Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 December 2025Main stream

Spiropali-Mickoski: Faktori shqiptar komunitet shtetformues, nxitës i proceseve eurointegruese

22 December 2025 at 16:41

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali u prit në një takim nga Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

Takimi u fokusua në thellimin e bashkëpunimit dypalësh, përfshirë edhe fushën e ekonomisë dhe investimeve. Po ashtu, edhe në përgatitjet për mbajtjen e sesionit të ardhshëm të takimit ndërqeveritar G2G.

Spiropali thekson se bashkëpunimi ndërinstitucional mes dy vendeve është përkthyer gjithmonë në rezultate të prekshme për jetët e qytetarëve tanë.

Kryediplomatja shqiptare solli në vëmendje njohjen e përbashkët të diplomave dhe gradave shkencore, njohjen e kualifikimeve profesionale për mjekët, stomatologët dhe arkitektët, kontrollet e përbashkëta dhe lehtësimi i kalimit kufitar, si dhe projektet e përbashkëta infrastrukturore dhe energjetike.

Kryeministri Mickoski e vuri theksin te aspirata europiane e të dyja vendeve, të cilat besojnë te integrimi në BE si një proces i bazuar plotësisht në meritë.

Ministrja Spiropali deklaroi se “partneriteti ndërinstitucional mes dy vendeve tona do të vijojë të forcohet, me fokus të qartë te projekte dhe rezultate konkrete që përmirësojnë jetën e qytetarëve tanë dhe afrojnë më tej dy shoqëritë”.

Gjatë takimit me kryeministrin Mickoski, Spiropali theksoi se “faktori shqiptar në RMV është jo vetëm një komunitet shtetformues i rëndësishëm dhe i domosdoshëm, por edhe një urë ndërlidhëse me Shqipërinë dhe një nxitës i rëndësishëm i proceseve eurointegruese”.

1 nga 4

/gj.m/a.f/

The post Spiropali-Mickoski: Faktori shqiptar komunitet shtetformues, nxitës i proceseve eurointegruese appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali: Ministeriali i parë për Korridori VIII në Tiranë, pikë kthese për bashkëpunimin rajonal

22 December 2025 at 14:31

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, deklaroi sot nga Shkupi, ku po zhvillon një vizitë zyrtare, se Korridori VIII përbën një projekt me rëndësi të jashtëzakonshme strategjike, i cili duhet t shndërrohet në një hapësirë të re mundësish dhe konektiviteti për rajonin.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Timčo Mucunski, Spiropali theksoi se Ministeriali i parë për Korridorin VIII, që pritet të mbahet në Tiranë në shkurt 2026, duhet të shërbejë si një pikë kthese për institucionalizimin e bashkëpunimit pesëpalësh mes Italisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë dhe Rumanisë.

“Ky takim duhet të prodhojë rezultate konkrete përmes miratimit të një kornize të përbashkët strategjike, që e kthen Korridorin VIII në një motor zhvillimi ekonomik dhe integrimi evropian”, u shpreh Spiropali.

Sipas saj, potenciali për bashkëpunim mes dy vendeve mbetet i madh edhe në aspektin ekonomik.

Ministrja theksoi nevojën për intensifikimin e investimeve direkte, përmes heqjes së barrierave për investimet reciproke, në sektorë si bankat, industria, turizmi dhe krijimi i kompanive të përbashkëta në territorin e njëri-tjetrit.

“Duhet të punojmë më shumë për të krijuar një klimë të favorshme për biznesin dhe investimet, që përfiton drejtpërdrejt ekonomitë dhe qytetarët tanë”, u shpreh ajo.

Spiropali theksoi gjithashtu se synimi i përbashkët është shndërrimi i hapësirës shqiptaro–maqedonase në një hapësirë strategjike evropiane.

“Le të vijojmë punën për ta kthyer këtë hapësirë në një terren ku kufiri nuk është vijë ndarjeje, por vijë takimi, një urë për njerëzit, biznesin, energjinë, transportin dhe besimin”, përfundoi ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme.

/gj.m/

 

.

The post Spiropali: Ministeriali i parë për Korridori VIII në Tiranë, pikë kthese për bashkëpunimin rajonal appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali nga Shkupi: Integrimi evropian, jo garë por destinacion i përbashkët

22 December 2025 at 14:11

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali deklaroi sot nga Shkupi, ku po zhvillon një vizitë zyrtare se, Shqipëria ka shënuar një arritje të rëndësishme duke hapur me sukses 33 kapituj negociatash në vetëm 13 muaj.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Timčo Mucunski, Spiropali theksoi vullnetin e përbashkët për ndërtimin e një agjende edhe më të ngushtë bashkëpunimi mes dy vendeve gjatë vitit 2026.

Në fjalën e saj, Spiropali u shpreh se kjo agjendë nuk duhet të njohë kufij, duke përfshirë integrimin evropian, infrastrukturën, energjinë, ekonominë, sigurinë, arsimin, kulturën dhe forcimin e kontakteve njerëzore, të cilat nxisin fqinjësinë e mirë dhe e shndërrojnë hapësirën shqiptaro–maqedonase në një bosht stabiliteti dhe mundësish për rajonin.

“Gjeografia na ka bërë fqinjë, historia na ka mësuar të jemi miq, ekonomia na ka bërë partnerë dhe koha në të cilën jetojmë na kërkon të jemi aleatë”, u shpreh Spiropali.

Ajo ritheksoi se integrimi evropian mbetet objektivi numër një i politikës së jashtme shqiptare dhe i kombit shqiptar.

Sipas saj, Shqipëria ka shënuar një arritje të rëndësishme duke hapur me sukses 33 kapituj negociatash në vetëm 13 muaj, ndërsa Progres-Raporti i vitit 2025 ka vlerësuar qartë reformat e thella, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, funksionimit të institucioneve të drejtësisë, luftës kundër korrupsionit dhe respektimit të të drejtave të minoriteteve.

“Ky raport konfirmon edhe një herë se rruga jonë është e duhura dhe se e ardhmja evropiane e Shqipërisë është e pandashme nga trajektorja e Ballkanit Perëndimor”, theksoi ministrja.

Spiropali nënvizoi se procesi i zgjerimit nuk shihet si një garë mes vendeve kandidate, por si një rrugë e përbashkët drejt një destinacioni të pashmangshëm dhe një përkatësie natyrore për popujt e rajonit.

Në këtë kuadër, ajo rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Shqipërisë për rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut.

“Një Maqedoni e Veriut që avancon në standarde, në drejtësi funksionale dhe në institucione të forta është një investim në stabilitetin dhe sigurinë e gjithë rajonit”, tha Spiropali.

/gj.m/a.f/

The post Spiropali nga Shkupi: Integrimi evropian, jo garë por destinacion i përbashkët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali nga Shkupi: Duhet zbatim i plotë i Marrëveshjes së Ohrit

22 December 2025 at 14:00

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, deklaroi sot nga Shkupi, ku po zhvillon një vizitë zyrtare, se Shqipëria mbështet integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Timčo Mucunski, Spiropali theksoi se, kjo mbështetje nuk buron vetëm nga fqinjësia dhe e ardhmja e përbashkët që ndajnë dy vendet, por edhe nga fakti se në Maqedoninë e Veriut jeton një komunitet shqiptar shtetformues, i cili sipas censusit të fundit përbën rreth 30 për qind të popullsisë.

“Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë një faktor progresist, qartësisht pro-evropian dhe vendimtar për stabilitetin demokratik dhe orientimin euro-atlantik të vendit”, u shpreh ministrja.

Spiropali nënvizoi se në klimën aktuale gjeopolitike, ku ndikimi i aktorëve të tretë është në rritje dhe kërcënimet hibride po bëhen gjithnjë e më agresive, roli konstruktiv i shqiptarëve dhe i përfaqësuesve të tyre politikë, si në shumicë ashtu edhe në opozitë, mbetet jetik për vijimin e reformave dhe përparimin në rrugën evropiane.

Në këtë kontekst, ajo mirëpriti dhe inkurajoi zbatimin konsekuent të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, duke e cilësuar atë si një dokument paqeje dhe bashkëjetese, të garantuar ndërkombëtarisht.

“Ne i jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si aleat i të dy vendeve, si dhe presidentit Trump për përfshirjen e Aktit për Demokracinë dhe Prosperitetin në Ballkanin Perëndimor, i cili mbron paqen, rendin demokratik dhe vetë Marrëveshjen e Ohrit”, tha Spiropali.

Ajo theksoi se mbi të gjitha, Marrëveshja e Ohrit përfaqëson një standard të barazisë reale në të drejta, përfaqësim dhe dinjitet.

“Respektimi i gjuhës shqipe, i identitetit etnik dhe i përfaqësimit të drejtë janë detyrime që duhet të zbatohen plotësisht dhe pa ekuivok”, përfundoi ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Spiropali theksoi se, “përpos Shqiptarëve të Maqedonisë, një tjetër urë që na bashkon është pakica maqedonase në Shqipëri”

“Prandaj, kemi përmirësuar kuadrin tonë ligjor dhe politik për mbrojtjen e minoriteteve, me qëllim fuqizimin e mëtejshëm të komunitetit maqedonas. Janë miratuar të gjitha aktet nënligjore, përfshirë tre të fundit në dhjetor 2024. Në përputhje me këto akte, njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë nisur zbatimin e VKM së posaçme për shërbime në gjuhët e minoriteteve dhe sinjalistikë dygjuhëshe”, tha ministrja.

/gj.m/a.f/

The post Spiropali nga Shkupi: Duhet zbatim i plotë i Marrëveshjes së Ohrit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

I jepet lamtumira e fundit legjendës së gazetarisë sportive, Ismet Bellova

22 December 2025 at 12:09

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Në hollin e Radio Televizionit Shqiptar u zhvilluan sot homazhet për nder të legjendës së gazetarisë sportive shqiptare, Ismet Bellova, i cili u nda nga jeta në moshën 91-vjeçare.

Ceremonia e nderimit u mbajt nga ora 10:00 deri në mesditë, në ambientet ku Bellova ushtroi për dekada me radhë profesionin e tij.

Familjarë, miq, kolegë, personalitete të sportit dhe medias, si dhe përfaqësues të institucioneve, bënë homazhe pranë arkëmortit të vendosur në RTSH, duke nderuar figurën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të “zërit ikonik” të futbollit shqiptar.

Ismet Bellova ishte një nga emrat më të spikatur të gazetarisë dhe komentit sportiv në Shqipëri, i cili përmes mikrofonit të RTSH-së shoqëroi për dekada sportdashësit shqiptarë në ngjarjet më të rëndësishme sportive.

Me stilin e tij karakteristik dhe profesionalizmin e rrallë, ai u kthye në një figurë të dashur dhe të respektuar për publikun.

I lindur në Tiranë më 1 qershor 1934 dhe i arsimuar në ILKF “Vojo Kushi”, Bellova i kushtoi gjithë jetën gazetarisë sportive.

Për kontributin e tij ndër vite, ai është vlerësuar me tituj dhe çmime të shumta, ndër të cilat “Mësues i Popullit”, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Mirënjohja e Tiranës”, “Kalorësi i Urdhërit të Flamurit”, si edhe çmime prestigjioze si “Çmimi i Karrierës në TVSH”, “Çmimi Anton Mazreku” dhe “Mikrofoni i Artë”.

Pas homazheve, Ismet Bellova u përcoll në banesën e fundit, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar në historinë e medias dhe sportit shqiptar.

Homazhe në nder të gazetarit Ismet Bellova - Foto: Andrin HOxha
1 nga 8
Homazhe në nder të gazetarit Ismet Bellova - Foto: Andrin HOxha

/gj.m/a.f/

The post I jepet lamtumira e fundit legjendës së gazetarisë sportive, Ismet Bellova appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali-Mucunski: Konkretizojmë bashkëpunimin për Korridorin VIII

22 December 2025 at 11:46

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka nisur vizitën zyrtare në Shkup të Maqedonisë së Veriut ku mëngjesin e sotëm u prit nga  ministri për Punë dhe Tregti të Jashtme, Timčo Mucunski.

Gjatë bashkëbisedimit, Spiropali dhe Mucunski bashkëndanë vizionin, perspektivën dhe vendosmërinë e përbashkët për të avancuar në rrugën drejt integrimit në BE.

Spiropali theksoi se “bashkë me Maqedoninë e Veriut, Italinë, Bullgarinë dhe Rumaninë na pret një punë e mirë për projektin strategjik të Korridorit të VIII-të”.

“Forumi i parë që do të mbahet në Tiranë në shkurt të 2026, do të institucionalizojë më tej bashkëpunimin pesëpalësh për këtë projekt që i shërben sigurisë Euro-Atlantike, transformimit dhe zhvillimit të qendrueshëm ekonomik në rajon e më gjerë”, tha Spiropali.

Ministri Mucunski deklaroi se thellimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, dy vende partnere dhe aleatë në NATO, i shërben në vetvete përparimit të të gjithë rajonit tonë.

Spiropali do të pritet gjatë ditës nga Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, Kryeministri Hristijan Mickoski, si dhe Kryetari i Parlamentit Afrim Gashi.

/gj.m/

The post Spiropali-Mucunski: Konkretizojmë bashkëpunimin për Korridorin VIII appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Laboratorë të akredituar, regjistra kombëtarë e shërbim këshillimor për bujqësinë drejt BE-së

22 December 2025 at 16:45

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria shqiptare po ndërmerr një sërë reformash thelbësore për të përgatitur sektorin bujqësor për anëtarësimin në Bashkimin Europian, duke ndërtuar një sistem të integruar administrimi, kontrolli dhe standardesh në përputhje me kërkesat e BE-së.

Gjatë aktivitetit “Me fermerët në Shqipërinë 2030”, ku u prezantuan mekanizmat praktikë për përgatitjen hap pas hapi drejt BE-së, Rama theksoi se, qeveria ka nisur dhe do të përfundojë ndërtimin e infrastrukturës institucionale dhe teknike që i nevojitet sektorit.

“Ne do të bëjmë sistemin e integruar të administrimit dhe të kontrollit. Do të finalizojmë regjistrat kombëtarë të fermave, të parcelave dhe të kafshëve. Është një punë e nisur dhe do ta finalizojmë”, u shpreh Kryeministri.

Rama nënvizoi se, një tjetër prioritet është ndërtimi i plotë i laboratorëve të akredituar sipas standardeve të Bashkimit Europian, të domosdoshëm për garantimin e sigurisë ushqimore dhe cilësisë së produkteve.

“Do të ndërtojmë deri në fund laboratorët e akredituar nga BE. Sot kemi një nivel krejt tjetër të cilësisë së analizës, por na duhet të përfundojmë të gjithë projektin e laboratorëve”, tha ai.

Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se do të forcohet ndjeshëm sistemi i shërbimeve këshillimore në terren, me mbështetje të veçantë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës.

“Do të shtyjmë shumë fort për sistemin e shërbimeve këshillimore në terren dhe do të mbështetemi në mënyrë të posaçme tek Universiteti Bujqësor i Tiranës, ku kemi të gjitha arsyet të besojmë se vit pas viti do të kemi gjithmonë e më shumë aftësi për të na udhëhequr në rrugën tonë, neve si sektor publik dhe juve si sektor privat”, deklaroi Rama.

Sipas Kryeministrit, nëse reformat zbatohen siç duhet, tregu i përbashkët europian do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për fermerët shqiptarë.

“Besoni se nëse do të bëjmë gjërat e duhura, tregu i përbashkët do të jetë një bekim për ju”, u shpreh ai.

Deklaratat e Ramës vijnë në një moment të rëndësishëm të procesit të integrimit europian. Pas çeljes së Grupit të Kapitullit 5 në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare, hapet një fazë e re për bujqësinë shqiptare, ku kapitujt 11 (Bujqësia dhe zhvillimi rural), 12 (Siguria ushqimore, politika veterinare dhe fitosanitare) dhe 13 (Peshkimi) vendosen në qendër të reformave drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

/gj.m/a.f/

The post Rama: Laboratorë të akredituar, regjistra kombëtarë e shërbim këshillimor për bujqësinë drejt BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Duka: Bashkëpunim me Kosovën për zhvillimin e futbollit shqiptar

22 December 2025 at 10:30

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, mori pjesë në mbrëmjen gala “Laureatët 2025”, organizuar nga Federata e Futbollit e Kosovës, një event tradicional përmes të cilit u vlerësuan individët, klubet dhe institucionet që kontribuuan në zhvillimin dhe avancimin e futbollit kosovar gjatë vitit 2025.

Gjatë ceremonisë, Duka dorëzoi çmimin “Futbollisti i Vitit 2025” në futbollin kosovar, i cili u fitua nga sulmuesi i FC Dritës, Arb Manaj, për paraqitjet dhe kontributin e tij gjatë vitit. Ai shoqërohej në këtë ceremoni nga Zv.Presidenti i FSHF, Lutfi Nuri dhe Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku.

Në fjalën e mbajtur gjatë eventit, Presidenti i FSHF-së vlerësoi zhvillimin e ndjeshëm të futbollit në Kosovë, veçanërisht pas anëtarësimit në UEFA dhe FIFA, duke theksuar progresin e dukshëm të viteve të fundit.

“Është një mbrëmje unike, sepse futbolli flet zakonisht në fushë. Çunat dhe gocat që do të laurohen sonte kanë folur në fushë, kanë derdhur djersë dhe kanë sakrifikuar për një vit. Kjo mbrëmje nuk është vetëm për të marrë tituj, por edhe për të festuar atë çka është bërë në një vit futbolli në Kosovë”, u shpreh Duka.

Ai nënvizoi se zhvillimi i futbollit kosovar gjatë dhjetë viteve të anëtarësimit në UEFA dhe FIFA ka qenë i jashtëzakonshëm, duke shtuar se vitet e fundit përfaqësojnë “qershinë mbi tortë”, si për rezultatet sportive, ashtu edhe për përmirësimet në infrastrukturë.

“Rezultati i ekipit kombëtar është më i rëndësishmi. Jam shumë i lumtur që përfaqësuesja e Kosovës, nën drejtimin e stafit teknik dhe të futbollistëve, sot lufton për të qenë një nga ekipet pjesëmarrëse në finalet e Kupës së Botës. Performanca e ekipit në vitin 2025 ka qenë fantastike dhe ka kënaqur tifozët kudo ku jetojnë shqiptarë”, theksoi kreu i FSHF-së.

Në vijim, Duka garantoi mbështetjen e vazhdueshme të FSHF-së dhe të UEFA-s për zhvillimin e futbollit në Kosovë, duke theksuar se sot Kosova është një partnere e barabartë në familjen europiane të futbollit.

“Deri dje thuhej se ne, si vëllai i madh, do të mbështesnim vëllain e vogël. Sot ky mision ka përfunduar. Kosova është anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s dhe një partner i rëndësishëm për të gjitha federatat europiane. Si dy partnerë të UEFA-s, do të bashkëpunojmë maksimalisht për zhvillimin e futbollit shqiptar kudo ku jetojnë shqiptarë”, shtoi  Duka.

Në mbyllje të fjalës së tij, Presidenti i FSHF-së uroi të gjithë komunitetin e futbollit kosovar për festat e fundvitit dhe shprehu urimet më të mira për vitin 2026.

“Gëzuar Festat, Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri. Uroj shëndet, mbarësi dhe suksese në vitin 2026 për secilin nga ju dhe familjet tuaja. Dhe në sport, ajo që presim me shumë dëshirë është ta shohim Kosovën në Kupën e Botës 2026”, përfundoi Duka.

1 nga 5

/gj.m/a.f/

The post Duka: Bashkëpunim me Kosovën për zhvillimin e futbollit shqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia e Shtetit, plan të posaçëm masash për festat e fundvitit

22 December 2025 at 10:27

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Policia e Shtetit ka hyrë në gatishmëri të plotë dhe ka përforcuar shërbimet policore në të gjithë territorin e vendit, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë festave të fundvitit dhe ditëve të para të Vitit të Ri 2026.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka hartuar një plan të posaçëm masash, me detyra të qarta për të gjitha strukturat policore vendore dhe qendrore, i cili synon parandalimin e incidenteve, ngjarjeve kriminale dhe rritjen e sigurisë për qytetarët.

Sipas Policisë, masat përfshijnë shtimin e prezencës së shërbimeve policore me uniformë dhe të Policisë Kriminale në terren, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe parandalimin e veprimtarive kriminale.

Paralelisht, do të forcohet menaxhimi i fluksit në pikat e kalimit kufitar, përmes shtimit të sporteleve dhe burimeve njerëzore, si dhe përmes intensifikimit të bashkëpunimit me autoritetet homologe, me synim shmangien e radhëve dhe lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve.

Policia njofton gjithashtu se do të rriten kontrollet në pikat kufitare dhe patrullimet në kufirin e gjelbër, për të parandaluar dhe goditur krimet kufitare.

Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe sigurisë rrugore, përmes monitorimit të shtuar të qarkullimit, përdorimit të mjeteve inteligjente shpejtësimatëse, dronëve, alkooltestuesve dhe shtimit të patrullave të Policisë Rrugore në të gjitha akset urbane dhe interurbane, me qëllim parandalimin e aksidenteve.

Në deklaratë, Policia e Shtetit gjithashtu përgënjeshtron kategorikisht pretendimet e bëra nga kreu i Sindikatës së Punonjësve të Policisë, Sadetin Fishta, lidhur me ekzistencën e urdhrave për plotësimin e një numri të caktuar masash administrative.

Sipas Policisë, një urdhër i tillë nuk ekziston dhe masat administrative përdoren vetëm si instrument ligjor për rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve.

Gjithashtu, Policia e Shtetit thekson se, do të ketë bashkëpunim të ngushtë me pushtetin vendor, institucionet fetare dhe Policitë Bashkiake për mbarëvajtjen e ceremonive festive të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.

Shërbimet policore do të jenë të shtuara në shëtitore, zona pedonale, sheshe publike, objekte kulti, restorante, lokale dhe qendra tregtare, për të parandaluar konfliktet dhe ngjarjet kriminale.

Policia njofton se do të intensifikohen kontrollet ndaj subjekteve që tregtojnë lëndë piroteknike, në bashkëpunim me strukturat e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, si dhe do të rritet gatishmëria në banka, zyra këmbimi valutor dhe objekte ku administrohen vlera monetare.

Ndërkohë, Forca Kombëtare e Sigurisë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Reparti Special RENEA do të jenë në gatishmëri të vazhdueshme për të ndërhyrë në çdo rast nevoje.

Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me strukturat policore dhe të denoncojnë çdo rast paligjshmërie apo indicie për konflikte në numrin pa pagesë 112, gjatë gjithë periudhës festive.

/gj.m/a.f/

The post Policia e Shtetit, plan të posaçëm masash për festat e fundvitit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Paraqitja e Legjionarëve, Broja rikthehet te goli në Premier League

22 December 2025 at 10:26

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Futbollistët e Kombëtares shqiptare kanë zhvilluar një tjetër javë pozitive me klubet e tyre respektive, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në kampionatet ku aktivizohen.

Pas një periudhe të gjatë, Armando Broja u rikthye te goli në kampionatin anglez. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare e nisi nga stoli ndeshjen ndaj Bournemouth në transfertë, ndërsa në minutat e fundit realizoi golin e barazimit me kokë, duke i siguruar një pikë të rëndësishme ekipit të tij, Burnley.

Në Itali, Torino regjistroi një tjetër fitore në kampionat, me dy futbollistë të Kombëtares shqiptare në formacionin titullar. Ardian Ismajli dhe Kristjan Asllani dhanë një kontribut të rëndësishëm në suksesin e skuadrës, e cila mori tri pikë shumë të vlefshme në transfertën ndaj Sassuolos.

Një paraqitje pozitive zhvilloi edhe Arbër Hoxha me Dinamo Zagreb. Pavarësisht se nuk arriti të shënonte, ai kontribuoi në fitoren e radhës në kampionat ndaj Lokomotiva Zagreb. Pas përfundimit të javës së 18-të, Dinamo Zagreb kryeson renditjen me 38 pikë.

Titullarë këtë javë ishin gjithashtu Thomas Strakosha, Ivan Balliu, Ardian Ismajli, Kristjan Asllani dhe Qazim Laçi. Ndërkohë, nga stoli dhanë kontributin e tyre Adrion Pajaziti, Ernest Muçi dhe Indrit Tuci.

/gj.m/a.f/

The post Paraqitja e Legjionarëve, Broja rikthehet te goli në Premier League appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Rrisim sigurinë për sovranitetin dhe pasuritë ujore e nënujore

22 December 2025 at 10:22

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka ndarë në rrjetet sociale një video kushtuar angazhimit të Forcave Detare në mbrojtjen e ujërave shqiptare, duke vënë në fokus misionin e përditshëm të Rojës Bregdetare.

“Misioni ka emër”, shkruan Vengu, duke theksuar rolin e Kapiten Jetnor Ballës dhe ekuipazhit të anijes “Iliria”, të cilët janë çdo ditë në det, në vijën e parë të kontrollit dhe sigurisë së ujërave shqiptare.

Sipas ministrit, Forcat Detare, ashtu si çdo komponent tjetër i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, po rrisin ndjeshëm përgatitjen operacionale, kapacitetet dhe ritmin e trajnimeve, si dhe angazhimin në misione të përbashkëta me aleatët.

“Duke investuar në përgatitje dhe kapaciteteve, ne po rrisim sigurinë për sovranitetin dhe pasuritë tona ujore e nënujore”, thekson Vengu në mesazhin e tij.

Në video, nënlejtnanti Marison Mira shpjegon se gjatë patrullimeve dhe lundrimit në det, ekuipazhet zhvillojnë paralelisht edhe stërvitje operacionale.

Ai nënvizon se një nga trajnimet e rëndësishme është edhe lufta kundër zjarrit në anije, si pjesë e përgatitjes për situata emergjente.

Ky angazhim, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, është pjesë e strategjisë për forcimin e gatishmërisë së Forcave të Armatosura dhe për garantimin e sigurisë detare në përputhje me standardet e NATO-s.

/gj.m/a.f/

The post Vengu: Rrisim sigurinë për sovranitetin dhe pasuritë ujore e nënujore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 21 December 2025Main stream

KOKSH nderon kujtimin e Ismet Bellovës: Legjendë e gazetarisë sportive

21 December 2025 at 13:49

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të gazetarit sportiv, Ismet Bellova duke vlerësuar figurën e tij si një prej zërave më emblematikë, themelues i gazetarisë sportive në Shqipëri dhe njeri i mirë.

“Me zërin e tij karakteristik dhe fjalorin e kulluar shqip, Ismet Bellova për 70 vjet ka komentuar ngjarjet më të rëndësishme sportive kombëtare dhe ndërkombëtare, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e sportit”, thuhet në njoftimin e KOKSH.

Po ashtu, vlerësohet se kontributi i tij në sportin shqiptar, jo vetëm si gazetar, por edhe si drejtues i Olimpikut Special, kanë lënë gjurmë të rëndësishme

“Në emër të Presidentit të KOKSH, Fidel Ylli dhe Komitetit Olimpik KOmbëtar, i shprehim ngushëllime familjes dhe të afërme. Pusho në paqe Mjeshtët i Madh”, përfundon reagimi i KOKSH.

Ismet Bellova, një prej figurave më të njohura dhe emblematike të gazetarisë sportive shqiptare është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare.

Ai ishte një nga zërat më të veçantë dhe historikë të mikrofonit shqiptar, komentator i dhjetëra sfidave sportive që kanë shënuar historinë e sportit në Shqipëri.

Ismet Bellova mbetet një nga figurat më të spikatura të komentimit sportiv në Shqipëri, ndërsa ndarja e tij nga jeta ka ngjallur reagime të shumta vlerësimi dhe respekti në botën e sportit.

/gj.m/j.p/

The post KOKSH nderon kujtimin e Ismet Bellovës: Legjendë e gazetarisë sportive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Nuk do ta shqyrtojmë kërkesën për imunitetin e Ballukut, pa vendosur Kushtetuesja

21 December 2025 at 13:45

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se mazhoranca nuk do ta shqyrtojë kërkesën e SPAK për imunitetin e zv/kryeministres, Belinda Balluku pa vendosur Gjykata Kushtetuese për pezullimin.

Në nisje të podkastit “Flasim – Episodi 11, Sezoni 5”, Rama duke folur për kërkesën e SPAK-ut për Kuvendin lidhur me imunitetin e zv/kryeministres Belinda Balluku, u shpreh se, prokurorët u ngutën me një vrap mbresëlënës t’i drejtohen Kuvendit për masa ekstreme.

“Jam shumë kurioz, pse prokurorët që u ngutën me një vrap mbresëlënës t’i drejtohen Kuvendit për masa ekstreme, në ditët e fundit, nuk e mbajtën parasysh që si fillim jemi në një çështje ballë për ballë në Gjykatën Kushtetuese më 22 janar ku gjykata më e lartë e vendit, duhet të gjykojë në themel çështjen e masës së pezullimit antidemokratik të një anëtari qeverie me kërkesë prokurorie”, tha Rama.

“E ngre këtë pyetje sepse në çdo vend, ku drejtësia nuk vrapon, po gjykon, ajo do të priste fundin e gjykimit për një masë, para se të kërkonte një masë tjetër, sepse shteti i të drejtës nuk është shesh as për karshillëk mes pushteteve të pavarura, as për përsheshin e një pushteti në territorin kushtetues të një pushteti tjetër”, theksoi Rama.

Sot, vijoi Kryeministri, “nuk e kam përgjigjen, por do të vazhdoj të lexoj, do vazhdoj të mësoj dhe do të vazhdoj të bëj të gjithë përpjekjet e mia që të kuptoj sa më mirë nga analiza e thelluar e simptomave të brutalitetit në ushtrimin e pushtetit gjyqësor, e me siguri do ta kem në kohën e duhur edhe përgjigjen time për sa më lart”.

“Por në ndërkohë, sikundër është bërë e qartë edhe në Komisionin e Mandateve në Kuvend, nuk ka asnjë gjasë që ne shumica qeverisëse dhe parlamentare e këtij vendi ta shqyrtojmë kërkesën e ngutur të prokurorëve për të autorizuar masa të reja ekstreme, të cilat edhe në dritën e raportit të ekspertëve të Këshillit të Europës, edhe në dritën e raportit të Komisionit të “torturave”të Këshillit të Europës, edhe në dritën e shumëçkaje tjetër janë vërtet për t’u marrë dhe për t’u gjykuar me shumë qetësi, por jo pa mbaruar njëherë me themel procesi që kemi hapur në Gjykatën Kushtetuese, për masën ekstreme, për masën antidemokratike dhe antikushtetuese të pezullimit nga prokurorët që sikur s’kishte ndodhur dhe s’ka ndodhur asgjë erdhën me vrap të kërkojnë masa të tjera. Drejtësia nuk vrapon, drejtësia gjykon”, theksoi Rama.

/gj.m/j.p/

The post Rama: Nuk do ta shqyrtojmë kërkesën për imunitetin e Ballukut, pa vendosur Kushtetuesja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PD: Bllokimi i kërkesës për imunitetin e Ballukut, puç antikushtetues

21 December 2025 at 13:40

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Partia Demokratike ka reaguar sot ndaj vendimit të kryeministrit Edi Rama për të shtyrë shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku.

PD e cilëson këtë vendim si akt puçist antikushtetues.

“Edi Rama, në një akt puçist antikushtetues, njoftoi sot bllokimin e shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres”, thuhet në një deklaratë të Partisë Demokratike, “deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Sipas PD-së, Kryeministri ka urdhëruar ndërprerjen e shqyrtimit të kërkesës së SPAK nga Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit, duke u bazuar në pritjen e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese.

Partia Demokratike thekson se kjo ndërhyrje është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, të cilat parashikojnë që kërkesat e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të shqyrtohen dhe të përfundojnë brenda afateve të përcaktuara ligjore.

PD-ja shprehet se kërkesa për heqjen e imunitetit të Ballukut bazohet në fakte dhe dokumente të hetimeve për pasuri të deklaruara dhe të padeklaruara, përfshirë dyshimet për përfitime nga projektet e infrastrukturës publike dhe pasuri të tjera.

PD thekson se shqyrtimi i këtyre kërkesave nuk lidhet me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por është një procedurë e pavarur ligjore.

Në reagimin e saj, Partia Demokratike shpreh shqetësim për ndërhyrjen e ekzekutivit në proceset parlamentare dhe gjyqësore, duke theksuar se respektimi i ligjit dhe procedurave është themeli i funksionimit të institucioneve demokratike.

PD-ja bën thirrje për respektimin e Kushtetutës dhe për përfundimin e shqyrtimit të kërkesave të Prokurorisë pa vonesa artificiale.

“Partia Demokratike denoncon me forcën më të madhe këtë akt puçist të Edi Ramës dhe bën thirrje: Në këmbë, qytetarë! Të mbrojmë nesër me guxim dhe vendosmëri ligjin dhe Kushtetutën, me revolta të fuqishme, për të shpëtuar sa më shpejt shqiptarët dhe Shqipërinë”, thuhet në deklaratën e PD.

/gj.m/j.p/

The post PD: Bllokimi i kërkesës për imunitetin e Ballukut, puç antikushtetues appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Festat e fundvitit, Lamallari viziton Institutin e të Miturve në Kavajë

21 December 2025 at 13:34

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari zhvilloi një vizitë në Institutin e të Miturve në Kavajë, në kuadër të festave të fundvitit, duke zgjedhur që këtë periudhë ta ndajë me ata që kanë më shumë nevojë për prani, vëmendje dhe ngrohtësi njerëzore.

Gjatë vizitës, ministri theksoi rëndësinë e këtij institucioni për sistemin e drejtësisë penale dhe për shoqërinë shqiptare, duke nënvizuar se Instituti i të Miturve nuk ofron vetëm siguri dhe mbikëqyrje, por mbi të gjitha mundësi reale për rehabilitim, arsimim dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të rinjtë që kanë rënë në konflikt me ligjin.

Lamallari theksoi se, “ky institut është institucion me rëndësi të veçantë për sistemin e drejtësisë penale dhe për shoqërinë tonë pasi ofron jo vetëm siguri dhe mbikëqyrje, por mbi të gjitha mundësi reale për ndryshim, arsimim dhe ndërtimin e një të ardhme më të mirë”.

Lamallari vlerësoi punën e përkushtuar të stafit, i cili çdo ditë angazhohet për trajtimin me dinjitet të të miturve, përfshirjen e tyre në programe arsimore, psikosociale dhe profesionale, si dhe për forcimin e shpresës se çdo i mitur meriton një shans të dytë.

“Angazhimi ynë është i qartë, për një sistem drejtësie që jo vetëm ndëshkon ata që shkelin ligjin, por mbi të gjitha rehabiliton, parandalon përsëritjen e krimit dhe investon tek të miturit dhe të rinjtë si filizat e një të ardhme të ndritur të Shqipërisë”, u shpreh ministri i Drejtësisë.

/gj.m/j.p/

The post Festat e fundvitit, Lamallari viziton Institutin e të Miturve në Kavajë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Delfinët shfaqen në detin e Vlorës

21 December 2025 at 13:29

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Delfinët kanë dhuruar sërish spektakël sot në ujërat e detit Jon.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamjet mahnitëse të delfinëve në ujërat e kaltra të bregdetit të Vlorës duke sjellë magjinë e detit në një ditë dhjetori me diell.

Shfaqja e delfinëve ishte surpriza më e bukur për qytetarët dhe turistët pranë bregut, të cilët për disa minuta “vallëzuan” mbi sipërfaqen e ujit, duke dhuruar emocione dhe buzëqeshje.

Delfinët u panë teksa notonin lirshëm, herë në sipërfaqe, e herë duke u zhdukur në thellësi, nën sytë kureshtarë të pushuesve që shëtisnin përgjatë Lungomares.

Qytetarët e Vlorës e konsiderojnë shfaqjen e delfinëve si një shenjë të pastërtisë së ujërave dhe të harmonisë mes natyrës dhe qytetit bregdetar.

Për turistët, kjo përvojë e papritur shndërron një shëtitje të zakonshme dimërore në një kujtim të paharrueshëm.

Me mot të kthjellët, temperatura të buta dhe detin që ofron surpriza të tilla, Vlora dëshmon edhe një herë se është një destinacion që di të magjepsë në çdo stinë, edhe në dhjetor, kur natyra vendos të dhurojë spektaklin e saj më të bukur.

/gj.m/j.p/

The post Delfinët shfaqen në detin e Vlorës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Në Pashaliman synojmë prodhimin e mjeteve luftarake detare

21 December 2025 at 12:55

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Piro Vengu, deklaroi në një intervistë televizive se synimi strategjik i qeverisë shqiptare me projektin e Pashalimanit është krijimi i kapaciteteve për prodhimin e mjeteve luftarake detare në Shqipëri, duke e kthyer këtë bazë në një qendër të rëndësishme ushtarako-industriale në rajon.

Vengu theksoi se, Shqipëria ka firmosur pak javë më parë një marrëveshje bashkëpunimi ushtarak me Italinë, e cila është shoqëruar edhe me donacione konkrete për Forcën Detare shqiptare.

“Ne kemi bërë një marrëveshje me Italinë para pak javësh. Ishte momenti kur u miratua një kornizë bashkëpunimi ushtarak dhe u bënë disa donacione nga pala italiane për tre mjete: dy mjete patrulluese dhe një mjet detar më domethënës, një mjet komandimi”, u shpreh ministri.

Sipas tij, dy nga këto mjete tashmë kanë mbërritur dhe janë bërë pjesë e Forcës Detare, ndërsa mjeti i tretë pritet të vijë në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm.

“Forcat tona po stërviten për ta përdorur dhe për ta manovruar. Këto mjete na sigurojnë që të kthehemi në një forcë detare me kapacitete manovrimi më të konsiderueshme dhe mjete luftimi”, theksoi Vengu.

Ministri i Mbrojtjes nënvizoi se këto zhvillime janë pjesë e përgatitjeve për projektin strategjik në Pashaliman, në bashkëpunim me kompaninë italiane Fincantieri.

“Në këtë mënyrë ne përgatitemi për atë që po bëjmë për Pashalimanin dhe Fincantierin, që të kemi prodhimin e mjeteve detare luftarake”, deklaroi ai.

Vengu sqaroi se projekti është pjesë e buxhetit afatmesëm të qeverisë shqiptare dhe se aktualisht po zhvillohen negociata me palën italiane, jo vetëm për mirëmbajtjen e flotës ekzistuese, por edhe për ndërtimin e anijeve të reja luftarake në Shqipëri.

“Jemi në një negociatë me Fincantierin që në Pashaliman jo vetëm të mirëmbahet flota jonë, por edhe të ndërtojmë anije luftarake dhe të kuptojmë pse po e bëjmë këtë gjë”, tha ministri.

Duke folur për rëndësinë gjeostrategjike të hapësirës detare shqiptare, Vengu theksoi se Adriatiku dhe Joni nuk duhen parë vetëm si destinacione turistike.

“Adriatiku dhe Joni nuk janë thjesht një horizont turistik, por janë infrastrukturë nënujore në ndërlidhje energjetike”, u shpreh ai.

Në këtë kontekst, ministri nënvizoi se investimet në mbrojtje duhet të sjellin përfitime edhe për ekonominë vendase.

“Përderisa qeveria shqiptare i kërkon Kuvendit dhe taksapaguesve shqiptarë të kontribuojnë në mënyrë domethënëse, detyra jonë është që kjo rritje buxhetesh të kontribuojë në zhvillimin ekonomik në vendin tonë dhe të prodhojë vlerë të shtuar në Shqipëri”, tha Vengu.

/gj.m/j.p/

The post Vengu: Në Pashaliman synojmë prodhimin e mjeteve luftarake detare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nisin punimet për dy fushat e reja të futbollit në Gjirokastër

21 December 2025 at 12:52

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Federata e Futbollit ka nisur punimet për dy fushat e futbollit në qytetin e Gjirokastrës, në bashkëpunim me Bashkinë e Gjirokastrës, si pjesë e investimeve për zhvillimin e infrastrukturës sportive në vend.

Të dyja fushat do të jenë me përmasa standarde dhe do t’i shërbejnë komunitetit sportiv dhe zhvillimit të futbollit në këtë zonë.

Njëra prej fushave është ekzistuese dhe parashikohet që shtrimi i tapetit artificial të realizohet në fillim të vitit 2026.

Ndërkohë, falë shpronësimeve të kryera nga Bashkia Gjirokastër, është siguruar një hapësirë e re në qytet, ku do të ndërtohet një fushë e re nga themelet, në kuadër të projektit “100 Fushat”.

Ndërtimi i këtyre dy fushave vjen në kuadër të angazhimit të mëhershëm të Federatës së Futbollit, pas inaugurimit të fushës me bar natyral në stadiumin “Luftëtari”, dhe konfirmon vëmendjen e vazhdueshme ndaj zhvillimit të futbollit në qytetin e Gjirokastrës.

/gj.m/j.p/

The post Nisin punimet për dy fushat e reja të futbollit në Gjirokastër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përzgjidhet formacioni dhe trajneri më i mirë i javës së 17-të i Superiores

21 December 2025 at 11:51

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Trajnerët e ekipeve kombëtare kanë përzgjedhur formacionin dhe trajnerin më të mirë të javës së 17-të të “Abissnet Superiore”, sipas skemës 1-4-2-3-1.

Në portë është gardiani i Tiranës, Angjelo Tafas.

Katërshja e mbrojtjes përbëhet nga Lorenc Trashi (Flamurtari), Arbenit Xhemajli (Egnatia), Ledio Beqja (Dinamo City) dhe Camara Aboubacar (Bylis).

Para repartit të prapavijës janë pozicionuar Albano Aleksi (Egnatia) dhe Ermal Meta (Tirana).

Muço Boçi i Teutës, Dejvi Bregu i Dinamo City dhe Lirim Kastrati i Vllaznisë mbështesin në sulm futbollistin e Bylisit, Ibrahim Mustapha.

Trajneri më i mirë i javës është përzgjedhur tekniku i Egnatias, Edlir Tetova.

/gj.m/j.p

The post Përzgjidhet formacioni dhe trajneri më i mirë i javës së 17-të i Superiores appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bajrami: Të ketë transparencë dhe llogaridhënie për fondet e IPARD

21 December 2025 at 11:41

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/  Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Bujqësisë dhe Ushqimit në Partinë e Lirisë, Silvana Bajrami, ka kërkuar sot transparencë të plotë për fondet e IPARD.

“Nuk është sqaruar ende se ku kanë përfunduar 33 milionë eurot e para të IPARD, fonde të destinuara për fermerët dhe zhvillimin e bujqësisë”, u shpreh Bajrami, duke theksuar se për këtë arsye Bashkimi Europian ka ndalur financimet.

Ajo nënvizoi se fermerët po përballen me vështirësi serioze ekonomike dhe kërkoi veprim nga institucionet përgjegjëse.

“Do të kërkojmë transparencë për çdo euro të IPARD, publikimin e përfituesve dhe përgjegjësi penale e politike për çdo zyrtar të përfshirë”, deklaroi kryetarja e Komisionit të Bujqësisë në Partinë e Lirisë.

Në përfundim, Bajrami theksoi se, mbështetja për fermerët dhe familjet shqiptare mbetet një prioritet dhe se çështja, sipas saj, nuk do të mbyllet pa sqarim të plotë. /j.p/

The post Bajrami: Të ketë transparencë dhe llogaridhënie për fondet e IPARD appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌