Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 11 January 2026Main stream

Rriten prurjet e lumenjve Shkumbin dhe Seman, situatë kritike në disa zona të Lushnjes

By: V K
11 January 2026 at 09:53

Situata paraqitet kritike në disa zona të Bashkisë Lushnje, si pasojë e rritjes së prurjeve në lumenjtë Shkumbin dhe Seman, të shkaktuara nga reshjet e shumta.

Në fshatin Thanasaj, ujërat e lumit Shkumbin kanë përfshirë dhjetëra banesa dhe oborre, duke shkaktuar vështirësi për banorët e zonës.

Sipas të dhënave deri në këto momente, niveli i ujit brenda argjinaturës nuk paraqet rrezik për dalje jashtë saj.

Ndërkohë, situata mbetet shqetësuese edhe në lumin Seman. Fshati Murriz–Kozare ndodhet nën ndikimin e drejtpërdrejtë të ujërave të këtij lumi, ndërsa rritja e nivelit të tij përbën rrezik për disa fshatra përgjatë argjinaturës.

Më problematike paraqitet gjendja në fshatin Imshtë, ku niveli i ujit është pothuajse në të njëjtën lartësi me argjinaturën.

Deri në këto momente nuk raportohet rrezik për çarje të argjinaturës, por nëse prurjet vijojnë me të njëjtin intensitet, ekziston mundësia që ujërat të kalojnë mbi të.

The post Rriten prurjet e lumenjve Shkumbin dhe Seman, situatë kritike në disa zona të Lushnjes appeared first on Albeu.com.

Reshjet e dendura të shiut/ Ja zonat që rrezikohen të përmbyten sot

By: V K
11 January 2026 at 09:23

Moti i keq me reshje masive shiu vijon të mbajë të mbërthyer vendin, duke shkaktuar përmbytje në shumë qytete.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO), si pasojë e reshjeve këtë të diel mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave në qarqet Shkodër Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër.

Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjëndjes së kanalizimeve.

Rrezik të shtuar për përmbytje lokale do të kenë lumenjtë Ishëm, Erzen, Mat, lumi Vjosa. Lumi Drin-Buna dhe liqeni i Shkodrës, do të ketë rritje të prurjeve dhe niveleve dhe rrezik të shtimit të sipërfaqeve të përmbytura në zonën e Nënshkodrës.

Gjithashtu priten reshje dëbore në zonat në veri, lindje dhe juglindje në territorit, të cilat do të pasohen nga ulja e ndjeshme e temperaturave dhe ngricat dhe mund të krijojnë vështirësi në transportin rrugor.

Sot priten reshje mesatare deri lokalisht intensive në qarqet Shkodër dhe Elbasan, ndërsa në qarqet e tjerë priten reshje mesatare. Reshjet priten të shoqërohen me shtrëngata.

Në lartësitë mbi 600 m mbi nivelin e detit në veri, lindje dhe juglindje reshjet do të jenë në formë dëbore.

Temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë, në bregdet: 9/10 °C; në vendet e ulëta: 8/9 °C dhe në vendet malore: -2/0 °C.

Era pritet të fryjë mesatare deri e fortë në bregdet dhe në zonat malore.

 

The post Reshjet e dendura të shiut/ Ja zonat që rrezikohen të përmbyten sot appeared first on Albeu.com.

Reshjet e dendura të dëborës/ Fshatra të izoluara dhe mungesë të energjisë elektrike, probleme në disa zona në Dibër

By: V K
11 January 2026 at 09:05

Reshjet e dendura të dëborës, kanë shkaktuar probleme të shumta në disa njësi administrative të Qarkut Dibër. Prej ditës së djeshme, në shumë zona mungon energjia elektrike.

Trashësia e dëborës në njësitë Lurë, Kala e Dodës, Selishtë dhe Muhurr, ka kaluar mbi 40 centimetra.

Bashkia Dibër, po punon intensivisht për hapjen e rrugëve drejt fshatrave, megjithatë në këto momente raportohet se ende ka fshatra të izoluara.

Në qytetin e Peshkopisë, trashësia e borës arrin rreth 20 centimetra.

Rruga Peshkopi–Kukës, kalohet vetëm me zinxhirë dhe me vështirësi të mëdha.

Ndërsa segmenti te Ura e Çerenecit-Librazhd është aktualisht i pakalueshëm, por po punohet për hapjen e tij.

Rruga Peshkopi–Tiranë, është e kalueshmr pa zinxhirë.

Në të gjithë qarkun, strukturat përkatëse po vijojnë punën për pastrimin dhe hapjen e rrugëve rurale.

The post Reshjet e dendura të dëborës/ Fshatra të izoluara dhe mungesë të energjisë elektrike, probleme në disa zona në Dibër appeared first on Albeu.com.

Dyshohet se e mori rrjedha e përroit, vijojnë kërkimet për gjetjen e 30-vjeçarit, Jurgen Karaj

By: V K
11 January 2026 at 08:35

Vazhdojnë kërkimet për gjetjen e 30-vjeçarit Jurgen Karaj nga Bashkia Klos, i cili dyshohet se është marrë nga rrjedha e përroit në fshatin Dars.

Në ndihmë të forcave vendore kanë mbërritur edhe forcat speciale “Shqiponja”, si dhe forcat e ushtrisë, të cilat janë angazhuar intensivisht në operacionin e kërkimit.

Gjatë ditës së djeshme, kërkimet janë shtrirë përgjatë lumit Mat dhe kanë vijuar gjatë gjithë ditës, por janë ndërprerë vetëm pas rënies së errësirës.

Operacioni ka rifilluar sërish që në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Në kërkime janë përfshirë gjithashtu familjarë të të riut dhe banorë të zonës, të cilët po ndihmojnë autoritetet në terren.

The post Dyshohet se e mori rrjedha e përroit, vijojnë kërkimet për gjetjen e 30-vjeçarit, Jurgen Karaj appeared first on Albeu.com.

Përmbytjet do të shkaktojnë dëme të mëdha ekonomike

By: V K
11 January 2026 at 08:17

Përmbytjet janë një nga rreziqet më të mëdha natyrore që mund të prekë një vend, dhe pasojat e tyre për ekonominë mund të jenë shkatërruese, nëse nuk merren masa të menjëhershme për parandalimin e tyre.

Edhe pse fenomenet e tilla janë shpesh të natyrës natyrore, ndikimi i ndryshimeve klimatike ka shtuar intensitetin dhe frekuencën e këtyre ngjarjeve, duke i bërë ato më të vështira për t’u menaxhuar dhe parashikuar.

Nëse nuk ndërhyhet me një plan të mirëfilltë të menaxhimit të ujërave dhe mbrojtjes nga përmbytjet, dëmet për ekonominë do të jenë të mëdha.

Kjo përfshin humbjen e pasurive materiale, shkatërrimin e infrastrukturës dhe dëme në sektorë kyçë si bujqësia dhe turizmi, si dhe rënien e besueshmërisë për investitorët e huaj.

Për të shmangur këto pasoja, është thelbësore që shtetet të investojnë në masat parandaluese, si ndërtimi i digave, sistemeve të menaxhimit të ujërave dhe mbrojtjes nga përmbytjet.

Për më tepër, duhet të merren masa për forcimin e kapaciteteve të adapotimit ndaj klimës dhe për të siguruar që qytetet dhe zonat rurale të jenë të përgatitura për situata të tilla.

Përveç ndërhyrjeve lokale, ndihma ndërkombëtare dhe bashkëpunimi global janë gjithashtu të nevojshme për të përballuar kërcënimet që vijnë nga përmbytjet.

Investimet në infrastrukturën e qëndrueshme dhe politikat e integruara ndërkombëtare mund të jenë çelësi për një mbrojtje më efikase ndaj këtyre katastrofave natyrore.

Mënyrat e menaxhimit të përmbytjeve dhe rëndësia e ndërhyrjeve në kohë janë më të rëndësishme se kurrë për të garantuar një të ardhme më të sigurt dhe të qëndrueshme për ekonominë e vendeve të prekura.

The post Përmbytjet do të shkaktojnë dëme të mëdha ekonomike appeared first on Albeu.com.

Këmbimi valutor/ Çfarë po ndodh sot me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro

By: V K
11 January 2026 at 08:10

Ditën e sotme dollari amerikan, në blerje do të këmbehet me 82.4 lekë, në shitje me 83.4 lekë.

Euro, do të blihet me 96.1 lekë, do të shitet me 97 lekë.

Franga zvicerane, blihet me 102.8 lekë dhe shitet me 103.8 lekë.

Ndërsa paundi britanik, blihet me 110.4 lekë dhe shitet me 111.4 lekë.

Dollari kanadez, këmbehet me 59.3 lekë në blerje dhe me 60.3 lekë në shitje.

Më poshtë, po sjellim të dhënat e këmbimin valutor, për të gjitha monedhat e huaja:

 

The post Këmbimi valutor/ Çfarë po ndodh sot me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro appeared first on Albeu.com.

SHBA u bën thirrje qytetarëve të saj të largohen menjëherë nga Venezuela: Situata e sigurisë mbetet e paqëndrueshme

By: V K
11 January 2026 at 07:37

Departamenti Amerikan i Shtetit, u ka bërë thirrje qytetarëve të Shteteve të Bashkuara që ndodhen në Venezuelë të largohen nga vendi menjëherë, duke paralajmëruar për përkeqësim të situatës së sigurisë.

“Situata e sigurisë mbetet e paqëndrueshme”, deklaroi Departamenti i Shtetit, një javë pas kapjes së liderit venezuelian Nicolas Maduro.

Sipas njoftimit zyrtar, me rifillimin e fluturimeve ndërkombëtare, qytetarët amerikanë duhet të shfrytëzojnë çdo mundësi për t’u larguar sa më shpejt nga vendi.

Autoritetet amerikane kanë paralajmëruar gjithashtu për rrezikun që paraqesin milicitë e armatosura të njohura si “colectivos”, të cilat sipas njoftimit kryejnë kontrolle të automjeteve në rrugë, duke kërkuar shtetas amerikanë ose prova të mbështetjes ndaj Shteteve të Bashkuara.

Departamenti i Shtetit, u ka rekomanduar qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare të sigurisë.

The post SHBA u bën thirrje qytetarëve të saj të largohen menjëherë nga Venezuela: Situata e sigurisë mbetet e paqëndrueshme appeared first on Albeu.com.

Njihuni me parashikimin e motit, 11 Janar 2026

By: V K
11 January 2026 at 07:29

Ditën e sitme vendi ynë, do të ndikohet nga kushte atmosferike relativit të paqëndrueshm. Moti parashikohet fillimisht me vranësira mesatare deri të dendura dhe prej orëve të mesditës mot kryesisht me kthjellime e alternime vranësirash kalimtare.

Reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët e lokalisht deri mesatar në pjesën më të madhe të vendit, që në orët e para të 24-orëshit deri në mëngjes.

Gradualisht pas orëve të mëngjesit reshjet e shiut humbasin intensitet dhe territor, duke mbetur prezente në juglindje me intensitet të ulët.

Në zonën e Alpeve, në verilindje në lartësinë mbi 100 metër dhe juglindje mbi 200-300 metër reshje dëbore me intensitet të ulët deri mesatar, në pjesën tjetër të vendit reshje lokale bore me intensitet të ulët.

Pas orëve të pasdites reshjet e shiut dhe dëborës ndërpriten në të gjithë territorin. Mjegull e dendur/mjegullinë dhe shikim i reduktuar për shkak të reshjeve të shiut dhe dëborës.

Era do të fryjë me drejtim veriperëndim – verilindje, me shpejtësi mesatare 7 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore era pritet të fitoi shpejtësi deri në 18 m/s.

Deti – Valëzimi forcës 4-6 ballë.

The post Njihuni me parashikimin e motit, 11 Janar 2026 appeared first on Albeu.com.

Yesterday — 10 January 2026Main stream

Përleshje masive mes tifozëve përpara ndeshjes së Serie A Como-Bologna (VIDEO)

By: V K
10 January 2026 at 15:54

Nnë orët e para të pasdites, momente tensioni shpërthyen në Como, vetëm disa orë para ndeshjes midis ekipit të Fabregas dhe Bologn-as.

Përleshjet ndodhën midis dy grupeve të tifozëve pranë stadiumit Sinigaglia, disa orë para fillimit të ndeshjes.

Dy autobusë që transportonin tifozë të Kuqeblu, që mbërritën pranë stadiumit Sinigaglia, rastësisht kaluan një bar të frekuentuar nga tifozët e Comos.

Situsta u tensionua në fillim aty dhe më pas u përshkallëzua në hedhjen e shisheve dhe shkëmbimin e fyerjeve.

Ndërhyrja e shpejtë e forcave të rendit parandaloi pasoja më serioze, duke rivendosur qetësinë brenda pak minutash.

Si masë paraprake, disa rrugë u mbyllën përkohësisht dhe autobusët që transportonin tifozë të Bologna-s u larguan nën shoqërimin e policisë.

 

10.01.2026🇮🇹Streetfight Como – Bologna, click for more here: https://t.co/8QBlqIUKiS

All in one place. Tap to download.
🔗 https://t.co/FXnrFRpzhv pic.twitter.com/2N7og8dBwL

— Hooligans.cz Official (@hooliganscz1999) January 10, 2026

The post Përleshje masive mes tifozëve përpara ndeshjes së Serie A Como-Bologna (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

Shkeli masën e sigurisë, arrestohet drejtoresha e Emigracionit në Ministrinë e Brendshme

By: V K
10 January 2026 at 15:31

Policia ka arrestuar shtetasen Alma Bime, 43-vjeçe, me detyrë drejtoreshë e Emigracionit në Ministrinë e Brendshme, pasi dyshohet se ka shkelur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe ka tentuar t’i vërë flakën automjetit të ish-bashkëjetuesit të saj.

Sipas burimeve zyrtare, arrestimi i saj u krye pas konstatimit se Bime kishte thyer masën e vendosur nga gjykata, ndërkohë që ndaj saj rëndojnë edhe akuza të reja për ngjarje të përsëritura dhune dhe kanosjeje ndaj ish-bashkëjetuesit, Mareglen Tomori.

Më herët, gjatë muajit dhjetor, Alma Bime, ishte shoqëruar nga Policia nën dyshimet për kanosje të një shtetasi të huaj përmes mesazheve, si edhe për djegien e orendive shtëpiake në banesën e ish-bashkëjetuesit, e ndodhur në rrugën “Hysen Xhura”, në zonën e Kinostudios. Pas kësaj ngjarjeje, gjykata kishte caktuar ndaj saj masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, masë e cila rezulton të jetë shkelur.

Sipas të dhënave të hetimit, më 31 dhjetor, Bime dyshohet se ka tentuar sërish t’i vërë flakën banesës së ish-bashkëjetuesit, si dhe ka tentuar ta plagosë atë, ç`ka ka çuar në përkeqësimin e pozitës së saj ligjore dhe arrestimin nga shërbimet e Policisë.

Pavarësisht arrestimit dhe akuzave të rënda, rasti ka ngritur pikëpyetje të forta publike mbi faktin se si Bime ka vijuar të mbajë funksionin e saj në Ministrinë e Brendshme, ndërkohë që ndodhej nën masë sigurie.

Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa pritet që Prokuroria të kërkojë një masë më të rëndë sigurie ndaj saj.

The post Shkeli masën e sigurisë, arrestohet drejtoresha e Emigracionit në Ministrinë e Brendshme appeared first on Albeu.com.

Partia Demokratike cakton datën e protestës kombëtare

By: V K
10 January 2026 at 15:14

Partia Demokratike, ka njoftuar se më 24 janar do të mbahet protesta e radhës kombëtare. Vendimi u mor sot gjatë mbledhjes së Kryesisë.

Kryedemokrati Sali Berisha, theksoi gjatë fjalës së tij se e vetmja mënyrë për rrëzuar qeverinë e Edi Ramës, janë protestat e vazhdueshme.

Berisha theksoi gjithashtu, se do të tregoheshin “naivë” nëse do të prisnin që kryeministri do të largohet nga ndërhyrja amerikane, duke shtuat se të vetmët që mund t’i tregojnë vendin e duhur janë qytetarët shqiptarë.

Ai foli edhe për takimin e djeshëm të mbajtur me aleatë politikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, duke shtuar se duhet të krijojnë një front të përbashkët “si rruga më e sigurtë për të luftuar kundër kësaj të keqe.”

“Dje, po në këtë kuadër, thirrëm një takim jashtëzakonisht të rëndësishëm me shoqërinë civile dhe forcat politike. Në emër tuaj, unë u shpreh edhe njëherë mirënjohjen më të thellë të gjithë atyre personaliteteve të fushave të ndryshme, të cilat pavarësisht nga pavarësia e tyre në kuptimin politik, pa asnjë afilacion partiak, por erdhën aty se të gjithë ata janë kundër të keqes që po përjeton vendin.

Aty u bashkuam kundër një të keqe të përbashkët dhe aty erdhën të gjithë ata që besojnë se Edi Rama është e keqja më e madhe e këtij vendi. Ishte një akt i guximshëm qytetar i tyre, i përgjegjshëm i tyre. Dhe unë i siguroj se ne do bëjmë gjithçka për të vazhduar me ta dialogun, për të dëgjuar zërin e tyre, këshillat e tyre dhe për të vepruar bashkërisht kundër kësaj të keqe. Ftoj individë, organizata, forca politike të tjera që nuk ishin dje aty të bashkohen me këtë front si rruga më e sigurtë për të luftuar kundër kësaj të keqe.

Nuk ka synim ky front dominimin e një partie apo një tjetër, ka synim krijimin e një forumi, një fronti të përbashkët, një fryme të gjerë për të larguar nga pushteti një minutë e më parë këtë regjim që e meriton vetëm një cilësim: kakistokraci. Grekët e lashtë quanin të tillë më të keqin e regjimeve. Dhe ky kështu është.

Diskutime të shumta u zhvilluan, mendime të çmuara u shprehën. Ne do vazhdojmë përpjekjen për institucionalizimin e këtij forumi, kësaj aleance, ta quajmë si të biem dakord. Urojmë dhe shpresojmë që kjo të shtrihet edhe në rrethe, në qarqe, në mënyrë që një përpjekje e madhe mbarëshqiptare të bëhet kundër këtij regjimi”, tha Berisha.

The post Partia Demokratike cakton datën e protestës kombëtare appeared first on Albeu.com.

Berisha: S’mund të presim që amerikanët të heqin Ramën, ata që duhet t’i përvishen janë qytetarët

By: V K
10 January 2026 at 15:04

Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së Kryesisë së partisë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, theksoi se nuk duhet që të presin që drejtësia amerikane të veprojë kundër kryeministrit Edi Rama, duke iu referuar çështjes McGonigal.

Berisha tha se protestat janë e vetmja rrugë për largimin e Ramës nga pushteti.

Sipas tij, “ata që duhet t’i përvishen Edi Ramës duhet të jenë qytetarët shqiptarë”, duke shtuar se kryeministri mund të përdorë çdo formë për të mbajtur pushtetin.

“Është diskutuar dhe menduam që të jetë kryesia sepse domosdoshmëria e protestave, pra koha për protestë ka kaluar në fakt, duhet të përcaktojmë datën e protestës së ardhshme, duke theksuar edhe njëherë, rruga e vetme… se duhet të jemi shumë të ndershëm dhe të kthjellët…. rruga e vetme për largimin e kësaj qeverie është kalimi në protestë të vazhdueshme. Në vlerësimin tim, variantet e tjera janë iluzive. Nëse besojmë se Edi Ramën do ta marrin me vete dosjet dhe krimet e tij, ne gabohemi, dhe nuk duhet të gabohemi.

Edi Rama do keqpërdorë të gjithë pushtetin për t’u mbrojtur. Në qoftë se ne ai presim që ai të bëhet përgjegjës nga drejtësia, të themi e SHBA, që ka motiv të plotë, qoftë me dosjen e Bilalit, qoftë me dosjen e McGonigalit, përsëri ne nuk jemi realistë, pasi ky proces dhe ky problem është i komplikuar, nuk është një problem i thjeshtë. Por ata që duhet t’i përvishen Edi Ramës duhet të jenë qytetarët shqiptarë. Unë mendoj se zhvillimet janë pozitivë në krahun e opozitës. Janë shtatë rezoluta që damkosin Edi Ramën njëlloj sa Maduron.

Juve u kujtohet, në San Paolo, pika e parë e rendit të ditës ishte Venezuela, pika e dytë ishte Shqipëria, për ngjashmëritë që ka Maduro me Ramaduron. Kam bindjen se partnerët tanë, kudo, nga këto zhvillime, do të arrijnë në konkluzione të drejta për rrezikshmërinë e madhe që paraqet Edi Rama në pushtet”, tha Berisha.

The post Berisha: S’mund të presim që amerikanët të heqin Ramën, ata që duhet t’i përvishen janë qytetarët appeared first on Albeu.com.

I ftohti mbërthen Librazhdin/ Dëbora, ngrica dhe vështirësi të shumta në zonat malore

By: V K
10 January 2026 at 14:30

Prej më shumë se një jave, bashkia e Librazhdit, vijon të jetë e përfshirë nga dëbora dhe ngricat, duke e bërë situatën problematike në mjaft zona, veçanërisht në fshatrat malorë.

Qarku i Elbasanit, ka përjetuar kushte të vështira atmosferike gjatë kësaj jave, por Librazhdi rezulton zona më e prekur nga moti i përkeqësuar, i shoqëruar me reshje të dendura shiu dhe stuhi dëbore.

Disa ditë më parë, dëbora mbuloi për disa orë edhe qytetin e Librazhdit, ndërsa aktualisht shumica e fshatrave të bashkisë vijojnë të jenë të mbuluara nga dëbora dhe ngricat.

Temperaturat kanë shënuar rënie të ndjeshme, ndërsa termometri në orët e para të mëngjesit ka zbritur deri në -7 gradë Celsius.

Fshatrat malorë, përfshirë Fushë Studën, Qarrishtën, Neshtën, Kostenjën, Orenjën, malin e Dardhës, Xhyrën, Spatharin, Babjen, Polisin dhe zona të tjera, janë të mbuluara nga dëbora.

Ndërkohë, aksi rrugor Librazhd–Peshkopi ka pësuar ndërprerje të qarkullimit disa herë gjatë kësaj jave, duke e bërë të domosdoshme përdorimin e zinxhirëve për mjetet që qarkullojnë në këtë segment.

Agjencia e Shërbimeve Publike, strukturat e Emergjencave Civile dhe grupet e OSHEE-së janë çdo ditë në terren për të monitoruar situatën dhe për të ndërhyrë aty ku është e nevojshme.

Kryetari i Bashkisë Librazhd, z. Mariglen Disha, ka qenë i pranishëm edhe gjatë fundjavës në terren, duke inspektuar fshatrat e Njësisë Administrative Polis dhe duke vlerësuar gjendjen e rrugëve si dhe nevojat e banorëve.

Në Njësinë Administrative Steblevë, trashësia e dëborës ka arritur mbi 40 centimetra, ndërsa punonjësit e mirëmbajtjes po punojnë intensivisht për të mbajtur rrugët të hapura dhe të aksesueshme.

Kryebashkiaku Disha, thekson se situata monitorohet në mënyrë të vazhdueshme në çdo njësi administrative dhe se grupet e punës janë në gadishmëri të plotë për të përballuar çdo problematikë.

Gjatë ditës së shtunë, pjesa më e madhe e grupeve të ndërhyrjes u përqendruan në fshatrat e Njësisë Administrative Polis, ku u shënuan bllokime të disa segmenteve rrugore për shkak të rrëshqitjes së masiveve të dherave dhe gurëve nga skarpatet e kodrave.

Autoritetet vendore u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të respektojnë udhëzimet e strukturave përkatëse, për të garantuar sigurinë gjatë këtyre kushteve të vështira atmosferike.

The post I ftohti mbërthen Librazhdin/ Dëbora, ngrica dhe vështirësi të shumta në zonat malore appeared first on Albeu.com.

I dogji krevatin bashkëjetuesit, zyrtarja e Ministrisë se Brendshme, Alma Bime thyen arrestin shtëpiak dhe tenton t’i vërë flakën edhe makinës së ish-partnerit

By: V K
10 January 2026 at 13:47

Policia e Tiranës, ka vënë në pranga 43- vjeçaren Alma Bime, drejtoreshe e Emigracionit në Ministrisë së Brendshme.

Bime dyshohet se ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” si dhe ka tentuar t’i djegë automjetin ish-bashkëjetuesit.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4., arrestuan shtetasen A. B., 43 vjeçe, pasi dyshohet se ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” si dhe ka tentuar t’i djegë automjetin ish-bashkëjetuesit”, njofton policia.

Drejtoresha e Ministrisë së Brendshme, u shoqërua ne dhjetor nën dyshimet për kanosjen e një të huaji përmes mesazheve dhe djegien e orendive shtëpiake të ish-bashkëjetuesit të saj, Mareglen Tomori.

Tomori raportohet se ka një vilë tre katëshe në rrugën “Hysen Xhura” në Kinostudio dhe prej disa kohësh kishte punësuar një të huaj me leje qëndrimi në Shqipëri që jetonte në katin e parë të vilës dhe kujdesej për kopshtin.

Sipas News 24, Bime është zënë me ish-bashkëjetuesin kohë më parë, dhe i ka djegur krevatin në vilë. Më pas është konfliktuar edhe me të huajin, të cilin e ka akuzuar për bashkëpunim me ish-bashkëjetuesin e saj dhe se do t’ia hiqte lejen e qëndrimit.

Denoncimi është bërë nga Tomori, i cili ka marrë dëshmitarë edhe punëtorin e huaj për të provuar mesazhet kërcënuese të Bimes ndaj tij.

The post I dogji krevatin bashkëjetuesit, zyrtarja e Ministrisë se Brendshme, Alma Bime thyen arrestin shtëpiak dhe tenton t’i vërë flakën edhe makinës së ish-partnerit appeared first on Albeu.com.

Zjarri tek magazinat e tregut të “5 Majit”/ Prokuroria: Dyshohet nga shkëndija elektrike, vijojnë hetimet

By: V K
10 January 2026 at 13:28

Prokuroria e Tiranës, vijon hetimet për zjarrin që ra dy ditë më parë në tregun e zonës së “5 Majit”, ku nga hetimet paraprake dyshohet se shkak është shkëndija elektrike.

“Më datë 08.01.2026, në rrugën “Ferit Xhajko”, dyshohet se, si pasojë e një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në kapanonet e tregut të njohur ndryshe si ish-tregu “Uzina Dinamo”, ku për pasojë ka patur dëme të konsiderueshme në mallra dhe dëme materiale.

Nën drejtimin e Prokurorisë u kryen veprimet procedurale dhe dyshohet se shkaku i rënies së zjarrit ka qenë aksidental.

Materialet u referuan në Prokurori për hetime të mëtejshme”, thuhet në komunikatën zyrtare të policisë së Tiranës.

The post Zjarri tek magazinat e tregut të “5 Majit”/ Prokuroria: Dyshohet nga shkëndija elektrike, vijojnë hetimet appeared first on Albeu.com.

U mbyt nga rrjedha e ujit/ Flasin familjarët e Astrit Hysenajt: Humbi jetën në krye të detyrës, po pastronte kanalin dhe…

By: V K
10 January 2026 at 12:59

Familjarët e Astrit Hysenajt, punonjës i mirëmbajtjes së rrugëve, që humbi jetën dy ditë më parë pasi e mori rrjedha e ujit, kërkojnë drejtësi.

Idajet dhe Osman Hysenaj, familjarë të viktimës nga fshati Arapaj, deklaruan se ai humbi jetën në krye të detyrës.

“Astriti ra në krye të detyrës. Ishte duke pastruar në autostradë, pranë kanalit kur e ka rrëmbyer rrjedha e ujit. Kërkojmë të njihet që vdiq në krye të detyrës. Na faktoni nëse kur e mori rrjedha nuk ishte në punë. Ne e kërkuam, por s’e gjetëm”, tha familjari i tij për mediat.

Astriti la pas gruan dhe djalin dhe nënën e tij 85-vjeçe.

The post U mbyt nga rrjedha e ujit/ Flasin familjarët e Astrit Hysenajt: Humbi jetën në krye të detyrës, po pastronte kanalin dhe… appeared first on Albeu.com.

Rreth 1800 familje pa energji në Korçë, rrugë të dëmtuara dhe argjinatura të çara nga shirat

By: V K
10 January 2026 at 12:39

Shirat e dendur dhe moti i keq, vijojnë të shkaktojnë probleme serioze në qarkun e Korçës. Rreth 1800 abonentë kanë mbetur pa energji elektrike në disa zona të bashkive Korçë, Maliq, Pogradec dhe Kolonjë, ndërsa defektet po ndikojnë si në zonat urbane, ashtu edhe në ato rurale.

Në Maliq, situata paraqitet më e rënduar për shkak të çarjeve në argjinaturën e Lumit Devoll. Nivel i lartë ujërash vijon të rrezikojë zonat përreth, ndërsa ndërhyrja për riparim për momentin konsiderohet e vështirë.

Në Pogradec, Lumi i Verdovës, ka shembur një pjesë të karrexhatës, duke kufizuar qarkullimin vetëm në një korsi.

Rrëshqitje dhe çarje terreni janë raportuar edhe në zonën e Çërravës, ku një banesë ndodhet në rrezik nga zhvendosja e dherave.

Në bashkinë Devoll, reshjet kanë sjellë dëmtime në argjinaturat përreth lumit Oshticë dhe luginave të vogla të fshatrave, ndërsa fshati Përparimaj ka kërkuar ndërhyrje për të shmangur përmbytjet e tokave dhe rrugëve lokale.

Në Kolonjë janë pastruar disa nga rrugët rurale të bllokuara, ndërsa ngricat kanë kërkuar kriposje të akseve në Ersekë.

Në disa zona si Shemetirë, Gjonç dhe Kakaç, lëvizja mbetet e vështirësuar për shkak të prishjeve në rrugë dhe tyre.

The post Rreth 1800 familje pa energji në Korçë, rrugë të dëmtuara dhe argjinatura të çara nga shirat appeared first on Albeu.com.

Reshje shiu dhe bore në Kosovë, probleme e vështirësi në qarkullim në disa akse rrugore

By: V K
10 January 2026 at 12:30

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka bërë të ditur se reshjet e dendura të shiut dhe borës, kanë shkaktuar vërshime dhe vështirësi në qarkullim në disa segmente rrugore të vendit.

Sipas tij, në rrugën Prishtinë–Ferizaj, qarkullimi është bllokuar për shkak të grumbullimit të ujit nga kyçjet ilegale në kanalet atmosferike, ndërsa ekipet janë në terren dhe rruga pritet të hapet brenda ditës.

Probleme janë raportuar edhe në nënkalimin në Mazgit, në autostradën “Ibrahim Rugova” për shkak të rrëshqitjes së dheut, si dhe në Sllatinë, në rrugën Fushë Kosovë–Gjurgjicë, ku po punohet në sanim emergjent.

Ndërkohë, në rrugën Zhur–Dragash, është shënuar lëvizje e trupit të rrugës dhe qarkullimi po zhvillohet në një shirit.

Durmishi u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes dhe mirëkuptim deri në normalizimin e plotë të situatës.

The post Reshje shiu dhe bore në Kosovë, probleme e vështirësi në qarkullim në disa akse rrugore appeared first on Albeu.com.

Deklaratat e babait të Selin, Anjeza Shahini krah Mirit: Perversët nuk dalin në Big Brother, ata i keni në shtëpi dhe bëjnë si të ndershëm

By: V K
10 January 2026 at 12:25

Përmes një reagimi të gjatë në rrjetet sociale, këngëtarja e njohur Anjeza Shahini, ka reaguar publikisht në mbrojtje të Mirit, pas akuzave dhe komenteve të bëra ndaj tij gjatë qëndrimit në shtëpinë e “Big Brother VIP Albania 5”.

Artistja ka përcjellë një mesazh të fortë pas deklaratës së dhënë nga babai i Selin Bollatit në “Shqipëria Live” pak ditë më parë.

Shahini zbulon se rreth 20 ditë para se Miri të hynte në shtëpinë e “Big Brother”, ato kishin zhvilluar një bisedë të sinqertë, gjatë së cilës Miri kishte theksuar qartë se nuk kërkonte mbështetje apo ndihmë, por thjesht të vlerësohej për atë që është.

Sipas këngëtares, Miri vazhdon të besojë se njerëzit nuk duhet të shajnë, nuk duhet të paguhen për komente të shëmtuara dhe as të bashkohen për të denigruar një njeri deri në thelb.

Në reagimin e saj, Shahini e përshkruan Mirin si një person që zgjedh të mbrojë të dobëtit, që respekton kufijtë personalë dhe që është e gatshme të vërë veten në rrezik për të mbrojtur të tjerët.

Anjeza Shahini ndalet gjithashtu te akuzat e rënda që, sipas saj, i janë bërë Mirit nga babai i Selin, të cilin e quan “prind i një vajze të rritur”, duke e quajtur këtë situatë si të padrejtë dhe thellësisht dëmtuese.

“Të etiketosh një njeri me zemër të artë si Miri me epitete të tilla është kriminale”, shkruan ajo, duke theksuar se sulme të tilla nuk kanë vend në një shoqëri që pretendon të jetë e drejtë dhe humane.

Postimi i plotë:

20 ditë përpara se Miri të futej në Big (ku unë nuk doja, sepse ndryshe nga unë, Miri ende beson në dashamirësinë e fuqive mediatike) më tha: “Nuk dua as mbështetje, as ndihmë, nëse njerëzit do më duan për atë që jam, dua të votohem për atë që jam”.

Kaq i drejtë është Miri. Akoma mendon se njerëzit nuk shpifin, se njerëzit nuk paguajnë për komente të shëmtuara, se njerëzit nuk bëjnë komplote ta denigruar një qenie njerëzore deri në palcë. Miri që sot zihet dhe nesër sigurohet që nuk ka humbur një shok. Miri që të pyet përpara se të të përqafojë.

Miri që vendos veten në rrezik për të mbrojtur më të dobëtit, sot akuzohet nga një prind i një vajze të rritur që është po aq e përfshirë në një lojë sa edhe Miri si një “pervers”. Nuk kanë faj, sepse “pervers” ka shumë, por ata nuk dalin në Big Brother, ata i keni në shtëpi, duke bërë si burra të ndershëm, nga ata me “namaz”. Miri është i rritur me dashuri, ai jep shumë dashuri, dashuri të sinqertë, nga ajo që është harruar nga shumë.

Të etiketosh një njeri me zemër të artë si të Mirit me epitete të tilla është kriminale dhe për këtë shpresoj që Miri të ketë hapësirë të marrë masa të duhura një ditë.

Miri, sa mirë që je brenda dhe ende nuk di gjë, sepse zemra jote e butë do të vritej padrejtësisht. Ata që të njohin të duan shumë. Ki durim, sepse ata që sot hedhin baltë mbi ty do të kursehen përpara pastërtisë tënde një ditë.

The post Deklaratat e babait të Selin, Anjeza Shahini krah Mirit: Perversët nuk dalin në Big Brother, ata i keni në shtëpi dhe bëjnë si të ndershëm appeared first on Albeu.com.

EMRAT/ Ky është 30-vjeçari që e mori rrjedha e ujit gjatë aksidentit në Klos, u braktis nga shoku i tij pas rënies së makinës në përrua (FOTO+VIDEO)

By: V K
10 January 2026 at 11:48

Personi që shihni në foto, është 30-vjeçari Jurgen Karaj, i cili rezulton i zhdukur pasi makina ku ndodhej si pasagjer, ra në një përrua në fshatin Dars të Klosit.

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit, kur mjeti tip “Audi” me targa angleze, humbi kontrollin dhe përfundoi në ujë.

Së bashku me Karajn në makinë, ishte edhe 24-vjeçari Andi Losha, drejtuesi i automjetit. Losha ka arritur të dalë vetë nga makina dhe ka shpëtuar, ndërsa dyshohet se Karajn e ka marrë rrjedha e përroit.

Policia e ka arrestuar 24-vjeçarin, pasi ai u largua nga vendngjarja pa njoftuar autoritetet dhe pa i dhënë ndihmë pasagjerit që ndodhej ende në automjet.

Testi i alkoolit e ka nxjerrë atë në gjendje të dehur në momentin e aksidentit. Ndërkohë, kërkimet për gjetjen e Jurgen Karajt vijojnë .

Shërbimet e Policisë dhe polumbarët e RENEA-s vijojnë kërkimet për gjetjen e pasagjerit, që dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit.

Njoftimi:

“Rreth orës 01:30, është marrë informacion se në vendin e quajtur ura e fshatit Dars, njësia administrative Klos, një mjet tip “Audi”, me targa angleze, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në përroin e fshatit Dars.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe shërbimi zjarrfikës.

Nga veprimet e shpejta të kryera nga shërbimet e Policisë u bë i mundur identifikimi i drejtuesit të mjetit, shtetasit A. L., 24-vjeç, banues në fshatin Fullqet, Klos.

Po nga veprimet dyshohet se në automjet ka qenë edhe një pasagjer, shtetasi J. K., 30-vjeç, banues në fshatin Fullqet, të cilin dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit.

Gjatë veprimeve për zbardhjen e rrethanave të aksidentit, shërbimet e Policisë kapën dhe arrestuan shtetasin A. L., 24-vjeç, i cili dyshohet se pas shkaktimit të aksidentit është larguar nga vendngjarja.

Ky shtetas iu nënshtrua testit të alkoolit, nga i cili rezultoi se e drejtonte mjetin në gjendje të dehur.

Ndërkohë, polumbarët e RENEA-s, shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësit vijojnë kërkimet në përroin e fshatit Dars për gjetjen e pasagjerit, shtetasit J. K.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, thuhet në komunikatën zyrtare të policisë.

 

The post EMRAT/ Ky është 30-vjeçari që e mori rrjedha e ujit gjatë aksidentit në Klos, u braktis nga shoku i tij pas rënies së makinës në përrua (FOTO+VIDEO) appeared first on Albeu.com.

❌
❌