Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 January 2026Main stream

Me ftesë të presidentit Trump, Osmani në Davos për ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes

22 January 2026 at 10:45


Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se ndodhet në Davos me ftesë të presidentit amerikan, Donald Trump për ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes.

Osmani në një postim në Facebook ka publikuar pamje nga Davos.

“Mirëmëngjes nga Davos, ku jemi me ftesë të Presidentit Trump, në ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes”, shkruan Osmani.

Ndryshe, një ditë më parë e para e shtetit ka publikuar edhe letrën e presidentit Donald Trump, përmes së cilës është ftuar Kosova që të jetë pjesë e Bordit të Paqes, si anëtare themeluese.



Por, çka është Bordi i Paqes?

Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka kontaktuar figura të ndryshme anembanë botës për t'u bërë pjesë e të ashtuquajturit "Bordi i Paqes" dhe në entitete të lidhura me të, të cilat synojnë të mbikëqyrin qeverisjen dhe rindërtimin në Gazën e pasluftës.

Shtëpia e Bardhë tha se do të ketë një bord kryesor, të kryesuar nga vetë Trump, një komitet palestinez teknokratësh, të cilët synojnë të qeverisin territorin e shkatërruar nga lufta, dhe një "bord ekzekutiv" të dytë që duket se është projektuar të ketë një rol më këshillues. /Telegrafi/

Një muaj paraburgim për Arianit Sllamnikun

22 January 2026 at 10:22


Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit Arianit Sllamniku, i cili dyshohet për kryerjen e dy veprave penale.

Nga periudha e papërcaktuar kohore e deri më datë 20.01.2026, në Gjilan, në rrugën “17 Shkurti”, në lokalin e regjistruar si ‘’Consulence’’, i pandehuri, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, pa kualifikim përkatës profesional, pa licencë dhe pa autorizime ligjore për ushtrimin e veprimtarisë mjekësore apo farmaceutike, përkundër se i vetëdijshëm se nuk posedonte kualifikime të posaçme dhe të domosdoshme sipas ligjit ka ushtruar veprimtari të kundërligjshme.

Në njoftim thuhet se Sllamniku në lokalin “Consulence” ka kryer trajtime mjekësore dhe vizita mjekësore e këshilluese kinse për shërimin e Autizmit duke përshkruar e rekomanduar përdorimin e terapive të ndryshme të pa verifikuara e të pa konfirmuara, përkundër se nuk ka pasur njohuri e as kualifikim për këtë fushë mjekësore, ashtu që pas raportimit të lajmit për ushtrimin e kësaj veprimtarie të kundërligjshme gjatë zbatimit të urdhër kontrollit UGJK nr.5/2026 nga NJHP në Gjilan, në lokalin “Consulence”, gjendet edhe një dëshmitar i cili pas marrjes së terminit kishte shkuar për tu konsultuar për trajtimin Autizmit, e po ashtu gjenden edhe medikamente të ndryshme mjekësore të cilat sekuestrohen.

Më këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Gjithashtu i pandehuri edhe përmes komunikimit elektronik nga llogaria e tij dhe përmes telefonit, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin për veprimtarinë farmaceutike dhe rekomandimet e OBSH-së, ka kryer eksperimente mjekësore duke rekomanduar terapi farmaceutike të pa verifikuar për probleme shëndetësore konkrete, ashtu që pas vizitave të drejtpërdrejta apo edhe kontaktit përmes komunikimit elektronik tek persona të ndryshëm, kryesisht fëmijë të prekur nga spektri Autik ka rekomanduar, përshkruar dhe udhëzuar marrjen e terapisë të pa verifikuar dhe të pa testuar kinse për largimin e metaleve dhe shërimin e Autizmit dhe në këmbim të këtyre shërbimeve pranon shuma të ndryshme të pagesave, i vetëdijshëm se terapitë e këshilluara nuk ishin të testuara në njerëz dhe për probleme të tilla shëndetësore e për të cilat nuk kishte njohuri bazike as për efektet anësore”, thuhet në njoftim.

Më këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “eksperimentet e kundërligjshme mjekësore dhe testimi i barërave” nga neni 257 paragrafi 1 të KPRK-së.

Gjyqtarja e procedurës paraprake ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit, duke i marrë për bazë të gjitha ato që u thanë më lart, masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Telegrafi/

Policia në Leposaviq gjen uniformë me simbole të Serbisë, municion dhe çanta ushtarake

22 January 2026 at 09:51


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në fshatin Llozno të Leposaviqit ka gjetur armëmbajtje pa leje, si fishekë, çanta ushtarake, uniformë me simbole të Serbisë.

Policia njofton se rasti ka ndodhur të mërkurën, në ora 18:00.

“Fsh. Llozno, Leposaviq / 21.01.2026-18:00. Policia gjatë patrullimit në rrugë ka hasur në disa gëzhoja të fishekëve të armës së gjuetisë. Gjatë kontrollit në tri shtëpi-pa banorë, si prova materiale janë gjetur dhe konfiskuar: 80 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm, një rrethatore, dy gëzhoja, disa çanta ushtarake, një uniformë me simbole të Serbisë, një maskë ushtarake, dy baza me barot për mbushje, një qese me sfera metalike, dy gota barot për mbushje të fishekëve, 140 kapsula për fishekë, tri vegla pune dhe disa gëzhoja të fishekëve”, thuhet në raport.

Policia bën të ditur se rasti nën hetime. /Telegrafi/

Reduktimet e rrymës, LDK mban konferencë për media

22 January 2026 at 08:03


Vendi ditët e fundit është përballur me reduktime të energjisë elektrike, ndërsa lidhur me këtë sot Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se do të mbajë një konferencë për media.

Ditë më parë lidhur me reduktimet e rrymës në Përballje Podcast ka falur Janina Ymeri nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ymeri theksoi se reduktimet e fundit, të cilat kanë prekur edhe Prishtinën, tregojnë se situata është shumë më e rëndë sesa po paraqitet zyrtarisht.

“Kur reduktimet e energjisë e prekin edhe Prishtinën, që zakonisht është zonë e privilegjuar për shkak të institucioneve dhe QKUK-së, atëherë duhet me u pyet çka po ndodh me pjesët tjera të vendit”, tha ajo.

Ajo po ashtu ka ngritur dyshime të drejtpërdrejta për përfitime tregtare nga importi i energjisë elektrike, duke përmendur kompani konkrete dhe shifra financiare.

Ymeri tha se importuesi më i madh i energjisë elektrike në Kosovë është kompania NOA.

“Kush po përfiton? NOA sepse është importuesi më i madh i energjisë elektrike.... ", deklaroi Ymeri, shkruan Telegrafi.

Duke folur për reduktimet e rrymës, Ymeri kritikoi ashpër mungesën e reagimit institucional.

“As kryeministri dhe as ministria në detyrë nuk kanë pasur asnjë reagim deri tash”, deklaroi ajo.

Sipas saj, heshtja institucionale është veçanërisht shqetësuese në një kohë kur, siç tha, rreth 50 për qind e konsumit po mbulohet përmes importit të energjisë elektrike. /Telegrafi/

Mot i paqëndrueshëm në Shqipëri, reshje shiu të herëpashershme dhe mjegull

22 January 2026 at 07:19


Shqipëria të enjten do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura si dhe intervale të herëpashershme me diell (kthjellime).

SHMU njofton se përgjatë ultësirës perëndimore dhe zonave bregdetare do të ketë reshje shiu të herëpashershme me intensitet kryesisht të ulët, ndërkaq këto reshje në periudha tepër afatshkurtra në formën e shtrëngatave.

Po ashtu do të ketë mjegull të dendur/mjegullinë në zonat luginore në orët e mëngjesit si dhe në momentin e reshjeve të shiut.

Në zonën e Alpeve reshje dëbore me intensitet të ulët kryesisht në orët e mëngjesit dhe ato të mbrëmjes vonë.

Era do të fryjë me drejtim verilindje – juglindje, me shpejtësi mesatare 7 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi deri në 16 m/s.

Deti - Valëzimi forcës 2-4 ballë. /Telegrafi/



Sot riga shiu, në viset e larta borë

22 January 2026 at 07:11


Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot në Kosovës do të mbajë mot i vranët dhe vende-vende me riga shiu, ndërkaq në viset e larta parashihen fjolla bore.

IHK njofton se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -3 deri -1°C, ndërkaq ato maksimale nga temperaturat maksimale 3 deri 5°C

Era do të fryjë nga juglindja 1-5m/s. /Telegrafi/

Yesterday — 21 January 2026Main stream

“Si të mbijetoni 5 ditë”/ Qeveria e Groenlandës publikon udhëzuesin për përgatitje në raste krize

By: E S
21 January 2026 at 22:00

Qeveria e Groenlandës ka publikuar sot në 21 janar broshurën “Përgatitu për krizën, mbijetoni pesë ditë”, e cila ofron këshilla të thjeshta dhe praktike sesi familjet mund të përgatiten për të përballuar vetë situata emergjente deri në pesë ditë.

Sipas njoftimit të qeverisë në Nuuk, hartimi i broshurës nisi vitin e kaluar, pas një serie ndërprerjesh të energjisë elektrike, disa të shkurtra e disa të gjata. Qëllimi është të forcohet siguria e popullsisë dhe të bëhet më solide përgatitja e shoqërisë në tërësi.

Broshura plotëson masat ekzistuese të përgatitjes dhe duhet të shihet si ndihmë për individët dhe si mbështetje për komunitetin. Ajo është realizuar në bashkëpunim midis ministrive, komunave, policisë së Groenlandës, Komandës Arktike dhe me kontributin e kompanive autonome. Këshillat janë diskutuar gjithashtu nga Komisioni i Përgatitjes së Groenlandës.

Ministri për peshkim, gjueti, bujqësi, vetë-mjaftueshmëri dhe mjedis Peter Borg, tha se broshura ka për qëllim, që banorët të jenë të përgatitur.

“Publikimi i broshurës me këshilla praktike dhe të thjeshta për familjet nuk do të thotë që presim një krizë. Ne e kemi përgatitur këtë për të marrë përgjegjësinë tonë dhe për të vepruar në kohë. Përgatitja sjell qetësi: kur mund të përballosh vetë situata emergjente dhe ke forcën për të ndihmuar të tjerët për disa ditë, bëhesh më i fortë.

Nëse ndjekim këto këshilla, do të bëhemi më të fortë si individë dhe si shoqëri. Popullsia mund të jetë e sigurt se mbrojtja jonë civile është gati dhe detyrat e saj do të kryhen nga profesionistë me njohuri teknike dhe përvojë, edhe në situata të jashtëzakonshme. Ne kemi një menaxhim efikas të krizave, përgjegjësi të qarta dhe bashkëpunim të fortë ndër-sektorial dhe ndër-autoritet”, tha ministri.

Groenlanda është kthyer në qendër të vëmendjes të debatit global. Presidenti i SHBA-ve Donald Trump ka thënë se Shtetet e Bashhkuara dëshirojnë ta blejnë ishullin arktik, ndërsa Europa ka reaguar ndaj Uashingtonit, duke ngrirë marrëveshjen tregtare.

“Përgjegjësit për 4 të vrarët në 21 Janar duhet të dalin para drejtësisë”, mbesa e Ziver Veizit me sytë nga SPAK

By: E S
21 January 2026 at 20:59

Ne duam të besojmë që SPAK-u do ta çojë çështjen e 21 Janarit deri në fund, sepse kjo është shpresa e fundit që kjo tragjedi mos të mbetet pa ndëshkuar.

Kështu deklaroi në “Studio Live“ me Ermal Qorin në Report Tv, Zamira Veizi, mbesa e Ziver Veizit, i cili ishte një prej protestuesve që u vra nga plumbat e shtetit teksa protestonte kundër Sali Berishës më 21 janar të vitit 2011, para Kryeministrisë në Tiranë.

“Kemi një dhimbje më të madhe për arsye të drejtësisë munguar. Jemi skeptikë se 15 vite ishin mjaftueshëm për të vendosur drejtësi, por ka qenë e munguar”,- tha ajo.

“Është SPAK-u, që është organi i zhveshur nga politika që duhet të marrë një vendim të paanshëm dhe transparent për këtë çështje”,- shtoi ajo.

Mbesa e të vrarit nga plumbat e shtetit vlerësoi gatishmërinë e mazhorancës së sotme për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe fakteve të masakrës së 21 janarit, ku në total u vranë 4 protestues, por theksoi zhgënjimin e saj për vonesën e dhënies së drejtësisë.

“Ne sigurisht që kemi pasur takime, sigurisht që mazhoranca është treguar e gatshme për të zbardhur këtë çështje. Kemi dëgjuar premtime, por fatkeqësisht ndodhemi pas 15 vitesh kur këto premtime nuk janë mbajtur. Drejtësia u premtua, por nuk u realizua, jemi në kushtet që nuk është vendosur në vend pas kaq shumë viteve”,- tha Zamira Veizi.

Mbesa e Ziver Veizit kërkon që pavarësisht vonesës 15-vjeçare, përgjegjësit e masakrës së 21 janarit duhet të dalin para drejtësisë dhe të ndëshkohen.

“Drejtësia nuk duhet të vonojë për 21 janarin. Është plagë e hapur jo vetëm për ne si familjarë, por për të gjithë shoqërinë. E vërteta duhet të dalë në dritë, përgjegjësit e asaj maskare duhet të dalin para drejtësisë, ky është mesazhi im”,- tha Zamira Veizi.

Detaje nga masat e jashtëzakonshme të sigurisë në Vlorë, Ivanka Trump ndërron makinën në çdo ndalesë

By: E S
21 January 2026 at 20:50

Vajza e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Ivanka Trump, ka mbërritur në Vlorë ditën e martë, në një vizitë që po shoqërohet me masa të forta sigurie dhe protokoll të pazakontë.

Mësohet se Ivanka Trump është akomoduar në një prej hoteleve luksoze në zonën e Ujit të Ftohtë, larg vëmendjes publike. Ndërkohë, gjatë lëvizjeve të saj në qytet, është zbatuar një strategji sigurie e rrallë për Vlorën: ndërrimi i automjetit në çdo ndalesë.

Kjo masë, sipas informacioneve në media, është marrë për të shmangur çdo rrezik të mundshëm dhe për të mos krijuar një itinerar të parashikueshëm, duke treguar nivel të lartë sigurie dhe diskrecioni.

Lëvizjet janë kryer në mënyrë të fragmentuar dhe pa paralajmërim, ndërsa çdo ndalesë është shoqëruar nga staf sigurie i specializuar.

“PD, forcë që simbolizon njerëzit guximtarë”, mesazhi i Tabakut nga foltorja: Do çojmë deri në fund rrugëtimin e nisur

By: E S
21 January 2026 at 20:42

Partia Demokratike ka vijuar turin e Foltoreve. Në fjalën e saj Jorida Tabaku theksoi se fokusi kryesor duhet të jenë shqetësimet e shqiptarëve.

Gjithashtu nënvizoi Partia Demokratike ka treguar se di t’i përgjigjet sfidave të kohës dhe se është e vendosur për të çuar rrugëtimin e nisur deri në fund.

“Duhet të flasim dhe të tregojmë guxim për të ndryshuar dhe përmirësuar Partinë Demokratike. Duhet t’i përgjigjemi sfidave që koha, duhet patjetër të fokusohemi të shqetësimet që kanë shqiptarët. Ne duhet t’i përgjigjemi sfidave të kohës, do të flasim për sistemin e kapur. A kemi gabuar ne? Po plot herë. A jemi rrëzuar? Po por jemi ngritur sërish në këmbë. Na duhet mbështetja juaj që këtë rrugëtim që kemi nisur ta çojmë deri në fund”, tha ajo.

Sekretari i NATO-s i del në krah Trump-it: Ka të drejtë! Duhet ta mbrojmë Arktikun nga Kina dhe Rusia!

By: E S
21 January 2026 at 20:25

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte i ka dhënë të drejtë presidentit amerikan, Donald Trump lidhur me mbrojtjen e Arktikut nga Kina dhe Rusia.

Në një panel në Forumin Ekonomik të Davosit, Rutte u shpreh se Kina dhe Rusia janë gjthnjë e më aktive në Arktik.

“Sigurisht, shoh që ka tensione të tilla për momentin. Nuk ka dyshim. Përsëri, nuk do të komentoj për këtë, por mund t’ju siguroj se e vetmja mënyrë për t’u përballur me këtë është, në fund të fundit, diplomacia e menduar mirë. Pra, deklaratat e mia nuk do të shtojnë asgjë këtu.

Dhe kur bëhet fjalë për Arktikun, mendoj se Presidenti Trump ka të drejtë, udhëheqës të tjerë në NATO kanë të drejtë: ne duhet ta mbrojmë Arktikun. Ne e dimë që rrugët detare po hapen. Ne e dimë që Kina dhe Rusia janë gjithnjë e më aktive në Arktik. Ka tetë vende që kufizohen me Arktikun. Shtatë janë anëtare të NATO-s, këto janë Finlanda dhe Suedia, Norvegjia dhe Danimarka, Islanda, Kanadaja dhe SHBA-ja. Dhe ka vetëm një vend që kufizohet me Arktikun jashtë NATO-s, ajo është Rusia.

Dhe do të argumentoja se ekziston një vend i nëntë, që është Kina, e cila është gjithnjë e më aktive në rajonin e Arktikut. Pra, Presidenti Trump dhe udhëheqës të tjerë kanë të drejtë. Ne duhet të bëjmë më shumë atje. Ne duhet ta mbrojmë Arktikun nga ndikimi rus dhe kinez. Dhe kjo është pikërisht ajo që ambasadorët e NATO-s vendosën të bënin në shtator. Ne po punojmë për këtë, duke u siguruar që, së bashku, do ta mbrojmë rajonin e Arktikut”, theksoi sekretari Rutte.

Sipas Rutte, pa presionin e Trump, shumë ekonomi të mëdha evropiane, përfshirë Spanjën, Italinë dhe Belgjikën, nuk do të arrinin objektivin e shpenzimeve prej dy për qind të GDP-së për mbrojtje në vitin 2025.

Ai përmendi gjithashtu Poloninë si një aleat të ngushtë të SHBA-së dhe vuri në dukje sfidat në prodhimin e pajisjeve ushtarake.

Ndërkaq, presidenti amerikan, Donald Trump mbajti një fjalim në Forumin Ekonomik të Davosit. Trump e nisi me kritika për Europën, ku u shpreh kontinenti i vjetër nuk po shkon në drejtimin e duhur.

Presidenti deklaroi se ka respekt për popujt e Groenlandës dhe Danimarkës, por sipas tij, vetëm SHBA-të mund të garantojnë sigurinë e tyre. Ai theksoi se kërkon negociata të menjëhershme për blerjen e ishullit arktik duke përjashtuar mundësinë e ndërhyrjes ushtarake.

Demokratët e degës nr.2 në Tiranë kritikojnë Berishën: Duhet të vlerësojmë figurat që marrin vota!

By: E S
21 January 2026 at 20:17

Kreu i PD, Sali Berisha zhvilloi foltoren e radhës në degën nr.2 në Tiranë. Pasi përfundoi fjalën e tij, Berisha u përball me kritika nga demokratët.

Një prej tyre i tha Berishës se PD nuk përfaqësohet nga figura të cilët kanë marrë vota, si Ilir Alimehmeti, i cili edhe pse ishte ndër më të votuarit, nuk u fut në Parlament.

“Politika së pari është përfaqësimi i interesave të grupeve të ndryshme shoqërore dhe kjo bëhet duke kandiduar njerëzit që i përfaqësuar këto interesa. Shoh me kënaqësi, në panel është zonja Tabaku, që u bë deputete falë votave personale në listën e hapur. Në PD ka edhe shumë njerëz të tjerë të aftë, që për mendimin tim, nuk janë vlerësuar mjaftueshëm. Keni zotin Alimehmeti, kni zotin Bardh Spahia, që vjen nga një familje e nderuar. E vetmja mënyrë që të rrimë të bashkuar, është duke vlerësuar këto figura që kanë arritur të fitojnë falë forcave të tyre”, theksoi ai.

Ndërkaq, një tjetër demokrat i vuri në dukje Berishës se me fjalimet që ai mban, kryeministri Edi Rama tallet. Demokrati i kërkoi Berishës të bëjnë greva.

“Për grevat që do bëjmë në datën 24 dhe të ardhmen, duhet një qëndresë. T’i vëmë kokën muhabetit, sa do rrimë, të ndërrohemi. Jo të ikim, të mbajmë fjalim dhe të ikim. Ai ashtu tallen me. Deputetët të shpërndahen, çfarë duhet këtu. Këtu kemi të nevojshëm vetëm Sali Berishën. E vumë një Lul Basha atje, liderin ta vëmë vetë, jo ta caktojmë me gisht“, u shpreh ai.

Humbi kontrollin e makinës dhe u përplas me shtyllën, aksidentohet i riu në Lezhë

By: E S
21 January 2026 at 20:08

Një aksident rrugor është regjistruar këtë të mërkurë në Lezhë.

Drejtuesi i një automjeti ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përplasur me një shtyllë ndriçimi, duke bërë që automjeti të përmbyset në rrugë.

Mësohet se makina drejtohej nga një i ri, i cili nuk ka pësuar dëmtime si pasojë e përplasjes së fortë.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, të cilat po kryejnë verifikimet e nevojshme për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit. Autoritetet po i nënshtrojnë drejtuesit të mjetit testit të alkoolit për të përcaktuar nëse ai ka qenë nën ndikimin e pijeve alkoolike në momentin e aksidentit.

Fatmirësisht, nga ngjarja nuk ka pasur persona të tjerë të lënduar apo kalimtarë të rastësishëm të përfshirë.

Ivanka Trump vrojton Zvërnecin për projektin strategjik, publikohen pamje

21 January 2026 at 14:11


Dhëndri dhe vajza e presidentit amerikan, Donald Trump ndodhen këtë të mërkurë në Vlorë.

Euronews Albania ka siguruar pamje ku duket Ivanka Trump në Vlorë.

Jared Kushner dhe bashkëshortja e tij kanë mbërritur të shoqëruar nga një delegacion në zonën e Ujit të ftohtë. Ata kanë zhvilluar për rreth 1 orë një takim me një studio arkitekturore ku do të diskutohet për mënyrën e realizimit të projektit, investimit në ishullin e Sazanit.



Po ashtu, Euronews Albania ka publikuar pamje gjatë momentit të mbërritjes së saj në Zvërnec.

Vizita e Ivanka Tramp dhe Jared Kushner bashkëshortit të saj zhvillohet në kuadër të zhvillimit të projektit.

Mësohet se dy investitorët kanë pasur takimet me studiot arkitekturore. /euronews.al/

IKD: Veprimet e Agron Qalajt po bllokojnë zbatimin e reformës në KPK

21 January 2026 at 14:00


Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me siç thonë veprimet e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, të cilat po pengojnë drejtpërdrejt zbatimin e reformës në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).

IKD thekson se më 1 janar 2026 ishte paraparë që të fillojë reforma e shumëpritur në sistemin prokurorial të Kosovës.

“Me hyrjen në fuqi të Ligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për KPK, Këshilli Prokurorial i Kosovës nga fillimi i këtij viti do të ketë përbërje prej shtatë anëtarësh, nga 13 sa i kishte me legjislacionin e vjetër. Gjatë vitit të kaluar, prokurorët e prokurorive themelore, në një proces të bazuar në meritokraci, zgjodhën znj. Elsa Bajramin si përfaqësuese të tyre në Këshillin Prokurorial të Kosovës, mandati i së cilës do të duhej të fillonte më 1 janar të këtij viti.

Përderisa pritjet legjitime të publikut janë se KPK do të ndërmarrë veprime konkrete në jetëzimin e reformës në sistemin prokurorial të Kosovës dhe në ruajtjen e parimeve të sundimit të ligjit dhe integritetit të sistemit prokurorial, fatkeqësisht realiteti po dëshmon të kundërtën”, thuhet në reagim.

IKD thekson se U.D. i Kryeprokurorit të Shtetit po vazhdon me mendësinë e vjetër të qeverisjes me Këshillin Prokurorial të Kosovës, duke shfrytëzuar interpretime të pabazuara ligjore të Zyrës Ligjore të Sekretariatit të KPK-së për të prolonguar funksionalizimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe po synon ruajtjen e një mendësie korporatiste brenda sistemit prokurorial.

“Për më tepër, IKD vlerëson se konstatimi i z. Agron Qalaj se propozimi i një (1) anëtari të KPK-së nuk ka marrë votat e nevojshme për miratim është në kundërshtim me Ligjin nr. 08/L-249 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për KPK.

Fillimisht, duhet theksuar se neni 37/A, i cili thekson se: ‘1. Deri në zbatimin e përbërjes së përhershme të Këshillit prej shtatë (7) anëtarësh, kuorumi i Këshillit formohet me gjysmën e anëtarëve të zgjedhur të Këshillit plus një (1) anëtar, duke përfshirë edhe rastet disiplinore, dhe vendimet merren me shumicë të thjeshtë votash të anëtarëve të pranishëm’, është dispozitë kalimtare, e cila ka vlejtur në kohën kur KPK kishte mbi shtatë (7) anëtarë dhe zbritja e numrit të anëtarëve duhej të vinte gradualisht, siç tanimë ka ndodhur.

Tanimë, në situatën kur kjo dispozitë kalimtare ka humbur fuqinë ligjore, aplikohet neni 13 i Ligjit në fjalë, i cili thekson se: ‘1. Kuorumi i Këshillit formohet me pesë (5) anëtarë, duke përfshirë edhe rastet disiplinore, përveç nëse parashihet ndryshe me këtë ligj; 2. Vendimet e Këshillit merren me shumicë të thjeshtë votash të të gjithë anëtarëve të Këshillit, përveç nëse parashihet ndryshe me ligj’”, thuhet në reagim.

IKD më tej thekson se sipas kësaj dispozite, situata është plotësisht e qartë: KPK ka kuorum të mjaftueshëm prej pesë anëtarësh për mbajtjen e takimit.

Ndërkaq, vendimmarrja merret me shumicën e thjeshtë të votave të të gjithë anëtarëve të Këshillit. Ligji nuk i referohet tërësisë së numrit të anëtarëve, por i referohet “anëtarëve të Këshillit”, të cilët aktualisht janë pesë (5), dhe shumica e thjeshtë e tyre është tre.

“Në rastin konkret, propozimi i anëtarit të KPK-së ka përmbushur këtë kriter ligjor, pasi në mbledhje kanë qenë të pranishëm pesë (5) anëtarë të KPK-së, nga të cilët tre (3) kanë votuar pro dhe dy (2) kundër. Rrjedhimisht, propozimi ka marrë votat për miratim dhe do të duhej të konsiderohej i miratuar.

IKD vlerëson se ndërhyrje të tilla në procedurën e vendimmarrjes përbëjnë tentativë për të sabotuar reformën në KPK përmes shkeljeve të hapura ligjore. Instituti i Kosovës për Drejtësi konsideron se përgjegjësia për këtë situatë i takon drejtpërdrejt Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, i cili, në vend se të sigurojë zbatimin e ligjit dhe funksionimin ligjor të KPK-së, ka zgjedhur të bllokojë një proces të rregullt dhe të ligjshëm vendimmarrës”, thuhet në reagim.

IKD i bën thirrje Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, që të veprojë në përputhje me detyrimet ligjore, duke e konstatuar pa vonesa certifikimin e rezultatit zgjedhor të 1 nëntorit 2025, ashtu siç u votua në takimin e djeshëm.

Instituti i Kosovës për Drejtësi më tej thekson se U.D. i Kryeprokurorit të Shtetit do të duhej të shërbente si shembull i respektimit të ligjit dhe procedurës për të promovuar integritetin dhe kredibilitetin e sistemit prokurorial në këtë fazë kalimtare, duke marrë masa për funksionalizimin e Këshillit Prokurorial dhe për tranzicionin e shpejtë dhe pa vonesa te Kryesuesi i ardhshëm i KPK-së. /Telegrafi/

Kurti takon Komisioneren e BE-së për Zgjerim: Progresi demokratik i Kosovës meriton të vlerësohet me statusin e vendit kandidat

21 January 2026 at 13:52


Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në margjina të Forumit Ekonomik Botëror takoi Komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos.

Në njoftimin e Kryeministrisë bëhet e ditur se në këtë takim u diskutua mbi progresin ekonomik dhe avancimin demokratik të vendit të cilat janë kyçe në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian.

Sipas njoftimit, kryeministri Kurti ka thënë se asnjë vend i Ballkanit Perëndimor nuk ka qenë më i përgatitur në momentin e marrjes së statusit të vendit kandidat, andaj edhe progresi demokratik i Kosovës meriton të vlerësohet me këtë status.

“Në takim u diskutua edhe rreth situatës gjeopolitike, Planit të Rritjes, bashkëpunimit rajonal dhe aktualitetit. Sa i përket bashkëpunimit rajonal, kryeministri Kurti theksoi se Kosova luan rol aktiv dhe konstruktiv dhe mbështet integrimin më të gjerë ekonomik të rajonit bazuar në vlerat dhe standardet e Bashkimit Evropian”, thuhet tutje. /Telegrafi/

AGK: Të shqetësuar me kërcënimin e rëndë me vrasje ndaj gazetarit, Lirim Mehmetaj

21 January 2026 at 13:39


Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me kërcënimin e rëndë me vrasje ndaj gazetarit dhe themeluesit të Vox Kosova, Lirim Mehmetaj.

AGK thekson se një koment kërcënues në Facebook ndaj tij, mes tjerash, thotë ‘ okfira me ti shpraz nlul tballit frik e kie’.

“AGK-ja e dënon ashpër këtë gjuhë dhe i bën thirrje Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë që të ndërmarrin masa urgjente për identifikimin dhe lokalizimin e personit në fjalë dhe ta mbajë përgjegjës për veprën penale të kanosjes”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Asociacioni tutje thekson se ky kërcënim kaq serioz vë në rrezik sigurinë fizike të Mehmetajt dhe redaksisë që ai udhëheq, prandaj AGK-ja fton Policinë e Kosovës që të ofrojë masa mbrojtëse. /Telegrafi/

Ftesa e Trumpit për Bordin e Paqes, Rama uron Osmanin: Tejet domethënës, forcon raportet me Amerikën dhe sinjal domethënës për sigurinë e Kosovës

21 January 2026 at 10:56


Kryeministri Edi Rama ka uruar presidenten e vendit, Vjosa Osmani për ftesën që mori nga presidenti amerikan, Donald Trump që Kosova të jetë pjesë e Bordit të Paqes.

Rama në një postim në platformën X shkruan se ftesa e presidentit Trump është tejet domethënës dhe forcon raportet me SHBA-të.

Postimi i plotë i Ramës:

Urime zonja Presidente, e dashur Vjosa, për marrjen e ftesës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një gjest tejet domethënës i Presidentit Trump ndaj Kosovës, që forcon më tej marrëdhënien e Amerikës mike me popullin shqiptar, por që edhe jep një sinjal domethënës për sigurinë e përkatësinë e Kosovës në hapësirën e interesit të gjerë amerikan në botë.

Edhe njëherë urime dhe dua të besoj se faktorët politikë të Kosovës, do ta çmojnë këtë dorë të shtrirë nga Presidenti i SHBA, si një gjest që nuk është aspak pa lidhje edhe me respektin për ty personalisht e për rolin tënd ndërkombëtarisht. /Telegrafi/



Urime zonja Presidente, e dashur Vjosa, për marrjen e ftesës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një gjest tejet domethënës i Presidentit Trump ndaj Kosovës, që forcon më tej marrëdhënien e Amerikës mike me popullin shqiptar, por që edhe jep një sinjal domethënës për sigurinë e…
— Edi Rama (@ediramaal) January 21, 2026

Përleshje masive në Gaçkë të Ferizajt, pesë prej tyre të mitur

21 January 2026 at 10:43


Policia e Kosovës ka njoftuar se pas një mosmarrëveshje janë rrahur në mes vete shtatë të dyshuar meshkuj kosovarë, pesë prej tyre të mitur.

Rasti ka ndodhur në fshatin Gaçkë të Ferizajt, të martën në ora 22:55.

“Është raportuar se pas një mosmarrëveshje janë rrahur në mes vete shtatë të dyshuar meshkuj kosovarë, pesë prej tyre të mitur. Dy nga të dyshuarit kanë marr lëndime trupore nga mjeti i mprehtë (thikë) dhe të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor”, thuhet në raport.

Pesë të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin policor dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa dy të dyshuarit tjerë të mitur janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. /Telegrafi/

Dhëndri dhe vajza e Trump mbërrijnë në Vlorë, takime lidhur me investimet në ishullin e Sazanit

21 January 2026 at 10:33


Nën masa të rrepta sigurie, dhëndri i Donald Trump sapo ka mbërritur në Vlorë. Jared Kushner ka mbërritur i shoqëruar nga një delegacion në zonën e Ujit të ftohtë. Mësohet se Kushner është i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij, Ivanka Trump.

Aty do të zhvilloj një takim për të diskutuar më tepër rreth investimit në ishullin e Sazanit. Sipas informacioneve do të zhvillohet një takim nëpërmjet Jared Kushner me një studio arkitekturore ku do të diskutohet për mënyrën e realizimit të projektit, investimit në ishullin e Sazanit, raporton euronews.al.

Nuk do të jetë takim me përfaqësues të pushtetit.

❌
❌