“Kur shteti bllokohet, qytetet si Suhareka mbeten pa investime, projekte dhe përkrahje”, ka deklaruar i pari i LDK-së, njëherësh kandidati për Kryeministër Lumir Abdixhiku, gjatë tubimit në Suharekë.
Ai kritikoi çasjen e qeverisë në detyrë karshi zhvillimit, dhe jo vetëm.
“Viti i fundit ka qenë vit i bllokadës institucionale, ndërsa pesë vitet e fundit kanë qenë vite të humbura për Kosovën. Institucionet janë paralizuar. Vendimmarrja është bllokuar”, tha ai.
Abdixhiku po ashtu potencoi se konfliktet politike dhe shkeljet kushtetuese kanë prodhuar pasiguri.
Gjykata Supreme, ka shfuqizuar dispozita të Statutit dhe të Rregullores së UP-së për shkak të shkeljes së parimit të barazisë dhe meritokracisë.
"Kolegji i Gjykatës Supreme e ka aprovuar si të bazuar padinë e B.P., nga P., e paraqitur kundër të paditurit: Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. Është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar neni 153 paragraf 3 dhe 4 i Statutit të Universitetit të Prishtinës (UP). Është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar neni 7 paragraf 6 i Rregullores nr.2/254, për Procedurat Vlerësuese për Angazhimin e Bashkëpunëtorëve të Jashtëm në Universitetin Prishtinë", njofton Supremja.
Gjykata Supreme pas shqyrtimit të nenit 153 paragraf 3 dhe 4 të Statutit të Universitetit të Prishtinës dhe nenit 7 paragraf 6 të Rregullores nr. 2/254, për Procedurat Vlerësuese për Angazhimin e Bashkëpunëtorëve të Jashtëm në Universitetin e Prishtinës, ka konstatuar se dispozitat e sipërcituara janë të paligjshme.
Gjykata vlerëson se këto dispozita vendosin ndalesa absolute dhe automatike për angazhimin e kandidatëve që kanë familjarë të punësuar ose të angazhuar në njësinë akademike përkatëse, pa një vlerësim dhe identifikim konkret të konfliktit të interesit. Kjo qasje shkel parimet e barazisë, meritokracisë, dhe ndalimin e diskriminimit të garantuara me Kushtetutë.
Duke pasur parasysh se Ligji Nr. 04/L-037 për Arsimin e Lartë dhe Ligji Nr. 06/L -011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, parashikojnë mekanizma proporcionale dhe të rastit për shmangien e konfliktit të interesit, masat e parashikuara me Statut dhe Rregullore janë jo proporcionale, jo të nevojshme dhe cenojnë të drejtat e individëve për të konkurruar dhe për të ushtruar funksione akademike. Në këtë mënyrë, Gjykata arrin në përfundimin se neni 153 paragraf 3 dhe 4 i Statutit të UP-së dhe neni 7 paragraf 6 i Rregullores nr. 2/254 duhet të shfuqizohen.
Gjykata vlerëson se dispozitat e kontestuara tejkalojnë qëllimin legjitim të parandalimit të konfliktit të interesit dhe nepotizmit, duke vendosur ndalesa të përgjithshme dhe absolute, pa marrë parasysh rrethanat konkrete të rastit.
Gjithashtu, Gjykata vlerëson se këto dispozita bien ndesh me parimin mundësive të barabarta për të gjithë individët për të konkurruar për pozita akademike, si dhe me parimet e meritokracisë dhe transparencës në procesin e angazhimit, të garantuara me nenin 7 të Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publik dhe me nenin 2 të Ligjit Nr. 04/L-037 për Arsimin e Lartë. Përjashtimi i automatizuar i kandidatëve për shkak të lidhjeve familjare krijon një diskriminim të drejtpërdrejtë, duke cenuar të drejtën e individit për të ushtruar funksione akademike në mënyrë të barabartë dhe sipas meritës.
"Gjykata thekson se nepotizmi dhe konflikti i interesit nuk janë nocione identike, dhe se ekzistenca e një lidhjeje familjare, në vetvete, nuk përbën automatikisht nepotizëm. Nepotizmi presupozon favorizim të padrejtë në procesin vendimmarrës, ndërsa në rastin konkret, dispozitat e kontestuara parandalojnë në mënyrë paraprake dhe absolute edhe situata në të cilat nuk ekziston asnjë ndikim real apo i mundshëm në procesin e vlerësimit", thuhet në komunikatëne Supremes.
Kandidati për deputet nga LDK, Berat Rukiqi, ka reaguar sërish lidhur me gjendjen ekonomike dhe sektorin e prodhimit në Kosovë, duke theksuar rënie të ndjeshme të qarkullimit të bizneseve prodhuese.
“Edhe njëherë për Hekuranin. Shiko pak qarkullimin e bizneseve që prodhojnë. Ka rënie në raport me vitin e kaluar”, ka shkruar Rukiqi.
Sipas tij, qarkullimi i këtyre bizneseve ka shënuar një ulje prej rreth 200 milionë euro, që përkthehet në −9% krahasuar me vitin 2024, duke rënë nga 1.9 miliardë euro në 1.7 miliardë euro.
Rukiqi e ka paraqitur këtë të dhënë si tregues shqetësues për ekonominë dhe prodhimin vendor.
Pas goditjeve politike ndaj krerëve të luftës nga Gjyka ta Speciale, ai mbetet i vetmi ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së që garon për deputet të Kuvendit të Kosovës, nga radhët e PDK-së, me numrin 14.
Gjatë luftës çlirimtare, roli i tij ishte vendimtar në diplomaci.
Xhavit Haliti ishte ura lidhëse mes UÇK-së dhe diplomacisë ndërkombëtare, duke ndërtuar kontakte të drejtpërdrejta me diplomatë amerikanë dhe evropianë, në një kohë kur fati i Kosovës vendosej në tavolina të mëdha.
Rëndësia e tij strategjike u konfirmua edhe në proceset gjyqësore në Hagë ndaj krerëve të UÇK-së, kur John Duncan, ish-këshilltar i ish-komandantit suprem të NATO-s, Wesley Clark, e cilësoi Xhavit Halitin si person me rëndësi të veçantë për NATO-n, duke kërkuar që çdo diskutim për të të zhvillohej në seancë të mbyllur.
Prokuroria suedeze në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, kanë kryer një operacion ndaj një personi i dyshuar për krim të organizuar, pastrim të parave dhe përdorim të lëndëve narkotike.
Një person është arrestuar të enjten në zonën e Göteborgut, në kuadër të një operacioni të gjerë kundër krimit të organizuar, të zhvilluar nga disa institucione shtetërore suedeze. I dyshuari ndodhet tani në paraburgim dhe akuzohet për vepër penale trafikim të narkotikëve si dhe për pastrim parash.
Paralelisht me arrestimin në Suedi, janë kryer kontrolle dhe bastisje në Kosovë, ku me mbështetjen e policisë dhe prokurorisë janë sekuestruar pasuri të konsiderueshme, përfshirë prona të paluajtshme, shuma të mëdha parash të gatshme dhe një automjet.
Sipas autoriteteve suedeze, gjatë operacionit janë siguruar prova edhe në Suedi, përfshirë objekte me vlerë dhe materiale digjitale, të cilat do të shërbejnë për vazhdimin e hetimeve dhe analiza më të thelluara të rrjedhave financiare.
Operacioni i koordinuar është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Kosovës, bashkëpunim që autoritetet suedeze e kanë cilësuar si vendimtar për suksesin e aksionit.
“Jemi në ofensivë në punën për konfiskimin e pasurive dhe po përdorim legjislacionin e ri për të goditur asetet brenda dhe jashtë vendit. Bashkëpunimi me Prokurorinë Speciale të Kosovës ka qenë shumë profesional dhe me gatishmëri të plotë, gjë që na ka mundësuar të sekuestrojmë prona, para të gatshme dhe një automjet në këtë rast", ka deklaruar prokurori shtetëror Daniel Larson nga Autoriteti Suedez për Krime Ekonomike.
Autoritetet suedeze bëjnë të ditur se ndërhyrja e së enjtes është rezultat i një hetimi afatgjatë, ku kanë bashkëpunuar disa institucione me qëllim goditjen dhe pengimin e krimit të organizuar, si dhe konfiskimin e fitimeve të paligjshme, si brenda Suedisë ashtu edhe jashtë saj.
“Krimi nuk duhet të shpërblehet dhe nuk ka rëndësi nëse dikush përpiqet t’i fshehë fitimet kriminale jashtë vendit. Ne i gjejmë ato dhe synimi ynë është t’i konfiskojmë”, ka theksuar Tomas Stakeberg Jansson, shef i policisë në rajonin Perëndimor të Suedisë.
Hetimet paraprake po udhëhiqen nga prokurorët shtetërorë Daniel Larson nga Autoriteti për Krime Ekonomike dhe Håkan Larsson nga Njësia Kombëtare kundër Krimit Ndërkombëtar dhe të Organizuar (RIO), në kuadër të Prokurorisë Suedeze./Telegrafi/
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka arrestuar sot një zyrtar policor nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Marrje ryshfeti”, si dhe një qytetar, shtetas i Republikës së Serbisë, i dyshuar për “Dhënie ryshfeti”.
Sipas IPK-së, bazuar në hetimet fillestare, dyshohet se zyrtari policor, gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare në Stacionin e Policisë Kufitare në Vërmicë, ka pranuar përfitim financiar për t’i mundësuar hyrjen në territorin e Republikës së Kosovës një qytetari të Serbisë, ndonëse këtij të fundit i ishte ndaluar paraprakisht hyrja në Kosovë.
Pas pranimit të informacioneve të para për rastin, hetuesit e IPK-së kanë nisur menjëherë hetimet me autorizim dhe në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Prizren.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operative në terren, zyrtari policor është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit kompetent, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Në lidhje me të njëjtin rast, është arrestuar edhe qytetari – shtetas i Republikës së Serbisë – ndaj të cilit është iniciuar procedurë penale për veprën “Dhënia e ryshfetit”, ndërsa edhe atij i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë./Telegrafi/
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, u takua me Zëvendës Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Landau.
Presidenca njofton se gjatë takimit, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e popullit të Kosovës për nënshkrimin nga Presidenti Donald Trump të Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), për mbështetjen amerikane ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, për vizionin e Presidentit Trump që dialogu të bazohet në njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe për rritjen e investimeve strategjike ekonomike.
Presidentja Osmani foli poashtu edhe për zhvillimet e fundit, situatën e sigurisë në rajon, si dhe për rëndësinë e shtyrjes përpara të Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA, si një platformë thelbësore për forcimin e partneritetit dypalësh dhe avancimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.
Presidentja theksoi përkushtimin e Kosovës ndaj aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gatishmërinë për të vazhduar punën e ngushtë me Administratën e Presidentit Trump, siç është reflektuar përmes heqjes së tarifave për produktet amerikane, marrëveshjes për shtetasit e vendeve të treta, linjëzimit me politikën e jashtme amerikane, harmonizimit të plotë të listës së organizatave të huaja terroriste me urdhrat ekzekutivë të Presidentit Trump, si dhe përmes veprimeve të tjera që dëshmojnë mbështetjen e Kosovës për Administratën e Presidentit Trump.
Në këtë takim, Presidentja ka ngritur çështjen e shkeljeve flagrante nga ana e Serbisë të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, duke kërkuar përkrahjen e Administratës Trump për këtë çështje.
"Sa i përket raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Presidentja shprehi mirënjohje ndaj politikës së qartë të Administratës Trump që dialogu duhet të bazohet në njohje reciproke dhe për faktin që janë përjashtuar idetë e rrezikshme për ndryshime të kufijve apo ndarje. Kjo qasje, shtoi ajo, është e domosdoshme, në mënyrë që të ruhet paqja e stabiliteti në rajonin tonë", vijon tutje njoftimi i Presidencës.
Në takim me Zëvendës Sekretarin Landau, që përbën takimin e dytë bilateral brenda këtij viti, Presidentja Osmani ritheksoi se Kosova do të vazhdojë të ecë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleatin e përhershëm të Kosovës./Telegrafi/
Ka nisur rreth 20 minuta më vonë se orari i lajmëruar protesta e Partisë Demokratike para Kryeministrisë.
Kryedemokrati Sali Berisha i është bashkuar mbështetësve të mbledhur në bulevard duke ecur në këmbë nga selia e PD, i shoqëruar nga nënkryetarët Flamur Noka dhe Oerd Bylykbashi.
Ai është pritur me ovacione dhe thirrje “O Sali o hero, gjithë Shqipëria ty të do”, nga simpatizantët.
1400 forca policie janë angazhuar në terren për mbarëvajtjen e protestën së opozitës, për të cilën është lajmëruar vetëm orari i nisjes, ora 18:00 ndërsa nuk dihet sa do të zgjasë.
Policia ka njoftuar se për shkak të protestës e cila nis në orën 18:00 do të ketë kufizime në disa rrugë.
Sipas njoftimit parkimi në disa rrugë nuk do të lejohet që nga ora 14:00. Përkatësisht nuk lejohet parkimi në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza, në rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rrugova”, në rrugën “Papa Gjon Pali II”, në bulevardin ”Zhan D’Ark” dhe bulevardin ”Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.
Gjithashtu nga ora 14:00 do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Më herë ambasada amerikane përmes një njoftimi të shpërndarë ka këshilluar personelin e saj të shmangë protestën.
“Një protestë është planifikuar të zhvillohet të hënën, më 22 dhjetor 2025, në orën 18:00. Protestuesit planifikojnë të mblidhen pranë godinës së Kryeministrisë, e vendosur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, midis Sheshit Nënë Tereza dhe Sheshit Skënderbej./Euronews Albania
Për dikë familja e për dikë zgjedhjet e 28 dhjetorit, janë arsye për të ardhur në Kosovë këtë fundvit. Për dallim prej ditëve të kaluara kur pritjet në pika kufitare ishin të gjata, këtë të hënë, në disa pika kufitare pritjet shkuan deri në 1 orë.Për dallim nga ditët e kaluara, kur pritjet në pikat kufitare shkuan deri në 10 orë, këtë të hënë situata ishte më e qetë.
Në pikën kufitare e cila vazhdimisht është më e frekuentuar nga mërgimtarët që vijnë në Kosovë, atë të Merdares pritjet ishin deri në 15 minuta.
Sipas zyrtarëve policor në këtë pikë, fluksi më i madh ishte gjatë së premtes e të shtunën. Ata që erdhën në Kosovë, thanë se nuk kanë pritur gjatë as në pika kufitare të tjera.
“Mirë kemi kaluar shumë mire pa probleme pritje s’ka pas kërku, jashtëzakonisht mirë..Vendlindja thotë shumë neve edhe për atë arsye çdo herë vijmë, jo vetëm për festa por edhe tjera herë..”, ka thënë Besim Bahtiri, qytetar.
“Rruga, udhëtimi u kanë shumë mirë, nuk kemi pas pengesa asgjë as kolona, perfekt.. I kam pas do familjar që kanë prit shumë por tash puna është tyre, do janë nis më herët menxi kanë prit, për fat s’ka pas..”, ka thënë një qytetar, Kristjan Raja.
Ndërkohë që disa nga ata patën ankesa për mungesë të energjisë elektrike.
“Tash bisedova me vllaun për me nxe shpin nuk kemi rrymë, prej dje.. Nuk ka prej Prizreni një fshat afër kufirit me Shqipërinë, gjithmonë ka edhe verës ka por është më pak se njerëzit harxhojnë më pak rrymë, dimrit është katastrofë..”, ka thënë Hashim Vejza, qytetar.
Meqë javën tjetër në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, për disa nga mërgimtarët kjo ishte arsyeja e ardhjes në Kosovë.
“Rrugës kemi kaluar mirë kemi ardhur prej Gjermanisë, jo s’ka pasur kolonë është krejt hapur… Po do të votojmë për atë kemi ardhur”, ka thënë Lavdim Gashi.
Sipas qendrës për menaxhimin kufitar gjatë së hënës, më së shumti pritje deri në 1 orë ka pasur tek pika kufitare Dheu i Bardhë./Tv Dukagjini/
Gjykata Supreme e Dhomave të Specializuara të Kosovës ka hedhur poshtë kërkesën e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, për lirim të përkohshëm.
Sipas njoftimit zyrtar të Speciales, më 19 dhjetor 2025, Paneli i Gjykatës Supreme, i përbërë nga gjykatësit Ekaterina Trendafilova (Kryegjykatëse), Kristinë van den Vajngart dhe Daniel Fransen, ka refuzuar kërkesën e Veselit për mbrojtje të ligjshmërisë, e cila ishte paraqitur në mënyrë konfidenciale në nëntor të këtij viti.
Kërkesa kishte të bënte me një vendim të Panelit të Gjykatës së Apelit, të datës 13 gusht 2025, përmes të cilit ishte konfirmuar vendimi i Trupit Gjykues për rrëzimin e kërkesës së Veselit për lirim të përkohshëm.
Me këtë vendim të fundit të Gjykatës Supreme, mbetet në fuqi refuzimi i lirimit të përkohshëm të Kadri Veselit, ndërsa procedurat gjyqësore ndaj tij vazhdojnë në Dhomat e Specializuara.
Kryeministri Kurti qëndroi dje në Istog, nga ku rikonfirmoi përkrahjen e qytetarëve e mërgimtarëve të Istogut.
Në një takim në një nga kafenetë e qytetit, Kryeministri tha se Istogu ka dëshmuar përherë përmes votës së tyre mbështetjen për Lëvizjen Vetëvendosje, e bashkërisht do të votojnë numrin 116, për t’i garantuar Kosovës siguri e begati.
Kurti theksoi se do të rritet mbështetja për gjyshërit, nënat e fëmijët, e do të vazhdojë ajo për bujqësi, duke mundësuar rritjen e prodhimit vendor e zvoglimin e importit për të siguruar bukën nga toka e Kosovës, në sofrën e secilit qytetar.
Përbërja moshore e kandidatëve për deputetë përbën një tregues të rëndësishëm të përfaqësimit politik dhe të dinamikës së pjesëmarrjes në proceset demokratike.
Analiza e moshës së kandidatëve për Kuvendin e Kosovës ofron një pasqyrë mbi balancën ndërmjet brezave dhe nivelin e përfshirjes së grupeve të ndryshme moshore në garën zgjedhore.
Sipas të dhënave të publikuara nga Demokracia në Veprim, struktura moshore e kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Kosovës tregon një përfaqësim më të theksuar të moshave të mesme.
Grupi moshor 41–50 vjeç përbën përqindjen më të madhe me 27% ose 316 kandidatë, i ndjekur nga grupi 31–40 vjeç me 23% (277 kandidatë).
Kandidatët deri në 30 vjeç përfaqësojnë 20% (236 kandidatë), ndërsa ata të moshës 51–60 vjeç përbëjnë 19% (220 kandidatë).
Përqindje më të ulët kanë grupet 61–64 vjeç me 5% (61 kandidatë) dhe mbi 65 vjeç me 6% (70 kandidatë).
Të dhënat tregojnë një dominim të kandidatëve të moshës së mesme në garën zgjedhore, me pjesëmarrje më të kufizuar të moshave më të reja dhe më të vjetra.
Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka arrestuar një person mashkull kosovar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Deklarimi i rremë nën betim”.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti ka nisur në qershor të vitit 2025, kur i dyshuari, në cilësinë e ankuesit, kishte informuar Policinë e Kosovës se disa persona zyrtarë po i kërkonin ryshfet me qëllim të bartjes së aksioneve në pronësinë e tij, të cilat ai pretendonte se i kishte blerë nga bashkëaksionarët.
Pas pranimit të informatës, Policia e Kosovës, në koordinim dhe me autorizim të prokurorit kompetent, ka ndërmarrë veprime hetimore. Gjatë këtyre veprimeve janë siguruar dëshmi, nga të cilat rezulton se i dyshuari dyshohet se ka deklaruar rrejshëm lidhur me rastin.
Me këto veprime, sipas Policisë, i dyshuari ka konsumuar veprën penale “Deklarimi i rremë nën betim”. Ai është intervistuar më 22.12.2025 në prezencë të avokatit mbrojtës dhe, pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë.
Në kuadër të përgatitjeve për procesin zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka siguruar edhe shërbimet të transportit për stafin e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ, në platformën zyrtare “e-Prokurimi”, tenderi ka të bëjë me angazhimin e një Operatori Ekonomik për ofrimin e këtij shërbimi.
Për më tepër, qëllimi i kontratës është ofrimi i transportit për stafin gjatë trajnimeve dhe aktiviteteve të ndryshme të lidhura me përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Transporti do të bëhet sipas orarit të përcaktuar nga KQZ-ja, dhe përshtatet në bazë të nevojave të stafit të QNR-së.
Operatori Ekonomik që ju është dhënë kontrata është “Toni Turist” Sh.P.K.
Vlera e Kontratës është 5,980.24 euro.
Procedura e negociuar e prokurimit, pa publikim të njoftimit për kontratë, është lloji i procedurës së përdorur në këtë aktivitet të prokurimit, me kriter për dhënie të kontratës- çmimi më i ulët.
Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, do të mbahen të dielën e datës 28 dhjetor 2025.
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka njoftuar se ka mbajtur sot takimin e tij të jashtëzakonshëm, të 282-tin me radhë, nën kryesimin e Ardian Hajdaraj.
Në këtë takim janë shqyrtuar dy pika të rendit të ditës, me ç’rast anëtarët e KPK-së kanë marrë vendime lidhur me udhëheqjen e institucionit të Kryeprokurorit të Shtetit.
“KPK ka aprovuar kërkesën e z. Besim Kelmendi për lirim nga detyra e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Po ashtu, Këshilli ka ricaktuar z. Agron Qalaj në pozitën e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, vendim i cili hyn në fuqi nga dita e sotme”, thuhet në njoftim.
Vendimet janë marrë në përputhje me kompetencat ligjore të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe i dyti në listën e kësaj partie për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, Uran Ismaili, përmes një videoje u është drejtuar qytetarëve duke prezantuar një nga pikat kyçe të programit të PDK-së, me fokus në sigurinë ekonomike dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.
Ismaili tha se programi i kandidatit për kryeministër Bedri Hamza parasheh krijimin e Fondit të Papunësisë, i cili do t’u ofrojë mbështetje qytetarëve në momentet më të vështira financiare.
Sipas tij, çdo qytetar që e humb vendin e punës, si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik, do të përfitojë 80 për qind të pagës së fundit për një periudhë gjashtëmujore.
Ai theksoi se ky fond synon t’i ndihmojë familjet të përballojnë shpenzimet bazike, pagesat e kredive dhe të shmangin krizën e menjëhershme financiare pas humbjes së punës.
“Humbja e vendit të punës është moment i vështirë për çdo qytetar dhe krijon pasiguri të madhe financiare në familje. Me Fondin e Papunësisë, Kosova me Bedri Hamzën nuk i lë qytetarët vetëm kur ndodh e papritura", tha Ismaili në videomesazh.
Ai ka ftuar qytetarët që më 28 dhjetor të votojnë për siguri ekonomike dhe mbrojtje sociale, duke theksuar se ky është një hap jashtëzakonisht i nevojshëm për një shtet që synon të kujdeset për qytetarët e vet.
Operacioni policor i zhvilluar sot në Pejë ka përfunduar me arrestimin e të pandehurit R.H., sipas planifikimit dhe në bazë të urdhrit të kontrollit, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale krim i organizuar në lidhje me veprën penale “Rrëmbimi”, si dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, aksioni është realizuar nga njësitë relevante të Policisë së Kosovës dhe vjen si rezultat i një procesi hetimor të udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), lidhur me dyshimet për rrëmbimin e një personi, rast i ndodhur në vitin 2021.
Bëhet e ditur se në këtë çështje penale, një tjetër i dyshuar ndodhet tashmë në paraburgim.
Gjatë zbatimit të urdhrit të kontrollit janë siguruar prova relevante, të cilat do të shërbejnë në vazhdim të procedurës hetimore.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se, brenda afatit ligjor, do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë ndaj të arrestuarit R.H.
Emigrimi nuk nis gjithmonë me valixhe, shpesh nis me një kontratë pune ose me një martesë.
Në vitet e fundit, shqiptarët nuk largohen më vetëm për të “provuar fatin”, por për të ndërtuar një jetë të qëndrueshme jashtë kufijve.
“Është një miksim i arsyeve dhe me fokus mos barazinë dhe është shkaktari që ka sjellë këtë masivitet largimi”, shprehet eksperti i ekonomisë Igli Tola.
Emigrimi nuk është më vetëm ekonomik. Martesa është kthyer në një rrugë të rëndësishme largimi, veçanërisht për gratë. Bashkimi familjar dhe martesat me shtetas të huaj ose emigrantë shqiptarë të vendosur prej vitesh jashtë vendit, kanë krijuar një formë më të heshtur, por më të qëndrueshme emigrimi. Ky emigrim nuk është i përkohshëm, është emigrim për jetë.
INSTAT në raportin e diapsorës vë në dukje se pjesa më e madhe e lëvizjeve dhe marrjes së lejeve të qëndrimit lidhet me bashkimin familjar, në vend të dytë për punësim dhe më pak për studim. Teksa meshkujt largohen për të punuar dhe vajzat në një pjesë të rasteve nëpërmjet martesave.
“Largohen për shkak të mungesës së punës, kërkesës për një pagë më të lartë por dhe ritmi ciklit fizioliogjik marin dhe familjet e tyre siç ka qenë me gjeneratat e mëparshme”, thotë eksperti.
Harta e emigrimit shqiptar ka një gjeografi të qartë. Italia dhe Greqia mbeten destinacionet tradicionale, për shkak të afërsisë dhe lidhjeve historike. Gjermania, Zvicra dhe Austria janë zgjedhje për punë afatgjata dhe stabilitet ekonomik. Ndërsa Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA përfaqësojnë “ëndrrën e largët”, ku emigrimi shpesh lidhet me arsim, punë të specializuar dhe integrim brezash.
“Kemi largimin akoma më të madh të krahut të kualifikuar mjekët infermierët që krijojnë vakanca në sistemin shëndetësor”, u shpreh Tola.
Shqipëria, ndërkohë, mbetet vendi nga ku njerëzit nisen jo gjithmonë për t’u kthyer, por për të gjetur atë që u mungon: punë, siguri dhe një të ardhme më të parashikueshme./Top Channel