Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, në debatin për kryeqytetin ka theksuar se qasja e tij dallon nga ajo e kundërkandidatëve, pasi ai synon zgjidhje të menjëhershme dhe të realizueshme për qytetarët.
“Kam nevojë që qytetarët e Prishtinës me kuptu që unë nuk kam ardhë me premtime 10-vjeçare, por me premtime 4-vjeçare që synojnë zgjidhje reale. Nuk më duhet qeveria, nuk më duhet shoqëria,” tha Ismaili, duke theksuar se projektet që propozon janë të matshme dhe të financueshme nga vetë komuna.
Ai shtoi se ka plane konkrete për çdo lagje dhe fshat të Prishtinës, të fokusuara në përmirësimin e kushteve të përditshme të jetesës për çdo qytetar pa dallim.
Kandidatët për kryetar të Prishtinës kanë shpalosur qëndrimet e tyre rreth mundësive për koalicione paszgjedhore, duke theksuar qasjet e ndryshme për bashkëpunim në kryeqytet.
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Përparim Rama, tha se është i hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë që kanë për synim të mirën e Prishtinës.
“Unë jam i hapur për koalicione me secilën parti që ia do të mirën kryeqytetit,” deklaroi Rama në emisionin Debat Plus.
Nga ana tjetër, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, u shpreh më përjashtues, duke theksuar se nuk do të bashkëpunojë me PDK-në dhe LDK-në. “Unë do të bëj koalicion me të gjitha partitë tjera, përpos me PDK-në dhe LDK-në,” tha Çeku.
Ndërsa kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Urani Ismaili, theksoi se nuk e sheh çështjen e koalicioneve si partiake, por si një bashkëpunim për të mirën e qytetit.
“Shoh dallime të mëdha konceptuale, nuk e kam partiake. Do të bashkëpunoj me çdo parti e çdo ekspert për të mirën e Prishtinës. Do të pranoj koalicion vetëm për projektet konkrete të Prishtinës,” deklaroi Ismaili, duke shtuar se synon që bashkëpunimet të bazohen në plane të realizueshme për kryeqytetin.
Sipas tij, çdo koalicion duhet të ketë për qëllim zhvillimin real të Prishtinës, e jo marrëveshje politike për interesa partiake.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka folur për ndërtimin e spitalit të kryeqytetit.
Ai foli edhe për projektin e mbështetur nga Japonia, ku tha se Çeku e ka dëmtuar Prishtinën.
Rama i tha Çekut se partia e tij e ka prishur Kosovën me Amerikë e krejt Evropën, përderisa Çeku fliste për raportet me Japoninë.
“E kemi projektin e përfunduar të spitalit, kemi pasur edhe fondet e garantuara nga Katari, Ministria e Punëve të Brendshme nuk na ka dhënë projektin. I kemi pasur 10 milionë për qendrën budokan, që ministri Çeko ka thënë nuk bën me u ndërtu aty.
Japonia na e ka kërku tokën, ia kemi dhënë tokën për investim, ka thanë nuk bën atje, bone te stacioni i autobusëve. Nuk i dinë kompetenat e veta, na hup miliona, ky së bashku me ministra tjerë të kësaj qeverie. Bllokues total. Ti po më flet për prishje me miq a, na keni prish me Amerikë e krejt Evropën”, tha Rama në Dukagjini.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrullah Çeku, ka kritikuar ashpër kryetarin aktual të komunës dhe kandidatin e LDK-së, Përparim Ramën, duke e akuzuar për paaftësi në menaxhimin e pastërtisë dhe mbledhjen e mbeturinave në kryeqytet.
Në Debat Plus, Çeku ka thënë se pas katër vitesh qeverisje, Prishtina është më e ndotur se kurrë më parë, dhe se kjo çështje do të duhej të ishte treguesi themelor për vlerësimin e një kryetari komune.
“Që ish dashtë me qenë indikatori themelore kur e vlerëson një kryetar komune. Pas katër viteve me të mbulu bërlloku e me qen qyteti kaq i papastër nuk e di pse duhet me kalu ne temën e dytë kryetari aktual.
Kur ki pak integritet, mjafton kjo çështje, paaftësia me pastru qytetin, paaftësia me mbledh bërllokun për dikën me thënë po tërhiqna. Provova, nuk arrita prandaj tërhiqem. Dhe jo arroganca me lyp edhe një mandat”, ka thënë Çeku.
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, në debatin për kryeqytetin ka folur për mungesën e spitalit të qytetit, duke e quajtur këtë një fatkeqësi të madhe për kryeqytetin.
Ai tha se plani për ndërtimin e Spitalit të Prishtinës është përgatitur që në kohën kur ai ka qenë ministër i Shëndetësisë, por se asnjë nga kryetarët e Prishtinë që nga ajo kohë nuk e ka çuar përpara këtë projekt.
Sipas Ismailit, qytetarët e Prishtinës po diskriminohen në trajtim, pasi QKUK i shërben gjithë Kosovës njësoj, ndërsa banorët e kryeqytetit shpesh duhet të presin për të marrë shërbimet bazike.
“Atë që e kam filluar si ministër, do ta përfundoj si kryetar i Prishtinës,” tha ai.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka folur për zhbllokimin e trafikut në Prishtinë.
Rama ka përmendur unazën e brendshme dhe të jashtme, si dhe transformimin e transportit urban.
“Komunikacioni është problem kompleks, të cilit i duhet analizë e thellë për me kuptu problemin në thelb edhe me gjet zgjidhjen. E kemi analizuar e kemi kuptuar, dhe kemi kriju shumë propozime që janë bërë realitet. Unaza e Prishtinës është projekt kryesor, se duhet me ndodh sa më parë.
Kjo është një. Unaza e brendshme është poashtu sistemi që është në përfundim e sipër. Reforma në transportin urban që tashmë kemi bërë, kemi unifikuar transportin publik e privat, dhe e thërrasim TRIP, ku deri më tash ke pasur biletë e ndame, e ki një biletë tërëditore. Kemi nënshkruar 28 kontrata me sektorin privat, dhe kemi 91 autobusë që duhet me ardh deri në fund të vitit. Kemi edhe 30 autobusë që janë të nënshkruar me BERZH, pra 121 autobusë, janë duke ardhur. Kemi nënshkruar kontratën me dy kompani për TRAM-in elektrik, autobus më i gjatë me 300+ qytetarë. Edhe kjo është pjesë e sistemit”, tha ai në RTV Dukagjini.
Rama prezantoi projektin e Park and Ride, gjithashtu edhe instalimin e kamerave në kryeqytet, dhe marrëveshjet me komunat afër Prishtinës.
“Tri pikat Park and Ride, jemi duke zhvillu edhe dy pika të tjera që mundëson që qytetarët nga komunat e tjera, me u ndal e me marrë biletën pa pare. Prej 1 janarit 2026, po e zgjerojmë në TRIM, transporti i ri metropolitan, kemi marrëveshje me disa prej komunave si Obiliqi, e Lipjani, Podujevën e Drenasin ndoshta, që me zgjeru transportin e ri metropolitan në gjitha këto pjesë.
Të gjitha lagjet kanë autobus, të gjitha fshatrat kanë autobus, iu kemi ofruar edhe qytetarëve nga qytetetet e tjera kur vijnë në Prishtinë, marrin biletë falas në kryeqytet. E kemi edhe smart city, monitorojmë numrin e hyrjeve, kemi instaluar edhe 150 kamera në pjesë të ndryshme. Nëse qytetarët tash si pjesë me monitoru e rregullu transportin urban, nëse këta që jetojnë në qytete tjera, nuk janë prishtinali, e vijnë me biletë pa pare, prap vendosin me hy me makinë, kemi me shtu tarifa shtesë”, u shpreh Rama.
Në debatin për kryeqytetin, kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, foli për arsimin dhe nevojën për qasje reale dhe konkrete për përmirësimin e tij.
Ai theksoi se mësimi tërëditor është i nevojshëm, por jo siç është aktualisht ai duhet të shoqërohet me infrastrukturë të përshtatshme dhe me kurrikulë të përgatitur mirë.
“Kur 10% e fëmijëve kanë mësim tërëditor e 90% jo, kjo nuk është reformë, por pilot-projekt,” tha Ismaili.
Ai nënvizoi se shqetësimi më i madh sot është siguria e fëmijëve në shkolla dhe prezantoi planin e tij për vendosjen e 200 oficerëve të sigurisë në shkollat e Prishtinës, si dhe për përfshirjen e psikologëve që do të mbështesin mirëqenien mendore të nxënësve.
Analisti politik Ilir Deda ka komentuar arrestimin e Fatmir Shehollit, duke e cilësuar si rastin më të fortë të ndonjëherë ku është arrestuar një person që dihet se ka pasur lidhje me sigurimin shtetëror serb.
I ftuar në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Deda tha se akuza për spiunazh duhet të dëshmohet me prova të sakta, sipas Kodit Penal, por shtoi se duket që Sheholli i është kthyer bashkëpunimit me Agjencinë e Inteligjencës Serbe (BIA).
“Duket që Fatmiri është kthyer në bashkëpunim me BIA-n dhe ka të bëjë me rrjedhjen përnjëherë të videove që lidhen me luftën kundër Nenad Rashiqit dhe njerëzve të tjerë që s’janë në një linjë me Listën Serbe në prag të zgjedhjeve lokale”, tha Deda.
Ai shtoi se, sipas disa informacioneve, veprimtaria e Shehollit është aktive dhe se Prokuroria Speciale duhet të ketë prova të qarta për këtë. “Besoj që ata kanë prova dhe do t’i marrin vesh të gjithë,” u shpreh ai.
Tutje, Deda kritikoi klasën politike në Kosovë, duke thënë se ajo e ka rehabilituar Shehollin pa ndonjë arsye të qartë. “Politika kosovare e ka rehabilituar emrin e Shehollit, si shumë të tjerë që i dimë dhe shumë të tjerë që nuk i dimë. Nuk e di pse, por besoj se do të mësohet në vazhdim,” shtoi analisti.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, është takuar me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqin, për të diskutuar përgatitjet për zgjedhjet komunale që do të mbahen këtë të diel.
Në një deklaratë pas takimit, ambasadori Hargreaves tha se ka falënderuar Radoniqin dhe ekipin e tij për angazhimin e tyre në organizimin e një procesi gjithëpërfshirës, transparent dhe efikas.
“E falënderova atë dhe ekipin e tij për përpjekjet që po bëjnë për t’i bërë këto zgjedhje gjithëpërfshirëse, transparente dhe efikase, dhe theksova rëndësinë që mediat legjitime të kenë mundësinë të vëzhgojnë procesin zgjedhor në përputhje me ligjet e Kosovës”, tha Hargreaves.
Ai shtoi se Mbretëria e Bashkuar është e kënaqur që po ofron mbështetje për KQZ-në përmes një projekti kibernetik të financuar nga qeveria britanike, që synon forcimin e sigurisë dhe integritetit të zgjedhjeve.
Gazetari Roland Qafoku e ka cilësuar vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja si një ngjarje që ka goditur “shtetin në zemër”
I ftuar në emisionin Off the Record në A2 CNN, Qafoku tha se ngjarja është ndër më të rëndat që ka ndodhur ndonjëherë në sistemin e drejtësisë shqiptare.
“Vrasja e gjyqtarit Kalaja është më e rënda në drejtësi. Është vrarë edhe kreu i Dhomës së Avokatisë, Kleanthi Koçi, por si ka mundësi që askush nuk flet për 422 policët që janë vrarë në krye të detyrës? Ato janë bij nënash, dhe shteti duhet t’i nderojë”, tha Qafoku.
Ai solli në vëmendje edhe një rast nga Shkodra, ku një autor i vrasjes së një polici është dënuar vetëm me tre vite burg, duke e cilësuar këtë si një padrejtësi të rëndë.
Në lidhje me deklaratat e ditëve të fundit se në Shqipëri janë vrarë 11 mijë persona për çështje pronësie, Qafoku tha se kjo shifër është e ekzagjeruar.
“Ka disa shifra që nuk janë të sakta. Me referencë zyrtare, janë rreth 7 mijë vrasje që nga viti 1990. A mund të jenë shumica për çështje prone, nuk e di, por 11 mijë është e pavërtetë,” theksoi gazetari.
Pas mosakreditimit të mediave në gjuhën serbe për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12.10.2025 ka reaguar edhe Misioni i OSBE-së, i cili ka shprehur zhgënjim të thellë lidhur me këtë vendim që ka marrë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Sipas Misionit, zgjedhjet e lira, të drejta dhe transparente varen nga qasja e hapur dhe e barabartë për të gjitha mediat për të vëzhguar, raportuar dhe informuar publikun mbi zhvillimet zgjedhore.
“Kufizimi i akreditimit të mediave mbi bazën e përkatësisë së perceptuar komunitare, gjuhësore apo redaksionale kufizon aftësinë e gazetarëve për të kryer detyrat e tyre profesionale. Qasja në informacion në gjuhët e komuniteteve përbën një aspekt themelor të kuadrit shumetnik dhe demokratik të Kosovës” – thuhet në reagimin e Misionit të OSBE-së në Facebook.
Misioni vlerëson se sigurimi i mundësive të barabarta për të gjitha mediat është thelbësor për ruajtjen e besimit publik në procesin zgjedhor, për të shmangur perceptimin e praktikave diskriminuese dhe për të mbështetur pjesëmarrjen e informuar të të gjitha komuniteteve.
“Misioni mbetet i përkushtuar në promovimin dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes, pluralizmit mediatik dhe qasjes së barabartë në informacion për të gjitha komunitetet, në përputhje me parimet e OSBE-së dhe standardet ndërkombëtare. Ai u bën thirrje partive politike që të respektojnë këto vlera.” – ka theksuar Misioni i OSBE-së.
KQZ publikoi njoftimin për akreditimin e përfaqësuesve të mediave për zgjedhjet lokale 2025.
Në këtë njoftim të KQZ-së, krahas 573 përfaqësueve të mediave për ditën e zgjedhjeve, më 12.20.2025, nuk janë akredituar mediat në gjuhën serbe.
Mediat që nuk u akredituan në mbledhjen e KQZ-së më 09.10.2025 janë: VIM INFO DOO; RTV PULS D.O.O; TV Most DOO; Kontakt Kosovska Mitrovica/Kontakt; Plus radio; PRVA TV, Beograd; Raporto24.com; Radio Kim; Radio-televizija Srbije; Tanjug novinska agencija; GracanicaOnline.info; TV Gracanica; Vendi Sot; Mitropol Media Sh.P.K.; Mondo INC d.o.o. / Kurir televizija; Insajder televizija; Nina Media Kliping; Rtv Vojvodina; MTVA – Državna Mađarska Televizija; Radio KM; Alternativna; TV Herc; Expose Media; RTV Slovenija, dopisništvo za Balkan, Beograd; Lekë Musolli B.I.; VideoPlus doo; E Perditshmja BotaSote Re; Nova.rs Beograd, Srbija; Medija centar Caglavica; Danas; R Media L.L.C.
Mosakreditimin e mediave serbe e kundërshtoi përmes një reagimi edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).
“Ascoiacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), është thellësisht i shqetësuar me vendimin e paprecedent të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të mos akredituar asnjë media në gjuhën serbe për përcjelljen e zgjedhjeve të 12 tetorit. Kërkesat për akreditim si vëzhgues të dhjetëra mediave në gjuhën serbe nga Kosova, janë refuzuar në bllok gjatë mbledhjes së sotme të KQZ-së.” – thuhet në reagimin e AGK-së, më 09.10.2025.
Kryetari i Junikut, Ruzhdi Shehu, ka njoftuar qytetarët për një paketë të re të subvencioneve që Komuna e Junikut do të ofrojë gjatë mandatit të tij të dytë.
Në një komunikim të drejtpërdrejtë me banorët, Shehu theksoi se komuna është e qytetarëve dhe duhet të qëndrojë pranë tyre në çdo moment.
Skema e subvencioneve përfshin:
300 euro për çdo nënë lehonë për të mbështetur lindjet;
400 euro për mbulimin e shpenzimeve të procedurave të varrimit;
Mbështetje për shërbimet e pacientëve me sëmundje kronike;
Subvencionim për fermerët me pajisje moderne bujqësore;
Ofrimin e bursave për nxënës dhe studentë;
Mbështetje për organizatat joqeveritare dhe sportistët lokalë.
Kryetari Shehu gjithashtu njoftoi se në zgjedhjet e fundit Komuna e Junikut ka arritur të fitojë +4 komuna pa nevojën për balotazh.
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, në debatin për kryeqytetin ka kritikuar kundërkandidatët e tij për mungesë bashkëpunimi dhe përplasjet e vazhdueshme që, sipas tij, e kanë lënë qytetin në kaos.
Ai tha se, përkundër faktit që disa prej tyre kanë pasur mundësinë të punojnë bashkë për projekte të rëndësishme, nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje të përbashkëta, duke lënë qytetetarët të vuajnë pasojat e zënkave të tyre.
Sipas Ismailit, bashkëpunimi nuk duhet parë si dobësi nuk është toksik, por është domosdoshmëri për të mirën e kryeqytetit dhe qytetarëve të tij dhe ai pikërisht do ta bëjë këtë pa asnjë dallim partiak.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka deklaruar se kryeqyteti aktualisht nuk ka një drejtim të qartë zhvillimi, ndërsa ai ofron një qeverisje me vizion dhe plan konkret për të ardhmen e Prishtinës.
“Unë ofroj një qeverisje e cila e ka vizionin, por edhe planin konkret të masave dhe veprave për të cilat duhet të angazhohem që ta arrijmë vizionin tonë të përbashkët për Prishtinën. Sot Prishtina nuk e ka një drejtim të qartë se nga duhet të shkojmë, cila është e ardhmja jonë, si duhet të jetë Prishtina pas 10 viteve. Prandaj kjo është ajo që po ofroj – një vizion me masa, veprime, projekte e kontakte që do të ndërmerren që nga dita e parë e qeverisjes”, ka deklaruar Çeku në Debat Plus.
Ai theksoi se përvoja e tij në qeverisjen qendrore dhe rezultatet e arritura deri më tani e bëjnë një kandidat serioz për të çuar Prishtinën përpara.
“Unë do të angazhohem me i zgjidh problemet e Prishtinës me themel. Ne kemi nevojë sado bazike e banale që mund të tingëllojë ta përfundojmë njëherë e përgjithmonë, rrjetin e kanalizimit fekal dhe atmosferik, ta përfundojmë sistemi ujësjellësit, dhe të mbërrijmë një sistem të menaxhimit të mbeturinave dhe pastërtisë në Prishtinë, pra elementare”, ka deklaruar Çeku.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka treguar pse duhet që të vazhdojë edhe një mandat me udhëheqjen e Prishtinës.
Ai ka përmendur Ishullin Urban, unazën e brendshme e të jashtme, gjithashtu edhe lidhjen e lagjeve të ndryshme, me qendrën.
“E kam paraqitur vizionin tim para katër vitesh, është vizion afatgjate, është planifikuar për 20-50 vitet e ardhshme. Prishtina sot po zhvillohet me plane, harta të qarta, që ndërlidhen lagjet, kemi kryer punë të madhe, projektet madhore që po shtyjmë përpara janë Ishulli Urban, nënkalimi Dardani-Kalabri që lidh këto dy pjesë të mëdha të Prishtinës, peentrimi i Veternikut, sheshi i madh që lidh dhjetë lagje më të mëdha në qendër të Prishtinës, që krijon hapësira të sigurta. Nënkalimi i Agim Ramadanit që ndërlidh pjesën e vjetër me sheshin Nëna Terezë, të gjitha këto projekte madhore ndërlidhen me unazën e brendshme, unazën e jashtme që mundësojnë që qyteti të jetë funksional”, tha Rama në RTV Dukagjini.
Rama përmendi edhe transformimin e transportit dhe të edukimit, duke përmendur mësimin tërëditor.
“Këto janë projekte transformuese, bashkë me 10 shkolla, jemi duke restauru, zonat ikonike, tunelin e kurrizit, sheshin Rexhep Luci, rruga Model, Sante. Kemi investu në lidhjen e fshatrave në qendër, e kemi Portën e Gollakut. Kryeqytei është në lëvizje, e kemi transformu transportin, kemi bërë bashkë transportin urban me sektorin privat, e kemi kriju TRIP-in që është në secilën lagje e në secilin fshat, kemi lansu kuletën digjitale që është lehtësim i madh, edhe TRIM-in, transporti metropolitan, prej janarit që ndërlidh edhe komunat e tjera. Sistemi Park and Ride, që janë edhe alternativa për qytete të tjera si me ardh në Prishtinë, kujdesje për fëmijët tanë, kemi bërë reformën në edukim, ku kemi mësimin tërëditor, 12 shkolla, në pjesë të ndryshme e në zona urbane e rurale. Kemi qytetin smart të teknologjisë”, tha Rama më tutje.
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, në debatin e sotëm për kryeqytetin, ka folur për dallimin mes qasjes së tij dhe atyre të kundërkandidatëve.
Ai tha se gara po zhvillohet mes dy qasjeve: “një qasje të mbushur me projekte megalomane, akuza e konflikte politike” dhe qasjes që ai përfaqëson, e cila bazohet në zgjidhje të menjëhershme e të prekshme për problemet e përditshme të qytetarëve.
“Unë po ofroj një Prishtinë funksionale të pastër, të sigurt dhe pa trafik që iu shërben të gjithë qytetarëve. Një qytet ku punohet me të gjithë, pa dallime partiake, dhe ku mbyllet epoka e konflikteve që e kanë mbajtur Prishtinën në situatën që është që katër vite,” tha Ismaili.
Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Tarifa”, duke parandaluar një tentativë për kontrabandimin e mallrave të akcizës drejt Kosovës.
Në njoftimin për media, Policia bën të ditur se gjatë operacionit janë sekuestruar mallra të ndryshme me një vlerë totale prej rreth 54.350.000 lekësh, si dhe dy automjete që u përdorën për transportimin e tyre.
Po ashtu, janë arrestuar në flagrancë dy drejtuesit e mjeteve të përfshira në aktivitetin e paligjshëm.
“Gjatë operacionit, në dalje të Republikës së Shqipërisë, shërbimet e Policisë Kufitare Morinë kaluan në vijë të dytë për kontroll të detajuar automjetin furgon me drejtues shtetasin B. L., dhe automjetin tip ‘Volkswagen’, me drejtues shtetasin F. M.,” – thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas të njëjtit burim, gjatë kontrollit të automjeteve janë zbuluar sasi të konsiderueshme mallrash të ndaluara për tregtim:
Në automjetin “Volkswagen” me drejtues F. M. u gjetën 1006 kuti me medikamente mjekësore, disa arka me 41.000 tableta dhe 2.194 celularë.
Në furgonin e drejtuar nga B. L. u gjetën 62 thasë me duhan, me peshë totale 930 kilogramë.
Të gjitha mallrat, me vlerë totale prej 54.350.000 lekësh, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, së bashku me dy automjetet.
Hetimet po vijojnë për të zbuluar rrjetin e plotë të përfshirë në këtë rast kontrabande.
Aplikimi për mbështetjen e studentëve tashmë është i hapur në eKosova, tek shërbimi Familja për shtesën e njëhershme 100 euro.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se të drejtë aplikimi kanë studentët aktivë të të gjitha niveleve (Bachelor, Master, Doktoratë) që studiojnë në ndonjërin nga universitetet e akredituara në Kosovë, publike dhe private.
“Sigurohuni që i plotësoni të gjitha fushat saktë dhe pa gabime. Nëse ka gabime, aplikimi refuzohet. Afati për aplikim është deri në fund të muajit tetor, kurse pagesat do të kryhet me grupe, sipas radhës së aplikimit”, shkruan Murati.
Murati edhe për Bursën e Mobilitetit të Studentëve ka dhënë detaje.
“Të drejtë aplikimi kanë studentët e nivelit Bachelor, shtetas të Kosovës, që studiojnë në ndonjërin nga universitetet e akredituara në Kosovë. Kusht për përfitimin e Bursës së Mobilitetit është që familja e studentit/studentes të ketë të ardhura vjetore bruto jo më shumë se 12,000 euro. Sigurohuni që i plotësoni të gjitha fushat saktë dhe pa gabime. Nëse ka gabime, aplikimi refuzohet”, shkruan ai.
Dy ditë më parë qeveria në detyrë mori vendim që shuma e përgjithshme për përkrahjen e studentëve është raportuar të jetë 26 milionë euro.
Pas një muaji pushim, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish të premten në tentimin e gjashtëdhjetë për konstituimin e legjislaturës së nëntë.
Të zgjedhurit e popullit para vetes kanë vetëm një pikë në rend të ditës: zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, raporton KosovaPress.
Një ditë para mbajtjes së seancës, partitë parlamentare janë të pavendosura sesi do të veprojnë në çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb. Por, monitoruesit e punës së Kuvendit thonë se, në bazë të aktgjykimit, e drejta e propozimit për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb i takon Listës Serbe - si shumica e deputetëve që përfaqësojnë komunitetin serb në Kuvend.
Gjykata Kushtetuese më 8 tetor ka publikuar aktgjykimin e plotë pas ankesës së Listës Serbe lidhur me konstituimin e Kuvendit. Gjykata ka thënë se Kuvendi nuk është konstituuar, ndërsa ka dhënë 12 ditë afat për deputetët që të përfundojnë procesin e konstituimit. Afati prej 12 ditësh ka nisur të rrjedhë prej ditës kur aktgjykimi i plotë u publikua në faqen zyrtare të gjykatës – më 8 tetor.
KosovaPress ka kontaktuar me të gjitha partitë e mëdha parlamentare, mirëpo në Lëvizjen Vetëvendosje dhe në Partinë Demokratike të Kosovës kanë zgjedhur të heshtin përballë pyetjeve nëse do të votojnë ndonjë prej kandidatëve të Listës Serbe për nënkryetar. Ndërkaq në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate thonë se vendimin përfundimtar do ta marrin nesër pas diskutimeve në grupet parlamentare.
Në LVV më herët kanë deklaruar vazhdimisht se nuk kanë votë për asnjë prej deputetëve të Listës Serbe.
Në anën tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, në një përgjigje me shkrim për KosovaPress tha se nesër do të mblidhen në Grupin Parlamentar për të diskutuar për vendimmarrjen e tyre në zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.
Edhe deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, thotë për KosovaPress se para seancës së nesërme, në mbledhjen e deputetëve të AAK-së do të marrin vendim i cili, sipas tij, do të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Megjithatë, ai deklaron se si deputet i AAK-së nuk ka votë për asnjë prej deputetëve të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit. Madje ai shton se nuk do të votojnë as për Nenad Rashiqin, nëse i njëjti rikandidohet.
“Ne e kemi lexuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Para seancës do të takohemi si Grup Parlamentar dhe do të konsultohemi. Konform vendimit të Gjykatës Kushtetuese, deputetët e Aleancës do të veprojnë në përputhje me vendimin e Kushtetueses...Besoj që nuk do të ketë votë për asnjërin prej deputetëve të Listës Serbe...Edhe kësaj radhe nuk kemi votë për zotëri Rashiq. I takon partisë fituese t’i sigurojë numrat edhe për nënkryetarët dhe të vazhdohet tutje,” thekson ai.
Ndërkaq, deputetja nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, deklaron për KosovaPress se ende s’kanë marrë vendim sesi do të veprojnë në seancën e nesërme.
Votimi, sipas saj, do të jetë në relacion me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Votimi ka shkuar në mënyrë konstante në bazë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese sa i përket interpretimeve që kanë dalë. Prej krejt dilemave, kemi me votu në relacion me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Vendimi politik nuk është ende që ka marrë epilog dhe jemi duke trajtuar krejt situatat,” shton ajo.
E hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gëzim Shala, duke interpretuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb, thotë se u dëshmua se i njëjti duhet të vijë përmes propozimit të shumicës së deputetëve që përfaqësojnë komunitetin serb në Kosovë, rrjedhimisht Listës Serbe.
Ai tregon edhe skenarët e mundshëm sesi mund të vijojë seanca e nesërme për konstituimin e Kuvendit.
“Dispozitivi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese thekson nevojën për të vepruar në interesin më të mirë për të mbrojtur Kushtetutën. Në këtë situatë është e qartë se duhet të ketë edhe një nënkryetar nga radhët e komunitetit serb. Nënkryetari duhet të vijë përmes propozimit të shumicës së deputetëve që përfaqësojnë komunitetin serb në Kosovë. Kështu është parimi dhe i njëjti duhet të marrë 61 vota. Do të thotë se komuniteti serb ka dhjetë përfaqësues në Kuvendin e Kosovës – nëntë janë nga një Grup Parlamentar dhe një është i pavarur. Kuptohet se përfaqësimi duhet të vijë nga shumica e minoriteteve, përndryshe nuk ka logjikë që shumica t’ia determinojë pakicës emrin me të cilin do të përfaqësohet...Bëhet një propozim, i njëjti ka të drejtë të bëhet tri herë. Nëse nuk merr shumicën përkatësisht 61 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, konsiderohet se ai nuk është zgjedhur. Nëse kjo përsëritet tri herë, duhet të kalohet në propozimin e radhës. Gjykata Kushtetuese e përmend edhe nenin 58 të Kushtetutës së Kosovës që ka për qëllim afirmimin e të drejtave të komuniteteve dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre...Nuk dua të paragjykoj, por e kemi parë edhe në votimet në të kaluarën sesi është politizuar kjo çështje dhe ka marrë një dimension tjetër...Në këtë situatë, nëse deputetët e kanë më tepër gajle sesi do të duken në publik përkitazi me një çështje të tillë sesa si është rendi kushtetues, ka mundësi të krijojnë dëme të shumëanshme,” thekson ai.
Kushtetuesja, në aktgjykimin e 8 tetorit, ka konstatuar se seanca konstituive e Kuvendit, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 (Zgjedhja dhe mandati) dhe paragrafëve 1 dhe 4 të nenit 67 (Zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kushtetuesja ka urdhëruar të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Kuvendi deri tash ka zgjedhur për nënkryetarë Albulena Haxhiun nga Lëvizja Vetëvendosje, Vlora Çitakun nga Partia Demokratike e Kosovës, Kujtim Shalën nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Emilija Rexhepin nga minoritetet joserbe.
Ndërkaq, Lista Serbe e ka propozuar Sllavko Simiqin për nënkryetar, por i njëjti nuk i ka marrë votat e nevojshme. Megjithatë, kjo parti ka këmbëngulur vetëm në këtë kandidat.
Më pas, kryetari i zgjedhur i Kuvendit, Dimal Basha, përmes shortit, ka hedhur në votim tetë deputetë serbë, por as ata nuk i kanë marrë votat e nevojshme.
Dimal Basha më pas ka deklaruar se Kuvendi është konstituuar, por Gjykata Kushtetuese e ka thënë fjalën e saj, duke theksuar se institucioni ligjvënës nuk konsiderohet i konstituuar pa u zgjedhur edhe një nënkryetar serb.
Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt, por ende nuk janë formuar institucionet e reja.
Autoritetet serbe kanë arrestuar një shtetas të Shqipërisë nën dyshimin se ka kryer veprën penale të “nxitjes së urrejtjes dhe mosdurimit kombëtar, racor dhe fetar”.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, bëri të ditur se anëtarët e Ministrisë së Brendshme në Prokuple, në bashkëpunim me Doganat e Serbisë, kanë arrestuar D.P. (1972) nga Shqipëria.
Sipas njoftimit zyrtar, i arrestuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa më pas Prokuroria e Lartë Publike në Prokuple pritet të paraqesë aktakuzën ndaj tij.
Në komunikatën e Ministrisë serbe thuhet se, gjatë kontrollit të një furgoni në pikëkalimin kufitar të Merdarës, që lidh Kosovën me Serbinë, Policia ka gjetur pesë çanta me materiale që mbajnë simbolet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në to, sipas autoriteteve serbe, janë gjetur “22 bluza, 244 flamuj, 86 kapele me mbishkrimin UÇK, 65 triko me figurën e Adem Jasharit dhe Agim Ramadanit, 58 shalla me stemën e Shqipërisë dhe 92 kapele” me emblemën e UÇK-së.
“Dyshohet se këto ishin planifikuar të përdoreshin dhe ekspozoheshin në ndeshjen që do të mbahet në Leskovc mes ekipeve të futbollit të Serbisë dhe Shqipërisë”, thuhet në njoftim.
Ndeshja Serbi–Shqipëri do të zhvillohet më 11 tetor në Leskovc, duke filluar nga ora 20:45, në kuadër të Grupit K për kualifikimet e Kampionatit Botëror 2026, ku bëjnë pjesë edhe Letonia, Andorra dhe Anglia.
Takimi i parë mes dy kombëtareve, i zhvilluar në qershor në “Arenën Kombëtare” të Tiranës, përfundoi pa gola. Aktualisht, Shqipëria renditet në vendin e dytë me 8 pikë, ndërsa Serbia ndjek në vendin e tretë me 7 pikë.
Federata e Futbollit e Serbisë ka njoftuar se për arsye sigurie biletat për këtë ndeshje nuk do të jenë në shitje publike, por do të shpërndahen vetëm përmes kanaleve zyrtare të komunitetit të futbollit, shkollave, klubeve dhe sponsorëve.
Vendimi është arsyetuar me “përvojën e keqe” të vitit 2014, kur ndeshja mes dy ekipeve në Beograd u ndërpre pasi mbi stadiumin e Partizanit u shfaq një dron me mbishkrimin “Autoktonë” mbi një hartë të “Shqipërisë së Madhe”, duke shkaktuar përleshje mes lojtarëve dhe tifozëve.