Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 January 2026Main stream

Prishtina diskuton vizionin e arsimit në Ditën Ndërkombëtare të Edukimit

23 January 2026 at 12:16


Komuna e Prishtinës organizoi aktivitetin “Arsimi në 10 vitet e ardhshme në Kryeqytet” me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Edukimit.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka theksuar se arsimi mbetet një nga prioritetet kryesore të kryeqytetit për vitet e ardhshme.

“Ne e shohim arsimin si një investim strategjik, pasi lidhet me shumë sfera të tjera të shoqërisë sonë: ekonominë, aspektin social dhe kulturor. Arsimi është investim për të ardhmen e Kosovës. Kemi investuar në mësimin tërëditor, në digjitalizimin e shkollave dhe në përmirësimin e infrastrukturës shkollore. Këto janë investime serioze që dëshmojnë përkushtimin tonë”, tha Rama.

Ai shtoi se prioritetet janë të qarta, duke nënvizuar se mësimi tërëditor do të vazhdojë të shtrihet në të gjitha shkollat e kryeqytetit, si dhe do të ketë avancim të mëtejmë të digjitalizimit në arsim.

“Synimi ynë është krijimi i një ekosistemi arsimor për të ardhmen e fëmijëve tanë, duke i përgatitur ata sa më mirë për tregun e punës”, theksoi Rama.

Ndërkaq, Drejtori i Arsimit në Prishtinë, Samir Shahini, foli për gjendjen aktuale të arsimit në kryeqytet, duke theksuar se arsimimi cilësor mbetet një nga prioritetet kryesore.

“Një nga sfidat me të cilat përballemi është ngarkesa në disa shkolla të zonave urbane, gjë që ndikon edhe në zgjerimin e mësimit tërëditor. Megjithatë, sistemi arsimor është në përmirësim të vazhdueshëm, gjë që po dëshmohet edhe përmes vlerësimeve ndërkombëtare dhe bashkëpunimit të shkëlqyer institucional”, tha Shahini.

Ai shtoi se mësimi tërëditor është një indikator i rëndësishëm i progresit, duke u shndërruar në model edhe për komunat e tjera të vendit, ndërsa shtoi se po punohet intensivisht që ky model të përfshihet edhe në shkolla të tjera.

Po ashtu, Shahini theksoi rëndësinë e investimit të vazhdueshëm në zhvillimin profesional të mësimdhënësve, si dhe sigurinë në shkolla, duke e cilësuar atë si një nga arritjet për të cilën Kryeqyteti ndjehet krenar.

Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit të Prindërve, Nexhmi Hoxha, vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit mes prindërve dhe drejtuesve të shkollave.

“Kemi vërejtur se në Prishtinë bashkëpunimi mes prindërve dhe shkollave është në rritje, ashtu si edhe roli i prindërve në proceset vendimmarrëse”, tha Hoxha.

Ndërkohë, edhe përfaqësuesit e nxënësve theksuan rëndësinë e përfshirjes dhe përfaqësimit të tyre në vendimmarrje, duke e konsideruar këtë si një faktor kyç për përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe mirëqenies në shkolla.

Ligjërata e Speciales me nxënësit në Prishtinë, Rama: Jam tejet i indinjuar, do të ketë masa ndëshkuese

23 January 2026 at 12:06


Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha sot se është tejet i indinjuar me rastin e së enjtes në Prishtinë, ku në Gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë u mbajt ligjëratë nga përfaqësues të Gjykatës Speciale dhe YIHR.

Rama theksoi se për këtë nuk ka pas leje, e as koordinim me Drejtorinë e Arsimit të Prishtinës e as me kabinetin e tij.

“...Prandaj, kemi vendosur me ndërmarr masa të menjëhershme, kemi diskutuar me drejtorin, Samirin dhe kushdo që e ka mundësuar një gjë të tillë pa marr leje, pa koordinim normal që do të ketë veprime ndëshkuese ndaj tyre”, tha ai.

Sipas tij, kjo nuk duhet të ndodh në institucione, pa marrëveshje dhe në këtë rast pa leje të drejtorit të arsimit apo të kabinetit të tij.

Ai tutje tha se gjërat të tilla janë të palejuara në kryeqytet dhe sidomos gjërat që kanë ndjeshmëri të lartë, raporton Telegrafi.

Ndërkaq, drejtori i Arsimit në Prishtinë, Samir Shahini njoftoi se Drejtoria ka dërguar një ekip në shkollë për të mbledhur informacione lidhur me organizimin e ligjëratës nga Gjykata Speciale në gjimnazin “Xhevdet Dodaj” në Prishtinë. /Telegrafi/

Donacion prej 25 milionë euro nga Emiratet e Bashkuara Arabe për spitalin e ri të Gjinekologjisë, ambasadori Hamiti jep detaje

23 January 2026 at 08:52


Ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Xhabir Hamiti ka bërë të ditur se kanë filluar përgatitjet fillestare për përzgjedhjen e lokacionit për implementimin e donacionit prej 25 milionë euro, të ndarë nga shteti i Emirateve të Bashkuara Arabe, për ndërtimin e Spitalit të Ri të Gjinekologjisë në Prishtinë.

Hamiti këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook.

Lexoni të plotë njoftimin e tij:

Një lajm i mirë nga Abu Dhabi për Spitalin e Ri të Gjinekologjisë në Prishtinë

Gjatë kësaj jave, i shoqëruar nga Këshilltari, z. Melhin Mahmuti, u prita nga Shkëlqesia e Saj, Dr. Noura Al-Gauthi, Zëvendëssekretare e Departamentit të Shëndetësisë – Abu Dhabi, e cila më informoi se, në bashkëpunim me Ministrinë tonë të Shëndetësisë, kanë filluar përgatitjet fillestare për përzgjedhjen e lokacionit për implementimin e donacionit prej 25 milionë euro, të ndarë nga shteti i Emirateve të Bashkuara Arabe, për ndërtimin e Spitalit të Ri të Gjinekologjisë në Prishtinë.

Gjatë takimit, po ashtu u njoftuam se ky Departament, gjatë këtij viti, do të fillojë procesin e rinovimit dhe pajisjes me teknologji të re mjekësore të Spitalit Sheikh Zayed në Vushtrri në shumë prej 7.5 milionë euro.

Me këtë rast, në emër të shtetit dhe popullit tonë, shpreha mirënjohjen më të thellë ndaj lidershipit të Emirateve të Bashkuara Arabe, në krye me Presidentin e vendit, Lartmadhërinë e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, si dhe ndaj popullit emiratas, për këto donacione të çmuara që kontribuojnë drejtpërdrejt në avancimin e kushteve të sektorit të shëndetësisë në Republikën e Kosovës. /Telegrafi/

Ivanka Trump ndan fotot nga Zvërneci, e shoqëron me këngën e njohur shqiptare

23 January 2026 at 08:05



Zvërneci dhe bregdeti i Vlorës kanë marrë vëmendje ndërkombëtare ditët e fundit, pasi Ivanka Trump ka zgjedhur t’i ndajë me ndjekësit e saj në rrjetet sociale.

Vajza e presidentit amerikan ka publikuar pamje nga natyra e jugut të Shqipërisë, ku deti, gjelbërimi dhe qetësia e zonës krijojnë një tablo mbresëlënëse.

Në videot dhe fotot e shpërndara, dallohet nga larg edhe ishulli i Sazanit, ndërsa gjithçka shoqërohet nga tingujt e këngës shqiptare “Luleborë”, që i jep një nuancë autentike gjithë përvojës.

Ivanka Trump qëndroi për tre ditë në Vlorë, ndërsa vizita e saj u mbyll me një takim zyrtar në Tiranë. Mbrëmjen e kaluar, ajo u prit në Kryeministri nga kryeministri Edi Rama.



Mot i paqëndrueshëm në Shqipëri

23 January 2026 at 07:26


Shqipëria të premten do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se moti parashikohet me vranësira si dhe intervale të herëpashershme me diell (kthjellime).

Po ashtu, reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët përgjatë ultësirës perëndimore dhe zonave bregdetare të vendit, ndërkaq lokalisht shtrëngata afatshkurtra.

Era do të fryjë me drejtim verilindje – juglindje, me shpejtësi mesatare 5 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi deri në 10 m/s.

Deti - Valëzimi forcës 1-3 ballë. /Telegrafi/




Sot vranët, temperaturat deri në 7 gradë

23 January 2026 at 07:10


Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot do të mbaj mot kryesisht i vranët.

IHK njofton se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -2 deri 1 gradë Celsius, ndërkaq temperaturat maksimale nga 3 deri 7 gradë Celsius.

Era do të fryjë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i juglindjes. /Telegrafi/

Yesterday — 22 January 2026Main stream

17:10 SHBA dhe Nigeria thellojnë bashkëpunimin e sigurisë mes shqetësimeve për lirinë fetare

By: Monika
22 January 2026 at 17:10

Shtetet e Bashkuara dhe Nigeria kanë zotuar thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, gjatë një takimi të nivelit të lartë të zhvilluar në Abuja. Bisedimet vijnë vetëm pak muaj pasi Uashingtoni e shpalli Nigerinë “vend me shqetësim të veçantë” për çështjet e lirisë fetare.

Zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Politike, Allison Hooker, deklaroi se vendimi i presidentit Donald Trump ka shërbyer si katalizator për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, veçanërisht në mbrojtjen e komuniteteve të cenueshme dhe luftën kundër grupeve ekstremiste.

“Që nga ajo ditë, dy vendet tona kanë bërë përparim të madh në partneritetin për të mbrojtur më mirë komunitetet e rrezikuara këtu në Nigeri.”

Nigeria ka qenë së fundmi në fokus të kritikave të administratës Trump, e cila ka akuzuar qeverinë nigeriane për dështim në mbrojtjen e të krishterëve, të cilët sipas Uashingtonit janë shënjestër e militantëve islamistë në veri të vendit. Në ditën e Krishtlindjeve, forcat amerikane kryen sulme ajrore ndaj luftëtarëve të Shtetit Islamik në veriperëndim të Nigerisë.

Nga ana e saj, qeveria në Abuja mohon çdo persekutim sistematik të të krishterëve, duke theksuar se operacionet ushtarake synojnë grupet islamiste dhe bandat e armatosura që sulmojnë si të krishterë, ashtu edhe myslimanë.

Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Nigerisë, Nuhu Ribadu, mirëpriti angazhimin e SHBA-ve për të përshpejtuar dërgimin e pajisjeve ushtarake të vonuara prej kohësh, përfshirë dronë, helikopterë dhe pjesë këmbimi.

“Ky bashkëpunim është zhvilluar me respekt të plotë për sovranitetin e Nigerisë.”

Ribadu shtoi se autoritetet nigeriane mbeten të përkushtuara për forcimin e drejtësisë dhe mbrojtjen e komuniteteve të prekura nga dhuna./mxh

16:55 Arktiku në fokusin e NATO-s, shqetësim për lëvizjet e Rusisë dhe Kinës

By: Monika
22 January 2026 at 16:55

Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali Alexus Grynkewich, ka ngritur alarmin për rritjen e bashkëpunimit ushtarak mes Rusisë dhe Kinës në Arktik, duke e cilësuar atë si një nga ndryshimet më shqetësuese të situatës së sigurisë në rajon.

Sipas tij, gjatë viteve të fundit është vërejtur një intensifikim i patrullimeve të përbashkëta detare dhe ajrore, përfshirë fluturime të përbashkëta të bombarduesve me rreze të gjatë veprimi.

“Kur rivalët apo kundërshtarët tanë të mundshëm rrisin bashkëpunimin e tyre ushtarak, kjo është diçka që ne duhet ta ndjekim me shumë vëmendje.”

Grynkewich theksoi se NATO nuk fokusohet vetëm te kërcënimet aktuale, por edhe te ato që mund të shfaqen në të ardhmen, duke nënvizuar nevojën për investime afatgjata në sigurinë e Arktikut.

“Disa nga masat që duhet të marrim në Arktik kërkojnë kohë, si instalimi i sensorëve të rinj dhe kapaciteteve të zbulimit. Ne po punojmë vazhdimisht për të forcuar praninë dhe qëndrimin tonë në këtë rajon.”

Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, kreu ushtarak i NATO-s u dha një mesazh të qartë qytetarëve të vendeve anëtare, përfshirë edhe Groenlandën.

“Angazhimi ynë kolektiv ndaj Nenit 5 mbetet i hekurt.”

Deklaratat vijnë në një kohë kur Arktiku po fiton rëndësi strategjike gjithnjë e më të madhe, për shkak të ndryshimeve klimatike dhe interesave gjeopolitike në rritje./mxh

16:47 Takimi me Zelenskyn, Trump: Shkoi shumë mirë!

By: Monika
22 January 2026 at 16:47

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ka zhvilluar një takim të mirë me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, por theksoi se ende ka rrugë për të bërë drejt përfundimit të luftës me Rusinë.
Duke dalë nga takimi i mbajtur në Davos, Trump u shpreh se prioriteti kryesor mbetet ndalja e konfliktit.
Trump refuzoi të japë detaje mbi përmbajtjen e bisedës me liderin ukrainas, duke theksuar se takimi ishte me dyer të mbyllura. Ai i shtoi për gazetarët se në këtë takim nuk ishte diskutuar për Bordin e sapokrijuar të Paqes.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, zyrtarë të administratës Trump pritet të takohen së shpejti edhe me presidentin rus Vladimir Putin, në përpjekje për të ndërmjetësuar një marrëveshje armëpushimi.
Presidenti amerikan e përshkroi procesin si të ndërlikuar dhe afatgjatë.
Takimet në Davos shihen si pjesë e përpjekjeve të reja diplomatike për ti dhënë fund një konflikti që ka shkaktuar mijëra viktima./mxh

16:35 Danimarka: Asnjë negociatë me NATO-n për sovranitetin e Groenlanda

By: Monika
22 January 2026 at 16:35

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, deklaroi se nuk ka pasur asnjë negociatë me NATO-n lidhur me sovranitetin e Greenlandës, duke hedhur poshtë zërat për përfshirjen e Aleancës në çështjen e statusit të ishullit.

Deklarata vjen pas disa javësh tensionesh, gjatë të cilave Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kishte kërcënuar me vendosjen e tarifave ndaj vendeve që kundërshtonin planet e tij për Greenlandën. Të enjten, Trump u tërhoq nga këto kërcënime dhe përjashtoi përdorimin e forcës, duke sinjalizuar se një marrëveshje kornizë për ishullin arktik mund të jetë pranë.

Tërheqja e Presidentit amerikan nga përdorimi i tarifave si mjet presioni u prit me lehtësim në Evropë, por situata mbetet ende e paqartë, ndërsa përplasja ka rrezikuar çarjen më të thellë të marrëdhënieve transatlantike në dekada.

Pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Donald Trump deklaroi se mund të arrihet një marrëveshje që të plotësojë kërkesën e tij për një sistem mbrojtës kundërraketor në Arktik dhe për akses në minerale strategjike. Sipas Trump, këto masa janë të nevojshme për të frenuar ambiciet e Rusisë dhe Kinës në rajon.

Nga ana e saj, Danimarka thekson se çështja e Greenlandës mbetet një temë sovrane dhe çdo diskutim do të zhvillohet vetëm në kuadër të marrëdhënieve mes Kopenhagës, Greenlandës dhe Uashingtonit./mxh

16:23 NATO rrit angazhimin në Arktik, Rutte: Siguria e rajonit prioritet

By: Monika
22 January 2026 at 16:23

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se Aleanca Atlantike do të rrisë angazhimin për sigurinë në rajonin e Arktikut, pas marrëveshjes kornizë të arritur me Presidentin amerikan Donald Trump për Greenlandën.

Në një intervistë për Reuters, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Rutte tha se NATO ka rënë dakord kolektivisht, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, që të forcojë praninë dhe mbrojtjen në veri.

“Si NATO, duhet të rrisim përpjekjet. Tani ushtria jonë do të nisë planifikimin dhe sapo të finalizohet, do të vendosim nëse vendimi merret në Këshillin e Atlantikut të Veriut apo në nivel komandues. Më e rëndësishmja është që Arktiku të jetë i sigurt.”

Rutte theksoi se të shtatë vendet anëtare të NATO-s që kufizohen me Arktikun – SHBA, Kanadaja, Danimarka, Finlanda, Suedia, Norvegjia dhe Islanda – janë plotësisht dakord për këtë nismë, ndërsa edhe vende të tjera aleate pritet të kontribuojnë.

Sipas tij, rezultatet e para të këtij angazhimi mund të shihen që këtë vit, ndërsa objektivi është që struktura e plotë e sigurisë të jetë gati në fillim të vitit 2026.

“Nuk kam asnjë dyshim që mund ta bëjmë këtë shpejt. Shpresoj për vitin 2026, madje herët në 2026, por dua që gjeneralët tanë të punojnë pa presion.”

Rutte sqaroi se gjatë takimit me Presidentin Trump nuk është diskutuar shfrytëzimi i mineraleve në Greenlandë, ndërsa negociatat specifike do të vazhdojnë mes Shteteve të Bashkuara, Danimarkës dhe autoriteteve të Greenlandës.

Ai theksoi gjithashtu se rritja e angazhimit në Arktik nuk do të ndikojë negativisht mbështetjen e NATO-s për Ukrainën.

I pyetur nëse aleatët mund t’i besojnë fjalës së Donald Trump, Rutte u përgjigj pa hezitim:

“Donald Trump mund të merret gjithmonë në fjalë. Ai është lideri i botës së lirë dhe po bën pikërisht atë që duhet për të forcuar NATO-n dhe për të garantuar sigurinë në Arktik.”

Presidenti Trump, nga ana e tij, deklaroi se SHBA nuk do të përdorë forcën për të ndjekur ambicien për Greenlandën dhe hoqi dorë nga kërcënimet për tarifa shtesë ndaj aleatëve europianë./mxh

16:15 Chiara Ferragni rikthehet fuqishëm në bashkëpunimin me markën ndërkombtare!

By: Monika
22 January 2026 at 16:15

Pss gjithë zhurmës të viteve të fundit, Chiara Ferragni ka shënuar rikthimin e saj në modën ndërkombëtare si imazhin e fushatës globale Guess për verën 2026, një bashkëpunim që vjen pas vendimit nga Gjykata e Milanos në çështjen e njohur si “Pandorogate”. Lajmi u bë publik më 20 janar 2026 nga marka e bashkëthemeluar nga Paul Marciano, vetëm pak më shumë se një javë pas mbylljes së procesit gjyqësor, pas tërheqjes së padive nga palët e dëmtuara.


Fushata, me një estetikë thelbësore dhe frymëzim të fortë nga vitet ’80, është realizuar nga Morelli Brothers. Në qendër të imazheve qëndron xhinsi: Ferragni e cila shfaqet topless dhe siluetë minimaliste, duke interpretuar shpirtin modern dhe të gjithanshëm të koleksionit. Krahas fotove kryesore, fushata përfshin edhe një seri prej rreth dhjetë imazhesh të menduara për rrjetet sociale, disa prej të cilave janë publikuar tashmë. Në to, influencerja dhe sipërmarrësja prezanton edhe aksesorët ikonikë të Guess, mes tyre çanta Camden, e konsideruar It bag e markës.

Partneriteti Guess/Ferragni përkon me 45-vjetorin e markës. Vendimi për bashkëpunim është marrë dhe konkretizuar përpara përfundimit të procesit gjyqësor, duke reflektuar lidhjen e gjatë dhe të konsoliduar mes Paul Marciano dhe Ferragni.

Ky nuk është bashkëpunimi i parë mes tyre. Në vitin 2013, në kohën e “The Blonde Salad”, platforma e lançuar në vitin 2009 nga Ferragni me ish-partnerin Riccardo Pozzoli, Chiara 22-vjeçare ishte protagonistja e Holiday Campaign të Guess. Videot e asaj kohe e tregonin energjike dhe plot ngjyra, duke ndryshuar pamje nën ritmin e këngës “Waves” nga banda britanike Blondfire.

Ndërsa marrëdhënia me Pozzoli përfundoi, miqësia me Marciano mbeti e fortë. Stilisti e kishte të ftuar speciale Ferragni-n në event e tetorit 2025 në Marrakech, ku morën pjesë mbi 800 të ftuar. Në një postim në rrjetet sociale, Marciano shkroi: “Chiara përfaqëson një grua që beson në veten e saj dhe ecën përpara me vendosmëri. E përkryer për këtë koleksion modern, të gjithanshëm dhe plot personalitet.”

Me këtë fushatë, Ferragni nis një kapitull të ri profesional, duke u rikthyer si fytyrë e një brandi ndërkombëtar pas anulimit të shumë kontratave komerciale gjatë periudhës së trazirave mediatike dhe gjyqësore. Rikthimi “nga xhinsi” shënon jo vetëm një zgjedhje stili, por edhe një sinjal rilindjeje për figurën e saj publike./mxh

16:07 Alba konflikohet me Limin dhe Dolcen, e ftojnë në vallëzimin intim!

By: Monika
22 January 2026 at 16:07

Last Updated on 22/01/2026 by Monika

Gjatë festës së organizuar nga “Vëllai i Madh” në shtëpinë e Big Brother VIP Kosova, është regjistruar një tjetër moment tensioni mes banorëve, kësaj radhe mes Alba dhe Dolce, ku në qendër të situatës ishte Limit.

Gjatë vallëzimit, Limi ka tentuar fillimisht ta afrojë Albën, duke e marrë nën krah, por ajo ka refuzuar këtë veprim.

Situata është ndërlikuar edhe më tej në momentin kur Dolce i ka bërë thirrje Albës që t’i bashkohej asaj dhe Limit në vallëzim, por Alba ka refuzuar sërish, duke kërkuar që të mos prekej me dorë.

Ky moment ka krijuar tension të dukshëm mes tre banorëve, duke u reflektuar edhe në reagimet e tyre të mëvonshme gjatë festës.

Situata mes Albës, Limit dhe Dolces vazhdon të mbetet e ndjeshme, veçanërisht për faktin se Dolce aktualisht është në një lidhje me Limin.

Nga ana tjetër, Alba ka shprehur më herët se ndihet e lënduar emocionalisht, duke parë ish-të dashurin e saj në një marrëdhënie me një banore tjetër brenda shtëpisë. Kjo ka ndikuar që çdo ndërveprim mes tyre të shoqërohet me tension dhe keqkuptime./mxh

Raportet mes tre banorëve mbeten një nga temat më të diskutuara të këtij edicioni, ndërsa publiku vijon të ndjekë me interes zhvillimet e radhës në Big Brother VIP Kosova./mxh

JUVENTUS – Juve, aksion i shpejtë në Stamboll për En-Nesyri: Ottolini shkon të negociojë me Fenerbahçen, të rejat e fundit

By: nik
22 January 2026 at 18:44

Misioni turk i Juventusit për Youssef En-Nesyri ka nisur zyrtarisht. Drejtori sportiv i bardhezinjve, Marco Ottolini, ka udhëtuar drejt Stambollit për të negociuar drejtpërdrejt me Fenerbahçen për transferimin e sulmuesit maroken në Torino. En-Nesyri është bërë tashmë objektivi kryesor i Juventusit për rolin e qendërsulmuesit të ri, pas vështirësive me çështjen Mateta. Ottolini gjithashtu do të…

Source

E doni Sazanin me investime amerikane apo ta coptojnë bandat shqiptare si Gjirin e Lalzit?

22 January 2026 at 16:52

Nga Kreshnik Spahiu    

Një pjesë e shqiptarëve janë shqetësuar nga përralla e “faljes së ishullit të Sazanit”.

Në thelb të kësaj fushate qëndron vendimi për të lejuar familjen Trump të investojë në një ishull të pabanuar, që sot shërben praktikisht si nevojtore publike për plazhistët që urinojnë kur shkojnë me anije për të kaluar disa orë plazh.

Sigurisht që Sazani ka mbetur i shkretuar, sepse sipërmarrësit shqiptarë nuk kanë kapacitete apo interes për të investuar një ishull që s’ka as energji elektrike dhe as ujë. Atëherë pse kjo histeri publike kundër një investimi të huaj?

“Shqipëria turistike”, po hyn në një fazë të re zhvillimi, ku kërkesa e huaj është shumë më e lartë se cilësia dhe kapaciteti i investimeve lokale. Për këtë arsye, investimet e huaja nuk janë luks, por domosdoshmëri.

Në dekadat e fundit, brigjet e Mesdheut janë shndërruar në një nga motorët më të fuqishëm ekonomikë të Europës. Në Itali, Greqi, Kroaci, Francë, Turqi, zhvillimi turistik nuk erdhi rastësisht. Ai ishte rezultat i një politike të qartë: hapjes ndaj kapitalit të huaj dhe përfshirjes së korporatave ndërkombëtare në ndërtimin e industrisë së turizmit.

A kanë kompanitë shqiptare fuqinë financiare, teknologjinë dhe përvojën për ta bërë këtë zhvillim të mundur?

Jo. Jo Turizmi bregdetar i nivelit të lartë është industri kapitale-intensive. Marina, aeroporte turistike, resorte luksoze, infrastrukturë ujore dhe energjetike kërkojnë investime kolosale. Sipërmarrësit lokalë, në shumicën e vendeve të Mesdheut, nuk kanë pasur kurrë kapacitet për projekte të kësaj shkalle.

Janë fondet ndërkombëtare, bankat globale dhe korporatat shumëkombëshe që kanë sjellë miliarda euro pa rënduar buxhetet publike. Greqia, Kroacia dhe Mali i Zi nuk do të kishin sot marina moderne, resorte ikonë dhe qytete turistike të reja pa kapitalin e huaj.

Një avantazh vendimtar janë markat globale që sjellin turistë të garantuar. Një hotel lokal, sado i bukur, nuk mbush dot qindra dhoma gjatë gjithë vitit.  Korporatat ndërkombëtare sjellin edhe standarde, profesionalizëm dhe cilësi. Një nga problemet tradicionale të turizmit lokal ka qenë mungesa e shërbimit cilësor. Investitorët e huaj sjellin menaxhim profesional, teknologji, trajnime dhe kulturë shërbimi.

Këto investime krijojnë mijëra vende pune, formojnë menaxherë të rinj dhe rrisin nivelin e gjithë industrisë.

Prania e markave luksoze rrit edhe prestigjin kombëtar. Një vend me resorte markash të famshme perceptohet ndryshe në tregjet ndërkombëtare dhe tërheq turistë me fuqi të lartë blerëse, investitorë të rinj dhe zhvillon turizëm 12 mujorë gjithë vitin.

Në shumë raste, shtetet e Mesdheut janë zhvilluar pa shpenzuar fonde publike, duke përdorur kapital privat ndërkombëtar.

Kjo nuk do të thotë përjashtim i sipërmarrjes vendase. Modelet më të suksesshme janë partneritetet mes kapitalit lokal dhe atij të huaj.

Fatkeqësisht, në 30 vitet e fundit një nga dështimet më të mëdha të Shqipërisë ka qenë pengimi sistematik i investitorëve të huaj. Berisha, Meta dhe Rama kanë favorizuar klientelën politike që u financonte fushatat, duke bllokuar investime serioze dhe duke e kthyer bregdetin në kantier pallatesh.

Në këtë errësirë, projekti i Sazanit është një nga të paktat drita jeshile. Ai nuk do të ishte thjesht një investim, por një standard i ri zhvillimi. Një Monte Carlo shqiptar në zemër të Mesdheut.

Është gati e pabesueshme të imagjinosh që Vlora e Ismail Qemalit të shndërrohet në një kryeqytet të elitave botërore mes Lindjes dhe Perëndimit. Por mos harroni: vetëm dhjetë vjet më parë, për në Vlorë udhëtohej katër orë mes gropave ku as karroca e Ismail Qemalit nuk do të kalonte dot.

Lërini amerikanët të investojnë në Sazan, përpara se ishulli të copëtohet nga bandat shqiptare, ashtu siç ndodhi me Gjirin e Lalzit.

Shqipëria s’ka nevojë që ishulli i vetëm të katandiset nga pazarxhinjtë shqiptar si Golemi, Shkëmbi Kavajës apo si Shëngjini…..

Mos u shtirni më patriot se Francezët, Spanjolët, Italianët apo Turqit të cilët bregdetin e tyre e kanë zhvilluar me investime të huaja dhe jo vetëm lokale.

Hetimet lidhur me rinumërimin e votave, kryeprokurori i Prizrenit pret në takim koordinatoren nacionale për zgjedhje

22 January 2026 at 13:59


Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka pritur në takim Koordinatoren Nacionale për Zgjedhje, Laura Pula dhe Menaxherin e projektit strategjik “Mbrojtja e votës”, Besim Kusari.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se takimi u zhvillua në ambientet e Prokurorisë së Prizrenit dhe temë e diskutimeve të këtij takimi ishte zhvillimi i hetimeve paraprake lidhur me mospërputhjen e votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet të Republikës së Kosovës në regjionin e komunës së Prizrenit.

Kryeprokurori i Prizrenit, informoi se pas evidentimit të mospërputhjeve të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet, në rajonin e komunës së Prizrenit, ku ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave, ka filluar grumbullimi i informatave të nevojshme sigurimi i provave relevante, që të vërtetohet kryerja e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin zgjedhor.

Gjatë këtij takimi u diskutua për angazhimin e Prokurorit të Shtetit lidhur me mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe vazhdimin e procesit të hetimit në drejtim të mbledhjes së provave dhe sigurimit të dëshmive të nevojshme. /Telegrafi/

Kosova pjesë e Bordit të Paqes, Abdixhiku: LDK i gëzohet këtij fakti historik, hap i madh drejt një kapitulli të ri

22 January 2026 at 13:41


Sot në Davos është themeluar Bordi i Paqes, i iniciuar nga presidenti amerikan Donald Trump, ndërkaq edhe Kosova është bërë pjesë e kësaj nisme.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ishte e pranishme në Davos ku së bashku me liderë tjerë mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit për themelimin e këtij Bordi.

E lidhur me këtë, ka reaguar lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili në një postim në Facebook shkruan se LDK e mbështet këtë hap të madh drejt një kapitulli të ri dhe i gëzohet këtij fakti historik.

Lexoni të plotë postimin e tij në Facebook:

Përfshirja e Kosovës në një iniciativë ndërkombëtare për paqen, të udhëhequr nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është një moment që tejkalon secilin lajm ditor.

Për një shtet që ka kaluar nga lufta në liri, falë edhe ndërhyrjes ndërkombëtare, prania në tryezat ku diskutohet paqja globale është edhe dëshmi, edhe përgjegjësi. Dëshmi e suksesit tonë, përgjegjësi për rolin tonë prej shtetit të ri. Është shenjë se Kosova nuk shihet vetëm si përfituese e paqes, por edhe si pjesë e saj.

Në një botë gjithnjë e më të fragjile, çdo hap i përbashkët me SHBA-të është hap që forcon sigurinë tonë kombëtare, thellon aleancat tona strategjike dhe e vendos Kosovën aty ku i takon; në anën e paqes dhe aleancave të drejta.

Lidhja Demokratike e Kosovës e mbështet këtë hap të madh drejt një kapitulli të ri dhe i gëzohet këtij fakti historik. Sepse sukseset e Kosovës janë arritje kombëtare para së cilave e me të cilat mburremi të gjithë. /Telegrafi/

“Zgjodha vajzën”, Rama tregon pse nuk ishte në Davos në themelimin e Bordit të Paqes

22 January 2026 at 12:50


Kryeministri Edi Rama tha se nuk ishte i pranishëm në ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes në Davos, për shkak se kishte zgjedhur të mikpriste në Shqipëri vajzën e Presidentit amerikan, Ivanka Trump.

“Ishte përpara një zgjedhjeje, t’i përgjigjesha ftesës së babait, apo të mikprisja vajzën. Dhe unë zgjodha vajzën”, u tha Trump deputetëve të opozitës, raporton A2cnn.

Ndryshe, sot në Davos presidenti amerikan Donald Trump dhe liderë tjerë nënshkruan themelimin e Bordit të Paqes.

Kurti: Historia e çlirimit të Kosovës është shënjuar nga njerëz dhe familje sikur e Shaban Jasharit

22 January 2026 at 12:40


Në 28 vjetorin e sulmit të dytë mbi familjen Jashari nga forcat serbe, kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se filmimet e shumta dhe fotografitë e mediave të bëra në Prekaz pas këtij sulmi, shërbejnë si dëshmi edhe sot për atë se çfarë ngjau më 22 janar 1998.

Kurti në një postim në Facebook shkruan se historia e çlirimit të Kosovës është shënjuar pikërisht nga njerëz kurajoz dhe familje të tilla sikur familja e Shaban Jasharit, që me aq vendosmëri dhe vetëdije u flijuan për liri.

Lexoni të plotë postimin:

Në 28 vjetorin e sulmit të dytë mbi familjen Jashari

Çdo 22 janar, e kujtojmë ditën e kësaj date të vitit 1998, kur policia serbe e sulmoi për herë të dytë familjen Jashari në Prekaz. Mëngjesin e hershëm të asaj dite, për gjysmë ore, një grup policësh serbë shtiu në breshëri predhash dhe armë automatike ndaj shtëpive të Shaban Jasharit. Duke e mbrojtur familjen dhe shtëpitë e tyre nga ky sulm kriminal, prej brenda shtëpive rezistuan me armë Shabani dhe djali i tij Hamza. Rezistenca e tyre i ktheu mbrapsht policët serbë, por nga plumbat e të shtënave të shumta, u plagosën dy vajza, Selvete dhe Iliriana Jashari.

Filmimet e shumta dhe fotografitë e mediave të bëra në Prekaz pas këtij sulmi, na shërbejnë si dëshmi edhe sot për atë se çfarë ngjau më 22 janar 1998.

Kjo ishte hera e dytë që familja Jashari në Prekaz ishte cak i aksioneve policore, pas aksionit të parë të 30 dhjetorit 1991, datë kjo që vite më pas do të nis të shënohet si Dita e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si më 1991 edhe më 1998, familja Jashari rezistoi e armatosur, duke u kthyer në shembull dhe simbol të rezistencës ndaj regjimit shtypës të Serbisë dhe luftës për çlirimin e Kosovës dhe lirinë e popullit.

Një muaj e gjysmë më pas, regjimi i Millosheviqit do të ekzekutonte një aksion shumëherë më të egër e më të gjerë ndaj familjes Jashari dhe tërë fshatit Prekaz, gjatë të cilit rezistenca e kësaj familje dhe e këtij fshati do të shënojnë kulmin e saj, duke frymëzuar mijëra njerëz që t’i bashkoheshin UÇK-së.

Historia e çlirimit të Kosovës, është shenjuar pikërisht nga njerëz kurajoz dhe familje të tilla sikur familja e Shaban Jasharit, që me aq vendosmëri dhe vetëdije u flijuan për liri.

Mes kujtimesh plot respekt dhe nderimesh të thella për familjen e Shaban Jasharit nga Prekazi i Poshtëm i Drenicës. /Telegrafi/


Ngufati nënën, një muaj paraburgim për të dyshuarin në Restelicë – Gjykata urdhëron t’i bëhet  ekzaminimi psikiatrik

22 January 2026 at 12:28


Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtarja e procedurës – Shpresa Emra, – ka caktuar masën e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një muaji, për të pandehurin Ferzidin Boza, për shkak të dyshimi të bazuar se ka kryer veprën penale ‘vrasje e rëndë’.

Në njoftim tutje thuhet se a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohen se është kryer vepra, brenda ambientit familjar, dhe duke marrë parasysh vendosmërinë e të pandehurit për të kryer veprën, me anë të ushtrimit të dhunës dhe ngufatjes ndaj anëtarit të familjes, andaj në këtë fazë caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.

Gjithashtu duke marrë parasysh edhe karakteristikat personale të të pandehurit, i dënuar më herët për vepra të ngjashme ku palë e dëmtuar ka qenë pikërisht viktima T.B., si dhe me qëllim të mbarëvajtjes së procedurës penale, ndaj të pandehurit do të urdhërohet ekzaminimi psikiatrik, Gjykata ka ardhur në përfundim se caktim i paraburgimit është i domosdoshëm për të siguruar prezencën e tij në procedurën hetimore e cila është në fazën fillestare”, thuhet në njoftim.

Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi i paraburgimit për të pandehurin është oportune dhe e nevojshme, për mbarëvajtjen e procedurës hetimore.

Gjithashtu Gjyqtarja e procedurës paraprake, me datë 22.01.2026, ka lëshuar urdhër për QKUK-në, Institutin e forenzikës psikiatrike të kryejë ekzaminim psikiatrik, në një kohë sa më të shpejtë që të jetë e mundur, por jo më gjatë se afati prej dy javësh nga dita e lëshimit të urdhëresës.

Dhe pas kryerjes së ekzaminimit, raporti dhe ekspertiza, ti dorëzohet Prokurorinë Themelore Prizren, dhe Gjyqtarit të procedurës paraprake. /Telegrafi/.

❌
❌