Gjykata Speciale ka njoftuar se është caktuar Paneli i Gjykatës Kushtetuese për shqyrtimin e kërkesës së re referuese të Hashim Thaçit në rastin “Thaçi dhe të tjerët”, që ka të bëjë me veprat kundër administratës së drejtësisë.
Në një njoftim të Gjykatës, thuhet se më 30 dhjetor, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Alenka Trendafilova, caktoi Panelin e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur në lidhje me kërkesën që Thaçi e dorëzoi në të njëjtën ditë.
Paneli do të përbëhet nga gjyqtarët Vidar Stensland, Roumen Nenkov dhe Piotr Hofmański, të cilët do të shqyrtojnë kërkesën në vijim të vendimit të Gjykatës së Apelit të 28 tetorit 2025.
“Më 30 dhjetor, Kryetare Trendafilova caktoi Panelin e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur në lidhje me kërkesën referuese të dorëzuar nga Hashim Thaçi në të njëjtën ditë. Gjykatësit Vidar Stensland, Roumen Nenkov dhe Piotr Hofmański do të vendosin në lidhje me këtë kërkesë referuese që pason vendimin e Gjykatës së Apelit të 28 tetorit 2025”, njofton Specialja.
Pak pas orës 16:00 të ditës së shtunë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka nisur procesi i numërimit të fletëvotimeve që i takojnë votimit përmes postës.
Sipas të dhënave të deritanishme, pas numërimit të 5 nga 92 kutitë, apo 5.43 për qind të totalit të votave me postë, Lëvizja VETËVENDOSJE! prin me 68.08 për qind, duke grumbulluar 785 vota.
Në këtë fazë të procesit, befasia është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila aktualisht është renditur e dyta me 177 vota apo 15.35 për qind të votave me postë.
Pas saj renditet Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 147 vota (12.75 për qind), ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë 29 vota, që përbëjnë 2.52 për qind.
Numërimi i votave me postë po vazhdon, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të tregojnë nëse ky trend do të ketë ndikim në shpërndarjen finale të mandateve në Kuvendin e Kosovës./Telegrafi/
Nëse jeni të aftësuar në financë, teknologji informacioni apo kujdes shëndetësor… atëherë 2026-a është viti juaj. Nuk është parashikim astrologjik, por analizë e mirëfilltë e bazuar te kërkesa dhe oferta e tregut të punës.
“Bazuar te artikujt e (revistës) Forbes dhe parashikimeve të ndryshme ndërkombëtare, aftësitë më të kërkuara të 2025-s vazhdojnë të jenë ato kompjuterike, inteligjenca artificiale… por me rritje të fokusit te aftësitë ndër-personale si dhe aftësitë teknike që kanë të bëjnë kryesisht me kujdesin shëndetësor”, tha Lutjona Lula, eksperte e tregut të punës.
“Teknologjia, inteligjenca artificiale do të jenë gjithmonë pozicione me kërkesë. Por nuk mendoj se kjo vlen për ne. Ne kemi të tjera probleme më emergjente”, u shpreh Emin Shini, ekspert i tregut të punës.
Me krizë edhe më të thellë për burime njerëzore, e alternativa më të kufizuara, Shqipëria i ka të orientuara nevojat kryesisht te turizmi, ndërtimi e më pas te teknologjia e informacionit.
“Në vijim të trendit nga 2024-s, sigurisht një kërkesë e madhe mbetet për disa profesione që ne i quajmë “teknikë të mesëm” si elekstriçistë, mekanikë apo hidraulikë. Turimi dhe ndërtimi janë dy sektorët e tera që vuajnë dhe do të vuajnë për fuqi punëtore”, tha Shini.
Kriza e veçanërisht dy viteve të fundit ka kthyer vëmendjen e sipërmarrjeve si kurrë më parë te punonjësit. Por bizneset ende nuk po arrijnë të joshin “Gjeneratën Z”, të rinj të lindur në fund të viteve 90’.
“Të rinjtë e ‘Gjeneratës Z’ i mëshojnë më shumë rëndësisë së mirëqenies mendore, trajtimit të barabartë në punë, të ndierit të motivuar për të bërë detyra kuptimplota. Ndaj shpesh ata kanë një përplasje kulturore”, u shpreh Lula.
2025-a ishte viti i katërt radhazi në Shqipëri ku pagat pësuan rritje. Mesatarisht një kamerier po paguhet nga 800 deri në 1 mijë euro, një shef kuzhine deri në 1 mijë e 200 euro. Me 700 deri në 900 euro paguhet edhe një punonjës ndërtimi, ndërsa rroga e një inxhinieri IT apo ndërtimi luhatet nga 1 mijë e deri në 2 mijë euro. (A2 CNN)
Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritjet e bashkatdhetarëve për dalje nga Kosova janë më të gjata në pikëkalimin kufitar të Merdarës, ku ato arrijnë deri në 150 minuta.
Sipas të dhënave të fundit të orës 16:39, situata më e ngarkuar paraqitet në pikëkalimet kufitare Merdar, Dheu i Bardhë dhe Jarinjë.
Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, aktualisht në pikëkalimin Dheu i Bardhë pritjet për dalje nga Kosova kanë arritur deri në 60 minuta, me një kolonë automjetesh rreth 300 metra. Në Merdar, pritjet variojnë nga 120 deri në 150 minuta, ndërsa kolona e automjeteve ka arritur rreth 1.200 metra. Në pikëkalimet Jarinjë dhe Bërnjak, pritjet sipas sistemit llogariten nga 15 deri në 20 minuta.
Në pikat e tjera kufitare, si Vërmicë, Hani i Elezit dhe Kullë, qarkullimi po zhvillohet normalisht, ndërsa pritjet në hyrje dhe dalje janë minimale, nga 4 deri në 5 minuta.
Pak pas orës 16:00 të ditës së shtunë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka nisur numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit përmes postës.
Sipas rezultateve nga dy kutitë e para të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje kryeson bindshëm me 322 vota, që përbëjnë 81.31 për qind.
Në vendin e dytë renditet Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 47 vota apo 11.87 për qind, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë 12 vota, që përbëjnë 3.03 për qind.
Më pas renditen:
AAK – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 8 vota (2.02%)
FJALA me 1 votë (0.33%)
Nisma Socialdemokrate (NISMA) me 1 votë (0.33%)
Numërimi i votave me postë pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa rezultatet e plota do të jenë përcaktuese për çdo ndryshim eventual në shpërndarjen përfundimtare të mandateve në Kuvendin e Kosovës./Telegrafi/
SHBA-ja po e humb durimin me aktorë kërcënues në shërbim të Rusisë, Kinës e Iranit.
Në një reagim pas sulmeve të sotme amerikane në Venezuelë, Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e humbin durimin me aktorët që kërcënojnë rendin perëndimor, në krye me Rusinë, Kinën dhe Iranin, si dhe me shtetet proxy që veprojnë në shërbim të tyre.
Sipas tij, sulmet amerikane ndaj Venezuelës janë një mesazh i qartë global se epoka e tolerimit ndaj shteteve destabilizuese ka përfunduar, prandaj vlen si paralajmërim edhe për Serbinë nëse Vuçiq nuk e ndryshon qasjen ndaj Kosovës, shteteve të rajonit dhe demokracisë.
“Sulmet e sotme në Venezuelë janë kulmim i tensioneve të akumuluara nga një strategji hibride kundër interesave të SHBA-së dhe NATO-s, demokracisë dhe vlerave perëndimore, sepse një shtet narko-terrorist, me “Kartelin e Diejve” (“dielli” si simbol në uniformat e gjeneralëve, duke nënkuptuar përfshirjen e niveleve të larta të ushtrisë), që menaxhon dhe mbron trafikun e kokainës drejt SHBA-së dhe Europës, nuk është thjesht regjim i kriminalizuar nga kontrabanda, por një aktor destabilizues rajonal që duhet të parandalohet”, ka shkruar Fetoshi.
Duke e lidhur këtë me Ballkanin, Fetoshi vlerëson se Serbia ndjek të njëjtin model hibrid, por në mënyrë më të kamufluar. “Përmes të ashtuquajturës ‘politikë neutraliteti’, Serbia ka thelluar lidhjet strategjike me Rusinë, ka zgjeruar bashkëpunimin me Kinën dhe, paralelisht, ka përfituar miliarda euro nga procesi i integrimit europian, derisa nuk ka rreshtur së provokuari sigurinë dhe stabilitetin rajonal, me fokus të veçantë sabotimin e Republikës së Kosovës”, thekson Fetoshi.
Sipas tij, kjo qasje nuk pranohet më tutje në Uashington, ku nëse i referohemi Aktit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të SHBA-së (NDAA) –Serbia tashmë po shihet si vektor aktiv i ndikimit rus dhe kinez në Ballkan.
“Nëse Serbia nuk e ndryshon qasjen dhe vazhdon politikën agresive ndaj Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit, rrezikon të përballet me masa shumë më të ashpra. Presidenti Trump po e humb durimin me shtetet që shtiren si ‘neutrale’, por në praktikë i shërbejnë sabotimit të demokracisë dhe vlerave perëndimore,” përfundon Fetoshi.
Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka falënderuar qytetarët dhe anëtarësinë e LDK-së për mbështetjen e dhënë në zgjedhje, duke vlerësuar se rezultati i arritur nuk e pasqyron potencialin real të kësaj partie.
Në një reagim në Facebook, Hoti theksoi se angazhimi dhe sakrifica e strukturave të LDK-së në gjithë Kosovën mbeten të paçmueshme, pavarësisht rezultatit zgjedhor. Ai shprehu mirënjohje të veçantë për kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, kryesinë, degët, nëndegët dhe, siç u shpreh, “para së gjithash për anëtarësinë besnike që e mban LDK-në gjallë edhe në kohë sfiduese”.
Hoti falënderoi edhe votuesit që i kanë dhënë besimin për t’i përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar se ky besim është më i madh se në zgjedhjet e shkurtit 2025 dhe përbën obligim për angazhim të mëtejmë në fuqizimin dhe ringritjen e partisë.
Sipas tij, ky rezultat dëshmon se elektorati i LDK-së kërkon forcim të vlerave themeltare, si demokracia e brendshme, guximi politik, vizioni shtetformues dhe orientimi i palëkundur euro-atlantik.
“LDK-ja ka nevojë për unitet të brendshëm dhe ballafaqim të hapur të ideve për të ardhmen e saj, si dhe për rikthimin e besimit të qytetarëve në këtë organizatë politike që përbën domosdoshmëri për demokracinë e vendit”, ka theksuar Hoti.
Ai u shpreh i bindur se LDK-ja, kur është e bashkuar dhe e udhëhequr me vizion, di të ringrihet dhe t’i shërbejë vendit, duke riafirmuar angazhimin e tij për demokraci, shtetësi, zhvillim dhe integrim euro-atlantik të Kosovës.
Në fund, Hoti përfundoi mesazhin e tij me thirrjen: “Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës! Zoti e bekoftë popullin tonë!”./Telegrafi/
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka bërë të ditur se votat e ardhura nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, ndonëse në shumicë dërrmuese në favor të Lëvizjes Vetëvendosje, nuk kanë asnjë efekt në numrin e mandateve që pritet të marrin partitë politike në Kuvend.
Sipas tij, as votat me kusht nuk pritet të prodhojnë ndryshime, pasi ato zakonisht ndjekin trendin e votimit brenda vendit. Të vetmet vota që mund të kenë ndikim janë ato me postë, por edhe aty, efekti është i kufizuar maksimalisht në një deri në dy mandate.
Cakolli ka sqaruar se, për të ndodhur një lëvizje e tillë, Lëvizja Vetëvendosje do të duhej të fitonte mbi 80 për qind të votave me postë, çka historikisht është vështirë e arritshme.
“Edhe sikur të gjitha rreth 58 mijë dërgesat postare të arrijnë në kohë dhe të jenë valide – gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë – LVV-së do t’i duhej rreth 80–85 për qind e tyre për ta siguruar mandatin e 57-të. Për mandatin e 58-të, do t’i nevojiteshin rreth 90 për qind e këtyre votave”, ka shkruar ai.
Sipas Cakollit, aktualisht – pas verifikimit dhe procesimit të të gjitha vendvotimeve brenda Kosovës – ndarja e mandateve është si vijon:
Ai thekson se votat nga përfaqësitë diplomatike, njësoj si në zgjedhjet e kaluara, nuk prodhojnë asnjë ndryshim në këtë shpërndarje, pavarësisht përqindjes së lartë për LVV-në.
Duke marrë parasysh trendet aktuale dhe përvojat nga ciklet e mëparshme zgjedhore, Cakolli vlerëson se skenari më realist në fund të procesit zgjedhor mbetet:
Ai shton se çdo lëvizje eventuale e mandateve mes PDK-së dhe LDK-së do të varet nga performanca e tyre në votat me postë, me logjikën që partia me koeficientin më të ulët humb mandatin e parë./Telegrafi/
Ka përfunduar numërimi i të gjitha votave të ardhura nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, përkatësisht nga ambasadat dhe konsullatat jashtë vendit.
Sipas rezultateve nga nga përfaqësitë diplomatike, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë bindshëm e para me 86.74 për qind, duke grumbulluar 13,899 vota.
Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 6.07 për qind apo 973 vota, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 4.76 për qind, përkatësisht 762 vota.
Pas tyre vjen Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 1.59 për qind ose 255 vota.
Me përfshirjen e këtyre rezultateve dhe bazuar në të dhënat e përmbledhura nga vendvotimet brenda Kosovës dhe ato nga përfaqësitë diplomatike, Lëvizja Vetëvendosje ka kaluar tashmë pragun e 50 për qind të votave në total.
Sipas rezultateve të përgjithshme:
Lëvizja Vetëvendosje – 50.00% (447,179 vota)
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – 20.76% (185,689 vota)
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – 13.44% (120,182 vota)
AAK – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – 5.57% (49,856 vota)
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përditësuar të dhënat lidhur me numërimin e votave për kandidatët për deputetë.
Deri në këtë fazë, janë numëruar rreth 99 për qind e votave, çka ka sjellë ndryshime në tri mandatet e fundit të listës së Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas rezultateve të fundit, Ilir Kërçeli ka arritur të tejkalojë me vota Vigan Qorrollin dhe Naim Bardiqin, duke u renditur aktualisht në vendin e 55-të, pozitë kjo që i siguron mandat deputeti.
Renditja aktuale për tri pozitat e fundit është si vijon:
55. Ilir Kërçeli – 16,979 vota 56. Naim Bardiqi – 16,902 vota 57. Vigan Qorrolli – 16,761 vota
Me këtë renditje, Ilir Kërçeli dhe Naim Bardiqi mbeten brenda listës së kandidatëve që sigurojnë mandat, ndërsa Vigan Qorrolli, për momentin, mbetet jashtë Kuvendit të Kosovës.
Megjithatë, duke qenë se procesi i numërimit ende nuk ka përfunduar plotësisht dhe priten edhe votat e mbetura, përfshirë ato nga diaspora, renditja përfundimtare mund të pësojë ndryshime të tjera./Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në një intervistë për RTV21 ka folur për projektet dhe ndryshimet që pritet të bëhen në kryeqytet gjatë vitit 2026.
Ai theksoi se Komuna po shqyrton masa të reja për menaxhimin e trafikut dhe qarkullimit të automjeteve, përfshirë edhe vendosjen e një pagese për hyrjen në qytet.
“Kush hyn me veturë në Prishtinë do ta paguajë 1 euro. Tash i kemi në përfundim këto ditë edhe emërimin, edhe finalizimin e projektit për unazën e brendshme. Jemi duke analizuar edhe mundësinë për një taksë për të gjitha automjetet që nuk janë të Prishtinës, pra për makinat që vijnë nga jashtë dhe hyjnë në Prishtinë.”, tha ndër tjera Rama.
(E përditësuar) -Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat për numërimin e votave nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës jashtë vendit.
Sipas KQZ-së, deri më tani janë procesuar 28 nga 40 vendvotime, që përbëjnë rreth 70 për qind të totalit të votave diplomatike.
Rezultatet e deritanishme tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të kryesojë bindshëm edhe në votimin diplomatik, duke siguruar shumicën dërrmuese të votave të numëruara.
Sipas këtyre të dhënave:
LVV ka marrë 7,912 vota ose 87.36%
PDK ka marrë 487 vota ose 5.38%
LDK ka marrë 442 vota ose 4.88%
AAK ka marrë 135 vota ose 1.49%
Numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike do të vazhdojë, ndërsa këto rezultate mund të ndikojnë në renditjen përfundimtare të kandidatëve dhe mandateve parlamentare./Telegrafi/
Avokati Emrush Kastrati vlerëson se procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë është i tejzgjatur dhe totalisht i padrejtë.
Megjithatë, Kastrati në “FIVE” u shpreh optimist se ish-krerët do të lirohen në pranverë.
“Besoj që në pranverën e hershme do të kemi rezultate pozitive sidomos pas dëshmive të dëshmitarëve kyq si Rubin, Clark e Hill”, u shpreh Kastrati.
Avokati tjetër, Skendër Musa, u shpreh se dëshmitarët e mbrojtjes kanë qenë më të fuqishëm e më kredibil teksa për dëshmitarët e prokurorisë u shpreh se kanë qenë të përgatitur nga autoritetet serbe dhe UNMIK-u.
“Ka qenë një proces i rëndë e sfidues jo vetëm për të akuzuarit e mbrojtjen por për shqiptarët në përgjithësi sidomos në dëgjimin e dëshmitarëve pasi kanë qenë dëshmitarë të prokurorisë të përgatitur nga Serbia, Eulex e të tjerë – por vitin e fundit janë dëgjuar dëshmitarët e mbrojtjes kanë qenë më te fuqishëm dhe më kredibil sidomos gjatë procesit të luftës”.
“Gjithë këtij procesi i ka ardhur fundit dhe të gjithë presim një epilog pozitiv dhe me këtë verdikt të pastrohet çdo njollë ndaj UÇK-së dhe luftës së tyre”, tha Musa.
Prefekti i Qarkut Shkodër ka bërë me dije se gjatë orëve të fundit janë marrë një numër i konsiderueshëm telefonatash nga qytetarë në sallën operative të Komisariatit të Policisë Shkodër, ku raportohet se disa familje, përfshirë edhe fëmijë, ndodhen të bllokuara në segmente të ndryshme rrugore.
‘Bllokimet janë evidentuar në akse të ndryshme rrugore, nga zona e Bunit të Bajraktarit deri në zbritje në drejtim të qytetit të Koplikut.
Aktualisht, në këtë aks rrugor po bien reshje breshëri të alternuara me dëborë dhe ka filluar formimi i ngricave, duke e vështirësuar ndjeshëm qarkullimin rrugor.
Sipas raportimeve, mbi 200 mjete tentojnë të lëvizin në drejtim të Koplikut. Lëvizja është rivendosur në sajë të ndërhyrjes në terren, ku ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore dhe mjetet borëpastruese, të cilat janë në koordinim të vazhdueshëm për menaxhimin e situatës dhe garantimin e sigurisë së qarkullimit rrugor’, bëhet me dije në njoftim..
Në këtë kuadër, apelohet për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin lëvizjet e panevojshme në akset problematike dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë. Në rast nevoje ose problematikash, qytetarët ftohen të komunikojnë menjëherë me Policinë e Shtetit ose shërbimet e emergjencave, shtohet më tej në njoftim./Euronews Albania/
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thyer rekordin që vetë e kishte vendosur në zgjedhjet e 9 shkurtit, duke u bërë lideri më i votuar në zgjedhjet parlamentare në Kosovë.
Pesë ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, po bëhet gjithnjë e më e qartë përbërja e re e Kuvendit të Kosovës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka numëruar mbi 97% të votave për kandidatët për deputetë, ndërsa rreth 3% e votave nga vendvotimet dhe votat e diasporës ende pritet të ndikojnë në renditjen përfundimtare dhe numrin e mandateve.
Nga rezultatet aktuale, kandidatët më të votuar të Lëvizjes Vetëvendosje që aktualisht sigurojnë mandat deputeti janë:
Albin Kurti – 342,174 vota Glauk Konjufca – 264,801 vota Albulena Haxhiu – 139,263 vota Hekuran Murati – 139,239 vota Donika Gërvalla-Schwarz – 124,010 vota Xhelal Sveçla – 110,395 vota Hajrulla Çeko – 99,587 vota Avni Dehari – 91,338 vota Mimoza Kusari Lila – 81,306 vota Ejup Maqedonci – 77,820 vota Shqipe Mehmeti Selimi – 64,269 vota Andin Hoti – 55,411 vota Arben Vitia – 52,815 vota Saranda Bogujevci – 41,025 vota Alban Bajrami – 38,688 vota Edona Llalloshi – 33,971 vota Rufki Suma – 33,673 vota Mefail Bajqinovci – 32,892 vota Jeta Statovci – 31,621 vota Nezir Kraki – 31,247 vota Adriana Matoshi – 30,112 vota Ardian Gola – 30,062 vota Armend Muja – 28,450 vota Haxhi Avdyli – 27,806 vota Adelina Grainca – 27,018 vota Albena Reshitaj – 24,188 vota Blerim Gashi – 23,674 vota Taulant Kelmendi – 23,256 vota Artane Rizvanolli Berisha – 22,798 vota Arbër Rexhaj – 22,657 vota Fitore Pacolli Dalipi – 22,639 vota Agim Bahtiri – 22,626 vota Hysen Durmishi – 22,524 vota Labinotë Demi Murtezi – 22,493 vota Dimal Basha – 22,459 vota Arjeta Fejza – 22,200 vota Arbëreshë Kryeziu Hyseni – 22,105 vota Fatos Geci – 22,016 vota Artan Abrashi – 21,951 vota Arbërie Nagavci – 21,308 vota Enver Haliti – 21,308 vota Valon Ramadani – 20,460 vota Liza Gashi – 19,688 vota Adnan Rrustemi – 19,279 vota Jeton Raka – 18,552 vota Fatmire Kollçaku – 18,270 vota Arsim Ademi – 18,203 vota Drita Pajaziti – 18,071 vota Fitim Haziri – 17,938 vota Fjolla Ujkani – 17,442 vota Sylejman Meholli – 17,180 vota Rozeta Hajdari – 17,177 vota Valon Hoti – 17,030 vota
Salih Zyba – 16,838 vota
Derisa kater kandidatet e mëposhtëm luftojnë për dy mandatet e fundit, respektivisht atë të 55 dhe 56.
Naim Bardiqi – 16,620 vota Vigan Qorrolli – 16,542 vota Ilir Kërçeli – 16,384 vota Fahrush Rexhepi – 16,180 vota
Policia në rajonin e Stokholmit ka vërejtur se gjatë muajve të verës statistikat e pushimeve mjekësore janë rritur ndjeshëm, gjë që i ka shtyrë autoritetet të hetojnë shkaqet e këtij fenomeni.
Gjatë hetimeve, është zbuluar një rast i veçantë ku një hetuese policore ishte raportuar si e sëmurë tre vite radhazi, pikërisht menjëherë pas përfundimit të pushimeve vjetore, raporton media suedeze.
Sipas materialeve të hetimit, në të tri rastet, hetuesja kishte qenë me pushime në Ballkan (Prizren). Ajo kishte aplikuar për pushim në datat përkatëse, por kërkesa nuk i ishte aprovuar. Megjithatë, në të njëjtat data, ajo ishte paraqitur si e sëmurë.
Në deklarimin e saj para policisë, ajo ka mohuar akuzat për mashtrim, duke theksuar se ka pasur probleme shëndetësore psikike të lidhura me kthimin në punë.
“E konsideroj për të ardhur keq, sepse kam moral shumë të lartë pune. Gjatë gjithë vitit pothuajse nuk marr kurrë pushim mjekësor,” ka deklaruar ajo, duke shtuar se sipas saj, kishte të drejtë të ishte e sëmurë pavarësisht vendndodhjes.
“Secili ka të drejtë të jetë i sëmurë, kudo që ndodhet. Nëse jam e sëmurë, atëherë jam e sëmurë,” ka thënë ajo.
Megjithatë, hetimet kanë zbuluar se biletat e kthimit me avion nga pushimet në vitet 2023, 2024 dhe 2025 ishin rezervuar për data pas ditës kur ajo duhej të ishte kthyer në punë. Për ditët e raportuara si pushim mjekësor, ajo ka përfituar mbi 17 mijë korona suedeze (rreth 1,500euro) në pagesa për sëmundje.
Tani, hetuesja policore është akuzuar për mashtrim të rëndë dhe deklarim të rremë. Në aktakuzë thuhet se ajo ka abuzuar me besimin publik, duke kryer veprime të lidhura ngushtë në kohë, vend dhe qëllim, në cilësinë e saj si punonjëse e policisë.
Për veprën penale të mashtrimit të rëndë, ligji suedez parasheh dënim nga gjashtë muaj deri në gjashtë vjet burg./Telegrafi/
Një fluks i lartë automjetesh, kryesisht me targa të Shqipërisë, është regjistruar gjatë ditës së sotme në pikën e kalimit kufitar të Vërmicës, në kufirin Shqipëri–Kosovë.
Ky fluks ka shkaktuar radhë të gjata automjetesh, të cilat shtrihen deri në fshatin Morinë.
Qytetarë të shumtë nga Shqipëria po shfrytëzojnë pushimet e festave të Vitit të Ri për të udhëtuar drejt Kosovës, kryesisht për të pushuar në zonat turistike malore si Prevalla dhe Brezovica, të cilat aktualisht janë të mbuluara nga bora dhe ofrojnë kushte të favorshme për turizmin dimëror.
Autoritetet kosovare të Doganës në Vërmicë po punojnë me të gjitha sportelet e hapura, megjithatë fluksi i lartë i mjeteve mbetet i vështirë për t’u përballuar.
Në radhë ka edhe automjete me targa të huaja, të cilat, ndryshe nga mjetet me targa të Shqipërisë dhe Kosovës, i nënshtrohen kontrolleve më të detajuara, çka ndikon në zgjatjen e pritjes në kufi./A2 Cnn
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka bërë të ditur se më 22 dhjetor 2025, rreth orës 13:50, Stacioni Policor Pejë është informuar për një plagosje me armë zjarri që kishte ndodhur në rrugën “Ahmet Gjikolli” në Pejë.
Njësitë policore kanë reaguar menjëherë dhe në vendin e ngjarjes kanë hasur viktimën, e cila ishte e plagosur nga arma e zjarrit. I lënduari është dërguar fillimisht në Spitalin Rajonal në Pejë, ndërsa më pas është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë për trajtim të mëtejmë mjekësor.
I dyshuari i rastit ishte larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur. Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, hetuesit policorë kanë gjetur dhe sekuestruar tri gëzhoja.
Hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime në DRP-Pejë kanë zhvilluar veprime intensive për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit. Me autorizim të prokurorit të shtetit, ishte lëshuar edhe kërkesë për bashkëpunim me qytetarët.
Sot, më 02 janar 2026, rreth orës 12:00, i dyshuari është vetëdorëzuar në polici, duke dorëzuar edhe armën e zjarrit dhe tre fishekë, me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa me aktvendim të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë. Hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë./Telegrafi/
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se dinamika e punës në qendra komunale të numërimit të votave ka tejkaluar planifikimet e tyre.
Kësisoj, Elezi në “FIVE” në Dukagjin, bëri të ditur se shpallja e rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja mund të bëhet para 19 janarit siç ishte planifikuar.
“Jo vetëm subjekti por edhe kandidatët që kanë marrë pjesë në këtë proces kanë të drejtë të ushtrojnë ankesë pas prezantimit të rezultateve përfundimtare që e shpallë KQZ-ja. Në planifikimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve përfundimi i aktivitete në qendrat komunale të numërimit është planifikuar të bëhet deri më 7 janar po mendojmë se do të përfundoj nesër më 3 janar”.
“Gjithashtu numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike dhe atyre të dërguara me postë është planifikuar të bëhet me 7 janar por kjo ka nisur qysh sot dhe gjithashtu numërimi i votave me kusht dhe personave me nevoja të veçanta ka qenë në nis më 16 janar – por dinamika e punës ka bërë që kjo do të nis shumë më herët. Këto aktivitet po zhvillohen më shpejt sesa është planifikuar dhe nga kjo mund të themi që rezultatet përfundimtare të planifikuara të shpallen më së largu më 19 janar nga ana e KQZ-së mund të shpallen shumë më herët”, tha Elezi.
Si e parashikuan performancën e tregut të aksioneve në vitin 2025 miliarderët e Forbes.
Nga Simone Melvin, Forbes
Forbes pyeti 34 miliarderë në fillim të vitit 2025 se si mendonin se do të ecte indeksi S&P 500. Rezulton se as miliarderët nuk mund ta shohin të ardhmen.
Edhe mjeshtrit e tregut nuk mund ta parashikojnë të ardhmen. Në fillim të vitit 2025, ne anketuam 34 miliarderë, duke i pyetur se si mendonin se do të performonte indeksi S&P 500 gjatë vitit. Më shumë se gjysma e tyre gabuan ndjeshëm.
S&P 500 e mbylli vitin me një rritje prej 16%. Ky është një kthim mbi mesataren për indeksin, i cili historikisht ka shënuar rreth 10% rritje vjetore gjatë shtatë dekadave të fundit, megjithëse më i ulët se 23% dhe 24% në vitet 2024 dhe 2023, respektivisht. Megjithatë, miliarderët ishin më pak optimistë. Gati gjysma mendonin se tregu do të ishte i qëndrueshëm ose në rënie në vitin 2025. Një tjetër 35%, grupi më i madh nga të gjithë, parashikuan rritje, por vetëm me shifra një-shifrore. Vetëm 7 nga 34 miliarderët e anketuar, ose 21%, e parashikuan saktë që S&P do ta mbyllte vitin me një rritje midis 10% dhe 20%.
“Jam shumë optimist për inteligjencën artificiale në përgjithësi dhe për këtë arsye mendova se përfitimet e saj do të vinin shumë më herët nga sa parashikohej,” thotë investitori Samir Mane, miliarderi i parë i Shqipërisë, i cili parashikoi saktë intervalin e kthimit të S&P këtë vit. Aksionet e kompanive të mëdha të teknologjisë digjitale si Alphabet dhe Nvidia, si dhe përfitues të tjerë të Inteligjences Artificiale si Broadcom dhe Palantir, kanë qenë forca shtytëse e rritjes se tregut. Sipas J.P. Morgan, aksionet e lidhura me inteligjencën artificiale kanë kontribuar rreth 75% të kthimit total të S&P 500. Mane thotë se pret që edhe viti 2026 të jetë një vit i suksesshëm për indeksin, sërish falë kompanive të AI-së.
Të tjerë që, si Mane, parashikuan saktë, përfshijnë mandatën e pasurive të paluajtshme Larry Connor, sipërmarrësin e pajisjeve mjekësore Joe Kiani dhe investitorin nga Florida, si dhe pronarin e ardhshëm të Pittsburgh Penguins, David Hoffmann.
Pyet një miliarder Forbes anketoi 34 miliarderë mbi mënyrën se si do të performonte S&P 500 në vitin 2025. Vetëm 7 prej tyre parashikuan saktë një kthim prej 10%–20%.
Në anën tjetër, 35% e miliarderëve parashikuan gabimisht se tregu do të ishte në rënie, përfshirë 9% që mendonin se rënia do të ishte mbi 20%. Ndërtuesi i shtëpive nga Florida, Pat Neal, ishte ndër skeptikët.
“Jam i befasuar që [S&P 500] shkoi mirë; unë parashikova që nuk do të ndodhte,” thotë 76-vjeçari, i cili kishte menduar se tregu do të binte me 10%–20%. “Mendova se S&P do të ndiqte më nga afër ekonominë dhe, duke qenë se jam në biznesin e ndërtimit dhe normat e interesit janë të larta, nuk isha optimist për ekonominë në tërësi apo për [indeksin]… Dhe nëse më pyesni për vitin 2026, nuk jam shumë optimist, por edhe në vitin 2025 gabova.”
Parashikime pesimiste për një kthim negativ në vitin 2025 bënë gjithashtu miliarderi francez i logjistikës Eric Hémar, miliarderi kanadez i shërbimeve financiare Stephen Smith dhe miliarderi kanadez i pasurive të paluajtshme Bill Malhotra.
Gjithsesi, këta miliarderë nuk performuan më mirë se investitorët e zakonshëm, apo as profesionistët. Që në fillim të dhjetorit 2024, Bank of America parashikonte një kthim prej 10% për vitin 2025, ndërsa Goldman Sachs dhe Morgan Stanley parashikonin rreth 7.5%. Një sondazh i Vanguard tregoi se publiku mendonte se tregu do të kthente 6.4% në vitin 2025.
Aty ku miliarderët dolën dukshëm më mirë ishte në aftësinë e tyre për të përzgjedhur aksione individuale. Forbes i pyeti gjithashtu secilin prej tyre të emërtonte një aksion që do t’ia rekomandonte dikujt për ta blerë ose mbajtur. Tre prej tyre, përfshirë Neal, zgjodhën Nvidia (me rritje 39% në vitin 2025). Zgjedhje të tjera përfshinin Howard Hughes Corporation (rritje 4%), XP (rritje 38%), Palantir (rritje 135%) dhe Robinhood (rritje 200%). Nga 18 përzgjedhjet specifike të aksioneve të propozuara nga miliarderët, vetëm dy humbën vlerë në vitin 2025: kompania indoneziane e pijeve Tanobel (rënie 37%) dhe iShares Bitcoin Trust ETF (rënie 6%).
Miliarderët e planetit po hyjnë në vitin 2026 më të pasur se kurrë dhe të pozicionuar për një tjetër vit të shkëlqyer, të paktën sipas Mane, i cili parashikoi saktë kthimin e tregut në vitin 2025. Megjithatë, ai thotë se edhe këshillat e miliarderëve duhen marrë me rezervë: “Nëse do të mund ta parashikonim në mënyrë perfekte tregun e aksioneve, nuk do të ishim miliarderë. Do të ishim trilionerë.”