Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 2 February 2026Main stream

BRUKSEL – Draghi: Evropa të kapërcejë ndasitë e vjetra për t’u bërë një fuqi e vërtetë

2 February 2026 at 16:06

BRUKSEL, 2 shkurt /ATSH-AFP/ – Mario Draghi, ish-president i Bankës Qendrore Evropiane dhe ish-kryeministër i Italisë, ka bërë thirrje që Evropa të kapërcejë ndasitë e vjetra për t’u shndërruar në një fuqi të vërtetë, gjatë një fjalimi në Universitetin e Lëvenit.

“Mes të gjithë atyre që sot janë të kapur mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, vetëm evropianët kanë mundësinë të bëhen një fuqi e vërtetë”,  tha Draghi, duke kërkuar krijimin e një federate evropiane në çështje të mbrojtjes, politikës së jashtme dhe fiskalitetit.

“Duhet të vendosim: a duam të mbetemi vetëm një treg i madh, nënshtruar prioriteteve të të tjerëve apo duam të ndërmarrim masat e nevojshme për t’u bërë një fuqi”, theksoi  Draghi..

“Përsa i përket mbrojtjes, politikës industriale apo çështjeve të jashtme, ne trajtohemi si një grup i shpërndarë shtetesh me madhësi mesatare, të cilat mund të ndahen dhe trajtohen sipas dëshirës së të tjerëve”, shtoi ekonomist gjatë fjalimit në një ceremoni, ku ai mori titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Lëvenit.

Ai vuri në dukje se, që nga rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, SHBA-ja ka treguar qartë për herë të parë se fragmentimi politik evropian i shërben interesave të saj.

“Ne përballemi gjithashtu me një Kinë që kontrollon nyjet kyçe të zinxhirit global të furnizimit dhe është gati të shfrytëzojë këtë avantazh”, vijoi ai.

”Pa një reagim të vendosur, Evropa rrezikon të bëhet e nënshtruar, e ndarë dhe e deindustrializuar. Dhe një Evropë që nuk mund të mbrojë interesat e saj nuk do të ruajë për shumë kohë vlerat e saj”, paralajmëroi Draghi./   /Ad.Ab./ a.jor.

The post BRUKSEL – Draghi: Evropa të kapërcejë ndasitë e vjetra për t’u bërë një fuqi e vërtetë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

NORVEGJI – Djali i princeshës Mette-Marit arrestohet me dyshimin për përdhunim

2 February 2026 at 14:54

OSLO, 2 shkurt /ATSH-DPA/ – Djali i princeshës norvegjeze Mette-Marit, Marius Borg Hoiby, është arrestuar sot një ditë para fillimit të gjyqit të tij për akuza për përdhunim, bëri të ditur avokati i tij për agjencinë e lajmeve NTB.

Hoiby, 29 vjeç, akuzohet për 38 vepra penale, duke përfshirë përdhunimin, dhunën në familje dhe sulmin fizik.

Gjyqi i tij pritet të nisë nesër në Oslo.

Ai është djali i Mette-Marit nga një lidhje e mëparshme, para se ajo të martohej me princin e Kurorës Haakon.

Hoiby nuk mban titullin princ dhe nuk është anëtar zyrtar i familjes mbretërore norvegjeze.

Gjatë verës së vitit 2024, Hoiby pranoi se kishte ushtruar dhunë ndaj ish të dashurës së tij nën ndikimin e alkoolit dhe kokainës si dhe kishte shkatërruar sende në apartamentin e saj.

”Megjithatë, ai mohon fuqishëm akuzat për vepra seksuale”, tha më vonë një nga avokatët e tij mbrojtës./   /Ad.AB./ a.jor.

The post NORVEGJI – Djali i princeshës Mette-Marit arrestohet me dyshimin për përdhunim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IRAN – Araghchi pritet të takohet me të dërguarin amerikan Witkoff

2 February 2026 at 14:20

TEHERAN, 2 shkurt  /ATSH-DPA/-  Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, pritet të zhvillojë sot bisedime me të dërguarin  e posacëm amerikan, Steve Witkoff, raportoi sot agjencia iraniane e lajmeve, Tasnim.

SHBA-ja ende nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen e Witkoff.

Agjencia Tasnim njihet si e afërt me Gardën Revolucionare Islame (IRGC), forca elitare ushtarake e Iranit.

Takimi vjen pas javësh tensionesh të larta midis Uashingtonit dhe Teheranit, pas kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump për përgjigje ushtarake ndaj shtypjes brutale të protestuesve nga forcat e sigurisë iraniane në fillim të këtij viti.

Që atëherë, Trump ka vendosur anije luftarake në rajonin e Gjirit, por ka lënë të kuptohet mundësia e negociatave në fundjavën e kaluar.

Presidenti amerikan ka tentuar herë pas here të detyrojë Teheranin të ndërpresë programin e tij bërthamor, por bisedimet janë bllokuar vitin e kaluar, përpara se Izraeli të ndërmerrte sulme kundër Iranit./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post IRAN – Araghchi pritet të takohet me të dërguarin amerikan Witkoff appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEL AVIV – Hapet  pjesërisht  pika kufitare e  Rafahut mes Egjiptit dhe Rripit të Gazës

2 February 2026 at 10:34

TEL AVIV, 2 shkurt /ATSH -DPA/ – Izraeli ka rihapur pjesërisht pikën kufitare Rafah mes Egjiptit dhe Rripit të Gazës për qarkullimin e pasagjerëve, raportuan sot televizioni egjiptian dhe burime të sigurisë izraelite.

”Pika kufitare është zyrtarisht funksionale për herë të parë pas rreth një viti”, njoftoi televizioni shtetëror egjiptian Al-Qahera News, ndërsa burime të sigurisë izraelite e konfirmuan gjithashtu hapjen.

Ky hap pritet t’u mundësojë palestinezëve të plagosur dhe të sëmurë të largohen nga territori bregdetar, i cili është shkatërruar nga më shumë se dy vite luftë pas sulmeve të 7 tetorit 2023.

Gjithashtu, palestinezët që u detyruan të largohen nga lufta pritet të kenë mundësi të kthehen në Gaza.

Një armëpushim mes Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas është në fuqi që nga tetori, si pjesë e një plani paqeje të ndërmjetësuar nga presidenti amerikan, Donald Trump./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post TEL AVIV – Hapet  pjesërisht  pika kufitare e  Rafahut mes Egjiptit dhe Rripit të Gazës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FRANCË – Qeveria përballet me një tjetër mocion mosbesimi

2 February 2026 at 10:01

PARIS, 2 shkurt /ATSH-DPA/ – Qeveria e kryeministrit francez, Sébastien Lecornu përballet sot  me dy mocione mosbesimi, pasi ai e kaloi buxhetin në Asamblenë Kombëtare pa një votim përfundimtar.

Deputetët e Asamblesë Kombëtare pritet të nisin pasditen e sotmes një debat mbi tërheqjen ose jo të besimit ndaj kabineti të qendrës së majt

Nuk pritet rënia e qeverisë.

Lecornu ka siguruar mbështetjen e socialistëve përmes disa koncesioneve në buxhet.

Nëse qeveria i mbijeton mocioneve të mosbesimit në parlament, buxheti i vitit 2026 konsiderohet i miratuar.

Mocionet e mosbesimit janë kërkuar, nga njëra anë, nga nacionalistët e djathtë të Marine Le Pen, dhe nga ana tjetër nga e majta, të Gjelbrit dhe komunistët.

Përpjekja e tyre për të rrëzuar qeverinë vjen si reagim ndaj faktit që Lecornu e kaloi buxhetin e këtij viti duke përdorur një nen të posaçëm të kushtetutës, pa votim përfundimtar, pas një përpjekjeje të pasuksesshme për kompromis.

Lecornu dhe qeveria e tij kanë mbijetuar tashmë katër mocione mosbesimi javët e fundit, të cilat lidhen me pjesë të buxhetit.

Fakti që Franca, e cila ka një nivel të lartë borxhi, po arrin më në fund të miratojë një buxhet pas një bllokimi politik, pritet të mirëpritet nga bizneset dhe nga partnerët e BE-së, si Gjermania.

Kjo u jep kompanive qartësi për investime dhe punësime, ndërsa edhe sektori publik mund të rifillojë investimet.

Perspektiva që Franca të përballet me problemet e saj të borxhit shihet gjithashtu si një sinjal pozitiv për Bashkimin Evropian./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FRANCË – Qeveria përballet me një tjetër mocion mosbesimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

BBC: Arinjtë polarë po bëhen obezë, pavarësisht humbjes së akullit

1 February 2026 at 08:30

LONDËR, 1 shkurt /ATSH/- Arinjtë polarë në arkipelagun norvegjez të Svalbardit janë bërë obezë dhe më të fortë që nga fillimi i viteve 1990, edhe pse akulli ka vazhduar të ulet për shkak të ndryshimeve klimatike, sipas BBC.

Kjo është e papritur, pasi akulli është thelbësor për gjuetinë e fokave, që sigurojnë ushqim të pasur me yndyrë.

Hulumtuesit matën dhe peshuan 770 arinj midis viteve 1992 dhe 2019 dhe zbuluan se trupat e tyre ishin bërë më të shëndoshë.

Arinjtë duket se janë përshtatur me humbjen e akullit duke konsumuar më shumë ushqim tokësor, përfshirë drerin dhe morsat.

Rritja e popullsisë së morsave, të mbrojtura që nga vitet 1950, ka siguruar një burim të ri ushqimi për arinjtë.

Gjithashtu, fokat mblidhen në zona më të vogla akulli, duke i bërë ato më të lehta për t’u kapur nga arinjtë.

Megjithëse këto rezultate janë pozitive në afat të shkurtër, studiuesit paralajmërojnë se situata nuk pritet të zgjasë.

Akulli do të vazhdojë të ulet, duke i detyruar arinjtë të udhëtojnë më larg për të gjuajtur, gjë që konsumon më shumë energji dhe yndyrë.

Ekspertët theksojnë se rikuperimi i popullsisë pas gjuetisë së madhe të viteve 1970, së bashku me rritjen e numrit të morsave ka dhënë një shtytje të përkohshme për arinjtë.

Megjithatë, studimet tregojnë se më shumë ditë pa akull ulin mbijetesën e të vegjëlve dhe të femrave më të moshuara.

Në pjesë të tjera të Arktikut, ndikimi i ndryshimeve klimatike është më i rëndë.

Humbja e akullit pritet të shkaktojë ulje të popullsisë së arinjve në afat të gjatë, pasi ata varen plotësisht nga akulli për të mbijetuar./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post BBC: Arinjtë polarë po bëhen obezë, pavarësisht humbjes së akullit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Gjermania kërkon marrëveshje energjetike me Arabinë Saudite

31 January 2026 at 19:03

BERLIN, 31 janar /ATSH-DPA/ – Ministrja gjermane e Ekonomisë, Katherina Reiche udhëtoi sot drejt Arabisë Saudite, ku shpreson të përfundojë një partneritet energjetik që synon të forcojë marrëdhëniet dypalëshe.

Para nisjes, Reiche tha se partneriteti i planifikuar energjetik do të përfshijë blerjen e produkteve të naftës dhe gazit nga Arabia Saudite, si dhe investime të synuara në energji të rinovueshme.

Ministrja përmendi teknologjitë e magazinimit dhe hidrogjenin e qëndrueshëm.

Reiche udhëton e shoqëruar nga përfaqësues të 35 kompanive dhe 11 startup-eve nga sektorët e energjisë konvencionale dhe të rinovueshme.

Arabia Saudite, e pasur me naftë, po përqendrohet gjithashtu fort në dekarbonizim.

Vizita, që pritet të zgjasë deri të martën, reflekton gjithashtu përpjekjet e Gjermanisë për të zgjeruar partneritetet ndërkombëtare në një kontekst të rritur pasigurie gjeopolitike.

“Kur partneritetet, mbi të cilat kemi mbështetur për dekada, fillojnë të bëhen pak të brishta, duhet të kërkojmë partnerë të rinj”, tha Reiche, duke iu referuar tensioneve në marrëdhëniet trans-atlantike që nga kthimi i presidentit amerikan Donald Trump në detyrë.

“Si një vend me orientim eksporti, Gjermania duhet të zgjerojë bazën e saj”, shtoi ajo. /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Gjermania kërkon marrëveshje energjetike me Arabinë Saudite appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LONDËR – Starmer: Japonia aleate e rëndësishme e BM-së

31 January 2026 at 18:18

LONDËR, 31 janar /ATSH – DPA/– Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka mbërritur në Tokio përpara një takimi me homologen e tij japoneze, në përfundim të vizitës së tij në Azinë Lindore.

Duke folur me gazetarët gjatë fluturimit nga Shanghai drejt Tokios, kryeministri tha se mezi priste të diskutonte çështje të mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe tregtinë dhe ekonominë me kryeministren japoneze, Sanae Takaichi.

Duke përshkruar vizitën tek aleati i G7-s dhe G20-s si “shumë të rëndësishme”, Starmer tha se “përtej Evropës dhe SHBA-së, Japonia është investitorja më i madhe në ekonominë tonë dhe ka 1 000 kompani japoneze që mbështesin 150 000 vende pune në Britaninë e Madhe Pra, ka shumë çështje për t’u diskutuar”.

“Takaichi, e cila erdhi në pushtet në tetor të vitit të kaluar, ka qenë shumë e shpejtë për t’u bashkuar me ‘koalicionin e të gatshmëve’ të udhëhequr nga Britania dhe Franca, që po përgatit një forcë paqeruajtëse për Ukrainën”, shtoi ai.

Starmer pritet të takohet sot me Takaichi në zyrën e saj, Kantei për një darkë pune.

Vizita e tij vjen pas një udhëtimi katër ditor në Kinë, ku ai vazhdoi përpjekjet për të rikthyer marrëdhëniet e Britanisë së Madhe  me Pekinin.

Duke udhëtuar me një delegacion prej më shumë se 50 liderësh biznesi dhe kulturore, Starmer arriti një reduktim të tarifave për uiskin dhe futjen e udhëtimit pa vizë në Kinë për qytetarët britanikë.

Pas një takimi me Presidentin kinez, Xi Jinping, Pekini gjithashtu ra dakord të heqë sanksionet ndaj parlamentarëve britanikë./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post LONDËR – Starmer: Japonia aleate e rëndësishme e BM-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ROMË – Një afresk i restauruar habit me engjëllin që i ngjan Melonit

31 January 2026 at 17:39

ROMË, 31 janar /ATSH-DPA/ – Një afresk i restauruar së fundmi në një kishë në qendër të Romës po tërheq vëmendje të veçantë, pasi vëzhguesit kanë vënë re se një prej engjëjve ka një ngjashmëri të habitshme me kryeministren italiane, Giorgia Meloni.

Bazilika e “San Lorenzo in Lucina” është një nga kishat më të vjetra kristiane në Romë dhe njihet për bustin e mermerit të mbretit të fundit italian, Umberto II, i cili shkoi në mërgim në vitin 1946.

Mbi bust ndodhet një afresk me dy engjëj, të cilët nuk ishin shumë të njohur para restaurimit.

Tani, megjithatë, një prej tyre ka një ngjashmëri të pazakontë me Meloni, kryeministren italiane.

Sipas një raporti të gazetës “La Repubblica”, restauratori Bruno Valentinetti ka lidhje të gjatë me të djathtën italiane.

Engjëlli me krahë, i quajtur “Engjëlli Meloni”, mban një rrotull që tregon formën e Italisë në formë çizme, ndërsa engjëlli i dytë i dorëzon një kurorë sundimtarit të përbuzur.

“Ka një ngjashmëri të caktuar”, tha prifti i bazilikës, Daniele Micheletti.

“Por, do t’ju duhej të pyesnit restauratorin pse e bëri kështu. Unë nuk e di”, shtoi ai.

Megjithatë, Valentinetti tha se nuk sheh asnjë ngjashmëri me lideren italiane, duke theksuar se ai vetëm “ka restauruar atë që ishte aty 25 vjet më parë”.

“La Repubblica” shkruante se Valentinetti më parë ka punuar për punime të brendshme në San Lorenzo dhe thuhet se ishte punësuar edhe nga i ndjeri populist i djathtë Silvio Berlusconi, ish-kryeministër i Italisë, për të kryer punime rinovuese në një vilë.

Meloni postoi një foto të engjëllit në faqen e saj në Instagram me shënimin “Jo, sigurisht që nuk dukem si një engjëll”, e shoqëruar me një emoji gazmor./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post ROMË – Një afresk i restauruar habit me engjëllin që i ngjan Melonit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IRAN – Shpërthime në mbarë vendin mes rritjes së tensioneve rajonale

31 January 2026 at 17:03

TEHERAN, 31 janar /ATSH-DPA/ – Disa shpërthime u raportuan sot në pjesë të ndryshme të Iranit duke shtuar frikën për një përshkallëzim të mundshëm të konfliktit në rajon.

Në qytetin portual Bandar Abbas, një person humbi jetën dhe 14 të tjerë u plagosën si pasojë e një shpërthimi, njoftoi agjencia e lajmeve “Tasnim”, e afërt me Gardën Revolucionare Islamike (IRGC).

Dëshmitarë okularë raportuan gjithashtu për të paktën një shpërthim pranë kryeqytetit Teheran, megjithëse detaje të mëtejshme nuk janë bërë ende publike.

Në jugperëndim të Iranit, portali online ”Nur News” bëri të ditur, duke cituar shefin e zjarrfikësve në qytetin Ahvaz, se një shpërthim gazi atje shkaktoi vdekjen e katër personave.

Agjencia “Tasnim” hodhi poshtë thashethemet se shpërthimi në Bandar Abbas kishte qenë një tentativë sulmi ndaj komandantit të marinës së IRGC-së, Alireza Tangsiri.

Ndërkohë, agjencia shtetërore e lajmeve IRNA publikoi një fotografi që tregon fasadën pjesërisht të shkatërruar të një ndërtese shumëkatëshe banimi, duke theksuar se shkaku i shpërthimit mbetet ende i paqartë.

Ngjarjet vijnë në prag të nisjes së një manovre detare triditore të Gardës Revolucionare, ku pritet të marrin pjesë edhe Kina dhe Rusia.

Ky mision zhvillohet në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump ka dislokuar një flotë ushtarake, përfshirë aeroplanmbajtëse, në rajon, ndërsa më herët ka kërcënuar udhëheqjen iraniane me ndërhyrje pas shtypjes së ashpër të protestave nga regjimi iranian./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post IRAN – Shpërthime në mbarë vendin mes rritjes së tensioneve rajonale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHKUP – Qytetarët protestojnë në mbrojtje të shëndetit dhe mjedisit

31 January 2026 at 16:23

SHKUP, 31 janar /ATSH-AA/ – Qytetarët e Shkupit kanë dalë në rrugë në një marshim të organizuar nga iniciativa qytetare ”Stop për Çimentoren Usje”, duke kërkuar mbrojtjen e shëndetit dhe mjedisit nga ndotja e ajrit.

Marshimi filloi para godinës së qeverisë e më pas  pjesëmarrësit vazhduan drejt parlamentit dhe përfunduan protestën në mënyrë paqësore para Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, ku përsëritën kërkesat e tyre për veprime urgjente dhe kontroll më të madh mbi ndotësit.

Me mesazhe të tilla ”Fitim për ta, sëmundje për ne”, ”Ne thithim helm” dhe ”Ajri nuk është luks, është e drejtë”, pjesëmarrësit thanë se interesat ekonomike nuk duhet të jenë më të rëndësishme se shëndeti i njerëzve.

 “Institucionet e kanë për detyrë të veprojnë në interes të qytetarëve dhe se çështjet që lidhen me ndotjen dhe mbrojtjen e shëndetit publik kërkojnë masa urgjente dhe specifike”, tha Aleksandar Todeski, një aktivist nga iniciativa ”Stop për Çimentoren Usje”.

Protestat do të vazhdojnë. Është e rëndësishme që qytetarët të dalin në protestë dhe ky numër i qytetarëve është dëshmi e mjaftueshme se duhet tashmë të trajtohen gjërat që të gjithë të thithim ajër të pastër”, shtoi Todeski.

Qyteti i Shkupit ka miratuar një iniciativë për dislokimin e fabrikës jashtë zonave urbane, por kompania mohon se është shkaktar i ndotjes, duke theksuar se emetimet janë nën vlerat ligjore dhe monitorohen vazhdimisht.

Shkupi vazhdon të mbetet me ajër shumë të ndotur, shpesh duke u renditur mes qyteteve me ajrin më të ndotur në botë.

Fabrika e çimentos “Usje”, e cila ndodhet në periferi të kryeqytetit, është një nga kompanitë kryesore të prodhimit të çimentos dhe materialeve të ndërtimit për tregun vendas dhe atë rajonal./   /Ad.Ab./  a.jor.

 

 

The post SHKUP – Qytetarët protestojnë në mbrojtje të shëndetit dhe mjedisit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VENEZUELË – Amnisti për të burgosurit politikë

31 January 2026 at 15:41

BUENOS AIRES, 31 janar /ATSH-DPA/ – Qeveria e Venezuelës shpalli një amnisti gjithëpërfshirëse për të burgosurit politikë duke e paraqitur masën si një hap drejt pajtimit kombëtar pas viteve të përplasjeve politike.

“Ne kemi vendosur të ecim përpara me një ligj të përgjithshëm amnistie që mbulon të gjithë periudhën e dhunës politike nga viti 1999 deri në ditët e sotme”, deklaroi presidentja në detyrë, Delcy Rodríguez.

Ajo shtoi se, si pjesë e këtij procesi, do të mbyllet edhe burgu famëkeq i shërbimit sekret, ”El Helicoide”, në Karakas, i njohur ndër vite si simbol i ndalimeve dhe persekutimit politik.

Që nga kapja e liderit venezuelian Nicolás Maduro nga Shtetet e Bashkuara më 3 janar, autoritetet në Karakas kanë liruar tashmë qindra të burgosur politikë, nën presionin e Uashingtonit.

Sipas Rodríguez, amnistia synon të ndihmojë në shërimin e plagëve të shkaktuara nga konfrontimet politike në vendin e Amerikës së Jugut dhe të krijojë kushte për stabilitet politik dhe shoqëror.

Në të njëjtën kohë, ambasada amerikane në Bogota, Kolumbi, e cila mbulon edhe Venezuelën, njoftoi se “të gjithë shtetasit amerikanë të njohur si të ndaluar në Venezuelë” janë liruar tashmë./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post VENEZUELË – Amnisti për të burgosurit politikë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Pistorius: Nuk shoh shenja të gatishmërisë së Putinit për paqe

31 January 2026 at 15:07

BERLIN, 31 janar /ATSH-DPA/ – Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka vënë në dyshim nëse presidenti rus Vladimir Putin dëshiron realisht të arrijë paqen përmes negociatave për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Në një deklaratë për grupin mediatik RND, të publikuar sot, Pistorius tha se presidenti amerikan Donald Trump ka sjellë njëfarë dinamike në përpjekjet diplomatike, por theksoi se veprimet e Moskës tregojnë një realitet tjetër.

“Deri tani, nuk shoh asnjë shenjë që Rusia e dëshiron seriozisht paqen”, tha Pistorius.

Gjatë negociatave mes palëve ndërluftuese nën ndërmjetësimin e SHBA-së në Abu Dabi fundjavën e kaluar, Putin bombardoi Ukrainën “në një mënyrë që mezi është parë gjatë kësaj lufte”.

Sipas tij, këto sulme shkojnë përtej objektivave ushtarake.

“Ky është terror i drejtuar ekskluzivisht kundër popullsisë civile, gjatë një dimri me temperatura minus 20 gradë Celsius”, tha Pistorius.

“Putin nuk ka treguar asnjë gatishmëri për kompromis”, shtoi ai.

Në kryeqytetin ukrainas Kiev dhe në qytete të tjera, miliona njerëz kanë përjetuar javë të tëra errësire dhe të ftohti pas sulmeve ajrore ruse, të cilat kanë dëmtuar rëndë infrastrukturën e energjisë elektrike dhe të ngrohjes.

Gjatë bisedimeve, sulme të reja me dronë dhe raketa vonuan sërish riparimet e furnizimit me energji në Kiev për disa ditë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi dje se Rusia do të respektojë kërkesën e Trump për një armëpushim të kufizuar dhe të përkohshëm në Ukrainë deri të dielën.

I pyetur për përpjekjet për ndalimin e sulmeve, Pistorius tha se nëse Putin do t’i merrte seriozisht bisedimet në Abu Dabi, nuk do të kishte nevojë që t’i kërkohej një armëpushim./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post GJERMANI – Pistorius: Nuk shoh shenja të gatishmërisë së Putinit për paqe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJEOLOGJI – Afrika po ndahet në dy pjesë pas një procesi të fuqishëm tektonik

31 January 2026 at 14:24

UASHINGTON, 31 janar /ATSH/ – Shkencëtarët kanë konfirmuar se Afrika po ndahet gradualisht në dy pjesë, si pasojë e një procesi të fuqishëm tektonik që po përparon më shpejt nga sa mendohej më parë, sipas Euronews.

Sistemi i Riftit të Afrikës Lindore, që shtrihet nga Deti i Kuq deri në Mozambik, po çan kontinentin përgjatë vijave të thella gjeologjike dhe, brenda 5–10 milionë vjetësh, mund të krijojë një oqean të ri mes Afrikës Lindore dhe Perëndimore.

Të dhënat e fundit nga NASA, Universiteti i Rochester dhe Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së tregojnë se korja e Tokës në këtë rajon po hollohet dhe po çahet në disa pika njëkohësisht.

Në disa zona janë zbuluar shenja të hershme të formimit të korës oqeanike, çka tregon se procesi ka kaluar nga faza kontinentale drejt asaj detare.

Matjet satelitore kanë regjistruar zgjerim të dukshëm të luginave dhe çarjeve me kalimin e viteve.

Ky proces, megjithëse shumë i ngadaltë për jetën e përditshme të njeriut, po matet në kohë reale falë teknologjisë GPS, e cila ndjek lëvizjet e tokës me saktësi milimetrike.

Gjeofizikanët e përshkruajnë Afrikën Lindore si një laborator natyror ku mund të vëzhgohet drejtpërdrejt ndarja e një kontinenti.

Një nga ngjarjet më të spikatura ndodhi në vitin 2005, kur në shkretëtirën e Etiopisë u hap brenda pak ditësh një çarje rreth 56 kilometra e gjatë.

Zona më aktive ndodhet në rajonin Afar të Etiopisë, ku takohen tre pllaka tektonike; Nubiane, Somaliane dhe Arabe.

Ky bashkim trefish krijon tensione të forta, shoqëruar me tërmete dhe aktivitet vullkanik.

Shkencëtarët kanë zbuluar se pulsimet e magmës nga manteli i Tokës luajnë rol kyç në përshpejtimin e procesit të çarjes.

Përveç rrezikut sizmik dhe vullkanik për zonat e banuara dhe infrastrukturën, ky proces sjell edhe mundësi ekonomike.

Aktiviteti tektonik është burim i rëndësishëm i energjisë gjeotermale, të cilën vende si Kenia po e shfrytëzojnë gjithnjë e më shumë.

Në planin afatgjatë, uji i Detit të Kuq dhe Gjirit të Adenit pritet të përmbytë luginën e riftit, duke formuar një oqean të ri dhe duke ndryshuar përgjithmonë hartën gjeografike të Afrikës./   Ad.Ab./  a.jor.

The post GJEOLOGJI – Afrika po ndahet në dy pjesë pas një procesi të fuqishëm tektonik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Merz skeptik ndaj planeve për rimodelimin e lidershipit të BE-së

30 January 2026 at 23:01

ZAGREB, 30 janar /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman, Friedrich Merz shprehu skepticizëm mbi realizueshmërinë e propozimeve të gjerë për reformimin e Bashkimit Evropian, të paraqitura nga lideri i Partisë Popullore Evropiane (EPP), Manfred Weber.

Weber ka sugjeruar që dy pozicionet kryesore të BE-së të bashkohen për të rritur efektivitetin e bllokut në çështjet ndërkombëtare.

“Të arrish ndryshime traktatesh në këtë Bashkim Evropian me 27 vende është një detyrë mjaft e vështirë”, tha Merz në fillim të samitit të EPP-së në Zagreb.

Ai shtoi se duhet të përqendrohen kryesisht tek aftësia mbrojtëse dhe konkurrueshmëria ekonomike.

Liderët e EPP-së po diskutojnë në Zagreb për rolin e Evropës në një rend botëror ku fuqitë kryesore luajnë rol dominant.

Weber, i intervistuar nga revista gjermane “Der Spiegel”, propozoi që pas zgjedhjeve evropiane të vitit 2029, posti i presidentit të Komisionit Evropian të bashkohet me atë të presidentit të Këshillit Evropian.

”BE-ja nuk luajti rol udhëheqës në krizën e fundit për Ukrainën dhe Groenlandën”, theksoi ai.

Weber mbështeti gjithashtu krijimin e një ushtrie evropiane dhe vendosjen e forcave të përbashkëta paqeruajtëse në Ukrainë si bazë për këtë.

Merz nënvizoi se BE-ja ka hequr praktikisht dorë nga parimi i unanimitetit në tregun e brendshëm, ku përdoret gati kudo votimi me shumicë të kualifikuar, dhe se kjo qasje duhet të zgjerohen gradualisht edhe në politikën e jashtme dhe sigurinë.

Sot, BE-ja përfaqësohet në samitet ndërkombëtare nga dy figura: presidenti i Këshillit dhe presidenti i Komisionit, gjë që ndonjëherë e bën të paqartë se kujt duhet t’i drejtohen të huajt për çështje të caktuara.

Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, përgjigjet kryesisht për propozimet ligjore dhe respektimin e traktateve, ndërsa presidenti i Këshillit, António Costa, kryeson dhe përgatit samitet e BE-së./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Merz skeptik ndaj planeve për rimodelimin e lidershipit të BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – SHBA vendos sanksione të reja ndaj politikanëve iranianë

30 January 2026 at 22:33

UASHINGTON, 30 janar /ATSH-DPA/ – Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja ndaj përfaqësuesve të lartë të udhëheqjes iraniane pas shtypjes brutale ndaj demonstruesve në Iran.

“Fokusi është tek ministri i Brendshëm iranian, Eskandar Momeni, i cili thuhet se është përgjegjës për shtypjen e dhunshme të protestave mbarëkombëtare”, tha Departamenti i Thesarit i SHBA-së në një njoftim për shtyp të lëshuar sot.

Momeni thuhet se mbikëqyr forcat iraniane të sigurisë, të cilat Uashingtoni i fajëson për vrasjen e mijëra demonstruesve.

Sanksionet synuan gjithashtu disa komandantë nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) elitare të Iranit dhe investitorin Babak Morteza Zanjani.

Ai dyshohet se ka përvetësuar miliarda nga biznesi i naftës dhe i ka vënë fondet në dispozicion të qeverisë në Teheran përmes strukturave të fshehta financiare.

Për herë të parë, SHBA vendosi gjithashtu sanksione ndaj dy bursave të kriptomonedhave të lidhura me Zanjanin.

Sipas Departamentit të Thesarit, asetet në SHBA do të bllokohen, marrëdhëniet e biznesit do të ndalohen dhe kufizimet e udhëtimit do të vendosen.

Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, riafirmoi se qëndron me popullin iranian dhe do të vazhdojë të rrisë presionin mbi udhëheqjen në Teheran./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – SHBA vendos sanksione të reja ndaj politikanëve iranianë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

NJU JORK – Guterres paralajmëron shtetet anëtare për kolaps financiar të OKB-së

30 January 2026 at 22:00

NJU JORK, 30 janar /ATSH–DPA/ – Për shkak të mungesës së pagesave nga ish-donatori më i madh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka paralajmëruar për kolaps të menjëhershëm financiar të OKB-së.

Sipas një letre të Guterres, drejtuar 193 shteteve anëtare, thuhet se situata financiare e organizatës po përkeqësohet shpejt, dhe nëse nuk gjendet një zgjidhje, atëherë fondet për buxhetin e rregullt mund të mbarojnë në korrik.

Guterres i kërkoi të gjitha shteteve anëtare që ose të paguajnë në kohë ose të reformojnë rregullat e financimit të OKB-së.

Vetëm SHBA-ja aktualisht i detyrohet Kombeve të Bashkuara disa miliarda dollarë.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka kritikuar organizatën disa herë më parë./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post NJU JORK – Guterres paralajmëron shtetet anëtare për kolaps financiar të OKB-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Irani kërkon të përfundojë një marrëveshje me SHBA‑në

30 January 2026 at 21:23

UASHINGTON, 30 janar  /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi sot se Iranit i intereson të arrijë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara, edhe pse ai nuk zbuloi ndonjë afat të caktuar për arritjen e saj.

Presidenti Trump u tha gazetarëve në Zyrën Ovale se, sipas tij, iranianët duan të bëjnë një marrëveshje.

Ai tha gjithashtu se kishte dhënë një afat për Teheranin, të cilën vetëm iranianët e dinë me siguri.

”Shpresojmë që do të arrijmë një marrëveshje. Nëse ndodh, është mirë. Nëse jo, do të shohim çfarë do të ndodhë”, shtoi Trump.

Presidenti Trump theksoi gjithashtu se SHBA ka dërguar një forcë të madhe ushtarake drejt rajonit përballë Iranit, duke nënkuptuar një shtim të forcave në Gji.

Zyrtarët iranianë, përfshirë ministrin e Jashtëm Abbas Araghchi, përsëritën se Irani është i gatshëm të rifillojë negociatat mbi programin bërthamor, por me kushte të barabarta dhe pa negociuar kapacitetet e tij të mbrojtjes.

Araghchi tha se forcat iraniane janë të gatshme të përgjigjen fuqishëm ndaj çdo sulmi amerikan, “por gjithashtu është i hapur ndaj një marrëveshjeje” që siguron të drejtën e Iranit për teknologji paqësore bërthamore dhe ndalon armët bërthamore./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post SHBA – Trump: Irani kërkon të përfundojë një marrëveshje me SHBA‑në appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KINEMA – Vdes aktorja e njohur kanadezo-amerikane Catherine O’Hara

30 January 2026 at 20:49

LOS ANXHELES, 30 janar /ATSH/ – Aktorja kanadezo-amerikane, Catherine O’Hara, e famshme për rolet e saj në filmat klasikë “Home Alone” dhe serialin komik të suksesshëm “Schitt’s Creek”, ka ndërruar jetë në moshën 71 vjeçare, sipas tmz.com.

Lajmi u konfirmua sot nga menaxheri i saj.

Sipas raporteve, O’Hara ka vdekur në shtëpinë e saj në Los Anxheles pas një sëmundjeje të shkurtër.

Shkaku i vdekjes ende nuk është bërë zyrtarisht publik.

Ajo u bë e famshme në filmat e viteve ’80 e ’90, përfshirë edhe komedinë e njohur “Beetlejuice”.

U bë shumë e dashur për interpretimin e saj si Moira Rose në serialin komik “Schitt’s Creek”, ku u shqua me humorin dhe stilin unik të personazhit.

O’Hara u vlerësua me çmime të rëndësishme, duke përfshirë edhe ”Emmy Awards”.

Catherine O’Hara do të mbahet mend si një nga figurat më të mëdha të komedisë dhe kinemasë moderne, e dashur nga miliona njerëz në mbarë botën.

Ajo u lind më 4 mars 1954 në Toronto, Kanada.

Ajo u rrit në një familje me prejardhje irlandeze dhe që në adoleshencë pati një prirje natyrore për humorin dhe performancën.

Karriera e saj nisi në fund të viteve 1970, kur iu bashkua trupës së improvizimit ”The Second City” në Toronto dhe më vonë në Chicago, një vend ku shumë artistë komikë të njohur nisën emrat e tyre.

Ajo shquhej për aftësinë e jashtëzakonshme për të krijuar personazhe të çuditshme, zëra të pazakontë dhe për të improvizuar me humor të fortë. /Ad.Ab./ a.jor.

The post KINEMA – Vdes aktorja e njohur kanadezo-amerikane Catherine O’Hara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SERBI – Policia sekuestron pesë tonë marijuanë, sasia më e madhe në historinë e vendit

30 January 2026 at 20:11

BEOGRAD, 30 janar /ATSH/ – Policia serbe ka sekuestruar rreth pesë tonë marijuanë, sasia më e madhe e kapur ndonjëherë në vend, pas një operacioni në një kompani bujqësore, në fshatin Konjuh, pranë qytetit të Krushevcit, bëri të ditur ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç, sipas Reuters.

Sipas tij, janë arrestuar dy persona, ndërsa një i dyshuar tjetër mbetet në arrati.

”Kjo është një sasia më e madhe e kapur ndonjëherë”, tha Daçiç në një deklaratë, duke shtuar se policia ka sekuestruar gjithashtu katër armë automatike dhe një hedhës raketash antitank.

Prodhimi i kanabisit mbetet i paligjshëm në Serbi, megjithëse aktivistë të ndryshëm po promovojnë legalizimin e tij për përdorim mjekësor.

Daçiç theksoi se hetimet do të përcaktojnë origjinën e kanabisit të sekuestruar.

Serbia, e cila synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ka intensifikuar vitet e fundit përpjekjet kundër trafikimit dhe prodhimit të drogave.

Shumica e drogave që qarkullojnë në vend vijnë nga Lindja e Mesme dhe Amerika Latine.

Në këtë aksion, i cilësuar si më i madhi në historinë e vendit, policia gjeti në fshatin Konjuh afro pesë tonë marijuanë dhe katër armë automatike.

Fotografitë nga vendngjarja tregojnë një numër të madh kutish ku ishte depozituar droga, si dhe armët e sekuestruara./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post SERBI – Policia sekuestron pesë tonë marijuanë, sasia më e madhe në historinë e vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌