Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Miratohet financimi për ndërtimin e fushës së re në Katund të Ri të Durrësit

20 December 2025 at 14:00

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Komiteti ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka miratuar propozimin e bashkisë së Durrësit për ndryshimin dhe zgjerimin e projektit, si edhe bashkëfinancimin për ndërtimin e një fushe të re futbolli në Katund të Ri.

Sipas projektit të rishikuar, fusha do të ndërtohet me bar natyral dhe do të pajiset me ambiente shtesë funksionale, përfshirë dhoma zhveshjeje dhe një tribunë me kapacitet prej 735 ulësesh, duke krijuar kushte bashkëkohore për zhvillimin e aktiviteteve sportive.

Në kuadër të kësaj bashkëpunimi, Federata Shqiptare e Futbollit do të marrë përsipër rrethimin e fushës, mbjelljen e barit natyral, instalimin e sistemit të vaditjes, sigurimin e makinerive për mirëmbajtjen e fushës, si edhe vendosjen e portave.

Fusha do të jetë praktikisht një ministadium, që do të ofrojë të gjitha kushtet dhe facilitetetet e përshtatshme për zhvillimin e seancave stërvitore edhe të skuadrave profesioniste.

Ky investim është pjesë e strategjisë së FSHF-së për zhvillimin dhe përmirësimin e infrastrukturës sportive në të gjithë vendin, në bashkëpunim me pushtetin vendor, me synim krijimin e kushteve më të mira për klubet, akademitë dhe komunitetin sportiv, si edhe nxitjen e pjesëmarrjes së fëmijëve dhe të rinjve në futboll.

/a.f/r.e/

The post Miratohet financimi për ndërtimin e fushës së re në Katund të Ri të Durrësit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prodhimi i energjisë elektrike në Kosovë arrin në nivelet më të larta historike

20 December 2025 at 13:57

PRISHTINË, 20 dhjetor/ATSH/ Prodhimi i energjisë elektrike në Kosovë ka shënuar rritje të konsiderueshme gjatë dekadës së fundit, duke arritur nivelet më të larta në vitet 2022–2024, sipas të dhënave zyrtare të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), që mbulojnë periudhën 1962–2024.

Sipas të dhënave zyrtare, prodhimi i energjisë elektrike ka filluar në vitin 1962 me kapacitete shumë të kufizuara, kryesisht nga njësitë e Termocentralit Kosova A. Gjatë dekadave në vijim, prodhimi ka shënuar rritje graduale, me zgjerimin e kapaciteteve prodhuese dhe vënien në funksion të njësive të reja.

Një rritje e dukshme vërehet pas vitit 1984, kur prodhimi realizohej nga pesë njësitë e TPP Kosova A dhe dy njësitë e TPP Kosova B, duke arritur mbi 5.600 GWh në fund të viteve ’80. Megjithatë, periudha e viteve ’90 dhe fillimi i viteve 2000 karakterizohet nga luhatje dhe rënie të prodhimit, si pasojë e faktorëve teknikë dhe zhvillimeve të përgjithshme ekonomike.

Nga viti 2009 e tutje, prodhimi i energjisë elektrike hyn në një fazë të re rritjeje, me funksionimin e tri njësive të TPP Kosova A dhe dy njësive të TPP Kosova B. Kulmi është arritur në vitin 2022, me një prodhim prej rreth 6.663 GWh, ndërsa nivele të larta mbi 6.000 GWh janë ruajtur edhe në vitet pasuese.

Në këtë grafik mund të shihni një pasqyrim të prodhimit të energjisë elektrike gjatë viteve 1962–2024:

/KosovaPress/

The post Prodhimi i energjisë elektrike në Kosovë arrin në nivelet më të larta historike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani: Kosova ecën përpara duke fituar miq

20 December 2025 at 13:40

PRISHTINË, 20 dhjetor/ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se përveç aktit të njohjes, dje në Nassau, kryeqytetin e Komonuelthit të Bahamas, së bashku me kryeministrin Philip Davis, nënshkruan edhe marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Presidentja Osmani thekson se “Kosova ecën përpara duke fituar miq!”

“Përveç aktit të njohjes, dje në Nassau, kryeqytetin e Komonuelthit të Bahamas, së bashku me Kryeministrin Philip Davis, nënshkruam edhe Marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Ky akt forcon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe zgjeron rrethin e shteteve tona mike që besojnë në vlerat e lirisë, sovranitetit dhe bashkëpunimit.

Kosova mbetet e përkushtuar ndaj partneriteteve të sinqerta, në shërbim të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar”, përfundon Osmani.

/Kosovapress/

The post Osmani: Kosova ecën përpara duke fituar miq appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Një pasuri kombëtare e shpëtuar, ATSH nis digjitalizimin e arkivit

20 December 2025 at 16:52

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH), institucioni i parë i shtypit të shkruar në Shqipëri, ka ndërmarrë një nga proceset më të rëndësishme për ruajtjen e trashëgimisë mediatike dhe historike të vendit: digjitalizimin dhe indeksimin e arkivës së saj fotografike.

Arkiva e ATSH-së, me mbi 300 mijë fotografi dhe negativë filmikë, përbën një pasuri të rrallë dhe një dokumentim unik të të gjitha etapave nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë. Ky fond fotografik është njëkohësisht dëshmi e punës së palodhur dhe profesionale të brezave të fotoreporterëve të ATSH-së, të cilët kanë fiksuar në imazh momentet kyçe të historisë shqiptare.

Nisja e këtij procesi shënon një hap thelbësor për ruajtjen afatgjatë të kujtesës historike dhe vizuale të Shqipërisë, si një proces dokumentimi dhe reflektimi mbi të gjitha etapat e historisë së vendit.

Prej vitesh, ky fond i paçmueshëm ndodhej në kushte të papërshtatshme ruajtjeje dhe ishte realisht në rrezik shkatërrimi. Fotografi dhe negativë të rrallë, të ekspozuar ndaj lagështirës, amortizimit dhe kalimit të kohës, po degradonin gradualisht, duke rrezikuar humbjen e një pjese të pazëvendësueshme të historisë kombëtare.

Ndërhyrja për shpëtimin e arkivës nuk ishte më një zgjedhje, por një domosdoshmëri. Digjitalizimi i arkivës fotografike të ATSH-së përfaqëson sot një ndërhyrje të drejtë, të përgjegjshme dhe të kryer me standarde profesionale, që synon jo vetëm ndalimin e degradimit, por edhe rikthimin e dinjitetit të një pasurie kombëtare të lënë për vite me radhë në kushte të papranueshme.

Ruajtja, sistemimi dhe shpëtimi i këtij fondi ka qenë një nga prioritetet kryesore të drejtoreshës së përgjithshme të ATSH-së, Valbona Zhupa, e cila ka vënë në qendër të vëmendjes mbrojtjen e arkivës si një detyrim institucional ndaj historisë dhe brezave që vijnë.

“Arkiva fotografike e ATSH-së është një pasuri kombëtare me vlerë të jashtëzakonshme dokumentare. Për vite me radhë, një pjesë e këtij fondi është përballur me rrezikun e degradimit. Ndërhyrja për digjitalizimin e saj ishte e domosdoshme për të garantuar ruajtjen afatgjatë, sistemimin profesional dhe aksesin e kontrolluar të këtij materiali, në funksion të publikut, studiuesve dhe brezave të ardhshëm”, u shpreh Zhupa.

Materialet e fazës së parë të digjitalizimit po i nënshtrohen skanimit profesional, për t’u pasuar nga një proces i detajuar inventarizimi dhe indeksimi. Digjitalizimi i arkivës nuk synon vetëm mbrojtjen e materialeve origjinale, por edhe modernizimin e mënyrës së menaxhimit dhe shfrytëzimit të tyre.

Pas përfundimit të kësaj faze, ATSH do të vijojë me një tjetër etapë të rëndësishme, atë të publikimit online të arkivës fotografike. Ky hap do t’i japë mundësi publikut të gjerë, studiuesve, historianëve, gazetarëve dhe institucioneve të kenë akses në një fond të pasur imazhesh me vlera të veçanta historike dhe kulturore.

Publikimi online i arkivës së ATSH-së do ta shndërrojë këtë fond në një burim të rëndësishëm referimi për studime, dokumentarë, botime dhe projekte kërkimore, duke kontribuar në forcimin e kujtesës kolektive dhe në ruajtjen e historisë shqiptare përmes imazhit.

Me këtë projekt, ATSH hedh një hap të rëndësishëm drejt digjitalizimit dhe përafrimit me standardet bashkëkohore të arkivimit mediatik, duke garantuar që trashëgimia vizuale e Shqipërisë të ruhet, të dokumentohet dhe t’u përcillet brezave të ardhshëm.

/a.f/r.e/

The post Një pasuri kombëtare e shpëtuar, ATSH nis digjitalizimin e arkivit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit Njerëzor

20 December 2025 at 09:18

PRISHTINË, 20 dhjetor/ATSH/ Më 20 dhjetor festohet Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit Njerëzor për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për rëndësinë e solidaritetit, veçanërisht në arenën globale.

Kjo ditë shërben si një kujtesë se duke punuar së bashku në solidaritet, ne mund të krijojmë një botë më të mirë për të gjithë dhe të arrijmë qëllime të përbashkëta, duke përfshirë paqen, drejtësinë sociale dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit Njerëzor thekson besimin se veprimet tona kolektive mund të kenë një ndikim pozitiv në botë. Është një ditë për të reflektuar mbi rëndësinë e solidaritetit dhe për të ndërmarrë veprime konkrete për të mbështetur ata që kanë nevojë dhe për të kontribuar në një botë më të drejtë.

Festimi i Ditës Ndërkombëtare të Solidaritetit Njerëzor përfshin angazhimin në aktivitete që promovojnë unitetin, empatinë dhe bashkëpunimin. Ja disa mënyra për të festuar:

-Mbështetni Kauzat Bamirëse: Kontribuoni në organizata dhe iniciativa bamirëse që adresojnë çështje globale si varfëria, uria, arsimi dhe kujdesi shëndetësor.

-Bëhuni vullnetarë: Ofroni kohën dhe aftësitë tuaja për të ofruar vullnetarizëm për organizatat lokale dhe ndërkombëtare që punojnë drejt qëllimeve humanitare.

-Përkrahni për ndryshim: Rritni ndërgjegjësimin rreth çështjeve të rëndësishme globale dhe shtyni për politika që promovojnë drejtësinë sociale, barazinë dhe të drejtat e njeriut.

-Organizoni ngjarje komunitare: Planifikoni ngjarje dhe aktivitete në komunitetin tuaj që nxisin një ndjenjë uniteti, përfshirjeje dhe solidariteti midis grupeve të ndryshme të njerëzve.

-Mësoni rreth sfidave globale: Edukoni veten dhe të tjerët rreth sfidave urgjente globale dhe ndikimit të solidaritetit në adresimin e tyre.

Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit Njerëzor u krijua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2005 për të promovuar konceptin e solidaritetit si një vlerë themelore për përparimin e njerëzimit. Ajo njeh rolin e solidaritetit në arritjen e paqes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

/KosovaPress/

The post Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit Njerëzor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti sot, diell dhe rënie e lehtë e temperaturave

20 December 2025 at 07:30

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se ditën e shtunë moti parashikohet kryesisht me diell dhe vranësira të pakta.

Temperaturat do të shënojnë një rënie të lehtë në krahasim me ditët e fundit. Vlerat minimale pritet të regjistrohen në Dibër, Korçë dhe Gjirokastër, duke zbritur deri në -2 gradë Celsius, ndërsa temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 17 gradë Celsius në Berat dhe Elbasan.

Era parashikohet të fryjë me drejtim verilindje–veriperëndim, me shpejtësi mesatare rreth 5 m/s, ndërsa në dete parashikohet valëzim i ulët, i forcës 1 ballë.

/a.f/r.e/

The post Moti sot, diell dhe rënie e lehtë e temperaturave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tifozët futen në fushë në sfidën Flamurtari-Teuta, ndeshja mbyllet në barazim

19 December 2025 at 22:17

TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/ Sfida mes Flamurtarit dhe Teutës, që mbylli ditën e parë të javës së 17-të të Superligës, përfundoi në barazim 2-2. Një ndeshje që dhuroi emocione deri në sekondat e fundit të lojës dhe që u shoqërua edhe me një ndërprerje për afro 30 minuta, pasi tifozët vendas hynë në fushë duke shkaktuar problematika.

Ndeshja mes dy skuadrave bregdetare nisi me avantazhin e durrsakëve, të cilët gjetën golin në minutën e 21-të përmes Muço Bocit. Teksa loja vijonte me raste nga të dyja anët, në minutën e 69-të disa tifozë vendas kapërcyen gardhet rrethuese të tribunës përballë dhe u përleshën me disa futbollistë të Teutës. Në fushë pati tension të shtuar dhe ndeshja u ndërpre për afro 30 minuta, me policinë që mori nën kontroll situatën.

Arbitri Eldorian Hamiti u tërhoq në dhomat e zhveshjes dhe kushti për rinisjen e sfidës, edhe sipas delegatit të ndeshjes, ishte zbrazja e tribunës përballë nga tifozët.

Pas largimit të tifozëve nga stadiumi dhe pas rreth 30 minutash ndërprerje, sfida rinisi. Me rifillimin e lojës, në minutën e 78-të Flamurtari barazoi shifrat me Çatakias, ndërsa Oshafios në minutën e 90-të i dha avantazhin vendasve. Ky avantazh zgjati vetëm shtatë minuta, pasi në sekondat e fundit të sfidës Jazxhi shënoi golin e barazimit për durrsakët.

Ky barazim i lë skuadrat në të njëjtat pozicione në renditje: Flamurtarin në vendin e parafundit me 14 pikë dhe Teutën në vendin e pestë me 25 pikë.

Java e 17-të e Superligës
Ora 16:30, Egnatia – Partizani 2-1
Ora 16:30, Dinamo City – Vora 2-1
Ora 19:30, Flamurtari – Teuta  2-2

Të shtunën
Ora 13:30, Bylis – Elbasani
Ora 13:30, Tirana – Vllaznia

Klasifikimi:
Egnatia 34 pikë
Elbasani 32 pikë
Dinamo City 29 pikë
Vllaznia 26 pikë
Teuta 25 pikë
Partizani 23 pikë
Vora 16 pikë
Bylis 15 pikë
Flamurtari 14 pikë
Tirana 8 pikë

*Egnatia, Partizani, Vora, Dinamo City, Flamurtari dhe Teuta kanë një ndeshje më shumë.

The post Tifozët futen në fushë në sfidën Flamurtari-Teuta, ndeshja mbyllet në barazim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Themeli: Kredia në lekë ka arritur në nivelin 60%

19 December 2025 at 21:08

TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/ Kredia në monedhën vendase lek dominon tregun, duke arritur në nivelin 60%, ndërsa ajo në euro zë 40% të totalit.

Lajmin e bëri të ditur drejtori i Politikave Monetare në Bankën e Shqipërisë, Erald Themeli, i cili gjatë emisionit “Sheshi i Dollari” u shpreh se rritja e kredive në lekë është tregues i një ndryshimi të rëndësishëm në strukturën e financimit në ekonomi.

Sipas Themelit, një nga faktorët që ka ndikuar është edhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për të marrë kredi në monedhën me të cilën marrin pagat.

“Leku është forcuar edhe gjatë vitit 2025. Arsyeja kryesore ka qenë përmirësimi i bilanceve të jashtme të ekonomisë shqiptare. Shqipëria ka pasur një bilanc pozitiv të pagesave. Po ashtu, qytetarët po kërkojnë kredi në monedhën ku kanë të ardhurat e tyre, duke treguar një ndërgjegjësim të shtuar. Rënia e euros do të ishte më e shpejtë pa këtë faktor. Rritja e prezencës së Bankës së Shqipërisë në tregun valutor ka ndikuar në zbutjen e situatës. BSH ka ndjekur një regjim të lirë të kursit të këmbimit, ndërhyrjet në tregun valutor duhej konceptuar si ndërhyrje jo të zakonshme”, tha ai.

/a.f/r.e/

The post Themeli: Kredia në lekë ka arritur në nivelin 60% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Egnatia fiton 2-1 ndaj Partizanit, Dinamo City përmbys Vorën

19 December 2025 at 19:11

TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/ Egnatia arriti të marrë një fitore 2-1 ndaj Partizanit në ndeshjen që hapi javën e 17-të të Superligës shqiptare të futbollit. Me këtë fitore Egnatia ngjitet në vendin e parë me 34 pikë, duke kapërcyer me dy pikë Elbasanin, që luan të shtunën ndaj Bylisit në transfertë.

Ndeshja e zhvilluar në Rrogozhinë u zhbllokua në minutën e 42-të me golin e Nikola Buricc, pas asistimit të Aleksi. Në pjesën e dytë, kampionët e vendit mbetën me dhjetë lojtarë, pasi Xhemjli u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 86-të. Megjithatë, kjo nuk ndikoi në rezultat, pasi vendasit gjetën edhe golin e dytë në limitet e kohës së rregullt përmes Edison Ndrecës. Goli i vetëm për Partizanin u shënua në minutën e 92-të nga Ogunleye.

Paralelisht, në Tiranë u luajt sfida mes Dinamo City dhe Vorës, e cila u fitua nga vendasit me përmbysje. Fillimisht Vora shënoi në minutën e 23-të me Bardhin, ndërsa barazimi erdhi në fillim të pjesës së dytë, në minutën e 47-të, nga Teixeira. Goli i fitores u shënua nga Bregu në minutën e 64-t.

Ky tripikësh e ngjit Dinamon në vendin e tretë me 29 pikë, në pritje të sfidës klasike mes Tiranës dhe Vllaznisë. Ndërkohë, Vora mbetet me 16 pikë dhe rrezikon të bashkohet në garën për mbijetesë.

Java e 17-të e Superligës
Ora 16:30, Egnatia – Partizani 2-1
Ora 16:30, Dinamo City – Vora 2-1
Ora 19:30, Flamurtari – Teuta

Të shtunën
Ora 13:30, Bylis – Elbasani
Ora 13:30, Tirana – Vllaznia

Klasifikimi:
Egnatia 34 pikë
Elbasani 32 pikë
Dinamo City 29 pikë
Vllaznia 26 pikë
Teuta 24 pikë
Partizani 23 pikë
Vora 16 pikë
Bylis 15 pikë
Flamurtari 13 pikë
Tirana 8 pikë

*Egnatia, Partizani, Vora dhe Dinamo City kanë një ndeshje më shumë.

The post Egnatia fiton 2-1 ndaj Partizanit, Dinamo City përmbys Vorën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bahamas njeh Kosovën

19 December 2025 at 17:30

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Shteti i Kosovës njihet tashmë zyrtarisht edhe nga Bahamas.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Bahamasit, Philip Davis firmosën marrëveshjen dypalëshe për njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike.

“Edhe një vendim historik për vendin tonë”, shkruan Osmani në rrjetet sociale.

“Bahamas bëhet shteti i 121-të që njeh Kosovën si shtet të pavarur e sovran. Urime të gjithë qytetarëve të Republikës sonë!

Sapo kemi nënshkruar, këtu në kryeqytetin e Bahamas, marrëveshjen dypalëshe për njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike me Kryeministrin e Bahamas, mikun tonë të mirë Philip Davis”, vijon Osmani reagimin e saj.

Më poshtë deklarata e plotë:

Deklaratë e përbashkët e Komonuelthit të Bahamas dhe Republikës së Kosovës për njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike

Komonuelthi i Bahamas dhe Republika së Kosovës njoftojnë se Komonuelthi i Bahamas e ka njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.

Të dyja shtetet njoftojnë gjithashtu vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Komonuelthit të Bahamas dhe Republikës së Kosovës, me efekt nga data e nënshkrimit të Marrëveshjes së Përbashkët për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961.

Të dyja shtetet riafirmojnë përkushtimin e tyre ndaj qëllimeve dhe parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë respektimin e sovranitetit, barazisë së shteteve dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve. Ato bien dakord ta zhvillojnë marrëdhënien e tyre mbi bazën e respektit të ndërsjellë, reciprocitetit dhe angazhimit konstruktiv.
Bahamas dhe Kosova shprehin synimin e tyre për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, përfshirë konsultimet politike, tregtinë dhe investimet, turizmin, arsimin dhe kulturën, teknologjinë dhe inovacionin, bashkëpunimin në sektorin publik, si dhe shkëmbimet ndërmjet njerëzve, në përputhje me ligjet dhe procedurat e secilit shtet respektiv.

Komonuelthi i Bahamas dhe Republika e Kosovës mirëpresin ndërtimin e një partneriteti të ngrohtë dhe produktiv, i cili u shërben interesave të të dy popujve dhe kontribuon në paqen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

/r.e/

The post Bahamas njeh Kosovën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zgjedhjet në Kosovë, shpërndahen 93% e pakove me fletëvotime për diasporën

19 December 2025 at 15:54

PRISHTINË, 19 dhjetor /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka njoftuar se në tri ditë janë shpërndarë 93% e pakove të votimit me fletëvotime për votuesit jashtë Kosovës që janë regjistruar të votojnë përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një përgjigje me shkrim për KosovaPress ka treguar të dhënat e fundit nga ky proces, i cili, sipas tij, është duke u kryer nga KQZ, përmes operatorit ekonomik.

Sipas tij, nga dita martë në mëngjes kur ka filluar shpërndarja e tyre dhe deri enjten në mesnatë, janë shpërndarë 93% e pakove me fletëvotime.

“Gjatë tri ditëve, më 16, 17 dhe 18 dhjetor 2025, nga gjithsej 57,829 dërgesa, 93% e tyre apo 53,660, janë dorëzuar me sukses te votuesit. Nga numri i përgjithshëm i dërgesave, 50,462 (94%) janë dorëzuar te votuesit në shtete në Evropë, ndërkaq, 3,198 dërgesa (77%) janë dorëzuar te votuesit në shtete jashtë Evropës”, thuhet në përgjigjen e tij.

Elezi ka treguar se këto statistika do të ishin edhe më të larta, nëse votuesit do të ndodheshin në shtëpitë e tyre në kohën kur u janë dërguar pakot me fletëvotime.

“Këto statistika do të ishin edhe më të larta dhe përqindja do të arrinte në 98.73% nëse do të dorëzoheshin me sukses edhe 3,437 pakot tjera, por kjo s’ka ndodhur gjatë këtyre datave për shkak se votuesit nuk ndodheshin në shtëpi. Sipas kontratës, është detyrë e operatorit ekonomik që dorëzimin e zarfit ta kryejë tek adresa e votuesit dhe mund të pranohet vetëm nga votuesit ose familjarët, të cilët e nënshkruajnë pranimin e dërgesës. Po ashtu, sipas kushteve të kontratës, në adresë të një votuesi, do të shkohet deri në 3 herë për t’ia dorëzuar pakon me fletëvotim”, tha Elezi.

Me qëllim të ofrimit të mundësisë për votim për shtetasit që janë regjistruar për të votuar përmes postës, kutitë postare janë funksionale në këto 23 shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, ShBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.

/KosovaPress/

The post Zgjedhjet në Kosovë, shpërndahen 93% e pakove me fletëvotime për diasporën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zgjedhjet në Kosovë, akreditohen 276 vëzhgues dhe 15 organizata

19 December 2025 at 15:40

PRISHTINË, 19 dhjetor /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar grupin e tretë të vëzhguesve prej 276 vëzhguesve të tjerë për zgjedhjeve e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Në mbledhjen e sotme, kryesuesi i Sekretariatit të KQZ-së Besnik Buzhala ka bërë të ditur se janë akredituar gjithsej 15 organizata.

Numri i përgjithshëm i vëzhguesve të akredituar deri më tani është 862 vëzhgues, të cilët përfaqësojnë organizata jo-qeveritare vendore, organizata ndërkombëtare, media vendore/ ndërkombëtare, institucione shtetërore dhe përfaqësi diplomatike.

KQZ mori po ashtu vendim për caktimin e menaxherëve të Qendrave të Votimit jashtë Kosovës dhe autorizimin e stafit për tërheqjen e dërgesave nga kutitë postare jashtë Kosovës dhe stafit për asistim në procesin zgjedhor.

/KosovaPress/

The post Zgjedhjet në Kosovë, akreditohen 276 vëzhgues dhe 15 organizata appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Momenti më i vështirë i jetës sime, beteja me sëmundjen e djalit

18 December 2025 at 23:21

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama rrëfeu se një nga momentet më të vështira të jetës së tij, ka qenë beteja me sëmundjen që preku djalin e tij, Gregorin.

Në në një intervistë në emisionin “Opinion”, Rama tha se ai moment përkonte dhe me betejën për të marrë drejtimin e Partisë Socialiste.

“Momenti më i vështirë ka qenë momenti ku duhej të bëja luftën për të marrë drejtimin e PS dhe njëkohësisht duhej të ndiqja në distancë me shumë tension ecurinë e sëmundjes së djalit tim. Ishin të dyja bashkë në të njëjtën kohë dhe ishte shumë sfidë e madhe që nga një anë duhej të isha energjik, i qeshur, guximtar, i fortë, i vendosur për të marrë lidershipin e PS”, tha Rama.

Sipas tij, njerëzit që e rrethonin ishin vendimtarë për të kaluar momentin e vështirë dhe për të vijuar karrierën politike.

“Kanë qenë vendimtarë njerëzit, duke filluar nga ai vetë(Gregori), ishte i vogël, por ishte shumë i vendosur në atë luftë. Pastaj edhe ime më, Linda të gjithë. Ishte një gjë shumë e kombinuar”, tha Rama.

(Intervistë datë 4 dhjetor 2025)

/a.f/

The post Rama: Momenti më i vështirë i jetës sime, beteja me sëmundjen e djalit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KFOR-i amerikan me prezencë të vazhdueshme për sigurinë në terren

18 December 2025 at 21:21

PRISHTINË, 18 dhjetor /ATSH/ Trupat amerikane nga Komanda Rajonale e Lindjes (RC-E) e misionit KFOR, po vazhdojnë të zhvillojnë patrulla ditore në të gjithë zonën e përgjegjësisë.

Në një njoftim për media thuhet se aktivitete të tilla sigurojnë prezencë të vazhdueshme në terren dhe kontribuojnë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt.

Përmes qasjes së tyre të paanshme dhe të ekuilibruar, trupat e KFOR-it tregojnë përkushtimin e misionit për stabilitet, profesionalizëm dhe respekt për të gjithë banorët e Kosovës.

KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në rolet e tyre përkatëse.

1 nga 4
/KosovaPress//r.e/

The post KFOR-i amerikan me prezencë të vazhdueshme për sigurinë në terren appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Debate në KQZ për votimin e të akuzuarve në Hagë

18 December 2025 at 19:07

PRISHTINË, 18 dhjetor /ATSH/ Votimi i ish-krerëve të UÇK-së për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, ka ngjallur diskutime në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës.

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Alban Krasniqi propozoi një qendër të veçantë votimi për katërshen e UÇK-së dhe të tjerët të cilët po gjykohen në Hagë.

“Ajo që i mungon këtij dokumenti është edhe një qendër e re që duhet të hapet, që duhet të trajtohet si qendër e veçantë e që është e votimit në formën, modalitet që duhet të parashihet për qytetarët tanë që mbahen padrejtësisht në Hagë, kur them në Hagë them për Gjykatën në fjalë. Prandaj propozimi im është që të futet edhe kjo pikë si pikë e votimit si vendvotim, sepse aty janë gjithashtu personat në fjalë që e dimë se cilët janë. Edhe me sa e di unë keni vendosur komunikim me autoritetet atje edhe që mos të kemi nevojë që të kthehemi sërish dhe të diskutojmë këtë çështje, ta zgjidhim bashkë me këto qendra”, u shpreh ai.

Por, një gjë të tillë e ka kundërshtuar anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Arianit Elshani.

“Konsideroj që nuk ka nevojë për hapje të votimit, sepse hyjnë në kategorinë e votimit të personave me nevoja të veçanta. Kështu janë komunikimet zyrtare që kanë qenë, kryetari mund të na i sqarojë më mirë këtë pjesë, që na i kanë dhënë edhe gjatë muajit shkurt, për zgjedhjet e shkurtit”, tha ai.

Diskutimi mes Krasniqit e Elshanit ka shkuar edhe më tej, ku anëtari i LVV-së tha se nuk është e rregulluar çështja e votimit në Hagë.

“Nuk është e rregulluar, nuk është mirë të gënjesh publikisht”, u shpreh ai.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është votuar edhe ndryshimi i vendimit të KQZ-së, ku procesi zgjedhor jashtë Kosovës do të organizohet në 16 ambasada dhe 13 konsullata të Republikës së Kosovës që janë të vendosura në 18 shtete të ndryshme.

Po ashtu, në mbledhjen e sotme është prezantuar raporti lidhur me procesin përgatitor të zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, ka njoftuar se sa është numri i pakove me fletëvotime që janë dorëzuar te votuesit jashtë vendit.

Po ashtu, në këtë mbledhje u bë e ditur se janë përgatitur të gjitha materialet zgjedhore për të mundësuar votimin në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, më 27 dhjetor 2025.

Gjithashtu është bërë akreditimi edhe i grupit të dytë me 303 vëzhgues për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

/KosovaPress//r.e/

The post Debate në KQZ për votimin e të akuzuarve në Hagë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Të enjten mot i kthjellët, me temperatura deri në 19 gradë Celsius

18 December 2025 at 07:30

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se ditën e enjte vendi ynë do të ndikohet nga kushte të qëndrueshme atmosferike.

Temperaturat më të ulëta do të regjistrohen në Korçë dhe Dibër, përkatësisht -1 dhe -2 gradë Celsius, ndërsa ultësira perëndimore do të vijojë me temperatura deri në 19 gradë Celsius.

Moti parashikohet me kthjellime dhe alternime vranësirash mesatare, lokalisht të dendura në zonat malore. Era do të fryjë e lehtë, me drejtim kryesor veriperëndim–verilindje dhe me shpejtësi mesatare 8 m/s, ndërsa deti do të ketë valëzim të ulët, të forcës 1–2 ballë.

/a.f/

 

The post Të enjten mot i kthjellët, me temperatura deri në 19 gradë Celsius appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Von der Leyen: Në fillim të vitit të ardhshëm japim 205 milionë euro për Kosovën

18 December 2025 at 00:11

PRISHTINË, 18 dhjetor/ATSH/ Kreu i Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vendimin për heqjen e një pjese të masave të vendosura ndaj Kosovës më 2023, e ka quajtur një lajm të mirë.

Ajo në një postim në rrjetin X, shkroi se transferimi i qeverisjes lokale në veri kaloi në mënyrë paqësore.

“Duke iu falënderuar kësaj, jam e lumtur të njoftoj se po ecim përpara për të hequr masat ndaj Kosovës. Ne po programojmë 216 milionë euro ndihmë financiare dhe kemi ndërmend të lëshojmë 205 milionë euro në fillim të vitit të ardhshëm”, shkroi von der Leyen, raporton KosovaPress.

Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës në qershor 2023, si pasojë e tensioneve në veri.

Zëvendëskryeministri në detyrë Besnik Bislimi njoftoi të martën se ka pranuar një letër nga drejtori i përgjithshëm për Zgjerim të BE-s, Gert Jan Koopman, ku komunikohet se Komisioni ka vendosur për heqjen e shumicës së masave ndaj Kosovës.

“Në vazhdimësi kemi insistuar për heqjen e masave. Mirëpresim hapin e radhës nga ana e BE-së, i cili duhet të vijojë sa më parë me heqje të plotë të tyre. Nuk ka më asnjë arsye që një pjesë e tyre të mbeten në fuqi, sidomos pas transferimit të pushtetit në katër komunat në veri në mënyrë ligjore dhe të qetë”, ka thënë ai

/KosovaPress/

The post Von der Leyen: Në fillim të vitit të ardhshëm japim 205 milionë euro për Kosovën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hapet ura e re për këmbësorë mbi lumin Ibër

17 December 2025 at 19:53

PRISHTINË, 17 dhjetor /ATSH/ Është hapur për qarkullimin e këmbësorëve ura e re mbi lumin Ibër, që lidh Mitrovicën e Jugut, të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë të Veriut, të banuar me shumicë serbe.

Ura e re u përurua nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ushtruesi i detyrës së ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, dhe kreu i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci.

Kurti tha se me hapjen e kësaj ure për këmbësorë, “rritet qarkullimi dhe të ketë sa më shumë mobilitet në Mitrovicë, në këtë qytet kaq të rëndësishëm për Republikën tonë”.

Sipas Kurtit, ky ndërtim paraqet “zhvillim dhe progres”.

Kurti tha se ura mbi Ibër nuk ka përkatësi etnike dhe se ajo lidh pjesën jugore dhe veriore të Mitrovicës.

“Ne jemi këtu për t’i bashkuar njerëzit, që të ketë tregti, bashkëpunim ekonomik, bashkëpunim kulturor… Kjo urë nuk është kundër askujt, kjo urë është për të gjithë. Ura është për këmbësorë, jo për automjete, por për njerëzit që lëvizin në këmbë”, u shpreh ai.

Ndërkohë, hapja e kësaj ure përkon me nisjen e fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, pasi Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit nuk arriti të sigurojë shumicën në parlament për formimin e një ekzekutivi të ri pas zgjedhjeve të rregullta që u mbajtën në shkurt.

Ndërkaq, Durmishi kujtoi se më 26 gusht ishte hapur për qarkullim një urë tjetër mbi Ibër, dedikuar për automjete.

“Sot po e shënojmë hapjen e një vepre hidraulike dhe artisitike, jo vetëm thjesht një urë për këmbësorë por një vepër arti”, tha Durmishi.

Ndërtimi i kësaj ure u bë pas një memorandumi mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut

Ndërtimi i këtyre dy urave, krahas urës kryesore mbi Ibër, u bë pavarësisht kundërshtimeve nga serbët lokalë dhe reagimeve të bashkësisë ndërkombëtare.

Qeveria në detyrë e Kosovës ka thënë vazhdimisht se ndërtimi i këtyre urave – njëra për këmbësorë dhe tjetra për automjete – ka për qëllim t’i lidhë Mitrovicën e Veriut me Mitrovicën e Jugut, qytet i ndarë etnikisht që nga paslufta.

Ekzekutivi kishte ndarë rreth 3 milionë euro për ndërtimin e tyre.

Ndërtimi i urave u kundërshtua edhe nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon përkrahjen e Beogradit, e cili ngriti dhe një peticionin kundër tyre, që mori mbi 3.500 nënshkrime.

Bashkimi Evropian ka thënë më herët se ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë “ka rëndësi praktike dhe politike”, dhe se çdo projekt infrastrukturor midis Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut kërkon koordinim të ngushtë dhe dialog mes të gjitha komuniteteve të përfshira.

“Është e domosdoshme që këto projekte të pasqyrojnë vullnetin dhe nevojat e komuniteteve lokale”, ka thënë BE-ja më herët për Radion Evropa e Lirë.

Urat e reja janë ndërtuar pranë urës kryesore mbi Ibër, e cila është pjesë e Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes të arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Kjo urë është e njohur për përplasjet etnike pas luftës dhe për këtë arsye është nën mbikëqyrjen e forcave të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Ura kryesore është e hapur vetëm për këmbësorë, ndërsa Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar hapjen e saj për komunikacion në korrik të vitit të kaluar, gjë që pati shkaktuar tensione dhe reagime nga bashkësia ndërkombëtare.

Kosova dhe Serbia ishin pajtuar që ura të hapej për qarkullim në vitin 2014, në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve.

Ishte paraparë rivitalizimi i urës dhe largimi i të gjitha barrikadave të vendosura nga serbët lokalë.

Në vitin 2016 u arrit marrëveshje për një plan të ri zbatimi, për të tejkaluar mosmarrëveshjet rreth interpretimeve të marrëveshjeve të mëparshme. Sipas këtij plani, ura duhej të hapej për komunikacion në janar të vitit 2017.

Punimet për rivitalizim përfunduan në qershor të vitit 2018, ndërsa ura – në të cilën janë investuar 1.5 milionë euro – nuk është hapur kurrë për automjete, por vetëm për këmbësorë.

/REL/

The post Hapet ura e re për këmbësorë mbi lumin Ibër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani takon Kallas, i kërkon heqjen e plotë të masave ndaj Kosovës

17 December 2025 at 19:31

PRISHTINË, 17 dhjetor /ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim në Bruksel me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, të cilën e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme ndaj procesit të integrimit evropian të Kosovës.

Pas njoftimit për heqjen e pjesshme të masave të Bashkimit Evropian, Osmani ka ritheksuar domosdoshmërinë e heqjes së plotë të tyre, duke theksuar se Kosova tashmë ka përmbushur të gjitha kushtet e vendosura nga BE-ja.

Ajo ka nënvizuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë me Përfaqësuesen e Lartë dhe me partnerët evropianë, deri në eliminimin e plotë të masave, në funksion të avancimit të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian dhe forcimit të perspektivës integruese të vendit.

“Pas njoftimit për heqje të pjesshme të masave, ritheksova domosdoshmërinë e heqjes së tyre të plotë, meqë të gjitha kushtet e vëna nga Bashkimi Evropian tanimë janë plotësuar. Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me znj. Kallas dhe me të gjithë partnerët tanë deri në heqjen e plotë të këtyre masave”, ka shkruar Osmani.

Dje, zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Besnik Bislimi, njoftoi se Bashkimi Evropian ka vendosur të heqë shumicën e masave ndaj Kosovës, të lidhura me projektet e programeve IPA.

Bislimi në Facebook ka shkruar se gjatë ditës së sotme ka pranuar një letër nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, në të cilën konfirmohet vendimi i Komisionit Evropian për heqjen e këtyre masave, në vlerë prej 34.6 milionë euro.

/Kosovapress/

The post Osmani takon Kallas, i kërkon heqjen e plotë të masave ndaj Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti të mërkurën, reshje shiu në pjesën më të madhe të vendit

17 December 2025 at 07:30

TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se sot vendi ynë do të përfshihet nga reshje shiu.

Sipas njoftimit, moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura, si dhe intervale të herëpashershme me diell. Vranësirat e dendura do të shoqërohen me reshje shiu, kryesisht në relievet malore në lindje gjatë orëve të mesditës, ndërsa prej orëve të pasdites reshjet do të lokalizohen kryesisht përgjatë Ultësirës Perëndimore.

Era do të fryjë nga kuadrati i lindjes me shpejtësi mesatare 6 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore do të fitojë shpejtësi deri në 15 m/s, e shoqëruar me valëzim në dete të forcës 2–4 ballë.

| Qytetet | Temperaturat (°C) | kushtet atmosferike |
| ———– | —————– | ————– |
| Shkodër | 4/19 | Diell, re, shi |
| Kukës | 0/7 | Diell, re, shi |
| Lezhë | -1/16 | Diell, re, shi |
| Dibër | -2/8 | Diell, re, shi |
| Durrës | 6/21 | Diell, re, shi |
| Tiranë | 6/22 | Diell, re, shi |
| Elbasan | 6/22 | Diell, re, shi |
| Berat | 2/19 | Diell, re |
| Vlorë | 6/18 | Diell, re |
| Korçë | -3/13 | Diell, re |
| Gjirokastër | -2/18 | Diell, re |
| Sarandë | 8/21 | Diell, re |

/a.f/r.e/

The post Moti të mërkurën, reshje shiu në pjesën më të madhe të vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌