Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 December 2025Main stream

Dyshohet për cenim të lirisë së votimit dhe kanosje në Mitrovicë të Veriut

28 December 2025 at 10:47


Dy qytetarë kanë raportuar në polici një rast të dyshuar të cenimit të përcaktimit të lirë të votuesve dhe kanosjes, që ka ndodhur të shtunën në mbrëmje në Mitrovicë të Veriut.

Sipas informatave zyrtare, ankuesit kanë deklaruar se në intervalin kohor nga ora 18:55 deri në ora 18:59 të datës 27.12.2025 janë përballur me ushtrim presioni ndaj tyre, në lidhje me Zgjedhjet Parlamentare.

"Dy ankues kanë raportuar në lidhje me ushtrimin e presionit ndaj tyre për Zgjedhjet Parlamentare", thuhet në raportin e Policisë, përcjell Telegrafi.

Lidhur me rastin, autoritetet kompetente kanë njoftuar prokurorin e shtetit, ndërsa hetimet janë në zhvillim për të sqaruar rrethanat dhe për të identifikuar personat e përfshirë.

Policia ka bërë të ditur se do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për trajtimin e rastit dhe garantimin e ushtrimit të lirë të së drejtës së votës. /Telegrafi/

Vjedhje e rëndë në Ferizaj, grabiten armë, stoli ari dhe para të gatshme

28 December 2025 at 10:41


Një rast i vjedhjes së rëndë është raportuar të shtunën rreth orës 18:05 në Ferizaj, ku persona të panjohur kanë depërtuar në një shtëpi banimi dhe kanë vjedhur armë, stoli ari dhe para të gatshme.

Sipas informatave të para, nga shtëpia janë marrë një armë e gjatë, një armë gjuetie, një sasi stoli ari si dhe para kesh, ndërsa pronarit i është shkaktuar dëm material.

Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente, të cilat kanë nisur procedurat hetimore për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve.

Policia nuk ka dhënë ende detaje shtesë lidhur me rrethanat e ngjarjes apo vlerën e dëmit të shkaktuar.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që, nëse kanë informacione që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rastit, t’i raportojnë ato në stacionet policore përkatëse. /Telegrafi/

Hamza fton qytetarët që të dalin të votojnë

28 December 2025 at 10:11


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza i është drejtuar qytetarëve të vendit pasi që ushtroi të drejtën për të votuar.

Kreu i PDK-së ka ftuar qytetarët që të dalin të ushtrojnë të drejtën e tyre, për të përcaktuar se kush do të udhëheq me vendin në katër vitet e ardhshme.

“I ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që të votojnë sipas vullnetit të tyre dhe besoj që do të jetë një ditë e mirë”, tha Hamza.

“Pres që të jetë një rezultat i mirë dhe deri më tani është duke shkuar gjithçka mirë”.

Hamza u pyet nëse ka dëgjuar për ndonjë parregullsi: “Jo, deri më tani nuk ka dëgjuar për ndonjë incident dhe shpresoj që të shkojë mirë”. /Telegrafi/

Ambasadori britanik pas vizitës në KQZ: Profesionalizëm dhe gatishmëri për mbarëvajtjen e zgjedhjeve

28 December 2025 at 10:01


Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka vlerësuar lartë përgatitjen dhe profesionalizmin e institucioneve përgjegjëse për organizimin e procesit zgjedhor në Kosovë.

Në një postim të publikuar në Facebook, Hargreaves bëri të ditur se gjatë mëngjesit ka vizituar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ku nga afër është informuar për ecurinë e procesit dhe gatishmërinë institucionale.

“Një tjetër proces zgjedhor është duke u zhvilluar. Vizita ime sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve theksoi profesionalizmin dhe përgatitjen e stafit të KQZ-së, këshilltarëve, policisë dhe prokurorëve, të gjithë të gatshëm që dita e sotme të shkojë mbarë”, ka shkruar ambasadori britanik, përcjell Telegrafi.

Ai theksoi se në mbarë vendin janë të angazhuar shumë persona për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, duke e cilësuar procesin si një përpjekje të gjerë institucionale dhe qytetare.

“Ka kaq shumë njerëz të përfshirë në të gjithë vendin. I uroj Kosovës një tjetër demonstrim të suksesshëm të demokracisë”, përfundoi Hargreaves.

Procesi zgjedhor në Kosovë po përcillet edhe nga përfaqësues të misioneve diplomatike dhe vëzhgues ndërkombëtarë, të cilët kanë theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe transparente për forcimin e demokracisë në vend. /Telegrafi/


Vrasje në tentativë në Prishtinë, një person dërgohet për trajtim mjekësor

28 December 2025 at 09:57


Një rast i vrasjes në tentativë është raportuar mbrëmjen e së premtes në Sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë.

Sipas informatave zyrtare, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30, ku një mashkull është sulmuar me një mjet të mprehtë nga një person tjetër, po ashtu mashkull.

Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar menjëherë për trajtim mjekësor, ndërsa gjendja e tij shëndetësore nuk është bërë e ditur.

I dyshuari për rastin ndodhet në arrati dhe njësitë policore janë në kërkim të tij.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. /Telegrafi/

KQZ: Deri në ora 09:00 kanë votuar 1.75 për qind e qytetarëve

28 December 2025 at 09:12


Në Kosovë është duke u mbajtur procesi i votimit për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare.

Nga 9 shkurti, atëherë edhe kur ishin mbajtur zgjedhjet e rregullta, asnjëra parti nuk arriti të krijonte shumicën, duke quar vendin në bllokadë për mbi nëntë muaj.

Andaj, qytetarët u janë drejtuar edhe njëherë kutive të votimit, për të përcaktuar se kush do ta drejtojë vendin për katër vitet e ardhshme - derisa kjo është hera e katërt që qytetarët votojnë, duke llogaritur Zgjedhjet Lokale dhe balotazhin.

Komisioni Qendror Zgjedhor bëri të ditur në konferencën për media në ora 08:00, se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë, raporton Telegrafi.

Tani, ueb faqen e KQZ-së, janë bërë publike shifrat se sa kanë votuar nga ora 07:00 deri në ora 09:00.

Sipas Komisionit, dalja e qytetarëve deri në ora 09:00 është 1.75 për qind.

Komuna që prin me më së shumti dalje deri në këtë orë është Ranillugu, me 4.32 për qind. /Telegrafi/

KQZ: Të gjitha qendra e votimit janë hapur me kohë

28 December 2025 at 08:30


Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi ka mbajtur konferencë për media për të treguar rreth asaj se si ka nisur procesi i votimit në Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare.

Ai bëri të ditur se gjithçka ka nisur me kohë në të gjitha qendrat e votimit, ndërsa shifrat e para se sa kanë votuar nga ora 07:00 deri në ora 09:00, do të nisin të shfaqen pas orës 09:00, duke vazhduar më tej me përditësime.

“Në orët e hershme të mëngjesit, materiali zgjedhor, përfshirë fletëvotimet, është shpërndarë me kohë në të gjitha qendrat e votimit. Gjithashtu njoftojmë se, duke u mbështetur në informacionet e pranuara nga KQZ, procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës ka nisur në të gjitha qendrat e votimit në Republikën e Kosovës”, tha Elezi, raporton Telegrafi.

Ai shtoi se procesi i votimit po zhvillohet në 948 qendra të votimit, ndërkaq numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 999 mijë e 205 votues.

“Sot procesi i votimit do të zhvillohet në 948 qendra të votimit me gjithsej 2614 vendvotime, prej të cilave 910 janë qendra me 2557 vendvotime që do të mundësojnë votimin e rregullt dhe 38 qendra të tjera, nga 1 për secilën komunë, me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht”, potencoi Elezi.

Nga ora 09:00, në ueb faqen e KQZ-së, do t’i kemi shifrat e para për daljet e qytetarëve për të votuar në këto dy orët e para”.

“Pastaj do të vazhdojmë me orët e tjera, nga ora 11:00, për të vazhduar më tutje”, shtoi më tej ai. /Telegrafi/

Before yesterdayMain stream

Zogaj prezanton planin ekonomik: Rritje 5–7 për qind dhe investime kapitale

26 December 2025 at 15:51


Sipas Alban Zogajt, programi ekonomik i LDK-së synon rritje ekonomike prej 5 deri në 7 për qind gjatë katër vjetëve.

Ai ka deklaruar se buxheti i Kosovës do të arrijë në 5 miliardë euro në fund të mandatit të parë.

Zogaj ka shtuar se investimet kapitale do të jenë mbi 1 miliard euro në vit, ndërsa një nga vendimet e para do të jetë rritja e koeficientit të pagave.

Më poshtë mund të shihni mesazhin e kandidatit për deputet nga radhët e LDK-së (123), me numrin 22 në këto zgjedhje, dr. Alban Zogaj.


Institucioni i Avokatit të Popullit do të vëzhgojë zgjedhjet parlamentare më 28 dhjetor

26 December 2025 at 15:48


Institucioni i Avokatit të Popullit njofton se do të vëzhgojë procesin e Zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2025, që do të mbahen më 28 dhjetor, duke u fokusuar në respektimin e të drejtave të njeriut dhe standardeve demokratike të votimit.

Duke theksuar rëndësinë e monitorimit të pavarur dhe të paanshëm, IAP do të mbulojë të gjitha qendrat e votimit në vend.

“Përveç qendrave të zakonshme të votimit, do të vëzhgojmë edhe institucionet ku mbahen personat e privuar nga liria, shtëpitë për persona të moshuar dhe pa përkujdesje familjare, si dhe shtëpitë integruese në komunitet”, thuhet në njoftim.

IAP gjithashtu do të mbajë të hapur Zyrën Qendrore në Prishtinë gjatë gjithë ditës së zgjedhjeve, për të pranuar çdo ankesë lidhur me shkelje të të drejtave të garantuara me ligj.

“Qëllimi ynë është të sigurojmë një proces të drejtë dhe të paanshëm, ku çdo qytetar të ketë mundësinë të ushtrojë të drejtën e tij për votë në kushte të sigurta dhe të respektuara”, theksohet më tej.

Institucioni i Avokatit të Popullit bën thirrje që të gjitha palët të respektojnë ligjin dhe të bashkëpunojnë me vëzhguesit gjatë gjithë procesit zgjedhor, duke garantuar kështu një mbarëvajtje transparente të zgjedhjeve. /Telegrafi/


Bulliqi raporton para qytetarëve projektet dhe shpenzimet e vitit 2025 në Podujevë

26 December 2025 at 15:36


Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, zhvilloi një takim me qytetarë, ku prezantoi raportin e punës së Ekzekutivit për vitin 2025 dhe projektet që janë duke u realizuar.

Në fjalën e tij, Bulliqi theksoi se buxheti i vitit 2025, në vlerë prej 33,459,115 euro, është shpenzuar mbi 99 për qind. Ai prezantoi projektet kryesore që po vazhdojnë të realizohen, përfshirë ndërtimin e Pishinës Gjysmëolimpike në vlerë rreth 4 milionë euro, Qendrën Rezidenciale për të moshuar (2.5 milionë euro), Qendrën Multifunksionale (1 milion euro), Tregun e Gjelbër (1 milion euro), Kuzhinën Qendrore (700,000 euro) dhe ndërtimin e shkollave “Nuhi Gashi” në Bradash dhe “Jetullah Gashi” në Dobërdol, si dhe dy salla sportive.

“Te Drejtoria e Urbanizmit janë asfaltuar dhjetëra rrugë në qytet e fshatra dhe dhjetëra të tjera janë në proces. Përfshirë edhe rrugët e parapara në memorandumin me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, bëhet fjalë për 50 km asfalt në vlerë mbi 9 milionë euro”, tha kryetari Bulliqi.

Ai gjithashtu përmendi projektet në sektorët e Shërbimeve Publike, përfshirë kolektorin e ujërave të zeza, ndërtimin e urave, ndriçimin publik dhe rrugët me kubëza. Në kulturë, u përmend ndërtimi i aneksit dhe rinovimi i Teatrit “Avdush Hasani” si dhe ndërtimi i terreneve sportive. Në shëndetësi, investimet përfshinë blerjen e pajisjeve, furnizimin me barna dhe subvencionimin e 991 qytetarëve me sëmundje kronike, si dhe mbështetjen e OJQ-ve si Hendikosi, Autizmi dhe OFAP.

Në bujqësi, komuna ka dhënë subvencione për fermerë, furnizim me fidanë mjedrash dhe feferonash, ndërsa janë në proces dhënia e 162 mëshqerrave. Në arsim, u theksua ndërtimi i çerdheve, përmirësimi i katër shkollave me masa efiçiente në vlerë 698,728.80 euro, furnizimi me kabinete informatike dhe për shkencat natyrore, si dhe bursa për studentë. Zhvillimi ekonomik përfshin mbështetjen e bizneseve ekzistuese dhe startup-eve dhe rregullimin e hapësirave publike në fshatrat Kerpimeh, Sfeçël, Llapashticë dhe Dumnicë.

Pas prezantimit të raportit, kryetari Bulliqi hapi diskutimin me qytetarët, të cilët parashtruan kërkesat e tyre dhe morën përgjigje direkte nga kryetari.

“Ky takim është një mundësi për të diskutuar drejtpërdrejt me qytetarët dhe për të ndarë rezultatet e punës së Ekzekutivit në mënyrë transparente”, tha Bulliqi. /Telegrafi/


​Nesër votohet në 29 përfaqësi diplomatike të Kosovës në 18 shtete

26 December 2025 at 15:21


Më 27 dhjetor do të zhvillohet procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në 29 përfaqësi diplomatike të Kosovës në 18 shtete të ndryshme të botës.

Procesi i votimit do të nisë në orën 07:00 të mëngjesit në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Stamboll, e cila do të jetë përfaqësia e parë diplomatike që hap dyert për votim, ku janë të regjistruar paraprakisht 116 votues, raporton KosovaPress.

Pas Turqisë, votimi do të vazhdojë në 15 shtete të Evropës, ku janë të regjistruar gjithsej 17 mijë e 761 votues, përfshirë Gjermaninë, Zvicrën, Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Belgjikën, Norvegjinë, Austrinë, Suedinë, Slloveninë, Danimarkën, Italinë, Kroacinë, Holandën, Republikën Çeke dhe Hungarinë.

Në fund, procesi i votimit do të zhvillohet edhe në kontinentin amerikan, për 1 mijë e 310 votues të regjistruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada. Për këtë qëllim, do të hapen përfaqësitë diplomatike në Uashington, Nju Jork, Otavë dhe Toronto.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka deklaruar për KosovaPress se për votimin në përfaqësi diplomatike janë organizuar gjithsej 40 vendvotime.

“Më 27 dhjetor, procesi i votimit në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës do të zhvillohet në 16 ambasada dhe 13 konsullata, të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës. Nga 77,086 votuesit jashtë Kosovës, të drejtë vote në këto përfaqësi diplomatike kanë vetëm 19,187 shtetas të Kosovës, të cilët janë regjistruar paraprakisht dhe kanë përzgjedhur votimin fizik në këto 29 misione. Materialet zgjedhore janë dërguar në këto përfaqësi dhe ato janë gati për votuesit”, tha Elezi.

Ai ka bërë të ditur se në të njëjtën kohë kur përfundon votimi në përfaqësi diplomatike, do të përmbyllet edhe procesi i votimit përmes postës, i cili ka nisur rreth dy javë më parë dhe të gjitha votat e grumbulluara do të dërgohen në Kosovë për numërim.

“Para ditës së zgjedhjeve në Kosovë do të përfundojë edhe votimi jashtë vendit për rreth 57 mijë e 899 votuesit e regjistruar për të votuar përmes postës, proces i cili ka nisur më 16 dhjetor. Të gjithë këta votues, kanë pasur kohë 12 ditë që pakon me fletëvotim, të cilën e kanë pranuar nga KQZ, ta dërgojnë në ndonjërën nga kutitë postare të hapura në 23 shtete të ndryshme të botës, përfshirë dhe Kosovën. Fletëvotimet që i takojnë votimit në përfaqësi diplomatike dhe votimit me postë, do të tërhiqen dhe numërimi i tyre do të bëhet në Kosovë”, tha Elezi.

Sipas tij, është detyrim ligjor i KQZ-së që të gjithë shtetasit e Kosovës të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit të largohen nga lista e votuesve brenda Kosovës, e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve.

Ndërkaq, shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, por që nuk janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës, mbesin në listën e votuesve brenda Kosovës dhe mund të votojnë në vendvotimin e tyre, nëse ndodhen fizikisht në Kosovë në ditën e zgjedhjeve.

Trajnim sfidues në xhunglën e Belizes, pjesëtarët e FSK-së kthehen me aftësi të avancuara operative në kushte ekstreme

26 December 2025 at 15:11


Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti sot kontingjentin e pjesëtarëve të Operacioneve Speciale që përfunduan me sukses trajnimin intensiv në xhunglat tropikale të Belize, në bashkëpunim me njësitë Parashutiste të Ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Trajnimi, pjesë e programit përgatitor për operacione në mjedise të vështira dhe komplekse, kishte për qëllim zhvillimin e aftësive për mbijetesë, lëvizje taktike dhe operime efektive në kushte ekstreme.

Gjatë qëndrimit në xhungla, trupat u përballën me terren të dendur, klimë të ashpër dhe lodhje të vazhdueshme, duke testuar çdo aspekt të përgatitjes fizike dhe mendore.

Komandanti Jashari i përgëzoi pjesëtarët për performancën e treguar, duke theksuar rëndësinë e disiplinës, qëndrueshmërisë dhe bashkëpunimit në operacione të tilla,

“Ky trajnim sfidues dëshmon profesionalizmin dhe vendosmërinë e pjesëtarëve tanë, si dhe aftësinë për të vepruar në çdo mjedis operacional”, tha Jashari.

Sipas FSK-së, stërvitja e realizuar në Belize përforcoi bashkëpunimin ndërkombëtar dhe përgatitjen e njësive për sfida të ndryshme operative, duke kontribuar në avancimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në mjedise të vështira. /Telegrafi/


Inspektorati Policor publikon bilancin e vitit, mbi 100 kallëzime penale dhe 129 rekomandime për suspendim

26 December 2025 at 15:06


Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka përmbyllur vitin 2025 me një aktivitet të lartë në monitorimin dhe mbikëqyrjen e punës së Policisë së Kosovës, duke u përqendruar në forcimin e integritetit dhe transparencës së shërbimit policor.

Sipas të dhënave të publikuara nga IPK, deri më 26 dhjetor, janë pranuar dhe menaxhuar gjithsej 2,480 ankesa nga qytetarët. Nga këto, 1,753 janë trajtuar si shkelje disiplinore dhe janë përcjellë për hetime të mëtejshme në Drejtorinë për Hetime të Brendshme, ndërsa 717 ankesa janë shqyrtuar për dyshimin e veprimtarisë penale.

Drejtori i IPK-së theksoi se: “Krahasuar me vitin 2024, kemi pranuar mbi 20% më shumë ankesa, gjë që tregon fuqizimin e besueshmërisë së qytetarëve në institucionin tonë dhe transparencën që ne ofrojmë në menaxhimin e çështjeve të policisë”.

Gjatë vitit, IPK ka ndërmarrë një sërë veprimesh konkrete, duke përfshirë 47 arrestime (41 punonjës të PK-së dhe 6 qytetarë), 129 rekomandime për suspendim, 2 rekomandime për transfer, si dhe dorëzimin e 110 kallëzimeve penale dhe 36 raporteve të veçanta në prokurori.

IPK ka raportuar se veprat penale më të shpeshta të trajtuara këtë vit përfshijnë keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, keqpërdorim të autoritetit zyrtar, rrezikim të trafikut publik, lëndim të lehtë trupor dhe kanosje.

Gjithashtu, gjatë vitit janë realizuar 12 inspektime – pesë të rregullta dhe shtatë të jashtëzakonshme – nga të cilat janë dhënë 76 rekomandime për përmirësimin e performancës policore. Inspektimet kanë përfshirë menaxhimin e punësimeve dytësore, reagimin ndaj thirrjeve të qytetarëve, përdorimin e teknologjisë në trafik, administrimin e automjeteve të sekuestruara dhe trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe trafikimit me narkotikë.

IPK ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me qytetarët dhe institucionet lokale e ndërkombëtare, duke u përfshirë në partneritete rajonale dhe ndërkombëtare si Partneriteti Evropian Kundër Korrupsionit (EPAC), si dhe duke marrë pjesë në konferenca dhe punëtori të specializuara.

Në një prononcim zyrtar, drejtori i IPK-së shtoi: “Falënderim qytetarëve për bashkëpunimin. Ne mbetemi të përkushtuar në adresimin e shqetësimeve të qytetarëve dhe në zhvillimin e një shërbimi policor me integritet të lartë profesional dhe standarde evropiane”.

Raporti i plotë vjetor i IPK-së për vitin 2025 do të publikohet së shpejti, duke ofruar detaje shtesë mbi aktivitetet, inspektimet dhe masat e ndërmarra gjatë gjithë vitit. /Telegrafi/


Air Albania me licencë të pezulluar, por shitja e biletave “fantazmë” vazhdon

26 December 2025 at 14:56


Air Albania realisht sillet sikur nuk ekziston”, Kështu e përshkruan përvojën e tij Leonard Kurti, një qytetar që mbeti pa fluturim, pa sqarime dhe pa asnjë kontakt nga kompania ajrore muajin e shkuar, ndonëse kishte blerë biletë dhe ishte paraqitur në kohë në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.

Ai së bashku me një mik kishin bileta për fluturimin Tiranë–Milano Malpensa. Në momentin që mbërritën në aeroport, në tabelën e nisjeve zbuluan se fluturimi ishte anuluar.

“U detyrova të blej një biletë tjetër me Ryanair për Bergamo, vetëm që të mos humbisja një vizitë mjekësore”, tregon Kurti për Faktoje.al.

Pas anulimit, ai tentoi të kontaktonte kompaninë përmes dhjetra emaileve dhe telefonatave. “Zero komunikim,” thekson ai.

Në udhëtimin e tij të radhës, po në muajin nëntor, ai vuri re se Air Albania kishte anuluar sërish fluturimin e radhës. “Një situatë e papranueshme”, përfundon Leonardi.

Por situata e Leonardit nuk ishte një rast i izoluar. Dëshmitë e dhjetëra qytetarëve për Faktoje.al konfirmojnë se Air Albania i ka përsëritur anulimet e fluturimeve në mënyrë sistematike, duke lënë udhëtarët në mes të aeroportit pa asnjë shpjegimdhe as kompensim.

Edhe rrjetet sociale të kompanisë janë mbushur me ankesa. Dhjetëra qytetarë kërkojnë llogari për fluturime të anuluara në postimet ku komentet lejohen. Në disa raste, si një video e publikuar më 29 nëntor në Instagram, komentet janë bllokuar.

Ndalim ligjor i panjoftuar

I pyetur nga Faktoje.al Aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” pohon se nuk ka njoftim për ndërprerje fluturimesh nga Air Albania.

“Ne jemi lajmëruar vetëm në rastet e kancelimeve në mënyrë që të bëhet njoftimi i pasagjereve”, sqaron Ornela Bego për Faktoje.al.

Mirëpo, anulimet e përjetuara nga udhëtarët nuk janë probleme operacionale. Ato janë pasojë e një ndalimi ligjor që nuk është bërë publik.

Që prej 3 dhjetorit 2025, Air Albania-s nuk lejohet të fluturojë. Megjithatë, ky informacion nuk është bërë publik as nga kompania, as nga Autoriteti i Aviacionit Civil.

Faktoje.al konfirmoi se licenca e operimit të Air Albania është pezulluar më 3 dhjetor, për shkak të pezullimit të Certifikatës së Operatorit Ajror.

Në përgjigjen zyrtare, Aviacioni Civil sqaron se pezullimi nuk ka një afat fiks përfundimi, por varet nga përmbushja e detyrimeve të kompanisë, për të cilat është përcaktuar një afat 6-mujor por nuk bëhët e qartë se cilat janë. Kjo nënkupton që Air Albania duhet t’i përmbuyshë detyrimet deri më 3 qershor të 2026.

“Marrja e vendimit të AAC-së për pezullimin e licencës nënkupton pezullimin e transportit ajror të pasagjerëve, mallrave dhe postës”, sqaron Aviacioni Civil.

Air Albania nuk i është përgjigjur kërkesës për informacion deri në publikimin e këtij shkrimi.

Shitja e biletave vazhdon

Ndërkohë që licenca është e pezulluar, Air Albania vazhdon të shesë bileta online.

Prej nëntorit, kompania ka ndërprerë një numër të madh destinacionesh ku operonte prej vitesh, përfshirë Vienën, Brukselin, Athinën, Bergamon, Bolonjën, Romën, Trevizon, Veronën, Gjenevën, dhe Ankaranë.

Në faqen zyrtare sot shfaqen vetëm dy linja: Tiranë–Milano dhe Tiranë–Stamboll. Për të dyja destinacionet ofrohen ende bileta në shitje, me data që shkojnë përtej periudhës kur kompania ka ndaluar së fluturuari.

Faktoje provoi të blinte një biletë vajtje-ardhje nga Tirana në Milano për datat 8–10 janar, por, gjatë testimit, blerja nuk mund të përfundonte.

Të dhënat nga Flightradar tregojnë se fluturimi i fundit drejt Milanos është realizuar më 17 nëntor, ndërsa ai drejt Stambollit më 2 dhjetor.

Por pavarësisht biletave në shitje, të dhënat nga flightradar tregojnë se fluturimi i fundit nga operatori kombëtar i fluturimeve ajrore për Milano është bërë më 17 nëntor.

Ndërsa fluturimi i fundit me Stambollin ka si datë 2 dhjetorin.

Dështim institucional

Misioni i Autoritetit të Aviacionit Civil është garantimi i një mjedisi aviacioni në përputhje me standardet ndërkombëtare, përmes monitorimit të vazhdueshëm dhe ndërveprimit me operatorët.

Por në rastin e Air Albania, institucioni ia lë “topin në derë” kompanisë dhe duke shmangur përgjegjësinë direkte ndaj publikut.

“Autoriteti i Aviacionit Civil ka marrë vendimet përkatëse për pezullimin e Certifikatës së Operatorit Ajror dhe Licencës së Operimit, për të cilat është vënë në dijeni operatori. Në bazë të këtyre pezullimeve operatori ndërmerr në mënyrë të pavarur masat përkatëse sipas detyrimeve ligjore”, thotë AAC për Faktoje.al

Për ekspertin e ekonomisë Eduard Gjokutaj kjo situatë përbën rrezik të drejtpërdrejtë për qytetarët.

“Autoritetet përgjegjëse duhet të ndërhyjnë urgjentisht për të mbrojtur konsumatorët dhe kreditorët, ndërsa kompania rrezikon mbyllje definitive. Ky rast ilustron nevojën për mbikëqyrje më të fortë të sektorit ajror shtetëror”, shprehet Gjokutaj.

Ndërsa Iris Zanaj, me profesion programues, shton se dëmi ekonomik ndaj udhëtarëve mund të ishte shmangur me mbylljen e ëebit të kompanisë.

“Problemi është që ata ende shesin bileta online dhe kush e di se ç’dëm ekonomik po bëhët. Duhet t’i dërgohet një kërkesë AKEP të bllokojë domainin”, sqaron Zanaj.

Deri në publikimin e këtij artikulli, AKEP nuk i është përgjigjur interesimit tonë mbi Air Albanian.

Përfundim

E themeluar në shtator të vitit 2018 si kompania kombëtare e fluturimeve, “Air Albania” u prezantua si projekti ku shteti do të ishte garant i interesit publik me 10 për qind të aksioneve përmes Albcontrolit, 41 për qind në duart e “MDN Investment” dhe 49 për qind nga Turkish Airlines, partneri strategjik që sipas qeverisë do t’i jepte siguri juridike, financiare dhe teknike ndërmarrjes.

Por në fund të nëntorit, bordi i Turkish Airlines njoftoi shkurtimisht se kishte vendosur të shesë të gjitha aksionet e tij në Air Albania, pa dhënë shpjegime për arsyet e largimit.

Sot, Air Albania është një kompani hije. Aktive në QKB, por pa bilance financiare prej 7 vitesh. Në kërkim të pasagjerëve, por pa avionë në ajër dhe pa partnerin strategjik Turkish Airlines që e braktisi investimin pa shumë bujë.

“Ëndrra që mori krahë” siç e quajti dikur kryeministri Edi Rama, ka mbetur në pistë, duke lënë pas një faturë financiare dhe morale që, si gjithmonë, po e paguajnë qytetarët.

Nënkalimi në Kodrën e Trimave i nënshtrohet pastrimit gjeneral

26 December 2025 at 14:46


Drejtori i Mobilitetit, Donat Lushaku, ka njoftuar se sot po zhvillohet procesi i dezinfektimit të hapësirës në Nënkalimin te Xhamia e Llapit, në lagjen Kodra e Trimave, me përdorimin e mjeteve të parapara higjienike.

Sipas njoftimit, gjatë ditës së nesërme është planifikuar pastrimi gjeneral i nënkalimit me cisternë, me qëllim të përmirësimit të kushteve të higjienës dhe sigurisë për qytetarët.

Lushaku ka apeluar tek banorët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në këtë hapësirë dhe, nëse është e mundur, të shmangin përdorimin e nënkalimit deri në përfundimin e plotë të punimeve të pastrimit.

Institucionet komunale kanë theksuar se këto veprime po ndërmerren në kuadër të mirëmbajtjes së rregullt të infrastrukturës urbane dhe për garantimin e një ambienti më të sigurt për këmbësorët. /Telegrafi/


IKSHPK paralajmëron rritje të rasteve me grip, apel për vaksinim sezonal

26 December 2025 at 14:40


Instituti i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka ngritur alarmin për shtimin e rasteve me grip dhe infeksione respiratore në vend, duke theksuar se javët e fundit është vërejtur një rritje e ndjeshme e qytetarëve që kërkojnë trajtim mjekësor, përfshirë edhe raste që kanë përfunduar me hospitalizim.

Sipas të dhënave të grumbulluara nga instituti, sezoni i gripit ka hyrë në një fazë intensifikimi, çka po reflektohet me rritje të ngarkesës në shërbimet shëndetësore.

Në këtë situatë, IKSHPK u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shfrytëzojnë vaksinimin kundër gripit sezonal, duke e cilësuar atë si masën më të sigurt dhe më efektive për parandalimin e sëmundjes dhe komplikimeve që ajo mund të shkaktojë, përcjell Telegrafi.

Instituti thekson se, edhe pse sezoni i gripit ka nisur, vaksinimi vazhdon të jetë i dobishëm, pasi përhapja e virusit pritet të shtohet gjatë muajve në vijim.

Po ashtu, është nënvizuar se vaksina ndihmon në zvogëlimin e rrezikut për forma të rënda të gripit dhe ofron mbrojtje të veçantë për grupet më të ndjeshme, përfshirë të moshuarit, fëmijët, personat me sëmundje kronike, si dhe të gjithë qytetarët mbi moshën gjashtë muajsh që dëshirojnë të mbrohen nga gripi dhe pasojat e tij.

IKSHPK ka ftuar qytetarët që, së bashku me anëtarët e familjes, të drejtohen në qendrat e mjekësisë familjare për të realizuar vaksinimin kundër gripit sezonal. /Telegrafi/


Në QKUK realizohet me sukses një nga ndërhyrjet më të vështira torakale, hiqet me sukses një tumor me përmasa të mëdha

26 December 2025 at 14:35


Në Klinikën e Kirurgjisë Torakale të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është realizuar me sukses një ndërhyrje kirurgjikale tejet komplekse për largimin e një tumori intratorakal me përmasa të mëdha, rreth 13 me 10 centimetra.

Sipas njoftimit, pacientja R.B., e lindur më 1974, kishte qenë më herët nën trajtim nga kardiologët për probleme kardiake, të cilat më pas u vërtetua se ishin shkaktuar nga presioni i masës tumorale mbi zemrën, duke ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e saj normal, përcjell Telegrafi.

Pas kryerjes së ekzaminimeve të detajuara radiologjike dhe vlerësimeve të shumta mjekësore, ekipet shëndetësore vendosën që rasti të trajtohej përmes ndërhyrjes kirurgjikale.

Operacioni u realizua me sukses nga ekipi i specializuar i kirurgëve torakalë, në bashkëpunim të ngushtë me anesteziologët, instrumentarët dhe stafin mbështetës të klinikës.

Tumori, i cili kishte penguar funksionimin normal të mushkërive dhe zemrës, u hoq plotësisht gjatë ndërhyrjes kirurgjikale. Gjendja shëndetësore e pacientes pas operacionit është stabile, ndërsa ajo po vazhdon të monitorohet nga stafi mjekësor në përputhje me protokollet standarde të kujdesit post-operativ.

Nga QKUK theksohet se ky rast dëshmon nivelin profesional dhe kapacitetet e Klinikës së Kirurgjisë Torakale për trajtimin e rasteve të ndërlikuara, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit multidisiplinar në ofrimin e shërbimeve shëndetësore cilësore. /Telegrafi/


Abdixhiku: Brenda një mandati do të përfundojnë projektet kryesore rrugore në Kosovë

26 December 2025 at 13:50


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka prezantuar vizionin e partisë së tij për zhvillimin e infrastrukturës rrugore, duke theksuar se brenda më pak se një mandati qeverisës do të përfundojnë projektet kryesore rrugore në vend.

Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka deklaruar se LDK synon ta shndërrojë lidhjen rrugore mes qyteteve në një realitet të ri zhvillimor për Kosovën.

“Për më pak se një mandat, rrugët e Kosovës duhet të përfundojnë. Do të përfundojnë me ne!”, ka shkruar ai, duke shtuar se ekipet e LDK-së do të jenë të angazhuara vazhdimisht në terren për realizimin e këtyre projekteve.

Sipas tij, projekte si Unaza e Kryeqytetit, Autostrada e Anamoravës, si dhe magjistralet për Podujevë, Mitrovicë, Pejë dhe Gjakovë, duhet të përmbyllen si projekte kombëtare të zhvillimit.

“Sepse rrugët janë ekonomi, janë lëvizje, janë vende pune dhe jetë më e lehtë për qytetarët tanë”, ka theksuar Abdixhiku.

Kreu i LDK-së ka nënvizuar se Kosova ka nevojë për veprime konkrete dhe zhvillim të qëndrueshëm.

“Kosova ka nevojë për punë konkrete. Kosova ka nevojë për zhvillim. LDK do t’i përfundojë. Ky është plani ynë”, ka përfunduar Abdixhiku.

Deklaratat e tij vijnë në kuadër të prezantimit të prioriteteve programore të LDK-së, me fokus në infrastrukturë si shtyllë kryesore për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.


Rreth dy mijë pacientë në pritje për koronarografi dhe vendosjen e stentave në QKUK

26 December 2025 at 13:40


Dy ditë në javë, korridoret e Klinikës së Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) mbushen me dhjetëra pacientë që presin një vendim mjekësor me rëndësi jetike për ta - nëse do t’u kryhet koronarografia apo do t’u vendoset stenti.

Përpara tyre është një komision i përbërë nga mjekë dhe infermierë, i cili shqyrton dokumentacionin mjekësor, analizat dhe, kur është e nevojshme, kërkon ekzaminime shtesë, para se pacientët të përfshihen në listat e pritjes.

Koronarografia shërben për të identifikuar ngushtimet ose bllokimet në arteriet që furnizojnë zemrën me gjak, ndërsa stenti është një tub i vogël metalik që vendoset për të mbajtur arteriet e hapura dhe për të rikthyer qarkullimin normal të gjakut.

Sipas stafit të Klinikës së Kardiologjisë, aktualisht janë rreth 2 mijë pacientë që presin për këto shërbime, përfshirë edhe raste të regjistruara në muajt e parë të vitit 2024.

Një nga arsyet kryesore të këtij grumbullimi, sipas mjekëve dhe infermierëve me të cilët bisedoi REL-i, është mosfunksionimi i disa aparaturave për së paku dy muaj gjatë këtij viti.

Ngarkesën e ka shtuar edhe fluksi i madh i pacientëve nga komunat e Kosovës, përfshirë ato ku më herët janë kryer ekzaminime të tilla, si dhe numri i madh i referimeve nga klinikat e tjera brenda QKUK-së.

Stafi, megjithatë, siguron se rastet urgjente trajtohen menjëherë dhe nuk mbeten në listat e pritjes.

R. Shala nga Mitrovica e Jugut ishte më 18 dhjetor në mesin e pacientëve që prisnin në korridoret e Kardiologjisë për një termin për vendosjen e stentit.

“I kam vendosur 12 stenta - njëherë katër, njëherë gjashtë dhe njëherë dy. Katër i kam vendosur në spital privat, të tjerat këtu, në QKUK. Terminin për koronarografi e kam bërë para më shumë se një viti dhe ende nuk më kanë thirrur. Erdha të interesohem, sepse kam probleme dhe nuk jam mirë”, tha Shala për Radion Evropa e Lirë, teksa mbante një grumbull dokumentesh në duar.

Edhe pacientë të tjerë thanë se nuk kishin marrë një datë të saktë për procedurën.

“Jo, nuk më caktuan datë. Vetëm më thanë se do të më thërrasin në telefon”, tha një burrë në të 40-at.

Pritjet e pacientëve për shërbime mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës - Fotografi ilustruese nga arkivi.

Në Klinikën e Kardiologjisë punojnë rreth 40 kardiologë, prej të cilëve afërsisht 12 janë kardiologë invazivë.

Ata kryejnë ekzaminime për identifikimin e ngushtimeve dhe bllokimeve në arteriet e zemrës, ndërhyrje për hapjen e arterieve të bllokuara, si dhe vendosjen e stentave.

Sipas të dhënave të klinikës, çdo ditë realizohen 10 deri në 13 koronarografi.

Këto procedura kryhen edhe në disa spitale private në Kosovë, por janë ndjeshëm më të kushtueshme krahasuar me sektorin publik.

Gjatë viteve të fundit, në QKUK janë realizuar investime në disa klinika, përmes fondeve qeveritare dhe donacioneve.

Për shembull, në Klinikën e Kardiokirurgjisë, për renovim, shtretër dhe hapësira të reja janë investuar vitin e kaluar 750 mijë euro, ndërsa në Klinikën Emergjente rreth 800 mijë euro.

Janë siguruar edhe aparatura të reja, përfshirë skanerin PET/CT për herë të parë, për diagnostikimin dhe menaxhimin e llojeve të ndryshme të kancerit dhe disa sëmundjeve të tjera.

Në Klinikën e Kardiologjisë, sipas mjekëve, investimet kanë qenë kryesisht infrastrukturore, pa blerje të pajisjeve të reja.

Megjithatë, ata thonë se materialet dhe barnat janë të mjaftueshme dhe se pacientët nuk kanë nevojë t’i sigurojnë vetë.

Problemi i listave të pritjes nuk kufizohet vetëm në Kardiologji.

Në Klinikën e Ortopedisë, pavarësisht ndërtimit të një objekti të ri dhe renovimeve, pritja për një protezë gjuri mund të zgjasë mbi tre vjet.

Pacientët, ndërkohë, detyrohen të blejnë shumicën e barnave dhe implanteve.

“Nuk kemi asnjë nga protezat e nevojshme, prandaj kemi numër të madh pacientësh. Aktualisht, ky numër shkon mbi një mijë”, tha një ortoped për REL-in, në kushte anonimiteti.

Në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, pritja për trajtimin e problemeve me venat tejkalon dy vjet e gjysmë, për shkak të mungesës së anesteziologëve dhe vendeve për hospitalizim, ndonëse gjatë vitit janë kryer rreth 500 ndërhyrje.

Në maj të këtij viti është përuruar rinovimi i Klinikës së Onkologjisë, ku trajtohen pacientët me lloje të ndryshme të kancerit, por me vetëm 60 shtretër, edhe aty ka shpesh pritje të gjata, ose mjekim të pacientëve në salla të improvizuara.

Në Klinikën e Oftalmologjisë, pritja për ndërhyrje kirurgjikale mund të zgjasë deri në nëntë muaj, varësisht nga lloji i operacionit.

Haki Hoti nga Gjilani, që kreu një operacion për katarakt më 18 dhjetor, i tha REL-it se kishte pritur rreth pesë muaj për këtë intervenim.

Në fillim të këtij muaji, Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) kërkoi një raport të detajuar për listat e pritjes.

Drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi, tha se tashmë ekzistojnë kushte, aparatura dhe medikamente për trajtimin e rasteve dhe se është caktuar një zyrë e veçantë për përpilimin e këtij raporti.

Për Bujar Vitinë, kryeredaktor i gazetës “Shneta”, që mbulon shëndetësinë në Kosovë, situata mbetet shqetësuese.

“Investimet milionëshe nuk i kanë ulur listat e pritjes. Duhet identifikim i pengesave reale dhe shpërndarje më e mirë e stafit, përfshirë orët shtesë të anesteziologëve”, tha ai për REL-in.

Sipas raportit të Zyrës së Auditorit Kombëtar, vitin e kaluar, QKUK-ja ka qenë e mbingarkuar me rreth 10 mijë pacientë në lista pritjeje, ndërsa pritja mesatare e tyre ka arritur në gati tre vjet.

Auditorët kanë vlerësuar se situatës i ka kontribuar mungesa kritike e personelit mjekësor, sidomos e anesteziologëve, që ka çuar në shtyrjen e operacioneve.

Me ankesat për kushtet e punës dhe pagat, mbi 100 mjekë largohen nga Kosova çdo vit, sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës.

Ministria e Shëndetësisë, e pyetur nga Radio Evropa e Lirë për listat e pritjes në QKUK, tha se menaxhimi i tyre është në kompetencë të SHSKUK-së.

Ndërkohë, tollovitë në QKUK nuk shkaktohen vetëm nga pacientët, por edhe nga shoqëruesit e tyre, të cilët shpesh, në mungesë të infermierëve, kryejnë edhe punë që nuk u takojnë.

Në disa reparte, mungesa e furnizimeve bazike - si sapunët apo çarçafët - mbetet gjithashtu e dukshme, duke nxjerrë në pah boshllëqe elementare në organizimin dhe mirëmbajtjen e shërbimeve.

E, këto probleme nuk janë të reja. Ato e shoqërojnë sistemin shëndetësor të Kosovës që nga paslufta, pavarësisht investimeve të herëpashershme, ndërrimit të qeverive dhe premtimeve të vazhdueshme për reforma.

Në vlerësimin e shumë profesionistëve të shëndetësisë, kjo nuk buron vetëm nga mungesa e resurseve, por edhe nga menaxhimi joefikas i kapaciteteve ekzistuese dhe planifikimi i dobët i shërbimeve. /REL/

Diora Bajrami emërohet nënkryetare e Gjykatës Themelore në Prizren

26 December 2025 at 13:15


Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka caktuar Diora Bajramin në pozitën e nënkryetares së Gjykatës Themelore në Prizren, gjatë vazhdimit të mbledhjes së tij të 357-të.

Vendimi është marrë bazuar në propozimin e Kryetares së Gjykatës Themelore në Prizren, duke vlerësuar përvojën profesionale, angazhimin dhe kontributin e deritanishëm të gjyqtares Bajrami në sistemin gjyqësor.

Sipas njoftimit të KGJK-së, mandati i nënkryetares përkon me mandatin e kryetares së gjykatës dhe fillon më 26 dhjetor 2025.

Emërimi i Diora Bajramit në këtë detyrë synon forcimin e funksionimit të Gjykatës Themelore në Prizren dhe rritjen e efikasitetit në ofrimin e shërbimeve gjyqësore për qytetarët, duke garantuar një qasje më të përgjegjshme dhe profesionale ndaj drejtësisë. /Telegrafi/


❌
❌