Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë thirrje publike për marsh, përmes një postimi në rrjetet sociale, në kohën kur në Hagë ka nisur faza përfundimtare e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në postimin e tij, Thaçi ka shpërndarë një poster me mbishkrimin “Drejtësi, jo politikë”, duke ftuar qytetarët që të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar më 17 shkurt, në ora 14:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Në poster po ashtu theksohet slogani “Liria ka emër”, si dhe simboli i UÇK-së.
Thirrja për protestë vjen pas kërkesës së Prokurorisë së Dhomave të Specializuara në Hagë, e cila ka kërkuar dënim prej 45 vjetësh burg për secilin nga ish-udhëheqësit e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Protesta pritet të mbahet në Ditën e Pavarësisë së Kosovës dhe sipas organizatorëve synon të kërkojë drejtësi dhe të kundërshtojë, siç thuhet, politizimin e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së./Telegrafi/
Prokurori i Specializuar, Alan Tieger është duke vazhduar me paraqitjen e deklaratës përmbyllëse rreth gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.
Tieger po pretendon se të akuzuarit kanë kryer sulme kundër serbëve, anëtarëve të Partisë Socialiste Serbe – që kishin bërë fjalime në varrimin e dikujt që ishte vrarë nga anëtarë të UÇK-së – persona që pretendohej se bashkëpunonin me organet e pushtuesit apo merrnin pjesë në veprimtari tjera të paspecifikuar antikombëtare.
Ai tha se Shtabi i Përgjithshëm kërkonte pavarësinë e Kosovën, derisa pranoi se sulmi ndaj familjes Jashari nxiti zgjerimin e luftës.
“Fillimi i marsit njihet fatkeqësisht edhe nga sulmi që i ndodhi familjes së Jasharëve dhe vrasjes së Adem Jasharit dhe familjes së tij, një ngjarje që nxiti atë për të cilat pajtohen të gjitha palët, fillimin e zgjerimit eksploziv të UÇK-së nga origjina e vet guerile”, tha ai.
Tutje, siç tha prokurori i specializuar, katër të akuzuarit ishin “pionerë të UÇK-së”.
“Të akuzuarit nuk u albanizuan papritmas nga vrasja e familjes së Jasharëve për të dalë vullnetar, por ata ishin pionerë të UÇK-së që e kishin quar në atë pikë UÇK-në. Siç ka thënë një anëtar i rëndësishëm Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, dhe Rexhep Selimi kanë qenë ndër paktët protagonistët që kanë qenë pjesë, citoj ‘e një strukture të përbashkët’, dhe citoj sërish ‘filluan dhe përfunduan luftën’”, deklaroi ai.
Tieger, po vazhdon deklaratën përmbyllëse dhe po flet për, siç pretendon ai, vrasjeve dhe torturimeve të personave të ndaluar në qendrën në Bajgorë.
Siç pretendon ai, vrasjet dhe keqtrajtimet janë bërë “përmes autorizimit të Shtabit të Përgjithshëm” të UÇK-së.
Ai tha qendra në Bajgorë u bë mbi bazën e komunikatave të UÇK-së dhe se “Shtabi i Përgjithshëm dënonte bashkëpunëtorët”. /Telegrafi/
Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka komentuar mbi vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese dhe rivendosjen e pezullimit të për zv/kryeministres.
Sipas Ramës, funksionet kushtetuese të anëtarëve të qeverisë, Presidentit të Republikës dhe institucioneve të tjera janë të padelegueshme dhe nuk mund të pezullohen nga askush përveç mekanizmave ligjorë, pasi çdo pezullim paralizon institucionin që ata drejtojnë.
Kryeministri thekson se, duke u nisur edhe nga deklarata publike e Gjykatës Kushtetuese, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhje ligjore përmes ndryshimeve në legjislacion.
Rama shton se SPAK-u nuk preket nga ky proces, por vetëm mbështetet. Hetimet mund të vazhdojnë normalisht, duke garantuar lirinë dhe të drejtën e çdo prokurori për të hetuar çfarëdo dhe këdo. Pavarësia e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv gjithashtu nuk preket, vetëm garantohen. /euronews/
3 konkluzione nga mbledhja e Grupit Parlamentar pas mosvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rivendosjes së pezullimit të ministres nga :
1. Funksionet e padelegueshme kushtetuese, nga ai i anëtarit të qeverisë tek ai i Presidentit të Republikës dhe jo vetëm, nuk mund të… — Edi Rama (@ediramaal) February 9, 2026
Pas kërkesës së Prokurorisë së Dhomave të Specializuara që katër ish-udhëheqës të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të dënohen me 45 vjet burg secili, ka reaguar deputetja Shqipe Mehmeti Selimi, njëherit bashkëshortja e Rexhep Selimit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo shkruan: “E shenjtë UÇK! E shenjtë është liria për të cilën luftuam e u derdh gjak. Historia jonë nuk rishkruhet. Drejtësi për çlirimtarët!”
Deklarata e saj vjen ndërsa sot ka nisur faza përfundimtare e gjykimit ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, ku ZPS-ja kërkoi shpalljen e tyre fajtorë për krime lufte dhe kundër njerëzimit, përfshirë rreth 100 vdekje dhe abuzime të shumta në kampe të kontrolluara nga UÇK-ja gjatë dhe pas luftës.
Seancat për deklaratat përmbyllëse do të mbahen nga 9 deri më 18 shkurt, ku pas Prokurorisë fjalën do ta kenë mbrojtësit, ndërsa në fund do të flasin edhe të akuzuarit. /Telegrafi/
Pas hetimeve të nisura në Drenas lidhur me shkeljet në procesin e votimit, Prokuroria Themelore në Prizren ka iniciuar sot hetime edhe në Qendrën Komunale të Numërimit në Dragash.
Veprimet po kryhen në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, hetimet janë nisur me vetiniciativë, me autorizim të Kryeprokurorit të Prizrenit, Petrit Kryeziu, pas pranimit të informatave publike lidhur me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit.
"Në kuadër të këtyre hetimeve, Prokuroria Themelore në Prizren është duke ndërmarrë veprime hetimore në Komunën e Dragashit," thuhet në njoftim.
Hetimet lidhen me dyshimet për kryerjen e veprave penale të parashikuara në Kapitullin XVIII të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), që ndërlidhen me shkeljen e të drejtave të votimit.
Prokuroria ka bërë të ditur se gjatë ditës, pas intervistimit të të dyshuarve në polici, do të lëshohet një komunikatë shtesë me informacione mbi veprimet dhe zhvillimet e mëtejshme hetimore. /Telegrafi/
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se sot ka nisur faza përmbyllëse e një procesi të gjatë dhe të rëndë gjyqësor në Hagë, duke theksuar se për më shumë se pesë vjet janë rrëzuar një nga një të gjitha akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Hamza ka thënë se gjatë gjithë këtij procesi, çlirimtarët tanë, ekipet e tyre mbrojtëse dhe dëshmitarët kryesor kanë qëndruar me dinjitet dhe me argumente të fuqishme, duke dëshmuar të vërtetën historike të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.
“Tashmë pritet që drejtësia, në mënyrë të paanshme dhe të pandikuar, të marrë vendimin e saj përfundimtar”, ka theksuar Hamza, duke shtuar se ekziston bindje e plotë në pafajësinë e Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Ai ka nënvizuar se ky proces nuk përfaqëson vetëm një akt juridik, por edhe një provë të rëndësishme të ndërgjegjes ndërkombëtare ndaj së vërtetës dhe drejtësisë.
“Në fund, besimi ynë është i palëkundur, sepse besojmë në të vërtetën historike dhe në luftën e drejtë të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi” ka përfunduar Hamza.
Në mesazhin e tij, ai ka theksuar se Kosova beson dhe ka përsëritur thirrjen: Liri për çlirimtarët! /Telegrafi/
Ka nisur në Hagë faza përfundimtare e gjykimit ndaj ish-udhëheqësit të UÇK-së, Hashim Thaçi dhe të tjerëve, për krime të luftës dhe kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë.
Prokurorja e Zyrës së Prokurorit Special (ZPS), Kimberly West po vazhdon me parashtrimin e deklaratave përmbyllëse, ku theksoi se pavarësisht frikës dhe stigmatizimit me të cilin janë përballur dëshmitarët dhe familjet e tyre, ata kanë vendosur të zbardhin drejtësinë.
""Pavarësisht frikës, stigmës dhe situatave me të cilat janë përballur dëshmitarët dhe familjarët e tyre nga një grup i kufizuar, por me zë, në Kosovë, këta dëshmitarë e kanë dëshiruar kaq shumë të vërtetën që të dalë në pah, prandaj pavarësisht kësaj kanë përzgjedhur të bashkëpunojnë me zyrën time dhe të japin dëshmi para kësaj gjykate”, tha prokurorja.
Prokurorja ka theksuar se mbi 100 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë abuzuar në rreth 50 plus kampe ndalimi të UÇK-së, duke përfshirë persona të lidhur me LDK-në, komunitetin rom dhe serb.
"Dëshmitarët dhe provat tregojnë se këto krime janë kryer dhe se të akuzuarit mbajnë përgjegjësi ligjore për to," shtoi Prokurorja.
Prokurorja bëri të qartë se kërkesa e ZPS-së për dënim është e fokusuar te personat konkretë, jo te shtabi i përgjithshëm:
"Ne kërkojmë dënimin e personave konkret, jo të shtabit të përgjithshëm. ZPS-ja kërkon vendim dënimi për të gjitha pikat e aktakuzës dhe vendosjen e një vendimi të vetëm prej 45 viteve, mbështetur për kontributet individuale të krimeve të kryera nga secili prej të akuzuarve. Këto krime janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit", tha ajo.
Prokurorja theksoi gjithashtu se janë dëgjuar dëshmitarë ndërkombëtarë dhe anëtarë të UÇK-së, ndërsa 7 dëshmitarët e mbrojtjes kanë pasur informacion të kufizuar për aktivitetet e UÇK-së dhe nuk kanë mundur të flasin në të njëjtën gjuhë në atë kohë.
Deklaratat përmbyllëse janë planifikuar të mbahen gjatë periudhës 9-18 shkurt, ku fillimisht fjalën do ta ketë Prokuroria, për t’u pasuar nga ekipet mbrojtëse të të akuzuarve, ndërsa në fund pritet edhe fjala e të akuzuarve, nëse ata vendosin të deklarohen.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.
Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 - gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka kritikuar ashpër Gjykatën Speciale.
Haradinaj tha se pavarësisht se çfarë vendimi do të marrë kjo gjykatë, ajo tashmë e ka humbur besueshmërinë dhe do të mbetet njollë në historinë e drejtësisë.
Sipas tij, proceset e deritanishme janë shoqëruar me shkelje të shumta dhe padrejtësi ndaj të akuzuarve.
“Çfarëdo vendimi të merr, kjo Gjykatë do të jetë turpi i drejtësisë së këtij shekulli. Edhe me i liru nuk është drejtë, sepse gjatë krejt këtyre proceseve, patjetër që duhet me marrë vendim lirues, nëse ka drejtësi, por edhe nëse merr vendim lirues, kjo Gjykatë do të jetë trupi i këtij shekulli, sepse i ka bërë të gjitha shkeljet mundshme”, tha ai sot në Klan Kosova.
Ai theksoi se një vendim lirues do të duhej të ishte i pashmangshëm nëse do të kishte drejtësi, por shtoi se edhe një vendim i tillë nuk do të mund ta riparonte dëmin e shkaktuar nga proceset e deritanishme.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për median britanike Monocle, ka folur për përparimin e Kosovës në rrugën e integrimit euro-atlantik dhe për thellimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Duke folur për angazhimin e Kosovës në politikën ndërkombëtare dhe integrimin në strukturat euro-atlantike, presidentja Osmani tha se nuk kemi dilema për rrugën tonë euro-atlantike.
"Ne nuk kemi kurrë dilema për rrugën tonë euro-atlantike. Rruga e Kosovës drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian është e pandalshme. Identiteti ynë euro-atlantik është i patjetërsueshëm dhe nuk do të lëkundet kurrë", u shpreh Osmani.
Ajo theksoi rëndësinë e mbështetjes amerikane historike dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm.
"Marrëdhënia që kemi me SHBA-në ka qenë gjithmonë ekzistenciale. SHBA-ja udhëhoqi botën për të na shpëtuar dhe na dha mundësinë të jetojmë në liri dhe demokraci. Kosova është bërë një nga historitë më të mëdha të suksesit të politikës së jashtme amerikane", tha ajo.
Presidentja përmendi dy fusha kryesore të bashkëpunimit të zgjeruar me SHBA-në. mbrojtjen dhe ekonominë.
"Në aspektin e mbrojtjes, është shumë e rëndësishme që të kemi kapacitete të mjaftueshme për sigurinë tonë, sidomos duke pasur parasysh situatën e paqëndrueshme në rajon. Në ekonomi, kemi potencial të madh për investime amerikane. Kur investoni në Kosovë, po investoni në qindra miliona qytetarë evropianë, me një sistem ligjor dhe financiar të shkëlqyer dhe me një vend pro-amerikan", tha Osmani.
Duke folur për sfidat e integrimit në BE, Presidentja Osmani tha se pavarësisht që Kosova ende nuk e ka marrë statutin e kandidatit për BE, rruga jonë drejt vlerave euro-atlantike nuk do të ndryshojë
"Ne jemi 100% të përputhur me BE-në dhe NATO-në në çdo vendim të politikës së jashtme dhe sigurisë. Megjithatë, ende nuk kemi status kandidati për Bashkimin Evropian për shkak të disa konsideratave politike brenda disa vendeve të BE-së. Por durimi ynë nuk do të shkurtëzohet – rruga jonë drejt vlerave euro-atlantike nuk do të ndryshojë”, tha Osmani.
Presidentja Osmani gjithashtu vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Emirateve të Bashkuara Arabe, si një partner i rëndësishëm ndërkombëtar.
"Që nga viti 1999, kur përjetuam luftën gjenocidale, Emiratet e Bashkuara Arabe na mbështeti të rindërtojmë vendin nga hiri. Tani na mbështesin në sektorin e shëndetësisë dhe shumë sektorë të tjerë. Kjo mbështetje është jetike për forcimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës”, tha Osmani.
Kujtojmë se presidentja Osmani javën që shkoi ishte pjesëmarrëse në Samitin Botëror të Qeverisjes në Emiratet e Bashkuara Arabe./Telegrafi/
Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të shfaqin nivelin më të ulët të shqetësimit në Ballkanin Perëndimor lidhur me mundësinë e një lufte apo sulmi terrorist, sipas të dhënave të “SecuriMeter 2025”, raport i hartuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC).
Sipas këtij raporti në vitet 2024 dhe 2025, një shumicë e madhe e qytetarëve të Kosovës kanë deklaruar shqetësim të ulët për një konflikt të mundshëm mes vendeve të rajonit, me 69.5% në vitin 2024 dhe 72.5% në vitin 2025.
Edhe sa i përket rrezikut të sulmeve terroriste, Kosova rezulton vendi me nivelin më të ulët të shqetësimit në rajon. Rreth 70% e qytetarëve shprehin shqetësim të ulët si në vitin 2024 ashtu edhe në vitin 2025, ndërsa vetëm rreth 27% raportojnë shqetësim të lartë, çka sugjeron se ky kërcënim perceptohet si i kufizuar.
Në nivel rajonal Bosnja dhe Hercegovina shfaq nivelin më të lartë të shqetësimit për një luftë të mundshme në rajon.
Në të dy vitet, mbi gjysma e qytetarëve kanë deklaruar shqetësim të lartë, edhe pse me një rënie të lehtë nga 57.8% në 54.2%. Edhe Serbia mbetet ndër vendet ku shqetësimi për konflikt është dominues, me mbi 53% të qytetarëve që shprehin shqetësim të lartë, transmeton Telegrafi.
Ndërkohë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, tregojnë një zhvendosje drejt një perceptimi më pozitiv të sigurisë. Në Shqipëri, shqetësimi i lartë për luftë ka rënë ndjeshëm në vitin 2025, ndërsa në Maqedoninë e Veriut shqetësimi i ulët është rritur mbi 50%, duke sinjalizuar rritje të besimit në stabilitetin rajonal.
Mali i Zi paraqet një tablo më të balancuar, me qytetarë pothuajse të ndarë mes shqetësimit të ulët dhe atij të lartë.
Sa i përket kërcënimit nga terrorizmi, raporti “SecuriMeter 2025” evidenton se Serbia është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor ku shqetësimi i lartë për sulme terroriste është bërë dominues në vitin 2025. Në vendet e tjera të rajonit, përfshirë Kosovën, ky shqetësim mbetet më i ulët dhe relativisht i qëndrueshëm.
Në këtë panoramë rajonale të pasigurisë së përzier, Kosova veçohet si vendi me perceptimin më të qëndrueshëm dhe optimist për sigurinë, si në aspektin e konfliktit të mundshëm ashtu edhe të kërcënimeve terroriste.
Duhet theksuar se ky raport ka përfshirë 6,007 të anketuar në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, i realizuar nga 30 maji deri më 18 qershor 2025. /Telegrafi/
Ditën e hënë vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.
Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura si dhe alternime kthjellimesh prej orëve të mesditës.Reshje të herëpashershme shiu me intensitet kryesisht të ulët në pjesën më të madhe të vendit, në relievet malore shtrëngata afatshkurtra.
Prej orëve të mesditës e pasdite reshjet shiu me intensitet kryesisht të ulët humbasim territor duke mbetur prezent në relievet malore dhe në ndërprerjen graduale.
Në zonën e Alpeve, dhe relievet e larta malore mbi 1000-1100metër në verilindje -juglindje reshje dëbore me intensitet të ulët e lokalisht mesatar.
Era do të fryjë verilindje – veriperëndim me shpejtësi mesatare 6 m/s, në zonat luginore dhe përgjatë relieveve malore era fiton me shpejtësi deri 10 m/s.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV) ka njoftuar për tërheqjen e menjëhershme nga tregu të disa produkteve ushqimore për foshnje të markës Aptamil, për shkak të dyshimeve për praninë e një toksine të rrezikshme.
Sipas AUV-së, përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF) janë pranuar disa njoftime zyrtare lidhur me praninë e toksinës Cereulide në qumësht formulë për foshnje të prodhuar në Gjermani, Holandë dhe Irlandë.
“Njoftimet zyrtare nga RASFF janë: njoftimi me nr. 2026.0663, që ka të bëjë me praninë e toksinës Cereulide në formulën për foshnje të prodhuar në Gjermani, njoftimi nr. 2026.1018 për produktet e prodhuara në Holandë, si dhe njoftimi nr. 2026.1017 për formulat për foshnje dhe formulat për qëllime mjekësore të prodhuara në Irlandë”, thuhet në komunikatën e AUV-së.
Agjencia bën të ditur se, për shkak të nivelit serioz të rrezikut, në bashkëpunim me kompaninë importuese UNION sh.p.k., nga Vushtrria, janë ndërmarrë masa urgjente për largimin e këtyre produkteve nga tregu kosovar.
“Për shkak të nivelit të rrezikut të konsideruar serioz, AUV, në bashkëpunim me kompaninë importuese, është duke ndërmarrë masat e menjëhershme për tërheqjen e këtyre produkteve nga tregu”, thuhet më tej në njoftim.
AUV u ka bërë thirrje të gjitha bizneseve që të ndërpresin menjëherë shitjen e këtyre produkteve, ndërsa konsumatorëve u kërkohet që të mos i përdorin ato.
“Konsumatorët që posedojnë produkte të tilla të mos i përdorin ato dhe t’i kthejnë në pikat përkatëse të shitjes”, thekson Agjencia.
Në fund, AUV rithekson përkushtimin e saj për monitorim të vazhdueshëm të tregut, duke theksuar se do të vazhdojë me masa parandaluese dhe kontrolluese për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve në Kosovë./Telegrafi/
Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po hyn sot në fazën përfundimtare, me nisjen e deklaratave përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Pas përfundimit të paraqitjes së provave dhe dëshmive nga Prokuroria dhe Mbrojtja, kjo fazë shënon hapin e fundit para vendimit përfundimtar të trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Deklaratat përmbyllëse janë planifikuar të mbahen gjatë periudhës 9-18 shkurt, ku fillimisht fjalën do ta ketë Prokuroria, për t’u pasuar nga ekipet mbrojtëse të të akuzuarve, ndërsa në fund pritet edhe fjala e të akuzuarve, nëse ata vendosin të deklarohen.
Në një njoftim zyrtar, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë bërë të ditur se kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për këtë fazë të rëndësishme të procesit gjyqësor.
“Të gjitha konfirmimet i janë dërguar personave që do të ndjekin seancën e deklaratave përmbyllëse në objektin e DHSK-së në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, që është caktuar të mbahet më 9-13 shkurt”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.
Po ashtu, nga DHSK është bërë e ditur se interesimi për të ndjekur seancat ka qenë jashtëzakonisht i lartë, ndërsa vendet për publikun kanë qenë të kufizuara.
“Jemi përpjekur që t’i përgjigjemi të gjitha kërkesave për t’u ulur në galerinë për publikun sa më shumë që ishte e mundshme, megjithatë, interesimi për të ndjekur seancat ishte i lartë dhe prandaj vendet në galerinë për publikun ishin të kufizuara”, thuhet më tej në njoftim.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.
Ata akuzohen për veprat penale që përbëjnë krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje.
Faza përfundimtare e gjykimit konsiderohet vendimtare, pasi pas saj trupi gjykues do të tërhiqet për shqyrtim dhe më pas do të shpallë aktgjykimin, i cili pritet të ketë jehonë të madhe politike dhe shoqërore në Kosovë dhe më gjerë. /Telegrafi/
Kujtim Cakrani, avokati i njohur i Vlorës dhe mbrojtësi ligjor i ish-presidentit Ilir Meta, është dhunuar ditën e sotme rreth orës 13:30 në ambientet e një karburanti në qytetin e Vlorës.
Sipas vetë avokatit Cakrani, dy persona të panjohur për të e kanë sulmuar në momentin që ai po furnizohej me karburant.
Fillimisht, ata e kanë ofenduar dhe sharë, ndërsa dyshohet se konflikti ka nisur për shkak të një parkimi , edhe pse avokati shprehet se nuk beson se ky ka qenë shkaku i vërtetë.
Më pas, dy personat kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij, duke e goditur me një mjet prerës në pjesën e pasme të kokës. Si pasojë, Cakrani ka pësuar një frakturë të rëndë në pjesën e pasme të kokës dhe është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku ndodhet i shtruar në reanimacion.
Burime spitalore bëjnë me dije se avokati ka dëmtime serioze në kokë, dhe aktualisht nuk arrin të qëndrojë në këmbë.
Ndërkohë, në spital pritet mbërritja e ekspertëve mjeko-ligjorë, si edhe e përfaqësuesve të policisë, të cilët do të marrin dëshminë e avokatit dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
“Ishin dy çuna me një makinë, të cilët pasi më provokuan, më dhunuan fizikisht. Nuk i njoh ata. Me njërin po bisedoja, tjetri më goditi pas koke. Ka ndodhur në hyrje të Vlorës, në një pikë karburanti. Nuk e kam idenë. Erdhën aty provokuan dhe më pas filluan me fjalë fyese. Ata dolën nga makina, më dhunuan.
Ka qenë me mjet prerës. Më goditën pas koke. Unë isha ulur në makinë. Njëri nga dritarja po më ofendonte, kurse tjetri hyri nga dera e pasagjerit dhe më goditi.
Më thanë: ‘Pse ke parkuar keq makinën. Ke zënë gjithë karburantin’. Pra ishte një mënyrë, një formë provokimi. Nuk i njoh të dy. Ishin moshë e re”, tha Cakrani për Top Channel.
Remitancat në Kosovë gjatë vitit 2025 kanë arritur vlerën prej 1.42 miliard eurosh, duke shënuar një rritje prej 4.4% ose rreth 60 milionë euro më shumë krahasuar me vitin 2024.
Muaji dhjetor mbetet ende me të dhëna preliminare dhe pritet të finalizohet në fund të shkurtit.
Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), pjesa më e madhe e remitancave ka ardhur nga Gjermania me rreth 39% të totalit.
Pas saj renditen Zvicra me 17.5%, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 7.2%, Austria me 4.2%, Italia me 3.9%, ndërsa Belgjika dhe Franca me nga 3.4%.
Sa i përket mënyrës së dërgimit të parave, rreth 55% e remitancave janë transferuar përmes agjencive për transfere të mjeteve, 17% përmes bankave dhe 28% përmes kanaleve të tjera. Kjo strukturë ka mbetur pothuajse e njëjtë si në vitin paraprak.
Mesatarja mujore e remitancave ishte rreth 117.9 milionë euro, ndërsa prurjet më të mëdha u regjistruan në muajt korrik, gusht dhe dhjetor, kryesisht për shkak të ardhjes së mërgimtarëve në Kosovë gjatë sezonit të verës dhe festave të fundvitit./rtk/
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.) ka shënuar rritje të ndjeshme të prodhimit të energjisë elektrike gjatë muajve dhjetor 2025 dhe janar 2026, si rezultat i operimit stabil dhe menaxhimit të koordinuar të kapaciteteve prodhuese.
Sipas njoftimit të KEK-ut, kjo rritje është arritur falë operimit të qëndrueshëm mbi standardin normal, në veçanti përmes funksionimit të njëkohshëm të tri njësive të Termocentralit Kosova A.
“Korporata Energjetike e Kosovës – KEK Sh.A. ka realizuar rritje të ndjeshme të prodhimit të energjisë elektrike gjatë muajve dhjetor 2025 dhe janar 2026, si rezultat i operimit stabil dhe menaxhimit të koordinuar të kapaciteteve prodhuese”, thuhet në njoftimin e KEK.
Gjatë muajit dhjetor 2025, prodhimi i energjisë elektrike ka arritur në 127 për qind të nivelit të regjistruar në të njëjtin muaj të vitit paraprak, që përfaqëson një rritje prej 27 për qind, apo 46,539 MWh më shumë energji elektrike.
Ndërkaq, në muajin janar 2026, KEK bën të ditur se prodhimi ka shënuar 132.9 për qind të nivelit të janarit të vitit paraprak, që përkthehet në një rritje prej 32.9 për qind, respektivisht 63,003 MWh më shumë energji elektrike.
“Në total, gjatë këtyre dy muajve, KEK Sh.A. ka realizuar një rritje të konsiderueshme të prodhimit prej rreth 110 mijë MWh më shumë energji elektrike krahasuar me periudhën përkatëse të viteve paraprake”, thuhet më tej në njoftim.
KEK vlerëson se këto rezultate kanë kontribuar drejtpërdrejt në përmbushjen e kërkesës për energji elektrike në vend, veçanërisht gjatë sezonit dimëror.
“Këto rezultate janë dëshmi e punës profesionale, përkushtimit dhe angazhimit të punonjësve, stafit teknik dhe operativ të KEK”, thekson korporata.
Në fund, KEK Sh.A. rithekson se mbetet e përkushtuar ndaj operimit të sigurt, efikas dhe transparent, në funksion të interesit publik dhe forcimit të sigurisë energjetike të Republikës së Kosovës./Telegrafi/
Kosova duhet të jetë në NATO për të krijuar stabilitet në Ballkan. Ky ishte mesazhi i kongresmenit amerikan Kieth Self gjatë një Forumit të Sigurisë në Kongresin Amerikan ku ishin të pranishëm edhe deputetët shqiptarë.
Kieth Self Kongresmen tha: “Unë po kërkoj ekuilibër në Ballkan. Dua ekuilibër në Ballkan dhe mendoj se një nga pjesët kyçe - dhe e kam marrë si mision personal- është anëtarësimi i Kosovës në NATO, e cila do të ishte një forcë jashtëzakonisht stabilizuese në Ballkan. Prandaj duhet të bëjmë përparim në këtë drejtim dhe duhet t’u përgjigjemi kundërshtimeve të disa vendeve. Besoj se kjo është një pjesë kyçe e asaj për të cilën po flasim sot, sepse siguria në Ballkan-Ballkani sot, sipas mendimit tim, është një fuçi baruti- dhe ne duhet ta zgjidhim këtë dhe të sjellim stabilitet në rajon”.
I pranishëm në këtë tryezë ishte edhe Fatmir Mediu, si bashkëdrejtues i punimeve të konferencës, i cili theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të sillte stabilitet dhe partneritet në rajon.
Kryetari i PR Fatmir Mediu u shpreh: “Të gjithë shpresojmë që të gjitha vendet e NATO-s të bien dakord të paktën, për të nisur procesin e anëtarësimit për Kosovën. Brenda NATO-s, kjo do të sjellë më shumë stabilitet dhe më shumë partneritet në rajonin tonë, në Ballkan. Dhe mendoj se ata po punojnë fort për të arritur çdo objektiv që kërkohet për të qenë pjesë e aleancës së NATO-s”.
Në këtë takim u diskutua edhe lidhur me planin për të çuar në 5% të buxhetit për mbrojtjen të të gjitha vendeve të NATO-s/A2CNN/
Policia e Tiranës ka goditur një tjetër rast të trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova në Shqipëri, në kuadër të operacioneve të njëpasnjëshme për parandalimin dhe goditjen e këtij aktiviteti kriminal.
Pas disa javësh hetime me metoda proaktive, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Forcën Operacionale dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Barriera”.
Gjatë operacionit është arrestuar në flagrancë shtetasi D. B., 27 vjeç, banues në Kosovë, i cili dyshohet se po trafikonte armë zjarri me qëllim shitjen e tyre në kryeqytet.
Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin tip “Volkswagen”, në dalje të Unazës së Madhe, pranë mbikalimit të Tufinës.
Gjatë kontrollit të mjetit, konkretisht nën kofano, janë gjetur dhe sekuestruar 10 armë zjarri pistoleta të llojit Glock, së bashku me municion luftarak.
Në vijim të procedimit penal janë sekuestruar edhe dy pistoleta të tjera Glock, duke e çuar numrin total të armëve të sekuestruara në 12 pistoleta.
Nga hetimet paraprake dyshohet se 27-vjeçari kishte për qëllim t’i shiste armët në zonën e Freskut, në Tiranë.
Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet e thelluara për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore. /Telegrafi/
Një investim madhor pritet të transformojë njërën prej ikonave të arkitekturës në Prishtinë, Pallatin e Rinisë dhe Sporteve.
Në prag të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, është arritur një marrëveshje mes Ministrisë së Kulturës dhe Bankës Evropiane për një kredi afatgjate, vlera fillestare e së cilës kap shifrën e 50 milionë eurove.
Ky fond do të shërbejë për renovimin dhe revitalizimin e plotë të kompleksit prej rreth 50,000 metra katrorë, i cili prej vitesh ka mbetur në gjendje të rënduar, veçanërisht salla e madhe e djegur rreth 20 vite më parë.
Plani synon kthimin e objektit në gjendjen e tij të mëparshme, duke e rigjeneruar me të gjitha hapësirat përbërëse, përfshirë sallat e ndryshme sportive dhe ambientet e tjera.
Drejtori i departamentit të transformimeve në Komunën e Prishtinës, Gëzim Kastrati, në një intervistë për KosovaPress, bënë të ditur se qëllimi kryesor është rikthimi këtij objekti në funksionalitetin që ka pasur dikur.
“Ideja është që ky kompleks që ka qenë dikur, të kthehet në gjendjen që ka qenë. Do të thotë, të revitalizohet, të rigjenerohet me të gjitha premisat, duke filluar edhe ato sallat e ndryshme të sporteve poshtë, edhe salla e madhe e cila është e djegur tash e 20 vite, dhe mendoj që e kemi obligim ne si shoqëri edhe njerëz të këtij vendi që së paku ta kthejmë në atë gjendje e cila ka qenë dikur”, vijon tutje Kastrati.
Duke folur për afatet kohore, Kastrati shprehet optimist se faza e projektimit mund të përfundojë brenda një periudhe relativisht të shkurtër, ndërsa punimet e renovimit nuk pritet të zgjasin më shumë se dy vite.
“Sa i përket projektit besoj që brenda gjashtë muajsh, një vit duhet të kryhet. Edhe nëse jemi, që nga 2027-ta të hyjmë në renovim të pallatit, unë mendoj që më shumë se dy vite nuk ka nevojë të zgjasë kjo, pasi që dihet që tërë ky kompleks me 50,000 metra katrorë, dikur nga kompania që ka qenë “Ramiz Sadiku”, do të thotë punëtorë që kanë qenë të këtij qyteti, të këtij vendi, me kontributet e qytetarëve të Prishtinës, kanë arritur për katër vite ta bëjnë këtë pallat në vitin 1980. E tash 2026-ta, nuk ka arsye me zgjatë më shumë se dy vite renovim komplet”, shtoi Kastrati.
Në aspektin financiar, Kastrati bën të ditur se është siguruar një bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Bankës Evropiane, përmes së cilit është planifikuar një kredi në vlerë prej 50 milionë euro.
“Ministria e Kulturës ka arritur një bashkëpunim me Bankën Evropiane për një kredi prej 50 milionë. A janë të mjaftueshme apo jo, kjo do të shihet pas përfundimit të projektit dhe procedurave të prokurimit të cilat do të vijnë ndërkohë”, bëri të ditur Kastrati.
Duke iu referuar Lojërave Mesdhetare, Kastrati thekson se ky organizim për Kosovën përfaqëson shumë më tepër sesa një ngjarje sportive.
Sipas tij, këto lojëra janë një test serioz për kapacitetet organizative dhe bashkëpunimin institucional të vendit, duke shtuar se paraqitja dinjitoze është thelbësore për imazhin e Kosovës në sytë e Evropës.
“Unë mendoj që Lojërat Mesdhetare janë më shumë se vetëm lojëra. Domethënë është një test kombëtar. Të huajt dhe Evropa do të na shohin organizimin shoqëror që e kemi ne brenda këtu dhe unë mendoj që është një dëm i madh nëse ne nuk arrijmë të bëjmë një bashkëpunim dinjitoz, një bashkëpunim që t'i japim shembull jo vetëm neve këtu, por edhe të tjerëve, se si punohet. Sepse siç e dimë, ne po shohim ndërtimet e shumta këtu, mirëpo këta njerëz, domethënë shqiptarët, ndërtojnë gjithandej, nëpër botë, nëpër Evropë. Ashtu ka qenë edhe në kohën e perandorisë romake, edhe në kohën e perandorisë osmane, edhe në kohën e ilirëve. Domethënë, ata janë njerëz që kanë ndërtuar më së shumti”, theksoi Kastrati.
Në përmbyllje, Kastrati nënvizon se periudha e ardhshme katërvjeçare është afati i fundit për të dëshmuar seriozitet dhe përkushtim në realizimin e projekteve madhore.
“Unë mendoj që e kemi kohën, e kemi kohën e fundit, afatin e fundit, që për këto katër vite, që mendoj që janë mjaftueshëm nëse fillojmë tash seriozisht po merremi me këto dhe t’i përfundojmë edhe dalim faqebardhë së pari para njerëzve tanë, e mandej edhe para Komitetit Evropian”, tha në fund Kastrati.
Organizimi i Lojërave Mesdhetare shihet si një “test kombëtar” për Kosovën, një mundësi për të dëshmuar kapacitetet organizative dhe për të shtyrë përpara zhvillimin e infrastrukturës së nevojshme sportive./KP/