Autoriteti i Konkurrencës, analizë krahasuese të ecurisë së çmimeve për produktet e shportës
TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/ Autoriteti i Konkurrencës bën të ditur se është drejt përfundimit procesi i mbledhjes së të dhënave lidhur me çmimet e produkteve të shportës për periudhën tetor–nëntor–dhjetor, duke përfshirë të gjitha hallkat e zinxhirit të furnizimit dhe tregtimit.
Sipas njoftimit zyrtar, pas përmbylljes së kësaj faze, do të kryhet një analizë e detajuar krahasuese e ecurisë së çmimeve për secilin produkt, me synimin për të identifikuar çdo rritje të mundshme të pajustifikuar që mund të jetë pasojë e sjelljeve jo konkurruese apo e koordinimit të paligjshëm ndërmjet operatorëve ekonomikë.
AK sqaron se analiza do të përqendrohet në krahasimin e çmimeve ndërmjet periudhave të ndryshme kohore, vlerësimin e strukturës së kostove dhe marzheve të fitimit, si dhe në evidentimin e çdo praktike që mund të cenojë konkurrencën e ndershme në treg.
Në rast se nga analiza statistikore dhe ekonomike do të konstatohen rritje të pajustifikuara të çmimeve apo praktika të ndaluara nga legjislacioni në fuqi, Autoriteti i Konkurrencës bën të ditur se do të ndërmarrë pa hezitim veprimet përkatëse ligjore, përfshirë hapjen e procedurave hetimore ndaj subjekteve përgjegjëse.
Autoriteti i Konkurrencës thekson se mbetet i angazhuar për garantimin e funksionimit të drejtë të tregut, mbrojtjen e konkurrencës dhe interesit të konsumatorëve, duke ushtruar me përgjegjësi të plotë kompetencat e tij ligjore. e.xh/j.p/
The post Autoriteti i Konkurrencës, analizë krahasuese të ecurisë së çmimeve për produktet e shportës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.