BRUKSEL – BE propozon ndalimin e eksporteve shtesë të teknologjive kritike të dronëve dhe raketave në Iran
BRUKSEL, 20 janar /ATSH/- BE-ja po përgatit gjithashtu sanksione të tjera ndaj personave që janë përgjegjës për shtypjen e vazhdueshme dhe brutale të protestave që kanë tronditur Republikën Islamike, tha sot presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, “Le Monde”.
“Evropa qëndron në solidaritet të plotë me gratë dhe burrat e guximshëm të Iranit që po rrezikojnë jetën e tyre për të kërkuar liri për veten e tyre dhe brezat e ardhshëm”, shkroi Von der Leyen në X.
“Sot, ne po propozojmë të ndalojmë eksportet shtesë të teknologjive kritike të dronëve dhe raketave”, shtoi ajo.
Protestat përbëjnë sfidën më të madhe për udhëheqjen iraniane ndër vite. Shkalla e plotë e goditjes ka dalë në pah në mënyrë të pjesshme, ndërsa Irani mbetet nën një mbyllje të gjerë të internetit që tani ka hyrë në ditën e 11-të.
Pavarësisht vështirësisë në aksesin në informacion, OJQ-ja e të Drejtave të Njeriut në Iran ka verifikuar 3 428 protestues te vrarë nga forcat e sigurisë.
“Autoritetet kanë vazhduar me arrestimet pas valës së demonstratave”, sipas medieve dhe monitoruesve vendas, pavarësisht presionit ndërkombëtar.
BE-ja tashmë ka sanksionuar disa qindra zyrtarë iranianë për goditjet ndaj lëvizjeve të mëparshme të protestave dhe mbështetjen e Teheranit për luftën e Rusisë në Ukrainë.
Blloku ka ndaluar gjithashtu eksportin në Iran, të një sërë komponentësh që mund të përdoren në prodhimin e dronëve dhe raketave të vendit. //a.i/
The post BRUKSEL – BE propozon ndalimin e eksporteve shtesë të teknologjive kritike të dronëve dhe raketave në Iran appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.