Shpëtoi protestuesin nga shpërthimi i molotovit, vlerësohet inspektori i policisë
TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i akordoi “Certifikatë për Shërbime të Dalluara”, inspektorit Marsel Bicja, pasi ndërhyri me profesionalizëm duke shpëtuar jetën e një qytetari nga djegia si pasojë e shpërthimit të një bombe molotov gjatë protestës së opozitës të hënën e kësaj jave.
Ndërsa protestuesit hodhën molotovë drejt Kryeministrisë, një prej bombave shpvrtheu duke përfshirë në flakë një protestues, i cili u shpëtua nga djegiet prej inspektorit Bicja.
Certifikata e dhënë ndaj inspektorit mban motivacionin: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për aktin e humanizmit dhe profesionalizmit të treguar gjatë ushtrimit të detyrës, ku me ndërhyrje të menjëhershme dhe vendimtare shpëtoi jetën e një qytetari, duke vënë në plan të parë mbrojtjen e jetës njerëzore, si një nga vlerat më të larta dhe misioni kryesor i Policisë së Shtetit”.
Certifikata iu dorëzua nga vetë Proda gjatë festës së fundvitit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
“Ju falënderoj për veprimin tuaj, pasi ky veprim dëshmoi edhe një herë humanizmin dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve. Vijoni me përkushtim të përmbushni me nder këtë mision, sa të vështirë, po aq edhe fisnik”, u shpreh Proda.
Drejtori i Policisë Tiranë, Elton Alushi, vlerësoi veprimin e punonjësit të Shqiponjave, veprim që s’kishte nevojë për komandë për të vepruar, por e komandoi uniforma që mbajmë veshur dhe ndjenja njerëzore.
Nga ana tjetër, inspektor Marsel Bicja, gjatë fjalës së tij, shprehu mirënjohje për certifikatën dhe theksoi se veproi pa u menduar dy herë, pasi mbrojtja e jetës së qytetarëve është parësore për të dhe kolegët e tij.
![]()
/m.q/j.p/
The post Shpëtoi protestuesin nga shpërthimi i molotovit, vlerësohet inspektori i policisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.