Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

ITU Shkabaj del jashtë funksionit, disa komuna mbesin pa ujë të pijshëm

29 November 2025 at 15:05


KRU “Prishtina” ka njoftuar se Impianti i Trajtimit të Ujit (ITU) Shkabaj ka dalë jashtë funksionit që nga ora 05:00 e mëngjesit, për shkak të rritjes së madhe të turbullirave në kanalin Ibër–Lepenc, si pasojë e punimeve që po zhvillohen në këtë kanal furnizues.

Si rezultat, pa ujë të pijshëm kanë mbetur këto zona: Fushë Kosova; Drenasi; Obiliqi; Një pjesë e lagjes Kalabria në Prishtinë; Pikat e larta të lagjes Arbëria.

Gjithashtu, ndikime dhe reduktime të furnizimit priten edhe në disa zona të kryeqytetit.

KRU "Prishtina" njofton se "Ekipet tona janë në terren dhe po monitorojnë situatën vazhdimisht. Furnizimi do të rikthehet menjëherë sapo të stabilizohen parametrat në kanalin furnizues".

"Ju kërkojmë ndjesë qytetarëve për shqetësimet e shkaktuara, PA FAJIN TONË, ngase kanali nuk menaxhohet nga KRU" Prishtina".Ndërsa, me ITU Albanik dhe Badoc jemi duke trajtuar ujë me kapacitet maksimal"./Telegrafi/

​Një vit pas sulmit në Ibër-Lepenc, asnjë aktakuzë e ngritur

29 November 2025 at 13:31


Një vit më parë ndodhi shpërthimi në kanalin Ibër-Lepenc, i cili nga institucionet e Kosovës u vlerësua si akt terrorist dhe i orkestruar nga Serbia.

Ende nuk është ngritur ndonjë aktakuzë, e as nuk ka hetime të përfunduara, thonë ekspertë ligjorë për shpërthimin e mbrëmjes së 29 nëntorit të vitit të kaluar në kanalin e Varagës të Zubin Potokut.

Prokuroria Speciale nuk ka treguar për KosovaPress se në cilën fazën ndodhen hetimet, duke potencuar vetëm se “Prokurori kompetent është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, brenda afateve të arsyeshme ligjore”.

Pas këtij incidenti, ishte bërë e ditur se për hetimin e këtij rasti janë përfshirë edhe Byroja Federale e Hetimeve (FBI).

Për shpërthimin në Ibër-Lepenc janë arrestuar dhjetëra persona, e janë sekuestruar armë e eksplozivë.

Megjithatë, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë se aktualisht në paraburgim janë vetëm Dragisha dhe Jovan Viçentijeviq, të cilët janë vëllezër.

“Si IKD e kemi thënë vazhdimisht, çka është me rëndësi është që hetimet nga ana e Prokurorisë për këtë rast të bëhen në mënyrë profesionale, me dëshmi konkrete, në mënyrë që procesi gjyqësor ose aktakuza nëse ngrihet, aktgjykimi nëse merret, thjesht do të thotë ta fitojnë besimin te publiku, por edhe te partnerët tanë ndërkombëtarë. E dimë që për këtë rast ka pasur reagime si nga Ambasada amerikane në Prishtinë, si ambasada në Beograd, të cilat kanë kërkuar qartësi dhe hetime të pavarura. Kështu që, në bazë të Kodit të Procedurës Penale, në bazë të Kodit Penal të Kosovës, së paku do të thotë, janë dy vjet kohë për hetime nga ana e Prokurorisë. Ka kaluar vetëm një vit, por me vetë faktin që kemi në paraburgim dy veta, do të duhej që Prokuroria ta trajtojë këtë rast me më shumë efikasitet, në mënyrë që të zbardhet i plotë ky rasti sa më shpejt që është e mundur”, tha Miftaraj.

KosovaPress ka pyetur Ndërmarrjen Publike “Ibër Lepenc” se a ka ndonjë raport përfundimtar për dëmin e shkaktuar nga ky sulm terrorist, por nuk ka pranuar përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Disa ditë pas sulmit, gjatë vizitës së kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli në këtë ndërmarrje, kjo e fundit kishte thënë se dëmi i shkaktuar është rreth 400 mijë euro.

“Dëmi i synuar që do të ndodhte sikur të arrihej ndërprerja e furnizimit, siç ka qenë e planifikuar, do të ishte rreth 2.5 milionë euro vetëm në importin e energjisë elektrike, e të mos flasim për paralizimin e aktivitetit ekonomik, të ngrohjes së qytetarëve, furnizimit me ujë dhe shumë shërbime të tjera...Ne e kemi bërë një analizë të përafërt. Dëmi, riparimi dhe renovimi do të na kushtojë diku rreth 400 mijë euro, por kjo do të bëhet në bashkëpunim me Bankën Botërore”, kishte thënë Rizvanolli.

Avokati Arbër Jashari thotë se sulmi në Ibër-Lepenc i ka të gjitha tiparet e një akti terrorist.

“Deri më tash nuk kemi një aktakuzë, domethënë nuk ka hetime të përfunduara sa i përket këtij rasti dhe është zbardhur shumë pak apo hiç lidhur me kryerësit potencialë të këtyre veprave penale. Sa i përket motivit, ai edhe mund të presupozohet, dhe të dihet njëfarë forme, se ideja e këtij sulmi ka qenë që të shkaktojë e të ngjallë panik te popullata, në përgjithësi te shtetasit e Republikës së Kosovës dhe të krijojë ndjenjën e pasigurisë, gjë që është tipike e sulmeve terroriste. Por, deri më tash nuk ka pasur hetime të përfunduara. Hetimet janë në zhvillim e sipër dhe informatat më të mëdha rreth kësaj çështjeje, pothuajse kanë munguar. Mbase Prokuroria Speciale do të duhet të jep disa informata bazike, të cilat edhe nuk mund, të cilat nuk do t'i kishin cenuar hetimet, thjesht vetëm rreth veprimeve që janë ndërmarrë, dhe nëse ka pasur diçka konkrete lidhur me kryesit e veprës penale, motivin e kryerjes dhe rrethana të tjera, të cilat janë të nevojshme dhe të domosdoshme që të dihen për këtë çështje”, tha ai.

Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë, nga Liqeni i Ujmanit, disa qytete të Kosovës dhe Korporatën Energjetike të Kosovës.
Pas sulmit terrorist, ndërmarrja publike Ibër-Lepenc, ndërpreu ujin për disa orë për termocentralet.

Ndërprerje të ujit ka pasur edhe në Mitrovicë, Skenderaj, Vushtrri, Drenas, Fushë-Kosovë dhe Obiliq.

Uji arriti në termocentrale vetëm pas mobilizimit dhe ndërhyrjes së shpejtë për sanimin e dëmeve në kanalin e Ibër-Lepencit.

“Tentativë për njollosje” – Spitali i Gjakovës sqaron rastin e pacientes që vdiq pas 3 vitesh që ishte pa vetëdije

29 November 2025 at 13:23


Një qytetar nga Gjakova ka raportuar në polici se bashkëshortja me të cilën bashkëjetonte ka ndërruar jetë.

Ankuesi ka deklaruar se dyshon për trajtim të ndërgjegjshëm mjekësor lidhur me rastin, transmeton Telegrafi.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, me qëllim të sqarimit të shkaqeve të vdekjes.

Lidhur me rastin ka reaguar Spitali i Përgjithshëm i Gjakovës.

Në sqarimin e tyre thuhet se pacientja ka pa vetëdije më shumë se tri vite.

"Lidhur me raportimet në media për rastin e ndodhur në Spitalin e Gjakovës, sqarojmë sa vijon: Pacientja M.R. ka qenë në gjendje komatoze (pa vetëdije) për më shumë se tre vite dhe gjatë gjithë kësaj periudhe ka qenë e shtrirë në Kujdes Intensiv Qendror", thuhet në reagim.

Më tej thuhet se, për tri vite me radhë, pacientja është trajtuar nga mjekët dhe infermierët e kujdesit intensiv, në përputhje të plotë me protokollet mjekësore të aplikueshme për raste të tilla.

"Denoncuesi nuk është pjesë e familjes së pacientes. Deklaratat e tij nuk përputhen me faktet dhe paraqesin tentativë të qëllimshme për të njollosur punën e stafit mjekësor, i cili për tri vite ka ofruar kujdes të pandërprerë, profesional dhe të përgjegjshëm. Edhe pse Kujdesi Intensiv operon me rregulla strikte për vizitorët, për shkak të ndjeshmërisë së rastit janë bërë tolerime të kontrolluara, dhe familjarët kanë qenë të pranishëm në Kujdes Intensiv Qendror gjatë gjithë kohës sa ka jetuar pacientja", vijon reagimi.

Në reagimin e spitalit thuhet se "Nuk është detyrë e jona të hyjmë në çështje të brendshme familjare dhe askush nuk mund të përfitojë duke shpifur apo duke manipuluar opinionin me deklarata të pavërteta".

"Kërkojmë që organet kompetente — Inspektorati Shëndetësor, Policia dhe Prokuroria — ta trajtojnë rastin me seriozitet dhe të mos lejojnë baltosjen e punës së punëtorëve shëndetësorë për interesa personale të askujt"./Telegrafi/

KOSTT sqarohet rreth raportimeve për furnizimin e qytetarëve me energji elektrike më 28 nëntor

29 November 2025 at 12:40


Operatori i Sistemit, Transmetimit dhe Tregut të energjisë elektrike (KOSTT)përmes një njoftimi për media thotë se demanton deklarimet dhe raportimet se EFT LLC do të furnizojë qytetaret e Republikës se Kosovës me energji elektrike me datë 28 nëntor 2025.

Në reagim thuhet se, bazuar në të dhënat zyrtare të Operatorit të Tregut, KOSTT siguron qytetarët dhe opinionin publik se EFT LLC nuk ka rezervuar në SEE CAO kapacitete ndërkufitare për furnizimin e konsumit të brendshëm në Kosovë, por me qëllim transiti të energjisë elektrike.

"Palët tregtare rezervojnë kapacitetet ndërkufitare në SEE CAO për import dhe eksport ndërkufitar të energjisë elektrike. Të hyrat nga shfrytëzimi i këtyre kapaciteteve ndahet ndërmjet OST-ve përkatëse sipas metodologjisë së SEE CAO. Theksojmë që KOSTT është themeluese dhe aksionar në SEE CAO së bashku me shtatë (7) OST-të e rajonit të Evropës Juglindore (Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mali i Zi, Shqipëri, Greqi, Turqi dhe Maqedoni e Veriut)", vijon njoftimi.

Ndër tjera, në reagim thuhet se SEE CAO është përgjegjëse për alokimin e kapaciteteve ndërkufitare të transmetimit të energjisë elektrike në dhjetë kufij të zonave të ofertimit në Evropën Juglindore.

"Alokimi kryhet përmes ankandeve eksplicite të bazuara në Net Transfer Capacity (NTC) në përputhje me kërkesat e Rregullores (KE) 714/2009 të Parlamentit Evropian dhe Këshillit mbi kushtet për hyrje në rrjet për shkëmbimin ndërkufitar të energjisë elektrike dhe Traktatit të Komunitetit të Energjisë.

KOSTT mbetet i përkushtuar për forcimin e besimit publik përmes komunikimit të përgjegjshëm dhe informimit korrekt".Telegrafi/

Përfshirja në listë për deputet, Veliu: Nuk është favor, por përgjegjësi ndaj LDK-së dhe qytetarëve

29 November 2025 at 12:06


Ish-deputeti i LDK-së, Agim Veliu, ka reaguar lidhur me debatet e fundit mbi përfaqësimin në listën zgjedhore të 28 dhjetorit, duke theksuar përkushtimin e tij ndaj partisë dhe respektin për themeluesit dhe kontribuesit afatgjatë.

Në një deklaratë publike, Veliu falënderoi anëtarët dhe simpatizantët që me sinqeritet kanë mbështetur kontributin e tij dhe kanë kërkuar kthimin e drejtësisë dhe meritokracisë brenda LDK-së.

"Është e vërtetë se edhe në zgjedhjet e kaluara ka ekzistuar pritja që të jem pjesë e listës. Por, pavarësisht vendimeve të padrejta e të dëmshme të asaj kohe, unë kam vazhduar të qëndroj aty ku kam qenë gjithmonë, në shërbim të LDK-së, të qytetarëve dhe të vlerave që kemi kultivuar për më shumë se tri dekada", ka shkruar ai

Tutje, ai shtoi "Dua ta theksoj qartë se përfshirja në listë nuk është favor dhe as privilegj personal".

"Për mua dhe për secilin që ka dhënë kontribut të gjatë në LDK, është vetëm përgjegjësi dhe vazhdimësi e punës së bërë me përkushtim, është respekt ndaj historisë sonë dhe ndaj qytetarëve që na kanë besuar për shumë vite", deklaroi ai.

Veliu ka pohuar se "LDK është shtëpia jonë e përbashkët".

"Ajo është ndërtuar me mund, sakrificë dhe besnikëri nga njerëzit që ishin aty kur ishte më së vështiri dhe që vazhdojnë të jenë aty edhe sot. Prandaj, është e domosdoshme që dera të mos u hapet atyre që nuk kanë qenë pjesë e LDK-së, nëse kjo do të ishte arsyeja të lihen jashtë ata që e kanë themeluar, e kanë mbrojtur dhe e kanë mbajtur gjallë partinë për më shumë se 30 vite". tha ai.

Ndër të tjera, ai ka pohuar se "Respekti për bazën, për themeluesit dhe për kontribuesit afatgjatë nuk është vetëm parim, është detyrim moral dhe institucional ndaj LDK-së, ndaj anëtaresisë dhe ndaj qytetarëve që na besojnë".

"Pavarësisht debateve të ditëve të fundit, unë mbetem i përkushtuar ndaj vlerave të LDK-së, i gatshëm ta jap kontributin tim dhe besnik ndaj secilit anëtar që e ka dashur dhe e do partinë si shtëpinë e vet. Faleminderit për vlerësimin, mbështetjen dhe besimin që vazhdoni të ma jepni! Zoti e bekoftë LDK-në! Zoti e bekoftë Rugovën! Zoti e bekoftë Kosovën"./Telegrafi/


13 vite nga aktvendimi i pafajësisë, Haradinaj kujton rrugëtimin ligjor në Hagë

29 November 2025 at 11:51


Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar sot përvjetorin e shpalljes së tij të pafajshëm nga Gjykata e Hagës, duke e cilësuar këtë datë si një prej më të rëndësishmeve në jetën dhe veprimtarinë e tij.

Haradinaj thotë se e kujton aktvendimin e pafajësisë si një fitore jo vetëm për të, por për të gjithë luftën çlirimtare, transmeton Telegrafi,

"Sot shënoj një ditë që për mua ka gjithmonë një peshë të veçantë, përvjetorin e lirisë sime dhe vulosjen përfundimtare të së drejtës së luftës sonë çlirimtare. Më 17 nëntor 2004, edhe pse luftëtar i lirisë në tokën time, u ftova për herë të parë nga Gjykata e Hagës. Ajo ditë shënoi fillimin e një rrugëtimi të gjatë ligjor, i cili zgjati deri më 29 nëntor 2012. Edhe pse u shpalla i pafajshëm në gjykimin e parë, vite më pas u ftova në rigjykim, për ta vërtetuar edhe një herë të vërtetën tonë. Sot, 13 vite më pas, e kujtoj atë aktvendim të pafajësisë si një fitore jo vetëm për mua, por për të gjithë luftën tonë çlirimtare", ka shkruar ai.

Mes tjerash, Haradinaj thotë se " lufta ime për të vërtetën zgjati po aq sa lufta për liri, dhe në të dyja këto beteja dola fitimtar".

"Gjatë çdo hapi, në çdo vendim e në çdo veprim timin, jam kujdesur që Kosovës t’i sjell vetëm fitore dhe nder. Asnjëherë nuk kam lëvizur nga kjo detyrë, as në luftë e as në paqe. Falënderoj gjithë ata që nuk humbën besimin në mua dhe në pafajësinë time e mu gjenden pranë në të gjitha mënyrat"./Telegrafi/



Abdixhiku prezanton Janina Ymerin si kandidate për deputete

29 November 2025 at 11:28


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka prezantuar Janina Ymerin si kandidate për deputete për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Abdixhiku ka deklaruar se Janina Ymeri këto ditë është shndërruar në pasqyrimin më të denjë të aktivistes politike.

"Si veprimtare e LDK-së, ajo shpalosi skandalin e madh të mafias energjetike dhe milionat e qytetarëve të Kosovës që përfunduan në llogaritë e Vuk Hamovićit - të birit të ish-shefit të Armatës Jugosllave Rade Hamović.Vukvendosje - siç i dha epitet me të drejtë ajo, shërfaqë më së miri mashtrimin popullist që ndodhë sot", ka shkruar ai në Facebook.

Ai shtoi tutje seJanina Ymeri përfaqëson më së miri aktivisten politike të kohës sonë: atë që nuk e tremb pushteti; atë që nuk e blen propaganda; atë që nuk e hesht padrejtësia.

"Ajo vjen në politikë nga beteja e së vërtetës. Nga përballja me korrupsionin. Nga përkushtimi i sinqertë për interesin publik.LDK është shtëpia e njerëzve të tillë; të drejtë, të guximshëm, profesionalë"./Telegrafi/



Kryeqyteti kuq e zi, pamje nga festa e 28 Nëntorit

29 November 2025 at 11:22


Kryeqyteti i Kosovës mbrëmë është mbushur me qindra qytetarë që kanë festuar Ditën e Flamurit dhe 28 Nëntorin, një nga datat më të rëndësishme të historisë shqiptare.

Festimet përfshinë edhe përkujtimin e ditëlindjes së heroit legjendar Adem Jashari si dhe daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka publikuar pamje nga festa, transmeton Telegrafi.

"Kryeqyteti mbrëmë kuq e zi 🇦🇱 Festuam së bashku 28 Nëntorin festën e madhe të shqiptarëve, ditëlindjen e heroit legjendar Adem Jashari dhe daljen publike të UÇK-së! Nën tingujt e bendit Jericho festuan qytetarë nga e gjithë Kosova në sheshin Skënderbeu", ka shkruar Rama./Telegrafi/



Përkujtohet 81-vjetori i Çlirimit - të pranishëm në homazhe Begaj, Rama dhe Peleshi

29 November 2025 at 10:51


Një ditë pas festimeve të Pavarësisë, Shqipëria shënon sot 81-vjetorin e Çlirimit nga pushtuesit nazistë.

Udhëheqësit më të lartë të shtetit po zhvillojnë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, duke nderuar sakrificën e atyre që luftuan për lirinë e vendit. Mes të pranishmëve janë presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.Kryeministri Rama përcolli urimin e tij përmes një postimi në rrjetet sociale, ku duke ndarë një foto nga Memoriali “Nëna Shqipëri”.

“Me urimin për festën kombëtare të çlirimit, ju uroj të gjithëve një fundjavë të paqtë”, shkruan Rama.

Shqipëria u çlirua më 28 nëntor 1944, pas pesë vitesh pushtimi që nisi me agresionin italian të 7 prillit 1939 dhe vijoi me kontrollin gjerman pas kapitullimit të Italisë në vitin 1943. /euronewsalbania/

IKD: Vendimi i KQZ për hapjen e Qendrave të Votimit jashtë përfaqësive diplomatike është në kundërshtim me ligjin dhe rregullat zgjedhore

29 November 2025 at 09:57


Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) lidhur me vendimin për hapjen e qendrave të votimit jashtë përfaqësive diplomatike. Hapja e qendrave të votimit jashtë përfaqësive diplomatike është në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe rregullat zgjedhore.

Sipas njoftimit publik të datës 27 nëntor 2025, KQZ në mbledhjen e 84-të, në kuadër të përgatitjes së zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, ka marrë vendim për miratimin e Qendrave të Votimit për votimin jashtë vendit.

Ndërkaq, përveç përfaqësive diplomatike, KQZ ka njoftuar se sipas të njëjtit vendim Qendra të Votimit do të hapen edhe në hapësira shtesë, jashtë përfaqësive diplomatike, sipas propozimit nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Lokacionet shtesë përfshijnë 10 Qendra të Votimit (Gjermani 5; Zvicër 3, Mbretëri e Bashkuar 1 dhe ShBA 1) me gjithsej 43 vendvotime dhe me numër maksimal të votuesve që mund të regjistrohen për të votuar 40,850 votues”.

IKD thotë "Mirëpo, Ligjin nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme, në asnjë mënyrë nuk lejon hapjen e hapësirave shtesë, jashtë përfaqësive diplomatike".

Fillimisht, ky Ligj përkufizon se çka është përfaqësi diplomatike: “ambasadë, konsullatë, mision diplomatik dhe mision konsullor, që përfaqëson Republikën e Kosovës në një shtet tjetër dhe në ditën e votimit mund të shfrytëzohet si qendër e votimit, sipas vlerësimeve të KQZ-së”.

IKD thekson se përderisa, përmban një kapitull të veçantë për votimin jashtë Kosovës. Mes tjerash, thotë se KQZ kërkon nga MPJ listën e të gjitha përfaqësive diplomatike, bashkë me detajet e nevojshme mbi hapësirën e objekteve. Për më tepër, e përcakton që KQZ të kërkojë nga Ministria e Punëve të Jashtme listën e përfaqësive diplomatike. Kurse, kjo e fundit t’i ofrojë KQZ-së informacionet e kërkuara.

Konkretisht, paragrafi 8 i nenit 96, thotë: “KQZ-ja, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme, vlerëson hapësirat fizike për secilën përfaqësi diplomatike dhe, në përputhje me kriteret e përcaktuara, merr vendim për numrin e vendvotimeve dhe për numrin e votuesve për secilën përfaqësi diplomatike. Jo më vonë se pesë (5) ditë nga dita e shpalljes së datës së zgjedhjeve, KQZ kërkon nga MPJ, listën e të gjitha përfaqësive diplomatike, bashkë me detajet e nevojshme mbi hapësirën e objekteve. Ministria e Punëve të Jashtme obligohet që t’i ofrojë KQZ-së të gjitha informacionet e kërkuara brenda tre (3) ditë, nga dita e pranimit të kërkesës. MPJ përshtat hapësirat e objekteve të përfaqësive diplomatike në vendvotime sipas kritereve të përcaktuara nga KQZ”.

"Pra, Ligji në asnjë mënyrë nuk parasheh mundësinë që të lejohen hapësira shtesë jashtë përfaqësive diplomatike, e as mundësinë që MPJD të propozoj ndonjë hapësirë tjetër përveç listës së përfaqësive diplomatike, e cila kërkohet nga KQZ", vijon reagimi.

Më tej, thuhet se hapja e hapësirave shtesë nuk lejohet në asnjë mënyrë edhe nëse plotësohet numri maksimal i votuesve të përcaktuar nga KQZ, për secilën përfaqësi diplomatike.

"Në raste të tilla, rregullat zgjedhore parashohin që sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesit që janë përtej numrit të kufizuar, udhëzohen për mënyra tjera të votimit".

Neni 3 i Rregullores 04/2025 për Regjistrim dhe Votim Jashtë Kosovës, përmes paragrafëve 9 dhe 10 përcakton:

“9. Në bazë të vlerësimit të kapaciteteve për votim në përfaqësi diplomatike, KQZ përcakton numrin maksimal të votuesve për secilën përfaqësi diplomatike, të caktuar si qendër votimi.

10. Në rast të plotësimit të numrit maksimal të votuesve në përfaqësi diplomatike, sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesi do të udhëzohet për mënyrat e tjera të votimit”.

Sipas IDK, kjo mënyrë rrezikon integritetin e procesit zgjedhor dhe hap mundësi për keqpërdorime.

"Në rast të ankesave potenciale, krijohen mundësitë për anulimin e votave në këto Qendra të Votimit, pikërisht për shkak se ligji nuk e lejon hapjen e këtyre qendrave".

Andaj, IKD bën thirrje që KQZ të ndërpresë veprimet që bien ndesh me ligjin dhe rregullat zgjedhore.

"Respektimi i ligjit përbën themelet e integritetit zgjedhor dhe të funksionimit demokratik të institucioneve. Prandaj, KQZ ka detyrim që brenda mandatit të saj të përcaktuar me ligj, të sigurojë që proceset zgjedhore të jenë plotësisht të ligjshme dhe të besueshme", vijon reagimi./Telegrafi/

Dy vjet nga vrasja e Liridona Ademajt, familja kërkon drejtësi dhe dënim meritor për të dyshuarit

29 November 2025 at 09:50


Sot bëhen dy vjet nga vrasja tragjike e Liridona Ademajt në fshatin Bërnicë të Prishtinës. Më 29 nëntor 2023, Liridona Ademaj u vra ndërsa ndodhej në veturë së bashku me dy fëmijët e saj dhe bashkëshortin, Naim Murselin – i cili dyshohet se e kishte porositur vrasjen e saj.

Procesi gjyqësor ndaj tij dhe të tjerëve të përfshirë ka nisur në fillim të këtij viti, transmeton Telegrafi.

Më 15 janar 2025, Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj katër të dyshuarve: Naim Murseli, bashkëshorti i viktimës, Granit Plava, Kushtrim Kokalla, Tom Dodaj

Në përvjetorin e dytë të kësaj ngjarjeje të rëndë, vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj, ka bërë një postim prekës në kujtim të motrës së tij, duke rikthyer vëmendjen te dhimbja e familjes dhe kërkesa për drejtësi.

"Sot bëhen 2 vite që nga ikja jote Motër Malli për ty shtohet çdo ditë, mungesa jote vërehet në çdo kohë. Këto 2 vite nuk ishin të lehta për ne si familje nuk mundemi asesi të pajtohemi me faktin qe ti nuk je më ne mesin tonë", ka shkruar ai.

Tutje, ai ka shkruar "Na ka marrë malli shumë për prezencën tënde asgjë më nuk është e njëjtë".

"Vitet po ecin shpejtë e ne akoma po ballafaqohemi me kriminelët të cilët padrejtësisht të morën nga ne. Do të luftojmë deri në frymën e fundit duke kërkuar drejtësi për ty motër. Kriminelët duhet të marrin dënimin e merituar. Të kujtojmë me mall e shumë dashuri Familja Ademaj dhe djemt Diar&Dion", ka pohuar ai.

Liridona Ademaj ka lënë pas vetes dy djem, të cilët ndodhën nën kujdesin e shtetit të Suedisë

Zgjedhjet e 28 dhjetorit, nis afati për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës

29 November 2025 at 09:34


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është duke vazhduar filluar periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

Gjatë kësaj periudhe 11-ditore (26 nëntor – 6 dhjetor 2025), qytetarët me të drejtë vote do të mund ta mësojnë qendrën e tyre të votimit dhe nëse dëshirojnë edhe ta ndërrojnë atë brenda komunës së tyre, duke e caktuar sa më afër vendbanimit në komunën e tyre:

1. përmes platformës elektronike të KQZ-së: https://qv.kqz-ks.org ose

2. duke paraqitur kërkesën në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku është i regjistruar votuesi.

KQZ sqaron se ndërrimi i Qendrës së Votimit nga një komunë në komunën tjetër, nuk mundësohet drejtpërdrejtë nga KQZ, por kjo është e ndërlidhur me deklarimin zyrtar të adresës së vendbanimit nga qytetarët/votuesit.

Përmes KQZ-së, votuesi, nëse dëshiron, mund të ndryshojë Qendrën Votimit vetëm brenda komunës. Por, për të kaluar nga një Qendër Votimi e një komune, në Qendrën e Votimit në një komunë tjetër, votuesi duhet të ndryshojë adresën zyrtare të vendbanimit në Zyrën e Gjendjes Civile apo në platformën E-Kosova.

Ndryshimet të cilat do të bëhen nga 26 nëntor deri më 6 dhjetor 2025, do të reflektohen në platformën elektronike të KQZ-së https://qv.kqz-ks.org pas kësaj periudhe. /Telegrafi/

Sulmoi nënën e tij, arrestohet i dyshuari në Prishtinë

29 November 2025 at 09:30


Policia ka njoftuar se ka arrestuar një person në Prishtinë, pasi i njëjti ka sulmuar fizikisht nënën e tij.

Rasti ka ndodhur më 28 nëntor, transmeton Telegrafi.

"Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje", njofton policia./Telegrafi/

Gjendet pa shenja jete një i mitur në Prizren

29 November 2025 at 08:42


Të premten në fshatin Reqan të Prizrenit, familjarët kanë raportuar në polici se e kishin gjetur pa shenja jete një të mitur.

Sipas njoftimit të policisë, viktima është dërguar menjëherë në Spitalin e Prizrenit, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij.

Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa policia ka nisur procedurat hetimore për sqarimin e rrethanave të rastit. /Telegrafi/

Ushtroi dhunë fizike ndaj prindërve të tij, arrestohet i dyshuari në Prishtinë

29 November 2025 at 08:36


Policia ka njoftuar për një rast të dhunës në familje që ka ndodhur në Prishtinë.

Në njoftim thuhet se "prindërit kanë pësuar dhunë fizike dhe psikike nga djali i tyre i dyshuari mashkull kosovar".

I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje./Telegrafi/


Rama uron 81-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë

29 November 2025 at 08:29


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka uruar 81-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë.

Rama ka ndarë një foto nga Memoriali “Nëna Shqipëri”.

Kreu i qeverisë ka shkruar “Mirëmengjes dhe me urimin për festën kombëtare të çlirimit, ju uroj të gjithëve një fundjavë të paqtë”./Telegrafi/

Mot i ftohtë dhe me reshje, në viset e larta pritet borë

29 November 2025 at 08:15


Sot mbi vendin tonë parashihet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe vende-vende me riga shiu të përziera me borë, në viset e larta reshje bore.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -2 deri 0 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 1-3gradë Celsius.

Do të fryjë erë nga veriperendimi e lehte deri mesatare./Telegrafi/

Rama: Adem Jashari, heroi që lindi në Ditën e Flamurit dhe u kthye në flamur i sakrificës, lirisë dhe krenarisë kombëtare

28 November 2025 at 15:08


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përkujtuar sot 70-vjetorin e lindjes së komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, duke e cilësuar atë si një simbol të pakrahasueshëm të sakrificës dhe identitetit kombëtar.

Në një postim publik, Rama theksoi se data e lindjes së Jasharit, që përkon me Ditën e Flamurit, nuk është thjesht rastësi historike, por një moment që lidhet drejtpërdrejt me rrugën e lirisë së popullit shqiptar.

“Sot kujtojmë edhe 70-vjetorin e lindjes së Adem Jasharit, heroit që lindi në Ditën e Flamurit dhe u kthye në flamur i sakrificës, lirisë dhe krenarisë kombëtare”, ka shkruar kryeministri Rama, duke shoqëruar mesazhin me simbolet dhe shqiponjën dykrenare./Telegrafi/


U raportua si i zhdukur, gjendet pa shenja jete 32-vjeçari nga Gjilani

28 November 2025 at 14:50


Është gjetur pa shenja 32-vjeçari i cili u raportua si i zhdukur në Gjilan.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, Valon Osmani, zëdhënës i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit.

"Sot, me datë 28.11.2025 rreth orës 12:45, gjatë vazhdimit të kërkimeve intensive, ekipet e specializuara të zhytësve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë arritur të gjejnë në pendën e fshatit Livoq trupin e pajetë të personit të raportuar si i zhdukur më datën 27.11.2025, vdekjen e të cilit në vendin e ngjarjes e ka konstatuar ekipi mjekësorë", tha ai.

Osmani shtoi tutje se me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. /Telegrafi/

Bashkëpunim i fuqishëm tregtar apo marrëdhënie simbolike, Kosovë - Shqipëri?

28 November 2025 at 14:36


Bashkëpunimi ekonomik e tregtar mes Kosovës dhe Shqipërisë përkundër trendëve inkurajuese, ende nuk ka marrëdhënie ekonomike të kënaqshme mes këtyre dy vendeve.

Me gjithë vullnetin dhe gatishmërinë e afaristëve për një bashkëpunim më të fortë në ekonomi, marrëdhëniet në mes këtyre dy shteteve mbeten ende simbolike apo karakterizohen vetëm nga shkëmbimet tregtare import – eksport.

Megjithatë, pavarësisht rritjes së lehtë eksporteve kosovare me Shqipërinë, bilanci tregtar përgjatë gjithë periudhës 2022–2025 mbetet dukshëm negativ me importet shqiptare që vijojnë të dominojnë strukturën e shkëmbimeve.

Kështu, diferenca midis importeve dhe eksporteve vazhdon të mbetet sfidë e hapur ekonomike.

Kosova vazhdon të ketë bilanc negativ tregtar me Shqipërinë, ani se ka një rritje të vlerës së mallrave të eksportuara.

Sipas Doganës së Kosovës, për vitin 2025, eksportet e vendit tonë në Shqipëri, nga janari deri më 26 nëntor të këtij viti arrijnë rreth 143 milionë euro, përderisa importet nga ky shtet janë 259 milionë euro.

Nga Dogana kanë thënë për KosovaPress se në vitin 2022, eksportet kosovare drejt Shqipërisë ishin rreth 102 milionë euro, duke shënuar rritje të moderuar në 115 milionë euro gjatë vitit 2023.

Megjithatë, viti 2024 solli një kërcim, eksportet u rritën në afro 248 milionë euro, më shumë se dyfishi i vitit të parë të periudhës së analizuar.

Ndërsa, importet e mallrave nga Shqipëria në vitin 2022 ato arritën rreth 255 milion euro, duke u rritur ndjeshëm në 326 milionë euro gjatë vitit 2023, për të arritur kulmin në 337 milionë euro në vitin 2024.

Në vitin 2025, importet e deritanishme llogariten në afërsisht 259 milionë euro – një nivel i lartë, duke pasur parasysh se të dhënat nuk përfshijnë muajin e dhjetorit.

TOP 10 produktet më të eksportuara nga Kosova drejt Shqipërisë

KosovaPress ka siguruar listën nga Dogana e Kosovës për llojin e mallrave më të eksportuara në Shqipëri. Lista udhëhiqet nga lëndët djegëse minerale dhe derivatet energjetike, të cilat kapin vlerën e mbi 153 milionë eurove gjatë periudhës katër vjeçare të fundit.

Pasojnë sektori i pijeve dhe alkoolit 87.5 milionë euro, si dhe metalurgjia (giza, çeliku, alumini dhe plastikë), duke dëshmuar rritje të kapaciteteve industriale të Kosovës dhe zgjerim të industrive me vlerë të shtuar.

Produktet si mobiliet, makineritë, kafshët e gjalla dhe vajrat bimore/animalë plotësojnë listën, duke reflektuar një diversifikim më të gjerë të portofolit të eksporteve kosovare.

TOP 10 produktet më të importuara nga Shqipëria në Kosovë

Në kahun tjetër, Kosova importon kryesisht produkte strategjike dhe të konsumit masiv. Në krye të listës qëndron giza dhe çeliku, me vlerë mbi 328 milionë euro, pasuar nga lëndët djegëse minerale 261 milionë euro. Këto produkte janë jetike për sektorët e ndërtimit, energjisë dhe infrastrukturës.

Një komponent i rëndësishëm i importeve shqiptare janë edhe produktet bujqësore – zarzavatet 51.7 milionë euro dhe frutat 40.1 milionë euro që demonstrojnë rolin e Shqipërisë si furnizues kryesor i tregut kosovar me produkte të freskëta agro-ushqimore.

Mallra si kripëra kimike, ekstrakte organike, alumin, letër dhe karton përmbyllin listën, duke reflektuar baza të forta të industrive përpunuese dhe agrar-industriale shqiptare.

❌
❌