Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 30 December 2025Main stream

4 podiume në 15 gara, Lara Colturi renditet e 7-ta në Kupën e Botës në Ski

30 December 2025 at 18:57

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Skiatorja italo-shqiptare Lara Colturi e mbylli vitin 2025 në Kupën e Botës në Ski Alpine me një tjetër sukses ndërkombëtar.

Në ndalesën e 15-të të këtij kompeticioni, të zhvilluar në Semmering, Austri, 19-vjeçarja u rendit në vendin e tretë, duke siguruar podiumin e katërt për Shqipërinë gjatë këtij sezoni.

Me këtë rezultat, Colturi u pozicionua në vendin e 7-të të renditjes së përgjithshme të Kupës së Botës në Ski Alpine.

Ministri i Kulturës, Turizmit dhe Sportit, Blendi Gonxhja, vlerësoi arritjet skiatores që përfaqëson Shqipërinë. Sipas tij, Colturi, konfirmoi nivelin elitar dhe përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

“Një sukses i jashtëzakonshëm për 19-vjeçaren, e cila mban vendin e 7-të në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës në Ski Alpine. Lara Colturi numëron 4 podiume në 15 gara të sezonit 2025–2026, ndërkohë që gjatë gjithë vitit 2025 ka arritur 6 podiume në total, duke konfirmuar nivelin elitar dhe përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”, shkroi Gonxhja.

1 nga 5

/m.q/r.e/a.f/

The post 4 podiume në 15 gara, Lara Colturi renditet e 7-ta në Kupën e Botës në Ski appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama në festën e fundvitit me socialistët e Tiranës

30 December 2025 at 18:21

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi sot një takim me rastin e fundvitit me anëtarë të Partisë Socialiste dhe drejtues të strukturave të PS-së në Tiranë.

Rama shprehu mirënjohjen “për çdo anëtar dhe aktivist të familjes së madhe të Partisë Socialiste” dhe theksoi se “me besimin e patundur tek forca jonë e pandalshme përpara, uroj nga zemra shëndet e mbarësi për çdo familje të vogël të secilës dhe secilit prej jush”.

“Dua të bëj një shëndet shumë të ndjerë dhe vëllazëror për të gjitha familjet tuaja! Të dytin dua ta bëj për të gjitha vajzat, dhe gratë që janë këtu dhe shëndetin e tretë, dua ta ngre për të gjitha ata që janë mbështetës, pra jo për ata që janë në vijën e parë, për ata që janë në vijën e dytë, në vijën e tretë, që janë kryetarë të partisë, që janë kryetarë të organizatave”, u shpreh Rama, në fjalën e tij para socialistëve të Tiranës,

Ndërkohë, drejtuesja politike e PS-së për Tiranën, Ogerta Manastirliu u shpreh se “sot është një moment për të uruar njëri tjetrit një vit sa më të mbarë dhe për të uruar qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, për një vit plot me shpresë, me energji, me besim, se e nesërmja dhe Viti i Ri patjetër, do të jetë një vit shumë i mirë dhe më e mira është gjithmonë përpara”.

/m.q/a.f/r.e/

The post Rama në festën e fundvitit me socialistët e Tiranës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali në pritjen e fundvitit: Fuqizojmë diasporën si një trup i vetëm nga Tirana në mbarë botën

30 December 2025 at 17:50

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi sot pritjen e fundvitit me gazetarë, diplomatë dhe ekipin drejtues të MEPJ-së.

Gjatë fjalës së saj, ministrja theksoi se “e gjithë energjia jonë, dhe të gjitha kapacitetet tona do të investohen në arritjen e objektivit strategjik, mbylljen e negociatave të anëtarësimit brenda 2027 dhe anëtarësimin në BE brenda dekadës”.

Spiropali shtoi se “rruga jonë evropiane është e nxitur nga një ide e thjeshtë, që sot është zgjidhja dhe zgjedhja jonë e vetme: Shqipëria në Evropë”.

Sipas ministres, anëtarësimi në BE, mbetet vokacioni kombëtar i popullit shqiptar dhe mbi të gjitha, një proces i thellë transformues.

Duke bërë një bilanc të vitit që po mbyllet, ministrja e Jashtme theksoi se 2025-a ishte një vit jashtëzakonisht i mbarë për Shqipërinë dhe diplomacinë shqiptare.

“33 kapituj të hapur në 13 muaj. Askush nuk ka ditur të ecë kaq shpejt më parë. Prandaj, në 2026-n, mbështesim njehsimin e mëtejshëm të shpejtësisë së negociatave, në shpejtësinë e avancimit të reformave dhe mbylljes së grupkapitujve”, tha Spiropali.

Në vitin që po lëmë pas, shtoi Ministrja, avancuam rolin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në vendet tona partnere dhe më gjerë, në botë.

“Prandaj, ligji i ri i diasporës fuqizon bashkëpunimin midis autoriteteve shtetërore dhe diasporës. Për herë të parë, kemi një mekanizëm të qartë koordinues, që nga Tirana, bashkërendon si një trup i vetëm me diasporën tonë nga Kalifornia deri në Sidnej. Kemi krijuar mekanizma të rinj mbrojtje të gjuhës, identitetit dhe trashëgimisë”, deklaroi Spiropali.

Spiropali ndau bindjen se ligji i ri “Për shërbimin e jashtëm”, përmirësimi i mëtejshëm i kushteve financiare, por edhe statusit të diplomatit, do ta vendosë diplomacinë shqiptare në kushtet e duhura për të udhëhequr pikërisht këtë angazhim historik në rrugën drejt BE-së.

“Në 2026-ën, duhet të bëjmë të mundur, që grimcat e së ardhmes sonë evropiane, të mos jenë më reflektimi, por gjithmonë e më shumë, përditshmëria jonë, normaliteti ynë i ri”, përfundoi Spiropali.

/m.q/a.f/r.e/

The post Spiropali në pritjen e fundvitit: Fuqizojmë diasporën si një trup i vetëm nga Tirana në mbarë botën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shoqata “Profesionistët e Lirë për Shqipërinë” i akordon Prodës titullin “Anëtar Nderi”

30 December 2025 at 17:26

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Shoqata “Profesionistët e Lirë për Shqipërinë” i akordoi titullin “Anëtar Nderi”, drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

Nëpërmjet titullit të akorduar Prodës, shoqata vlerësoi punën e Policisë së Shtetit, si dhe përkushtimin dhe profesionalizmin e saj.

Një vlerësim i tillë, praktikë e ProAlbNGO, më herët, iu është akorduar për kontribut, eurodeputetëve, senatit italian, rajonit të Lazios, etj.

Kryetari i Shoqatës, Fatjon Softa, vlerësoi Prodën për mbështetjen e dhënë për emisionin “Alo Policia – Siguria në Fokus”, si hapësirë komunikimi që lidh qytetarët, me shërbimet e Policisë, si dhe për bashkëpunimin në kuadër të institucioneve të sigurisë publike, si dritare komunikimi që sjell pranë qytetarëve, shërbimet, përkushtimin dhe sakrificat e të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit.

Proda në fjalën e tij vlerësoi rëndësinë e medias, si urë lidhëse mes Policisë dhe qytetarëve, si dhe rolin e emisionit “Alo Policia”, për pasqyrimin e punës dhe sakrificës së qindra-mijëra djemve dhe vajzave, grave dhe burrave, që shërbejnë çdo ditë për garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe për parandalimin dhe luftimin e paligjshmërive.

Të pranishëm gjatë takimit ishin edhe Igli Zepishta dhe Blerta Lata, drejtues të shoqatës, të cilët shprehën vlerësim për reagimin dhe profesionalizmin e Policisë në ndihmë të qytetarëve.

1 nga 3

/m.q/a.f/r.e/

The post Shoqata “Profesionistët e Lirë për Shqipërinë” i akordon Prodës titullin “Anëtar Nderi” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbi 26 mijë qytetarë të pajisur me vendim legalizimi gjatë 2025-ës

30 December 2025 at 17:00

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) bëri të ditur se gjatë këtij viti, 26 216 qytetarë janë pajisur me vendim legalizimi.

Sipas ASHK-së kjo legalizimi hedh një hap të rëndësishëm drejt sigurisë juridike të pronës dhe përmbylljes së një procesi të shumëpritur.

Numri më i lartë i vendimeve të legalizimit, është marrë në muajin dhjetor me 3081 vendime.

“Falënderojmë të gjithë qytetarët për bashkëpunimin dhe durimin e treguar deri në finalizimin e procesit”, nënvizon ASHK.

/m.q/a.f/r.e/

The post Mbi 26 mijë qytetarë të pajisur me vendim legalizimi gjatë 2025-ës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 29 December 2025Main stream

Berisha uron Kurtin: Kosova triumfon me votë të lirë

29 December 2025 at 15:41

TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha përshëndeti zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë, duke i cilësuar si një sukses të vërtetë të demokracisë dhe një shembull frymëzues për shqiptarët.

Ai theksoi se procesi zgjedhor në Kosovë u zhvillua me standarde të larta demokratike, me garë të lirë, administrim korrekt dhe respektim të vullnetit të qytetarëve.

“Dje Kosova zhvilloi zgjedhjet parlamentare të parakohshme, të dytat në një hark kohor 10-mujor. Këto zgjedhje për fushatën, procedurën e votimit, garën e lirë, administrimin e votës ishin një sukses i vërtetë i demokracisë së re të Kosovës dhe mbarë qytetarëve të saj dhe shpresoj një frymëzim për shqiptarët në Shqipëri”, pasi sipas tij, kryeministri Edi Rama “e ka shndërruar procesin jetik të zgjedhjeve të lira në farsë të shëmtuar elektorale”.

Kryetari i PD, Sali Berisha uroi kryeministrin në detyrë Albin Kurti për fitoren, si dhe të gjitha forcat politike për pjesëmarrjen dhe respektimin e verdiktit të sovranit, duke e quajtur Kosovën “krenari të shqiptarëve”.

“Me këtë rast dua të uroj përzemërsisht qytetarët e lirë të Kosovës, autoritetet e vendit dhe institucionet e administrimit të procesit zgjedhor dhe forcat politike për arritjen e vërtetë të rendit demokratik të vendit të tyre.

“Uroj fituesin e zgjedhjeve Albin Kurti për fitoren e thellë të këtyre zgjedhjeve, por edhe të gjitha forcat e tjera politike për pjesëmarrjen dhe qëndrimet e tyre dinjitoze gjatë fushatës dhe respektimin e vendimit të sovranit. Dhe një herë, urime Kosovës, krenari e shqiptarëve!”, tha Berisha.

/m.q/j.p/r.e/

The post Berisha uron Kurtin: Kosova triumfon me votë të lirë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkelën rregullat e qarkullimit rrugor, gjobiten qindra shoferë në Tiranë

29 December 2025 at 15:34

TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/ Policia Rrugore në Tiranë, me qëllim garantimin e sigurisë rrugore dhe menaxhimin e fluksit të shtuar të qarkullimit në prag të festave të fundvitit, ka intensifikuar kontrollet dhe patrullimet në të gjitha akset kryesore, dytësore dhe nyjat lidhëse të kryeqytetit.

Policia njoftoi se si rezultat i kontrolleve të shtuara, janë konstatuar shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, për të cilat janë vendosur masat administrative: 529 masa për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara; 389 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit; 256 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit; 346 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse; 170 masa për mosrespektim të radhës së qarkullimit dhe 87 masa për parakalim të gabuar.

Gjithashtu, për shkelje të rënda të Kodit Rrugor dhe për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor, janë arrestuar/proceduar penalisht 39 shtetas dhe janë bllokuar 20 automjete.

Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe përdoruesit e tjerë të rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, duke kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në parandalimin e aksidenteve dhe në mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve. /j.p/r.e/

The post Shkelën rregullat e qarkullimit rrugor, gjobiten qindra shoferë në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Opozita do të fillojë protestat, bulevardi rruga e fitores

29 December 2025 at 14:24

TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencën e sotme me gazetarët, deklaroi se opozita do të nisë protesta të qëndrueshme, duke i konsideruar ato rrugën e vetme për përmbysjen e asaj që ai e quajti “regjim i narkoshtetit”.

Berisha u bëri thirrje qytetarëve të dalin çdo ditë në shesh, duke theksuar se fitorja nuk varet nga numrat, por nga guximi dhe vendosmëria.

“Opozita do të fillojë protesta pa asnjë diskutim. Opozita po bën gjithçka për të qartësuar tek çdo qytetar se, rruga e vetme është protesta e qëndrueshme. Se është koha, sot më shumë se kurrë të vendosi për të marrë përsipër misionin tonë të ri, të përmbysjes së regjimit të narkoshtetit”, deklaroi Berisha.

Ky mision, sipas tij, do të përmbushet sapo mijëra shqiptarë të vendosin të dalin në shesh çdo ditë.

“Të protestojnë kundër regjimit. Të ndahen nga apatia, lodhja, mërzitja, zhgënjimi që i ka pushtuar. Bulevardi është sheshi, është rruga e fitores”, tha Berisha.

Ndërkaq, Berisha kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama dhe zv.kryeministres Belinda Balluku. Sipas Berishës, Kryeministri mban përgjegjësinë kryesore për situatën aktuale, pasi jo vetëm që mbron Ballukun nga drejtësia, por edhe ndërhyn në institucionet e pavarura, përfshirë Gjykatën Kushtetuese.

Berisha tha se opozita e ka mbledhur ligjërisht Këshillin e Mandateve dhe se Balluku “de facto” nuk ka më imunitet.

“Opozita mblodhi komisionin, mbledhja e komisionit është plotësisht e ligjshme dhe për opozitën Balluku nuk ka më imunitet. E mban vetëm Edi Rama që nuk lejon arrestimin e saj.  Opozita do i përgjigjet përsëri me rrugë ligjore, dhe me protesta të fuqishme”, tha ai.

Berisha nënvizoi gjithashtu se të dhënat e sigurisë kombëtare kanë kaluar në duart e bandave dhe armiqve të Shqipërisë dhe NATO-s.

/m.q/j.p/

The post Berisha: Opozita do të fillojë protestat, bulevardi rruga e fitores appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sadushi: Dosjet e prapambetura në Gjykatën e Lartë u ulën me 61% në pesë vite

29 December 2025 at 14:02

TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, paraqiti sot në konferencën e fundvitit me gazetarët, bilancin e vitit 2025, duke vënë theksin te rezultatet konkrete dhe sfidat reale.

Gjatë fjalës së tij, Sadushi theksoi se në pesë vitet e fundit backlogu është ulur me 61%, ndërsa vetëm gjatë vitit 2025 janë dhënë 6.876 vendime, me një normë likuidimi që arrin 273%.

“Ulja e backlogut me 61% është një tregues domethënës i performancës së Gjykatës së Lartë, veçanërisht në kushtet kur në gjykatat e apelit stoku i çështjeve vijon të rritet. Rezultati i arritur është produkt i një volumi pune të jashtëzakonshëm, i disiplinës institucionale dhe i një strategjie të qëndrueshme. Kështu, në pesë vitet e fundit janë dhënë 39.269 vendime, duke e reduktuar backlogun në 14.081 çështje. Vetëm gjatë vitit 2025 janë dhënë 6.876 vendime, prej të cilave 2.506 nga Kolegji Administrativ, 2.395 nga Kolegji Civil dhe 1.975 nga Kolegji Penal. Krahas 4 vendimeve njësuese, të cilat kanë përcaktuar standarde të reja për zbatimin e ligjit, presin zgjidhjen e tyre edhe 4 vendime të tjera”, tha Sadushi.

Sipas tij mesatarja prej 429 vendimesh për gjyqtar dëshmon përkushtim dhe stërmundim profesional, por jo një situatë normale pune.

“Referuar numrit të vendimeve të dhëna dhe 2.513 çështjeve të reja të regjistruara, norma e likuidimit ka arritur në 273%. Çdo gjyqtar ka dhënë mesatarisht rreth 429 vendime në vit. Këto shifra nuk përfaqësojnë një “normalitet” gjyqësor; ato janë stërmundim profesional dhe dëshmi se Gjykata e Lartë ka ruajtur funksionimin e sistemit nën presion të vazhdueshëm strukturor”, tha Sadushi.

Gjithashtu, Sadushi evidentoi problematikën e rekurseve të papranueshme, që konsumojnë kohë gjyqësore pa përmbushur standardin kasacional.

“Vijon të mbetet problem serioz cilësia e dobët rekurseve. Nuk e kanë kaluar testin e  pranueshmërisë 60% e rekurseve në Kolegjin Civil, 71% në Kolegjin Administrativ dhe 82% në Kolegjin Penal. Për rrjedhojë, koha gjyqësore po shpenzohet për ankime që nuk plotësojnë standardin ligjor të gjykimit kasacional. Kjo nuk i shërben as qytetarit, as shtetit, as vetë drejtësisë.

“Në fushën administrative dhe pjesërisht në atë civile, rekurset e papranueshme u përkasin kryesisht organeve publike. Në vitin 2025, organet publike rezultojnë gjyq-humbëse në 55% të çështjeve administrative (1.016 çështje), ndërsa individët dhe subjektet privatë në 42% (777 çështje). Në fushën penale, prokuroria rezulton gjyq-humbëse në 18.4% të çështjeve (302 çështje), ndërsa individët në 80.2% (1.323 çështje). Kjo situatë evidenton problematika në përfaqësimin ligjor, moshartimin siç duhet të rekurseve, mosndjekjen apo mosnjohjen e praktikës së Gjykatës së Lartë dhe ngatërrimin e rolit të gjykatës kasacionale me gjykatat e faktit. Filtri kasacional në hyrje i zbatuar nga Kolegji Administrativ ka funksionuar me eficiencë: 32% e rekurseve administrative të regjistruara janë konstatuar haptazi të pabazuara, duke frenuar shtimin artificial të çështjeve në pritje”, tha ai.

Sipas tij rezultatet e Gjykatës së Lartë janë reale, por ato nuk përfaqësojnë panoramën e plotë të drejtësisë shqiptare. Mungesa e gjyqtarëve, veçanërisht në gjykatat e Apelit, sipas Sadushit, mbetet nyja kryesore që rrezikon krijimin e backlogut të ri.

“Sistemi sot prodhon backlog të ri për shkak të mungesave strukturore. Çdo ngarkesë e krijuar sot në shkallë të parë dhe apel, nesër do të jetë ngarkesë për Gjykatën e Lartë. Mungesa e gjyqtarëve është problemi themelor i sistemit të drejtësisë. Aktualisht janë 307 gjyqtarë efektivë në detyrë, përballë 417 të parashikuar nga struktura organizative, çka do të thotë se sistemi funksionon me vetëm 73.6% të kapacitetit të tij, ose me 110 gjyqtarë më pak. Kjo situatë bëhet edhe më shqetësuese nëse merret parasysh se deri në vitin 2028 nga Shkolla e Magjistraturës parashikohet të dalin jo më shumë se 67 gjyqtarë të rinj. Nëse i referohemi standardeve të CEPEJ, Shqipërisë do t’i nevojiteshin rreth 587 gjyqtarë, çka nxjerr në pah një disproporcion të thellë ndërmjet nevojave reale dhe kapaciteteve aktuale të sistemit. Ky realitet dëshmon mungesë vizioni strategjik për hyrjet e reja në sistem. Sot është domosdoshmëri të  merren masa konkrete për korrigjimin e menjëhershëm të kuotave të pranimit në Shkollën e Magjistraturës. Në këtë panoramë të përgjithshme mungesash, gjykatat e apelit përbëjnë sot hallkën më kritike të sistemit gjyqësor, duke funksionuar me vetëm 55.9% të trupës gjyqësore të parashikuar, çka rrezikon seriozisht aftësinë e tyre për të përballuar volumin e çështjeve dhe për të garantuar afate të arsyeshme gjykimi”, tha Sadushi.

Sadushi nënvizoi se “në këtë atmosferë presioni strukturor, Gjykata e Lartë ka garantuar funksionimin e sistemit, përmes përgjegjësisë institucionale dhe punës intensive, pavarësisht mungesës së kapaciteteve reale”.

“Kjo është sfida thelbësore e drejtësisë sot: jo thjesht të funksionojë falë përpjekjes së jashtëzakonshme të njerëzve që e mbajnë në këmbë, por të garantojë që ky funksionim të jetë i qëndrueshëm. Një sistem nuk mund të mbështetet pafundësisht te sakrifica individuale. Pa politika për njerëzit, pa investim në kapacitetet njerëzore dhe pa vizion afatmesëm, nuk ka drejtësi që reziston. Qytetari nuk pret justifikime, por kërkon funksionim të drejtë, cilësor dhe në kohë të sistemit gjyqësor”, tha ai.

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi
1 nga 3

/m.q/j.p/

The post Sadushi: Dosjet e prapambetura në Gjykatën e Lartë u ulën me 61% në pesë vite appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Garanci statutore për përfaqësimin e departamentit Brain Gain dhe diasporës në PD

29 December 2025 at 13:25

TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë prezantimit sot të drejtimit të ri të departamentit Brain Gain dhe programit për vitin 2026, vlerësoi kontributin e këtij departamenti si një faktor kyç në momentet më të vështira të PD-së dhe të opozitës shqiptare.

Berisha theksoi se Brain Gain, i përbërë nga intelektualë dhe profesionistë të diasporës, ka luajtur rol themelor në mbrojtjen e trashëgimisë politike, kulturore dhe identitare të PD-së.

Berisha gjatë fjalës së tij tha se PD ka pasur mangësi në përfshirjen e diasporës dhe anëtarëve të Brain Gain në strukturat drejtuese, duke theksuar nevojën për garanci statutore që të sigurojnë përfaqësim dhe hapësira reale për ta.

“Rrethana komplekse, duhet ta pranojmë këtu, bënë që PD të mos ishte e hapur në kuptimin më të plotë të fjalës për integrimin e tyre. Dhe këta djem dhe vajza, nuk morën vendet që meritonin në forumet e kësaj partie”, u shpreh Berisha

“Nuk gjetën hapësirat që meritonin në zhvillimet e mëpasme. Këtu duhet të pranojmë, PD ka një problem themelor ndaj këtij departamenti, por edhe ndaj diasporës, të cilit duhet t’i japë përgjigje sa më parë. Procedurat e përcaktuara nga kjo parti, atyre u mungon karakteri universal që duhet të ketë partia, në kuptimin që kjo nuk është parti vetëm e atyre që jetojnë në Tiranë, Tropojë apo Gjirokastër, por është parti edhe atyre që jetojnë në Paris, Londër, Berlin, Uashington dhe kudo që janë. Nuk është parti vetëm e degëve të saj në Lezhë, Durrës apo Peqin, por është edhe parti e degëve të saj në Athinë, Milano, Paris dhe vende të tjera. Në këtë kontekst është e domosdoshme që këto mangësi të marrin përgjigje statusore”, deklaroi Berisha.

“Nuk duhet të jenë zgjidhjet çështjet e vullnetit të kryetarit apo kryesisë të partisë, zgjidhjet duhet të jenë garanci statutore. Dhe në këtë kuadër ne i japim përgjigjen më të mirë, korrigjojmë padrejtësinë që është bërë ndaj tyre, por edhe ndaj diasporës. Dhe kjo padrejtësi duhet të finalizohet me përcaktime të qarta në statutin e partisë”, tha Berisha.

Në përfundim, Berisha garantoi se PD do të japë hapësira më të gjera për Brain Gain dhe të rinjtë profesionistë, duke e cilësuar këtë betejë politike si “shansin historik” për ndryshimin e Shqipërisë dhe ndarjen e saj nga, sipas tij, e keqja më shkatërrimtare e dekadave të fundit.

/m.q/j.p/

The post Berisha: Garanci statutore për përfaqësimin e departamentit Brain Gain dhe diasporës në PD appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PD kërkon mbledhjen e Këshillit të Mandateve për shqyrtimin e imunitetit të Ballukut

29 December 2025 at 12:57

TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/ Pesë anëtarë të Partisë Demokratike në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, kërkuan sërish mbledhjen e këshillit për ditën e martë, për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.

“Thirrja e mbledhjes së Këshillit me kërkesë të gjysmës së anëtarëve është e detyrueshme sipas rregullores”, thuhet në kërkesën e PD-së drejtuar kryeparlamentarit Niko Peleshi.

Më tej, në kërkesë nënvizohet se kryetari i Kuvendit ka detyrim të njoftojë rendin e ditës.

“Për këtë arsye, përmbushni detyrimin tuaj ligjor dhe mos u bëni pengesë për drejtësinë”, thuhet në shkresën e anëtarëve demokratë të Këshillit të Mandateve drejtuar Kuvendit”.

Balluku është marrë e pandehur nga SPAK, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogorasë”.
/m.q/j.p/

The post PD kërkon mbledhjen e Këshillit të Mandateve për shqyrtimin e imunitetit të Ballukut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shpërthen paneli i matësve elektrikë, humb jetën 55-vjeçari në Shkodër

29 December 2025 at 12:20

TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/ Një 55-vjeçar ka ndërruar jetë si pasojë e një shpërthimi të panelit të matësve të energjisë elektrike.

Policia e Shkodrës njoftoi se “rreth orës 10:10, në lagjen “Manush Alimani”, në hyrjen e një pallati, dyshohet se ka shpërthyer paneli i matësve të energjisë elektrike. Si pasojë u dëmtua një shtetas ende i paidentifikuar, rreth 55 vjeç, i cili ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Shkodër”.

Sipas policisë grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për dokumentimin e rrethanave, identifikimin e shtetasit që ka humbur jetën dhe për përcaktimin e shkakut të shpërthimit të matësve elektrikë.

/m.q/j.p/

The post Shpërthen paneli i matësve elektrikë, humb jetën 55-vjeçari në Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nga 30 dhjetori ndryshon vendndodhja e disa zyrave të IdentiTek në Tiranë

29 December 2025 at 10:14

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Nga nesër, do të ndryshojë vendndodhja e disa zyrave të aplikimit për dokumente biometrike në qytetin e Tiranës, konkretisht zyrave IdentiTek 5 dhe IdentiTek 8 dhe 9. Zyrat e reja do të funksionojnë pranë njësive administrative përkatëse.

Ministria e Brendshme njofton se zyra IdentiTek 5, e cila ndodhet në Rrugën “Robert Shvarc”, në zonën e Komunës së Parisit, do të zhvendoset dhe do të ofrojë shërbimet pranë Njësisë Administrative Nr. 5, në zonën e Bllokut.

Ndërkohë, zyra IdentiTek 8 dhe 9, që operon në Rrugën e Barrikadave, do të ndahet si më poshtë:

IdentiTek 8 do të funksionojë pranë Njësisë Administrative Nr. 8, në Rrugën e Dibrës;

IdentiTek 9 do të funksionojë pranë Njësisë Administrative Nr. 9, në Bulevardin “Zogu I”.

Qytetarët që kanë kryer aplikime për karta identiteti pranë zyrave IdentiTek 8 dhe 9 deri më sot, do t’i tërheqin dokumentet e tyre pranë Njësisë Administrative Nr. 8.

Këto ndryshime kanë qëllim rritjen e aksesueshmërisë së shërbimeve të aplikimit për dokumente identifikimi, duke i afruar ato më pranë qytetarëve, në njësitë administrative përkatëse.

/m.q/

The post Nga 30 dhjetori ndryshon vendndodhja e disa zyrave të IdentiTek në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Bukuri alpine në Grykat e Hapta në Tropojë

27 December 2025 at 15:28

TIRANË, 27 dhjetor /ATSH/ Peizazhet malore të mbuluara me dëborë, pavarësisht kushteve atmosferike, shndërrohen në destinacione për alpinistët dhe dashamirësit e natyrës.

Kryeministri Edi Rama ndau mëngjesin e sotëm pamje nga Grykat e Hapta, në Tropojë, të cilat janë veshur nga bardhësia e dëborës, duke krijuar një panoramë mahnitëse dimërore.

Grykat e Hapta, maja më e lartë e të cilave arrin një lartësi prej 2 625 m, shtrihen midis pjesës së sipërme të luginës së Valbonës në veri dhe luginës së Nikajt në jug.

Nga perëndimi vazhdon me kreshtat e Zhaborrëve, kurse në juglindje qafa e Droçës e ndan nga Mali i Hekurave. Ka formën e një trungu konik me shpate shumë të pjerrëta (shpati lindor e perëndimor formojnë rrëpira 700-800 m të thella).

Rreth majës kryesore ngrihen dhe katër maja të tjera me lartësi mbi 2400 m. Grykat e Hapëta janë krejtësisht të zhveshura nga bimësia duke i kthyer në sfidë për alpinistët.

/m.q/j.p/

The post Bukuri alpine në Grykat e Hapta në Tropojë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

270 përfitues të kredive me interes zero për banesë në Ministrinë e Brendshme

27 December 2025 at 13:49

TIRANË, 27 dhjetor /ATSH/ Armando, punonjës i Policisë së Shtetit, është një nga 270 përfituesit e programit të kredive me zero interes për banesë, në strukturat e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, vizitoi familjen e Armandos, ku theksoi se trajtimi me kredi të lehtësuar është një politikë konkrete e qeverisë shqiptare në mbështetje të sigurisë dhe stabilitetit familjar.

“Armando sot jeton në shtëpinë e re së bashku me bashkëshorten dhe djalin e tij”, shkruan Koçiu.

Këtë vit qeveria miratoi 530 kuota për kreditë e lehtësuara për nëpunësit civilë dhe nëpunësit e tjerë të administratës publike.

Sipas vendimit, 90 kuota ishin për Ministrinë e Brendshme, 90 kuota për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, 80 kuota për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për mjekë dhe infermierë, 30 kuota për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, 30 kuota për Ministrinë e Mbrojtjes, 30 kuota për Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, 30 kuota për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, 30 kuota për Ministrinë e Drejtësisë, 30 kuota për Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, 30 kuota për Ministrinë e Financave, 30 kuota për Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit si dhe 30 kuota për Kryeministrinë.

/m.q/j.p/

The post 270 përfitues të kredive me interes zero për banesë në Ministrinë e Brendshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Punime të paligjshme në monumentin e kulturës “Ura e Vashës”, arrestohet 44-vjeçari

27 December 2025 at 12:30

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Një 44-vjeçar është arrestuar nga policia në Klos pasi kreu ndërhyrje në monumentin e kulturës “Ura e Vashës”, dhe ndërtoi pa leje një objekt pranë saj.

Policia njoftoi se u arrestua në flagrancë shtetasi M. S., 44 vjeç, banues në fshatin Fshat, Klos.

Sipas policisë “ky shtetas dyshohet për kryerjen e veprave penale “Shkatërrimi i veprave kulturore” dhe “Ndërtimi i paligjshëm”, pasi u kap në flagrancë duke ndërtuar një objekt pa u pajisur me lejen përkatëse, si dhe duke kryer ndërhyrje dhe punime të paligjshme në monumentin e kulturës “Ura e Vashës””.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme procedurale.

/m.q/j.p/

The post Punime të paligjshme në monumentin e kulturës “Ura e Vashës”, arrestohet 44-vjeçari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fluks i lartë lëvizjesh në pikën kufitare të Morinës

27 December 2025 at 12:11

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Gjatë 24 orëve të fundit në pikën kufitare të Morinës është regjistruar një fluks i lartë lëvizjesh.

Sipas të dhënave zyrtare nga Policia Kufitare dhe Migracioni Morinë, në hyrje të territorit shqiptar janë regjistruar 10 mijë e 684 shtetas, të cilët kanë kaluar kufirin me 4 mijë e 472 automjete, raportojnë mediet.

Ndërkohë, fluksi më i madh është shënuar në dalje. Përgjatë 24 orëve të fundit, nga Shqipëria kanë dalë 12 mijë e 601 shtetas, me 4 mijë e 976 automjete, çka tregon një lëvizje më të theksuar drejt Kosovës.

Autoritetet bëjnë me dije se në pikën kufitare të Morinës po punohet me 12 sportele, si në hyrje ashtu edhe në dalje, për të përballuar fluksin dhe për të shmangur pritjet e gjata.

Sipas medieve, numri më i lartë i qytetarëve në dalje lidhet kryesisht me emigrantët nga Kosova, të ardhur nga Italia, Zvicra dhe Gjermania, të cilët kanë zgjedhur të kalojnë tranzit përmes Shqipërisë.

Shumë prej tyre po udhëtojnë për të festuar ndërrimin e viteve, por edhe për të marrë pjesë nesër në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.

Autoritetet kufitare vijojnë të jenë në gatishmëri për të menaxhuar fluksin e lëvizjeve edhe në orët në vijim.

/m.q/j.p/

The post Fluks i lartë lëvizjesh në pikën kufitare të Morinës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shpëtoi protestuesin nga shpërthimi i molotovit, vlerësohet inspektori i policisë

27 December 2025 at 10:14

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i akordoi “Certifikatë për Shërbime të Dalluara”, inspektorit Marsel Bicja, pasi ndërhyri me profesionalizëm duke shpëtuar jetën e një qytetari nga djegia si pasojë e shpërthimit të një bombe molotov gjatë protestës së opozitës të hënën e kësaj jave.

Ndërsa protestuesit hodhën molotovë drejt Kryeministrisë, një prej bombave shpvrtheu duke përfshirë në flakë një protestues, i cili u shpëtua nga djegiet prej inspektorit Bicja.

Certifikata e dhënë ndaj inspektorit mban motivacionin: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për aktin e humanizmit dhe profesionalizmit të treguar gjatë ushtrimit të detyrës, ku me ndërhyrje të menjëhershme dhe vendimtare shpëtoi jetën e një qytetari, duke vënë në plan të parë mbrojtjen e jetës njerëzore, si një nga vlerat më të larta dhe misioni kryesor i Policisë së Shtetit”.

Certifikata iu dorëzua nga vetë Proda gjatë festës së fundvitit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

“Ju falënderoj për veprimin tuaj, pasi ky veprim dëshmoi edhe një herë humanizmin dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve. Vijoni me përkushtim të përmbushni me nder këtë mision, sa të vështirë, po aq edhe fisnik”, u shpreh Proda.

Drejtori i Policisë Tiranë, Elton Alushi, vlerësoi veprimin e punonjësit të Shqiponjave, veprim që s’kishte nevojë për komandë për të vepruar, por e komandoi uniforma që mbajmë veshur dhe ndjenja njerëzore.

Nga ana tjetër, inspektor Marsel Bicja, gjatë fjalës së tij, shprehu mirënjohje për certifikatën dhe theksoi se veproi pa u menduar dy herë, pasi mbrojtja e jetës së qytetarëve është parësore për të dhe kolegët e tij.

/m.q/j.p/

The post Shpëtoi protestuesin nga shpërthimi i molotovit, vlerësohet inspektori i policisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis restaurimi i dy ikonave historike në laboratorin e DRTK-së në Berat

27 December 2025 at 09:51

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Në Laboratorin e Restaurimit të Veprave të Artit pranë Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat kanë nisur ndërhyrjet konservuese për dy ikona me vlerë të veçantë historike dhe artistike: Shën Kolli dhe Krishti Pantokrator, të gjetura në kishën e Shën Kollit në lagjen Kala.

Kështu bëri të ditur ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili theksoi se “procesi zhvillohet mbi bazën e analizave të specializuara dhe dokumentimit teknik të çdo faze, duke përfshirë pastrimin, konsolidimin dhe stabilizimin e materialeve, me synimin e ruajtjes së autenticitetit, integritetit artistik dhe vlerës historike të veprave, si dhe garantimin e konservimit të tyre afatgjatë”.

Restaurimi i fundit i realizuar nga laboratori i DRTK Berat ishte ai i ikonës së Krishtit, gjetur në Libofshë të Fierit, me autorë vëllezërit Çetiri.

Muzeu i Ikonografisë “Onufri” është organizuar në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në Kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986.

Muzeu mban emrin e Onufrit, kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin XVI. Katedralja – sipas mbishkrimeve që mbart – rezulton të jetë rindërtuar në vitin 1797 mbi themelet e një kishe më të vjetër të periudhës bizantine.

Ajo përfaqëson një nga arkitekturat më tipike pasbizantine në qytetin e Beratit. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 196 ikona dhe objekte liturgjike.

/m.q/j.p/

The post Nis restaurimi i dy ikonave historike në laboratorin e DRTK-së në Berat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lejuan ndërtime pa leje në Butrint, dërgohen për gjykim zyrtarët e IVMT

27 December 2025 at 09:42

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Prokuroria e Sarandës përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq pesë shtetas, midis të cilëve dhe kryeinspektorin dhe inspektorin e Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit (IVMT), Sarandë për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Ndërtim i Paligjshëm”.

Sipas prokurorisë, nga hetimet e nisura në vitin 2023, rezultoi se në zonën e Ksamilit në vendin e quajtur “Kanali i Vivarit”, është ndërtuar në zonë të mbrojtur në një sipërfaqe të madhe pa leje ndërtimi nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit si dhe pa kontratë me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit.

Kanali i Vivarit bën pjesë në Parkun Kombëtar “Butrint” dhe ka statusin Monument Natyre (MN) sipas Vendimit nr.303, datë 10.5.2019 “Për miratimin e listës së rishikuar, të monumenteve të natyrës shqiptare”.

“Nga ana e punonjësve të IVMT Bashkia nuk është mbajtur procedura ligjore në lidhje me konstatimin e plotë të punimeve dhe marrjen e masës administrative “dënim me gjobë”, njoftoi prokuroria.

Në lidhje me kvt fakte, u dërguan në gjyq shtetasit: R.P, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm”, “Shpërdorimi i tokës” dhe “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”; Personin Juridik “Laguna Invest”, për veprën penale “Ndërtimi i Paligjshëm”, “Pushtimi i tokës”; Shtetasit E.Z, B.K, V.X, me detyrë inspektor të IVMT, Bashkia Sarandë në kohën e kryerjes së veprës penale, të akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”; Shtetasin A.M, me detyrë Kryeinspektor të IVMT Bashkia Sarandë, në kohën e kryerjes së veprës penale, akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

/m.q/j.p/

The post Lejuan ndërtime pa leje në Butrint, dërgohen për gjykim zyrtarët e IVMT appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌