Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 January 2026Main stream

Përplasje në Minneapolis, agjentët federalë vrasin një person

24 January 2026 at 18:24
SHBA– Një person ka humbur jetën pas të shtënave me armë në Minneapolis, ku janë përfshirë agjentë federalë të emigracionit nga Dogana dhe Mbrojtja Kufitare, sipas televizionit CBS.
Të shtënat ndodhën pranë në jug të Minneapolis. Zyrtarët e qytetit thanë se viktima është një burrë. Agjentët federalë dhe protestuesit janë përleshur fizikisht në zonë.

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Kristi Noem, pak ditë më parë u shpreh se departamenti i saj ka arrestuar mbi 10 mijë emigrantë në Minneapolis të Minesotës, si pjesë e një goditjeje të vazhdueshme kundër emigracionit.

Mineapolisi është bërë një pikë e nxehtë në debatin kombëtar mbi zbatimin e ligjit për wmigracionin, pasi më 7 janar një agjent i Zbatimit të Ligjit për Imigracionin dhe Doganat (ICE) qëlloi për vdekje 37-vjeçaren Renee Nicole Good.

Vrasja e Good, një gruaje dhe nëne amerikane, shkaktoi reagime të gjera publike dhe politike si dhe kërkesa për hetime në nivel lokal, shtetëror dhe federal.

Trump kërcënon Kanadanë me tarifa 100 për qind nëse bën marrëveshje tregtare me Kinën

24 January 2026 at 18:06

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi se do të vendosë tarifa prej 100 për qind ndaj të gjitha mallrave kanadeze që hyjnë në Amerikë, nëse Otava arrin një marrëveshje tregtare me Pekinin.

“Nëse Kanadaja bën marrëveshje me Kinën, ajo do të goditet menjëherë me një tarifë prej 100 për qind ndaj të gjitha mallrave dhe produkteve kanadeze që hyjnë në SHBA”, shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social”.

Presidenti amerikan e quajti kryeministrin Mark Carney “guvernator” dhe tha se ai do të ishte “thellësisht i gabuar” nëse do të lejonte që Kanadaja të shndërrohej në një “port shkarkimi” për produktet kineze të destinuara për tregun amerikan.

Ai parashikoi pasoja të rënda për Kanadanë nga afrimi i lidhjeve ekonomike me Pekinin dhe tha: “Kina do ta gëlltisë Kanadanë të gjallë, do ta përpijë plotësisht, përfshirë shkatërrimin e bizneseve të saj, strukturës shoqërore dhe mënyrës së përgjithshme të jetesës”.

Pamjet me dron/ PD thërret protestë në bulevard, mblidhen mbështetësit e Berishës para kryeministrisë

24 January 2026 at 17:45

TIRANË- Partia Demokratike ka thirrur këtë të shtunë protestën e saj kombëtare. Mbështetësit e Sali Berishës janë mbledhur para godinës së kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Zhvillimet mbi protestën e PD: 

Ora 18:00 Pamjet me dron/ PD thirri protestë, shihni sesa janë kur vjen Berisha

PD thirri këtë të shtunë protestë kombëtare në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit. ABC News sjell pamjet me dron, të pjesëmarrjes në momentin kur vjen kreu i PD, Sali Berisha. Protesta ka vënë në gatishmëri Policinë e Shtetit. 1350 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat janë të angazhuar për mbarëvajtjen e protestës. Si në çdo protestë është kordoni me efektivë policie para kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj. Të gjithë efektivët janë pajisur me maska kundragaz.


Ora 17:00-Pamjet me dron/ Ora shënon 17:00, por sheshi … thuajse bosh. Demokratët braktisin Sali Berishën

Asnjë surprizë nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.

Edhe në protestën e radhës kombëtare, mbështetësit e Partisë Demokratike nuk i janë përgjigjur thirrjes së Sali Berishës.

Bulevardi para kryeministrisë është pothuajse bosh pavarësisht se protesta ishte parashikuar të niste në orën 17:00.

ABC News sjell pamjet me dron, ku vihet re që ftesa për protestë e Sali Berishës vijon të refuzohet masivisht nga demokratët.

/abcnews.al

NATO planifikon të forcojë mbrojtjen në krahun lindor me teknologji robotike

24 January 2026 at 17:39

NATO planifikon të zgjerojë ndjeshëm rezervat e armëve dhe municioneve përgjatë krahut të saj lindor dhe të krijojë një zonë të re mbrojtëse – duke përdorur teknologji robotike dhe të automatizuar, sipas një oficeri të lartë të NATO-s.

“Masat synojnë forcimin e parandalimit kundër sulmeve të Rusisë”, tha Gjenerali i Brigadës Thomas Lowin për” Welt”.

Sipas një koncepti të ri mbrojtës shumështresor, NATO do të kërkojë të ngadalësojë ose ndalojë një sulmues në një fazë të hershme duke përdorur sisteme të teknologjisë së lartë.

Përgjatë kufijve të aleancës me Rusinë dhe Bjellorusinë, do të krijohet një zonë që do të mbështetet në mbikëqyrje, si dhe në sisteme të operuara nga distanca ose gjysmë të automatizuara, të cilat një kundërshtar do të duhet t’i kapërcejë përpara se të përparojë më tej.

Lowin, zëvendësshefi i shtabit për operacionet në komandën tokësore të NATO-s në Izmir, tha se mbikëqyrja përgjatë krahut lindor do të mbështetej në sisteme që mbledhin të dhëna në tokë, në ajër, në hapësirë ​​dhe në domenin digjital.

“Informacioni do t’u vihet në dispozicion aleatëve të NATO-s në kohë reale”, tha ai.

Sisteme fikse dhe celular si radari, sensorë akustikë dhe optikë mund të përdoren, së bashku me të dhënat nga satelitët, dronët dhe avionët zbulues.

Përgjatë kufijve, NATO planifikon të krijojë atë që Lowin e përshkroi si një “zonë e nxehtë”, të projektuar për të ndaluar ose ngadalësuar sulmuesit në fazat e hershme. Zona mund të përfshijë dronë të armatosur, automjete luftarake gjysmë-autonome, sisteme robotike dhe aftësi të automatizuara të mbrojtjes ajrore.

Lowin tha gjithashtu se NATO tashmë ka parapozicionuar pajisje ushtarake, dhe se rezerva shumë më të mëdha ushtarake do të ngrihen në shtetet në vijën e parë, duke përfshirë armë dhe municione si për sistemet e automatizuara ashtu edhe për forcat e aleancës.

“Pavarësisht përdorimit në rritje të automatizimit, numri i trupave nuk do të zvogëlohet”, tha ai duke vënë në dukje se sistemet pa pilot nuk ishin të mjaftueshme për të penguar ose ndaluar një kundërshtar në planin afatgjatë.

Grabitet një subjekt kredidhënës në Shkodër, në kërkim autori

24 January 2026 at 17:20

SHKODËR- Rreth orës 15:30, në lagjen “Vojo Kushi”, një person ende i paidentifikuar është futur brenda ambienteve të një subjekti kredidhënës dhe me një çekiç në dorë ka marrë një shumë monetare në lekë dhe është larguar.

Autoritetet vendore vijojnë kontrollet në zonë për kapjen e tij.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për identifikimin e autorit dhe dokumentimin ligjor të rastit./abcnews.al

Zelensky: Bisedime konstruktive në Abu Dabi, priten takime vijuese javën e ardhshme

24 January 2026 at 16:38

Presidenti i Ukrianës Volodymyr Zelensky tha sot se bisedimet tripalëshe midis delegacioneve të Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Abu Dabi ishin “konstruktive”, se ata diskutuan parametrat për përfundimin e luftës dhe se takime të reja mund të mbahen javën e ardhshme.

Në një postim në Telegram, Zelensky tha gjithashtu se përfaqësuesit ushtarakë ukrainas kanë identifikuar një listë çështjesh për diskutim në një takim të mundshëm në të ardhmen me përfaqësuesit e Rusisë dhe SHBA-së. 

“Gjëja kryesore në të cilën u përqendruan diskutimet ishin parametrat e mundshëm për përfundimin e luftës. Unë e vlerësoj shumë që ekziston një vetëdije për nevojën që Amerika të monitorojë dhe kontrollojë procesin e përfundimit të luftës dhe ruajtjen e sigurisë reale. Pala amerikane ngriti çështjen e formateve të mundshme për miratimin e parametrave për përfundimin e luftës dhe rrethanat e sigurisë të nevojshme për këtë”, tha Zelensky.

Brazil, presidenti Lula konfirmon kandidaturën për një mandat të katërt

24 January 2026 at 16:17

Presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva konfirmoi kandidaturën e tij për rizgjedhje gjatë një eventi në Salvador de Bahía.

“Përgatituni, sepse duam presidencën për herë të katërt”, tha kreu i Partisë së Punëtorëve, në mbylljen e takimit të 14-të Kombëtar të Lëvizjes së Punëtorëve Ruralë pa Tokë (MST) – duke i quajtur zgjedhjet e tetorit një moment vendimtar dhe vitin 2026 “vitin e së vërtetës” kundër dezinformimit.

Në fjalimin e tij, kreu i shtetit vlerësoi sukseset ekonomike të mandatit të tij aktual, duke përmendur papunësinë historike të ulët, rritjen e pagës minimale dhe rritjen e eksporteve.

Lula më pas nxiti lëvizjet shoqërore të pushtonin hapësirat vendimmarrëse, duke theksuar rolin vendimtar të MST në historinë e vendit dhe në luftën për drejtësi sociale.

“Pa ju, Brazili nuk do të kishte arritur aty ku jemi sot”, tha ai.

Në periferi të eventit, qeveria njoftoi masa konkrete për reformën agrare.

Ministri i Zhvillimit Agrar, Paulo Teixeira konfirmoi se toka të reja do të dorëzoheshin deri në prill në disa shtete, përfshirë San Paulo dhe Bahía, ku do të përfitonin mijëra familje.

Kryeministri i Belgjikës: Evropa nuk është skllave e SHBA

24 January 2026 at 16:06

Kryeministri i Belgjikës, Bart De Wever në një fjalim të enjten para parlamentit bëri thirrje për një Evropë më të fortë dhe më të bashkuar pas tensioneve të fundit mbi Groenlandën dhe qëndrimin e SHBA-së ndaj aleatëve të saj.

“Shtetet e Bashkuara janë më të fortat, por dinjiteti ynë nuk është në shitje. Ne nuk jemi skllevër”, tha ai.

Duke folur para një takimi të liderëve të BE-së në Bruksel, De Wever tha se zhvillimet e fundit nxorën në pah dobësitë strategjike të Evropës dhe urgjencën e forcimit të autonomisë së saj, raportoi transmetuesi publik RTBF.

Ai i bëri këto komente pasi mori pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, ku presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi se ishte arritur një kornizë për marrëveshje të mundshme që përfshinte Groenlandën dhe rajonin e Arktikut më të gjerë.

Ai tha se Evropa kishte shmangur për pak “një katastrofë të vërtetë”, duke shtuar se episodi duhet të shërbejë si një thirrje zgjimi.

“Ne evropianët duhet të jemi të përgatitur të përballojmë stuhitë dhe të qëndrojmë vetëm”, ​​tha De Wever duke bërë thirrje për përparim më të shpejtë në bashkëpunimin e mbrojtjes, integrimin e tregjeve të kapitalit dhe mekanizmat e bashkëpunimit të zgjeruar brenda BE-së.

“Edhe nëse nuk është për nesër, ne duhet të përshpejtojmë”, shtoi ai.

Udhëheqësit e BE-së u takuan në Bruksel për të diskutuar mbi zhvillimet me Washingtonin pas tensioneve nga interesi i Trump për Groenlandën për shkak të pozicionit të saj strategjik në Arktik, burimeve të bollshme minerale dhe shqetësimeve në rritje rreth ndikimit rus dhe kinez në rajon.

Veçmas, duke folur për RTBF-në, ministri i Jashtëm belg Maxime Prevot tha se dominimi global i SHBA-së përputhet me dobësinë strategjike të Evropës.

Ai tha se vendosja e trupave evropiane në Groenlandë u perceptua gabimisht nga Washingtoni si një veprim anti-amerikan, duke theksuar se kjo kishte për qëllim të siguronte SHBA-në dhe të adresonte shqetësimet e sigurisë në Arktik të lidhura me Kinën dhe Rusinë.

Prevot përshëndeti vendimin e Trump për të hequr kërcënimin e tarifave shtesë për vendet evropiane, duke i quajtur masat e tilla si “të papranueshme” ndërsa paralajmëroi se pauza mund të jetë e përkohshme për shkak të “paparashikueshmërisë” së Trump.

Ai tha se BE-ja duhet të përgatisë plane reagimi proporcional, përfshirë kundërmasa ekonomike nëse është e nevojshme.

Yesterday — 23 January 2026Main stream

Qëndrimi i Gjermanisë: Palestinezët duhet të përfshihen në planet e SHBA për rindërtimin e Gazës

23 January 2026 at 15:51

Gjermania tha se palestinezët duhet të kenë fjalë kur bëhet fjalë për planet e SHBA-së për të rindërtuar Gazën e shkatërruar nga lufta.

“Dje, ne morëm në konsideratë planet e paraqitura në Davos. Popullsia palestineze e Gazës duhet të vazhdojë të jetë e përfshirë ngushtë në të gjitha planet dhe të drejtat e tyre duhet të mbrohen”, u tha gazetarëve në Berlin zëvendëszëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Josef Hinterseher.

Ai po i referohej një prezantimi të bërë nga dhëndri i presidentit të SHBA-së, Jared Kushner, gjatë inaugurimit të Bordit të Paqes në Davos, ku tregohej një Gazë e re me ndërtesa të larta dhe një vijë bregdetare që tërheq turistë përveç njësive banesore, bujqësore dhe industriale.

Megjithatë, Hinterseher përshëndeti njoftimin e SHBA-së për një konferencë të ardhshme rindërtimi, duke e quajtur atë “një sinjal të rëndësishëm”.

Ndërkohë, zëdhënësja e Ministrisë së Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit, Lisa Royaee tha se “ka vija të qarta të kuqe kur bëhet fjalë për rindërtimin (në Gaza), që do të thotë se nuk ka aneksim dhe fokusi duhet të jetë te popullsia”.

Krijimi i bordit përkoi me nisjen e fazës së dytë të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, e cila ndaloi luftën e Izraelit në Gaza që vrau më shumë se 71 palestinezë në dy vjet.

Bordi, i kryesuar nga Trumpi, fillimisht u krijua për të mbikëqyrur armëpushimin dhe rindërtimin e Gazës, por statuti i tij zgjeron mandatin e tij në ndërtimin e paqes në të gjitha zonat e prekura nga ose në rrezik konflikti.

Betejat e Berishës/ Vrau Ramaduron me votë, por nuk dorëzohet. Shpresë te protesta

23 January 2026 at 15:22

TIRANË- Dje e vrau Ramaduron me votë, por shpresa vdes e fundit, doktori thotë se Trump po e mban akoma gjallë.

“Edi Rama, i cili tundi një ftesë që i erdhi Shqipërisë, nuk e gëzoi dot. Përkundrazi. Mos guxo, nuk do të shoh surratin, ky ishte mesazhi. E kupton se, është një Ramaduro i vërtetë. Dhe vinte në parlament i shpërfytyruar. E tregoi ai, e tha sinqerisht, dy-tre prej nuk mund të jenë, nuk i honeps dot dhe nga këta 2-3, njëri është Rama, tjetrin e gjejmë më vonë.”, tha Berisha.

Donald Trump nuk e priti Davos, po Ivanka Trump pse e vizitoi në Tiranë? Berisha thotë se punët janë të ndara, ka afera biznesesh të familjes Trump, ka dhe borde zyrtare të Presidentit Trump.

“Tani, që unë të them këtë, duhet të them që presidenti Amerikan, përdor vizitën e vajzës për të shpëtuar prej tij, mos ta ketë në zyrë. Besoj se asnjëri në botë nuk mund të besojë një mashtrim të tillë.  Por kjo nuk mund të ndodhë kurrë. Absolutisht një aferë biznesi nuk ka asnjë lidhje me aktin madhor të themelimit të ‘Bordit të Paqes’, ku Edi Rama u ndalua.”, shtoi Berisha.

Edi Rama megjithatë mbetet kryeministër. Dhe doktori uli dhe entuziazmin e demokratëve. Të shtunën protesta s’qenka për rrëzim, por për mësim.

“Do t’i japim mësimin që meriton qeverisë, kështu do ta cilësoj unë protestën, qytetarët do ti japin leksion të fortë qeverisë. Le të rrijë në zyrë, ta provojë. Kaq i them, rri aty”, tha ai.

Dhe për sa kohë opozita të mos e ketë seriozisht, edhe PS do të vijojë e vetme reformat. Berisha tha se edhe ai do i bëjë reformat e tij, jo në parlament, por në rrugë.

“Ne kemi ndërprerë bashkëpunimin me narkomazhorancën, ne krijojmë komisionet e reformës territoriale me forcat opozitare dhe reformën zgjedhore me forcat opozitare. Do bëjmë reformën e vërtetë”, theksoi Berisha.

Tani që t’i çojë para reformat e tija Berishës i duhet te gjejë dhe një parlament imagjinar ku ai ka shumicën. Për momentin 50 deputetët e tij nuk i hyjnë më në punë Kuvendit të Shqipërisë, përveçse për spektakël në seanca/abcnews.al

Spiropali nga Stambolli: Shqipëria gati për të marrë përgjegjësitë e saj si Anëtar Themelues i Bordit të Paqes

23 January 2026 at 14:35

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, po merr pjesë në Takimin e Ministrave të Jashtëm të Platformës për Paqe Ballkanike, me ftesë të homologut të saj, Ministrit të Jashtëm të Republikës së Turqisë, Hakan Fidan.

Platforma do të fokusohet në avancimin e bashkëpunimit rajonal për ndërlidhjen, zhvillimin ekonomik, sigurinë energjetike, integrimin europian, paqen rajonale.

Ministrja Spiropali njoftoi se “në cilësinë edhe të Anëtarit të Bordit Ekzekutiv të Paqes, kolegu Fidan prezantoi rëndësinë e këtij mekanizmi të ri të krijuar nga Presidenti Trump për ndërtimin e paqes së qëndrueshme në një kohë sfidash.”

Spiropali shtoi se “Shqipëria është gjithashtu gati për të marrë përgjegjësitë e saj si Anëtar Themelues i Bordit të Paqes”.

Bashkëpunimi me aleatët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerë të tjerë, sipas Spiropalit, do të çelë një kapitull të ri në historinë e zgjidhjes së konflikteve ndërkombëtare.

Më herët Spiropali zhvilloi një takim me Ministrin Fidan, për partneritetin strategjik në rritje mes Shqipërisë dhe Turqisë, që do të marrë një tjetër peshë me takimin e tretë të Këshillit të Nivelit të Lartë për bashkëpunimin ndërsektorial mes dy vendeve tona, përgjatë këtij viti.

Ushtarët danezë urdhërohen të jenë në gatishmëri në rast sulmi në Groenlandë

23 January 2026 at 14:15

Trupat daneze u urdhëruan të ishin gati me municione luftarake javën e kaluar kundër një sulmi të mundshëm amerikan ndaj Groenlandës, raportoi sot transmetuesi publik danez DR.

Urdhri u lëshua javën e kaluar, dhe nëse Groenlanda sulmohej, ushtarët danezë ishin gati me municione luftarake. Ushtarëve danezë iu urdhërua të çonin municione luftarake në Nuuk, kryeqytetin e Groenlandës, në skenarin më të keq, sipas raportit, duke cituar informacione nga burime politike.

Sipas transmetuesit, ky ishte rasti derisa presidenti i SHBA-së, Donald Trump u tërhoq nga përdorimi i forcës kundër Grenlandës pas një takimi me shefin e NATO-s, Mark Rutte të mërkurën në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër.

Gjithashtu theksohet se kishte vullnet të gjerë politik për të ndërmarrë luftën nëse do të ndodhte një sulm amerikan, jo vetëm në qeverinë daneze, por edhe në një gamë të gjerë partish opozitare.

Trumpi ka treguar interes për Groenlandën për shkak të vendndodhjes së saj strategjike në Arktik, burimeve të pasura minerale dhe shqetësimeve për rritjen e ndikimit rus dhe kinez në rajon.

Danimarka dhe Groenlanda kanë refuzuar propozimet për shitjen e territorit, duke riafirmuar sovranitetin danez mbi ishullin.

Pas takimit me Rutten, Trumpi njoftoi se ishte krijuar një kornizë për marrëveshje të mundshme që përfshinte Groenlandën dhe rajonin e Arktikut më të gjerë. Ai hoqi dorë nga kërcënimi për të vendosur tarifa ndaj vendeve evropiane që kundërshtuan ofertën e tij të blerjes.

 

Tre të vdekur nga moti i keq në Gjermani, mbyllen disa shkolla

23 January 2026 at 13:50

Tre persona humbën jetën në dy aksidente të shkaktuara nga kushtet atmosferike, në një autostradë kryesore në perëndim të Gjermanisë sot në mëngjes, njoftoi  policia, ndërsa moti I acartë vazhdoi  të ndikojnë në transport dhe shkolla në disa pjesë të vendit.

Sipas policisë, aksidentet ndodhën në autostradën A44 pranë qytetit të Paderborn, midis daljeve në Marsberg dhe Lichtenau.

Në landin verilindor të Saksonisë së Poshtme, shumë shkolla u mbyllën sot për shkak të dëborës së dendur dhe kushteve ekstremisht të rrëshqitshme.

Një zëdhënës i policisë përshkroi situatën në rrugë si katastrofike.

Një zëdhënës i policisë në Osnabruck tha se ”kanë ndodhur qindra aksidente për shkak të rrugëve të rrëshqitshme”.

Ecuria e ekonomisë/ Ministrja Ibrahimaj: Eksportet në total janë rritur me 6.26 për qind

23 January 2026 at 12:28

TIRANË– Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj  u shpreh se niveli i eksperteve totale përgjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2025 është rritur me 6.26 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ajo theksoi se pjesën e luanit në nivelin e eksporteve e zënë shërbimet, të cilat sipas përllogaritjeve janë në nivelin 84.8%.

Ministrja Ibrahimaj po ashtu u shpreh se eksportet në bujqësi dhe sektorin e energjisë janë rritur ndjeshëm.

“84.8% janë eksportet të shërbimeve. Pesha më e madhe e eksporteve lidhen me shërbimet, janë shërbime të lidhura me turizmin dhe numrat e turistëve të huajë kanë ardhur duke u rritur, ndërsa në 2025 ishin mbi 12 turistë që erdhën në Shqipëri.

Eksportet e mallrave janë në nivelin 15.5. Eksportet në total gjatë nëntëmujorit të 2025 janë rritur me 6.26%.Eksportet bujqësore kanë pasur rritje të lehtë, Për 12 muaj e parë, eksportet e energjisë elektrike janë rritur me 6.8%”, tha ai.

 

Zv.kancelari gjerman: Evropianët nuk iu nënshtruan presionit të Trump për Groenlandën

23 January 2026 at 11:40

Gjermania tha se tensionet me Washingtonin për Groenlandën u lehtësuan pasi Evropa mbajti qëndrimin e saj dhe nuk iu dorëzua presionit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

“Presioni që u ngrit në SHBA dhe presioni që erdhi nga Evropa e kanë bërë presidentin Trump të fillojë të tërhiqet pak”, tha zëvendëskancelari gjerman Lars Klingbeil në një podcast të revistës së lajmeve “Politico”.

Në të njëjtën kohë, Klingbeil paralajmëroi kundër një lehtësimi shumë shpejt. “Kushdo në Evropë që tani mendon se mund të ulet dhe të thotë se gjithçka ka shkuar mirë përsëri nuk e ka kuptuar se çfarë është në lojë”, shtoi Klingbeil, i cili është gjithashtu ministër i Financave të Gjermanisë.

Ndërsa ai u bëri thirrje evropianëve të mbrojnë marrëdhënien e tyre tradicionalisht të ngushtë me SHBA-në, Klingbeil bëri thirrje që ata të ndjekin qasje me dy drejtime.

“Nga njëra anë, ne duhet ta mbajmë dorën të shtrirë (drejt SHBA-së) në çdo kohë. Dhe ne kurrë nuk duhet t’i shkatërrojmë ose rrezikojmë marrëdhëniet transatlantike nga ana jonë”, paralajmëroi ai.

Të enjten, kancelari gjerman Friedrich Merz ia atribuoi unitetit evropian meritën nxitjes së presidentit të SHBA-së, Donald Trump për të zbutur qëndrimin e tij ndaj Groenlandës.

Ai tha se përgjigjja e koordinuar e bllokut tregoi se solidariteti mund të ndikojë në politikën amerikane.

“Është bërë e qartë se uniteti dhe vendosmëria nga ana evropiane mund të bëjnë vërtet një ndryshim”, u tha Merz gazetarëve në Bruksel përpara një samiti urgjent të BE-së për të adresuar tensionet rreth Groenlandës dhe kërcënimeve tarifore të SHBA-së.

Çmimi i arit arrin nivel rekord mes tensioneve gjeopolitike

23 January 2026 at 11:15

Çmimet e arit u ngjitën në nivele rekord, të nxitura nga pasiguria e vazhdueshme gjeopolitike dhe ekonomike që ka vazhduar të nxisë kërkesën për asete të sigurta.

Çmimi i arit në vend u rrit me rreth 0.4 për qind në 4.954 dollarë për ons që nga ora 07:00, pasi arriti nivelin më të lartë historik prej 4.967 dollarësh më herët gjatë seancës. Çmimet u rritën me rreth 7.8 për qind gjatë javës.

Ari është rritur me afërsisht 80 për qind gjatë 12 muajve të fundit dhe rreth 15 për qind që nga fillimi i vitit, i mbështetur nga tensionet e rritura tregtare dhe gjeopolitike si dhe uljet e normave të interesit nga bankat kryesore qendrore.

Argjendi gjithashtu përparoi, duke u rritur me 3 për qind në 99.38 dollarë për ons. Çmimet e argjendit janë rritur më shumë se 225 për qind gjatë vitit të kaluar.

Pjesëmarrësit e tregut theksuan shqetësimet e përsëritura gjeopolitike si faktor kyç, përfshirë debatet mbi Groenlandën pas deklaratave të fundjavës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump që kërcënonte me tarifa shtesë për vendet që kundërshtonin kontrollin e territorit nga SHBA dhe vendosjen e personelit ushtarak atje.

Duke shtuar shqetësimin e tregut, Trump u tha gazetarëve në bordin e “Air Force One” të enjten vonë se SHBA-ja kishte një flotë detare që po i afrohej Iranit dhe e paralajmëroi Teheranin kundër trajtimit të dhunshëm të protestave në të gjithë vendin ose rifillimit të programit të tij bërthamor.

“Do të preferoja të mos shihja të ndodhte asgjë. Ne kemi një armatë. Ne kemi një flotë masive që shkon në atë drejtim dhe ndoshta nuk do të na duhet ta përdorim atë. Do ta shohim”, theksoi ai.

❌
❌