“Rezistencë deri në largimin e Ramës!” - këta janë dy emrat që propozon Lapaj për qeverinë tranzitore
Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, deklaroi se nuk pret reflektim nga kryeministri Edi Rama, por synon ndërgjegjësimin e qytetarëve përmes protestës si formë rezistence deri në realizimin e së drejtës. Në një deklaratë për A2 CNN me gazetaren Fjorela Beleshi, Lapaj tha se protesta duhet të vazhdojë me dinjitet, duke kritikuar autoritetet për moslejimin e ngritjes së çadrave dhe duke e cilësuar këtë si mungesë njerëzillëku.
“Nuk pres asnjë reflektim nga Rama. Ajo që pres është të ndërgjegjësojmë njerëz duke u bërë shembull që protesta është rezistencë derisa realizohet e drejta. duhet të vendosen çadra se i merr era. Mua më vjen rëndë që na lënë me plastmas dhe jo me çadër. Kjo është mungesë e theksuar njerëzillëku”, u shpreh Lapaj për A2 CNN.
I pyetur sesi mund ta rrëzojnë kryeministrin Rama i cili ka 83 mandate, Lapaj u përgjigj se mandatet kanë vlerë vetëm kur mbështeten mbi moralin dhe besimin qytetar, ndërsa argumenti i shumicës parlamentare është i pavlefshëm nëse pushteti kapet në shkelje dhe korrupsion.
“Mandatet kanë vlerë kur kanë moral. Dyshoj se janë marrë nën mënyrë të drejtë nëse nuk justifikohen moralisht nuk kanë vlerë mandatet. Kanë fuqi sa qëndron morali. Faktet tregojnë që nuk ka moral se është kapur në flagrancë duke vjedhur në të gjitha nivelet. Argumenti i 83 mandatave është i pavlefshëm. Bëj një qeveri tranzitore, ngri të gjithë drejtorët që të mos japin lekë nga administrata për zgjedhjet”, vijoi Lapaj për A2 CNN.
Ai theksoi se prej vitit 2022 ka pasur përkeqësim të të drejtave të qytetarëve dhe se frika është e instaluar në shoqëri, ndaj protestat me thelb politik janë të domosdoshme.
“Nga 2022 ka një përkeqësim të të drejtave të qytetarëve dhe njerëzit tremben. Protesta që kanë thelb politik janë protesta që i trembin se lidhen me ekzistencën e pushtetit. Kjo është dëshmi e frikës së shoqërisë dhe numrat tanë kanë ardhur duke u rritur. Por edhe sikur një njeri të protestojë”, tha Lapaj, për A2 CNN.
Sipas tij, zgjidhja është krijimi i një qeverie tranzitore, ndalimi i presionit mbi administratën dhe bashkimi i qytetarëve përtej flamujve partiakë. Ai përmendi emrat e Përparim Kabos dhe Tritan Kalo për krijimin e qeverisë tranzitore.
“Nuk është koha të ngremë flamurin e partisë por të bashkohemi për flamurin e Shqipërisë. Asnjë parti politike nuk mund dot regjimin e Ramës. Duke qëndruar dhe ndërgjegjësuar qytetarët. Na bashkon sheshi për këdo që vjen me flamurin kombëtar. Berisha të hyjë në stinën e jetës dhe sheshet t’ia lërë djemve e vajzave të PD-së. Asnjë politikan nuk duhet të jetë në qeveri tranzitore. Përparim Kabo e Tritan Kalo të merrnin përgjegjësinë kombëtare në këtë fazë të rëndësishme”.
