Një vendim pa vendim i Kushtetueses/ Artur Nura: Ka dhënë një vendim gjysmak, nuk e kreu detyrën që ia ngarkon Kushtetuta
TIRANË– Gjykata Kushtetuese rrezoi të premten padinë e kryeministrit Edi Rama, i cili u ankua për tejkalim kompetencash nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
GJKKO vendosi në muajin nëntor 2025 pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, në cilësinë e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Pas 3 javësh shqyrtim, gjyqtarët votuan katër pro dhe 4 kundër, duke mos arritur të marrin një vendim shumice, e duke rikthyer masa e pezullimit nga detyra për zëvendëskryeministren.
Analisti Artur Nura, i ftuar në “Ora e Fundit” në ABC News tha se kryeministri Edi Rama duhet ta vijojë “betejën” e tij politike me institucionet e drejtësisë dhe pse jo vendimin e së premtes dhënë nga Gjykata Kushtetues ta çojë edhe në Strasburg.
Sipas tij, në një sistem demokratik çdo institucion duhet të ketë kufijtë e vetë dhe duhet të ushtrojë aktivitetin e vet ligjor brenda kompetencave, pa cenuar pavarësinë e pushteteve të tjera.
Gjatë bisedimit për “Ora e Fundit”, Nura theksoi se Gjykata Kushtetuese dha një vendim gjysmak ndaj padisë së Ramës dhe nuk e kreu siç duhet detyrën, që ia ka ngarkuar vetë Kushtetuta e Republikës.
“Besoj se Rama duhet t’i qëndrojë qasjes së tij politike. Mund ta referojë çështjen edhe në Strasburg, që të ndahet njëherë e mirë ‘shapi nga sheqeri’. Ka kufij për çdo pushtet. Kjo është demokracia.
Iku koha kur një person vendoste për të gjitha shkallët e drejtësisë. Sot duhen ndarë kompetencat e pushteteve në mënyrë demokratike dhe asnjëri nuk duhet të ndërhyjë në kompetencat e institucioneve.
Nëse ti nuk respekton vullnetin e sovranit, Rama duhet ta vazhdojë betejën politike në raport me institucionet e drejtësisë. Parimisht, presioni që bën Berisha në mënyrë permanente ndaj drejtësisë dhe ndaj emrave të këtyre institucioneve nuk përbën lajm, por është i zakonshëm.
Gjykata Kushtetuese, sipas mendimit tim, si gazetar dhe jo si jurist, them që ka dhënë një vendim gjysmak, që nuk e çoi vendimin deri në fund për detyrën që i ka dhënë Kushtetuta”, tha ndër të tjera gazetari Nura./abcnews.al