Kryetari i Aleancës për Shpiptarët, Ziadin Sela i ka bërë thirje gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese që sa më shpejt ta shqyrtojnë iniciativën që ata e kanë dorëzuar dhe kundërshtojnë projektin “Safe City".
Sela i bën thirrje edhe qytetarëve që të bëjnë kujdes dhe të kenë durim derisa të fitohet beteja kundër sistemin "Safe City".
"Pa dashur të ndërhyj në pavarësinë e gjyqësorit, parim që ne e kemi promovuar vazhdimisht, por që në realitet është ende shumë larg, dua tu bëj një thirrje gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese. Shqyrtoni sa më shpejtë iniciativën të cilën e dorëzuam ditë më parë, ku qartë do të shihni edhe vetë ju arsyet e shumta për të sjellë vendimin për shfuqizimin e ndryshimeve ligjore për projektin “Safe City”. Thirreni seancën sa më shpejtë që të mos lejojmë as një ditë më shumë të lindin komplikime, të lëshohen gjoba e të plaçkiten qytetarët përmes një mekanizmi që në fund jemi të bindur se do të rezultojë antikushtetues”, shkruan Sela në Facebook.
Partia në pushtet OBRM-PDUKM i është kundërpërgjigjur LSDM-së për skandalin me drogën e nisur nga Maqedonia e Veriut drejt Serbisë.
Sipas OBRM-PDUKM-së tentimet e opozitës për të hapur tema për rastin e drogës janë dyfytyrësi dhe kanë për qëllim defokusimin e opinionit.
OBRM-PDUKM-ja thotë se LSDM-ja në vend që të pyes institucionet, përgjigjet duhet t’i kërkojë të siç thekson pronari i fabrikës së marijuanës dhe ish kryeministri Zoran Zaev.
Nga kjo parti theksojnë se pikërisht në kohën e qëverisjes së LSDM-së u miratuan vendime dhe zgjidhje ligjore lidhur me prodhimin e kanabisit.
OBRM-PDUKM thotë se LSDM-ja nuk ka kredibilitet të flasë për luftën kundër kriminalitetit dhe drogës, duke e akuzuar opozitën se pikërisht në kohën e tyre u krijuan, siç thonë, kushte për zgjerimin e industrisë së kanabisit dhe bizneseve të dyshimta të lidhura me të.
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe akuzon qeverinë për izolimin e shtetit nga rruga evropiane dhe hedh pretendime për lidhje me pushtetet në Serbi dhe Hungari, si dhe me Rusinë.
Sa i përket zhvillimeve brenda partisë së tij, ai shton se nuk frikësohet nga ndonjë puç, pasi në kongresin e fundit ka qenë i suksesshëm dhe ka marrë sugjerime të sinqerta dhe të ndershme.
“Kjo qeveri kujdeset vetëm për interesat e veta, sepse duhet të realizohet ajo që kurrë nuk e kanë mohuar – se do të vijnë migrantë për para – dhe për këtë arsye nevojiten zgjedhje të parakohshme. A do të jenë në fund të këtij viti apo vitin e ardhshëm, do ta shohim, por deri në vitin 2028 nuk do të mund të vazhdohet kështu”, tha Filipçe.
Në lidhje me pyetjen nëse ka informacion për ndonjë platformë apo iniciativë të brendshme partiake për zëvendësimin e tij, ai tha se ka dëgjuar edhe vetë spekulime të tilla, por i vlerëson ato si të pavërteta.
“Nuk ka të vërtetë në këtë. Duhet të them një gjë: unë kam mandat legjitim. Para disa muajsh, 20.000 anëtarë më votuan që ta udhëheq partinë në mandatin e ardhshëm katërvjeçar. Dyert janë të hapura për të gjithë”, thotë ai.
Çdo fragmentarizim brenda LSDM-së, sipas tij, shkon në dobi të OBRM-PDUKM-së.
“Edhe ne e dimë për atë komunikim dhe mbështetje që ata e kishin edhe në periudhën kur po formohej ZNAM-i, ndërsa tani edhe formalisht janë në koalicion me OBRM-PDUKM-në. Ata janë ish-anëtarë tanë. Pra, çdo fragmentarizim shtesë shkon vetëm në dobi të OBRM-PDUKM-së dhe, për fat të keq, në asnjë dobi për qytetarët apo për shtetin”, thotë Filipçe.
Lidhja e Sindikatave hodhën poshtë akuzat e qeverisë se protesta për paga më të larta ka motiv politik.
Statuti i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë thotë se është një organizatë apolitike dhe nuk ka absolutisht asnjë lidhje me politikën, dhe kryetari dhe drejtuesit nuk guxojnë të jenë anëtarë të ndonjë partie politike.
“I them këtu përfaqësuesit të Qeverisë dhe përfaqësuesit faktikisht të partisë politike të gjejë një argument që dikush diku është politikisht i orientuar dhe i ngjyrosur. Por politikanët nuk i frikësohen politikanëve, shohim se ata bien dakord me njëri-tjetrin. Politikanët i frikësohen punëtorëve”, theksoi Slobodan Trendafilov, kryetar LSM-së.
Ata publikisht e ftojnë përfaqësuesin e qeverisë të vijë të hënën për të nënshkruar marrëveshjen kolektive për rritje prej 40 për qind të pagave të punonjësve administrativë. Thonë se me marrëveshjen kolektive u ishte ofruar rritje e pagave në këste katërvjeçare prej 7 dhe 5 për qind, por kushti ishte të hiqnin dorë nga marrëveshja kolektive e përgjithshme. Me të, vetëm në vitet 2025 dhe 2026 punonjësit e sektorit publik duhet të marrin rritje prej 12,5 dhe 10% për shkak të rritjes së pagës mesatare, e cila ishte më e madhe se ajo e ofruar me marrëveshjen kolektive.
“Ejani, të hënën, të martën, të mërkurën, kur të doni, unë ec me vulat në xhep gjithë kohën, për çdo rast, do të nënshkruajmë marrëveshje kolektive, nuk është problem. Megjithatë, heqja dorë nga një të drejtë më e favorshme për të kërkuar nga sindikata, unë jam sindikalist, mandati im më është dhënë që të jem sindikalist. Mandati nga anëtarësia e sindikatës ishte, po, do t’i nënshkruajmë këto marrëveshje kolektive, por nuk ka heqje dorë nga marrëveshja kolektive e përgjithshme”, tha Trpe Deanoski, Kryetar i Sindikatës.
Pas protestës, sindikalistët nga java e ardhshme do të fillojnë me bllokadë, së pari të deputetëve dhe institucioneve të tjera.
Ndalesa për qarkullimin e automjeteve të rënda në rrugën Gostivar – Strazhë – Kërçovë hiqet nga ora 14:30, njoftoi NP “Rrugët e Maqedonisë”. Ndalesa u vendos sot nga ora 9:40 në të dy drejtimet e rrugës për shkak të reshjeve të borës.
Ndalesa për qarkullim të kamionëve dhe autobusëve nga ora 9:20 është vendosur për kamionë dhe autobusë në segmentin rrugor Shipkovicë – Kodrën e Diellit dhe nga ora 5:45 për automjetet e rënda mallrash në segmentin rrugor Mavrovë – Dibër.
Siç informon NP “Rrughët e Maqedonisë”, reshje bore ka në Krushevë, Kodrën e Diellit dhe Mavrovë, si dhe në dkalimet malore Strazhë, Presekë, Bukovë dhe Xhavatë.
Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski informoi sot se përmes Ministrisë së Transportit dhe në bashkëpunim me Bankën Botërore do të furnizohen 40 automjete të reja për nevojat e NP “Higjiena Komunale”-Shkup.
Ai theksoi se me këtë furnizim do të zgjidhet një nga problemet më të mëdha shumëvjeçare në punën e ndërmarrjes – makineritë e vjetruara, të pamirëmbajtura dhe të konsumuara, të cilat pengonin seriozisht mirëmbajtjen e higjienës publike në kryeqytet.
Sipas Mickoskit, situata u ndërlikua edhe më tej nga puna e tepërt, si dhe nga efikasiteti i pamjaftueshëm i disa punonjësve.
“Me këto 40 kamionë, jam i sigurt se do të përmirësohet shumë gjendja me higjienën në Shkup. Siç njoftuam edhe në fushatë, dhe siç njoftoi edhe vetë kryetari i komunës, higjiena është përparësia jonë e parë dhe ky proces po ecën në atë drejtim”, tha Mickoski.
Ai njoftoi se procesi i prokurimit pritet të përfundojë deri në fund të pranverës, dhe dorëzimi i automjeteve të fillojë deri në fund të vitit. Sipas kryeministrit, mekanizimi i ri do të mundësojë punë më efikase të Higjienës Komunale dhe një përmirësim të dukshëm të pastërtisë në qytet.
Partia opozitare LSDM ka reaguar për konfiskimin e drogës në Serbi, për të cilat dyshohet se kanë kaluar përmes territorit të Maqedonisë së Veriut.
Nga LSDM-ja thonë se bëhet fjalë për një skandal të madh, për të cilin duhet të ketë përgjegjësi.
Sipas partisë opozitare, është e pakuptueshme se si një sasi kaq e madhe droge ka kaluar kufirin pa u vërejtur nga institucionet, ndërsa Qeveria, sipas tyre, vazhdon të hesht.
Nga LSDM theksojnë se pa mbështetje nga struktura brenda institucioneve shtetërore, një operacion i tillë kriminal nuk do të ishte i mundur.
Ata kujtojnë se prej ditësh kanë paralajmëruar për lidhje të dyshuara mes strukturave kriminale në Maqedoni dhe Serbi, por ende nuk ka reagim institucional.
Përmes sistemit elektronik për aplikime në konkursin vjetor për projekte kulturore për vitin 2026 janë pranuar 2,618 aplikime, njoftoi ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov, duke prezantuar rezultatet e konkurseve dhe duke theksuar se ky numër tregon interesin dhe besimin në sistem.
“Bëhet fjalë për projekte që do të pasurojnë ofertën kulturore, do të hapin hapësirë për shprehje të reja krijuese dhe do të kontribuojnë në afirmimin ndërkombëtar të kulturës maqedonase. Interesi i treguar edhe këtë vit nga artistët dhe organizatat kulturore për konkursin vjetor është një konfirmim i qartë se skena jonë kulturore është dinamike, inovative dhe e gatshme për krijim. Programi vjetor për projekte kulturore për vitin 2026 është një hap i rëndësishëm përpara dhe provë se kulturën nuk e shohim si shpenzim, por si një investim strategjik në identitetin tonë kombëtar, potencialin krijues të njerëzve dhe të ardhmen e shoqërisë në tërësi”, tha Lutkov.
Ministri njoftoi se janë rritur fondet për disa aktivitete, duke u fokusuar në cilësi, sasi dhe zhvillim të barabartë të kulturës. Sipas tij, vëmendje e veçantë i është kushtuar krijimtarisë bashkëkohore, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe industrive krijuese, fusha që jo vetëm që sjellin vlerë kulturore, por edhe potencial të rëndësishëm ekonomik.
“Veçanërisht e rëndësishme është që edhe në vitin 2026 vazhdojmë me forcimin sistematik të institucioneve kombëtare”, tha Lutkov dhe njoftoi se pasi vitin e kaluar për herë të parë u implementua modeli i buxhetit të deleguar për 18 institucione kombëtare si projekt pilot, këtë vit modeli do të zgjerohet në 28 institucione kombëtare për shkak të përvojës pozitive.
“Ky model është një hap konkret drejt autonomisë më të madhe, menaxhimit më efikas të fondeve programore dhe drejt përgjegjësisë dhe llogaridhënies së qartë”, theksoi ministri i Kulturës dhe Turizmit.
Ljutkov njoftoi se buxheti total i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit për vitin 2026 është 5 miliardë 194 milionë e 975 mijë denarë, që është 519 milionë e 713 mijë denarë më shumë se vitin e kaluar. Buxheti i dedikuar për projekte me interes kombëtar në kulturë arrin 1 miliard e 70 milionë e 417 mijë denarë.
Një vajzë 10-vjeçare nga fshati Gllumovë i Shkupit u lëndua dje nga një plumb qorr.
Mjeku në Qendrën Klinike"Nënë Tereza" konstatoi lëndime të rënda në zonën e këmbës.
Për rastin, i cili u raportua dje rreth orës 16:00 në Sektorin për Punë të Brendshme në Shkup, sot informon Ministria e Punëve të Brendshme në buletinin e përditshëm.
“Sot, më 31.01.2026, rreth orës 16:00, në Stacionin Policor të Shkupit është raportuar se në oborrin e një shtëpie në fshatin Gllumovë, Shkup, një vajzë 10-vjeçare u lëndua në zonën e këmbës nga një plumb qorr, dhe më pas u dërgua në Kompleksin Klinik ‘Nëna Terezë’, ku mjeku konstatoi lëndime të rënda trupore”, informon MPB-ja.
Ministria e Punëve të Brendshme po ndërmerr masa për zbardhjen e rastit.
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj vendimit të Qytetit të Shkupit për emërimin e këshillave drejtues të disa ndërmarrjeve publike, duke ngritur shqetësime serioze për uljen drastike të përfaqësimit të shqiptarëve në këto organe drejtuese.
Nga BDI thonë se përfaqësimi i shqiptarëve në këshillat drejtues të ndërmarrjeve publike të qytetit është ulur ndjeshëm krahasuar me periudhën e mëparshme.
Në mandatin e kaluar, në këto këshilla ishin të përfshirë rreth 40 përfaqësues shqiptarë, ndërsa me vendimet e miratuara deri tani, ky numër ka rënë në vetëm 17, shkruan gazeta KOHA.
Nga BDI theksojnë se në disa ndërmarrje publike të rëndësishme, sipas vendimeve të fundit, nuk ka asnjë përfaqësues shqiptar në këshillat drejtues. Bëhet fjalë për: Ndërmarrjen Publike “Higjiena Komunale”, Sallën Universale, Bibliotekën e Qytetit të Shkupit, Kopshtin Zoologjik, Qendrën Kulturore për të Rinj, si dhe Qendrën Kulturore për Fëmijë në Karposh, ku përfaqësimi shqiptar, sipas BDI-së, është zero.
Në disa institucione të tjera, përfaqësimi është i kufizuar vetëm në një anëtar shqiptar. Këtu përfshihen Muzeu i Qytetit të Shkupit, Qendra Informative Kulturore dhe Shtëpia e Kulturës “Koço Racin”.
BDI sqaroi se për disa ndërmarrje të tjera publike ende nuk ka vendime zyrtare për përbërjen e këshillave drejtues dhe për këtë arsye ato nuk janë përfshirë në këtë reagim. Sipas BDI-së, ky zhvillim përbën një regres serioz në respektimin e parimit të përfaqësimit të drejtë dhe të barazisë në organet drejtuese të ndërmarrjeve publike të qytetit. Partia opozitare kërkon sqarim publik nga Qyteti i Shkupit lidhur me kriteret mbi të cilat janë bërë këto emërime, si dhe arsyet e disproporcionit të theksuar në përfaqësim.
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se gjatë ditës së djeshme, policia e Gostivarit arrestoi katër persona, përfshirë një të mitur 17-vjeçare, pas një kontrolli në një lokal në fshatin Çegran.
Gjatë kontrollit u gjetën dhe sekuestruan gjashtë paketime me kokainë, një pistoletë me gaz, lëndë pluhur dhe para. T
ë arrestuarit akuzohen për prodhim dhe shpërndarje të narkotikëve, sipas nenit 215 të Kodit Penal.
“Më 31.01.2026, në periudhën nga ora 19:30 deri në orën 22:45, zyrtarë policorë nga DPB Gostivar kanë privuar nga liria personat Sh.Sh. (51), M.H. (23), F.Sh. (53) nga fshati Çegran dhe një të mitur 17-vjeçare nga fshati Vollkovo. Pas informacioneve operative të marra paraprakisht dhe urdhrit gjyqësor, është kryer kontroll në objektin hotelier në fshatin Çegran, pronë e të denoncuarit të parë, me ç’rast te M.H. janë gjetur dhe sekuestruar gjashtë paketime me kokainë. Në një dhomë ndihmëse të objektit është gjetur një pistoletë me gaz, ndërsa në sirtarin e një komode është gjetur lëndë pluhur dhe para. Sh.Sh. dhe M.H. janë privuar nga liria, ndërsa në lidhje me veprën penale “prodhim i paautorizuar dhe lëshim në qarkullim i narkotikëve, substancave psikotrope dhe prekurzorëve”, e dënueshme sipas nenit 215 të Kodit Penal, janë privuar nga liria edhe F.Sh. dhe e mitura 17-vjeçare. Pas dokumentimit të rastit, do të dorëzohet kallëzim penal përkatës”, thonë nga SPB-Tetovë.
Koalicioni VLEN e konsideron sistemin "Safe City" si një investim të rëndësishëm në sigurinë publike dhe në ndërtimin e një kulture më të përgjegjshme në komunikacion.
VLEN ka sqaruar se gjuha shqipe është pjesë e sistemit, duke siguruar informim të qartë dhe qasje të barabartë për të gjithë qytetarët.
Njoftimi i plotë nga VLEN:
Sot hyn në fuqi sistemi “Safe City”, një hap i rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë në komunikacion dhe mbrojtjes së jetës së qytetarëve. VLEN e vlerëson këtë si një investim konkret në sigurinë publike dhe në ndërtimin e një kulture më të përgjegjshme në trafik.
“Safe City” ka për qëllim parandalimin e shkeljeve në komunikacion, uljen e aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës së çdo qytetari. Ky sistem nuk është krijuar për të dënuar qytetarët, por për të mbrojtur jetën e njeriut dhe për të rritur ndërgjegjësimin për respektimin e rregullave të qarkullimit.
VLEN thekson se është veçanërisht e rëndësishme që gjuha shqipe është pjesë e këtij sistemi, duke garantuar qasje të barabartë dhe informim të qartë për të gjithë qytetarët.
U bëjmë apel të gjithë drejtuesve të automjeteve dhe pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat, sinjalizimin dhe kufizimet e shpejtësisë. Siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët.
Respektimi i rregullave nuk është vetëm detyrim ligjor, por kontribut i drejtpërdrejtë për mbrojtjen e jetës sonë, të familjeve tona dhe të çdo qytetari. Një komunikacion më i sigurt do të thotë më pak aksidente, më pak pasoja dhe më shumë jetë të mbrojtura.
VLEN mbetet e përkushtuar ndaj politikave që vendosin në plan të parë sigurinë, jetën dhe mirëqenien e qytetarëve.
Për shkak të reshjeve të borës, nga ora 09:20 është vendosur ndalesë për qarkullim për kamionët dhe autobusët në aksin rrugor Shipkovicë – Kodra e Diellit.
Ndalesë për qarkullim të mjeteve të rënda transportuese për shkak të reshjeve të borës, që nga ora 05:45, është vendosur edhe në aksin rrugor Mavrovë – Dibër. Ndërsa nga ora 09:40 ndalesë për kamionë dhe autobusë ka edhe në rrugët Gostivar-Strazhë-Kërçovë.
“Qarkullimi në rrugët shtetërore këtë mëngjes zhvillohet në kushte dimërore, në rrugë të lagështa, ndërsa në disa zona më të larta në pjesët perëndimore dhe jugperëndimore të vendit ka mbetje të vogla bore të përzier, skllotë”, thonë nga NP “Rrugët e Maqedonisë”.
Siç informojnë Lidhja Auto Moto e Maqedonisë dhe NP “Rrugët e Maqedonisë”, reshje bore me intensitet të ndryshueshëm këtë mëngjes ka në Krushevë, Kodër të Diellit, Mavrovë, si dhe në kalimet malore Strazhë, Gjavatë dhe Presekë. Në kalimin malor Bukovë, reshjet janë në formë shiu dhe bore.
Në Strumicë, Krushevë dhe Gjavatë po bie borë e lehtë, e cila aktualisht nuk po qëndron në rrugë. Ekipet e NP Rrugët e Maqedonisë janë të pajisura plotësisht, në dispozicion janë makineritë dhe fuqia punëtore e nevojshme, dhe pastrimi i borës po kryhet vazhdimisht në terren.
Në bashkëpunim me NP për Rrugët Shtetërore dhe Ministrinë e Transportit, po kryhen aktivitete të koordinuara me qëllim sigurimin e trafikut të qetë dhe të sigurt.
Përveç drejtimit të kujdesshëm dhe të ndërgjegjshëm të automjeteve, rekomandohet përdorimi i detyrueshëm i pajisjeve dimërore, respektimi i sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe shpejtësia e rregulluar sipas kushteve të rrugëve.
Aktivitetet e koordinuara të institucioneve kompetente vazhdojnë edhe gjatë periudhës së ardhshme, me qëllim sigurimin e rrjedhës së qetë dhe të sigurt të trafikut.
Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar. Në pikat kufitare në anën maqedonase, nuk ka vonesa më të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi.
LAMM rekomandon shpejtësi të rregulluar, respektim të sinjalistikës së vendosur të trafikut dhe menaxhim të kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina dhe gryka ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
Sistemi "Qytet i Sigurt" për sanksionimin automatik të shkeljeve të trafikut zyrtarisht fillon të funksionojë sot në territorin e Shkupit, Kumanovës dhe Tetovës, si dhe në rrugët rrugore të korridoreve 8 dhe 10.
Në këtë fazë fillestare, kamerat do të zbulojnë katër lloje shkeljesh: tejkalim shpejtësie, kalim semafori të kuq, parkim të paligjshëm dhe drejtim automjeti me patentë të skaduar.
Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski thotë se ky sistem nuk është krijuar për të dëmtuar qytetarët, por qëllimi i tij kryesor është të shpëtojë jetë njerëzore përmes rritjes së disiplinës në trafik.
Ai tha se është miratuar një Rregullore e re që rrit pragun e tolerancës për shpejtësinë, me qëllim që t'u sigurojë qytetarëve se fokusi nuk është vetëm te ndëshkimi.
Sipas rregullave të reja, për kufijtë deri në 50 kilometra në orë, toleranca është vendosur në 6 kilometra në orë. Në rrugët ku kufiri i shpejtësisë është midis 50 dhe 100 kilometrave në orë, kamerat nuk do të regjistrojnë një shkelje nëse vozisni deri në 9 kilometra në orë mbi kufirin. Për shpejtësi mbi 100 kilometra në orë, kufiri i lejuar i shpejtësisë është 12 kilometra në orë. Toshkovski thotë se shoferët që ngasin mbi limitin, por brenda këtyre tolerancave, nuk do të marrin gjobë, por Ministria e Brendshme do t'u dërgojë atyre një mesazh informues SMS, si një paralajmërim për sjelljen e tyre në trafik.
Shuma e gjobave për shpejtësi të lartë varet nga shkalla e shkeljes.
Për tejkalimin e limitit deri në 20 kilometra në orë, gjoba është 20 euro, ndërsa për tejkalimin e limitit prej 50 kilometrash në orë, gjoba është 400 euro me ndalim drejtimi për një vit. Në zonat e populluara, këto sanksione mund të arrijnë në 500 euro.
Kalimi në dritën e kuqe dënohet me gjobë prej 250 eurosh dhe heqje të patentës deri në një vit, dhe nëse vepra penale shkakton aksident, do të pasojë përgjegjësia penale.
Lidhur me lejet e trafikut, shoferi do të gjobitet me 100 euro nëse dokumenti ka skaduar, ndërsa pronari i automjetit do të duhet të paguajë 250 euro. Parkimi i paligjshëm do të sanksionohet me 30 deri në 50 euro, varësisht nëse automjeti pengon rrjedhën normale të trafikut apo lihet në një vend të destinuar për personat me aftësi të kufizuara.
Ministria e Brendshme kujton se nëse gjoba paguhet brenda tetë ditëve, shkelësi paguan vetëm gjysmën e shumës. Pas këtij afati, shuma paguhet e plotë.
Sistemi është vendosur të jetë jo-selektiv dhe parashikohen rregulla të rrepta për ata që shkelin shpesh rregulloret. Një shofer që grumbullon tre ndalime drejtimi brenda një periudhe katërvjeçare do të humbasë automatikisht patentën e drejtimit dhe do të jetë në gjendje ta rimarrë provimin pas një pushimi prej të paktën një viti.
Moti sot do të jetë kryesisht me vranësira me reshje të herëpashershme shiu dhe në male me borë.
Reshje më të dendura do të ketë në pjesët juglindore të vendit (mbi 20l/m2). Për shkak të zbritjes së një mase ajri më të ftohtë nga veriu, gjatë ditës reshjet do të shndërrohen në borë në vendet më të larta, si dhe në disa vende më të ulëta. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i ndryshueshëm.
Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 1 deri në 7 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë nga 3 deri në 8 gradë.
Në Shkup, kryesisht me vranësira me reshje të herëpashershme shiu. Temperatura minimale do të bjerë në 5, ndërsa maksimale do të arrijë në 7 gradë.
Të hënën do të ketë kushte për shi të lehtë dhe borë. Pastaj në dy ditët e ardhshme moti do të jetë i ndryshueshëm me vranësira me periudha me diell.
Të enjten dhe të premten priten reshje të reja shiu dhe bore në male. Temperatura ditore nga e marta do të jetë në rritje.
Nga dita e nesërme fillon zbatimi i projektit “Qytet i Sigurt”. Nuk do të ketë më paralajmërime për ata që kryejnë shkelje, por do të shqiptohen gjoba në përputhje me sistemin që po e implementojmë.
Ky sistem nuk është për ndëshkim, por ka për qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion dhe shpëtimin e sa më shumë jetëve njerëzore, sepse jeta e njeriut nuk ka çmim, deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Në një paraqitje në RTVM, ai informoi se që nga dita e djeshme ka hyrë në fuqi një Rregullore e re, me të cilën rritet pragu i tolerancës për shoferët.
"Në periudhën e kaluar kishte një numër të madh vërejtjesh, sepse në fazën fillestare nuk kishte tolerancë në kuadër të paralajmërimeve për qytetarët. Prandaj, ne vendosëm një tolerancë që ishte e vlefshme sipas legjislacionit ekzistues: 6 km/orë për shpejtësi deri në 100 km/orë, dhe 8 km/orë për shpejtësi mbi 100 km/orë. Rregullorja, që është në kompetencë të Ministrisë së Energjetikës, u ndryshua në konsultim me ekspertë, profesorë dhe përfaqësues të Ministrisë së Energjetikës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe hyri në fuqi ditën e djeshme.
Sipas rregullores së re, për shpejtësi deri në 50 km/orë mbetet e njëjta tolerancë si më parë – 6 km/orë. Kjo do të thotë se nëse vozitni në një zonë ku kufiri është 30 km/orë, kamera nuk do t’ju regjistrojë për shkelje nëse vozitni me 36 km/orë, por do t’ju regjistrojë nga 37 km/orë.
Për shpejtësi nga 50 deri në 100 km/orë, toleranca ligjore sipas rregullores së re është 9 km/orë. Kjo do të thotë se nëse kufiri është 50 km/orë dhe vozitni me 51 km/orë, kamera do t’ju regjistrojë dhe do t’ju dërgojë njoftim, ndërsa sistemi do t’ju ndëshkojë nëse vozitni me 60 km/orë.
Në zonat ku kufiri është 100 km/orë, toleranca është 12 km/orë. Pra, do të sanksionoheni nëse kufiri është 100 km/orë dhe ju vozitni, për shembull, me 113 km/orë. Këto toleranca janë të përcaktuara në kuadër të rregullores së Ministrisë së Energjetikës dhe konsiderohen plotësisht të pranueshme, me qëllim funksionalizimin e sistemit dhe shpëtimin e sa më shumë jetëve njerëzore. Qëllimi nuk është ndëshkimi, por më pak të lënduar, më pak aksidente dhe më pak humbje jetësh, theksoi ministri Toshkovski. Në kontekst të sigurisë në komunikacion, ministri paralajmëroi edhe një projekt tjetër që do të zbatohet në ditët në vijim me mbështetjen e Telekomit të Maqedonisë.
"Për të gjitha shkeljet që bëhen brenda kufijve të tolerancës, pra nga 30 deri në 36 km/orë në zonat me kufi 30 km/orë, dhe nga 50 deri në 59 km/orë në zonat me kufi 50 km/orë, Ministria e Punëve të Brendshme do të dërgojë mesazhe informuese për çdo qytetar që e ka tejkaluar shpejtësinë. Me këto mesazhe do t’u tërhiqet vëmendja qytetarëve se, edhe pse vozitin brenda tolerancës ligjore dhe nuk do të ketë gjobë apo shkelje, ata ende e tejkalojnë shpejtësinë e lejuar me ligj. Nëse, mos e dhëntë Zoti, një qytetar vozit me 55 km/orë në një zonë ku lejohet maksimumi 50 km/orë dhe shkakton lëndime të rënda trupore ndaj një këmbësori, ai do të mbajë përgjegjësi penale, porositi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Komuna e Gostivarit njofton se është arritur marrëveshje me Sindikatën e Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë në Gostivar, për pagesën e K-15 për të gjithë mësimdhënësit.
Sipas komunës, pagesa do të realizohet sipas një dinamike të dakorduar deri në fund të muajit prill.
“Në periudhën kur nga Qeveria janë lëshuar dotacionet dhe kur, sipas afatit ligjor, pagesa e K-15 është dashur të realizohet deri më 31.12.2025, me komunën e Gostivarit ka udhëhequr një i besuar i Qeverisë. Në të njëjtën kohë, dotacionet e lëshuara kanë qenë të destinuara vetëm për shkollat fillore, duke mos përfshirë institucionet e tjera arsimore, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në mosrealizimin e pagesës brenda afatit ligjor. Pas marrjes së përgjegjësisë nga udhëheqja aktuale e Komunës së Gostivarit, është zhvilluar dialog konstruktiv me Sindikatën e Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë – Gostivar dhe është arritur një marrëveshje xhentëllmene, sipas së cilës pagesa e K-15 për të gjithë mësimdhënësit, përfshirë edhe ata të institucioneve që nuk kanë qenë të mbuluara me dotacione, do të realizohet sipas një dinamike të dakorduar deri në fund të muajit prill të këtij viti”, thuhet në njoftimin e komunës.
Arjanit Hoxha është emëruar sot nënkryetar i Bashkimi Demokratik për Integrim.
Në një reagim publik pas emërimit, Hoxha ka theksuar se ky vendim shënon përmbylljen e një kapitulli dhe hapjen e një etape të re në angazhimin e tij politik.
Hoxha shkruan se aktiviteti i tij politik vazhdon me misionin për mbrojtjen e kauzës kombëtare.
“Sot u përmbyll një kapitull që nuk ka qenë as i lehtë e as i shkurtër, për t’i hapur rrugë një kapitulli të ri. Më është besuar përgjegjësia për të ushtruar detyrën e nënkryetarit të BDI-së, një proces që shënon nisjen e një rruge të re me vazhdimësi të kauzës sime kombëtare: përfaqësimin e denjë, Ky hap nuk është për pushtet personal. Është për përgjegjësi më të madhe, për angazhim më të fortë dhe për një të ardhme ku zëri ynë dëgjohet dhe respektohet. Forca jonë është bashkimi", shkruan Hoxha.
Raporti mbi masat e marra për mbrojtjen e Ohrit dhe Liqenit të Ohrit është dorëzuar zyrtarisht në UNESCO, bëri të ditur sot ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov.
Vendimi nëse rajoni i Ohrit do të përfshihet në Listën e Trashëgimisë Botërore në rrezik pritet të merret në qershor, gjatë sesionit të ardhshëm të UNESCO-s, që do të mbahet në Korenë e Jugut. Ministri theksoi se institucionet duhet të jenë të përgatitura për çdo skenar të mundshëm.
“I morëm të gjitha të dhënat e nevojshme nga të gjitha institucionet dhe në bazë të atyre të dhënave, por edhe në bazë të komunikimit me Shqipërinë, u bë raporti. Në ndërkohë, formuam edhe shtab të krizës për ta ngritur gjithë situatën në një nivel shumë më të lartë. Shtabi i krizës kishte dy takime, kemi mendim nga ai. Javën e kaluar të hënën, pata takim me Komisionin kombëtar për UNESCO-n, kemi bërë mendim, e kaluam raportin dhe të martën raporti kaloi edhe në Qeveri. Menjëherë i krahasuam dy raportet, si nga ana e Maqedonisë, ashtu edhe nga Shqipëria, dhe tani janë dërguar në UNESCO. Tani, në këtë periudhë nuk na mbetet asgjë tjetër, përveç ta justifikojmë atë që kemi bërë deri në shkurt.”, – deklaroi ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov. Preskar: Besojmë në potencialin e komuniteteve rurale
Këto informacione, ministri i Kulturës i dha gjatë pjesëmarrjes në panairin e turizmit, ku mori pjesë edhe ambasadori slloven, Gregor Presker, i cili theksoi se panairi është një iniciativë e veçantë që promovon agroturizmin.
“Ky projekt ka një qëllim të qartë dhe human: ruajtjen e natyrës dhe përmirësimin e jetës së njerëzve në zonat rurale, veçanërisht të të rinjve dhe grave, duke forcuar pavarësinë e tyre ekonomike dhe rolin në komunitet. Kjo nuk është vetëm një çështje ekonomike, por edhe çështje dinjiteti, përfaqësimi të drejtë dhe e ardhmja. Ne besojmë fuqishëm në potencialin e komuniteteve rurale dhe në forcën e njerëzve lokalë. Ky është një investim në njerëzit, në mjedisin jetësor dhe në perspektivën evropiane.”, – theksoi ambasadori i Sllovenisë, Gregor Preskar.
Përfaqësuesi i Ambasadës së Zvicrës, Mihal Harari, theksoi se ndërtimi i një destinacioni turistik aktiv dhe të qëndrueshëm nuk është rezultat vetëm i përpjekjeve individuale. Ai nënvizoi se nevojitet bashkëpunim mes ofruesve të shërbimeve, lidhje të forta me komunitetin lokal dhe përgjegjësi e përbashkët për zhvillim të qëndrueshëm.