Trajneri i Polonisë vlerëson Shqipërinë: Do të jetë një ndeshje e vështirë
TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Trajneri i Kombëtares së Polonisë, Jan Urban, ka vlerësuar lart skuadrën shqiptare, që do të jetë kundërshtari i tij në gjysmëfinalen e “Play Off”-it për kualifikimin në Botëror.
Në një prononcim për mediat, Urban theksoi se Shqipëria ka treguar kualitet dhe organizim, duke arritur deri në këtë fazë të eliminatoreve.
“Shqipëria është një skuadër që ka arritur të kalojë grupin e saj dhe këtë e tregon fakti se ndodhet në këtë fazë të eliminatoreve. Ata dinë të luajnë mirë futboll, ashtu si pjesa më e madhe e ekipeve që kanë siguruar kualifikimin për në Botëror. Është një ndeshje dhe mund të ndodhë gjithçka. Duhet të monitoroj jo vetëm lojtarët e mi, por edhe të Shqipërisë”, deklaroi trajneri polak.
Megjithatë, Urban e konsideron shortin relativisht të favorshëm për Poloninë dhe nënvizon rëndësinë e ndeshjes së parë në shtëpi.
“Shorti është i mirë, edhe pse do të më pëlqente të luanim të dyja ndeshjet në shtëpinë tonë. Por fokusi im i plotë është tek ndeshja me Shqipërinë. Për të shkuar në Botëror, gjithçka fillon nga kjo përballje”, shtoi ai.
Ndeshja mes Polonisë dhe Shqipërisë është programuar të zhvillohet më 26 mars në Varshavë.
Fituesi i kësaj gjysmëfinale do të përballet në finale me triumfuesin e çiftit Ukrainë-Suedi, duke përcaktuar kështu skuadrën që do të sigurojë një vend në Kampionatin Botëror.
/gj.m/a.f/
The post Trajneri i Polonisë vlerëson Shqipërinë: Do të jetë një ndeshje e vështirë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.