Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 December 2025Main stream

Turqia arreston 115 pjesëtarë të dyshuar të ISIS-it

By: Rovena
25 December 2025 at 19:34

Autoritetet turke kanë ndaluar 115 të dyshuar të Shtetit Islamik, pasi dyshohet se do të kryenin sulme gjatë Krishtlindjes dhe Vitit të Ri. Lajmi u konfirmua nga zyra e kryeprokurorit të Stambollit.

Bastisjet masive janë kryer në 124 vende të ndryshme të Stambollit, ku janë konfiskuar armë zjarri, municione dhe dokumente të dyshimta.

Zyrtarët kanë thënë se mbështetësit e IS-it kanë qenë duke planifikuar në mënyrë aktive sulme nëpër Turqi këtë javë, sidomos kundër atyre që nuk i përkasin besimit islam.

Ndërkohë, policia turke bëri me dije se po vijon puna për kapjen e 22 personave të tjerë.

Në 2025, dëshira e francezëve për emigrim në nivelin më të lartë

By: Rovena
25 December 2025 at 19:02

Në vitin 2025, dëshira e francezëve për t’u larguar nga vendi ka arritur nivel rekord. Sipas një studimi të Gallup-it të publikuar këtë javë, besimi në institucionet franceze ka rënë ndjeshëm këtë vit, ndërsa dëshira për t’u larguar nga Franca është rritur, raportoi “Euronews”.

Vlerësohet se më shumë se një e katërta e francezëve mendojnë të shpërngulen përgjithmonë jashtë vendit.

Kjo rritje e numrit të njerëzve që mendojnë të ikin, e paparë për gati 20 vjet, vjen pas një rënieje të ndjeshme të besimit në institucione dhe një klime politike që perceptohet si gjithnjë e më shqetësuese.

Sipas institutit, 27% e të rriturve në Francë thonë se do të donin të zhvendoseshin përgjithmonë jashtë vendit nëse do të kishin mundësi, nga 11% sa ishin vitin e kaluar. Besimi në sistemin gjyqësor (50%) dhe në institucionet financiare (42%) kanë rënë ndjeshëm.

Në frontin ekonomik, pesimizmi është i përhapur : 67% e francezëve besojnë se situata e tyre po përkeqësohet, krahasuar me vetëm 21% që e shohin atë duke u përmirësuar.

Që nga viti 2015, Franca ka qenë një nga vendet më pesimiste ekonomikisht të OECD-së, menjëherë pas Greqisë.

Sipas Gallup, lidhja midis mosbesimit institucional dhe dëshirës për t’u larguar është e qartë: gati gjysma e francezëve me pak ose aspak besim tek institucionet raportojnë se duan të largohen nga vendi, krahasuar me një përqindje shumë më të vogël midis atyre që ruajnë besim të lartë.

“Njerëzit duhet t’i afrohen besimit”/ Qosja: Askush s’duhet që të demoralizohet. Zoti nuk na braktis

By: Rovena
25 December 2025 at 18:28

Krishtlindja, një nga festat më të rëndësishme të krishterimit, përcjell çdo vit mesazhe shprese, besimi dhe bashkimi shpirtëror.

I ftuar në emisionin “Tirana Live” në ABC News, kleriku ortodoks At Dhimitër Qosja theksoi se kjo festë historike kujton se edhe në kohë të vështira askush nuk duhet të demoralizohet, pasi Zoti nuk e braktis njerëzimin dhe shpresa mbetet gjithmonë e gjallë.

“Besimtarët lutje dhe falenderime në Kishë. Nga komunikimi ynë duket që këto festat përcjellin gjithmonë një shpresë. Edhe Krishti erdhi në rrethana të vështira, prandaj duhet të forcojmë besimin shpirtëror. Besimtarët mblidhen në tryeza familjare, festat sjellin shpresë për njerëzimin.

Do donim që të kishim sa më shumë njerëz që i afrohen besimit nga ana praktike, por shohim njerëz nga ana tjetër që vazhdimisht kërkojnë shpresë dhe shpëtimtarë. Kjo festë është një ngjarje historike. Mesazhi kryesor është që askush nuk duhet që të demoralizohet. Ka shpresë, Zoti nuk na braktis. Dua të përcjell urimet e mia të përzemërta në çdo familje dhe person. Askush nuk duhet të ndjehet i braktisur nga hyjnorja dhe nga shoqëria”, tha At Dhimitër Qosja./abcnews.al

Sherr për motive banale në Korçë, një person i dëmtuar

By: Rovena
25 December 2025 at 18:14

Një sherr për motive banale është regjistruar ditën e sotme në lagjen nr. 7 të qytetit të Korçës. Sipas informacioneve paraprake, në konflikt janë përfshirë disa persona, ku si pasojë njëri prej tyre ka mbetur i dëmtuar.

Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila ka ndërhyrë për të qetësuar situatën dhe ka nisur veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Materialet i janë referuar organeve kompetente për veprime të mëtejshme.

Ngjarje e rëndë në Kinë/ Biçikleta elektrike përfshihet nga zjarri, postieri gati digjet i gjallë

By: Rovena
25 December 2025 at 18:12

Në Kinë, një postier u përball me një ngjarje tragjike kur biçikleta e tij elektrike u përfshi nga zjarri ndërsa ai po ecte. Ngjarja ndodhi papritmas, duke lënë burrin të mbuluar nga flakët dhe duke shkaktuar djegie në rreth 90 për qind të trupit të tij.

Ai u dërgua menjëherë në spital, ku mjekët po punojnë për të stabilizuar gjendjen e tij kritike dhe për të trajtuar djegiet e rënda.

Shkaku më i mundshëm i incidentit është një bateri me defekt e biçikletës elektrike. Sipas mediave lokale, objekti ishte blerë vetëm pesë ditë para ngjarjes, duke treguar se problemi mund të ketë qenë teknik dhe jo rezultat i përdorimit të gjatë.

Ngjarja ka ngjallur shqetësim të madh në publik, veçanërisht tek përdoruesit e biçikletave elektrike, pasi tregon rreziqet që lidhen me pajisjet elektronike dhe rëndësinë e kontrollit të sigurisë para përdorimit.

Autoritetet po hetojnë rastin për të përcaktuar saktësisht shkaqet dhe për të parandaluar ngjarje të ngjashme në të ardhmen.

Aksidentoi për vdekje një 65-vjeçar në Bulevardin “Bajram Curri”/ AMP arreston policin

By: Rovena
24 December 2025 at 22:55

Një efektiv policie është arrestuar nga AMP, si i dyshuar  për kryerjen e veprës penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Arrestimi i tij është bërë pasi pasditen e sotme ka aksidentuar me motor për vdekje një 65-vjeçar në Bulevardin Bajram Curri.

Fillimisht 65-vjeçari ka qenë i shtruar në spital, por nuk ka mundur tu shpëtojë plagëve të marra.

Si pasojë e këtij aksidenti i dëmtuar lehtë ka mbetur edhe efektivi i policisë./abcnews.al

Vigjilja e Krishtlindjes/ Mbahet Mesha e Shenjtë në Katedralen “Shën Shtjefni” në Shkodër

By: Rovena
24 December 2025 at 22:38

Në vigjilje të Krishtlindjes, në Katedralen “Shën Shtjefni” në Shkodër  kremtohet Mesha e Shenjtë, një nga momentet më të rëndësishme të kalendarit liturgjik për besimtarët katolikë.

Mesha solemne celebrohet nga Arqipeshkvi i Dioqezës Shkodër-Pult, Imzot Giovanni Peragine, në praninë e klerikëve, besimtarëve dhe qytetarëve që marrin pjesë në këtë ceremoni fetare me domethënie të veçantë shpirtërore.

Imzot Giovanni Peragine, Arqipeshkëv i Dioqezës Shkodër-Pult, gjatë predikimit u shpreh se ne i kemi zbukuruar shtëpitë, rrugët me drita, por ato ndriçojnë jashtë. Duhet të ndezim dritën brenda nesh dhe ajo dritë vjen përmes Krishtit të lindur.

Krishtlindja përfaqëson lindjen e Jezu Krishtit dhe përcjell mesazhe paqeje, dashurie dhe shprese, ndërsa kremtimi në Katedralen “Shën Shtjefni”, një nga objektet më të rëndësishme të kultit në veri të vendit, mbetet një traditë e rëndësishme për komunitetin katolik të Shkodrës dhe më gjerë.

Fshehur në ngarkesën me arra, sekuestrohen 435 kg kokainë në Itali

By: Rovena
24 December 2025 at 22:09

Në portin e Gioia Tauro në jug të Italisë është sekuestruar më shumë se 435 kg kokainë e pastër. Siç raportojnë mediat e huaja, pakot ishin fshehur brenda një ngarkese me 1 mijë çanta me arra.

Sipas dokumenteve të transportit, droga ka origjinë nga Amerika Latine dhe destinacion për Europën Lindore, ndërsa vlera e saj në treg do të kapte vlerën e rreth 70 milionë eurove.

Sekuestrimi vjen në kuadër të inspektimeve të intensifikuara të fundvitit në një nga portet më të ngarkuara të Evropës dhe përbën një nga rastet më të bujshme vitet e fundit në Gioia Tauro.

Policia e konsideron goditje të rëndësishme të ardhurave të organizatave kriminale, pasi porti vazhdon të jetë një pikë “kyçe” për trafikimin ndërkombëtar të drogës në Europë.

Yesterday — 24 December 2025Main stream

Kievi zbulon planin me 20 pika/ Eksperti: Ukraina kërkon garanci. Interesi më i madh i Rusisë integrimi në arenën europiane

By: Rovena
24 December 2025 at 21:50

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Andi Hoxhaj, pedagog në King’s College, tha se rruga drejt paqes në Ukrainë është më afër se kurrë, duke theksuar se vendi pritet të mos preket territoriallisht dhe kjo përbën një zhvillim pozitiv si për Ukrainën ashtu edhe për presidentin Volodymyr Zelensky.

I ftuar në emisionin “War Report” në ABC News, Hoxhaj nënvizoi se integrimi i Ukrainës në Bashkimin Europian deri në vitin 2028 shihet si një garanci alternative sigurie, në një kohë kur disa vende të BE-së kundërshtojnë anëtarësimin e saj në NATO, ndërsa garancia paqeruajtëse pritet të mbështetet nga Europa me SHBA-në në rolin e monitoruesit.

Thuhet që Ukraina nuk do të preket dhe kjo është diçka pozitive si për vendin ashtu edhe për Zelenskyn. Ukraina ka kërkuar gjithmonë që të ketë garanci në NATO, shikohet që Ukraina të bëhet pjesë e BE brenda vitit 2028 dhe kjo mund të jetë një garanci për të mbajtur Ukrainën.

Plani është goxha i qartë, ku thuhet se garancia paqeruajtëse do jetë nga europianët, kurse SHBA do jetë monitorues. Interesi më i madh i Rusisë është që të marrë një pjesë të atyre tokave që synon. Shumë vende të Bashkimit Europian janë shprehur kundër anëtarësimit të Ukrainës në NATO. Rusia ka objektiva të tjera, jo vetëm Ukrainën, do që të integrohet përsëri në arenën europiane.

Mendoj që rruga drejt paqes është shumë afër. Kjo është pjesë e një lojë të madhe gjeopolitike, që palët kërkojnë ta zgjidhin paqen në pak muaj”, tha Andi Hoxhaj.

“Ukraina fitues dhe humbës i madh”/ Prenga: Zelensky të pranojë humbjen e vogël, për të kursyer…

By: Rovena
24 December 2025 at 21:31

Gjenerali Dede Prenga, i ftuar në emisionin “War Report” në ABC News, ka komentuar zhvillimet e fundit të luftës në Ukrainë, duke theksuar se situata aktuale e vendit përfaqëson njëkohësisht një fitore dhe një humbje të madhe.

Sipas tij, çdo përpjekje drejt ndaljes së luftimeve do të thotë jetë të kursyera, si në front ashtu edhe mes civilëve, ndërsa paralajmëroi se mesazhet pesimiste mund të ndikojnë negativisht në moralin e ushtarëve. Prenga vlerësoi reagimin e presidentit Volodymyr Zelensky si pozitiv në kushtet e presionit të shtuar, por nënvizoi se një marrëveshje eventuale do të përbënte përfitim të padrejtë për Rusinë, në një kohë kur presionet ruse janë intensifikuar si në vijën e frontit, ashtu edhe në thellësi të territorit ukrainas.

Ai shtoi se Bashkimi Europian nuk është aktualisht në pozicion për të luajtur një rol vendimtar, duke theksuar nevojën për trysni më të madhe nga BE dhe SHBA për të shmangur humbje më të mëdha.

“Unë dua të besoj dhe të theksoj me forcë, se Ukraina në këtë rast është fitues i madh, por edhe humbës i madh. Fitorja do të thotë jetë të kursyera jo vetëm në frontin e luftës, por edhe në jetë të pafajshme. Nuk duhet të jepen lajme të tilla sepse jep motiv negativ në ushtarët në vijën e frontit. Unë e shikoj si një reagim pozitiv të Zelenskyt, në pozicionin mes presionit që ndodhet. Finalizimin e një marrëveshjeje unë e shikoj si një përfitim të padrejtë nga pala ruse.

Janë intensifikuar presionet në thellësi, por edhe në vijën e frontit të luftës nga ana ruse. BE për fat të keq nuk është në pozitë për të luajtur rol vendimtar. Në këto kushte do të thoja që BE dhe SHBA duhet të ushtrojë trysni dhe Zelensky duhet të pranojë një humbje të vogël, për të kursyer një humbje të madhe”, tha Dede Prenga./abcnews.al

SHBA-ja i jep më shumë kohë NIS-it serb për t’i shitur aksionet shumicë ruse

By: Rovena
24 December 2025 at 21:14

Zyra amerikane për Kontrollin e Pasurive të Huaja ia ka lëshuar një licencë Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), duke zgjatur afatin e bisedimeve për shitjen e aksioneve të Rusisë në këtë kompani serbe deri më 24 mars 2026.

Televizioni shtetëror i Serbisë, RTS, raportoi të mërkurën se vendimi i OFAC-t, megjithatë, nuk e autorizon NIS-in të punojë gjatë bisedimeve për ta gjetur një pronar të ri.

Duke e komentuar lajmin, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se për vendin e tij nuk do të thotë asgjë që pronarit rus i është dhënë afat shtesë.

“Derivatet janë të rëndësishme për ne”, tha Vuçiç.

Ai theksoi se për shkak të sanksioneve të SHBA-së ndaj NIS-it, Serbia është e detyruar të importojë sasi të mëdha karburanti çdo ditë dhe se problemi i furnizimit me energji duhet të zgjidhet shpejt.

Për shkak të pamundësisë për të importuar naftë të papërpunuar, Rafineria e Pançevës, e vetmja në vend dhe objekti më i rëndësishëm në pronësi të NIS-it, u mbyll më 2 dhjetor.

Qeveria serbe, e cila zotëron pak më pak se një të tretën e aksioneve në NIS, nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment në lidhje me lejen e OFAC-ut NIS-in të mërkurën. Kompania ruse Gazprom Neft zotëron 44.9 për qind të NIS-it dhe Gazprom 11.3 për qind.

Qeveria e Serbisë zotëron 29.9 për qind, ndërsa pjesa e mbetur u përket aksionarëve të vegjël dhe punonjësve. Zbatimi i sanksioneve amerikane ndaj NIS-it filloi më 9 tetor me qëllim që Rusia, siç njoftoi Uashingtoni, të mos jetë në gjendje t’i përdorë të ardhurave nga energjia për luftën në Ukrainë. SHBA-ja i ka kërkuar NIS-it ta largojë pronësinë ruse, nëse dëshiron t’i hiqen sanksionet.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha ditë më parë se Gazprom Neft kishte investuar më shumë se tre miliardë dollarë në NIS dhe se po zhvillohej një dialog me Serbinë për të zgjidhur problemet e kompanisë.

Zyrtarët hungarezë dhe serbë kanë thënë në muajt e fundit se MOL i Hungarisë dhe ADNOC nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) janë të interesuara ta blejnë NIS-in. Grupi MOL dhe ADNOC nuk iu përgjigjën një pyetjeje nga Radio Evropa e Lirë në lidhje me blerjen e mundshme të NIS-it. Industria Serbe e Naftës iu shit Gazpromit në janar 2008, si pjesë e marrëveshjes ndërqeveritare ruso-serbe për bashkëpunim në industrinë e naftës dhe gazit, për 400 milionë euro./REL

Tragjedia ajrore në Turqi, autoritetet përjashtojnë sabotimin: Dyshohet për defekt teknik

By: Rovena
24 December 2025 at 20:19

Shefi i Shtabit të Ushtrisë libiane, Mohammed Ali Ahmed al-Haddad, së bashku me shtatë persona të tjerë, përfshirë zyrtarë libianë dhe pjesëtarë të ekuipazhit, kanë humbur jetën në një aksident ajror pranë kryeqytetit turk, Ankara, njoftoi kryeministri libian, Abdul Hamid Dbeibeh.

Komunikimi me aeroplanin që transportonte delegacionin libian u humb pak pas ngritjes nga Aeroporti Esenboga i Ankarasë, me destinacion Tripolin. Sipas ministrit turk të Brendshëm, Ali Yerlikaya, mbetjet e avionit janë gjetur rreth dy kilometra në jug të fshatit Kesikkavak, në rajonin Haymana.

Avioni ishte një Falcon 50 me numër 9H-DFJ dhe pak para zhdukjes nga radarët ishte bërë një kërkesë për ulje emergjente, pa mundur të ristabillohej komunikimi.

Një zyrtar turk deklaroi për Al Jazeera se hetimet e para përjashtojnë çdo sabotim, dhe shkaku i aksidentit dyshohet të jetë defekt teknik.

Al-Haddad ishte shef i Shtabit të Ushtrisë libiane që nga shtatori 2020, emëruar nga Fayez Al Serraj, dhe konsiderohej një nga figurat më të rëndësishme ushtarake të qeverisë së Tripolit.

Ai kishte lidhje të ngushta me Turqinë, duke përfshirë vizita në anije lufte turke dhe marrëveshje të përbashkëta ushtarake.

Në vitin 2023 nënshkroi një marrëveshje me Italinë për trajnimin e forcave speciale libiane, ndërsa në 2024 u takua me drejtuesit e Africom për të diskutuar mbështetjen e unifikimit të ushtrisë libiane dhe forcimin e sigurisë kufitare.

Shpërthim dramatik i vullkanit Kīlauea Hawaii, lava ngrihet qindra metra në ajër

By: Rovena
24 December 2025 at 19:55

“Shatërvanë spektakolarë” lave të ndezur shpërthyen nga vullkani Kīlauea në Hawaii të martën, më 23 dhjetor.

Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), lava nga gryka jugore u ngrit deri në 420 metra në ajër, ndërsa nga gryka veriore arriti rreth 280 metra.

Ngjarja u klasifikua si Episodi 39 i aktivitetit vullkanik. Shpërthimi përfundoi papritur më 24 dhjetor, pas gati gjashtë orësh aktivitet të pandërprerë.

Gjatë kësaj kohe, vlerësohet se u hodhën rreth 10 milionë metra kub lavë.

Kīlauea është një nga vullkanet më aktivë në botë dhe po përjeton një periudhë shpërthimesh që ka rreth një vit që vazhdon.

VIDEO/ Përfshihet nga flakët një banesë në Vlorë

By: Rovena
24 December 2025 at 19:06

Një banesë është përfshirë nga flakët në zonën e Plazhit të Vjetër. Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë ndërhyrë për shuarjen e zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së tij në banesat përreth.

Fatmirësisht, nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta dhe pritet një verifikim i mëtejshëm nga autoritetet përkatëse.

“PD nuk motivon më”/ Artur Nura: Berisha si “aktor i serialeve turq”, vazhdon me moralin e vjetër

By: Rovena
24 December 2025 at 18:38

Analisti pranë ABC News, Artur Nura, ka komentuar zhvillimet në Partinë Demokratike gjatë emisionit “Tirana Live”, duke e krahasuar qasjen politike të Sali Berishës me një “serial turk” me motive të përsëritura dhe pa risi.

Sipas Nurës, Berisha nuk po arrin të sjellë figura të reja apo të motivojë elektoratin, ndërsa protestat e organizuara prej tij i cilëson modeste dhe pa ndikim.

Ai theksoi se interesat personale dhe përplasjet e brendshme po ndikojnë në strategjinë e opozitës, duke shtuar se raporti i Berishës me PD-në dhe qëndrimi i tij ndaj drejtësisë lidhen më shumë me ruajtjen e kontrollit mbi partinë sesa me synimin për të marrë pushtetin.

“Berishën e shikoj gjatë gjithë kohës me një film serial turk, në një kohë të caktuar me të njëjtat gjëra. Serial turk, me motive të vjetra dhe që nuk sjell asgjë. Me një protestë modeste të organizuar. Berisha nuk sjell më personazhe të rinj, nuk motivon më. Është vetëm një kafshë politike e PD. Berisha nuk ka mungesë koherence, por fërkim interesash, i intereson që të jetë në krye të PD.

Në mënyrë racionale flet për korrupsionin, organizon protesta. Ka një mungesë morali. PD-në e ka si një pronë të tij, sepse duke shkuar në proceset penale si lider i opozitës, kjo intereson atij, duke mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj drejtësisë, kjo i intereson Berishës jo që të marrë pushtetin. Salianji është pasqyra që i tregon Berishës ku ka qenë, kjo e shqetëson Berishën sepse i prish strategjinë e mbajtjes së opozitës, të PD-së. Salianji di të përballet me militantët dhe të mbledhë njerëz njësoj si Berisha”, tha Nura.

Kimioterapia në spitale rajonale/ Rama takon paciente në Onkologjik: Nuk do vijnë të gjithë në QSUT

By: Rovena
24 December 2025 at 18:18

Pacientët me kancer nuk do e marrin shërbimin e Kimioterapisë vetëm tek Onkologjiku por edhe në spitalet rajonale.

Gjatë një takimi në prag të festave me pacientë, mjekë dhe infermierë, kreu i qeverisë, nënvizoi rritjen e buxhetit me 50 milionë euro më shumë për shëndetësinë, ku një fond i posaçëm shkon për barnat onkologjike.

Kreu i qeverisë premtoi rritje të pagave për bluzat e bardha si dhe përfshirjen e inteligjencës artificiale në proceset e trajtimit të pacientëve.

Më herët, Rama inspektoi dhe kantieret e hapura në Qendrën Spitalore Nënë Tereza. Spitali i Kardiologjisë do të hapet në muajin mars ndërsa së shpejti do të nisë puna ndërtimin nga e para të pediatrisë infektive.

Kurse parkingu i ri prej 1400 vendesh, që përfshin platformë për uljen e helikopterëve të emergjencës apo ashensor për ambulancat do të hapet në shtator të vitit të ardhshëm.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit tërhiqet nga premtimi për të ndërtuar vendbanime në Gaza

By: Rovena
24 December 2025 at 17:47

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, u tërhoq nga një premtim të martën se Izraeli do të krijonte vendbanime në Gaza, pas kritikave se deklarata shkon kundër planit të paqes të udhëhequr nga SHBA-të për Rripin e Gazës.

Duke folur në një vendbanim izraelit në Bregun Perëndimor, Katz tha se “me ndihmën e Zotit”, Izraeli do të krijojë grupe pionierësh në Gazën veriore “në vend të vendbanimeve që u evakuuan”.

“Ne do ta bëjmë këtë në mënyrën e duhur, në kohën e duhur”, shtoi ai.

Videoja u përhap në mediat sociale dhe u kritikua gjerësisht. Orë më vonë, zyra e Katz lëshoi një deklaratë duke sqaruar se komenti i tij ishte bërë në një “kontekst sigurie”, duke përsëritur se Izraeli “nuk ka ndërmend të krijojë vendbanime në Rripin e Gazës”.

Deklarata e Katz bie ndesh me planin 20-pikësh të armëpushimit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe komentet e mëparshme nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili ka përjashtuar vazhdimisht pushtimin e Gazës. Ndërkohë, plani i armëpushimit i ndërmjetësuar nga SHBA-ja, kërkon tërheqjen pothuajse totale të forcave izraelite dhe nuk përmend vendbanimet izraelite në enklavë.

Një zyrtar amerikan që foli në kushte anonimiteti dënoi deklaratën e Katz: “Sa më shumë provokon Izraeli, aq më pak vendet arabe do të duan të punojnë me ta”. Uashingtoni pret që “të gjitha palët t’i përmbahen angazhimeve që kanë bërë” sipas planit të armëpushimit, shtuan ata.

Katz po i referohej njësive ushtarake Nahal që në të kaluarën u lejonin të rinjve të kombinonin aktivitetet pioniere me shërbimin ushtarak. Shumë nga postet e themeluara nga njësia vazhduan të evoluonin në vendbanime të plota.

Izraeli evakuoi vendbanimet e tij në Gaza dhe tërhoqi të gjitha trupat e tij sipas Çlirimit të vitit 2005.

Disa zyrtarë në koalicionin e ekstremit të djathtë të Netanyahut i kanë bërë më parë thirrje Izraelit të rindërtojë vendbanimet në Gaza, pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023 në Izraelin jugor dhe luftës pasuese Izrael-Hamas.

Natën e së martës, kolonët izraelitë sulmuan një shtëpi palestineze në Bregun Perëndimor të pushtuar, tha një zyrtar palestinez. Kolonët thyen një derë dhe një dritare dhe qëlluan gaz lotsjellës brenda një shtëpie në qytetin As Samu’.

Tre fëmijë palestinezë u desh të dërgoheshin me urgjencë në spital. Sulmuesit mbytën gjithashtu tre dele dhe plagosën katër të tjerë në stallë, sipas zyrtarëve. Një zyrë që dokumenton sulmet brenda një organi qeveritar palestinez, Komisionit të Rezistencës ndaj Murit dhe Vendbanimeve, publikoi pamje nga kamerat e sigurisë në të cilat shihen pesë kolonë të veshur me maska dhe rroba të errëta, disa të pajisur me shkopinj gome.

Policia thotë se po heton incidentin dhe shtoi se arrestoi pesë kolonë me dyshimin për hyrje pa leje në tokën palestineze, dëmtim të pronës dhe shpërndarje të sprejit me piper, në vend të gazit lotsjellës.

Netanyah: Izraeli do të shpenzojë 110 miliardë dollarë për të zhvilluar industrinë e pavarur të armëve në dekadën e ardhshme

By: Rovena
24 December 2025 at 17:20

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të mërkurën se Izraeli do të shpenzojë 350 miliardë shekelë (110 miliardë dollarë) për zhvillimin e një industrie të pavarur armësh për të zvogëluar varësinë nga vendet e tjera.

“Ne do të vazhdojmë të sigurojmë furnizime thelbësore ndërsa armatosemi në mënyrë të pavarur”, tha Netanyahu në një ceremoni për pilotët e rinj, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

“Nuk e di nëse një vend mund të jetë plotësisht i pavarur, por ne do të përpiqemi … të sigurohemi që armët tona të prodhohen sa më shumë të jetë e mundur në Izrael”, citohet të ketë thënë ai.

“Qëllimi ynë është të ndërtojmë një industri të pavarur armësh për shtetin e Izraelit dhe të zvogëlojmë varësinë nga çdo palë, përfshirë aleatët”, ka shtuar ai.

Ndërkohë ai akuzoi Hamasin të mërkurën për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, pasi një oficer ushtarak u plagos nga një pajisje shpërthyese në Rafah dhe Izraeli u zotua për hakmarrje.

Zyra e tij tha në një deklaratë se Hamasi duhet ta zbatojë plotësisht marrëveshjen e tetorit, duke vënë në dukje se ajo parashikonte largimin e grupit militant nga pushteti në Gaza, si dhe demilitarizimin dhe deradikalizimin e territorit.

❌
❌