Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 December 2025Main stream

Punime të paligjshme në monumentin e kulturës “Ura e Vashës”, arrestohet 44-vjeçari

27 December 2025 at 12:30

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Një 44-vjeçar është arrestuar nga policia në Klos pasi kreu ndërhyrje në monumentin e kulturës “Ura e Vashës”, dhe ndërtoi pa leje një objekt pranë saj.

Policia njoftoi se u arrestua në flagrancë shtetasi M. S., 44 vjeç, banues në fshatin Fshat, Klos.

Sipas policisë “ky shtetas dyshohet për kryerjen e veprave penale “Shkatërrimi i veprave kulturore” dhe “Ndërtimi i paligjshëm”, pasi u kap në flagrancë duke ndërtuar një objekt pa u pajisur me lejen përkatëse, si dhe duke kryer ndërhyrje dhe punime të paligjshme në monumentin e kulturës “Ura e Vashës””.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme procedurale.

/m.q/j.p/

The post Punime të paligjshme në monumentin e kulturës “Ura e Vashës”, arrestohet 44-vjeçari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fluks i lartë lëvizjesh në pikën kufitare të Morinës

27 December 2025 at 12:11

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Gjatë 24 orëve të fundit në pikën kufitare të Morinës është regjistruar një fluks i lartë lëvizjesh.

Sipas të dhënave zyrtare nga Policia Kufitare dhe Migracioni Morinë, në hyrje të territorit shqiptar janë regjistruar 10 mijë e 684 shtetas, të cilët kanë kaluar kufirin me 4 mijë e 472 automjete, raportojnë mediet.

Ndërkohë, fluksi më i madh është shënuar në dalje. Përgjatë 24 orëve të fundit, nga Shqipëria kanë dalë 12 mijë e 601 shtetas, me 4 mijë e 976 automjete, çka tregon një lëvizje më të theksuar drejt Kosovës.

Autoritetet bëjnë me dije se në pikën kufitare të Morinës po punohet me 12 sportele, si në hyrje ashtu edhe në dalje, për të përballuar fluksin dhe për të shmangur pritjet e gjata.

Sipas medieve, numri më i lartë i qytetarëve në dalje lidhet kryesisht me emigrantët nga Kosova, të ardhur nga Italia, Zvicra dhe Gjermania, të cilët kanë zgjedhur të kalojnë tranzit përmes Shqipërisë.

Shumë prej tyre po udhëtojnë për të festuar ndërrimin e viteve, por edhe për të marrë pjesë nesër në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.

Autoritetet kufitare vijojnë të jenë në gatishmëri për të menaxhuar fluksin e lëvizjeve edhe në orët në vijim.

/m.q/j.p/

The post Fluks i lartë lëvizjesh në pikën kufitare të Morinës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shpëtoi protestuesin nga shpërthimi i molotovit, vlerësohet inspektori i policisë

27 December 2025 at 10:14

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i akordoi “Certifikatë për Shërbime të Dalluara”, inspektorit Marsel Bicja, pasi ndërhyri me profesionalizëm duke shpëtuar jetën e një qytetari nga djegia si pasojë e shpërthimit të një bombe molotov gjatë protestës së opozitës të hënën e kësaj jave.

Ndërsa protestuesit hodhën molotovë drejt Kryeministrisë, një prej bombave shpvrtheu duke përfshirë në flakë një protestues, i cili u shpëtua nga djegiet prej inspektorit Bicja.

Certifikata e dhënë ndaj inspektorit mban motivacionin: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për aktin e humanizmit dhe profesionalizmit të treguar gjatë ushtrimit të detyrës, ku me ndërhyrje të menjëhershme dhe vendimtare shpëtoi jetën e një qytetari, duke vënë në plan të parë mbrojtjen e jetës njerëzore, si një nga vlerat më të larta dhe misioni kryesor i Policisë së Shtetit”.

Certifikata iu dorëzua nga vetë Proda gjatë festës së fundvitit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

“Ju falënderoj për veprimin tuaj, pasi ky veprim dëshmoi edhe një herë humanizmin dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve. Vijoni me përkushtim të përmbushni me nder këtë mision, sa të vështirë, po aq edhe fisnik”, u shpreh Proda.

Drejtori i Policisë Tiranë, Elton Alushi, vlerësoi veprimin e punonjësit të Shqiponjave, veprim që s’kishte nevojë për komandë për të vepruar, por e komandoi uniforma që mbajmë veshur dhe ndjenja njerëzore.

Nga ana tjetër, inspektor Marsel Bicja, gjatë fjalës së tij, shprehu mirënjohje për certifikatën dhe theksoi se veproi pa u menduar dy herë, pasi mbrojtja e jetës së qytetarëve është parësore për të dhe kolegët e tij.

/m.q/j.p/

The post Shpëtoi protestuesin nga shpërthimi i molotovit, vlerësohet inspektori i policisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis restaurimi i dy ikonave historike në laboratorin e DRTK-së në Berat

27 December 2025 at 09:51

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Në Laboratorin e Restaurimit të Veprave të Artit pranë Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat kanë nisur ndërhyrjet konservuese për dy ikona me vlerë të veçantë historike dhe artistike: Shën Kolli dhe Krishti Pantokrator, të gjetura në kishën e Shën Kollit në lagjen Kala.

Kështu bëri të ditur ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili theksoi se “procesi zhvillohet mbi bazën e analizave të specializuara dhe dokumentimit teknik të çdo faze, duke përfshirë pastrimin, konsolidimin dhe stabilizimin e materialeve, me synimin e ruajtjes së autenticitetit, integritetit artistik dhe vlerës historike të veprave, si dhe garantimin e konservimit të tyre afatgjatë”.

Restaurimi i fundit i realizuar nga laboratori i DRTK Berat ishte ai i ikonës së Krishtit, gjetur në Libofshë të Fierit, me autorë vëllezërit Çetiri.

Muzeu i Ikonografisë “Onufri” është organizuar në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në Kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986.

Muzeu mban emrin e Onufrit, kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin XVI. Katedralja – sipas mbishkrimeve që mbart – rezulton të jetë rindërtuar në vitin 1797 mbi themelet e një kishe më të vjetër të periudhës bizantine.

Ajo përfaqëson një nga arkitekturat më tipike pasbizantine në qytetin e Beratit. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 196 ikona dhe objekte liturgjike.

/m.q/j.p/

The post Nis restaurimi i dy ikonave historike në laboratorin e DRTK-së në Berat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lejuan ndërtime pa leje në Butrint, dërgohen për gjykim zyrtarët e IVMT

27 December 2025 at 09:42

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Prokuroria e Sarandës përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq pesë shtetas, midis të cilëve dhe kryeinspektorin dhe inspektorin e Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit (IVMT), Sarandë për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Ndërtim i Paligjshëm”.

Sipas prokurorisë, nga hetimet e nisura në vitin 2023, rezultoi se në zonën e Ksamilit në vendin e quajtur “Kanali i Vivarit”, është ndërtuar në zonë të mbrojtur në një sipërfaqe të madhe pa leje ndërtimi nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit si dhe pa kontratë me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit.

Kanali i Vivarit bën pjesë në Parkun Kombëtar “Butrint” dhe ka statusin Monument Natyre (MN) sipas Vendimit nr.303, datë 10.5.2019 “Për miratimin e listës së rishikuar, të monumenteve të natyrës shqiptare”.

“Nga ana e punonjësve të IVMT Bashkia nuk është mbajtur procedura ligjore në lidhje me konstatimin e plotë të punimeve dhe marrjen e masës administrative “dënim me gjobë”, njoftoi prokuroria.

Në lidhje me kvt fakte, u dërguan në gjyq shtetasit: R.P, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm”, “Shpërdorimi i tokës” dhe “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”; Personin Juridik “Laguna Invest”, për veprën penale “Ndërtimi i Paligjshëm”, “Pushtimi i tokës”; Shtetasit E.Z, B.K, V.X, me detyrë inspektor të IVMT, Bashkia Sarandë në kohën e kryerjes së veprës penale, të akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”; Shtetasin A.M, me detyrë Kryeinspektor të IVMT Bashkia Sarandë, në kohën e kryerjes së veprës penale, akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

/m.q/j.p/

The post Lejuan ndërtime pa leje në Butrint, dërgohen për gjykim zyrtarët e IVMT appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përkujtohet Lasgush Poradeci, 126 vjet nga lindja e poetit

27 December 2025 at 09:39

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ 126 vjet më parë lindte poeti ynë i madh, Llazar Gusho, i njohur me emrin e penës, Lasgush Poradeci.

Lasgush Poradeci lindi në familjen Gusho, më 27 dhjetor 1899 në Pogradec. U quajt Llazar, ndonëse do të arrinte përjetësinë në sajë të emrit të tij të penës. Në moshën 10-vjeçare ndoqi mësimet në Manastir dhe më pas u zhvendos në Athinë, ku mbaroi liceun. Në vitin 1921 iu drejtua Rumanisë për të vijuar me studimet e larta. Në Bukuresht, u përfshi në radhët e lëvizjes atdhetare të kolonisë shqiptare dhe iu besua detyra e sekretarit të përgjithshëm.

Në vitin 1933 u botua vëllimi i parë i poetit “Vallja e yjeve” dhe më 1937-n, u publikua vëllimi pasues “Ylli i zemrës”. Ndër të tjera, Poradeci shkroi poemat “Ekskursioni teologjik i Sokratit”, “Mbi ta” dhe “Kamadeva”.

Vepra e Poradecit, e cila është një triptik që i këndon dashurisë, lirisë dhe liqenit të Ohrit, zë një vend të privilegjuar në letërsinë shqiptare. Tiparet e përveçme të penës së Lasgushit ishin vargëzimi dhe melodia e hollë, ndërsa tema e dashurisë ishte tema më e rrahur në mesin e mbi 100 poezive të tij që dallojnë për dikotomi mes fjalëve arkaike dhe eksperimenteve leksikore.

Lasgush Poradeci përktheu disa nga kryeveprat e letërsisë botërore, sikurse: “Eugjen Onjegini” të Pushkinit, lirikat e Lermontovit, të Bllokut, poemat dhe lirikat e Hajnes, të Majakovskit e Miçkieviçit, lirikat e Gëtes, poezi të Lanaut, Brehtit, Hygoit etj.

/m.q/j.p/

The post Përkujtohet Lasgush Poradeci, 126 vjet nga lindja e poetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 26 December 2025Main stream

Berisha: T’i rikthehemi sheshit çdo natë deri në largimin e Ramës

26 December 2025 at 20:19

TIRANË, 26 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot turin e “Foltores” në Manzë (Durrës). Gjatë fjalës së tij, Berisha paralajmëroi se opozita do t’i rikthehet sheshit çdo natë deri në largimin e qeverisë.

Ai deklaroi se opozita nuk do të përdorë dhunë, por do të ndjekë rrugën e protestave paqësore dhe qëndresës qytetare për largimin e qeverisë.

Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të mobilizohen në janar për një betejë politike deri në fitore, duke e cilësuar vitin 2026 si moment vendimtar për përmbysjen e asaj që ai e quajti “diktaturë e dytë” dhe për shpëtimin e Shqipërisë.

“Jemi forcë demokratike, jemi opozitë demokratike. Ne do përdorim çdo mënyrë demokratike, jo të dhunshme për përzënien e tyre. Nuk rezistojnë dot ata.

“Tani duhet të betohemi, ditën e caktuar të zëmë sheshin dhe t’i rikthehemi sheshit çdo natë gjersa të përzëmë atë. Të mos mendojmë se rruga është dhuna, jo. Rruga është qëndresa jonë, sheshet. Sheshi duhet të jetë i yni dhe Edi Rama ikën. Nuk mund të qëndrojë aty. Pra, hyjmë në vitin 2026 me një mision, si misionarë, si fatmëdhenj që kemi mundësi të përmbysim një diktaturë të dytë në Shqipëri”, tha ai.

Gjatë fjalës së tij, ndër të tjera Berisha deklaroi se zgjedhjet e viteve 2021 dhe 2025 kanë qenë farsa, të manipuluara përmes blerjes së votës, përdorimit të administratës shtetërore, bandave kriminale dhe shpërndarjes së fondeve publike në prag të zgjedhjeve.

Berisha theksoi se Partia Demokratike mbetet forca kryesore opozitare në vend pas 35 vitesh, falë qëndresës, pranimit të gabimeve dhe respektimit të parimeve morale dhe ligjore.

/m.q/a.f/r.e/

The post Berisha: T’i rikthehemi sheshit çdo natë deri në largimin e Ramës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamallari: Brenda 2026-ës përfundon Instituti për Edukimin dhe Rehabilitimin e të Miturve

26 December 2025 at 13:02

TIRANË, 26 dhjetor /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari ishte sot në kantierin e Institutit për Edukimin dhe Rehabilitimin e të Miturve në Mëzez (Tiranë).

Sipas ministrit punimet kanë avancuar në mënyrë domethënëse dhe brenda vitit 2026 pritet të vihet në funksionim.

Ministri i Drejtësisë njoftoi se “ky është një investim madhor për t’u dhënë një shans të dytë të miturve në konflikt me ligjin”.

“Në 7 objekte multidisiplinare për ofrimin e shërbimeve, ky institut ka për të qenë një pikë orientuese dhe mbështetëse për të gjithë zinxhirin ndërinstitucional të drejtësisë për të mitur, duke ofruar programe të specializuara për çdo tipologji vepre penale dhe për çdo rast specifik të të miturve që shkelin ligjin”, nënvizoi ministri.

Sipas Lamallarit “riintegrimi social përmes investimeve në arsimim, mbështetjes psikologjike dhe formimin profesional, synon t’u japë këtyre të rinjve një mundësi tjetër për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt e për të qenë vetëm në shërbim të shoqërisë dhe përparimin e vendit”.

/m.q/r.e/a.f/

The post Lamallari: Brenda 2026-ës përfundon Instituti për Edukimin dhe Rehabilitimin e të Miturve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bardhi: Mazhoranca po tenton t’i japë kohë Ballukut për të prishur provat

26 December 2025 at 12:49

TIRANË, 26 dhjetor /ATSH/ Mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, e thirrur sot nga pesë anëtarët e Partisë Demokratike për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, nuk u zhvillua.

Në një deklaratë për mediet jashtë kryesisë së Kuvendit, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha se Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, e ka kthyer institucionin e Kuvendit në një bunker për të mbrojtur Belinda Ballukun.

Bardhi, theksoi se mazhoranca po tenton që t’i japë kohë Ballukut që të intimidojë dëshmitarët dhe të prishë provat.

“Me një akt të turpshëm, Niko Peleshi jo vetëm ka mbyllur çdo sallë në Kryesi, por ka penguar deputetët që edhe në sallën e grupit të tyre të kishin mundësi të komunikonin me mediet. Nuk ka ndodhur kurrë që kjo godinë të shndërrohet në bunkerin e Belinda Ballukut. Sot Kuvendi është bunkeri i Belinda Ballukut, ku këta mendojnë se do të strehojnë çdo të korruptuar të kësaj qeverie, mendojnë se do të marrin peng drejtësinë, mendojnë se do të pengojnë drejtësinë të bëjë punën e saj.

“E kanë shumë gabim, më së pari Kryetari i Kuvendit, që kthehet në zyrtarin e dytë të lartë të shtetit, pas Kryeministrit, që në vend që t’i shërbejë interesit publik, e ka shndërruar zyrën e tij në zyrë avokatie të të pandehurës Belinda Balluku, duke zvarritur një kërkesë të ngutshme të prokurorisë. Ju e keni parë që media ka publikuar dëshminë e vartëses së Ballukut, që ka bashkëpunuar me SPAK-un për të treguar sesi është zhvilluar procedura e tenderit të tunelit të Llogorasë. Është pikërisht kjo vartëse që sipas kërkesës së prokurorisë dhe provave të sjella në Kuvend është intimiduar nga e pandehura Balluku. Këta po tentojnë, duke i dhënë kohë Ballukut, të intimidojnë dëshmitarë dhe të prishë provat”, tha Bardhi.

Bardhi bëri të ditur se Peleshi ka nisur një shkresë në të cilën Balluku kërkon tri javë kohë për t’u mbrojtur si dhe të pritet shqyrtimi i Gjykatës Kushtetuese. Por sipas Bardhit, çështja në Kushtetuese nuk ka asnjë lidhje me atë që Prokuroria e Posaçme i kërkon Kuvendit.

“Peleshi ka nisur një shkresë, e kemi lexuar pesë herë dhe nuk e kemi kuptuar çfarë ka shkruar. Është gjuhë korrupsioni. Peleshi na thotë se e pandehura Belinda Balluku ka kërkuar tri javë kohë dhe ai është i vendosur t’i garantojë asaj të drejtën e mbrojtjes. Çdo i pandehur kërkon të zvarrisë drejtësinë dhe të shtyjë sa më shumë momentin që do të shkojë në burg. Por kjo nuk do të thotë që ky të jetë argument për Kuvendin.

“Niko Peleshi sqaron se Gjykata Kushtetuese i ka kërkuar të japë një vendim mbi një çështje që lidhet drejtpërdrejt me shqyrtimin parlamentar dhe se, për këtë arsye, nuk mund të mblidhet Këshilli. Çështja që i është drejtuar Kuvendit, nuk ka asnjë lidhje me atë që po shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese. Është në shkelje totale të ligjit. Ka shndërruar Kuvendin e Shqipërisë në zyrë dhe bunker të Belinda Ballukut”, tha ai.

Bardhi bëri të ditur se në fillim të javës që vjen do të kërkojnë sërish mbledhjen e Këshillit.

“Ne do të vazhdojmë të kërkojmë mbledhjen e Këshillit, sipas Rregullores. Ne kërkojmë mos të pengohet drejtësia dhe të bëhet hetimi i plotë në rastin Balluku”, tha ai.

/m.q/a.f/r.e/

The post Bardhi: Mazhoranca po tenton t’i japë kohë Ballukut për të prishur provat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Imuniteti i Ballukut, Bylykbashi: Peleshi po pengon procesin

26 December 2025 at 11:44

TIRANË, 26 dhjetor /ATSH/ Pesë anëtarët e Partisë Demokratike në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, thirrën sot në orën 11:00 mbledhjen e Këshillit, për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.

Deputetët e opozitës janë paraqitur në ambientet e sallës, por sipas tyre, e kanë gjetur derën e mbyllur, duke i penguar që të ushtrojnë përgjegjësinë e tyre.

Sipas deputetit të Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi u ka mbyllur derën duke bllokuar procesin e heqjes së imunitetit për Ballukun.

“Kryetari i Kuvendit sërish refuzon që të thërrasë pjesën tjetër, të bëjë veprimet e tij të domosdoshme të kërkuara nga ligji, duke bllokuar një proces shumë të rëndësishëm kushtetues të parlamentit të Shqipërisë, për heqjen e imunitetit dhe mospengimin e drejtësisë në hetimin e kësaj afere skandaloze korruptive.

“Ne presim këtu që Kuvendi të na vërë në dispozicion që kjo mbledhje e thirrur rregullisht të jetë funksionale, por, ja ku jemi, Kryetari i Kuvendit na ka mbyllur derën”, theksoi Bylykbashi.

Gjithashtu, sipas PD-së, Peleshi nuk lejon mediet që të futen as në sallën e grupit parlamentar të PD.

/m.q/a.f/r.e/

The post Imuniteti i Ballukut, Bylykbashi: Peleshi po pengon procesin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Duka: Kemi 25% shanse për Botërorin 2026

26 December 2025 at 10:51

TIRANË, 26 dhjetor /ATSH/ Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka tha gjatë një interviste se Shqipëria ka 25% shanse për të marrë pjesë në Botërorin 2026 që do të mbahet në Kanada, Meksikë dhe SHBA.

Duka theksoi se ambicia për kualifikimin e Kombëtares shqiptare në Kampionatin Botëror, është një objektiv që, sipas tij, mbështetet në punën e vazhdueshme dhe potencialin real të skuadrës.

“Për të qenë brenda kornizave të profesionit tim, ne kemi 25% probabilitet, sepse jemi katër skuadra me të njëjtin nivel dhe të katërta kemi nga 25%. Unë kam shumë besim dhe e kam pasur gjithmonë. Besimi im është real, nuk është thjesht dëshirë. Është real për nga niveli dhe skuadra që kemi, për atë çfarë ne kemi bërë, futbollistët në fushë i kanë të gjitha mundësitë”, tha Duka.

I pyetur nëse e krahason me Evropianin e vitit 2016, Duka tha se se “Botërori është diçka tjetër, është shumë më i vështirë se Europiani për t’u kualifikuar. Ndërsa, nëse shkon në turneun final, në Botëror është pak më e lehtë se në Europian, sepse skuadrat në Europian janë vërtet shumë të mira, pasi kualiteti i futbollit është në Europë. Në Botëror shkojnë vetëm 16 skuadra nga Europa dhe shkalla e vështirësisë është akoma më e madhe”.

Duka nënvizoi më tej se mendon se do të jetë president i FSHF-së “për aq kohë sa njerëzit që unë bashkëpunoj dhe drejtoj, klubet dhe akademitë e futbollit do të mendojnë që vërtetë mund t’i ndihmoj dhe bashkë ta çojmë përpara futbollin. Për aq kohë sa të kem energji dhe sfida apo objektiva për të realizuar. Nuk është pa kufij kjo gjë dhe mosha bën të vetën dhe do të kufizojë. Nuk e kam pasur objektiv për ta lëshuar apo jo.

Në politikë rëndom thuhet që u konsultova me këtë apo atë dhe vendosa të vazhdoj. Por unë realisht para çdo zgjedhje marr një lloj feedback-u dhe opinioni të atyre që janë vërtetë të interesuar për futbollin, ata që e bëjnë, ata që e luajnë, që e drejtojnë. Klubet, akademitë, trajnerët. Dhe nëse shoh vërtetë dëshirë apo kërkesë për ta vazhduar këtë bashkëpunim, e vazhdoj”.

/m.q/a.f/r.e/

The post Duka: Kemi 25% shanse për Botërorin 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Protesta e fermerëve grekë, bllokohet për tri orë aksi Kakavijë-Janinë

26 December 2025 at 08:55

TIRANË, 26 dhjetor /ATSH/ Aksi rrugor Kakavijë-Janinë në kryqëzimin e fshatit Kallpaq do të jetë sërish sot i bllokuar për disa orë për shkak të protestës së fermerëve grekë.

Policia Kufitare Kakavijë bëri të ditur se “është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 19:00 deri në orën 22:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë-Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët”.

Sipas policisë do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore.

Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës.

/m.q/a.f/r.e/

The post Protesta e fermerëve grekë, bllokohet për tri orë aksi Kakavijë-Janinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Begaj uron Krishtlindjen: E ardhmja bëhet më e mirë me paqe, solidaritet dhe dashuri

25 December 2025 at 14:20

TIRANË, 25 dhjetor /ATSH/ Presidenti Bajram Begaj, uroi sot besimtarët e krishterë për Krishtlindjen ndërsa mesazhin e parë e përcolli nga kisha katolike e Shna Ndoit në Laç.

“Kjo ditë e shenjtë ndez te ne shpresën dhe besimin se e ardhmja bëhet më e mirë me paqe, solidaritet dhe dashuri”, u shpreh, ndër të tjera, Begaj.

“Ju përcjell të gjithë besimtarëve të krishterë urimet më të ngrohta për Krishtlindje nga Kisha e Shna Ndout, në Laç, vend i bekuar, ku vijnë mijëra besimtarë të të gjitha feve.
Kjo ditë e shenjtë ndez te ne shpresën dhe besimin se e ardhmja bëhet më e mirë me paqe, solidaritet dhe dashuri”, ishte mesazhi i Begajt nga Kisha e Laçit.

Më pas, Kreu i Shtetit zhvilloi vizita të veçanta në Qendrën Sinodike të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe në selinë e Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë në Tiranë.
Pas takimit me Fortlumturinë e Tij Joani, Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Presidenti i Republikës përcolli mesazhe për respekt ndaj njëri-tjetrit dhe kujdes ndaj njerëzve më të nevojë.

“Uroj të gjithë besimtarët e krishterë, gëzuar Krishtlindjen! Është një ditë e shenjtë, që shënon vlerat më të larta të besimit, të dashurisë, të solidaritetit, vlera në fakt që përfaqësojnë identitetin tonë dhe atë çfarë ne njihemi botërisht, të bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare. Kjo ditë duhet të na bëjë të respektojmë dhe të duam më shumë njëri-tjetrin, por mbi të gjitha, të kuptojmë dhe ndihmojmë ata që janë më të dobët, prandaj uroj që kjo Krishtlindje të jetë një Krishtlindje e mbushur me gëzim dhe begati e bekime, për çdo besimtar e për çdo shqiptar, dhe uroj një Vit të Ri sa më të mbarë për të gjithë shqiptarët”  u shpreh Begaj.

Kreu i Shtetit uroi edhe besimtarët ungjillorë, duke u shprehur që bekimet e kësaj dite të jenë me ta dhe gëzimi të hyjë në çdo derë.

“Krishtlindja na sjell më shumë se çdo periudhë tjetër e vitit magjinë dhe dashurinë e Krishtit. Qoftë kjo Krishtlindje e mbushur me paqe dhe çaste të bukura të ndara  në familje  e me të dashurit tuaj!”, tha Begaj.

/m.q/j.p/

The post Begaj uron Krishtlindjen: E ardhmja bëhet më e mirë me paqe, solidaritet dhe dashuri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha uron Krishtlindjen: Le të festojmë me besim dhe shpresë

25 December 2025 at 12:26

TIRANË, 25 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, uroi sot besimtarët e krishterë për festën e Krishtlindjes.

Nga selia e Sinodit të Shenjtë të kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në Tiranë, ku takoi edhe kryepeshkopin Joan, kreu i PD-së, uroi shqiptarët që ta festojnë këtë Krishtlindje me besim e shpresë.

“Erdha të shpreh urimet e mia, nderimin tim më të madh për kryepeshkopin e Kishës Autoqefale Shqiptare, bashkëpunëtorët e tij, besimtarët orthodoksë në Shqipëri dhe kudo që janë. Kjo është një ditë e madhe, jo vetëm në historinë e krishtërimit, por edhe në historinë e qytetërimit botëror dhe qytetërimit perëndimor, në veçanti”, u shpreh Berisha pvr mediet pas takimit me kryepeshkopin Joan.

“Uroj çdo shqiptar që këtë ditë ta festojë me besim dhe shpresë për Krishtlindje më të mira vitin e ardhshëm. Gëzuar!”, tha Berisha.

/m.q/j.p/

The post Berisha uron Krishtlindjen: Le të festojmë me besim dhe shpresë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zyrat e IdentiTek të hapura nesër në 12 qarqet e vendit

25 December 2025 at 12:12

TIRANË, 25 dhjetor /ATSH/ IdentiTek njofton se ditën e premte, zyrat e aplikimit për dokumente identifikimi do të jenë të hapura dhe në shërbim të qytetarëve nga ora 09:00 deri në 12:00, në 12 qarqet.

Shërbimi do të ofrohet në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Vlorë, Fier, Korçë, Lezhë, Dibër, Berat, Kukës dhe Gjirokastër.

Në qytetin e Tiranës, qytetarët do të mund të marrin shërbim pranë:

IdentiTek – Njësia 2
IdentiTek – Njësia 4

Në çdo zyrë, që do të jetë e hapur gjatë këtij orari, qytetarët do të mund të marrin të gjitha shërbimet, pavarësisht gjendjes civile.

Ky orar shërbimi është vendosur për të lehtësuar fluksin gjatë festave të fundvitit dhe për t’iu përgjigjur nevojave të shtetasve, që vijnë nga jashtë vendit për një periudhë të shkurtër qëndrimi në Shqipëri, duke u ofruar akses më të shpejtë në shërbimet e identifikimit.

/m.q/j.p/

The post Zyrat e IdentiTek të hapura nesër në 12 qarqet e vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fluturimi i flamingove në Parkun Kombëtar “Divjakë-Karavasta”

25 December 2025 at 12:02

TIRANË, 25 dhjetor /ATSH/  Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta, një zonë e mbrojtur që shtrihet si një brez i gjelbër përgjatë bregdetit Adriatik, u “pushtua” nga fluturimi i flamingove, zogjtë me qafë të gjatë e të harkuar dhe këmbë të holla.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje të flamingove që fluturojnë mes lagunës, duke e kthyer këtë park edhe në një destinacion të veçantë të ekoturizmit në Shqipëri.

Flamingot jetojnë gjithmonë në grupe, që nga grupet e vogla deri në qindra-mijëra. Zogjtë ngrihen në ajër në grup dhe fluturojnë me qindra kilometra gjatë periudhës së shtegtimit. Fluturimi bëhet duke formuar radhë të gjata ose në formë V-je, derisa të arrijnë në vendmbërritjen e tyre – një liqen me ujë të kripur, që është vend i shkëlqyer për të ngritur folenë e për të rritur të vegjlit.

Zakonisht qindra flamingo mblidhen së bashku si një grup baleti uji. Të gjithë pastrojnë puplat e tyre rozë duke qëndruar me një këmbë në diell për orë të tëra, madje me një këmbë edhe flenë.

Gjatësia e tyre shkon nga 81 deri në 130 cm, por pesha e tyre trupore është e vogël, ajo shkon nga 2-3,6 kg. Nisur nga madhësia trupore dhe ngjyra, flamingot janë ndër zogjtë më të dallueshëm nga të tjerët.

/m.q/j.p/

The post Fluturimi i flamingove në Parkun Kombëtar “Divjakë-Karavasta” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Besimtarët ortodoksë në meshën e Krishtlindjes, Kryepeshkop Joani: Festa vjen si rreze shprese e paqeje

25 December 2025 at 11:39

TIRANË, 25 dhjetor /ATSH/ Në Katedralën Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, u zhvillua mëngjesin e kësaj të enjteje të 25 dhjetorit, Liturgjia Hyjnore për Lindjen e Krishtit.

Mesha e Shenjtë e Krishtlindjeve u drejtua nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij imzot Joani, bashkë me klerikë të kryepeshkopatës.

Besimtarët e shumtë që mbushën Katedralen, morën mesazhe shprese në ditën e lindjes së Jezu Krishtit.

Në urimin e tij, Kryepeshkop Joani tha se “ndërsa vazhdojmë të përgatitemi për festimin e Krishtlindjes, na ndihmon të kujtojmë se kjo festë e madhe nuk ka të bëjë me lindjen e një mësuesi, profeti apo ligjvënësi”.

“Perëndia i përjetshëm ndërhyn në histori dhe bëhet njeri, pa pushuar së qenuri Perëndi i plotë, për të na sjellë në shenjtërinë e Tij, për të na bërë pjesëmarrës të natyrës hyjnore, për të shëruar, ringritur dhe përmbushur njerishmërinë tonë të rënë dhe të deformuar. Nëpërmjet pranisë së energjisë së Tij hyjnore, Krishti, Perëndinjeriu, aktivizon, fuqizon dhe gjallëron natyrën tonë njerëzore dhe na bashkon me Perëndinë, gjë që asnjë mësues, profet apo ligjvënës nuk mund ta bënte dot kurrë”, u shpreh ai.

“Për çdo njeri që kërkon paqen e brendshme, të vërtetën dhe plotësinë, festa e gëzuar dhe plot dritë e Krishtlindjes vjen si rreze shprese, ngushëllimi dhe paqeje”, vijoi Kryepeshkopi.

Kryepeshkop Joani theksoi se tani më shumë se kurrë bota ka nevojë për dritën e Krishtit.

“Të dashur vëllezër dhe motra! Duhet ta shpallim me gëzim këtë lajm të mirë dhe të dëshmojmë me zell dhe pa u lodhur se tashmë Perëndia banon ndër ne. Është detyra e çdo të krishteri ta përhapë dhe ta bashkëndajë këtë dritë me të gjithë botën, sepse vetëm duke e ndarë atë me të tjerët, drita mund të ruhet dhe të rritet, përndryshe ajo do të zbehet dhe përfundimisht do të zhduket. Tani, më shumë se kurrë, bota ka nevojë për dritën e Krishtit. Është e nevojshme, sepse një jetë pa praninë e Zotit bëhet e mjerueshme, kthehet në një jetë pa dashuri, pa gëzim, pa dritë: një jetë në errësirë. Vetëm prania e Tij mund të ndriçojë zemrat dhe shpirtrat tanë dhe mund t’i japë jetës sonë dritë e gëzim. Ai është drita në errësirën tonë dhe mësimi i Tij, thotë psalmisti, është një llambë për udhëtimin tonë në këtë jetë”, tha ai.

Kryepeshkopi shtoi se “për të festuar shpirtërisht Lindjen e Krishtit, le të kujdesemi gjatë këtyre ditëve festive të përjetojmë më thellë shenjtërinë dhe madhështinë e kësaj dhurate hyjnore”.

“Këtë mund ta realizojmë duke e pastruar zemrën tonë nga çdo ligësi dhe duke e mbushur atë me dashuri dhe përulësi ndaj të gjithë njerëzve, sidomos ndaj atyre që janë në nevojë – në varfëri, në sëmundje, në dëshpërim dhe në vetmi”, përfundoi ai.

Mesha e Krishtlindjes në Katedralën Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, foto: Florian Abazaj
1 nga 18

/m.q/j.p/

The post Besimtarët ortodoksë në meshën e Krishtlindjes, Kryepeshkop Joani: Festa vjen si rreze shprese e paqeje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama uron Krishtlindjen me imazhin e “Çetës së Profetëve”

25 December 2025 at 09:00

TIRANË, 25 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama uroi sot besimtarët e krishterë për festën e Krishtlindjes.

Kreu i qeverisë në mesazhin e urimit publikoi një imazh të shkëputur nga frontespici i veprës monumentale të Pjetër Bogdanit, “Çeta e Profetëve”.

Besimtarët e krishterë, katolikë dhe ortodoksë festojnë Krishtlindjen, ditën e shënuar në kalendarin e festave fetare, ditën e lindjes së Jezu Krishtit.

Katolikët mbajtën meshën në mesnatë, ndërsa besimtarët ortodoksë mblidhen sot në meshë për t’ia lënë vendin më pas festimeve familjare.

/m.q/j.p/

The post Rama uron Krishtlindjen me imazhin e “Çetës së Profetëve” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mila: Pranë grave kryefamiljare, të ndërtojmë së bashku të ardhme më të sigurt për fëmijët

24 December 2025 at 23:17

TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ Rreth 100 fëmijë nga familje që trajtohen me ndihmë ekonomike në qarkun e Elbasanit, apo që rriten nga nëna kryefamiljare, patën mundësinë që këtë fund vit të gëzojnë dhe të presin dhuratat e babagjyshit si të gjithë fëmijët e tjerë.
Në aktivitetin e organizuar me rastin e festave të fundvitit, jo vetëm si një mundësi për të gëzuar fëmijët, por edhe për të biseduar me gratë kryefamiljare, deputetja Sara Mila tha se do të jetë pranë këtyre familjeve për çdo lloj mbështetje që ata kanë nevojë, sidomos për të dalë nga skema e ndihmës ekonomike.

“Ne do të jemi gjithmonë pranë për t’iu ndihmuar. Edhe sot pavarësisht festës, ne do të kemi një mundësi që të ulemi dhe të shikojmë të gjitha mundësitë që zyra e punës ofron për të gjitha ju qoftë për punësim qoftë për trajnime të mundshme që pastaj të shkoni drejt punësimit. Nuk jam thjesht përfaqësuesja juaj në Parlamentin e Shqipërisë, jam njëra nga ju. Jam një mami që kalon shumë pak kohë me vajzën time në mënyrë të atillë që të mundem që nëpërmjet shembullit që jap ta bëj atë që të jetë e pavarur nesër sepse pa diskutim nuk mund të varemi më në krahët e njëri – tjetrit. Duhet të varemi te krahët dhe shpatullat tona”, u shpreh deputetja Mila.

Drejtuesja e zyrës së punës në Elbasan, Marsida Hyseni, e pranishme në këtë takim u njoh me raste konkrete, të cilat kërkonin vëmendje më imediate për situatat specifike. Gjithashtu ajo dhe stafi i zyrës së punës ofruan informacion mbi të gjitha programet e mbështetjes dhe mekanizmat se si këto familje të munden të përfitojnë.

“Ju përfitoni programe të nxitjes së punësimit të cilat zyra e punës i ofron. Nxitja punësimit është për ju që keni kujdesin për fëmijët apo kujdesin për moshat e teta apo që keni prindër në shtëpi, të afërm që mund të kujdeseni dhe e keni të pamundur që të punoni me kohë të zgjatura. Ne kemi disa programe të cilat ndihmojnë për një vit që ju të paktën të filloni të dilni nga shtëpia. Mbi të gjitha do vijë një moment që do na vijë dhe pensioni dhe në momentin që nuk keni kontribute do të thotë që ne nuk do të arrijmë dot të sigurojmë një pension”, u shpreh ajo.

“Atëherë pse të lodhemi kaq gjatë dhe të rrimë në pritje kur ne mund të punojmë sot, të integrojmë veten tonë. Zyra e punës ofron programe të nxitjes së punësimit, formim profesional për secilin prej jush që ka dëshirën e mirë të formohet nga ana profesionale sepse tipologjia e qytetit të Elbasanit patjetër që është nj qytete industrial dhe e ka fokusin te kjo fushë, por jo vetëm. kemi dhe punë të tjera, të cilat janë dhe në fushën e ekonomisë, dikush që ka mbaruar studimet apo fëmijët tuaj që kanë mbaruar një studim akademik apo fëmijët tuaj që anë mbaruar një formim profesional në shkollat e formimit profesional duhet të afrohen pranë zyrave të punës që të bëjmë regjistrimet, ti orientojmë drejt formimit profesional. Mund të trajnoheni nga zyra e punës në qendrën e formimit profesional dhe ky trajnim është falas në momentin që ti bëhesh pjesë e zyrës së punës dhe behësh pjesë e një pune të denjë”, theksoi ajo.

Deputetja Mila vuri theksin te ndihma e mëtejshme për fëmijët që kalojnë moshën 18 vjeç duke u ndalur te prioritetet që ata kanë si në aplikimin e kredive të buta ashtu edhe në banesat sociale që ofrohen nga bashkia apo qoftë dhe nga institucione vendore që kanë bashkëpunim me bashkinë.

/m.q/j.p/

The post Mila: Pranë grave kryefamiljare, të ndërtojmë së bashku të ardhme më të sigurt për fëmijët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AMP arreston efektivin e policisë në Tiranë

24 December 2025 at 23:14

TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) arrestoi sot në flagrancë punonjësin e policisë Inspektor M. K., me detyrë Patrullë e Përgjithshme pranë DVP Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Sipas AMP-së, arrestimi i tij u krye pasi ditën e sotme rreth orës 17:30, gjatë drejtimit të motomjetit në bulevardin “Bajram Curri” ka aksidentuar shtetasin P. F., 65 vjeç, i cili është dërguar menjëherë në spitalin “Shefqet Ndroqi” në gjendje të rëndë dhe si pasojë e dëmtimeve ka ndërruar jetë rreth orës 21:00. I dëmtuar ka mbetur gjithashtu edhe punonjësi i policisë.

Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

/m.q/j.p/

The post AMP arreston efektivin e policisë në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌