Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 December 2025Main stream

Sondazhi: Mbështetja për daljen e Polonisë nga BE-ja po rritet te qendra e djathtë

23 December 2025 at 08:15

Sipas një sondazhi të ri, mbështetja për daljen e Polonisë nga Bashkimi Evropian (BE) është zhvendosur nga e djathta ekstreme drejt qendrës së djathtë.

Sondazhi i realizuar nga ‘United Surveys’ për faqen polake ‘Wirtualna Polska’ zbuloi se mbështetja për një “Polexit” ishte më e larta mes votuesve të partisë konservatore Ligj dhe Drejtësi (PiS) dhe jo te Konfederata e djathtë ekstreme. PiS humbi statusin e partisë në pushtet në vitin 2023, pas tetë vitesh qeverisjeje.

Derisa shumica e polakëve ende janë në favor të qëndrimit në BE, përqindja e atyre që duan largimin është rritur në 24,7 për qind ose pothuajse një e katërta.

Në përgjithësi, 65,7 për qind e të anketuarve duan që Polonia të qëndrojë në bllokun evropian, me 48,6 për qind që janë fuqishëm kundër largimit dhe 17,1 për qind që janë mesatarisht kundër tij.

Mbështetësit e PiS-it ishin më pro Polexit-it, me 47 për qind që mbështesin shkëputjen nga BE-ja, 29 për qind fuqishëm pro dhe vetëm 33 për qind kundër.

Votuesit e Konfederatës renditen të dytët, me 41 për qind që mbështesin Polexit-in dhe vetëm 8 për qind që e kundërshtojnë.

Euroskepticizmi është në rritje vitet e fundit dhe është shndërruar në një temë kyçe politike.

Në zgjedhjet presidenciale verore, fituesi i mbështetur nga PiS, Karol Nawrocki, theksoi sovranitetin polak përballë burokratëve të Brukselit. Ndërkohë, ultranacionalisti Grzegorz Braun ka fituar vëmendje me retorikën e tij kundër BE-së dhe veprimet e bujshme publike, ndërsa partia e tij në dhjetor renditej e treta në nivel kombëtar.

Mbështetësit e partive të koalicionit qeverisës mbeten fuqishëm pro BE-së, me mbi 80 për qind kundërshtim ndaj Polexit-it në të gjitha rastet. Mes votuesve të Koalicionit Qytetar dhe së Majtës, nuk u regjistrua asnjë “po” i vendosur për largim.

Sondazhi zbuloi gjithashtu se euroskepticizmi është më i përhapur te burrat dhe te grupmosha 30-49 vjeç, ndërsa të rinjtë 18-29 vjeç janë grupi më pro BE-së.

Italia gjobit kompaninë Apple me 115 milionë dollarë për shkelje të privatësisë në App Store

23 December 2025 at 08:08

Autoriteti italian i konkurrencës ka gjobitur kompaninë Apple me 98,6 milionë euro (115 milionë dollarë) për abuzim të supozuar të pozicionit të saj dominant në tregun e aplikacioneve të telefonave.

Autoriteti italian i konkurrencës AGCM tha se politika e kompanisë Apple për Transparencën e Ndjekjes së Aplikacioneve (App Tracking Transparency – ATT) kufizon konkurrencën duke vendosur kushte të padrejta për zhvilluesit e aplikacioneve të palëve të treta.

Rregullat e ATT-së, të paraqitura në vitin 2021, kërkojnë nga zhvilluesit të marrin pëlqimin e qartë të përdoruesve për mbledhjen dhe lidhjen e të dhënave për qëllime reklamuese.

Autoriteti konstatoi se zbatimi i kompanisë Apple detyron zhvilluesit të kërkojnë pëlqimin dy herë për të njëjtin qëllim, një proces që nuk përputhet me kërkesat e ligjit për privatësinë.

Sipas autoritetit, qasja e “dyfishtë e pëlqimit” është e dëmshme për zhvilluesit, reklamuesit dhe platformat e reklamimit, pasi kufizon mbledhjen dhe përdorimin e të dhënave të domosdoshme për reklamim të personalizuar.

“Kushtet e politikës ATT vendosen në mënyrë të njëanshme dhe dëmtojnë interesat e partnerëve tregtarë të Apple”, tha autoriteti.

Ai shtoi se politika është e “tejkaluar” për qëllimet e deklaruara të privatësisë së kompanisë dhe se Apple mund të kishte arritur të njëjtin nivel mbrojtjeje të përdoruesve me një proces pëlqimi njëhapësh.

Hetimi, i kryer në koordinim me Komisionin Evropian, autoritetet e tjera kombëtare të konkurrencës dhe Autoritetin Italian për Mbrojtjen e të Dhënave, përfundoi se Apple mban një pozicion “super-dominant” në tregun e platformave që furnizojnë aplikacione për përdoruesit e iOS.

Autoriteti i konkurrencës vendosi se kompania shkel Nenit 102 të Traktatit mbi Funksionimin e BE-së, i cili ndalon abuzimin e pozicionit dominant në treg.

Apple, e cila shpërndan aplikacione globalisht përmes App Store, më parë ka mbrojtur rregullat e ATT-së si një masë kyçe për të mbrojtur privatësinë e përdoruesve.

Yesterday — 22 December 2025Main stream

Shtyhet gjyqi për Metën/ Shkak u bë ndërrimi i avokatit të të pandehurës Ema Çoku

22 December 2025 at 15:34

Shtyhet seanca gjyqësore për dosjen e ish-presidentit Ilir Meta.  Shkak për shtyrjen e saj u bë ndërrimi i avokatit të Ema Çokut.

Seanca e radhës u caktuar më 12 janar, ora 14:30. Ilir Meta mbahet në paraburgim prej 21 tetorit të vitit 2024  pasi dyshohet nga Prokuroria e Posaçme për tre vepra penale, “korrupsion pasiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”.

Me 28 korrik SPAK mbylli hetimet për Metën ndërsa në fund të gushtit dosja u dërgua për gjykim në Gjykatën e Posaçme për aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.

Dosja e Metës është ende në seancë paraprake dhe do të jetë gjyqtarja Irena Gjoka që do të vendosë nëse do kalojë ose jo për gjykim.

Me të njëjtat akuza si Meta përballet edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, si dhe tre persona të tjerë, Pirro Xhixho për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim, dhe Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku për pastrim parash

U arrestuan për tjetërsim pronash/ Gjykata e Apelit ndryshon masat e sigurisë për ish-zyrtarët e ASHK në Lezhë

22 December 2025 at 15:19

Gjykata e Apelit ka ndryshuar masat e sigurisë të vendosura më herët nga Gjykata e Lezhës për disa ish-zyrtarë dhe specialistë të ALUIZNI-t dhe ASHK-së në Lezhë, se legalizuan disa ndërtime pa leje në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin.

Sipas vendimit të Apelit, Gentian Malota, ish-drejtor i ASHK-së në Lezhë, Artur Shabaku, ish-përgjegjës i ALUIZNI-t në Lezhë, si dhe Artmir Maxhuni, specialist në këtë drejtori, mbeten në fuqi akuzat për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, duke iu caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”.

Për inxhinieren e konstruksionit Luiza Bala dhe inxhinierin e ndërtimit Hekuran Xhina, Gjykata e Apelit ka ndryshuar vendimin e Gjykatës së Lezhës nga “detyrim paraqitje” dhe “ndalim për të dalë jashtë shtetit”, në masën “arrest në shtëpi”. Këta të fundit akuzohen për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, sipas neneve 186/2 dhe 186/3 të Kodit Penal.

Hetimet janë nisur nga Prokuroria e Lezhës, e cila, në kuadër të procedimit penal nr. 135/2025, ka sekuestruar disa objekte ndërtimi pa leje, të cilat ishin legalizuar në kundërshtim me ligjin në zonën e Ranës së Hedhun. Kjo zonë është shpallur zonë me rëndësi kombëtare me vendimin nr. 01, datë 28.12.2020, të Këshillit Kombëtar të Territorit.

Sipas organit të akuzës, ndërtimet janë kryer në mënyrë të paligjshme dhe më pas janë legalizuar përmes procedurave të dyshuara si abuzive. Për këtë çështje janë vendosur masa sigurie ndaj nëntë personave, të akuzuar për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Falsifikim dokumentesh”.

Gjykata e Lezhës kishte vendosur më herët masa më të lehta sigurie sesa ato të kërkuara nga Prokuroria, por kjo e fundit ankimoi vendimin, duke çuar çështjen në Apel, i cili sot ka shpallur vendimin përfundimtar mbi masat e sigurisë.

Në akuzë janë edhe ish-drejtuesit e IKMT-së në Lezhë, Kol Malaj dhe Flori Gjini, për të cilët janë lënë masat e sigurisë “ndalimi i daljes jashtë shtetit” për veprën penale “Shpërdorim detyre”, ndërsa për shtetasin me iniciale P.T. është vendosur masa e sigurisë “arrest në shtëpi” për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm”, kryer më shumë se një herë, dhe “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”.

Berisha thërret protestë/ Ftesë dhe Lapajt, por lideri është ai vetë

22 December 2025 at 15:15

TIRANË- Sot protesta kombëtare. Nga skenarët për greva dhe demonstrata, Berisha kaloi në inagurime para festive.

“Së pari, do sqaroj, ky është një proces inaugural, në kuptimin e asaj që ne zbresim në fushë pasi kemi bërë çdo detyrë, pasi kemi faktuar çdo gjë, të betuar që do vazhdojmë luftën tonë gjer në përmbysjen e regjimit. Kjo është.”

Sot është e hënë, duhet te ishte foltore, u zëvendësua me protestë. Nga ndryshon foltorja nga protesta?

“Ne e filluam këtë me foltoren para kryeministrisë. Jo të paktë ishin ata që e përqeshën atë. Gabuan. Ajo kishte një mesazh, se ai shesh do jetë sheshi i lirisë.”

Beteja e vërtetë e doktorit janë numrat në opozitë. Thotë se Tirana po zien, por në prag Krishtlindjesh, të vetmet që ziejnë janë qendrat tregtare, lokalet dhe restorantet. Jo sheshet e doktorit.

I vetmi që ka zgjedhur të festojë në shesh është Lapaj, ndaj dhe ftesa e doktorit ishte vetëm për të.

“Lapaj ka patur dhe ka mbështetjen time për sa kohë gjendet në protestë. Ftesa ime për Lapajn dhe gjithë partitë opozitare është që të bashkohemi kundër kësaj të keqe të madhe”

Dhe një paralajmërim i fundit.

“O bie qeveria, o shuhet opozita”

Qeveria s’ka si bie, se ka ikur me pushime, rikthehet njësoj në janar, kurse Berisha ka testin e fundit, dhe sot do tregojë nëse garën e ka me Ramën për vendin e parë, apo me Lapajn e vendit të tretë?/abcnews.al

BE zgjat afatin e sanksioneve ekonomike kundër Rusisë

22 December 2025 at 15:06

Bashkimi Evropian (BE) ka vendosur të zgjasë sanksionet ekonomike kundër Rusisë për gjashtë muaj të tjerë.  Këshilli Evropian njoftoi se masat ekonomike të vendosura ndaj Rusisë për veprimet e saj që destabilizojnë Ukrainën do të zgjaten deri më 31 korrik 2026.

Në deklaratë rikujtohet se sanksionet e BE-së u zgjeruan ndjeshëm pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në shkurt 2022.

Në kuadrin e sanksioneve të BE-së, Rusia përballet me një gamë të gjerë kufizimesh, duke përfshirë tregtinë, financat, energjinë (naftë dhe qymyr), industrinë, teknologjinë, transportin, mallrat me përdorim të dyfishtë dhe luksin, si dhe arin dhe diamantet.

Sanksionet përfshijnë gjithashtu një ndalim të importit të naftës bruto dhe disa produkteve të naftës nga Rusia në BE nga deti, përjashtimin e disa bankave ruse nga sistemi ndërkombëtar i pagesave SWIFT dhe pezullimin e aktiviteteve të shumë institucioneve transmetuese.

BE-ja deri më tani ka zbatuar 19 paketa sanksionesh kundër Rusisë për shkak të luftës.

Sanksionet ekonomike të BE-së kundër Rusisë zgjaten çdo gjashtë muaj.

Rusia aneksoi në mënyrë të paligjshme Republikën Autonome të Krimesë dhe qytetin e Sevastopolit më 18 mars 2014. BE-ja vendosi sanksione ekonomike ndaj Rusisë për herë të parë në vitin 2014.

Festat, bonus për disa kategori/ Ekspertja: Hap i duhur i qeverisë, ndihmë për ata që e përfitojnë

22 December 2025 at 14:33

TIRANË-  Qeveria do të mbështesë me bonus këtë fundvit disa kategori te tjera siç janë personat me aftësi ndryshe apo familjet me ndihme ekonomike. Bonusi për ta do të jetë 15 mijë lekë, ndërsa fondi është përfituar nga një tjetër rishikim i buxhetit të këtij viti, pas të cilit edhe 150 milionë euro të tjera i kalojnë skemës së pensioneve.

Ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi, e ftuar në “Money Report” në ABC News u shpreh se ndarja e bonusit është një lajm pozitiv dhe një ndihmesë konkrete për kategoritë që e përfitojnë.

Ajo theksoi se edhe fondet e parashikuar nga qeveria dhe, që do shkojnë për sektorin e shëndetësisë janë një ndihmë direkte për pensionistët, pasi pikërisht është kjo kategori , e cila ka nevojë të shtuar për ilaçe.

“Lajm shumë i mirë për ata individë që e përfitojnë.  Kjo ndikon dhe në uljen e varfërisë dhe rritjen e mirëqenies për këta individë.Ka fonde plus për financimin, dedikuar sektorit të shëndetësisë, për ilaçe dhe për gjëra që lidhen me infrastrukturën ën tërësi. Ky është lajm i mirë sidomos për pensionistët, sepse vuajnë dhe nga sëmundje kronike dhe për pensionistët dhe për individët që janë në nevojë, fondet për shëndetësinë është një lajm i mirë”, tha ai.

Ajo u shpreh se qeveria shqiptare po e trajton me seriozitetin e duhur reformën e pensioneve.

“Po e shohim që në fundvit që kemi disa para që janë shtesë dhe do shkojnë për fondin e pensioneve, kemi dhe rritjen e pagës minimale. Projeksione për rritjen e pagës mestarë dhe lufta ndaj informalitetit fiskal dhe kjo ndikon pozitivisht në skemën e pensioneve.

Pensionistët po merren seriozisht dhe shumë shpejt do arrihet në një reformë, e cila do ketë efekt. Rritja e pagave do të ndikojë në rritjen e konsumit, por edhe nëse do ketë një inflacion, prapë pritet të jetë brenda nivelit 3%”, tha ai.

 

Greqi, fermerët vazhdojnë protestat me traktorë në rrugët kombëtare

22 December 2025 at 12:25

Fermerët në Greqi vazhduan protestat e tyre dhe mbetën në pikat strategjike të autostradave kombëtare, me traktorët e tyre, edhe dje përgjatë gjithë ditës.

Fermerët e Karditës dhe Trikalës parkuan traktorët e tyre përgjatë autostradës E65 në Greqinë Qendrore dhe vendosën të lënë një korsi të autostradës të lirë në secilin drejtim që nga e marta, 23 dhjetor, për të lehtësuar udhëtimin e njerëzve për festat e Krishtlindjeve.

Ata synojnë të heqin barrierat e kabinave të pagesës për të lejuar kalimin e makinave edhe të dielën, ndërsa traktorë të tjerë po mbërrijnë për të përforcuar numrin e tyre.

Në Larisa, fermerët nga e gjithë Thesalia mbeten në kryqëzimet e Nikaias, një nga qendrat kryesore të mobilizimeve kombëtare të fermerëve.

Të shtunën, ata kishin ngritur barrierat e kabinave të pagesës dhe kishin lejuar kalimin e makinave pa pagesë, ndërsa gjithashtu shpërndanë produkte bujqësore dhe fletëpalosje me kërkesat e tyre për shoferët që kalonin.

Ata kanë planifikuar një tjetër mbledhje të përgjithshme të fermerëve të bagëtive dhe të kulturave të dielën, ku do të vendosin për veprimet e tyre të ardhshme dhe nëse do të përshkallëzojnë dhe do të miratojnë forma të reja proteste. Ata gjithashtu synojnë të lejojnë kalimin pa pengesa të shoferëve nga e marta, 23 dhjetor, për të lehtësuar trafikun e festave përpara Krishtlindjeve, pa pezulluar luftën e tyre.

Në Janinë, fermerët planifikuan një mobilizim në pikat e pagesës në Tyria me sloganin “Ne nuk i mbyllim rrugët, ne i hapim ato”.

Ata synojnë të ngrenë barrierat në pikat e pagesës për katër orë, duke lejuar makinat të kalojnë pa paguar.

Megjithatë, në pikat e pagesës në Oreokastro, fermerët nuk vazhduan me planet për të ngritur barrierat e pagesës.

Në vend të kësaj, ata u shpërndanë produkte bujqësore shoferëve që kalonin dhe i informuan ata për kërkesat e tyre.

Autostrada kombëtare Athinë-Selanik mbeti e mbyllur në të dyja drejtimet në pikën e pagesës në Malgara, megjithatë, me fermerët që deklaruan se do ta hapin rrugën në të dyja drejtimet të martën.

“Do ndërtojmë laboratorë të akredituar nga BE”, Rama: Do finalizojmë regjistrat kombëtarë të fermave, parcelave dhe kafshëve

22 December 2025 at 11:12

TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama, i pranishëm aktivitetin “Me fermerët në Shqipërinë 2030”  theksoi se do ndërtohen laboratorë, që janë të akredituar nga Bashkimi Evropian.

Ai garantoi fermerët se qeveria do vazhdojë t’i mbështesë dhe do t’u japë atyre informacionet e domosdoshme, me qëllimin për ta kthyer sektorin e bujqësisë në një peshë kryesore të ekonomisë.

“Ne do të bëjmë sistemin integruar të administrimit dhe kontrollit. Do të finalizojmë regjistrat kombëtarë të fermave, parcelave dhe kafshëve. Është një punë e nisur dhe do ta finalizojmë.

Do të ndërtojmë deri në fund laboratorë të akredituar nga BE.

Ne do jemi të angazhuar që t’ju japim sa më shumë nga informacioni i domosdoshëm që duhet të merrni”, tha ai./abcnews.al

Mbështetja për bujqësinë/ Rama garanton fermerët: Çdo projekt që bazohet në dije, do të financohet me çdo mënyrë

22 December 2025 at 11:05

TIRANË– Kryeministri Edi Rama deklaroi se mbështetja për bujqësinë shqiptare jo vetëm që nuk do të mungojë, por do të rritet vit pas viti, duke synuar forcimin e fermës shqiptare dhe nxitjen e investimeve në sektorin bujqësor.

Rama theksoi se mbështetja e drejtpërdrejtë për bujqësinë pritet të arrijë në 100 milionë euro.

Sipas tij, edhe Banka e Shqipërisë ka vënë në dispozicion një linjë kredie inovative, ndërsa instrumente financimi do të ofrohen edhe përmes agrokredisë dhe Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), me mbështetjen e Bashkimit Evropian.

Kryeministri u shpreh se synimi i qeverisë është që financimi të mos jetë më pengesë për fermerët dhe sipërmarrësit në bujqësi.

Ai shtoi se çdo projekt i qëndrueshëm, i mbështetur me dije dhe plan të qartë nga aplikantët, do të financohet, në një formë ose në një tjetër. Ai  garantoi fermerët me akses më të gjerë në burime financiare për zhvillimin e bujqësisë shqiptare.

“Mbështetja jo vetëm nuk do mungojë, por do rritet vit pas viti. Me rritjen e mbështetjes së drejtpërdrejtë, që duam ta çojmë në 100 milionë euro, me mbështetjen e Bankës së Zhvillimit, e cila tashmë është regjistruar dhe ka gati planin për të filluar të jetësojë aktivitetin e vet. Me mbështetjen e Bankës së Shqipërisë, që ka vënë në dispozicion një linjë kredie inovative, me mbështetjen e agrokrediti, që është vënë në lëvizje dhe me mbështetjen e AZHBR dhe mbështetjes së Bashkimit Evropian përmes AZHBR, ne do të arrijmë t’i vëmë në dispozicion bujqësisë shqiptare dhe fermës shqiptare dhe të gjithë ata që duan të jetojnë me tokën një fakt: për askënd nuk do jetë çështje lekësh, nuk do jetë çështje fondesh për gjithkënd do jetë çështje e projektit të duhur dhe e garancive të duhura të dijeve për zbatimin e projektit. Çdo projekt që do jetë i duhur dhe që do mbështetet me dije nga çdo aplikant, nuk diskutohet që do financohe , në një rrugë ose në një tjetër”, tha kryeministri Rama/abcnews.al

“Do rrisim eksportet”, Rama: Produktet tona, në 80 vende të botës

22 December 2025 at 10:59

TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama deklaroi se Shqipëria ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm në eksportet dhe në raportin e deficitit tregtar, krahasuar me vitet e mëparshme.

Sipas Ramës, dikur eksportet ishin një aktivitet i kufizuar vetëm për një numër shumë të vogël fermerësh, ndërsa deficiti tregtar ishte në nivele “katastrofike” në krahasim me vendet e rajonit.

I pranishëm në aktivitetin “me fermerët në Shqipërinë 2030”, kryeministri pohoi se sot eksportet shqiptare janë prezente në 80 vende të botës.

“Eksportet ishin thjesht dhe vetë aktivitet i një grushti njerëzish fermerësh, që ia kishin dalë deri aty dhe deficit tregtare ishte katastrofë unikale në rajon se në euros nuk po hymë fare të bëjmë krahasime.

Për çdo euro të eksportuar, ne importonim 9 euro në ushqim, ndërkohë që sot produktet tona shkojnë në 80 vende të botës dhe ekspertët kanë kaluar gjysmë miliardë euro dhe ndërkohë deficiti nga 1 me 9 është ulur në 1 me 3 dhe përpjekja jonë është që të shkojmë 1 me 2”, tha Rama./abcnews.al

Masat e Policisë për festa/ Shtohen patrullat dhe prania e efektivëve në rrugë dhe sheshe

22 December 2025 at 10:18

TIRANË– Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, gjatë festave të fundvitit dhe ditëve të para të vitit të Ri 2026. Ky plan parashikon shtimin e forcave të efektivëve në rrugë e sheshe, si dhe shtim i kontrolleve në pikat e kalimit kufitar.

Njoftimi mbi masat e marra: 

Me qëllim përmbushjen e këtyre objektivave të rëndësishëm, si dhe parandalimin e incidenteve dhe ngjarjeve kriminale, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka hartuar një plan të posaçëm masash, me detyra të mirëpërcaktuara për çdo strukturë policore vendore dhe qendrore.
Masat konsistojnë në:

-shtimin e prezencës së shërbimeve policore me uniformë dhe atyre të Policisë Kriminale në territor, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe parandalimin e ngjarjeve të mundshme kriminale;

-menaxhimin dhe ofrimin e shërbimeve në PKK-të gjatë hyrjeve/daljeve të shtetasve në territorin e vendit, duke shtuar sportelet dhe burimet njerëzore në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Në pikat tokësore, do të intensifikohet bashkëpunimi i ndërsjellë me homologët, me qëllim krijimin e lehtësirave ligjore, shmangien e radhëve të gjata dhe sigurimin e lëvizjeve të njëtrajtshme në të dyja anët e kufirit;

-rritjen e kontrollit në pikat e kalimit kufitar dhe shtimin e patrullimeve në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare;

-intensifikimin e masave për monitorimin e qarkullimit rrugor, duke përdorur mjete inteligjente shpejtësimatëse, dronë, alkooltestues, si dhe shtimin e patrullave të lëvizshme të Policisë Rrugore në të gjitha qendrat urbane dhe akset rrugore urbane e interurbane, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e parametrave te sigurisë rrugore.

(Në këtë kuadër, sqarojmë se deklarata publike e bërë nga kreu i Sindikatës së Punonjësve të Policisë, Sadetin Fishta se punonjësit e Policisë kanë urdhër të plotësojnë sa më shumë masa administrative pasi në rast se nuk plotësojnë numrin e kërkuar kërcënohen për transferime apo ulje në detyrë, është tërësisht e pavërtetë. Theksojmë për qytetarët dhe opinionin publik se nuk ka asnjë urdhër të tillë për të plotësuar një numër të caktuar masash administrative.
Masat administrative, ashtu si fushatat sensibilizuese dhe masat këshilluese, janë mjete që përdoren ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor dhe kanë objektiva vetëm garantimin e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve)

-bashkëpunimin me organet e pushtetit vendor dhe drejtuesit e institucioneve fetare për mbarëvajtjen e ceremonive festive për Krishtlindje dhe Vit të Ri, si dhe koordinimin e veprimeve me Policitë Bashkiake në qarqe;

-rritjen e prezencës së shërbimeve të Policisë në shëtitore, pedonale, objekte kulti dhe sheshe publike, në të gjitha bashkitë e vendit, për të garantuar mbarëvajtjen e festimeve gjatë natës së Krishtlindjes dhe gjatë ndërrimit të viteve;

-shtimin e masave për mbajtjen nën kontroll të rendit dhe sigurisë në ambiente te ndryshme, restorante, lokale dhe qendra tregtare që kanë frekuentim të lartë qytetarësh, me qëllim parandalimin e konflikteve dhe ngjarjeve kriminale;

-sigurimin në kohë të informacioneve për parandalimin e ngjarjeve kriminale, si dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim për ngjarje kriminale dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë penale;

-intensifikimin e kontrolleve ndaj subjekteve që tregtojnë lëndë piroteknike (fishekzjarre, kapsolla), në bashkëpunim me strukturat e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit dhe me strukturat e tjera ligjzbatuese;

-rritjen e gatishmërisë dhe shtimin e shërbimeve policore në banka, zyra të këmbimit valutor, qendra tregtare, tregje te ndryshme dhe objekte të tjera ku administrohen vlera monetare dhe materiale;

-bashkëpunimin me shërbimet private të sigurisë fizike (SHPSF), për përforcimin e masave te sigurisë së objekteve, si dhe gjatë shoqërimit dhe transportimit të vlerave monetare.

Ndërkohë, shërbimet e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Reparti Special RENEA do të jenë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo moment, në rast se do të jetë e nevojshme.

Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar për të krijuar një ambient sa më të sigurtë për të gjithë qytetarët dhe në këtë kuadër, i fton ata të bashkëpunojnë me shërbimet e Policisë, duke denoncuar ne numrin pa pagesë 112, çdo rast paligjshmërie apo indicie për konflikte, përgjatë ditëve dhe netëve festive.

Festat, bonus për disa kategori/ Qeveria jep 15 mijë lekë për familjet me ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi ndryshe

22 December 2025 at 10:06

TIRANË- Qeveria shqiptare ka vendosur të ndajë bonuese për disa kategori të shoqërisë. Lajmi u dha nga ministri i Financave, Petrit Malaj, i cili tha se qeveria ka miratuar Aktin Normativ të fundvitit, i cili parashikon disa ndryshime në buxhetin e vitit 2025.

“Në kuadër të kësaj mbështetjeje, do të akordohet një masë financiare prej 15 mijë lekësh, ose rreth 150 eurosh, për secilin përfitues. Nga kjo paketë do të përfitojnë gjithsej 148 500 qytetarë, ndërsa fondi total i vënë në dispozicion arrin në 2,2 miliardë lekë”, tha ministri Malaj.

Ministri u shpreh se një nga vendimet e Këshillit të Ministrave lidhet me përdorimin e fondeve të pashpenzuara nga ministritë dhe institucionet buxhetore.

Ai pohoi se të gjitha fondet që nuk do të shpenzohen nga këto institucione të kalojnë në fondin e posaçëm të pensioneve pranë Bankës së Shqipërisë.

“Bazuar në një vlerësim paraprak, shuma që minimalisht pritet të transferohet në këtë llogari është rreth 150 milionë euro. Kjo shumë do të përdoret për Reformën e Pensioneve”, u shpreh Malaj./abcnews.al

 

I dërguari special i SHBA: Bisedimet e paqes për Ukrainën produktive dhe konstruktive

22 December 2025 at 09:23

Gjatë tri ditëve të negociatave në Florida, Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kanë zhvilluar bisedime me dhe pa përfaqësues evropianë mbi mënyrat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

”Diskutimet midis negociatorëve ukrainas dhe amerikanë mbuluan garancitë shumëpalëshe të sigurisë, si dhe garancitë e sigurisë amerikane”, shkruan në mënyrë identike në X i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff dhe negociatori kryesor ukrainas, Rustem Umerov.

Ata thanë se bisedimet trajtuan gjithashtu zhvillimin e mëtejshëm të planeve për rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës, ndërsa vendi vazhdon të mbrohet nga pushtimi i Rusisë.

“Gjatë tri ditëve të fundit në Florida, delegacioni ukrainas zhvilloi një sërë takimesh produktive dhe konstruktive me partnerët amerikanë dhe evropianë”, thanë postimet.

“Ukraina mbetet plotësisht e përkushtuar për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, shtuan ato.

Delegacionet ukrainase, ruse dhe evropiane ishin në Miami gjatë fundjavës për të vazhduar negociatat për t’i dhënë fund luftës së nisur nga Rusia rreth katër vjet më parë, megjithëse nuk u zhvilluan bisedime të drejtpërdrejta midis zyrtarëve ukrainas dhe rusë.

Përfaqësuesit ukrainas, amerikanë dhe evropianë kishin zhvilluar bisedime të dielën dhe të hënën e kaluar në Berlin, mes një shtytjeje të intensifikuar diplomatike për të gjetur një zgjidhje për konfliktin.

Negociatori rus Kirill Dmitriev, këshilltar i presidentit rus Vladimir Putin, i përshkroi bisedimet në Miami si konstruktive pas raundit të parë të së shtunës, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS.

“Gjatë dy ditëve të fundit në Florida, i Dërguari Special rus Kirill Dmitriev zhvilloi takime produktive dhe konstruktive me delegacionin amerikan për të çuar përpara planin e paqes të presidentit Trump për Ukrainën”, tha Witkoff në një postim në X.

Asnjë nga palët e përfshira nuk zbuloi nëse ishte bërë përparim i vërtetë.

Rivaliteti/ Firmat evropiane bien dakord për bashkimin e satelitëve për t’iu kundërvënë Starlink

22 December 2025 at 08:51

Grupet evropiane të hapësirës ajrore zbuluan një marrëveshje fillestare të enjten për të bashkuar aktivitetet e tyre të prodhimit të satelitëve që sjellin humbje, duke kombinuar forcat pas muajsh negociatash për t’iu kundërvënë rritjes marramendëse të rivalëve të udhëhequr nga Starlink i Elon Musk.

Marrëveshja e shumëpritur midis Airbus, Thales dhe Leonardo, synon të krijojë një sipërmarrje të re duke filluar nga viti 2027, në varësi të miratimit nga rregullatorët evropianë që kanë rezistuar ndaj lëvizjeve të tilla në të kaluarën.

Entiteti i ri pa emër do të punësojë 25,000 njerëz në të gjithë Evropën me të ardhura vjetore prej 6.5 miliardë eurosh (7.58 miliardë dollarë), bazuar në shifrat e vitit 2024, thanë kompanitë në një deklaratë.

Airbus do të mbajë 35%, ndërsa Thales dhe Leonardo do të mbajnë secila 32.5%, tha deklarata, duke shtuar se do të operojë nën kontroll të përbashkët “me një strukturë të ekuilibruar qeverisjeje”.

Kombinimi hapësinor pritet të gjenerojë miliona euro sinergji mbi të ardhurat operative në vit, duke filluar pas pesë vitesh, thanë kompanitë.

Me emrin e koduar “Projekti Bromo”, bisedimet midis tre grupeve hapësinore filluan vitin e kaluar në një përpjekje për të kopjuar modelin e bashkëpunimit të prodhuesit evropian të raketave MBDA, i cili është në pronësi të Airbus, Leonardo dhe BAE Systems.

Prodhuesit kryesorë të satelitëve në Evropë kanë konkurruar prej kohësh për të ndërtuar anije kozmike komplekse në orbitën gjeostacionare, por janë goditur nga mbërritja e satelitëve të vegjël të lirë në orbitën e ulët të Tokës.

Drejtorët ekzekutivë të tre kompanive thanë në një deklaratë të përbashkët, se bashkimi do të ndihmonte qeveritë të siguronin “autonominë e Evropës në të gjithë fushën strategjike hapësinore”.

Marrëveshja do të kombinojë aktivitetet e prodhimit dhe shërbimeve të Thales Alenia Space dhe Telespazio – dy sipërmarrje të përbashkëta midis Leonardo dhe Thales – si dhe biznese të ndryshme hapësinore dhe digjitale të Airbus, aktivitetet e mbetura hapësinore në pronësi të Leonardo dhe Thales SESO.

Kompanitë, të cilat tashmë kanë shkurtuar një total prej rreth 3,000 vendesh pune në hapësirë, nuk përmendën ndonjë shkurtim të mëtejshëm të vendeve të punës, por thanë se sindikatat do të konsultoheshin për projektin.

Reuters raportoi më parë këtë javë se tre grupet hapësinore kishin arritur një marrëveshje kornizë mbi një bashkim të propozuar të bizneseve të tyre satelitore.

Marrëveshja midis tre kompanive – secila prej të cilave ka pasur periudha marrëdhëniesh të vështira në të kaluarën – u shpëtua pasi burime të njohura me çështjen thanë se bisedimet kishin hasur pengesa në qeverisje dhe vlerësim gjatë verës./abcnews.al

SHBA, Roja Bregdetare “shigjeton” një tjetër anije cisternë nafte në brigjet e Venezuelës

22 December 2025 at 08:38

Zyrtarët e Rojës Bregdetare Amerikane thanë se po “ndjekin” një anije cisternë nafte në ujërat ndërkombëtare pranë Venezuelës, sipas raportimeve të medias, duke shënuar veprimin e dytë të tillë gjatë fundjavës dhe të tretin brenda javës së kaluar.

Sipas mediave amerikane, një zyrtar tregoi se cisterna është subjekt i sanksioneve, por nuk i dha vendndodhjen e saktë të anijes.

Një zyrtar gjithashtu konfirmoi ndjekjen e së dielës për Associated Press dhe tha se ajo përfshinte “një anije të flotës së errët të sanksionuar që është pjesë e shmangies së paligjshme të sanksioneve nga Venezuela”.

Donald Trump kohët e fundit kishte deklaruar një “bllokadë” që synonte të gjitha cisternat e naftës të sanksionuara që udhëtonin drejt ose jashtë Venezuelës.

Fushata e presidentit amerikan për të rritur presionin mbi presidentin autoritar venezuelian Nicolás Maduro ka përfshirë një prani të forcuar ushtarake amerikane në rajon, së bashku me më shumë se dy duzina sulme ushtarake kundër anijeve në Oqeanin Paqësor dhe Detin e Karaibeve pranë vendit të Amerikës së Jugut.

Këto sulme kanë rezultuar në të paktën 100 vdekje./abcnews.al

Britani e Madhe, mbi 41 000 emigrantë kaluan kanalin La Mansh në 2025

22 December 2025 at 08:10

Më shumë se 41 000 emigrantë kanë kaluar kanalin e La Mansh me varka të vogla këtë vit. Rreth 803 emigrantë ndërmorën udhëtimin e rrezikshëm në 13 gomone nga Francën veriore, gjatë natës së të premtes dhe deri të shtunën.

Numri i përgjithshëm i kalimeve në La Mansh për vitin 2025 ka arritur në 41 455 persona.

Kalimet e së shtunës përbëjnë numrin më të madh të emigrantëve që nga 8 tetori, ku vetëm në një ditë kaluan 1 075 refugjatë.

Gjithashtu, ky ishte një numër rekord kalimesh për një ditë në dhjetor, krahasuar me të dhënat që shtrihen deri në vitin 2018.

Dhjetori është, tradicionalisht një nga muajt më të qetë për kalimet në La Mansh, për shkak të temperaturave të ulëta, dukshmërisë së dobët dhe motit me stuhi që e bën udhëtimin veçanërisht të vështirë.

Numri më i madh i mbërritjeve të regjistruara në muajin dhjetor ka arritur në 3 254, në vitin 2024.

Rreth 2 163 persona kanë mbërritur deri më tani, në dhjetor.

Këtë javë, Gjermania miratoi një ligj të ri që ndëshkon trafikantët e qenieve njerëzore me deri në 10 vjet burg për përpjekjen për të sjellë emigrantë në Britaninë e Madhe.

Ndryshimi i ligjit, i cili do të hyjë në fuqi para fundit të vitit, synon t’u japë më shumë kompetenca zbatuesve të ligjit dhe prokurorëve, dhe të rrisë shkëmbimin e informacionit midis Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë.

Ndërkohë, Franca planifikon të ndalojë anijet e vogla në det përpara se ato të marrin emigrantë që shkojnë në Britaninë e Madhe.

❌
❌