Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 December 2025Main stream

VIDEO/ Dhunohet TikTokerja e njohur Suada Muça

By: V K
25 December 2025 at 09:31

Mbrëmjen e djeshme, është dhunuar TikTokerja Suada Muça, në Tiranë. Burime jozyrtare bëjnë me dije se ajo është sulmuar nga disa vajza, të cilat dyshohet se kanë vepruar për hakmarrje.

Ngjarja lidhet me ofendime dhe fyerje të publikuara më herët në rrjetet sociale nga Muça ndaj Xhemal Uka, i njohur me nofkën “Fire”.

Dhuna për shkak të TikTok-ut, është një rast i përsëritur. Së fundmi, dy episode të tjera të rënda dhune, deri në plagosje, janë regjistruar në Tiranë, të cilat dyshohet se e kanë zanafillën nga konfliktet në rrjetin social TikTok.

Një nga rastet lidhet me plagosjen e Fabion Kuçi, i njohur në rrjetet sociale si “Gucci”. Kuçi është përfshirë fillimisht në përplasje verbale në TikTok, më pas u plagos me armë zjarri. Gjatë dëshmisë në polici, ai ka deklaruar se konflikti nisi pas sharjeve në rrjetet sociale, ndërsa autori i plagosjes është identifikuar dhe shpallur në kërkim.

Rasti tjetër i rëndë është ai i plagosjes së një 26-vjeçari në zonën e Freskut, i cili u dhunua me sende të forta. Për këtë ngjarje, policia ka shpallur në kërkim Xhemal Ukën që dyshohet edhe si porositësi i dhunës ndaj Muçës.

 

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Mega News Albania (@meganews.al)

The post VIDEO/ Dhunohet TikTokerja e njohur Suada Muça appeared first on Albeu.com.

Arrestohet në Stamboll presidenti i Fenerbahçes, Sadettin Saran

By: V K
25 December 2025 at 09:23

Në kuadër të një hetimi antidrogë që përfshin figura të njohura të botës së artit dhe mediave, Presidenti i Fenerbahçes, një nga klubet më të mëdha sportive në Turqi, Sadettin Saran, është arrestuar në Stamboll.

Sipas transmetuesit shtetëror TRT, Saran, i cili ka shtetësi turke dhe amerikane, u arrestua sot pasi analizat zbuluan prani të substancave narkotike në mostrat e flokëve të tij.

Megjithatë, Saran ka mohuar kategorikisht rezultatet e testit, duke deklaruar se nuk ka përdorur kurrë drogë dhe se do të kërkojë zyrtarisht kryerjen e një analize të re.

Javën e kaluar, ai ishte thirrur për të dëshmuar para prokurorëve dhe ishte dërguar në një institucion mjekësor ligjor për të dhënë mostra flokësh dhe gjaku.

Hetimi po mbikëqyret nga Prokuroria e Përgjithshme e Stambollit.

Që nga fillimi i muajit dhjetor, operacioni ka çuar në arrestimin e më shumë se një duzine personash, të dyshuar për përfshirje në prodhimin dhe trafikun e lëndëve narkotike.

Mes të ndaluarve ka prezantues televizivë, gazetarë, këngëtarë, aktorë dhe figura të njohura të rrjeteve sociale.

The post Arrestohet në Stamboll presidenti i Fenerbahçes, Sadettin Saran appeared first on Albeu.com.

Presidenti Begaj uron besimtarët e krishterë: Krishtlindje plot shpresë e begati për të gjithë

By: V K
25 December 2025 at 08:56

Presidenti Bajram Begaj, ka uruar besimtarët për Krishtlindje. Në mesazhin e tij, Begaj uron festa plot begati për besimtarët e krishterë.

Urim i Begajt:

“Krishtlindje të gëzuara, plot shpresë e begati për të gjithë miqtë tanë të krishterë! Le të jetë kjo Krishtlindje burim paqeje dhe gëzimi, si dhe një mundësi për të kaluar çaste të lumtura me njerëzit tuaj më të dashur”, shkruan Presidenti Begaj.

 

Krishtlindje të gëzuara, plot shpresë e begati për të gjithë miqtë tanë të krishterë!

Le të jetë kjo Krishtlindje burim paqeje dhe gëzimi, si dhe një mundësi për të kaluar çaste të lumtura me njerëzit tuaj më të dashur! pic.twitter.com/tfp4BEn5vt

— Bajram Begaj (@BajramBegajAL) December 25, 2025

The post Presidenti Begaj uron besimtarët e krishterë: Krishtlindje plot shpresë e begati për të gjithë appeared first on Albeu.com.

Kryeministri Rama mesazh urimi për besimtarët e krishterë: Gëzuar Krishtlindjen

By: V K
25 December 2025 at 08:40

Këtë të enjte, në një postim në rrjetet sociale, kryeministri i vendit Edi Rama, ka uruar besintarët e krishterë për festën e Krishtlindjes.

Rama ka zgjedhur të ndajë një pamje nga “Çeta e profetëve”.

Urimi i Ramës:

“MIRËMËNGJES dhe me këtë imazh të shkëputur nga frontespici i veprës monumentale të Pjetër Bogdanit, “Çeta e Profetëve”,
ju uroj Gëzuar Krishtlindjen!”, shkruan Rama.

 

The post Kryeministri Rama mesazh urimi për besimtarët e krishterë: Gëzuar Krishtlindjen appeared first on Albeu.com.

Nga rajoni në shtëpinë e babagjyshit në Finlandë, ku do të arratisen shqiptarët këtë fundvit?

By: V K
25 December 2025 at 08:33

Jemi në atë stinë të udhëtimeve të fundvitit, kur agjencitë turistike nxjerrin ofertat e fundit dhe aeroportet mbushen me valixhe të menduara jo vetëm për dhurata, por për një ndërrim vitesh që kërkon largim nga rutina.

Për shqiptarët, modelet e zgjedhjes këtë vit tregojnë një kombinim të qartë midis relaksit të shpejtë, vizita në kryeqytete evropiane dhe një lëvizjeje të qëllimshme drejt destinacioneve më të largëta dhe luksoze, nga Dubai e deri te Kroacia dhe Mali i Zi, ku oferta e paketave bëhet aleati kryesor i familjeve dhe grupeve që duan një paketë “të mbyllur” pa surpriza logjistike.

Shifra të publikuara në faqet e agjencive që punojnë me tregun shqiptar tregojnë se kërkesa për Viti të Ri dhe Krishtlindje mbetet e lidhur ngushtë me paketat e organizuara: udhëtime 3-4 ditore drejt kryeqyteteve të Evropës lindore dhe Perëndimore, që vijnë me çmime nga rreth 345 euro deri në 550 euro për personi dhe oferta më luksoze drejt Lindjes së Mesme që kapin 900 euro për person kur përfshihet edhe fluturimi dhe akomodimi në hotele 4-5 yje.

Kjo panoramë e paketave, nga Vjena dhe Barcelona te Parisi dhe Dubai, është e dukshme në katalogët e agjencive shqiptare për fundvitin.

Nga ana e destinacioneve, trendi nuk është një rikthim i vetëm në vendet tradicionale. Ndërsa Vjena, Parisi dhe qytetet e mëdha të Evropës Perëndimore mbeten të preferuara për ato që kërkojnë tregje të ndriçuara me tregje të Krishtlindjeve dhe festa publike të organizuara, një pjesë e konsiderueshme e udhëtarëve shqiptarë po zgjedhin qytete më të afërta por të ndryshme në atmosferë: Stambolli mbetet një destinacion “i dyfishtë” i aksesueshëm për nga koha e fluturimit dhe i pasur në ofertë kulturore, ndërsa destinacionet bregdetare të Ballkanit si Budva, Kotor apo Dubrovnik po pozicionohen si alternativa të arsyeshme për ata që duan një fundvit me më pak udhëtime ajrore dhe më shumë natyrë, darka tradicionale dhe evente lokale, sipas komunikimeve me agjencitë në vend.

Tendenca këtë vit

Tendenca e fundit tregon se shqiptarët po kalojnë nga udhëtime relativisht standarde festive drejt përvojave unike dimërore, me një pjesë në rritje që synon jo vetëm shëtitjet në qytete të bukura, por edhe vendet ku ndjenja e festës duket të jetë pjesë e natyrës së saj më autentike, një trend që pritet të forcohet edhe për sezonet e ardhshme të festave.

Çmimet për paketat drejt Lapland në periudhën e festave janë dukshëm më të larta sesa një udhëtim tradicional në Evropë.

Paketat që përfshijnë fluturimet, akomodimin për disa netë, eksplorimi i zonës dhe darka festive zakonisht fillojnë nga rreth 1,000 euro për person e lart, dhe për paketat më luksoze apo ato me më shumë aktivitete tematike mund të kapin edhe 2,000 euro për person nëse përfshihen edhe netë shtesë, transferta dhe guidë për shikimin e dritave veriore që njihen si Aurora borealis.

Këto shifra i afrohen kostove tipike të paketave të plota në destinacione luksoze si Dubai apo Oman, Singapor, Maldive, por për shumë udhëtarë shqiptarë justifikohen nga përvoja “magjike” e dimrit arktik që nuk e gjen në vendet tradicionale të qytetit apo plazhit.

Një tjetër tendencë e këtij viti ishte Kajro, sidomos pas reklamimit masiv për hapjen e Muzeut në këtë qytet, i cili konsiderohet muzeu më i madh në botë për një qytetërim të vetëm. Paketat për Egjipt nisin nga 650 euro personi për akomodime 4 net.

Kosto

Kostoja mesatare e paketave jep edhe një tregues të sjelljes së konsumatorit: për një city break 3-4 netësh në një qytet evropian me fluturim dhe hotel 3-4 yje, çmimet vijojnë të luhaten rreth 350–550 euro për person, ndërsa paketa të shkurtuara jashtë Evropës apo me akomodim më të mirë (4-5 yje dhe evente speciale për ndërrim vitesh) mund të kapin 800–900 euro për person.

Shërbimet “all inclusive” apo paketat drejt destinacioneve si Dubai, që kërkojnë edhe fluturim më të gjatë dhe shërbime ekskluzive për ndërrim vitesh, shpjegojnë pjesën më të lartë të gamës së çmimeve.

Në anën tjetër, oferta më ekonomike për udhëtime rajonale, për shembull paketa 2-3 ditore në bregdetin e Malit të Zi ose një itinerar Dubrovnik–Budva me autobus dhe hotel me çmime prej rreth 100–200 euro, vijnë si alternativa për familjet me buxhete më të kufizuara.

Këto nivele çmimesh reflektojnë jo vetëm koston e fluturimeve dhe akomodimit, por edhe presionin ndaj shërbimeve gjatë periudhave të pikut të sezonit.

Një ndryshim i ndjeshëm krahasuar me vitet e para të paspandemisë shfaqet në modalitetin e prenotimit: konsumatorët shqiptarë po kërkojnë më shumë paketë “të mbyllur” me asistencë lokale, guida në shqip dhe transferime të sigurta, ndërsa një pjesë e udhëtimeve të fundit bëhen me fluturime low-cost të kombinuara me akomodim të rezervuar vetë dhe guidë me ndihmë nga Chatgpt-ja.

Oferta të vazhdueshme promocionale nga linjat low-cost dhe shitjet sezonale si Black Friday kanë ulur koston e fluturimeve për periudha të caktuara, por për periudhën pikë (rreth 24 dhjetorit deri në 2 janar) disponueshmëria e ulët dhe shtesat për bagazhe/transferime shpesh shndërrojnë një biletë të lirë në një shpenzim më të lartë në total.

Efekti është i dyfishtë: disa udhëtarë që duan të kursejnë priren të rezervojnë distanca më të afërta dhe paketa me autobus, ndërsa ata që kërkojnë përvojë “festive” me aktivitete të organizuara zgjedhin paketat më të shtrenjta që përfshijnë darkë gala dhe aktivitete speciale.

Luks në rritje

Si pasojë e kombinimit të këtyre faktorëve, agjencitë në kryeqytet tregojnë se pritet që edhe për festa të rritet peshorja e udhëtimeve rajonale dhe e arratisjeve të organizuara për datat 25-26-27-28, pasi raportohet që dita e premte është marrë si leje masivisht, për të përfituar një pushim prej 4 ditësh.

Agjencitë turistike shqiptare po përshkruajnë një sezon ku diversiteti i kërkesës (nga familjarët që duan paketa të sigurta te çiftet që kërkojnë arratisje romantike) do të përcaktojë ofertën: më shumë paketa me guida në shqip, oferta për grupe dhe paketim eventesh të tjera (koncerte, darka speciale).

Lidhur me impaktin ekonomik, rritja e kërkesës sidomos për paketat që përfshijnë fluturim dhe akomodim do të sjellë fluks parash drejt operatorëve turistikë lokalë dhe shërbimeve të lidhura, por do të rrisë edhe presionin mbi disponueshmërinë dhe çmimet gjatë periudhave të pikut.

Për natën e ndërrimit të viteve operatorët raportojnë që shumica e kërkesave janë brenda vendit, ndërsa arratisjet preferohen nga data 1 e në vijim, ku sipas tyre diversiteti i kërkesave nis nga ski në rajon për 250 euro personi, deri në plazh në Maldive apo Dubai për paketa mbi 1300 euro personi./ Monitor

The post Nga rajoni në shtëpinë e babagjyshit në Finlandë, ku do të arratisen shqiptarët këtë fundvit? appeared first on Albeu.com.

Këmbimi valutor 25 Dhjetor 2025/ Çfarë po ndodh sot me monedhat e huaja? Ja me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro

By: V K
25 December 2025 at 08:05

Ditën e sotme dollari amerikan, në blerje do të këmbehet me 81.2 lekë, në shitje me 82.4 lekë.

Euro, do të blihet me 95.9 lekë, do të shitet me 96.7 lekë.
Franga zvicerane, blihet me 102.9 lekë dhe shitet me 104 lekë.

Ndërsa paundi britanik, blihet me 109.5 lekë dhe shitet me 110.7 lekë.

Dollari kanadez, këmbehet me 59.2 lekë në blerje dhe me 60.4 lekë në shitje.

Më poshtë, po sjellim të dhënat e këmbimin valutor, për të gjitha monedhat e huaja:

 

The post Këmbimi valutor 25 Dhjetor 2025/ Çfarë po ndodh sot me monedhat e huaja? Ja me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro appeared first on Albeu.com.

Jasir Asani shënon supergol me Esteghlal (VIDEO)

By: V K
25 December 2025 at 07:47

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Jasir Asani, ishte protagonist në fitoren e rëndësishme 0-3 të Esteghlal në transfertë ndaj Al Muharra.

Ndeshja ishte e vlefshme për raundin e gjashtë dhe të fundit të Grupit A në Champions-in e dytë aziatik, një përballje vendimtare për fatin e kualifikimit në fazën pasuese të kompeticionit.

Para kësaj sfide, situata në grup ishte e qartë për skuadrën iraniane. Esteghlalit i duhej vetëm fitorja për të siguruar vendin e dytë dhe për të kaluar më tej, ndërsa çdo rezultat tjetër do ta linte jashtë.

Skuadra arriti ta menaxhojë ndeshjen dhe të marrë tre pikët e nevojshme, duke e mbyllur grupin me 8 pikë, një më shumë se Al Muharra, që u rendit pas saj.

Goli që vulosi përfundimisht fatin e takimit erdhi në minutën e 87-të dhe mban firmën e Jasir Asanit.

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare realizoi pas një gjuajtjeje të saktë nga jashtë zone, duke shënuar golin e tretë për Esteghlal dhe duke mbyllur çdo diskutim për rezultatin final.

Ky ishte realizimi i dytë i Asanit në këtë edicion të Champions-it 2 aziatik.

Paraqitja e tij u vlerësua pozitivisht edhe nga statistikat individuale. Sipas platformës “SofaSkor”, Asani mori notën 7.6, duke qenë mes lojtarëve më të vlerësuar në fushë për këtë përballje.

Kontributi i tij u konsiderua i rëndësishëm si në fazën sulmuese, ashtu edhe në menaxhimin e lojës në minutat vendimtare.

Pas gjashtë ndeshjesh të zhvilluara në grup, Esteghlal përfundon fazën e grupeve me 8 pikë, duke siguruar kualifikimin si skuadra e dytë e Grupit A.

Në planin individual, Asani po kalon një sezon pozitiv edhe në kampionat, ku ka shënuar gjashtë gola në 12 ndeshje të luajtura deri tani.

Sulmuesi 30-vjeçar është pjesë e klubit iranian që nga muaji gusht dhe, që prej afrimit të tij, ka dhënë një kontribut të qëndrueshëm në të dyja kompeticionet, kampionat dhe arenë ndërkombëtare.

 

The post Jasir Asani shënon supergol me Esteghlal (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

Besimtarët e krishterë festojnë sot Krishtlindjen, qytetarët luten për më shumë shëndet e mirësi

By: V K
25 December 2025 at 07:39

Këtë të enjte, besimtarët e krishterë festojnë  Krishtlindjen, ditën e shënuar të lindjes së Jezu Krishtit, e cila kremtohet në gjithë botën.

Në Tiranë besimtarët u mblodhën në katedralen ‘Shën Pali’ në Tiranë, për të ndjekur meshën nga Imzot Arjan Dodaj.

“Netët e mbara të historisë së njerëzimit nuk janë një dritë e fortë që imponon vetë, por një dritë e butë që ndriçon rrugën e çdo njeriu. Ajo përshkon shekujt dhe arrin tek ne, këtu, sonte. Ecim me gëzim dhe shpresë përballë çdo zhgënjimi njerëzor, sikurse kemi shtegtuar në këtë vit jubilear të shpresës, sepse për ne ka lindur Shpëtimtari. Jezusi mbetet për ne gjithmonë Zoti ynë, por edhe vëllai ynë. Leximet e kësaj nate, që sapo kemi dëgjuar, na ndihmojnë të kuptojmë se Krishtlindja nuk është thjesht premtimi i një përkujtimi të një ngjarjeje të kaluar. Sot shumë njerëz përjetojnë errësirën, siç dëgjojmë dhe shohim në luftë”, tha Imzot Arjan Dodaj gjatë predikimit.

Ndërkohë, qytetarët kanë shprehur urimet e tyre për sa më shumë shëndet e mirësi.

The post Besimtarët e krishterë festojnë sot Krishtlindjen, qytetarët luten për më shumë shëndet e mirësi appeared first on Albeu.com.

Parashikimi i motit, si do të ndryshojnë temperaturat gjatë ditës

By: V K
25 December 2025 at 07:32

Këtë të enjte vendi ynë, do të ndikohet nga kushte atmosferike të kryesisht të paqëndrueshme. Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura.

Reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët e lokalisht mesatar në pjesën më të madhe të territorit që në orët e para të 24-orëshit deri në mëngjes, hera-herës shtrëngata afatshkurtra.

Gjatë ditës reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët të karakterit lokal. Në Alpe dhe në lartësitë 700-800metra në verilindje dhe 900 metra në juglindje reshje dëbore me intensitet të ulët, lokalisht mesatar.

Mjegull e dendur/mjegullinë përgjatë zonave luginore në orët e mëngjesit, si dhe në momentin e reshjeve të shiut dhe dëborës.

Era do të fryjë me drejtim nga verilindja-juglindja me shpejtësi mesatare 7 m/sek, përgjatë vijës bregtdetare e zonave luginore era fiton shpejtësi deri në 15m/s .

Deti – Valëzimi forcës 2-4ballë.

The post Parashikimi i motit, si do të ndryshojnë temperaturat gjatë ditës appeared first on Albeu.com.

Yesterday — 24 December 2025Main stream

Goditet grupi që shiste lëndë narkotike në Tiranë, identifikohen 33 anëtarë

By: V K
24 December 2025 at 15:49

Policia ka goditur një grup kriminal që shiste lëndë narkotike në Tiranë. 33 persona janë identifikuar si pjesë e këtij grupi, të cilët individualisht ose në grupe, shpërndanin dhe shisnin drogën në trajta të ndryshme.

Në pranga janë vënë 22 persona, 5 janë arrestuar më herët gjatë fazës hetimore, ndërsa 6 të tjerët janë ende në kërkim.

22 personat e arrestuar janë: Renaldo Dalipi 32 vjeç, Engelbert Pjetri 33 vjeç, Armandi Hajdini 43 vjeç, Olsi Mici 32 vjeç,Fatjon Cela (Çela) 34 vjeç, Xhon Boci 31 vjeç, Laert Murataj 23 vjeç, Artan Pullazi 47 vjeç, Erald Sina 39 vjeç, Blerim Mali 34 vjeç, Gentjan Vercani 39 vjeç, Valerjos Bushi 19 vjeç, Olkid Hajdari 35 vjeç, Dylber Alijaj 39 vjeç, Angjelos Mema 23 vjeç, Majdi Musa 19 vjeç, Jurgen Hekurani 29 vjeç, Erdison Gjella 31 vjeç, Abdurahman Bollati 20 vjeç, Klodian Rrucaj 27 vjeç, Indri Nakaj 22 vjeç dhe Genti Kraja 20 vjeç.

Policia sekuestroi 10 kg kanabis dhe 100 doza, rreth 500 gramë kokainë, 5 automjete, 28 celularë, 6 peshore elektronike dhe 3 000 euro.

Nga hetimet rezultoi se aktiviteti kriminal i shitjes së lëndëve narkotike shtrihej në disa zona të qytetit të Tiranës, kryesisht në: Bllok, Kamëz, Laprakë, Selitë, Tiranë e Re, Shkozë, Ali Demi, Xhamllik, Pazari i Ri, Shkolla e Kuqe, Astir, Myslym Shyri dhe Komuna e Parisit.

Lëndët narkotike shiteshin në lokale, tabakino, mjete taksi, si dhe të kamufluara si shpërndarje porosish të ndryshme.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Finalizohet pas 4 javësh hetime, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, operacioni policor i koduar “Labirinti 2”.

Goditet një grup kriminal që shiste lëndë narkotike.

Identifikohen 33 shtetas, pjesëtarë të grupit kriminal, të cilët, individualisht ose të organizuar në grupe, ushtronin veprimtarinë e paligjshme të shitjes së lëndëve narkotike, në trajta të ndryshme.

Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg” për 22 prej tyre.

5 shtetas janë arrestuar gjatë periudhës hetimore, ndërsa vijon puna për kapjen e 6 shtetasve të tjerë të identifikuar si pjesë e këtij grupi kriminal.

Si rezultat i operacionit u sekuestruan rreth 500 gramë lëndë e dyshuar narkotike Kokainë; 10 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe 100 doza të kësaj lënde; 5 automjete; 28 celularë; 6 peshore elektronike dhe 3 000 euro.

Në kuadër të operacionit u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit:

R. D., 32 vjeç, E. P., 33 vjeç, A. H., 43 vjeç, O. M., 32 vjeç, F. C. (Ç), 34 vjeç, Xh. B., 31 vjeç, L. M., 23 vjeç, A. P., 47 vjeç, E. S., 39 vjeç, B. M., 34 vjeç, G. V., 39 vjeç, V. B., 19 vjeç, O. H., 35 vjeç, D. A., 39 vjeç, A. M., 23 vjeç, M. M., 19 vjeç, J. H., 29 vjeç, E. Gj., 31 vjeç, A. B., 20 vjeç, K. Rr., 27 vjeç, I. N., 22 vjeç dhe G. K., 20 vjeç.

Gjatë periudhës hetimore janë arrestuar shtetasit: A. V., 23 vjeç, E. P., 22 vjeç, G. V., 19 vjeç, S. C., 22 vjeç dhe R. Gj., 22 vjeç, të cilëve iu janë sekuestruar sasi të ndryshme lëndësh narkotike.

Nga hetimet rezultoi se aktiviteti kriminal i shitjes së lëndëve narkotike shtrihej në disa zona të qytetit të Tiranës, kryesisht në:
Bllok, Kamëz, Laprakë, Selitë, Tiranë e Re, Shkozë, Ali Demi, Xhamllik, Pazari i Ri, Shkolla e Kuqe, Astir, Myslym Shyri dhe Komuna e Parisit.

Lëndët narkotike shiteshin në lokale, tabakino, mjete taksi, si dhe të kamufluara si shpërndarje porosish të ndryshme.

6 shtetas të tjerë të identifikuar si pjesë e këtij rrjeti janë shpallur në kërkim. Vijon puna për kapjen e tyre dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

The post Goditet grupi që shiste lëndë narkotike në Tiranë, identifikohen 33 anëtarë appeared first on Albeu.com.

U zgjodh si Avokat i Popullit mes tensioneve, Shabani: Nuk e kam trazuar unë politikën, garova me mbështetjen e opozitës

By: V K
24 December 2025 at 15:27

Endrit Shabani, i ftuar në studion e News24, ka folur pas emërimit të tij si Avokat i Popullit, duke komentuar dinamikat që shoqëruan zgjedhjen e tij në këtë post.

“Nuk e kam trazuar unë politikën, ata kanë qenë të trazuar dhe në raste të tilla përdoret një person si kauzë. Nuk besoj se Avokati i Popullit është aq i rëndësishëm për partitë sa të përdoret rasti im si zhurmë”, tha Shabani.

Ai shtoi se garimi i tij ka qenë me firmat e PD-së dhe aktorëve të tjerë opozitarë, ndërsa u votua nga PS dhe disa parti të tjera të vogla, përfshirë PSD, PAA dhe disa të tjera.

“Unë kam garuar me firmat e PD dhe aktorëve të tjerë opozitarë, që firmosën për kandidimin tim, dhe u votova nga PS dhe parti të tjera të vogla. Nuk di kush më ka votuar pro dhe kundër, por qartazi PS ka votuar pro në bllok për mua”, deklaroi ai.

Shabani theksoi gjithashtu se kandidatura e tij ka pasur mbështetje të gjerë: “Unë jam propozuar nga PD dhe parti të tjera të vogla, 35 deputetë. Kandidaturë më konsensuale zor se gjen”.

The post U zgjodh si Avokat i Popullit mes tensioneve, Shabani: Nuk e kam trazuar unë politikën, garova me mbështetjen e opozitës appeared first on Albeu.com.

Vartësit e besuar të Belinda Ballukut/ Shkarkohen krerët e ARRSH dhe KESH, ja kush i zëvendëson

By: V K
24 December 2025 at 15:02

Gentian Gjyli, i cili është marrë i pendehur nga SPAK “për shkelje të barazisë në tendera” dhe aktualisht në “arrest shtëpie” me vendim të GJKKO-së, është larguar nga drejtimi i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH).

Në vend të tij është emëruar Ami Kozeli. Ami Kozeli është liruar nga detyra si zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe është emëruar në krye të ARRSH-së,

Ndërkohë Viola Haxhiademi, është emëruar në krye të KESH, institucion që drejtohej nga Erald Elezi, i cili gjithashtu ndodhet në “arrest shtëpie” me vendim të GJKKO-së i akuzuar për veprat penale “shkelje të barazisë në tendera”. Haxhiademi prej vitesh ka shërbyer në ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë si drejtoreshë e Kabinetit të Ministres dhe që prej vitit 2019 si Sekretare e Përgjithshme.

Pavarësisht lëvizjeve nga një institucion në tjetrin, Haxhiademi dhe Kozeli do të vijojnë të jenë në varësi të zv.kryeministres Belinda Balluku.

Akuzat ndaj Gentian Gjylit

Sipas materialeve hetimore, Gentian Gjyli, i cili ka mbajtur funksione drejtuese në struktura të lidhura me menaxhimin e projekteve energjetike dhe infrastrukturore, akuzohet për: shpërdorim detyre, shkelje të barazisë në tendera, bashkëpunim në kryerjen e veprave penale.

SPAK dyshon se Gjyli ka qenë pjesë e komisioneve të vlerësimit të ofertave, ku kriteret e tenderimit janë ndërtuar në mënyrë të tillë që favorizonin kompani të paracaktuara. Hetimet tregojnë se oferta të tjera janë skualifikuar për arsye formale, ndërsa projektet janë miratuar me kosto të fryra dhe konkurrencë të kufizuar.

Prokuroria e Posaçme dyshon gjithashtu se veprimet e tij nuk kanë qenë të izoluara, por të koordinuara në kuadër të një zinxhiri vendimmarrës, ku roli i zyrtarëve teknikë ka qenë zbatimi i vendimeve të marra në nivele më të larta.

Akuzat ndaj Erald Elezit

Në dosjen për Belinda Ballukun, Erald Elezi përmendet si zyrtar me rol teknik dhe operacional në fazën e zbatimit të kontratave publike. Ai akuzohet për: shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh, bashkëpunim në shkeljen e procedurave të prokurimit publik.

Sipas SPAK, Elezi dyshohet se ka hartuar dhe certifikuar dokumentacion teknik që nuk përputhej me realitetin e punimeve në terren. Ky dokumentacion është përdorur për të justifikuar pagesa shtesë, shtyrje afatesh dhe ndryshime kontraktuale pa bazë ligjore.

Hetimet tregojnë se roli i tij ka qenë kyç në mbulimin e shkeljeve të konstatuara gjatë zbatimit të projekteve, duke i dhënë atyre një formë të ligjshme përmes akteve administrative dhe raporteve teknike.

The post Vartësit e besuar të Belinda Ballukut/ Shkarkohen krerët e ARRSH dhe KESH, ja kush i zëvendëson appeared first on Albeu.com.

E dënuar për përfitim 1 mln eurosh, Apeli heq arrestin për biznesmenen e njohur

By: V K
24 December 2025 at 14:58

Gjykata e Apelit ka hequr masën e ‘arrestit në shtëpi’ ndaj biznesmenes Elisabeta Dosti.

Dosti u dënua nga Gjykata me masën ‘arrest shtëpie’, nën dyshimin se kishte përvetësuar dhe transferuar në mënyrë të paligjshme pasuritë e një shoqërie të privatizuar, duke përfituar mbi 1 milion euro ndaj aksionerëve të tjerë.

Në një njoftim zyrtar nga Prokuroria e Tiranës, theksohej se ajo dyshohej për “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.

Pas vendimit të sotëm të Gjykatës së Apelit, Dosti shprehet se: Ky vendim përbën një akt të qartë drejtësie dhe rrëzon bazën mbi të cilën u ndërtuan akuzat publike.

“Nuk kam kryer asnjë veprim të paligjshëm, nuk kam përvetësuar pasuri, nuk kam falsifikuar dokumente dhe nuk kam dëmtuar interesat e askujt. Çdo pretendim i kundërt ka qenë i pabazuar”, deklaron ajo.

The post E dënuar për përfitim 1 mln eurosh, Apeli heq arrestin për biznesmenen e njohur appeared first on Albeu.com.

Imuniteti i Ballukut mbetet “pezull”, anëtarët e PD në Këshillin e Mandateve kërkesë Peleshit: Të mblidhemi për shqyrtim më 26 dhjetor

By: V K
24 December 2025 at 14:38

Anëtarët e Partisë Demokratike në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin i kanë kërkuar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, thirrjen e mbledhjes së Këshillit për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për imunitetin e Belinda Ballukut, e pandehur për shkelje të barazisë në tendera.

Në shkresë ata kërkojnë që mbledhja të zhvillohet ditën e premte, më 26 dhjetor, në orën 11:00.

Demokratët argumentojnë se më shumë se një javë nga mbledhja e mëparshme, që u shty pa datë, është e pamjaftueshme që palët të njihen me aktet dhe të përgatiten për argumentet dhe mbrojtjen.

Po ashtu, ata vënë theksin edhe te kërkesa e Prokurorisë që çështja të shqyrtohet brenda 5 ditëve, për shkak të rrezikshmërisë së zëvendës kryeministres për të prishur prova apo intimiduar dëshmitarë.

“Duke mbajtur në konsideratë shënimin e Prokurorisë së Posaçme në kërkesë dhe gjatë mbledhjes së datës 19 Dhjetor 2025, ku nënvizohet se znj. Belinda Balluku është konstatuar me metoda speciale hetimi se po intimidon dëshmitarë/prish prova;

Duke mbajtur në konsideratë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme që çështja të shqyrtohet nga Këshilli brenda 3-5 ditë nga mbledhja e datës 19 Dhjetor 2025, për shkak të natyrës së ngutshme që ka kërkesa dhe nevojës për moscenimin e hetimeve”, thuhet në kërkesën e demokratëve, duke kërkuar që mbledhja të mbahet më 26 dhjetor.

Kujtojmë që mbledhja e kaluar u shty pa datë ndërsa anëtarët demokratë akuzuan socialistët se po tentojnë të shtyjnë imunitetin e Ballukut.

Shkresa e plotë:

Z. Kryetar i Kuvendit,

Sipas nenit 13 të Rregullores së Kuvendit, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, shqyrton kërkesën e prokurorisë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin, ose heqjen e lirisë në çfarëdolloj forme, ose ushtrimin e kontrollit personal apo të banesës së një deputeti në përputhje me nenin 73 të Kushtetutës, sipas procedurës së parashikuar në nenet 118 dhe 119 të Rregullores. Pika 6, e nenit 13 përcakton shprehimisht: “Këshilli mblidhet me kërkesën e Kryetarit të Kuvendit ose 1/2 së anëtarëve. Rendi i ditës caktohet nga Kryetari. Mbledhja është e vlefshme kur janë të pranishëm jo më pak se 5 anëtarë.”.

Me shkresën nr. 13019 Prot., datë 16.12.2025, Prokuroria e Posacme ka kërkuar dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Zëvendëskryeministrit Ministrit, znj. Belinda Balluku. Më kërkesën e Kryetarit të Kuvendit, Këshilli u mblodh për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme më datë 19 Dhjetor 2025, ora 10.30 min. Kryetari i Kuvendit në mënyrë të njëanëshme, pa vendim të Këshillit, vendosi të ndërpresë mbledhjen, pa caktuar një mbledhje tjetër, me qëllim sipas tij që anëtarët e Këshillit dhe palët të njihen me dokumentet shoqëruese të kërkesës së Prokurorisë.

Në këto kushte, në mbështetje të nenit 13, pika 6, dhe nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, Ne. 1/2 e anëtarëve të Këshillit:

Duke e konsideruar periudhën më shumë se 1 javë si të mjaftueshme për palët që të njihen me aktet dhe të përgatiten për praqitjen e agumenteve/mbrojtjen, bazuar edhe në precedentin parlamentar të dy rasteve të fundit të marra në shqyrtim nga Këshilli, ku afati në dispozicion të palëve ka qenë 48-72 orë:

Duke mbajtur në konsideratë shënimin e Prokurorisë së Posaçme në kërkesë dhe gjatë mbledhjes së datës 19 Dhjetor 2025, ku nënvizohet se znj. Belinda Balluku është konstatuar me metoda speciale hetimi se po intimidon dëshmitarë/prish prova;

Duke mbajtur në konsideratë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme që çështja të shqyrtohet nga Këshilli brenda 3-5 ditë nga mbledhja e datës 19 Dhjetor 2025, për shkak të natyrës së ngutshme që ka kërkesa dhe nevojës për moscenimin e hetimeve;

Me qëllim që Këshilli dhe Kuvendi të mos bëhen pengesë për drejtësinë dhe për hetimin e cështjeve nga Prokuroria e Posacme;

KËRKOJMË:

1. Mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ditën e premte, datë 26 Dhjetor 2025, ora 11.00, me Rend Dite: “Vijimi i shqyrtimit të kërkesës nr. 13019 Prot., datë 16.12.2025, me anë të së cilës Prokuroria e Posacme ka kërkuar dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit – Zëvendëskryeministrit -Ministrit, znj. Belinda Balluku.”.

2. Njoftimin e datës dhe orës së mbledhjes, si dhe Rendin e Ditës anëtarëve të tjerë të Këshillit, përfaqësuesve të Prokurorisë së Posacme, si dhe deputetes Belinda Balluku dhe përfaqësuesit të saj ligjor, me qëllim që të ushtrojë të drejtën e saj të mbrojtjes përpara Këshillit.

Sjellim në vëmendjen tuaj z. Kryetar i Kuvendit, që thirrja e mbledhjes së Këshillit me kërkesë të 1/2 së anëtarëve është e detyrueshme sipas Rregullores, sepse Këshilli thirret në dy forma sipas pikës 6. të nenit 13 të Rregullores së Kuvendit: (1) me kërkesë të Kryetarit të Kuvendit; (2) me kërkesë të 1/2 së anëtarëve të Këshillit. Nëse thirret nga 1/2 e anëtarëve të Këshillit, Kryetari i Kuvendit ka detyrimin të njoftojë Rendin e Ditës për anëtarët e tjerë dhe palët që mund të jenë thirrur në proces. Për këtë arsye, përmbushni detyrimin tuaj ligjor dhe mos u bëni pengesë për drejtësinë.

ANËTARËT E KËSHILLIT PËR RREGULLOREN, MANDATET DHE IMUNITETIN:

GAZMENT BARDHI

OERD BYLYKBASHI

ELDA HOTI

GENT STRAZIMIRI

SAIMIR KORRESHI

The post Imuniteti i Ballukut mbetet “pezull”, anëtarët e PD në Këshillin e Mandateve kërkesë Peleshit: Të mblidhemi për shqyrtim më 26 dhjetor appeared first on Albeu.com.

Aksident i shumëfishtë në rrugën nacionale Maqellarë-Peshkopi, plagosen disa persona

By: V K
24 December 2025 at 14:18

Pak minuta më parë, një aksident automobilistik ka ndodhur në rrugën nacionale Maqellarë-Peshkopi, në afërsi të fshatit Dovellan.

Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë katër automjete, ndërsa raportohet se ka edhe persona të lënduar.

Dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë mjegulla e dendur dhe lagështira në rrugë, të cilat kanë vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e mjeteve.

Kjo nuk është hera e parë që në këtë segment rrugor, pjesë e Rrugës së Arbrit, regjistrohen aksidente.

Sakaq, policia është nisur drejt vendngjarjes për të sqaruar rrethanat dhe për të menaxhuar trafikun, ndërsa ende nuk dihet numri i saktë i personave të plagosur.

Mjegulla e dendur, e cila prej më shumë se 23 ditësh ka përfshirë qarkun e Dibrës, vijon të mbetet një rrezik serioz për drejtuesit e mjeteve.

Autoritetet u bëjnë thirrje shoferëve të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në këtë periudhë festash, ku qarkullimi është rritur ndjeshëm për shkak të ardhjes së emigrantëve për festat e fundvitit.

The post Aksident i shumëfishtë në rrugën nacionale Maqellarë-Peshkopi, plagosen disa persona appeared first on Albeu.com.

Fatura fiktive dhe fshirje detyrimesh të bizneseve/ Prokuroria e Fierit çon në gjyq tre zyrtarët e Bashkisë (EMRAT)

By: V K
24 December 2025 at 13:48

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq dy drejtoreshat e Bashkisë Fier dhe drejtorin e DVKT-së Rajoni Jugor, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm.

Bëhet fjalë për: Adela Hysenaj, Drejtoreshë e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës; Anisa Cjapi, Drejtoreshë e Taksave dhe Tarifave Vendore; si dhe Vasil Çeku, Drejtor i DVKT-së Rajoni Jugor.

Sipas organit të akuzës, hetimet kanë zbuluar se drejtoresha e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës me inicialet A.H, nuk ka marrë masat për vendosjen e kasës fiskale në sistemin e parkimit të Bashkisë, duke lejuar shmangien e detyrimeve tatimore në vlera të konsiderueshme.

Gjithashtu, ajo akuzohet se ka ushtruar ndikim të paligjshëm për të realizuar faturime fiktive dhe për të ulur vlerat e taksave për disa subjekte, përfshirë edhe manipulimin e përllogaritjes së taksave të një subjekti privat.

Ndërsa, Anisa Cjapi, ka lëshuar fatura mbi vlerën reale për disa subjekte dhe, pas ankesave të këtyre të fundit, ka ulur vlerat e taksave edhe më shumë se parashikimet e vendosura nga Këshilli Bashkiak. Ajo gjithashtu nuk ka marrë masat për fiskalizimin e pikave të parkimit të mjeteve në administrimin e Bashkisë.

Ndërkohë, Vasil Çeku, ka detyruar inspektorët të kryejnë kontroll në një subjekt tregtar pa urdhër pune nga DPT, nuk ka kërkuar rikontroll në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe nuk ka mbikëqyrur fushatën sensibilizuese për subjektet e tjera.

Në përfundim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier dërgoi çështjen në gjyq në ngarkim të të pandehurve:

-Adela Hysenaj, e akuzuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 248 dhe 245/1 prg.3 të Kodit Penal;

-Anisa Cjapi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

-Vasil Çeku, i akuzuar për veprën kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

The post Fatura fiktive dhe fshirje detyrimesh të bizneseve/ Prokuroria e Fierit çon në gjyq tre zyrtarët e Bashkisë (EMRAT) appeared first on Albeu.com.

Protestat e PD-së, Berisha: Rruga e rrëzimit të Ramës nuk është me armë! Revoltat janë zgjidhja e vetme! Do e çojmë atje ku e ka vendin

By: V K
24 December 2025 at 13:34

Në konferencën e sotme me gazetarët, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur për protestat e nisura nga PD, duke u shprehur se kjo rrugë është e vetmja zgjedhje për të rrëzuar Edi Ramën nga pushteti.

Berisha: Kjo opozita ka organizuar në historikun e saj protesta nga më madhështoret, revolta nga më të suksesshmet.

Po e ka këtë histori, ka përmbysur njëherë sistemin e diktaturës dhe atë të krimit në 1997 me votë. Kjo opozitë, jo se i mungon plotësisht, po ka mbetur i pa çiftuar dhe tani qytetarët opozitarë duhet ta dinë se rruga e rrëzimit të Ramës nuk është me armë, por me revoltë të qëndrueshëm paqësore të përditshme, deri në largimin e tij.

Dhe për këtë, në këtë drejtim eksperienca botërore fakton se kjo është rruga më e suksesshme. Opozita duhet ta ketë e qartë se vetëm revolta është rruga për ta nisur atë ku e kane vendin narkodiktatorët dhe diktatorët. Ne kemi besim se do realizohet.

The post Protestat e PD-së, Berisha: Rruga e rrëzimit të Ramës nuk është me armë! Revoltat janë zgjidhja e vetme! Do e çojmë atje ku e ka vendin appeared first on Albeu.com.

Tragjike/ Humb jetën në moshën 34-vjeçare futbollisti i njohur (EMRI)

By: V K
24 December 2025 at 13:03

Futbolli gjerman është në zi për vdekjen e futbollistit Sebastian Hertner, i cili humbi jetën në moshën 34-vjeçare pasi ra nga një teleferik rreth 70 metra i lartë.

Mbrojtësi gjerman Sebastian Hertner, kapiten i skuadrës Etsv Amburgom humbi jetën, pasi ra nga një lartësi prej 70 m në një teleferik gjatë pushimeve dimërore në Malin e Zi.

Hertner ndodhej në Savin Kuk kur kabina e teleferikut ku ai ndodhej, u shkëput në mënyrë të papritur duke rënë poshtë me futbollistin që nuk pati asnjë mundësi shpëtimi.

“Me shumë trishtim bëjmë të ditur se kapiteni ynë, Sebastian Hertner humbi jetën në një aksident tragjik teksa ishte me pushime. Jemi të tronditur dhe me një dhimbje të thellë. Ngushëllimet tona më të ndjera shkojnë për familjen dhe të dashurit e tij. U prehsh në paqe, Sebastian“,-shkruan në rrjetet sociale klubi i Etsv Amburgom, që militon në divizionin e pestë në futbollin gjerman.

Sipas të dhënave të pata, kabina e teleferikut u shkëput nga kavoja duke përplasur pjesën e pasme dhe duke bërë që futbollisti të bjerë nga një lartësi rreth 70 m me Hertner që e humbi jetën menjëherë.

Me të ishte dhe bashkëshortja, edhe ajo viktimë e aksidentit dhe që e mori ndihmën pas disa orësh.

Gruaja, nën shok pësoi frakturë në këmbë, ndërsa impianti u mbyll menjëherë dhe autoritetet malazeze nisën një hetim për të zbuluar përgjegjësit e këtij aksidenti tragjik.

The post Tragjike/ Humb jetën në moshën 34-vjeçare futbollisti i njohur (EMRI) appeared first on Albeu.com.

Akuza për korrupsion dhe pastrim parash, kalon për gjykim dosja e kardiologut Edvin Prifti

By: V K
24 December 2025 at 12:36

Dosja penale ndaj mjekut kardiolog Edvin Prifti, ka kaluar për gjykim. Ai dyshohet se ka marrë rryshfet në këmbim të kryerjes së ndërhyrjeve kardiake.

Sipas Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Prifti akuzohet për “korrupsion pasiv” në shtatë raste, si dhe për veprat penale “vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “fshehja e të ardhurave” dhe “pastrimi i parave”.

Hetimet e SPAK, pretendojnë se pagesat e paligjshme janë kryer në lidhje me shtatë ndërhyrje kardiake, gjatë kohës që Prifti ushtronte detyrën si mjek.

Nga ana e tij, Prifti i ka mohuar të gjitha akuzat, duke deklaruar se është i pafajshëm.

The post Akuza për korrupsion dhe pastrim parash, kalon për gjykim dosja e kardiologut Edvin Prifti appeared first on Albeu.com.

Kryepeshkop Joani uron besimtarët për Krishtlindje: Festa vjen si rreze shprese, ngushëllimi e paqeje, sot më shumë se kurrë kemi nevojë për dritën e Krishtit

By: V K
24 December 2025 at 12:25

Këtë të mërkurë, Kryepeshkop Joani, ka përcjellë një mesazh urimi për të gjithë besimtarët me rastin e Festës së Krishtlindjes.

Në një mesazh, Kryepeshkop Joani, thotë se duhet të mbushim zemrat me përulësi dhe dritën e Krishtit.

Ai shprehet se kjo festë nuk ka të bëjë vetëm me “lindjen e një mësuesi, profeti apo ligjvënësi”, por vjen si rreze shprese, ngushëllimi e paqeje për këdo.

Sipas tij, sot më shumë se kurrë bota ka nevojë për dritën e Krishtit.

“Është detyra e çdo të krishteri ta përhapë dhe ta bashkëndajë këtë dritë me të gjithë botën, sepse vetëm duke e ndarë atë me të tjerët, drita mund të ruhet dhe të rritet, përndryshe ajo do të zbehet dhe përfundimisht do të zhduket. Tani, më shumë se kurrë, bota ka nevojë për dritën e Krishtit. Është e nevojshme, sepse një jetë pa praninë e Zotit bëhet e mjerueshme, kthehet në një jetë pa dashuri, pa gëzim, pa dritë: një jetë në errësirë”.

Mesazhi i plotë:

Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne (Jn.1:14)

Klerit dhe popullit shpresëtar,

Bij të shtrenjtë në Zotin,

Këto fjalë e përmbledhin dhe e shprehin kuptimin festës së Krishtlindjes në mënyrën më të thellë dhe më të përsosur. Nëse do të përqendrohemi për të kuptuar rëndësinë e këtij misteri të madh, në të cilin Biri dhe Fjala e Atit u mishërua dhe u bë njeri, atëherë do të mund të marrim pjesë në festimin dhe gëzimin shpirtëror dhe do të ndiejmë brenda nesh fuqinë transformuese të përjetimit të kësaj ngjarjeje.

Mishërimi nuk është thjesht një mrekulli apo një mister i denjë për t’u admiruar; është dhurata më e madhe që mund t’i jepej njerëzimit. Biri dhe Fjala e Perëndisë mishërohet dhe ulet pranë vuajtjes njerëzore, prek shtrembërimin e natyrës sonë për ta drejtuar, duke na zbuluar thellësinë e dhembshurisë dhe të përulësisë së thellë, që lind nga dashuria e Tij e pafund për të gjithë botën. Shën Athanasi i Madh e shpreh këtë të vërtetë tronditëse në mënyrë lakonike: Biri i Perëndisë u bë njeri, që ne të bëhemi perëndi.

Ndërsa vazhdojmë të përgatitemi për festimin e Krishtlindjes, na ndihmon të kujtojmë se kjo festë e madhe nuk ka të bëjë me lindjen e një mësuesi, profeti apo ligjvënësi. Perëndia i përjetshëm ndërhyn në histori dhe bëhet njeri, pa pushuar së qenuri Perëndi i plotë, për të na sjellë në shenjtërinë e Tij, për të na bërë pjesëmarrës të natyrës hyjnore (2 Petr. 1:4), për të shëruar, ringritur dhe përmbushur njerishmërinë tonë të rënë dhe të deformuar. Nëpërmjet pranisë së energjisë së Tij hyjnore, Krishti, Perëndinjeriu, aktivizon, fuqizon dhe gjallëron natyrën tonë njerëzore dhe na bashkon me Perëndinë, gjë që asnjë mësues, profet apo ligjvënës nuk mund ta bënte dot kurrë.

Krishtlindja na fton të marrim pjesë në thirrjen e engjëjve, për ta lavdëruar edhe ne bashkë me ta: Lavdi Perëndisë në më të lartat, dhe mbi dhenë paqe dhe në njerëzit mirëdashje (Llk. 2:14). Por, lajmërimi i Lindjes së Krishtit, nuk u bë në të njëjtën mënyrë për të gjithë: te barinjtë e përulur erdhi një engjëll, sepse zemra e tyre ishte e përulur dhe e hapur. Dijetarëve të Lindjes, që kishin etje për kërkim, iu dha një yll dhe përsëri një engjëll për t’i udhëhequr. Kurse sundimtarëve krenarë dhe dinakë, lajmi nuk u solli gëzim, por frikë, errësirë dhe refuzim, dhe deshën të vrasin foshnjën e porsalindur. Ngjarja u ofrohet të gjithëve, por jep fryt vetëm tek ata që kanë dëshirë, përulësi dhe qëllim të mirë. Erdhi tek të vetët dhe të vetët nuk e pranuan; por të gjithëve atyre që e pranuan… u dha pushtet të bëhen bij të Perëndisë – shkruan Shën Joani (Jn. 1:11-12).

Për çdo njeri që kërkon paqen e brendshme, të vërtetën dhe plotësinë, festa e gëzuar dhe plot dritë e Krishtlindjes vjen si rreze shprese, ngushëllimi dhe paqeje. Në një predikim të tij, Shën Joan Gojarti thotë: Atëherë, çfarë mund të jetë e barabartë me këto lajme të mira? Zoti në tokë, njeriu në Qiell; dhe të gjithë u bashkuan… dhe u bë pajtim midis Zotit dhe natyrës sonë… vdekja u shkatërrua, parajsa u hap, mallkimi u fshi, mëkati u hoq nga rruga, gabimi u dëbua, e vërteta u kthye, fjala e perëndishmërisë u mboll kudo dhe lulëzoi në rritjen e saj, shoqëria e Qiellit u transferua në tokë, ose më saktë, gjërat në tokë u lidhën me ato në Qiell (Predikim për Krishtlindjen).

Të dashur vëllezër dhe motra! Duhet ta shpallim me gëzim këtë lajm të mirë dhe të dëshmojmë me zell dhe pa u lodhur se tashmë Perëndia banon ndër ne. Një dëshmitar i vërtetë shpëton jetë – thotë Solomoni i ditur (Fj. Urt. 16:6). Është detyra e çdo të krishteri ta përhapë dhe ta bashkëndajë këtë dritë me të gjithë botën, sepse vetëm duke e ndarë atë me të tjerët, drita mund të ruhet dhe të rritet, përndryshe ajo do të zbehet dhe përfundimisht do të zhduket. Tani, më shumë se kurrë, bota ka nevojë për dritën e Krishtit.

Është e nevojshme, sepse një jetë pa praninë e Zotit bëhet e mjerueshme, kthehet në një jetë pa dashuri, pa gëzim, pa dritë: një jetë në errësirë. Vetëm prania e Tij mund të ndriçojë zemrat dhe shpirtrat tanë dhe mund t’i japë jetës sonë dritë e gëzim. Ai është drita në errësirën tonë dhe mësimi i Tij, thotë psalmisti, është një llambë për udhëtimin tonë në këtë jetë.

Për të festuar shpirtërisht Lindjen Krishtit, le të kujdesemi gjatë këtyre ditëve festive të përjetojmë më thellë shenjtërinë dhe madhështinë e kësaj dhurate hyjnore. Këtë mund ta realizojmë duke e pastruar zemrën tonë nga çdo ligësi dhe duke e mbushur atë me dashuri dhe përulësi ndaj të gjithë njerëzve, sidomos ndaj atyre që janë në nevojë – në varfëri, në sëmundje, në dëshpërim dhe në vetmi. Zoti e identifikon Veten e Tij me njerëzit në nevojë, duke na thënë: Sepse pata uri e më dhatë të ha; pata etje, e më dhatë të pi; i huaj isha, e më morët brenda; i zhveshur, e më veshët; u sëmura, edhe erdhët të më shihni; isha në burg, edhe erdhët tek unë…. Me të vërtetë po ju them juve, gjithë sa i bëtë njërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, ma keni bërë mua (Mt. 25:35-40). Vetëm duke bërë këto, Krishtlindja do të ketë kuptim të vërtetë dhe gjithçka te ne do të ndriçohet nga Fjala e bërë mish.

Joani

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit

dhe i Gjithë Shqipërisë

The post Kryepeshkop Joani uron besimtarët për Krishtlindje: Festa vjen si rreze shprese, ngushëllimi e paqeje, sot më shumë se kurrë kemi nevojë për dritën e Krishtit appeared first on Albeu.com.

❌
❌