Pas rreth 27 vjet të përfundimit të luftës është gjetur trupi i pajetë i Rasim Mehmet Kocit, i cili ishte zhdukur më 1 prill të vitit 1999 në afërsi të fshatit Osek Hylë.
Siç ka njoftuar familja, ai ishte arrestuar nga forcat serbe dhe më pas ishte vrarë e trupi tij ishte zhdukur.
Eshtrat e tij janë identifikuar dhe do t’i dorëzohen familjes të premten, më 30 janar, raporton Kp.
“Familja Koci është një nga familjet që ka pësuar humbje të rënda gjatë luftës në Kosovë. Përveç Rasim Mehmet Kocit, kjo familje ka dhënë edhe dy martirë të tjerë: Afrim Idriz Koci dhe Besim Idriz Koci, të cilët u vranë brutalisht më 25 mars 1999 nga forcat paramilitare dhe ushtarake serbe.
Homazhet për martirin e luftës Rasim Mehmet Koci do të mbahen më 31 janar 2026, nga ora 12:00 deri në 13:00, në Pallatin e Kulturës në Gjakovë, ndërsa varrimi do të bëhet në ora 13:30, në Varrezat e Dëshmorëve në Qabrat”, thuhet në njoftimin e familjes së Rasim Kocit.
Dy të rinj, 20 dhe 24 vjeç, janë arrestuar dhe janë lënë në paraburgim në lidhje me vrasjen e një shoferi taksie në qytetin Geel të Belgjikës, bëri të ditur Prokuroria e Antverpit.
Vendimi për masën e sigurisë u mor nga gjyqtari hetues, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes, raporton euronews.al.
Viktima është shtetasi shqiptar Marko Beka, 45 vjeç, banues në Geel dhe me profesion taksist.
Ai u qëllua për vdekje me armë zjarri mbrëmjen e së premtes, rreth orës 21:00, pranë një parku pas kishës në fshatin Larum, teksa ndodhej në bisedë me disa pasagjerë.
Pavarësisht ndërhyrjes së shërbimeve të emergjencës, Beka nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra. Ai la pas bashkëshorten dhe tre fëmijë.
Sipas autoriteteve belge, dyshohet se ngjarja ka nisur pas një debati që ka dalë jashtë kontrollit. Prokuroria ka bërë me dije se viktima “nuk ishte zgjedhur rastësisht”, por motivi i saktë i krimit mbetet ende i paqartë. Nuk është konfirmuar nëse bëhet fjalë për një përplasje spontane apo për një akt të paramenduar.
Zona e ngjarjes u rrethua për disa orë, ndërsa në vend mbërritën hetuesit, laboratori kriminalistik dhe mjeku ligjor. Prokuroria e Antverpit ka deklaruar se hetimet po vijojnë intensivisht për të sqaruar rolin e secilit të dyshuar dhe rrethanat e plota të vrasjes.
Burime brenda stafit të Hipotekës Vlorë bëjnë me dije se, pas dorëzimit të peticionit kundër zhvendosjes së zyrave në kryeqytet, punonjësit kanë marrë mbështetje nga zëvendësdrejtori i ASHK Vlorë Sokol Shehaj.
Megjithatë, sipas të njëjtave burime, pas kësaj mbështetjeje mësohet se zyrtari në fjalë është shkarkuar nga detyra, shkruan Euronews.al.
Ndërkohë, raportohet se ndaj 55 punonjësve të Hipotekës Vlorë po ushtrohet presion për përgatitjen e materialeve e drejt Tiranës. Punonjësit shprehen se kjo situatë ka krijuar pasiguri dhe tension, duke rrezikuar vazhdimësinë e punës së tyre në qytet.
Në shenjë reagimi, punonjësit kanë kërkuar ndërhyrje dhe mbështetje nga përfaqësuesit e zgjedhur, ndërsa kanë vendosur të pezullojnë përkohësisht punën, deri në sqarimin e situatës dhe marrjen e një zgjidhjeje të drejtë.
Ndërkohë, qytetarët të cilët janë gjendur sot përpara derës së kadastrës së Vlorës shprehen kundër vendimit për largimin e institucionit.
Me dokumentacione në duar ata thonë se ky vendim vetëm sa jua shton hallet dhe problemet. Sipas qytetarëve Kadastra duhet të qëndrojë në Vlorë dhe vendimi të rishikohet.
Shoferët e kompanive transportuese nga Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina po e vazhdojnë edhe më 27 janar bllokadën e tyre nëpër pikat kufitare për trafikun e mallrave.
Pas bllokimit të daljeve një ditë më parë, tani transportuesit i kanë bllokuar edhe hyrjet nëpër pikat kufitare të Ballkanit Perëndimor.
Shoferët janë duke bllokuar terminalet për mallra për shkak të ashpërsimit të procedurave për të hyrë në Zonën Schengen. Ata thonë se procedurat tani janë më të komplikuara dhe mund t’ua shkurtojnë kohën e qëndrimit në vendet e Bashkimit Evropian, shkruan Evropa e Lirë.
Ata po kërkojnë që qëndrimi i tyre në Bashkimin Evropian të rritet në katër muaj, në krahasim me tre që është tani, brenda gjashtë muajve.
Kompanitë transportuese kanë paralajmëruar që bllokadat do të zgjasin për shtatë ditë, përveç nëse gjendet një zgjidhje.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Markus Lammert, ka thënë më 26 janar se institucionet evropiane po punojnë në gjetjen e mundësive që t’ua lejojnë punëtorëve të disa profesioneve, përfshirë shoferët e kamionëve, që të qëndrojnë në Zonën Schengen më gjatë sesa e përcaktojnë rregullat aktuale.
“Ne jemi të vetëdijshëm se një numër i punëtorëve prej shteteve të treta, që nuk janë punëtorë ndërkufitarë, mund të kenë nevojë të qëndrojnë në Zonën Schengen për më shumë se 90 ditë brenda periudhës 180-ditore. Kjo përfshin profesionet me mobilitet të lartë, sikurse shoferët e kamionëve, por edhe atletët dhe artistët”, ka thënë mes tjerash Lammert.
Sipas tij, Bashkimi Evropian është i vetëdijshëm për shqetësimet e shprehura nga operatorët e transportit në rajon dhe është duke vëzhguar nga afër situatën, si dhe është në kontakt me partnerë të Ballkanit Perëndimor.
Ndikimi i bllokadave në tregun e Kosovës
Si importuese e shumë mallrave përmes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, Kosova pritet të ndjejë pasojat e protestave në qarkullimin e mjeteve të transportit.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, njëherësh udhëheqës i Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimor, thotë se Kosova nuk merr pjesë në protestë, pasi vendi nuk ka ende kompani logjistike që realizojnë transport të rregullt me vendet e BE-së.
Por, paralajmëron se efektet e saj do të ndihen edhe në Kosovë.
“Për shkak të bllokadës së kufijve, Kosova nuk do të mund as të eksportojë dhe as të importojë mallra”, thotë Rafuna për Radion Evropa e Lirë.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës për vitin e kaluar, vendi ka importuar produkte në vlerë prej mbi 7 miliardë eurosh në total, ose rreth 20 milionë euro në ditë - një sasi të madhe të tyre përmes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Vlera e eksporteve, ndërkaq, ishte rreth 942 milionë euro vitin e kaluar, apo rreth 2.6 milionë euro në ditë.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës u bëri thirrje institucioneve të vendit që të vihen në kontakt me BE-në për gjetjen e një zgjidhjeje.
Radio Evropa e Lirë kontaktoi Qeverinë në detyrë të Kosovës për këtë çështje dhe është në pritje të përgjigjes.
Nënkryetari i Shoqatës së Transportuesve të Mallrave nga Kosova, Besnik Aliu, thotë për Radion Evropa e Lirë se transportuesit në Kosovë përballen me sfida të ngjashme me kolegët e tyre në rajon, për shkak të sistemit EES.
Sipas tij, edhe pse në Kosovë janë të licencuar rreth 2.000 kamionë për transport mallrash, sektori mbetet i dobët në transportin ndërkombëtar, pasi shumica e importeve dhe eksporteve realizohen nga kompani të rajonit dhe BE-së.
“Nuk është e lehtë të gjesh shoferë për tregun e BE-së, sikurse gjenden për transportin brenda Kosovës apo në rajon”, thotë ai.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një vajzë është raportuar e zhdukur në Gjakovë.
Rasti është raportuar nga babai i saj.
“Gjakovë 29.12.2025-12:00. Më 26.01.2026 ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se vajza e tij është larguar nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për vendndodhje e saj”, thuhet në raport.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur një rast të vjedhjes së veturës në fshatin Komoran të Drenasit.
Rasti ka ndodhur, më 23 janar 2026.
“Ankuesi mashkull kosovar, më datë 26.01.2026 ka njoftuar se persona të panjohur i kishin vjedh veturën e tij nga servisi ku e kishte lënë për ta rregulluar”, thuhet në raport.
“Gjatë kontrollit në cilësi të provave materiale janë konfiskuar disa dokumente (kontrata) të cilat ndërlidhen me rastin, një armë e gjatë me një karikator me njëzet fishekë, dy llop-top, para si dhe dëshmi tjera relevante për rastin”, thuhet në raport.
Dy të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. /Telegrafi/
Tri banesa janë përfshinë nga flakët rreth orës 21:00 të kësaj të hëne në lagjen “Loni Dhamo” në qytetin e Lushnjës. Zjarri nisi në një nga banesat dhe më pas u përhap në dy shtëpitë ngjitur.
Si pasojë e flakëve dhe tymit, një vajzë 12-vjeçare u asfiksua dhe u dërgua në spital për ndihmën e parë, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën, raporton euronews.al.
Në vendngjarje erdhën menjëherë dy mjete zjarrfikëse të qytetit, të cilat lokalizuan flakët dhe parandaluan përhapjen e zjarrit në banesat e tjera.
Paraprakisht, dyshohet se shkëndija elektrike në një nga banesat ka qenë shkaku i zjarrit, ndërsa po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Zyra e Presidentes së Kosovës gjatë vitit 2025 ka pranuar gjithsej 60 kërkesa për falje të personave të dënuar.
Kështu bëri të ditur për Telegrafi, Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani.
“Prej tyre, gjatë vitit 2025 Komisioni për shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave për falje ka shqyrtuar 56 kërkesa për falje të personave të dënuar. Në këtë numër përfshihen edhe 17 kërkesa të bartura nga fundi i vitit 2024, kurse në pritje për shqyrtim nga Komisioni janë edhe 21 kërkesa tjera të cilat janë pranuar në këtë fundvit”, tha ai.
Sipas tij, Komisioni me konsensus ka vendosur që nga këto kërkesa, të rekomandohen për falje dy persona të dënuar, prej të cilëve Presidentja e Republikës së Kosovës ka falur një person, kurse personi tjetër, gjatë periudhës së shqyrtimit të rekomandimit të Komisionit ashtu siç përcaktohet me legjislacionin në fuqi, siç janë njoftuar personit në fjalë veçse i është aprovuar lirimi me kusht.
Kupina tutje shtoi se gjatë këtij viti, nuk ka pasur rekomandime tjera për faljen e personave të dënuar nga ana e Komisionit. /Telegrafi/
Shqipëria të martën do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të qëndrueshme.
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se moti parashikohet me kthjellime dhe vranësira kryesisht përgjatë relieveve malore të vendit.
Në orët e mesditës në jugperëndim të vendit reshje lokale shiu me intensitet të ulët.
Era do të fryjë me drejtim verilindje-veriperëndim me shpejtësi mesatare 7 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era me shpejtësi deri në 15 m/s.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një aksident me fatalitet ka ndodhur sot në dalje të qytetit të Gjakovës.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, Vlera Krasniqi, zyrtare për informimin në Policinë e Kosovës për rajonin e Gjakovës.
“Sot rreth orës 13:25, jemi njoftuar për një aksident trafiku të ndodhur në dalje të qytetit të Gjakovës, në rrugën ‘Dah Polloshka’ në drejtim Gjakovë–Prizren.
Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes po ashtu edhe ekipi i emergjencës mjekësore të cilët kanë konstatuar vdekjen e një personi, drejtues i automjetit, mashkull i moshës madhore rreth 81 vjeç”, tha ajo.
Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor është duke vazhduar me hetime deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Në koordinim me prokurorin e shtetit është iniciuar rast "Hetim i vdekjes" dhe trupi i pajetë është dërguar për ekzaminim mjeko-ligjorë. /Telegrafi/
Në Gjykatën Themelore në Prizren është duke u zhvilluar seanca për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj tre personave të dyshuar lidhur me rezultatet zgjedhore për kandidatët për deputet në zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit.
Burime të “Betimi për Drejtësi” kanë bërë të ditur se Prokuroria Themelore në Prizren, në seancën e parë të grupit prej 30 personash nga gjithsej 109 të ndaluar, ka kërkuar paraburgim vetëm për tre prej tyre, për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, nga neni 216 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Kërkesa është parashtruar ndaj kryesuesit me inicialet A.K. nga Lëvizja Vetëvendosje, O.Sh. nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe V.B. nga subjekti politik BD/AKK.
Sipas informacioneve të “Betimi për Drejtësi”, A.K., në cilësinë e anëtarit të ekipit të numërimit në disa vendvotime, dyshohet se ka shtuar, hequr apo fshirë vota apo nënshkrime, duke regjistruar në mënyrë të pasaktë rezultatet e zgjedhjeve.
Si rrjedhojë, A.K. dyshohet se ka falsifikuar rezultatet zgjedhore në gjithsej 378 vota.
Ndërkaq, O.Sh. nga AAK dyshohet se, në cilësinë e kryesueses së komisionit, ka falsifikuar votat dhe rezultatet zgjedhore.
“Duke regjistruar në mënyrë të pasaktë votat apo rezultatet e zgjedhjeve në dokumentet zgjedhore, në cilësinë e kryesueses së komisionit në vendvotimin 2041/02, ka hequr 69 vota dhe ka shtuar 25 vota, në diferencë prej 94 votash; ndërsa në vendvotimin 2049/02 ka hequr 21 vota dhe ka shtuar 45 vota, në diferencë prej 66 votash…”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e prokurorisë.
Po ashtu, i dyshuari V.B. nga subjekti politik BD/AKK dyshohet se, në cilësinë e kryesuesit të komisionit, ka regjistruar në mënyrë të pasaktë votat apo rezultatet zgjedhore në dokumentet përkatëse.
“…në vendvotimin 2012/02 ka hequr 242 vota dhe ka shtuar 204 vota, në diferencë prej 466 votash; ndërsa në vendvotimin 2017/01 ka hequr 529 vota dhe ka shtuar 260 vota, në diferencë prej 789 votash…”, thuhet në shpjegimet e prokurorisë.
Në anën tjetër, prokuroria pritet t’i drejtohet gjykatës edhe me kërkesën për caktimin e masës së ndalimit edhe për 20 kryesues të tjerë, në tri seanca të ndara.
“Betimi për Drejtësi” ka raportuar më herët se të ndaluarit janë nga të gjitha partitë politike: pesë nga Lëvizja Vetëvendosje, shtatë nga Partia Demokratike e Kosovës, katër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, katër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, një nga BD/AKK dhe një nga KDTP.
Ndërkaq, 86 komisionerët e tjerë pritet të lirohen pas përfundimit të masës së ndalimit policor prej 48 orësh.
Të shpeshta janë bërë vizitat e agjentëve të Byrosë Federale Amerikane e Hetimeve, FBI në Kosovë. Takime të shumta me zyrtarë të institucioneve të sigurisë po konsiderohen si sinjal i qartë strategjik për marrëdhëniet e avancuara të Kosovës me SHBA-të.
Sipas njohësve të sigurisë, qasja e tillë rrit qëndrueshmërinë dhe sigurinë e brendshme të Kosovës.
Drejtori i institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ka thënë për KosovaPress, se ky bashkëpunim konsolidon pozicionin e Kosovës në arkitekturën e sigurisë euro-atlantike.
Sipas Fetoshit, është një mesazh i drejtpërdrejtë që demaskon narrativen e Serbisë, e cila përpiqet në vazhdimësi ta paraqes Kosovën si burim destabiliteti në rajon.
“Në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm nga SHBA-të, ky është edhe një sinjal i qartë strategjik për marrëdhëniet e avancuara të Kosovës me SHBA-të, i cili e konsolidon pozicionin e Kosovës në arkitekturën e sigurisë euroatlantike dhe është përtej rritjes së kapaciteteve në luftimin e krimit dhe çfarëdo kërcënimi hibrid ndaj Kosovës dhe mesazh i drejtpërdrejtë që demaskon narrativen e Serbisë, e cila përpiqet në vazhdimësi ta paraqes Kosovën si burim destabiliteti në rajon”, ka thënë Fetoshi.
Fetoshi ka shtuar se një hap i tillë ka një rëndësi të madhe, duke pasur parasysh edhe ftesën e Presidentit Donald Trump që Kosova t’i bashkohet Bordit të Paqes për Gazën.
“Një rëndësi e shumëfishtë një hapi të tillë, i cili duhet të ndërlidhet në trajektoren e zhvillimeve ndërkombëtare për Kosovën, në çoftë se kemi parasysh edhe ftesën e Trump që Kosova t’i bashkohet bordit të paqes për Gazën dhe aktin e autorizimit të mbrojtjes kombëtare të SHBA, që e mbron në mënyrë eksplicite sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, gjithmonë në përputhje edhe me raportin e fundit të BE, i cili e konfirmon që Kosova mbetet e ekspozuar ndaj presioneve hibride të Serbisë, derisa Serbia kualifikohet si aktorë destabilizues për rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka shtuar ai.
Ndërsa, ish-inspektori i AKI-së, Burim Ramadani ka thënë se kjo forcon partneritetin e rrit ekspertizën në fushat kryesore të hetimeve dhe mbledhjes së informacionit.
“Është absolutisht lajm i mirë, i forcimit të partneritetit në parim dhe i rritjes së ekspertizës në substancë. Ideja është që institucionet e Kosovës, duke përfshirë edhe Policinë, e ka nevojë të domosdoshme dhe të vazhdueshme rritjen e ekspertizës në fushat kryesore të hetimeve dhe mbledhjes së informacionit në mënyrë që reagimi dhe planifikimi i operacioneve të jetë profesional edhe i pajisur mirë me informacion.. Sepse ndryshimi i formave të kryerjes së krimeve nënkupton edhe ndryshim të nivelit e ekspertizës që kanë institucionet e sigurisë, për të qenë të gatshëm që të hetojnë ato dhe investimi në hestuesi dhe në grumbullim të informacioneve është domosdoshmëri”, ka thënë Ramadani.
Byroja Federale Amerikane e Hetimeve, FBI, ka sjellë në Kosovë një agjent special dhe një analist të inteligjencës, të cilët do të angazhohen në bashkëpunim të drejtpërdrejtë dhe paralel me Policinë e Kosovës.
Policia ditë më parë njoftoi se ata janë pritur nga drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha.
Në njoftim thuhej se bashkëpunimi do të forcojë partneritetin strategjik dhe thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e hetimeve penale dhe inteligjencës, me qëllim të rritjes së sigurisë dhe luftimit efektiv të krimit.
“Takimi u fokusua në planet e bashkëpunimit të ardhshëm, forcimin e partneritetit strategjik dhe thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional. Të dyja palët riafirmuan përkushtimin për bashkëpunim të plotë dhe koordinim të vazhdueshëm në fushën e hetimeve penale dhe inteligjencës, me qëllim të rritjes së sigurisë dhe luftimit efektiv të krimit. Policia e Kosovës vlerëson lart mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve të sigurisë së SHBA-së, duke e konsideruar këtë bashkëpunim si shembull të shkëlqyer të partneritetit profesional dhe strategjik në shërbim të sigurisë së qytetarëve”, thuhet në njoftim. /kp/
Zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Prizren, Marcel Lekaj ka bërë të ditur se deri tani Gjykata ka pranuar katër kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 11 personave.
Ai në një deklaratë për media bëri të ditur se Gjykata ka formuar një grup punues, ku janë caktuar 4 gjyqtarë kujdestarë për të pranuar dhe trajtuar kërkesat.
“Deri në këto momente Gjykata Themelore në Prizren ka pranuar katër kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 11 personave. Në ora 14:00 është caktuar një seancë dëgjimore, në ora 15:00 seanca tjetër e radhës dhe jemi ende në pritje të pranimit të kërkesave nga Prokuroria Themelore në Prizren.
Ju njoftoj se Gjykata ka formuar një grup punuese, janë caktuar 4 gjyqtarë kujdestarë që janë në orë të kujdestarisë për të pranuar kërkesat për caktim të masave të sigurisë, bashkëpunëtorë profesionalë dhe staf administrativ mbështetës të cilët do të jenë sot dhe nesër në kujdestari për trajtimin e kërkesave brenda afatit kohor”, tha ai.
Sipas tij, deri tani nuk ka ndonjë pengesë procedurale.
Ndryshe, kryeprokurori i Prokurorisë Themelorë në Prizren, Petrit Kryeziu ka njoftuar të premten se janë ndaluar 109 të dyshuar nën dyshimin për manipulim të votave në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025.
Kryeziu gjatë konferencës për media ka thënë se të gjithë ata që kanë manipuluar me votat do të dalin para drejtësisë, ndërsa u tha se bëhet fjalë për mijëra vota të manipuluara dhe të falsifikuara
Sot, më 24 janar pritet të mbahet seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë ndaj 109 të arrestuarve, të cilët dyshohen për manipulim me vota në Komunën e Prizrenit në zgjedhjet parlamentare, të mbajtura më 28 dhjetor.
Në njoftimin e Gjykatës bëhet e ditur se seanca nis në ora 14:00.
Tashmë të dyshuarit kanë mbërritur në Gjykatë.
Ndryshe, kryeprokurori i Prokurorisë Themelorë në Prizren, Petrit Kryeziu ka njoftuar të premten se janë ndaluar 109 të dyshuar nën dyshimin për manipulim të votave në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025.
Kryeziu gjatë konferencës për media ka thënë se të gjithë ata që kanë manipuluar me votat do të dalin para drejtësisë, ndërsa u tha se bëhet fjalë për mijëra vota të manipuluara dhe të falsifikuara.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka gjetur armë, municion dhe granata dore në një shtëpi të braktisur në Zveçan.
Në njoftimin e Policisë bëhet e ditur se sot, më 24.01.2026, rreth orës 09:20, Policia e Kosovës, pas pranimit të informatave përmes rrugëve operative, në fshatin Joshevik, komuna e Zveçanit, gjatë kontrollit të një shtëpie të braktisur ka gjetur dhe sekuestruar armë, municion, granate dore, etj.
Më saktësisht janë gjetur:
1 armë automatike AK-47
1 pushkë gjysmë automatike dy tytëshe
10 karikatorë të zbrazët
6 karikatorë të mbushur me nga 30 fishekë
84 copë fishekë për pushkë automatike
14 copë fishekë për pushkë gjysmë automatike
1 rrip për fishekë
2 granata dore M50
Si dhe pajisje për pastrimin e armëve
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Policia thekson se deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka persona të arrestuar në lidhje me këtë rast.
Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe ndihmën e vazhdueshme, si dhe i inkurajon që çdo rast të dyshimtë apo veprim të kundërligjshëm ta raportojnë në numrin emergjent 192 ose në stacionin më të afërt policor.
“Vetëm përmes bashkëpunimit të ndërsjellë mund të sigurojmë një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët, pa dallim”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Zhvillimi i inteligjencës artificiale dhe përhapja e videove ‘deepfake’ po e çojnë dezinformimin në një nivel të ri rreziku, veçanërisht në periudha të ndjeshme si fushatat zgjedhore.
Kështu tha mes tjerash Aimona Vogli në “Përballje Podcast”.
Sipas saj, inteligjenca artificiale po përdoret gjithnjë e më shumë për të krijuar përmbajtje të manipuluara, përfshirë video dhe imazhe që duken autentike, por që në realitet janë të rreme.
"Kjo e bën gjithnjë e më të vështirë dallimin mes së vërtetës dhe manipulimit, si për publikun ashtu edhe për mediat".
Vogli theksoi se, ndonëse AI po shfrytëzohet edhe për zhvillimin e mjeteve të verifikimit, pala që synon të dezinformojë shpesh ecën më shpejt dhe përfiton nga algoritmet e rrjeteve sociale, të cilat favorizojnë përmbajtjet sensacionale dhe emocionale.
“Teknologjia nuk e ka mendimin kritik”, nënvizoi ajo, duke shtuar se ky mbetet avantazhi kryesor i gazetarëve profesionistë dhe i një publiku të edukuar medialisht.
“Pa verifikim dhe pa përgjegjësi editoriale, videot deepfake dhe përmbajtjet e gjeneruara nga AI rrezikojnë të manipulojnë opinionin publik dhe të dëmtojnë besimin në media”, ka deklaruar ajo shkruan Telegrafi.
Voglo apeloi që mediat dhe institucionet të investojnë më shumë në edukimin medial dhe në zhvillimin e mekanizmave për identifikimin e përmbajtjeve të rreme, për të shmangur përhapjen e dezinformimit në epokën e inteligjencës artificiale. /Telegrafi/
Ambasada Amerikane në Tiranë ka paralajmëruar qytetarët për protestën e sotme të opozitës.
Në njoftimin e publikuara në faqen zyrtare të ambasadës këshillon qytetarët amerikanë që të shmangin demonstratën, të kenë një plan emergjence dhe të kufizojnë shpërqendrimet si telefonat ose kufjet në publik, raporton A2cnn.
Sipas ambasadës amerikane protestat dhe tubimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situatat mund të ndryshojnë shpejt.
Protesta do të nisë sot në orën 17:00 në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, midis Sheshit Skënderbej dhe Sheshit Nënë Tereza, pranë Kryeministrisë.
Policia e Shtetit Shqiptar ka njoftuar se protestuesit mund të bllokojnë kryqëzimet në pjesë të ndryshme të qytetit të Tiranës, ndërsa pritet prani e shtuar e policisë, mbyllje rrugësh dhe ndërprerje të trafikut. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një shtetas i Shqipërisë është vet-plagosur në Prishtinë.
Rasti ka ndodhur të premten në ora 23:00 në rrugën “Bekim Fehmiu” në Prishtinë.
“Raportohet se është vet-plagosur me armë zjarri i dyshuari mashkull shqiptar shtetas i Shqipërisë. I njëjti është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, ku kanë konfiskuar një arme zjarri pistoletë me një karikator pa fishek”, thuhet në raport.
Lidhur me rastin janë intervistuar edhe dy të dyshuar meshkuj kosovarë dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt. /Telegrafi/