Ndeshja mes Golden Eagle Yllit dhe KB Prishtinës është ndërprerë pas vetëm shtatë minutave lojë.
Ishin tifozët e Prishtinës “Plisat” që hedhen gjësende në parket, prandaj edhe gjyqtari përkohësisht e suspendoi lojën.
E tërë kjo situatë erdhi si pakënaqësi e tifozëve kundër vendimit të Prishtinës për ta emëruar Bekë Berishën si kryetar të klubit.
MKRS-ja e kundërshtoi këtë vendim, megjithatë mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet situata në ditët e ardhshme.
Kujtojmë, aktualisht Ylli ishte në epërsi të madhe prej nëntë pikëve 17-8, ndërsa kishin mbetur edhe 3 minuta e 12 sekonda për t’u mbyllur çereku i parë./Telegrafi
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS) ka reaguar lidhur me zgjedhjen e Bekë Berishës në pozitë udhëheqëse në Klubin e Basketbollit “Sigal Prishtina”.
Përmes një njoftimi për publikun, MKRS ka bërë të ditur se është informuar për zhvillimet e fundit në Kuvendin e klubit, të mbajtur më 14 janar 2026, ku Berisha është zgjedhur në një pozitë udhëheqëse.
Duke marrë parasysh se Bekë Berisha është deputet i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, ministria ka rikujtuar obligimet ligjore që dalin nga Ligji Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.
Sipas MKRS-së, ligji parasheh që një zyrtar i lartë mund të jetë anëtar i organit drejtues të organizatave joqeveritare nga fusha e sportit, por jo menaxher, përfaqësues i autorizuar apo anëtar i ndonjë organi menaxhues ose mbikëqyrës të personave juridikë privatë fitimprurës, sipas ligjit për shoqëritë tregtare (neni 13 i Ligjit Nr.06/L-011), si dhe bartës i funksionit drejtues (neni 14 i Ligjit Nr.06/L-011).
Po ashtu, MKRS ka theksuar se ligji obligon që çdo situatë e konfliktit të interesit të parandalohet dhe të zgjidhet brenda afatit prej 30 ditësh nga marrja e detyrës, në përputhje me nenin 8 të të njëjtit ligj.
“Në këtë kontekst, MKRS kërkon nga të gjitha palët që të kujdesen për zbatimin e ligjit konkretisht që z. Berisha, pas betimit dhe marrjes së detyrës në legjislaturën e re, t’i ndërmarrë masat e nevojshme brenda afateve ligjore për të shmangur çdo konflikt të interesit, në përputhje me ligjin në fuqi”, thuhet në njoftim.
Ministria ka bërë të ditur se do të përcjellë situatën dhe do të bashkëpunojë me institucionet relevante, përfshirë Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, me qëllim të ruajtjes së integritetit në sport dhe respektimit të standardeve të qeverisjes së mirë.
Po ashtu, MKRS ka njoftuar se përmes kanaleve zyrtare të komunikimit do t’i drejtohet Federatës së Basketbollit të Kosovës, duke kërkuar që, bazuar në ligjin për sport dhe aktet nënligjore, të sigurohet se në rastin e zgjedhjes së organeve drejtuese të KB “Sigal Prishtina” janë zbatuar ose do të zbatohen të gjitha detyrimet që ndërlidhen me papajtueshmërinë e implikimeve politike në menaxhimin e organizatave sportive, si dhe ruajtjen dhe garantimin e integritetit ligjor sportiv, në përputhje me normat ligjore të aplikueshme në Republikën e Kosovës.
Tifogrupi i njohur “Plisat” ka dalë me një reagim të ashpër publik pas zhvillimeve të fundit në klubin e basketbollit Sigal Prishtina, duke e cilësuar zgjdhjen e kryetarit të ri si një nga ngjarjet më të turpshme në historinë e sportit të kryeqytetit.
Sipas Plisave, në një “kuvend të paligjshëm”, është zgjedhur në mënyrë të dhunshme dhe tinëzare kryetari i ri i klubit, pa transparencë dhe pa një proces të hapur garues.
Ata theksojnë se zgjedhja e udhëheqjes së klubit do të duhej të bëhej përmes ideve dhe vizionit për të ardhmen e KB Prishtinës, e jo në mënyrë të fshehtë.
Plisat akuzojnë drejtuesit aktualë të klubit për mungesë dashurie dhe interesi për zhvillimin e klubit, duke pretenduar se veprimet e tyre janë të motivuara nga frika dhe përpjekja për të mbuluar, siç thonë ata, keqpërdorime dhe shkatërrim të klubit ndër vite.
Në reagim përmendet edhe emri i Bekë Berishës, i cili sipas Plisave është zgjedhur kryetar i klubit, duke e cilësuar atë si joprofesional dhe të papërshtatshëm për këtë pozitë, si dhe si një person pa lidhje me klubin, sportin apo qytetin e Prishtinës.
“Plisat” kështu kanë deklaruar qartë se nuk i japin mbështetje këtij emërimi dhe as kryesisë aktuale.
Një incident serioz ka ndodhur në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë gjatë zhvillimit të ndeshjes së basketbollit mes Vëllaznimit dhe Bashkimit.
Një tifoz i Vëllaznimit nga tribunat ka goditur me shishe ndihmëstrajnerin e skuadrës së Bashkimit nga Prizreni, Bledar Gjeqaj.
Si pasojë e goditjes, Gjeqaj ka pësuar lëndim dhe është rrëzuar në parket, duke shkaktuar reagime të menjëhershme nga stafet dhe zyrtarët e ndeshjes.
Pas këtij incidenti, gjyqtari kryesor vendosi ta ndërpresë ndeshjen, për shkak të mungesës së sigurisë dhe pamundësisë për vazhdimin normal të takimit.
Ky rast vjen vetëm pak ditë pas një tjetër ngjarjeje shqetësuese në Prizren, ku basketbollisti i Pejës, Dardan Berisha, ishte goditur nga tifozët e Bashkimit, duke ngritur sërish alarmin për dhunën në sport dhe mungesën e kontrollit në palestra.
Ngjarja pritet të ketë jehonë të madhe në organet disiplinore të basketbollit kosovar, ndërsa kërkohet reagim institucional për të garantuar sigurinë e sportistëve dhe stafit teknik në ndeshjet e ardhshme./Telegrafi/
Bekë Berisha është zgjedhur kryetar i klubit të basketbollit Sigal Prishtina, duke marrë shumicën e votave në Kuvendin Zgjedhor të klubit.
KB Prishtina ka mbajtur Kuvendin Zgjedhor, ku tashmë klubi i basketbollit ka një president të ri, me Bekë Berishën, që ka fituar shumicën e votova.
Ka qenë vetë Berisha që e ka konfirmuar për Telegrafin, zgjedhjen e tij në krye të klubit më të trofeshëm të basketbollit në vend.
Ai e zëvendëson Blerand Stavilecin, i cili më parë ka udhëhequr klubin dhe ishte kundërshtuar fuqishëm nga tifo-grupi “Plisat”, sidomos në muajt e fundit, ku edhe kishin mbajtur protesta.
Bekë Berisha ka një profil aktiv politik; ai ka qenë kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës dhe do të jetë edhe deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Kuvendin e Kosovës.
Me këtë zgjedhje, klubi synon të nisë një kapitull të ri nën drejtimin e Berishës dhe të forcojë stabilitetin organizativ dhe performancën sportive. /Telegrafi/
Java e 14-t e ProCredit Superligës, që shënon edhe fundin e gjysmës së garave solli shumë përballje interesante.
Sfidë emocionuese u zhvillua në Therandë, ku Golden Eagle Ylli fitoi ndaj Rahoveci 029, me vendasit që kishin deri në 24 pikë epërsi, kurse mysafirët ngushtuan shifrat në një pikë, por në momentet vendimtare, therandasit ishin më të mirë për të shënuar fitore shumë të rëndësishme.
Basketbollisti i ndeshjes ishte Brandon Huffman. Qendra e Yllit u dallua me dyshifror të dyfishtë me 25 pikë e dhjetë kërcime. Huffman ishte i pandalshëm, duke u shpallur MVP i ndeshjes dhe javës.
Trepça fitoi derbin ndaj Sigal Prishtinës bindshëm, ku te mitrovicasit më të mirët ishin Mustapha Amzil me 23 pikë, shtatë kërcime dhe tri asistime dhe Dardan Kapiti me 20 pikë, pesë kërcime dhe dy asistime.
Bora fitoi dramën në Prizren ndaj Bashkimit, ku Alex Hunter shënoi trepikëshin vendimtar, në sekondat e fundit. Hunter e mbylli ndeshjen me 19 pikë, pesë kërcime dhe tri asistime.
Fitore shumë të rëndësishme shënoi Vëllaznimi ndaj GO+ Pejës, ku te kuqezinjtë u dallua i zakonshmi Jericole Hellems me 21 pikë, një kërcim dhe katër asistime.
Klubi i Basketbollistik Bashkimi është dënuar nga Federata e Basketbollit të Kosovës pas incidentit të ndodhur gjatë ndeshjes çerekfinale të Kupës së Kosovës ndaj KB Go+ Peja, mbrëmë në Prizren.
Gjatë minutës së tretë të çerekut të dytë, disa tifozë të Bashkimit sulmuan basketbollistin e Pejës, Dardan Berisha, duke e goditur me një shkrepëse.
FBK e ka cilësuar këtë akt si rrezikshmë, të turpshëm dhe të papranueshëm.
“Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) dënon në mënyrën më të ashpër të mundshme incidentin e rëndë të ndodhur gjatë ndeshjes ndërmjet KB Bashkimi dhe KB Go+ Peja, e zhvilluar mbrëmë në Prizren në kuadër të çerekfinales së Kupës së Kosovës. Gjatë minutës së tretë të çerekut të dytë, lojtari i KB Go+ Peja, Dardan Berisha, është goditur nga tribuna me një shkrepëse, një akt i rrezikshëm, i turpshëm dhe absolutisht i papranueshëm në një ngjarje sportive. Po ashtu, gjatë ndeshjes janë dëgjuar fyerje dhe sharje ndaj ekipit mysafir, të cilat cenojnë rëndë imazhin e basketbollit dhe çdo normë të sportivitetit. FBK njofton publikun dhe opinionin sportiv se ka hapur menjëherë procedurë disiplinore dhe se organizatori do të përballet me masa të rënda ndëshkuese, sipas akteve normative në fuqi. Toleranca për dhunë, sulme fizike apo sjellje fyese në palestrat tona është ZERO. Federata kërkon nga klubet që të marrin përgjegjësinë e plotë për sigurinë në tribunat e tyre dhe paralajmëron se çdo përsëritje e incidenteve të kësaj natyre në të ardhmen do të sjellë masa drastike, përfshirë gjoba të larta, mbyllje palestrash dhe/ose humbje të ndeshjeve me rezultat zyrtar”, ka theksuar FBK. “FBK u bën thirrje të gjithë tifozëve të vërtetë të basketbollit që të mos tolerojnë individë apo grupe që e njollosin sportin tonë. Ata nuk e përfaqësojnë basketbollin kosovar dhe nuk do të lejohen ta shkatërrojnë atmosferën sportive”.
Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) dënon me ashpërsi incidentin gjatë ndeshjes KB Bashkimi – KB Go+ Peja, ku lojtari i ekipit mysafir, Dardan Berisha u godit me një shkrepëse dhe pati fyerje të tifozëve, duke cenuar rëndë sportivitetin dhe imazhin e basketbollit kosovar. FBK paralajmëron masa drastike ndaj çdo përsëritjeje të këtij lloji sjelljeje në palestrat e vendit.
Gjatë çerekfinales së Kupës së Kosovës në Prizren, lojtari i KB Go+ Peja, Dardan Berisha, u godit nga tribuna me një shkrepëse, një akt që Federata e Basketbollit e konsideron të papranueshëm dhe rrezik për sigurinë e sportistëve.
Përveç kësaj, gjatë ndeshjes janë dëgjuar fyerje dhe sharje ndaj ekipit mysafir, duke cenuar rëndë atmosferën sportive dhe reputacionin e basketbollit.
FBK ka hapur menjëherë procedura disiplinore dhe paralajmëron se organizatori dhe klubet përgjegjëse do të përballen me masa të rënda ndëshkuese, që mund të përfshijnë gjoba, mbyllje palestrash apo humbje të ndeshjeve me rezultat zyrtar.
Federata thekson se toleranca për dhunë dhe sjellje fyese është ZERO dhe bën thirrje për respekt dhe sportivitet të pakompromis.
Komunikata e FBK-së
Komunikatë për Media
Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) dënon në mënyrën më të ashpër të mundshme incidentin e rëndë të ndodhur gjatë ndeshjes ndërmjet KB Bashkimi dhe KB Go+ Peja, e zhvilluar mbrëmë në Prizren në kuadër të çerekfinales së Kupës së Kosovës.
Gjatë minutës së tretë të çerekut të dytë, lojtari i KB Go+ Peja, Dardan Berisha, është goditur nga tribuna me një shkrepëse, një akt i rrezikshëm, i turpshëm dhe absolutisht i papranueshëm në një ngjarje sportive. Po ashtu, gjatë ndeshjes janë dëgjuar fyerje dhe sharje ndaj ekipit mysafir, të cilat cenojnë rëndë imazhin e basketbollit dhe çdo normë të sportivitetit.
FBK njofton publikun dhe opinionin sportiv se ka hapur menjëherë procedurë disiplinore dhe se organizatori do të përballet me masa të rënda ndëshkuese, sipas akteve normative në fuqi. Toleranca për dhunë, sulme fizike apo sjellje fyese në palestrat tona është ZERO.
Federata kërkon nga klubet që të marrin përgjegjësinë e plotë për sigurinë në tribunat e tyre dhe paralajmëron se çdo përsëritje e incidenteve të kësaj natyre në të ardhmen do të sjellë masa drastike, përfshirë gjoba të larta, mbyllje palestrash dhe/ose humbje të ndeshjeve me rezultat zyrtar.
FBK u bën thirrje të gjithë tifozëve të vërtetë të basketbollit që të mos tolerojnë individë apo grupe që e njollosin sportin tonë. Ata nuk e përfaqësojnë basketbollin kosovar dhe nuk do të lejohen ta shkatërrojnë atmosferën sportive.
Sigal Prishtina ka hedhur një hap të madh drejt gjysmëfinales së Kupës së Kosovës në basketboll, duke regjistruar një fitore të bindshme ndaj Vëllaznimit në Gjakovë.
Në ndeshjen e parë çerekfinale, të zhvilluar në palestrën “Shani Nushi”, kryeqytetasit triumfuan me rezultatin 82:68.
Skuadra mysafire e nisi takimin më mirë, duke fituar çerekun e parë 17:14. Vëllaznimi reagoi në periodën e dytë dhe arriti ta fitojë atë ngushtë me rezultat 20:19, por kjo nuk mjaftoi për të përmbysur rrjedhën e lojës.
Në pjesën e dytë të ndeshjes, Sigal Prishtina tregoi superioritet të plotë, duke kontrolluar ritmin dhe lojën në të dyja anët e fushës. Çereku i tretë u fitua 25:15, ndërsa edhe periudha e fundit përfundoi në favor të prishtinasve 21:19, duke vulosur fitoren me 14 pikë diferencë.
Deondre Burns ishte një nga lojtarët më të dalluar te “bardhekaltërit”, duke regjistruar 16 pikë, shtatë asistime dhe dy kërcime. Kontribut të rëndësishëm dhanë edhe Kahlil Dukes me 17 pikë dhe Adrio Bailey me 16 pikë të tjera.
Te Vëllaznimi, paraqitjen më të mirë e pati Jericole Hellems, i cili realizoi 25 pikë, siguroi 12 kërcime dhe shpërndau tri asistime, por performanca e tij nuk mjaftoi për të shmangur humbjen.
Ndeshja e kthimit do të vendosë përfundimisht ekipin që do të sigurojë dy fitore dhe do të avancojë në gjysmëfinale, ku përballë do të ketë fituesin e çiftit Bashkimi – GO+ Peja./Telegrafi/
Ndeshja çerekfinale e Kupës së Kosovës në basketboll ndërmjet Bashkimit dhe Pejës u ndërpre pas incidenteve të papranueshme nga tifozët në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.
Shikuesit hodhën gjësende drejt parketit, duke shkaktuar ndërprerjen e takimit dhe alarmuar lojtarët dhe stafin teknik. Rezultati në ato momente ishte 32-21 në të mirë të Bashkimit.
Si pasojë e këtyre veprimeve, basketbollisti i Pejës, Dardan Berisha, pësuar lëndime në kokë nga goditjet dhe objekte të hedhura nga publiku, duke e detyruar skuadrën pejane të largohej nga parketi drejt dhomës së zhveshtjes.
“Basketbollistit tonë Dardan Berisha i është dëmtuar koka nga goditjet dhe hedhjet e publikut në Prizren. Për sigurinë e lojtarëve tanë, skuadra largohet në drejtim të zhveshtoreve”, thuhet në njoftimin e klubit të Pejës.
Autoritetet e klubit dhe organizatorët e ndeshjes po bëjnë vlerësimin e situatës për të vendosur masat e mëtejshme dhe sigurinë e lojtarëve dhe publikut.
Ndeshja e kthimit do të zhvillohet në palestrën “Karagaçi”, ku pritet të garantohet një ambient i sigurt për të dy skuadrat. /Telegrafi/
Golden Eagle Ylli ka fituar në Mitrovicë ndaj Trepcës me shifrat 99:102 (26:24, 25:23, 26:32, 22:23) në çerekfinalen e parë të Kupës së Kosovës.
Pas një fillimi të barabartë, mitrovicasit kishin deri në tetë pikë epërsi 24:16, por therandasit u rikthyen për të ngushtuar shifrat në 26:24, sa përfundoi çereku i parë.
Lojë e ngjashme ishte edhe në periudhën e dytë me vendasit që sërish u shkëputën, 46:36, por sërish mysafirët u afruan në 48:45, kurse skuadrat shkuan në pushim me rezultat 51:47.
Therandasit vazhduan me lojë të mirë edhe në pjesën e dytë, përkatësisht periodën e tretë, që e fituan 26:32, derisa në dhjetë minutat e fundit përkundër tentimeve nga vendasit ruajtën epërsinë dhe fituan 99:102.
Më i miri te vendasit ishte Shaën Jones me 24 pikë e dhjetë kërcime, ndërsa te mysafirët më të dalluarit ishte Antëan Scot me 28 pikë e katër asistime dhe debutuesi Scott Bamforth me 29 pikë.
Më 21/22 janar zhvillohet ndeshja e kthimit dhe skuadra që është më e mirë nga dy ndeshjet kualifikohet në gjysmëfinale./Telegrafi/
TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ Federata Shqiptare e Basketbollit zhvilloi mbrëmjen e djeshme eventin përmbyllës të vitit 2025, një aktivitet i rëndësishëm ku u pasqyruan të gjitha nismat, projektet dhe aktivitetet e realizuara gjatë këtij viti në shërbim të zhvillimit të basketbollit në vend.
Eventi shërbeu si një moment reflektimi dhe bilanci mbi punën e bërë, arritjet sportive dhe organizative, si dhe ndikimin pozitiv që kanë pasur programet e zbatuara nga federata, veçanërisht në rritjen e cilësisë së garave dhe përfshirjen e të rinjve në basketboll.
Gjatë aktivitetit u prezantuan programet kryesore zhvillimore, kampionatet kombëtare, pjesëmarrjet në gara ndërkombëtare, projektet për të rinjtë dhe iniciativat me fokus social, duke vënë në pah kontributin e sportistëve, trajnerëve, arbitrave dhe të gjithë aktorëve të përfshirë në ekosistemin e basketbollit shqiptar.
Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje, Federata Shqiptare e Basketbollit ndau çmime për individë që janë dalluar për përkushtimin, profesionalizmin dhe kontributin e tyre të veçantë gjatë vitit 2025.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua çmimeve individuale MVP, ku u vlerësuan sportistët më të spikatur të sezonit në të gjitha kategoritë.
Me këtë event përmbyllës, Federata Shqiptare e Basketbollit konfirmoi angazhimin për të vijuar investimet dhe projektet zhvillimore edhe në vitin 2026, me synimin për të rritur nivelin konkurrues dhe për të zgjeruar më tej bazën e basketbollit shqiptar.
Sigal Prishtina fitoi duelin ndaj Vëllaznimit me rezultat 74:68, përballje që u zhvillua në Prizren.
Bardhekaltrit e nisën ndeshjen shumë mirë, duke fituar bindshëm çerekun e parë, e më pas, përkundër tentimeve nga mysafirët, arritën të ruajnë epërsinë për të fituar në fund 74:68.
Adrio Bailey u dallua te kryeqytetasit me 21 pikë e 12 kërcime, derisa Jericole Hellems e mbylli ndeshjen me 29 pikë e gjashtë kërcime.
Sigal Prishtina numëron shtatë fitore e gjashtë humbje pas 13 javësh në ProCredit Superligës, kurse Vëllaznimi katër fitore e tetë humbje./Telegrafi/
Kampionia e Kosovës, Trepça shënoi fitore në udhëtim ndaj Rahoveci 029 me rezultat 57:110 në javën e 13-të të ProCredit Superligës.
Nga fillimi deri në fund kampionët ishin në epërsi në këtë ndeshje, duke shënuar fitore të merituar dhe duke ngritur epërsinë minutë pas minute, derisa shifrat në fund ishin 57:110.
Te vendasit Julian Roche e mbylli ndeshjen me 12 pikë e tetë kërcime, derisa te mysafirët pesë basketbollistë e mbyllën ndeshjen me pikë dyshifrore, kurse Ja'cori Payne kishte 20 pikë e katër kërcime.
Rahoveci 02 pas 13 ndeshjeve ka pesë fitore e tetë humbje, derisa mitrovicasit janë në vendin e parë me dhjetë fitore e tri humbje./Telegrafi/
Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka vazhduar traditën e saj duke ndarë çmimet për më të mirët e vitit në basketboll.
Në ceremoninë tradicionale u shpërndanë çmime në disa kategori, ndërsa vëmendja kryesore ishte te çmimet për basketbollisten dhe basketbollistin më të mirë të vitit.
Në konkurrencën e femrave, çmimi për basketbollisten më të mirë të vitit iu nda Malvina Hazirit, e cila u vlerësua për paraqitjet e saj të shkëlqyera gjatë vitit.
Ndërkohë, në konkurrencën e meshkujve, titulli i basketbollistit më të mirë të vitit i takoi Dardan Berishës. Ai u veçua për paraqitjet e tij të mira me skuadrën e Pejës, si dhe për kontributin e dhënë në përfaqësuesen e Kosovës.
Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka ndarë çmimet për më të mirët e vitit 2025.
Përpos çmimeve, si zakonisht FBK-ja ka krijuar edhe “Top 5” më të mirët e vitit, në kategorinë e meshkujve dhe femrave.
Të meshkujt, vend në formacion kanë zënë basketbollisti i vitit Dardan Berisha, pranë Dardan Kapitit, Don Polloshkas, Mikaile Tmusic dhe Valon Bunjakut.
Ndërsa, të femrat – formacioni u krijua nga Malvina Haziri, Agnesa Rrahmani, Aulona Muhadri, Enisa Kamerolli dhe Merisa Bilalli.
KB Trepça përndryshe u shpall klubi më i mirë te meshkujt, kurse KB Bashkimi tek femrat./Telegrafi/
Superliga e Kosovës në basketboll po bëhet gjithnjë e më interesante. Elita e basketbollit vazhdon të ofrojë përballje spektakolare, ku çdo ndeshje ka rëndësinë e vet.
Një sfidë e veçantë do të zhvillohet në Prizren, ku Sigal Prishtina do të përballet me Vëllaznimin. Bardhekaltrit kanë gjashtë fitore dhe gjashtë humbje, ndërsa kuqezinjtë katër fitore e tetë humbje.
Rahoveci 029 dhe Trepça do të përballen të shtunën mbrëma. ‘Vreshtarët’ kanë pesë fitore dhe shtatë humbje, kurse ‘Xehetarët’ qëndrojnë në vendin e parë me nëntë fitore dhe tri humbje.
Derbi i kësaj jave do të zhvillohet ndërmjet GO+Pejës dhe Bashkimit. Të dy skuadrat kanë nga tetë fitore dhe katër humbje, duke e bërë këtë përballje edhe më interesante dhe me rivalitet të madh.
Java e 13-të do të mbyllet me sfidën në Palestrën ‘1 Tetori’ ndërmjet Borës dhe Golden Eagle Yllit. Prishtinasit kanë pesë fitore dhe shtatë humbje, ndërsa therandasit tri fitore dhe nëntë humbje.