e milicisë islamike palestineze Hamas, tha sot një burim i mirëinformuar për çështjen.

Vendimi u ra dakord nga presidenti amerikan, Donald Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu gjatë bisedimeve të hënën në Florida.

Ekipet e ekspertëve nga të dy vendet po punojnë për të vendosur kritere të qarta, të dakorduara reciprokisht, që përcaktojnë se çfarë do të përbënte çarmatimin praktik të Hamasit”, shkroi gazeta “Israel Hayom” pas takimit.

Sipas raporteve të medias, Hamasi mund të jetë i gatshëm të dorëzojë armë të rënda si raketat, por të mbajë armët e lehta.

Megjithatë, përfaqësuesit izraelitë janë të shqetësuar se Hamasi mund të përpiqet të mbajë shumicën e armëve dhe pajisjeve ushtarake që aktualisht ka në dispozicion.

“Si Izraeli ashtu edhe SHBA-ja kanë rënë dakord se një skenar i tillë do të ishte i papranueshëm”, shkroi “Israel Hayom”, duke cituar bisedimet e udhëheqësve.

Netanyahu thuhet se ka informuar Trump se Hamasi ende ka rreth 60,000 pushkë sulmi Kalashnikov në dispozicion në Rripin e Gazës.

Gazeta shtoi se ishte rënë dakord që çarmatimi i Hamasit dhe demilitarizimi i Gazës do të përfshinte edhe shkatërrimin e sistemit të tuneleve nëntokësore.

Nëse kjo dështon, Izraeli do të rifillojë operacionet e tij ushtarake kundër grupit.

“Nëse Hamasi nuk çarmatoset, siç pritet gjerësisht në Izrael, përgjegjësia për hapat e mëtejshëm do t’i kalojë Izraelit dhe Forcave Mbrojtëse të Izraelit”, shkroi gazeta.

Përveç dorëzimit të armëve nga Hamasi, faza e dytë e planit të paqes së Trump kërkon që Izraeli të tërheqë trupat e tij nga zona bregdetare kryesisht e shkatërruar.

Megjithatë, Hamasi ende po i reziston kërkesave për çarmatimin e tij gjithëpërfshirës.

Konsiderohet jashtëzakonisht e pamundur që forca e planifikuar ndërkombëtare e stabilizimit të marrë përsipër procesin e çarmatimit. //a.i/

The post FOKUS – SHBA-ja dhe Izraeli i caktojnë Hamasit afat për dorëzimin e armëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌