Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 1 February 2026Main stream

Rama: Rezultate domethënëse nga sensibilizimi kundër informalitetit në ndërtim

1 February 2026 at 10:13

TIRANË, 1 shkurt/ATSH/ Objektivat e administratës tatimore do të orientohen në formalizimin e tregut të punës, në deklarimin e pagave reale, por edhe në rritjen e deklarimeve dhe të qarkullimit të xhiros së bizneseve që operojnë në sektorin e ndërtimit.

Kryeministri Edi Rama në shënimet e javës gjatë podkastit “Flasim” mëngjesin e sotëm u ndal tek ky objektiv i Tatimeve i deklaruar nga ministri i Financave Petrit Malaj ndërsa paraqiti rezultatet e deritanishme.

Kryeministri solli këtë zhvillim të javës duke theksuar se ka një subjekt me rëndësi, subjektin e informalitetit në ndërtim.

“Dhe faktikisht jemi në një proces, ku shohim përmirësime të vazhdueshme, falë qasjes aktive të Ministrisë së Financave dhe të autoriteteve tatimore për të mos lejuar që informaliteti të godasë në mënyrën më të padrejtë familjet e atyre që punojnë në sektorin e ndërtimit”, vuri në duke kreu i qeverisë.

Rama theksoi se rezultatet janë të reflektuara në fondin e pagave, të kontributeve shoqërore dhe shëndetësore në sektorin e ndërtimit, me rritje domethënëse.

“Një rritje domethënëse që do të thotë një deklarim shumë më real të pagave pasi administrata tatimore dërgoi rreth 15 mijë mesazhe të personalizuara, të cilat dhanë si efekt që për rreth 18 mijë të punësuar, fondi i pagave u rrit me 9%, ndërsa kontributet me 4%.”, vuri në dukje ai.

Po ashtu, sipas Kryeministrit, ulja e numrit të pagave në fashën e 500 eurove është domethënëse, ashtu siç është rritur ndjeshëm numri i pagave mbi 700 dhe mbi 1 mijë euro, një rritje deri në 18 %, si dhe paga mbi 1200 euro me një rritje mbi 10%.

“Këto janë tregues të qartë, jo vetëm të faktit që pagat janë rritur ndjeshëm, por mbi të gjitha të faktit se edhe ekonomia informale po ulet ndjeshëm”, përfundoi Rama.

The post Rama: Rezultate domethënëse nga sensibilizimi kundër informalitetit në ndërtim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zhvendosja e Kadastrës së Vlorës, Rama: U ngatërrua adresa fizike e zyrës me shërbimet për qytetarët

1 February 2026 at 09:59

TIRANË, 1 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u ndal sot në shënimet e javës gjatë podcastit “Flasim” tek zhvendosja organizative e zyrës së Kadastrës së Vlorës në Tiranë që si u shpreh ai “u ngatërrua qëllimisht ose më falni idiotësisht, adresa fizike e zyrës me shërbimin për qytetarët”.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, sipas Kryeministrit, ka kaluar prej kohësh nga një model shërbimi primitiv me sportele, radha, ecejake, zvarritje etj, etj, në një model shërbimesh online, ende i pambyllur plotësisht në të gjithë ciklin e vet.

“Por gjithsesi përmes platformës, e-Albania, ky model mundëson që shumica e procedurave kadastrale, nuk kanë nevojë për paraqitjen fizikisht në një sportel të qytetarit. Kartela pasurie, vërtetime, regjistrime aktesh, kontratash, rivlerësime, të gjithë aplikohen dhe ndiqen online nga kudo, ku ndodhet qytetari, edhe nga Amerika”, vijoi Rama.

Kryeministri theksoi se gjithë kjo zhurmë dhe ky tension që u ndje në atë lëvizje, lidhet, jo vetëm me një perceptim të gabuar apo edhe informim të mangët, por edhe me një mendësi, e cila duhet përmbysur.

“Duhet përmbysur, duke pasur parasysh që e nesërmja e afërt, jo e largët e Kadastrës, është një shërbim si plot shërbime të tjera, pa sportele, pa godina fizike të shpërndara në territor, por me akses në çdo shërbim, si një e drejtë themelore dhe një e drejtë që merret përmes celularit, që merret përmes kompjuterit më të afërt dhe që nuk ka asnjë lidhje me vendodhjen e zyrës”, theksoi Kryeministri.

Rama vuri në dukje se zhvendosja e Kadastrës së Vlorës nuk është i pari si veprim për zhvendosjen e një drejtorie vendore në qendër dhe nuk është as i fundit.

“Të tjera drejtori do të zhvendosen dhe ndërkohë, ajo që po punojmë për ditë pa pushim është që të sigurojmë mbylljen e ciklit, pra, jo më aplikim online dhe pastaj marrje mbrapsht të shërbimit me postë, por aplikim online dhe marrja e shërbimit menjëherë po aty online”, përfundoi Rama.

The post Zhvendosja e Kadastrës së Vlorës, Rama: U ngatërrua adresa fizike e zyrës me shërbimet për qytetarët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Ish-ministri i Bujqësisë Faton Peci intervistohet në cilësinë e të pandehurit në rastin e granteve

30 January 2026 at 15:14

PRISHTINË, 30 janar/ATSH/ Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Nora Luta konfirmoi për KosovaPress se ish-ministri i Bujqësisë, Faton Peci, është intervistuar të premten, në cilësinë e të pandehurit, në rastin e granteve.

Intervistimi i Pecit nga Prokuroria Speciale ka zgjatur mbi tri orë.

“Ju njoftojmë se Faton Peci është intervistuar në cilësinë e të pandehurit në rastin e granteve, i cili është në trajtim nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës”, tha Luta në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.

Është raportuar se Ministria e Bujqësisë, e cila drejtohej nga Peci në vitin 2024, u kishte dhënë grante disa familjarëve të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe ish-ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme ka qenë në Prokurori Speciale për të dhënë sqarimet e tij lidhur me kallëzimin penal të ngritur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), përmes ish-deputetit Paris Guri.

Peci u shpreh në rrjetet sociale se ka deklaruar se në Prokurori ka qenë, siç është shprehur ai, “transparent, i qartë dhe i drejtpërdrejtë”, duke sqaruar rolin e tij si ministër në procesin e ndarjes së granteve të Ministrisë së Bujqësisë.

Ai ka paralajmëruar se shumë shpejt do t’u drejtohet organeve të drejtësisë me një kallëzim penal për kallëzim të rremë, duke akuzuar Paris Gurin për orkestrimin e një fushate shpifjesh që, sipas tij, kanë çuar në ngritjen e një kallëzimi penal të pabazë ndaj tij.

Peci ka theksuar se sulmet, akuzat e pabaza, gënjeshtrat dhe përpjekjet për baltosjen e emrit të tij nuk do ta ndalin nga angazhimi për, siç u shpreh ai, “punët e mira dhe punët e mëdha për Kosovën”. /Kosovapress/

The post Ish-ministri i Bujqësisë Faton Peci intervistohet në cilësinë e të pandehurit në rastin e granteve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Miratohet angazhimi i FSK në operacion humanitar në Shqipëri

29 January 2026 at 15:16

PRISHTINË, 29 janar/ATSH/ Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur dje një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e Kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Republikën e Shqipërisë.

Sipas vendimit të marrë, kontingjenti i FSK-së do të angazhohet në një operacion humanitar, me qëllim ofrimin e ndihmës dhe mbështetjes për autoritetet shqiptare, në përputhje me nevojat e identifikuara në terren.

Ky angazhim vjen në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe në përputhje me misionin e FSK-së për kontribut në operacione humanitare dhe të mbështetjes civile. /Kosovapress/

The post Miratohet angazhimi i FSK në operacion humanitar në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

27 vjet nga deklarata historike për Kosovën e Grupit të Kontaktit në Londër

29 January 2026 at 08:00

PRISHTINË, 29 janar/ATSH/ Masakra e Reçakut përfundimisht e përjashtoi mundësinë e një marrëveshjeje për paqe në bisedime të drejtpërdrejta shqiptaro-serbe, siç ishte propozuar për disa vite me radhë.

Pas kësaj masakre u rrit aktiviteti diplomatik në relacionin Uashington-NATO-Bruksel-Grup i Kontaktit, ku dhe të gjithë kishin arritur pajtimin se ideja për organizimin e një Konference duhej të kishte prioritet ndaj politikës së ultimatumeve.

Më 29 janar 1999 Grupi i Kontaktit, i takuar në Londër në Pallatin Lancaster House, në afërsi të Pallatit Mbretëror St.James, doli me Deklaratën historike për mbajtjen e Konferencës në Rambuje, dhe miratoi parimet e panegociueshme, mbi të cilat duhej të ndërtohej Marrëveshja Kalimtare për Kosovën.

Më 30 janar Këshilli i NATO-s e ripërtëriu vendimin e marr në tetorin e vitit të kaluar, duke vendosur kështu kornizë diplomatike për Konferencën.

Fryma e Deklaratës së Grupit të Kontaktit nuk la vend dyshimi në vendosmërinë për të gjetur një zgjidhje e për të negociuar para pranverës. Është gati ultimatum, do të shprehet në librin e tij Paskal Milo.

 

Në Beograd natyrshëm deklarata e Grupit të Kontaktit nuk është pritur mirë. Shqipëria zyrtare nëpërmjet ambasadorit të saj në Francë, Luan Rama kishte kërkuar nga këshilltari i posaçëm i Vedrinit, i ngarkuari për Kosovën, që Shqipërisë t’i jepej statusi i vëzhguesit, gjë që nuk u pranua.

Si arsyetim këshilltari Fushe do të deklarojë se nuk do të ketë vëzhgues të tjerë nga Ballkani, dhe se në Rambuje nuk do të ketë konferencë ndërkombëtare si ajo e Parisit për Bosnjën.

Vendosmëria për ndërhyrje ushtarake Grupi i Kontaktit i përkrahur nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, bashkë me NATO-n tanimë ishin pjesë e lojës.

Qeveria amerikane në veçanti kishte filluar të bënte trysni për aksion të mundshëm ushtarak për ta ndalur represionin në Kosovë.

Kërcënimi i përdorimit të forcës në raport me Kosovën nga SHBA-ja ishte bërë që nga viti 1992.

“Në rast të konfliktit në Kosovë, i cili do të shkaktohej nga veprimi i Serbisë, SHBA-ja do të ishte e gatshme të përdorte forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në vetë Serbinë”, i kishte shkruar kryetari i atëhershëm, George Bush, Sllobodan Millosheviqit, kërcënim ky që u përsërit nga administrata e Bill Clinton.

Kurse Javier Solana, sekretari i përgjithshëm i NATO-s kishte deklaruar se Aleanca, në përpjekjet e veta për ta përkrahur bashkësinë ndërkombëtare që të arrihej një marrëveshje e negociuar, kishte “…rishikuar planifikimin ushtarak për mundësitë që të ndalej dhuna dhe të krijoheshin kushtet për negociata. Këto e përfshijnë edhe përdorimin e forcave tokësore e ajrore, e posaçërisht një vistër të gjerë opsionesh për përdorimin vetëm të forcës ajrore. Këto sigurojnë që NATO-ja të mund të vepronte me shpejtësi dhe në formë efikase po të shfaqej nevoja”.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së, kishte miratuar edhe rezolutat 1160 (1998), sipas së cilës Beogradi duhej të ndërpriste të gjitha veprimet luftarake, si dhe 1199 (1998), që ishin të bazuar në kapitullin e VII të Kartës së OKB-së. Një rezolutë e cila merret duke u mbështetur në Kapitullin e VII të Kartës së OKB-së, çmohet si hap i parë drejt masave më të ashpra të ndërmarra nga KS, të cilat mund të shkojnë deri tek intervenimi ushtarak.

Në bazë të kapitullit VII të Kartës së OKB-së, keqësimi i gjendjes në Kosovë u cilësua si ‘’rrezik për paqe dhe siguri në rajon. Edhe ministri i Jashtëm rus Ivanov, votoi pro Rezolutës 1199, çka nënkupton një tërheqje nga pozicioni i saj i fortë në mbështetje të Beogradit.

 

 

Para opinionit publik, si justifikim rusët do të theksojnë se kjo rezolutë do të shërbejë si impuls për dialog të drejtpërdrejtë midis Beogradit dhe Kosovës. /Kosovapress/

The post 27 vjet nga deklarata historike për Kosovën e Grupit të Kontaktit në Londër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Reshje shiu në formë shtrëngatash, dëborë në lartësitë mbi 900 metra

28 January 2026 at 07:30

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e mërkurë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura shoqëruar me reshje shiu të herëpashershme dhe lokalisht të vazhdueshme me intensitet të ulët deri mesatar në pjesën më të madhe të territorit. Në zonën e veriperëndimit dhe jugperëndimit në periudha afatshkurtra reshjet në formën e shtrëngatave shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe intensitet deri dhe të lartë. Në zonën e Alpeve, verilindje mbi 700-800 metra dhe juglindje në lartësitë mbi 800-900 metra reshje dëbore me intensitet të ulët dhe lokalisht mesatar.

Era do të fryjë me drejtim kryesor juglindje-jug me shpejtësi mesatare 10 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi deri në 24 m/s, shoqëruar me dallgëzim të forcës 4-6 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat Siglat
Shkodër 2/16 Diell re shi
Kukës 2/14 Diell re shi
Lezhë 3/17 Diell re shi
Dibër 1/14 Diell re shi
Durrës 4/18 Diell re shi
Tiranë 6/19 Diell re shi
Elbasan 5/18 Diell re shi
Berat 4/19 Diell re shi
Vlorë 6/19 Diell re shi
Korçë 1/14 Diell re shi
Gjirokastër 2/19 Diell re shi
Sarandë 6/19 Diell re shi

/r.e/

The post Reshje shiu në formë shtrëngatash, dëborë në lartësitë mbi 900 metra appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosova nuk përfiton nga 171 milionë eurot që BE-ja ndan për Ballkanin

27 January 2026 at 15:35

PRISHTINË, 27 janar/ATSH/ Komisioni Evropian ka njoftuar për mbështetje prej 171 milionë eurosh për nxitjen e zhvillimit të infrastrukturës dhe rritjes së sektorit privat në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, nga këto fonde nuk do të përfitojë Kosova.

“Sa i përket Kosovës, ajo ende nuk ka përmbushur kushtet ligjore për të pranuar pagesa, pasi që ende nuk ka ratifikuar Marrëveshjen e Kredisë dhe Fondeve në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor. Prandaj, Kosova nuk mund të përfitojë nga fondet e këtij instrumenti. Ne shpresojmë se kjo çështje të zgjidhet shpejt”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i KE-së, Guillaume Mercier.

Nga kjo shumë e ndarë për nxitje të zhvillimit në Ballkanin Perëndimor, 94.7 milionë euro janë të dedikuara për investime infrastrukturore, 76.3 milionë euro për mbështetjen e sektorit privat, ndërsa 2.9 milionë euro janë ndarë për katër projekte të asistencës teknike në Shqipëri dhe Bosnje e Hercegovinë.

Këto projekte janë të orientuara drejt përgatitjes së investimeve të ardhshme në sektorët e energjisë, furnizimit me ujë, inovacionit dhe kërkimit.

Sipas njoftimit të KE-së, fondet e ndara për projektet infrastrukturore pritet të mobilizojnë gjithsej 263 milionë euro investime përmes shtatë projekteve në sektorë me prioritet, përfshirë digjitalizimin, energjinë e pastër, kapitalin njerëzor, transportin dhe mbrojtjen e mjedisit.

Projektet përfshijnë vendosjen e infrastrukturës së internetit me brez të gjerë në Shqipëri, përmirësimin e sistemit të transmisionit të energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut, si dhe ndërtimin dhe rinovimin efikas energjetik të objekteve arsimore në Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi.

Sipas KE-së, projektet do të zbatohen nga partnerët e Ballkanit Perëndimor në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare.

“Investimi te partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor është thelbësor për afrimin e tyre me Bashkimin Evropian. Më shumë se dy vjet pas miratimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, kemi punuar – përfshirë edhe përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor – për t’i shndërruar zotimet në veprime konkrete. Nga përmirësimi i infrastrukturës deri te forcimi i zhvillimit të biznesit, këto investime krijojnë mundësi reale për qytetarët dhe e bëjnë BE-në një realitet të prekshëm në mbarë rajonin”, tha përmes një deklarate komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos.

Paketa e re e mbështetjes përfshin kontribute investuese nga disa burime financimi të BE-së, përfshirë Instrumentin për Ndihmë të Para-Anëtarësimit (IPA), donatorët bilateralë përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, si dhe Instrumentin për Reforma dhe Rritje.

“Paketa e sotme e financimit përfshin projekte investimi dhe projekte të asistencës teknike që u miratuan sot, duke forcuar më shumë përkushtimin e BE-së ndaj rritjes së qëndrueshme dhe ndërlidhjes rajonale në Ballkanin Perëndimor”, tha KE-ja.

Pas miratimit nga Bordi Operativ i Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, projektet mund të kalojnë në fazën e zbatimit. Kjo nënkupton finalizimin e marrëveshjeve të nevojshme me institucionet partnere dhe përfituesit, nisjen e studimeve përgatitore për aktivitetet e asistencës teknike dhe përfundimin e procedurave të domosdoshme për realizimin e projekteve të sektorit privat. Pas përmbylljes së këtyre proceseve, mund të fillojë zbatimi i investimeve që mbështeten nga blloku. /rel/

The post Kosova nuk përfiton nga 171 milionë eurot që BE-ja ndan për Ballkanin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurti dhe Hargreaves flasin për formimin sa më parë të institucioneve

27 January 2026 at 12:22

PRISHTINË, 27 janar/ATSH/ Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Sipas një komunikate të qeverisë, Kurti dhe Hargreaves diskutuan për zhvillimet e fundit, rëndësinë e përmbylljes së procesit zgjedhor dhe formimit të institucioneve sa më parë, si dhe për temat me interes bilateral.

Kurti falënderoi ambasadorin për bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Republikës së Kosovës.  /Kosovapress/

The post Kurti dhe Hargreaves flasin për formimin sa më parë të institucioneve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mospërputhje votash, nis hetimi në Drenas

26 January 2026 at 15:36

PRISHTINË, 26 janar/ATSH/ Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin e informatave lidhur me procesin e rinumërimit të votave në komunën e Drenasit.

Sipas njoftimit, Prokuroria, duke përcjellë në vazhdimësi procesin e rinumërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 28 dhjetor 2025, ka vërejtur mospërputhje në rezultatet e kandidatëve për deputet pas përfundimit të këtij procesi në Drenas.

Në këtë drejtim, prokurori i shtetit ka lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës me qëllim të grumbullimit të informatave, evidentimit të shkeljeve të mundshme nga personat përgjegjës, si dhe sigurimit të provave që lidhen me këtë çështje.

Po ashtu, bëhet e ditur se prokurori i shtetit është duke përcjellë nga afër edhe procesin e rinumërimit në komunat e tjera që bien në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Pas përfundimit të këtij procesi, do të analizohen të gjitha rrethanat dhe do të shqyrtohet mundësia e lëshimit të autorizimeve shtesë për grumbullim informatash.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e dukurive negative në Republikën e Kosovës, veçanërisht në rastet që lidhen me mbrojtjen e vullnetit të qytetarëve të shprehur përmes votës së lirë. /Kosovapress/

The post Mospërputhje votash, nis hetimi në Drenas appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Transportuesit rajonalë bllokojnë kufijtë me BE-në, Kosova në vështirësi

26 January 2026 at 12:48

PRISHTINË, 26 janar/ATSH/ Transportues nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi, nga mesdita e 26 janarit, bllokuan pikat kufitare për qarkullimin e mallrave drejt zonës Schengen të Bashkimit Evropian.

Ky veprim është reagim ndaj sistemit të ri të BE-së për kontrollin e hyrje-daljeve, të cilin ata e konsiderojnë shkak për dëbime, vonesa dhe humbje ekonomike, dhe kërkojnë që kompanitë e transportit të përjashtohen nga zbatimi i tij.

Transportuesit njoftuan se bllokadat do të zgjasin shtatë ditë, nëse gjatë kësaj kohe nuk gjendet zgjidhje për problemin e tyre.

Çka është sistemi EES?

I njohur si EES (Entry/Exit System), ky sistem u vendos në kufijtë e jashtëm të zonës Schengen dhe nisi të zbatohej gradualisht më 12 tetor 2025.

Ai pritet të jetë plotësisht funksional deri më 10 prill 2026.

Rregulli i ashtuquajtur “90/180 ditë” parasheh që transportuesit nga vendet jashtë Schengenit mund të qëndrojnë në këtë zonë maksimumi 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh.

Si importuese e shumë mallrave përmes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, Kosova pritet të ndjejë pasojat e protestave në qarkullimin e mjeteve të transportit.

Qendra Kombëtare për Menaxhim të Kufirit njoftoi se, sipas informacionit të pranuar nga zyrtarët kufitarë të Serbisë, “do të ketë ndërprerje të qarkullimit të kamionëve në të gjitha pikat kufitare me Serbinë”.

“Këto protesta ndikojnë në qarkullimin e mjeteve të transportit dhe mallrave, si dhe mbingarkojnë trafikun në zonat kufitare të Republikës së Kosovës me vendet e rajonit, që janë të përfshira në protesta”, thuhet në njoftim.

Qendra Kombëtare për Menaxhim të Kufirit paralajmëroi se bllokadë të ngjashme do të ketë edhe nga Mali i Zi.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, njëherësh udhëheqës i Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimor, thotë se Kosova nuk merr pjesë në protestë, pasi vendi nuk ka ende kompani logjistike që realizojnë transport të rregullt me vendet e BE-së.

Por, paralajmëron se efektet e saj do të ndihen edhe në Kosovë.

“Për shkak të bllokadës së kufijve, Kosova nuk do të mund as të eksportojë dhe as të importojë mallra”, thotë Rafuna për Radion Evropa e Lirë.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës për vitin e kaluar, vendi ka importuar produkte në vlerë prej mbi 7 miliardë eurosh në total, ose rreth 20 milionë euro në ditë – një sasi të madhe të tyre përmes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Vlera e eksporteve, ndërkaq, ishte rreth 942 milionë euro vitin e kaluar, apo rreth 2.6 milionë euro në ditë.

Në përpjekje për të gjetur një zgjidhje, Rafuna thotë se gjashtë Odat Ekonomike të Ballkanit Perëndimor i kanë dërguar një shkresë presidentes se Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Në letrën që siguroi Radio Evropa e Lirë dhe që mban datën e 20 janarit, kërkohet që të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme për këtë çështje.

“Zhvillimet e pritshme si pasojë e këtyre masave, janë shqetësuese dhe mund të shndërrohen në një sfidë sistematike ekonomike dhe politike për rajonin”, thuhet në letër.

Sipas Rafunës, sistemi i ri ka detyruar kompani në Ballkanin Perëndimor që, çdo tre muaj, të punësojnë shoferë të rinj.

“Ky është problem i madh, sepse ka mungesë të tyre… dhe kjo komplet e çrregullon zinxhirin e furnizimit”, thotë ai.

Nënkryetari i Shoqatës së Transportuesve të Mallrave nga Kosova, Besnik Aliu, thotë për Radion Evropa e Lirë se transportuesit në Kosovë përballen me sfida të ngjashme me kolegët e tyre në rajon, për shkak të sistemit EES.

Sipas tij, edhe pse në Kosovë janë të licencuar rreth 2.000 kamionë për transport mallrash, sektori mbetet i dobët në transportin ndërkombëtar, pasi shumica e importeve dhe eksporteve realizohen nga kompani të rajonit dhe BE-së.

“Nuk është e lehtë të gjesh shoferë për tregun e BE-së, sikurse gjenden për transportin brenda Kosovës apo në rajon”, thotë ai.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Sasho Ilievski, pronar i kompanisë “Stema Transport” në Shkup, thotë se nuk preket drejtpërdrejt nga rregullat e reja – pasi kamionët e tij udhëtojnë drejt shteteve më të afërta të BE-së – por shton se ai do t’i mbështsë kolegët në protestë.

“Udhëtimet tona zhvillohen kryesisht në Austri, Sllovaki, Republikën Çeke dhe Hungari. Për çdo udhëtim, qëndrojmë maksimumi katër deri në pesë ditë”, thotë ai.

“Megjithatë, ka kompani që operojnë më thellë brenda BE-së… që hyjnë në Suedi, Norvegji, Portugali. Për një udhëtim, ato kalojnë 15 deri në 20 ditë brenda BE-së. Kur kthehen, nuk u lejohet të hyjnë përsëri gjatë atij muaji. E, nëse nuk udhëtojnë sërish, kompania dhe biznesi humbasin, pasi shoferët nuk mund t’i përmbushin detyrimet e tyre profesionale brenda asaj kohe. Ata nuk janë turistë, janë shoferë profesionalë dhe duhet t’u lejohet të qëndrojnë më gjatë”, shton Ilievski.

Para se të hynte në fuqi sistemi elektronik, EES, transportuesit maqedonas nuk kishin probleme, edhe pse rregulli i 90 ditëve për qëndrimin në zonën Schengen ishte në fuqi.

Doganierët vulosnin pasaportat, por nuk numëronin ditët dhe shpesh i “shikonin përmes gishtave”, thotë Ilievski.

Por, që nga fillimi i funksionimit të sistemit elektronik të BE-së, qëndrimet në zonën Schengen monitorohen më rreptë.

Kompjuteri me të dhëna biometrike përmbledh saktë të gjitha ditët – nga koha e kaluar në udhëtim, pushimet në parkime e deri te pritjet në kufi.

“Të gjithë ata që udhëtojnë më thellë brenda Bashkimit Evropian, do të qëndrojnë më shumë ditë. Kjo i prek rreth 70 për qind të kompanive në vend. Kolegët në Suedi, për shembull, nuk mund të kthehen shpejt… Shoferi e drejton automjetin për 9 orë në ditë dhe pastaj duhet të pushojë. Pushimi që merr është brenda BE-së dhe konsiderohet po ashtu qëndrim, edhe pse ai nuk po punon”, thotë Ilievski.

“Prandaj, ne kërkojmë nga BE-ja që t’i përjashtojë kompanitë e transportit. Shoferëve ose duhet t’u zgjatet qëndrimi, ose të llogariten vetëm orët e tyre të punës”, sipas tij.

Transportuesit maqedonas do të bllokojnë dhjetë pika kufitare – në kufi me Bullgarinë, në kufi me Greqinë, në kufi me Shqipërinë dhe në kufi me Kosovën.

Pika kufitare Tabanovc nuk do të bllokohet nga maqedonasit, por nga transportuesit serbë në anën e tyre të kufirit.

Bllokadat aplikohen vetëm për trafikun e mallrave, duke mbyllur korsitë dhe terminalet për kamionët, ndërsa makinat e zakonshme, autobusët dhe trafiku i pasagjerëve do të lëvizin pa pengesa.

Në Maqedoninë e Veriut, mobilizimi për bllokadat u organizua nga “Makam-Trans” – shoqata më e madhe e punëdhënësve të kompanive të transportit në këtë vend.

Bilana Muratovska, sekretare e përgjithshme e “Makam-Trans”, thotë se shoferët maqedonas, sikurse edhe të tjerët në rajon, përballen me rrezikun e dëbimit pas qëndrimit 90-ditor në zonën Schengen.

Më herët, Konsorciumi i Logjistikës i Bosnje dhe Hercegovinës njoftoi se 100 shoferë profesionalë janë kthyer me forcë nga vendet e BE-së, ndërsa 47 shoferë kanë humbur punën për shkak të problemeve me qëndrimin në këto vende.

“Ne kemi raste të tilla. Nuk kam një numër të saktë, por duhet bërë një dallim… për shembull, flota e transportit në Bosnje e Hercegovinë dhe në Serbi është shumë më e madhe se e jona”, thotë Muratovska.

Ajo shton se dëmet për kompanitë janë të mëdha dhe shkaktojnë shpenzime shtesë.

“Kur i llogarisim kostot që na shkaktojnë – sepse mjeti lihet në një parking plot me mallra, që mund të jetë shumë i shtrenjtë dhe pa mbrojtje, dhe ne nuk e dimë se çfarë do t’u ndodhë shoferëve – situata bëhet e vështirë. Shoferët dëbohen me avion, sepse nuk kanë ditë të mjaftueshme për t’u kthyer me autobus ose me kolegët e tyre. Këto kosto i mbajnë transportuesit”, shpjegon Muratovska.

BE: Asgjë nuk ka ndryshuar me rregullat e Schengenit

Sistemi EES nuk vendos asnjë kërkesë të re për qëndrimet e shkurtra në zonën Schengen, tha zëdhënësi për Çështjet e Brendshme të Komisionit Evropian, Markus Lammert, më 19 janar, në përgjigje të pretendimeve të shoqatave të transportit nga Ballkani Perëndimor se sistemi i ri po i lë punëtorët dhe shoferët pa punë.

“EES siguron zbatim më të mirë të rregullave ekzistuese dhe zbulim sistematik të parregullsive”, tha Lammert, duke theksuar se Komisioni Evropian po ndjek nga afër çështjen e njoftimeve për bllokada nga transportuesit.

Sipas tij, EES nuk sjell ndryshime në rregullat ekzistuese për qëndrimin në zonën Schengen.

“Sipas rregullave, shtetasit e vendeve të treta pa vizë kanë të drejtë të qëndrojnë në zonën Schengen për gjithsej 90 ditë brenda çdo periudhe 180-ditore. Çdo ditë që e tejkalon këtë, duhet të mbulohet me vizë afatgjate ose leje të lëshuar nga një shtet anëtar”, shtoi Lammert.

Por, sipas Muratovskës, edhe pse BE-ja thotë se rregulli i qëndrimit 90-ditor brenda 180 ditëve nuk ka ndryshuar, rrethanat kanë ndryshuar.

“Të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian tashmë janë në zonën Schengen – plus dy vende që nuk janë anëtare të BE-së, Norvegjia dhe Zvicra. Tani, pa marrë parasysh se si largohesh nga vendi, menjëherë hyn në zonën Schengen. Ndaj, pretendimet se situata është e njëjtë si më parë, janë fyerje për inteligjencën”, thotë Muratovska.

Qeveria maqedonase u doli në mbrojtje transportuesve të vendit.

Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolovski, tha se e kupton revoltën dhe propozoi që problemi të zgjidhet ose duke shtyrë sistemin elektronik për shoferët profesionalë, ose duke u dhënë atyre mundësinë të marrin viza pune. /rel/

The post Transportuesit rajonalë bllokojnë kufijtë me BE-në, Kosova në vështirësi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dalin pas shtatë orësh minatorët që kishin mbetur të ngujuar në minierën e Trepçës

26 January 2026 at 10:25

PRISHTINË, 26 janar/ATSH/ Minatorët e ndërrimit të dytë të Trepçës kanë dalë nga miniera para rreth tri orësh, pasi kishin qëndruar të ngujuar përreth 7 orë, raporton KosovaPress.

Ngjarja kishte ndodhur si pasojë e një defekti në furnizimin me energji elektrike, i cili kishte pamundësuar daljen e tyre nga miniera.

Kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Januzi, ka deklaruar për KosovaPress se në momentin kur kishte folur për media nuk kishte informata të plota për situatën.

“Për shkak të një defekti në energji elektrike ka mbetur i ngujuar ndërrimi i dytë. Nuk kam shumë informata, sepse ende nuk jam njoftuar nga askush. Edhe unë këtë e kam kuptuar nga lajmet,” kishte thënë ai.

Kujtojmë se edhe më 11 janar të këtij viti, si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike brenda minierës, pesë pompistë kujdestarë kishin mbetur të ngujuar për rreth 8 deri në 9 orë. /Kosovapress/

The post Dalin pas shtatë orësh minatorët që kishin mbetur të ngujuar në minierën e Trepçës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KQZ: Rinumërimi në Kosovë përmbyllet javën e ardhshme, pastaj rezultatet përfundimtare

24 January 2026 at 13:59

PRISHTINË, 24 janar/ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka paralajmëruar se procesi i rinumërimit të plotë të të gjitha vendvotimeve, 2,557 të tilla, të përmbyllet gjatë javës së ardhshme.

Përfundimi i këtij procesi, të nisur më 13 janar, sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, do t’i hapte rrugën KQZ-së për të shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke u përpjekur maksimalisht që të përmbyllë në një kohë sa më të shpejtë rinumërimin e të gjitha vendvotimeve të mbetura, në mënyrë që të procedojë me shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. KQZ planifikon që procesi i rinumërimit të të gjitha vendvotimeve të përmbyllet gjatë javës në vazhdim”, tha Elezi.

Më tej, ai ka shpjeguar se pavarësisht se procesi i rinumërimit i heq dilemat lidhur me rezultatet dhe mund të zvogëlojë nevojën për ankesa, megjithatë, kjo është një e drejtë e subjekteve politike dhe kandidatëve, andaj KQZ do të presë paraqitjen dhe shqyrtimin e tyre para se të përmbyllë të gjithë procesin zgjedhor.

Javën e ardhshme, më 28 janar, bëhen një muaj nga dita e zgjedhjeve kur qytetarët e Republikës së Kosovës votuan në zgjedhje të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Shpallja e rezultateve ishte planifikuar të bëhej deri më 19 janar, megjithatë, KQZ vendosi për rinumërim pas një verifikimi të kryerr në 33 vendvtime, ku rezultoi se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunae të Nuëmrimit nuk pasqyronin saktë votat në fletëvotime.

Sipas KQZ-së, meqenëse kemi të bëjmë me një proces që përfshin të gjitha vendvotimevt, rezultati që do të vlejë në shpalljen e rezultateve përfundimtare do të jetë ai që do të dalë nga procesi i rinumërimit dhe jo nga numërimi në Qendrat Komunale të Numërimit. /Kosovapress/

The post KQZ: Rinumërimi në Kosovë përmbyllet javën e ardhshme, pastaj rezultatet përfundimtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurti: S’ka amnisti për komisionerë e individë të përfshirë në manipulime votash

24 January 2026 at 12:50

PRISHTINË, 24 janar/ATSH/ Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për hetim gjithëpërfshirës dhe ndëshkim për personat e dyshuar për manipulim të votave brenda partive politike në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Thirrja e Kurtit, liderit të partisë fituese të zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje, vjen pasi autoritetet i ndaluan mbi 100 persona të premten nën dyshimin për keqpërdorim të votave të zgjedhjeve të muajit të kaluar.

Kurti – i cili ishte kritikuar për mungesë reagimi ndaj dyshimeve për manipulime të votave kur ato dolën në sipërfaqe javë më parë – tha të shtunën në Facebook se “komisionerë e individë, që në mënyrë klandestine, janë përfshirë në manipulime votash brenda subjekteve politike duke dëmtuar kolegë e subjekte politike nuk kanë amnisti”.

Javën e kaluar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u detyrua ta nisë rinumërimin e plotë të votave, pasi kishte gjetur mospërputhje në votat për kandidatët për deputetë.

Kurti shtoi se partia e tij “ka qenë gjithnjë gardiane e ruajtjes së vullnetit politik të shprehur përmes votës në kuti të votimit dhe ashtu do të qëndrojë përherë”.

Kur rinumërimi ka përfunduar në pothuajse gjysma e vendvotimeve, del se rreth 80 mijë vota janë të pasakta, sipas Eugen Cakollit nga organizata joqeveritare, Instituti Demokratik i Kosovës.

Në mesin e kandidatëve për deputetë të cilëve u janë hequr më së shumti vota gjatë rinumërimit ka nga partitë kryesore, përfshirë vetë Vetëvendosjen.

Kurti nguli këmbë se dyshimet duhet të hetohen dhe se “manipuluesit duhet të ndëshkohen, këto raste nuk duhet të na shfaqen kurrë më në të ardhmen”.

Autoritetet janë duke kryer hetime në tri komuna, Prizren, Ferizaj dhe Malishevë, me Prizrenin që dyshohet si vendi ku ka pasur më së shumti manipulime të votave.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, tha të premten se të ndaluarit në rajonin jugor të vendit janë kryesisht komisionerë dhe në mesin e tyre ka edhe familjarë të kandidatëve për deputetë.

Ata dyshohen për falsifikim të rezultateve zgjedhore, presion dhe kanosje dhe për dhënie e marrje të ryshfetit.

Sipas tij, një manipulim i tillë nuk ka mundur që të ndodhë pa një kompromis mes komisionerëve të katër partive më të mëdha politike.

“Po flasim për komunën e Prizrenit që janë shtuar hiç më pak se 40.497 vota dhe janë hequr hiç më pak se 27.520 vota. Pra, diferenca totale e keqpërdorimeve është 68.017 vota”, tha Kryeziu.

Në Kosovë manipulimi i votave është vepër penale e dënueshme me burgim.

Megjithatë, së voni organizata joqeveritare, ÇOHU, e publikoi një hulumtim që tregoi se mbi 90 për qind e rasteve për manipulime zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose gjoba.

Shumica e kandidatëve për deputetë të cilëve u janë hequr më së shumti vota gjatë rinumërimit, e kanë mohuar të kenë pasur gisht në keqpërdorim dhe kanë thënë se e dënojnë këtë dukuri. /rel/

The post Kurti: S’ka amnisti për komisionerë e individë të përfshirë në manipulime votash appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

E shtunë 24 janar, reshje shiu herë pas here në formë shtrëngate

24 January 2026 at 07:30

TIRANË, 24 janar/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se vendi ynë ditën e shtunë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me vranësira mesatare dhe të dendura si dhe intervale të herëpashershme dhe afatshkurtra kthjellimesh në pjesën e parë të ditës përgjatë ultësirës perëndimore.

Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët ndërsa në periudha afatshkurtra reshjet në formën e shtrëngatave. Në zonën e veriperëndimit reshjet me intensitet deri mesatar në formën e shtrëngatave shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe breshër të izoluar. Në relievet e larta malore në zonën e Alpeve reshje dëbore me intensitet të ulët deri mesatar.

Era do të fryjë me drejtim juglindje – jug me shpejtësi mesatare 9 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore do të fitojë shpejtësi deri në 18 m/s, shoqëruar me valëzimin në det të forcës 3-5 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat Siglat

Shkodër

5/13 Re shi

Kukës

               2/10 Re shi

Lezhë

8/13 Re shi

Dibër

0/10 Re shi

Durrës

8/15 Re shi

Tiranë

10/15 Re diell shi

Elbasan

9/16 Re diell shi

Berat

8/17 Re diell

Vlorë

10/17 Re diell shi

Korçë

0/9 Re diell

Gjirokastër

5/13 Re diell shi

Sarandë

11/15 Re diell shi

 

 

 

The post E shtunë 24 janar, reshje shiu herë pas here në formë shtrëngate appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

OVL UÇK mbështet marshimin e 17 shkurtit “Drejtësi, jo politikë!”

23 January 2026 at 21:41

PRISHTINË, 23 janar/ATSH/ Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka shprehur mbështetjen e saj për marshin “Drejtësi, jo politikë!”, të organizuar nga platforma Liria ka Emër, qëi do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë.

Kryetari i OVL UÇK, Hysni Gucati, ka bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve, duke theksuar rëndësinë e unitetit në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare.

“Ne e mbështesim marshin ‘Drejtësi, jo politikë!’, të organizuar nga Liria ka Emër. Ky marsh duhet të jetë madhështor. Ftojmë të gjithë qytetarët e Kosovës që më 17 shkurt të dalin dhe të bashkohen në mbrojtje të atyre që na sollën lirinë dhe ndërtuan shtetin tonë”, ka thënë Gucati.

Marshimi synon të përcjellë mesazhin se drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe larg ndikimeve politike, duke respektuar sakrificën e atyre që kontribuuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Platforma “Liria ka Emër” falënderoi OVL UÇK-në për mbështetjen e dhënë, duke vlerësuar rolin dhe kontributin e veteranëve në ruajtjen e vlerave të luftës çlirimtare dhe të drejtësisë për Kosovën. /KosovaPress/

The post OVL UÇK mbështet marshimin e 17 shkurtit “Drejtësi, jo politikë!” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani: Do jemi bashkë me Shqipërinë krah SHBA-së në Bordin e Paqes

22 January 2026 at 22:48

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Presidentja Vjosa Osmani u shpreh mbrëmjen e sotme pas nënshkrimit të Bordit të Paqes në Davos, ku ajo firmosi krah Trump dhe vendeve të tjera, në një moment që e quajti historik për Kosovën se SHBA-ja nuk i ka kërkuar asnjë kontribut financiar Kosovës ai anëtare.

Osmani tha në një intervistë në Top Channel se dita e sotme i jep mundësi vendit të saj të forcohet në arenën ndërkombëtare.

“Ne kemi marrë ftesën më 20 janar, dhe në momentin që e morëm ftesën për anëtarësim si anëtare themeluese për Bordin e Paqes, morëm edhe ftesën për të qenë në Davos për nënshkrim. Pas ftesës nga Trump për të qenë në mesin e nënshkruesve që udhëhiqet nga SHBA, udhëtuam për në Davos, por do të kthehemi pas mesnate. Është një ditë me peshë historike, për ne si shtet anëtarësimi në çdo organizatë ndërkombëtare ka rëndësi, për ne si shtet kjo i jep një peshë më të madhe historike fuqizimit të peshës sonë ndërkombëtare. Kjo na jep një mundësi që të jemi të barabartë mes kombeve të lira, mos të bllokohet potenciali i Kosovës”, u shpreh Osmani.

Osmani theksoi se edhe në Kartën e Bordit të Paqes, por edhe në komunikimet me Shtëpinë e Bardhë, nuk është kërkuar kontribut financiar.
“Karta e Bordit është shumë e qartë. Funksionimi i organizatës do të varet nga kontributet vullnetare. Ne më shumë kemi diskutuar për të dhënë kontributin tonë. Kosova është një shembull i shkëlqyer i paqebërjes dhe ndërtimit të demokracisë. Për shkak se kemi qenë shtet i dalë nga lufta dhe institucionet i kemi ndërtuar nga 0, ne mund të japim një kontribut të madh, do të jetë kontribut i rëndësishëm”, u shpreh Osmani.

Osmani shtoi gjithashtu se është shumë e lumtur që Kosova do të jetë së bashku me Shqipërinë krah SHBA-së, një moment i cili ka një rëndësi edhe për faktorizimin e kombit shqiptar brenda një organizate të tillë.

“Për ne është shumë e rëndësishme që edhe Shqipëria është e ftuar, që do të qëndrojmë bashkë krah SHBA-së, ne mund të bashkëpunojmë dhe ta faktorizojmë edhe më shumë kombin shqiptar brenda një organizate të tillë”, tha Osmani.

E pyetur në intervistë, Osmani tha se kryeministri Rama ishte një ndër të parët të ftuar personalisht nga presidenti amerikan Donald Trump, por nuk e di arsyen e saktë se pse Rama nuk ishte i pranishëm në ceremoninë në Davos.

“Unë e di që kryeministri Rama ka qenë i ftuar sepse ka qenë një ndër të ftuarit e parë si shtet themelues. Dua ta falënderoj për bashkëpunimin që kemi pasur gjatë kësaj periudhe”, tha Presidentja e Kosovës.

The post Osmani: Do jemi bashkë me Shqipërinë krah SHBA-së në Bordin e Paqes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosova dhe Serbia pajtohen për komisionin për personat e zhdukur

22 January 2026 at 20:54

PRISHTINË, 22 janar/ATSH/ Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të funksionalizojnë komisionin e përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, pas rundit të dialogut me Serbinë të zhvilluar në Bruksel, tha se tani mbetet që javët e ardhshme të takohen “zëvendësit tanë dhe të përcaktojnë prioritetet e para për punën e komisionit të përbashkët”.

“Qëllimi ishte që të arrijmë dakordim që sot ta funksionalizojmë komisionin e përbashkët për jetësimin apo zbatimin e Marrëveshjes për personat e pagjetur në mes të kryeministrit [të Kosovës, Albin] Kurti dhe presidentit [të Serbisë, Aleksandar] Vuçiq. Takimet ishin të suksesshme dhe në fund arritëm që përfundimisht ta jetësojmë këtë objektiv”, tha Bislimi.

Ndërkaq, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, e cilësoi rundin e dialogut të 22 janarit si “takimin e parë të komisionit të përbashkët për zbatimin e Deklaratës për personat e zhdukur”.

“Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe domethënëse dhe shpresoj që pas këtij takimi të parë të përshpejtohen të gjitha proceset në drejtim të gjetjes së të gjithë personave të zhdukur”, tha Petkoviq.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë njëherësh janë edhe bashkëkryesues të këtij komisioni.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, i cili ishte i pranishëm në Bruksel, tha se për tre vjet Serbia kishte refuzuar themelimin e këtij komisioni.

“Ne mirëpresim takimin e radhës, me pritjen e qartë që pala serbe të vijë me hapa konkretë dhe të matshëm, në përputhje me obligimet e marra në Deklaratën e personave të zhdukur”, shkroi Hoti në Facebook.

Marrëveshja u arrit pas disa orësh bisedimesh që ndërmjetësi evropian në dialog, Peter Sorensen, zhvilloi veç e veç me Bislimin dhe Petkoviqin.

Në fund të këtyre takimeve, në orët e mbrëmjes u mbajt një takim i përbashkët, në të cilin marrëveshja u formalizua.

Ky komisioni i përbashkët për personat e pagjetur është pjesë e Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur, për të cilën u pajtuan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2023.

Palët u pajtuan për zbatimin e plotë të deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur gjatë një takimi trepalësh mes kryenegociatorëve në dhjetor 2024 në Bruksel.

Për çështjen e themelimit të komisionit për personat e zhdukur, palët kishin diskutuar edhe gjatë një rundi bisedimesh më 11 shtator të vitit 2025. Megjithatë, ai rund bisedimesh kishte përfunduar pa asnjë rezultat.

Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998-99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Afër 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Rundi i ri i dialogut u zhvillua pas vizitës së Sorensenit në Prishtinë dhe Beograd javën e kaluar.

Takimi i 22 janarit ishte i pari në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës këtë vit.

Gjatë vizitës së tij në Prishtinë më 14 janar, Sorensen tha lidhur me dialogun se “kam shpresa se viti 2026 do të na japë atë që viti 2025 nuk na e dha”.

“Çfarë do të bëjmë ne është të sigurohemi që palët të ulen dhe të bisedojnë. Duhet ta gjejmë një mënyrë që kjo të ndodhë”, theksoi Sorensen në Prishtinë.

Ai tha se do të punojë për të gjetur një mënyrë që dy vendet fqinje të zhvillojnë bisedime të nivelit të lartë, në përpjekje për t’i normalizuar marrëdhëniet.

Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar takim të nivelit të lartë që nga viti 2023, pas rritjes së tensioneve mes tyre për shkak të një sulmi nga një grup serbësh të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në veriun e banuar me shumicë serbe në shtator të atij viti.

Kurti – i cili pritet të jenë në krye të qeverisë së vendit edhe për një mandat të tretë katërvjeçar – e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me dorëzimin e të dyshuarit për sulmin në Banjskë të Zveçanit që la një rreshter të vrarë, Millan Radoiçiq.

Radoiçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës kur ndodhi sulmi dhe e mori përgjegjësinë për të. Beogradi nuk ka pranuar t’ia dorëzojë Kosovës atë, dhe thuhet se ai endet i lirë në Serbi.

Edhe Serbia ka kushtet e veta në dialog, siç e ritheksoi edhe Petkoviq pas takimit me Sorensenin më 16 janar në Beograd.

Kryenegociatori serb tha se përparimi në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku varet nga gatishmëria e Kosovës për ta themeluar një asociacion të komunave me shumë serbe.

Kosova dhe Serbia veçse arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, më 2023, por nuk janë duke e zbatuar atë.

Ndër pikat e marrëveshjes është edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por Prishtina nuk ka ndërmarrë hapa për ta përmbushur këtë kërkesë. /rel/

The post Kosova dhe Serbia pajtohen për komisionin për personat e zhdukur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Në Kosovë konfiskohen mbi 80 kilogramë drogë dhe arrestohen tre persona

22 January 2026 at 17:21

PRISHTINË, 22 janar/ATSH/ Policia e Kosovës tha se ka konfirmuar mbi 80 kilogramë drogë gjatë një operacioni të zhvilluar të mërkurën dhe të enjten, kur u arrestuan edhe tre të dyshuar.

“Me urdhër të prokurorit të shtetit ndaj tre të dyshuarve është lëshuar aktvendimi për ndalimin prej 48 orëve, ndërkaq prokurori i shtetit me kohë do të ndërmarr të gjitha veprimet e mëtutjeshme hetimore”, u tha në njoftim.

Sipas njoftimit, në orën 23:00 të së mërkurës, afër pikëkalimit kufitar në Merdarë – që lidh Kosovën dhe Serbinë – është ndaluar i dyshuari H.S. që po drejtonte një kamion.

Gjatë kontrollit të mjetet, autoritetet thanë s gjetën 68 paketime të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë prej 76 kilogramë e 800 gramësh.

Autoritetet thanë se hetimet për këtë rast, të koduar “Bregdeti”, kanë nisur disa muaj më parë, duke shtuar se gjatë kontrollit në shtëpinë e H.S. janë gjetur edhe armë zjarri, fishekë, e para të gatshme.

Ndërkaq, sot ka vazhduar ky operacion, ku janë bastisur shtëpitë e dy të dyshuarve të tjerë në Godishnjak të Podujevës, ku u gjetën edhe katër paketime me substancë që dyshohet të jetë marihuanë me peshë prej 4 kilogramësh e 454 gramësh.

Policia tha se në bastisjes e së enjtes u gjet edhe një armë zjarri me gaz.

Edhe në të kaluarën, Policia e Kosovës ka zhvilluar operacione kundër kultivimit apo shitjes së lëndëve të ndryshme narkotike, duke sekuestruar sasi droge e duke arrestuar të dyshuar.

Shtatorin e vitit të kaluar u arrestuan shtatë persona që dyshoheshin për disa vepra penale, sikurse pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve dhe pastrim të parave.

Për këtë operacion, autoritetet kishin bashkëpunuar me Belgjikën, Francën, Holandën dhe Europol-in. /rel/

The post Në Kosovë konfiskohen mbi 80 kilogramë drogë dhe arrestohen tre persona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Stërvitje e përbashkët NATO-Polici në veri të Kosovës

22 January 2026 at 16:34

PRISHTINË, 22 janar/ATSH/ Ushtarët nga Batalioni RC-E Maneuver, që veprojnë nën misionin e KFOR-it të udhëhequr nga NATO, së bashku me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, zhvilluan një ecje të komandës së incidentit, e cila shërbeu për provimin e procedurave dhe metodave të koordinuara për të siguruar gatishmëri të lartë operacionale dhe reagim efektiv ndaj çdo sfide të sigurisë.

Sipas KFOR-IT, ky aktivitet stërvitor synon të forcojë koordinimin dhe bashkëpunimin ndërinstitucional midis KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, duke rritur kapacitetin për të menaxhuar incidente dhe situata emergjente.

Stërvitjet e tilla mbështesin misionin e vazhdueshëm të KFOR-it për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt në Kosovë, duke garantuar reagim të shpejtë dhe efikas në çdo rast që lidhet me sigurinë publike. /Kosovapress/

The post Stërvitje e përbashkët NATO-Polici në veri të Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kuvendi miraton procedurën e përshpejtuar për ratifikimin e marrëveshjes së Bordit të Paqes

22 January 2026 at 10:49

TIRANË, 22 janar/ATSH/ Kuvendi miratoi sot me 80 vota pro dhe 22 vota kundër kërkesën për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, u shpreh se me miratimin e kërkesës për shqyrtim me procedurë të përshpejtuar u vendos që projektligji të diskutohet dhe të miratohet brenda kësaj seance plenare.

Peleshi theksoi se, përpara se të nisë shqyrtimi dhe votimi i projektligjit, është e domosdoshme mbledhja e Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme për shqyrtimin e tij.

Ai bëri të ditur se Komisioni do të ketë në dispozicion 1 orë e 20 minuta për shqyrtimin e projektligjit dhe se në orën 12:00 seanca plenare do të rifillojë për diskutimin dhe miratimin e tij.

Gjatë punimeve në Kuvend, fjalën e mori kreu i grupit parlamentar të Partë Socialiste, Taulant Balla, i cili vuri në dukje rëndësinë e kësaj nisme.

Balla deklaroi në fjalën e tij në Kuvend se sot Kuvendi i Shqipërisë thirret për të marrë një vendim me një peshë tepër të veçantë politike dhe historike, që shkon përtej rendit të zakonshëm të ditës dhe lidhet drejtpërdrejt me rolin e ri të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

“Shqipëria nuk ftohet si vëzhguese, por si bashkë-arkitekte në ndërtimin e një mekanizmi të ri ndërkombëtar për paqen,” u shpreh Balla, duke theksuar se ky zhvillim e vendos vendin nga periferia e diskutimeve globale në qendër të vendimmarrjes ndërkombëtare”, tha Balla ndër të tjera.

Nga krahu opozitës fjalën e mori Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili tha se, “ne jemi pro anëtarësimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes dhe i kërkojmë autorizim Presidentit të Republikës, në përputhje me nenin 84 të Kushtetutës, që të japë miratimin për hyrjen e menjëhershme në fuqi të këtij projektligji. Kështu zgjidhim ngërçin kushtetues, respektojmë Kushtetutën dhe arrijmë qëllimin të paktën pesë herë më shpejt nga sa propozoni ju”, tha Bardhi.

Kuvendi një ditë më parë sqaroi se, duke qenë se pjesëmarrja e Republikës së Shqipërisë në Bordin e Paqes konsiderohet zhvillim me rëndësi të veçantë për politikën e jashtme dhe diplomacinë e vendit, kërkesa për miratimin e këtij projektligji me procedurë të përshpejtuar bëhet në përputhje me parashikimin e nenit 83, pika 2, të Kushtetutës.

Projektligji synon ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së
Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes.
Këshilli i Ministrave ka miratuar, në parim, marrëveshjen më 21 janar.

Marrëveshja synon krijimin e Bordit të Paqes si një organizatë ndërkombëtare,
me personalitet ligjor ndërkombëtar, me qëllim promovimin e stabilitetit,
rivendosjen e një qeverisjeje të besueshme e të ligjshme, si dhe sigurimin e paqes
së qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti. Bordi i Paqes
do të ndërmarrë funksione të tilla të ndërtimit të paqes në përputhje me të drejtën
ndërkombëtare dhe në përputhje me këtë Kartë, duke përfshirë zhvillimin dhe
përhapjen e praktikave më të mira të mundshme për t’u zbatuar nga të gjitha
shtetet dhe komunitetet që kërkojnë paqe.

Seanca plenare u kërkua pasditen e sotme nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste përmes një shkrese zyrtare, për ratifikimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes për pranimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes.

Seanca Plenare për Bordin e Paqes
1 nga 3
Seanca plenare për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes - Foto: Florian Abazaj
Taulant Balla, Kryetar i Grupit Parlamentar të PS - Foto: Andrin Hoxha

/r.e/a.f/

The post Kuvendi miraton procedurën e përshpejtuar për ratifikimin e marrëveshjes së Bordit të Paqes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌