Pretendimi: Prokurori amerikan Matt Beckwith është arrestuar për tradhëti
Verdikti: E pavërtetë
————————————————————
Në rrjetet konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon lajmi se një prokuror amerikan, Matt Beckwith, i quajtur “Prokurori i Gjuetisë së Shtrigave J6 i Shtetit të Thellë” dhe “Tradhtari që Burgosi 60 Patriotë të Pafajshëm” është arrestuar dhe do dërgohet në burgun famëkeq në Guantanamo Bay.
Si zakonisht, ky pretendim i jashtëzakonshëm nuk shoqërohet me ndonjë provë, burim apo referencë për ta mbështetur atë.
Matthew Beckwith është një prokuror amerikan që punoi mbi çështjen e kryengritjeve të Kapitolit më 6 janar 2021. Ai tha për Reuters në dhjetor 2025 se ishte pushuar nga puna në janar. Pesë ditë më vonë, protestuesit postuan një listë në rrjete sociale duke emëruar Beckwith dhe të paktën 88 prokurorë të tjerë të 6 janarit, së bashku me thirrje që ata të shkarkoheshin ose të burgoseshin. Një përdorues u përgjigj me një foto të një litari, duke sugjeruar që prokurorët duhet të vareshin. Këto sulme e shqetësuan gruan e Beckwith, e cila ishte pesë muajshe shtatzënë me fëmijën e tyre të parë në atë kohë, tha ai.
Matthew Beckwith
Pretendimi shoqërohet me një imazh i cili pretendohet se tregon prokurorin Beckwith. Megjithatë, me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se burri në foto është Mike Gordon, një tjetër prokuror i kryengritësve të 6 janarit i cili u pushua nga puna pa sqarim. Gordon dhe ish-punonjës të Departamentit të Drejtësisë kanë paditur administratën Trump për shkarkimet nga puna.
Deri më tani, nuk ka asnjë raportim apo provë se Beckwith, Gordon apo ndonjë prokuror tjetër i 6 janarit është arrestuar.
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se në Izrael ndalohen testet e ADN.
Pretendohet se kjo ndodh sepse testet do të zbulonin se shumë izraelitë nuk ishin etnikisht hebrenj ose nuk kishin paraardhës nga Lindja e Mesme.
Megjithëse Izraeli vendos kufizime domethënëse rregullatore mbi testet e ADN, veçanërisht ato që lidhen me lidhjet familjare, pretendimi se testet e ADN janë tërësisht të paligjshme në Izrael është i rremë.
Ligji i Informacionit Gjenetik i Izraelit (2000) rregullon testimin gjenetik për të mbrojtur privatësinë dhe për të parandaluar keqpërdorimin e të dhënave gjenetike. Ligji nuk i ndalon drejtpërdrejt testet e ADN, por vendos rregulla të rrepta, veçanërisht për testet që përcaktojnë marrëdhëniet familjare. Për shembull, testet e atësisë në Izrael mund të kryhen vetëm me urdhër gjykate. “Një test gjenetik për lidhjet familjare […] nuk do të kryhet përveçse me urdhër të një gjykate familjare”,thotë ligji. Kjo është pjesë e një kuadri më të gjerë të hartuar për të mbrojtur individët nga përdorimi i informacionit të tyre gjenetik pa mbikëqyrje të duhur.
Konfirmim i mëtejshëm se testimi gjenetik nuk është plotësisht i paligjshëm në Izrael, por i rregulluar për qëllime specifike mjekësore dhe parandaluese, mund të gjendet në faqen e internetit të Ministrisë së Shëndetësisë të Izraelit. Një seksion i titulluar “Rekomandime për Testimin Gjenetik” përshkruan udhëzimet për testet që synojnë identifikimin e çifteve në rrezik për t’u kaluar fëmijëve të tyre gjendje të rënda gjenetike.
Ministria e Shëndetësisë e Izraelit tha për Snopes se “sipas dispozitave të Ligjit për Informacionin Gjenetik, testet gjenetike mund të kryhen në Izrael vetëm në laboratorët mjekësorë-gjenetikë të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë sipas kushteve të specifikuara në ligj. Qëllimi i ligjit është të ruajë cilësinë e testeve, privatësinë dhe konfidencialitetin mjekësor të subjekteve, si dhe mbrojtjen e të drejtave të të miturve dhe popullatave të tjera të veçanta në kontekstin e gjenetikës.”
Pretendimi: Bleona Mata, 6-vjeçarja e zhdukur në 2010, është gjendur nga Altin Dumani/një emision gjerman
Verdikti: E pavërtetë
———————————————————-
Dy postime të faqes Albania News 247 pretendojnë se e mitura Bleona Mata, e zhdukur në 22 maj 2010 në Kukës, është gjendur, ndërsa lexuesit ftohen të klikojnë një lidhje në komente për të mësuar më shumë. Megjithëse janë postuar brenda dy ditësh nga njëri-tjetri, postimet identifikojnë shpetimtarë të ndryshëm. Në postimin e 17 dhjetorit, pretendohet se Bleona Mata është gjetur nga një emision gjerman, ndërsa në atë të 18 dhjetorit, meritat i jepen kreut të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani.
Gjithsesi, të dy pretendimet janë të rreme.
Artikujt e referuar në komente nuk përmbajnë ndonjë provë, burim apo referencë për t’i mbështetur këto pretendime.
Madje, në brendinë e artikullit, shkruhet se një emision gjerman “ka gjetur gjurmë të reja që lidhen që lidhen me zhdukjen misterioze të Bleona Matës,” përkundër pretendimit të titullit që Bleona Mata ishte gjetur. Megjithatë, edhe pretendimi i artikullit është i dyshimtë, duke qenë se nuk jepet emri i emisionit gjerman, apo ndonjë informacion tjetër identifikues. Titulli i artikullit keqinformon me qëllim mbledhjen e sa më shumë klikimeve.
Artikulli që pretendon se kreu i SPAK, Altin Dumani, ka zbuluar vendndodhjen e Bleona Matës është edhe më qartësisht i rremë. Ai është i mbushur me pasaktësi faktike dhe logjike.
Që në fjalinë e parë, Altin Dumani quhet “një nga figurat më të njohura të showbiz-it.” Ndërkohë, Bleona 6-vjeçare përshkruhet si “e njohur për talentin e saj dhe karrierën e suksesshme si këngëtare.” Sipas artikullit, Bleona “kishte zhdukur nga sytë e publikut, duke lënë fansat dhe ndjekësit e saj me shumë pyetje.” Qartazi, artikulli ngatërron 6-vjeçaren Bleona Mata me këngëtaren shqiptare Bleona Qereti. Artikulli, ndërkaq, përdor vazhdimisht foton e Bleonës së mitur.
Ka gjasa që të dy këto artikuj, dhe artikuj te ngjashëm të postuar nga e njejta faqe dhe përgënjeshtruar dhe më parë nga Faktoje, janë gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI). Ngatërrimi qesharak me këngëtaren Bleona Qereti duket si një ‘delirim’ karakteristik i këtyre programeve gjenerative.
Faktoje ka përgënjeshtruar dhe lajme të mëparshme nga i njejti portal, i cili ka botuar artikuj të trilluar mbi vdekjen e Shpat Kasapit dhe të politikanit shqiptar Azem Hajdari.
Duhet nënvizuar se këto postime tejkalojnë një kufi moral kur zgjedhin të përdorin si karrem për klikime imazhin e një fëmije që është zhdukur mbi 10 vite më parë. Mediat raportojnë se e ëma e Bleona Matës vazhdon ende ta kërkojë.
Pretendimi: Antenat 5G shkaktojnë ndryshim humori, arrest kardiak dhe ngritjen apo uljen e tensionit
Verdikti: E paprovuar
——————————————————————–
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, vijon të qarkullojë pretendimi se antenat 5G dëmtojnë shëndetin e njeriut. Specifikisht, një postim në Facebook pretendon se këto antena shkaktojnë ndryshim humori, arrest kardiak dhe ngritjen apo uljen e tensionit.
Si zakonisht, këto pretendime të jashtëzakonshme nuk shoqërohen me ndonjë provë, burim apo referencë për t’i mbështetur ato.
5G është një brez i ri i shërbimit të telefonisë celulare. Antenat dërgojnë dhe marrin fusha elektromagnetike me radiofrekuencë (RF EMF). 5G përdor “teknologjinë e formimit të rrezeve”, e cila lejon që fushat elektromagnetike me radiofrekuencë të shkojnë direkt aty ku duhet.
Fusha elektromagnetike (EMF) e gjeneruar nga antenat e telekomunikacionit nuk është jonizuese. Kjo do të thotë se nuk ka ndikim negativ në trupin e njeriut, nuk ndërhyn në strukturën qelizore, nuk e modifikon atë dhe nuk ndikon në funksionet e saj.
Komisioni Ndërkombëtar për Mbrojtjen nga Rrezatimi Jo-Jonizues (ICNIRP), pas 7 vitesh kërkimesh, publikoi udhëzimet e vitit 2020 mbi kufizimin e ekspozimit ndaj fushave elektromagnetike. Ato përfshijnë informacion rreth 5G.
Komisioni thotë se efekti kryesor që fushat elektromagnetike me radiofrekuencë kanë në trupin e njeriut është rritja e temperaturës së indeve të ekspozuara. Trupi mund të përballojë rritje të vogla të temperaturës së trupit, si përmes ushtrimeve fizike, por ekspozimi ndaj radiofrekuencës dhe rritja e temperaturës mund të jenë të rrezikshme mbi një prag të caktuar.
Sipas ICNIRP, “një tjetër karakteristikë e përgjithshme e RF EMF është se sa më e lartë të jetë frekuenca, aq më e ulët është thellësia e depërtimit të EMF në trup. Meqenëse teknologjitë 5G mund të përdorin frekuenca më të larta të EMF (>24 GHz) përveç atyre që përdoren aktualisht (<4 GHz), fuqia nga ato frekuenca më të larta do të përthithet kryesisht më sipërfaqësisht sesa ajo nga teknologjitë e mëparshme të telekomunikacionit celular […] Prandaj, ekspozimet 5G nuk do të shkaktojnë asnjë dëm me kusht që ato t’i përmbahen udhëzimeve të ICNIRP (2020).”
Eric van Rongen, kryetar i ICNIRP, tha se nuk ka prova që fushat elektromagnetike shkaktojnë efekte shëndetësore si kanceri, elektro-mbindjeshmëria, infertiliteti ose ndonjë gjë tjetër. Dy efektet e vetme shëndetësore të njohura janë stimulimi nervor deri në 10 MHz dhe ngrohja nga 100 kHz.
Marvin C. Ziskin, Profesor Emeritus i Radiologjisë dhe Fizikës Mjekësore, tha se nuk ka bazë për të pritur që 5G do të shkaktojë probleme negative shëndetësore, me kusht që të respektohen kufijtë e ekspozimit.
Ziskin i tha Reuters se “pesha e provave shkencore tregon se emetimet e 5G nuk janë kumulative. Kjo do të thotë, ekspozimet e shumëfishta të ekspozimeve të padëmshme nuk i shtohen njëra-tjetrës për të prodhuar ndonjë efekt të pafavorshëm biologjik. Do të shtoja se nuk ka pasur paralajmërime nga agjencitë shëndetësore në lidhje me rreziqet e mundshme shëndetësore të energjisë RF, duke përfshirë valët milimetrike në nivele ekspozimi që një konsumator mesatar do të përjetonte nga teknologjia e komunikimit. Kjo është në përputhje me vlerësimet e çështjes nga grupet që përcaktojnë standardet, të tilla si IEEE dhe ICNIRP.”
Disa individë raportojnë “mbindjeshmëri” ndaj fushave elektrike ose magnetike. Ata pyesin nëse dhimbjet, dhimbjet e kokës, depresioni, letargjia, çrregullimet e gjumit, madje edhe konvulsionet dhe krizat epileptike mund të kenë lidhje me ekspozimin ndaj fushave elektromagnetike.
Nuk ka prova që mbindjeshmëria nga e cila disa njerëz pretendojnë se vuajnë, madje edhe me simptoma në dukje objektive, lidhet me këto lloje rrezatimi. Në fakt, kjo mund të shpjegohet me efektin nocebo, ku njerëzit vuajnë nga simptomat vetëm sepse presin të sëmuren.
Studimet e fundit skandinave zbuluan se individët nuk tregojnë reagime të qëndrueshme në kushte të kontrolluara siç duhet të ekspozimit ndaj fushave elektromagnetike. As nuk ka ndonjë mekanizëm biologjik të pranuar për të shpjeguar mbindjeshmërinë. Hulumtimi mbi këtë temë është i vështirë sepse këto janë simptoma shumë subjektive që mund të vijnë si pasojë e faktorëve të ndryshëm që ndërthuren me njëri-tjetrin, përfshi vetë shqetësimin për efektet e rrezatimit.
Pretendimi: Spitali Johns Hopkins ka botuar një përditësim mbi kancerin ku detajohet se si përhapet kanceri dhe rekomandohen metoda për trajtimin e sëmundjes.
Verdikti: E pavërtetë
———————————————————
Në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon pretendimi se, pas shumë vitesh që rekomandonte kimioterapinë për trajtimin e kancerit, spitali Johns Hopkins ka vendosur t’u tregojë njerëzve se ka alternativa, duke detajuar se si përhapet kanceri dhe duke rekomanduar metoda për trajtimin e sëmundjes.
Postimi pretendon se Johns Hopkins tha se qelizat kancerogjene nuk shfaqen në testet standarde derisa të shumohen në disa miliarda; qelizat kancerogjene ndodhin midis 6 nga 10 herë gjatë jetës së një personi; një sistem imunitar i fortë shkatërron dhe parandalon qelizat kancerogjene; kanceri tregon mangësi ushqyese; dhe ndryshimet në dietë dhe suplementet do të forcojnë sistemin imunitar.
Teksti vazhdon duke pretenduar se kimioterapia përfshin helmimin e qelizave kancerogjene që rriten me shpejtësi, ndërsa shkakton dëmtime të organeve dhe se rrezatimi dëmton qelizat, indet dhe organet e shëndetshme.
Rekomandimet e pretenduara nga Johns Hopkins përfshijnë ndërprerjen e sheqerit dhe qumështit, ngrënien e peshkut, perimeve të freskëta, lëngjeve, farave dhe arrave dhe shmangien e kafeinës, ndër të tjera.
Në përgjigje ndaj pretendimeve, Johns Hopkins Medicine ka lëshuar një deklaratë duke thënë se nuk e kishte lëshuar këtë informacion dhe se pretendime të ngjashme të rreme qarkullojnë që nga viti 2004.
“Johns Hopkins nuk e publikoi informacionin, i cili shpesh është një bashkëngjitje në email, dhe as nuk e miratojmë përmbajtjen e tij”, thuhet në deklaratë, duke i inkurajuar njerëzit të lexojnë informacionin në faqen e saj të internetit ose në faqen e Institutit Kombëtar të Kancerit. “Emaili gjithashtu përmban një drejtshkrim të gabuar të institucionit tonë si ‘John’ Hopkins; ndërsa drejtshkrimi i saktë është ‘Johns’ Hopkins”.
Deklarata vërren se autorë anonimë zakonisht ua atribuojnë punën e tyre institucioneve të respektuara kërkimore në një përpjekje për të fituar besueshmëri.
“Thelbi i këtij email-i viral është se terapitë e kancerit si kirurgjia, kimioterapia dhe radioterapia nuk funksionojnë kundër sëmundjes dhe njerëzit duhet të zgjedhin një sërë strategjish dietike”, shkroi Johns Hopkins Medicine, duke shtuar se terapitë tradicionale si rrezatimi dhe kimioterapia janë efektive.
Pretendimet e postimit, si ai se të gjithë kanë qeliza kancerogjene, një sistem imunitar i fortë që shkatërron kancerin dhe marrja e suplementeve për të parandaluar kancerin, janë konfirmuar të gjitha si mashtrime nga Johns Hopkins në deklaratën e tyre autentike.
Elizabeth Jaffee, bashkëdrejtoreshë e imunologjisë së kancerit dhe eksperte kryesore për kancerin dhe sistemin imunitar në Johns Hopkins, tha: “Kur bëhet fjalë për kancerin dhe sistemin imunitar, nuk është çështje e fortë apo e dobët siç pretendon raporti fiktiv, por më tepër një çështje njohjeje.”
Ajo shtoi se qeliza kancerogjene maskohet si një qelizë normale dhe e shëndetshme.
Drejtori i Qendrës së Kancerit Kimmel në Johns Hopkins, William Nelson, thotë se ndërsa suplementet ndihmojnë në përmbushjen e mangësive të vitaminave, marrja e dozave shtesë nuk ofron përfitime shtesë.
Nelson tha gjithashtu se kimioterapia dhe radioterapia vrasin qelizat kancerogjene “me selektivitet të jashtëzakonshëm” dhe kufizimi i efekteve anësore të zakonshme të rënies së flokëve dhe parametra të ulëta të gjakut janë pjesë e trajtimit.
Në deklaratë, ekspertët shtojnë se, ndërsa një dietë e dobët dhe mbipesha e shoqëruar me një dietë të dobët është një faktor rreziku për zhvillimin e kancerit, nuk ka prova se ushqime të caktuara mund të shkaktojnë vdekjen ose rritjen e kancerit.
Pretendimi: Një nga autorët e sulmit terrorist të 14 dhjetorit 2025 në Australi, ishte një hebre i quajtur David Cohen
Verdikti: E pavërtetë
——————————————————————-
Më 14 dhjetor 2025, të paktën 16 persona humbën jetën dhe 38 të tjerë u plagosën pasi dy persona të armatosur qëlluan me armë në një aktivitet që shënonte ditën e parë të festës hebraike Hanukkah në Bondi Beach, Australi.
Megjithëse kanë kaluar fare pak ditë nga sulmi terrorist, në rrjete sociale tragjedia ka nisur të frymëzojë keqinformim të shumëllojshëm.
Ndër të tjera, në rrjetet sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se njëri nga autorët është një hebre i quajtur David Cohen. Si provë për këtë sillet pamja e një profili në Facebook me emrin David Cohen.
Ky pretendim përdoret për të insinuuar se pas sulmit terrorist qëndron Izraeli apo hebrenjtë.
Megjithatë, pamja e profilit të David Cohen qartazi është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI). Kjo vërrehet në defektet logjike karakteristike të përmbajtjeve të prodhuara nga AI.
Ikona e mesazhit shkruan “Emsage” në vend të “Message.” Shkrimi hebraik në pjesën e sipërme djathtas nuk ka asnjë kuptim dhe nuk përkthehet në asgjë. Një nga seksionet e profilit shkruan “Eeopis” (ndoshta në vend të “Friends”), një fjalë pa kuptim që nuk përkthehet. Programet AI shpesh hasin vështirësi në gjenerimin e tekstit brenda imazheve.
Profili “David Cohen” nuk përputhet me paraqitjen ose formatimin e llogarive të vërteta në Facebook. Nën seksionin “About”, shkruan “Shto një mik të ri”, një opsion që nuk gjendet në llogaritë e vërteta të Facebook.
Më tej, disa nga miqtë e supozuar të listuar në profil kanë emra absurdë, të tillë si “Jewish (Hebre) Bronnen” dhe “Jewish (Hebre) Maridlend”.
Policia ka deklaruar se një nga sulmuesit ishte 50-vjeçari Sajid Akram, shtetas indian, që kishte jetuar në Australi për dekada. Ai u vra në një shkëmbim zjarri me oficerët. Personi tjetër ishte djali i tij 24-vjeçar, Naveed Akram, i cili ka pasaportë australiane. Ai u qëllua gjithashtu dhe mbahet në spital nën mbikëqyrjen e policisë.
Naveed u akuzua për 15 vrasje pasi u zgjua nga koma më 17 dhjetor, si dhe për kryerjen e një “akti terrorist” dhe vendosjen e një bombe me qëllim dëmtimin.
Autoritetet australiane kanë thënë se Naveed Akram është një shtetas i lindur në Australi. Nuk ka asnjë provë se ai është izraelit apo hebre.
Pretendimi: Këto ngjarje janë parashikuar nga seriali The Simpsons
Verdikti: E pavërtetë
————————————————————-
Një video që po qarkullon në hapësirat konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, duket se tregon ngjarje të viteve të fundit dhe paralelizmat e tyre të ‘parashikuara’ nga seriali vizatimor The Simpsons.
Rezulton se imazhet që shfaqen në video, megjithëse i përngjajnë stilit vizatimor të The Simpsons, nuk janë shfaqur kurrë në ndonjë episod të serialit.
Ato me gjasa janë prodhuar me anë të një prej shumëprogrameve kompjuterike të disponueshme online që transformojnë foto në imazhe të stilit The Simpsons.
Kështu, imazhet e videos janë krijuar duke kthyer në ‘stil Simpsons’ pikërisht skenat të cilat ato pretendohet se kanë ‘parashikuar.’
“Fatkeqësisht, është shumë e lehtë të krijosh ‘parashikime’ të tilla të rreme nga The Simpsons me qëllim mashtrimin e njerëzve,” tha Matt Selman, producent ekzekutiv i serialit për Reuters.
Më parë, seriali “The Simpsons” ka ‘parashikuar’ disa ngjarje, duke përfshirë këtu zgjedhjen e Donald Trump si president i ShBA në 2016, fituesin e një çmimi Nobel, dhe një grip të rrezikshëm që filloi në Azi, ndër të tjera.
Kjo, sipas vetë autorëve të serialit, nuk vjen si pasojë e ndonjë aftësie mbinatyrore për të parë të ardhmen, por thjesht si pasojë e faktit që seriali ka mbi 700 episode dhe transmetohet që nga viti 1989. “Nëse bën më shumë episode për më shumë dekada se gjithë serialet e tjera, do të parashikosh më shumë gjëra saktësisht,” tha autori Selman. Ndërsa Bill Oakley, një ish-skenarist i The Simpson, tha për Hollywood Reporter se çfarë shihet nga disa si ‘parashikime’ të bëra nga seriali janë në fakt thjesht koinçidenca “sepse episodet janë aq të vjetra sa historia ripërsëritet. Shumica e këtyre episodeve janë bazuar në ngjarje të vërteta që kanë ndodhur në vitet ‘60, ‘70 ose ‘80.”
Faktoje ka përgënjeshtruar dhe më parë ‘parashikime’ të supozuara nga The Simpsons.
Pretendimi: Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer u flak jashtë parlamentit sepse nuk bëri shumë mbi reformat për emigrantët
Verdikti: E pavërtetë
——————————————————————————————
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se kryeministri britanik Keir Starmer është nxjerrë jashtë nga parlamenti sepse “nuk bëri shumë mbi reformat për emigrantët.”
Pretendimi shoqërohet edhe me një video që duket se tregon kryetarin e parlamentit britanik duke qortuar kryeministrin Keir Starmer.
Megjithatë, kjo është e gjitha një trillim.
Video e kryetarit të parlamentit që qorton kryeministrin është reale, por kryeministri në fjalë nuk është Keir Starmer, por paraardhësi i tij Rishi Sunak.
Video është shkëputur nga një seancë parlamentare e 17 janarit 2024, kur kryetari i parlamentit Sir Lindsay Hoyle qortoi kryeministrin e atëhershëm Rishi Sunak për përdorimin e një ‘objekti skene’: një fotokopje të kopertinës së librit të udhëheqësit të Partisë Laburiste, Keir Starmer.
Ndërkaq, nuk ka asnjë raportim në mediat ndërkombëtare apo vendase se kryeministri Starmer është nxjerrë jashtë parlamentit për çfarëdo arsyeje.
Pretendimi: Ky imazh tregon një pamje nga dekori i festave të fundvitit 2025 në Roskovec
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————–
Në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon një imazh që duket se tregon një strukturë dekori festiv që formon numrin 2206, në vend të 2026, viti i ardhshëm. Ai shoqërohet me pretendimin se pamjet tregojnë qytetin e Roskovecit në Shqipëri.
Megjithatë, me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se imazhi i mësipërm është botuar më parë në Twitter, me një përshkrim që e vendos atë në Ulqin, Mal i Zi.
Megjithatë, kjo nuk majfton për të konfirmuar se ky imazh tregon vërtet dekorin festiv të Ulqinit.
Me anë të Google Lens, Faktoje gjeti se një imazh thuajse identik me atë që po qarkullon tani në rrjete sociale është shpërndarë gjerësisht 5 vjet më parë. I vetmi ndryshim janë numrat e viteve: 2026 dhe 2022.
Raportimet e asokohe përfshinë edhe foto të strukturës nga kënde të ndryshme dhe në kohë të ndryshme. Më tej, sekretari i Drejtorisë së Turizmi në UIqin, Fitim Avdiu, tha në atë kohë për mediat se fëmijët e qytetit kishin ndërruar numrat e strukturës.
Ndërsa një krahasim mes imazhit ‘2206’ dhe atij ‘2202’ tregon se imazhet janë identike përveçse në një zonë të pamjes, rreth shifrës ‘6’.
Pretendimi: Kjo video tregon se si ngjyrosen frutat dhe perimet që i shiten publikut
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
—————————————————————–
Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon pamje të frutave dhe perimeve që ngjyrosen me kimikate duke shkaktuar pasoja shëndetësore për popullatën.
Megjithatë, video e mësipërme nuk është autentike. Ajo është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike që përdorin inteligjencë artificiale (AI).
Një tregues parësor i kësaj është etiketa në cepin e majtë lart të videos ku shkruan “AI.” Mbishkrimi në gjuhën kineze në pjesën e poshtme të videos përkthehet në: “Pamjet video janë të kompozuara dixhitalisht dhe nuk ekzistojnë në realitet.”
Më tej, me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar për herë të parë në TikTok nga një llogari që poston përmbajtje të gjeneruar nga inteligjenca artificiale.
Pamjet e videos, gjithashtu, përmbajnë një numër treguesish se ajo nuk është autentike.
Sikur videoja të ishte e vërtetë, boja e aplikuar në këtë mënyrë do të kishte ngjyrosur jo vetëm frutat dhe perimet, por edhe sipërfaqen rreth tyre.
Në një skenë tjetër, ngjyra jeshile e pishinës së bojës artificiale nuk përputhet me rezultatin e mollës së kuqe. Për më tepër, personi arrin të mos i bëjë duart me bojë pavarësisht se nuk përdor doreza mbrojtëse.
Në këtë skenë, mollët nuk çahen edhe pse një njeri po ecën mbi to, duke sfiduar forcën e gravitetit.
Shohim që disa nga luleshtrydhet ndryshojnë ngjyrë vetë, përpara se të spërkaten.
Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.
“Faktoje” ka verifikuardhe më parë imazhe që shpërndahen si të ishin të vërteta, por janë krijuar në fakt me anë të programeve AI. Shpresojmë që identifikimi i këtyre rasteve të përdorimit të inteligjencës artificiale t’ju shërbejë lexuesve për të qënë më vigjilentë në besimin e imazheve dhe videove që u serviren online si prova të teorive të rreme.
Pretendimi: Një nga autorët e sulmit terrorist të 14 dhjetorit 2025 në Australi, ishte një ushtar që shërbeu në Gaza
Verdikti: E paprovuar
——————————————————————-
Më 14 dhjetor 2025, të paktën 16 persona humbën jetën dhe 38 të tjerë u plagosën pasi dy persona të armatosur qëlluan me armë në një aktivitet që shënonte ditën e parë të festës hebraike Hanukkah në Bondi Beach, Australi.
Megjithëse kanë kaluar fare pak ditë nga sulmi terrorist, në rrjete sociale tragjedia ka nisur të frymëzojë keqinformim të shumëllojshëm.
Ndër të tjera, në rrjetet sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se njëri nga autorët e dyshuar të masakrës, Naveed Akram, është një ushtar i forcave izraelite që kishte shërbyer në Gaza dhe ishte kthyer në Australi. Më tej, sulmi terrorist në një aktivitet hebraik, pretendohet se ishte organizuar për të implikuar në mënyrë të rreme myslimanët.
Megjithatë, nuk jepet asnjë provë, burim, apo referencë që e mbështet këtë pretendim të jashtëzakonshëm.
Komisioneri i Policisë së New South Wales, Mal Lanyon, tha se bëhet fjalë një sulm terrorist i kryer nga dy burra me lidhje familjare. Njëri prej tyre, 50-vjeçar, vdiq pasi u qëllua nga policia gjatë shkëmbimit të zjarrit që ndodhi gjatë sulmit, ndërsa tjetri, një burrë 24-vjeçar, u plagos rëndë dhe u arrestua nga policia.
Të dy burrat u identifikuan si Sajid Akram dhe djali i tij Naveed Akram, raportuan më vonë mediat australiane. Siç specifikuan më vonë autoritetet vendase, Sajid Akram kishte një leje të vlefshme për armëmbajtje, të marrë pas përmbushjes së kritereve të pranueshmërisë për një leje gjuetie, zyrtarisht e lidhur me gjashtë armë zjarri, katër prej të cilave u përdorën në sulm. Ai u zhvendos nga Pakistani në Australi në 1998 me një vizë studentore dhe ndërtoi familje në këtë vend.
Djali i tij, Naveed Akram, megjithatë, është një shtetas australian që punon si murator. Autoritetet e kanë identifikuar 24-vjeçarin si banor të periferisë perëndimore të Sidney, Bonnyrigg. Ai ndoqi shkollën e mesme Cabramatta, raportoi Sydney Morning Herald.
Sipas kryeministrit australian Anthony Albanese, Naveed Akram ishte vënë nën shqyrtim nga inteligjenca australiane në tetor 2019 për lidhjet e tij të dyshuara me njerëz të konsideruar të rrezikshëm, por nuk u gjet se ai përbënte një kërcënim. ABC News raportoi, duke cituar burime që kërkuan anonimitet, se në atë kohë, Naveed Akram ishte hetuar për lidhjet e tij të ngushta me një qelizë terroriste me bazë në Sydney të të ashtuquajturit Shtet Islamik (ISIS), dhe se policia beson se dy sulmuesit ishin besnikë ndaj ISIS. Deri më tani, nuk ka pasur konfirmim zyrtar të këtyre raporteve.
Si përfundim, nuk ka prova se Naveed Akram është një ushtar i ushtrisë izraelite që u kthye në Australi nga Gaza.
Pretendimi: Kjo video tregon një familje të përmbytur nga shirat në Gaza
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
————————————————————————————-
Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon një familje në Gaza, tenda e të cilëve është përmbytur.
Në 11 dhjetor 2025, shira të rrëmbyeshëm përfshinë Rripin e Gazës, duke përmbytur qindra tenda që strehonin familjet e zhvendosura nga dy vjet luftë dhe duke çuar në vdekjen e një vajze 8 muajshe nga i ftohti.
Një raport i OKB tha se 761 vende zhvendosjeje që strehojnë rreth 850 mijë njerëz janë në rrezik të lartë përmbytjeje dhe mijëra njerëz janë zhvendosur në pritje të shirave të rrëmbyeshëm.
Megjithatë, video që po qarkullon në rrjete sociale nuk tregon pamje nga përmbytjet në Gaza. Në të vërtetë, ajo është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).
Tregues kryesor i kësaj janë gabimet logjike dhe mospërputhjet me realitetin, si, në këtë rast, koka e ‘fëmijës’ me bluzë të verdhë, e cila është kthyer mbrapsht në mënyrë jo realiste.
Llogaritë në TikTok po shpërndajnë sasi të mëdha videosh të gjeneruara nga inteligjenca artificiale që imitojnë pamje reale të përmbytjeve nga Rripi i Gazës. Kjo lloj përmbytjeje me përmbajtje AI është e zakonshme gjatë krizave, pasi klipet janë të dizenjuara për të gjeneruar shikime dhe ndjekës.
Pretendimi: Elementi kimik eter është fshehur nga tabela periodike e Mendelejevit
Verdikti: Mungon konteksti
————————————————
Në rrjetet konspiracioniste shqipfolëse po qarkullon pretendimi se një element kimik i quajtur eter është fshirë qëllimisht nga tabela periodike e Mendelejevit nga “shkenca akademike botërore.”
Për të mbështetur këtë pretendim, postimi përfshin gjithashtu një version të tabelës periodike të Mendelejevit të botuar në librin e tij “Themelet e Kimisë” në 1906.
Shkencëtarët në përgjithësi ia atribuojnë kimistit rus Dimitri Mendelejev krijimin e tabelës së parë moderne periodike të elementeve, në vitin 1869. Ajo që e bën tabelën periodike kaq të dobishme është se ajo i rendit elementët në grupe bazuar në modele të përsëritura në vetitë e tyre. Kur Mendelejev e bëri këtë, ai mundi të identifikonte boshllëqet në tabelën e tij dhe të parashikonte vetitë e elementeve ende të pazbuluara që mund t’i mbushnin ato. Përmes kësaj metode, Mendelejev parashikoi me sukses elementë si skandiumi, galiumi dhe germaniumi vite para se kimistët t’i zbulonin ato.
Megjithatë, jo të gjitha parashikimet e Mendelejevit ishin të sakta. Ai jetoi në një kohë kur eteri ndriçues ishte një ide shkencore e pranuar gjerësisht, dhe një nga parashikimet e tij më të pasakta është se edhe eteri vinte në formën e një atomi. Mendelejevi parashikoi se eteri do të ishte një element më i lehtë se hidrogjeni.
Deri më tani, askush nuk e ka zbuluar kurrë eterin.
Këtu, “eter” në fakt i referohet një ideje të vjetëruar që rridhte nga supozime të pasakta rreth mënyrës se si funksionon universi.
Shkencëtarët shpikën idenë e eterit për të shpjeguar se si e shohim dritën. Sot, ne e dimë se drita mund të lëvizë nëpër një boshllëk, një hapësirë pa materie. Ky është një parim kyç i teorisë së relativitetit special të Albert Ajnshtajnit. Por shkenca nuk e dinte gjithmonë këtë. Përpara se Ajnshtajni të botonte punimet e tij të para mbi relativitetin special në vitin 1905, shumica e shkencëtarëve supozonin se valët e dritës silleshin si valë zanore, të cilat kanë nevojë për materie për të udhëtuar.
Ky supozim ngriti pyetjen se si mundet që drita nga Dielli ose nga yjet e largët të udhëtojë nëpër boshllëkun e hapësirës për të arritur sytë tanë. Në shekujt e kaluar, shkencëtarët iu përgjigjën kësaj pyetjeje duke arritur në përfundimin se hapësira boshe nuk ishte në të vërtetë bosh. Përkundrazi, universi ishte i mbushur me një material të padukshëm që mund të mbante dritën. Shkencëtarët e quajtën këtë substancë hipotetike “eter ndriçues.”
Shumica e shkencëtarëve besonin se bashkëveprimi me eterin ishte shumë i vështirë, siç shkruan kimisti Gábor Pecs.
Kur fizikantët u përpoqën të testonin për eterin ndriçues, ata nuk gjetën prova të ekzistencës së tij.
Testi më i famshëm i eterit është eksperimenti Michelson-Morley. Nëse hapësira është e mbushur me eter, atëherë Toka që rrotullohet në orbitën e saj do të lëvizte përmes eterit si një anije përmes ujit. Në atë rast, dy valë drite që udhëtojnë në drejtime të ndryshme në Tokë duhet të lëvizin me shpejtësi të ndryshme (imagjinoni ndryshimin midis lundrimit kundër erës dhe lundrimit me erën prapa.)
Në 1887, dy fizikanë të quajtur Albert A. Michelson dhe Edward W. Morley u përpoqën ta matnin këtë ndryshim duke matur shpejtësinë e dritës në drejtime të ndryshme përgjatë një tavoline. Ata kryen të njëjtin eksperiment në kohë të ndryshme të vitit, kur Toka duhet të ketë qenë duke lëvizur nëpër eter në kënde të ndryshme. Eksperimenti i tyre nuk gjeti asnjë ndryshim.
Këto rezultate sugjeruan që Toka nuk po lëvizte nëpër asnjë substancë të vëzhgueshme. Fizikanët e përsëritën eksperimentin e tyre vazhdimisht gjatë dekadave në vijim me instrumente gjithnjë e më të ndjeshme, dhe prapë nuk gjetën asnjë gjurmë të eterit ndriçues.
Në retrospektivë, fizikantët e shohin eksperimentin Michelson-Morley si provë të hershme të relativitetit special, i cili është ndërtuar rreth idesë se drita lëviz nëpër vakum me një shpejtësi konstante, pavarësisht drejtimit. Kjo ide do të thotë se nuk ka nevojë për eter ndriçues në kuptimin tonë të universit. Në kontrast me teorinë e eterit ndriçues, relativiteti special është rikonfirmuar në eksperimente. Fizikantët kanë qenë në gjendje të testojnë me sukses idetë e relativitetit special.
Në kundërshtim me pretendimine postimit, nuk ka prova që dikush është përpjekur të fshehë ekzistencën e eterit ndriçues. E gjithë kjo histori është mjaft mirë e dokumentuar. Në fakt, meqenëse idetë shkencore shpesh kërkojnë pak kohë për t’u zbehur, disa shkencëtarë madje e mbajtën idenë e eterit ndriçues deri në gjysmën e dytë të shekullit XX, pavarësisht mungesës së provave.
Askush nuk ka zbuluar ndonjëherë një atom eteri. Në kohën kur eteri ishte një ide e pranuar shkencore, parashikohej se një ditë mund të gjenim një atom eteri, por siç e sqaruam, eteri u diskreditua si një ide shkencore përpara se kjo të mund të ndodhte.
Sot, me kuptimin tonë modern të fizikës atomike dhe bërthamore, dimë se tabela periodike nuk ka vend për eterin. Ne dimë se atomet e secilit element përmbajnë një numër unik dhe specifik protonesh. Hidrogjeni është elementi më i lehtë i mundshëm. Çdo atom hidrogjeni përmban një proton. Nuk është e mundur të ketë një atom me më pak se një proton, dhe nuk është e mundur të ketë një element më të lehtë se hidrogjeni, siç parashikoi Mendelejevi.
Nuk ka vend për eter askund tjetër në tabelën periodike. Deri në momentin e shkrimit të këtij artikulli, ka 118 elementë të njohur, asnjëri prej të cilëve nuk është eter. Elementet e zbuluara më së fundmi mbushin pjesët e sipërme të tabelës periodike, dhe ato kanë atome aq të rënda sa janë shumë të paqëndrueshme dhe zbërthehen në elementë të tjerë brenda fraksioneve të sekondës. Kimistët nuk i zbulojnë këto elementë në natyrë, dhe shumë shkencëtarë dyshojnë se atome kaq të rënda mund të ekzistojnë fare në natyrë. Në vend të kësaj, kimistët i bëjnë këto elementë në laborator. E njëjta gjë pothuajse me siguri do të jetë e vërtetë për çdo element të ri që kimistët zbulojnë në të ardhmen.
Mendimi shkencor është gjithmonë në zhvillim. Eshtë në natyrën e shkencës që t’i rivlerësojë gjërat ndërsa shfaqen prova të reja. Vetëm pse mendjet e shquara dikur besonin në një ide të diskredituar, kjo nuk e bën idenë e diskredituar më të vlefshme sot.
Pretendimi: Baba Vanga ka parashikuar një profeci aliene që mund të ndryshojë botën në vitin 2026
Verdikti: E paprovuar
————————————————————–
Teksa afrohet fundi i vitit dhe fillimi i një tjetri portaletshqiptarekanënisur të riciklojnë titujt alarmantë për profecitë e ndryshme mbi vitin që na pret, përfshi ato që pretendohet se vijnë nga ‘parashikuesja’ bullgare Baba Vanga.
Megjithatë, lexuesit nuk duhet të alarmohen.
Baba Vanga, një grua e verbër dhe gjysëm analfabete nga Bullgaria, vdiq në 1996 pa i shkruar parashikimet e saj. Kjo ia lehtëson punën atyre që duan t’i atribuojnë asaj lloj-lloj parashikimesh. Duke qenë se nuk ka prova me shkrim për parashikimet e saj, zonja Vanga mund të detyrohet të thotë çfarë të dojë çdokush.
Gazeta bullgare 24 Chasa botoi në 2010 një artikull që përgënjeshtron një sërë parashikimesh që i atribuohen gabimisht Baba Vangës. Të afërm dhe miq të saj thanë për gazetën se Vanga njihej si parashikuese në komunitetin e saj për këshillat që ajo i jepte atyre që e vizitonin, por ajo nuk kishte parashikuar ndonjëherë katastrofa dhe luftëra botërore.
Sipas miqve të saj, ajo fliste rrallë për politikën dhe nuk mendonte për fundin e botës. “Ajo ishte optimiste, i shihte gjërat e këqija, por gjithmonë jepte këshilla se si të jetoje më mirë.”
Sipas rrethit të afërt të Baba Vangës, parashikimet e saj sensacionaliste si ato për luftëra apo fatkeqësi natyrore janë shpikur ose ekzagjeruar pas vdekjes së saj. “Tani është e lehtë, Vanga nuk është më, kështuqë nuk mbrohet dot. Ata i venë lloj-lloj budallëqesh në gojë,” tha mikja e saj Boyka Kostadinova.
Sipas një raportimi nga Colitco, akademikja dhe ekspertja e Baba Vangas, Viktoria Vitanova-Kerber tha: “Ajo nuk ishte dikush që mbante ditarë ose regjistronte profecitë e saj. … Nuk ka pothuajse asnjë të dhënë të shkruar për atë që ajo tha në të vërtetë, duke e bërë të pamundur verifikimin e këtyre pretendimeve.”
Colitco vijon:
“Pra, nëse nuk ka të dhëna zyrtare, nga kanë ardhur këto parashikime? Vitanova-Kerber beson se shumë nga këto pretendime rrjedhin nga njerëzit që e vizituan Baba Vangën kur ajo ishte gjallë.
Vite më vonë, këta individë kujtojnë detaje të reja, duke thënë: “Oh, ajo më tha këtë dhe atë”, shpjegoi ajo. Për shembull, nëse Baba përmendi “një sëmundje të madhe” gjatë një leximi, njerëzit tani mund të supozojnë se ajo po parashikonte COVID-19.
Mbesa e Baba, e cila jetoi me mistiken, është një tjetër burim i këtyre parashikimeve. Sipas Vitanova-Kerber, mbesa pretendon se ka shkruar disa nga profecitë e Babës, por ende nuk ka dhënë ndonjë provë. Në një intervistë të vitit 2021, ajo madje sugjeroi që Baba e kishte parashikuar COVID-19 që në vitin 1988, por deklaroi se po pret “momentin e duhur” për të nxjerrë provat.”
Këto prova të pretenduara ende nuk janë bërë publike.
Vlen të përmendet, për lexuesit që mund të jenë ende nervozë, se parashikimet që i janë atribuuar Baba Vangës për vitin 2025 përfshijnë nisjen e Luftës së Tretë Botërore dhe zbritjen e alienëve në Tokë. Deri në botimin e këtij shkrimi, fatmirësisht, asnjë prej tyre nuk është përmbushur.
Pretendimi: Tenori italian Andrea Bocelli ka anulluar koncertet e tij ne New York pas zgjedhjes së kryebashkiakut Zohran Mamdani
Verdikti: E pavërtetë
—————————————————
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se tenori italian Andrea Bocelli, ndër artistë e personazhe të tjerë të njohur, ka anulluar koncertet e tij në New York pas zgjedhjes së kryebashkiakut Zohran Mamdani, duke thënë: “Unë nuk këndoj për komunistët.”
Postimi i mësipërm nuk përmban ndonjë provë, burim apo referencë që mbështet pretendimin e tij.
Një kërkim në Google News nuk gjeti asnjë raportim të anulimit të koncerteve të Bocelli në New York.
Për më tepër, më 13 nëntor 2025, ekipi i Bocelli mohoi këtë pretendim nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare të Facebook te Bocelli.
“Na ka rënë në sy se në internet qarkullojnë një numër lajmesh të rreme dhe postimesh mashtruese — përmbajtje e gjeneruar ose e amplifikuar përmes faqeve jozyrtare të mediave sociale dhe faqeve të internetit të bazuara në inteligjencën artificiale,” shkruan postimi. “Me mirësi u kujtojmë të gjithëve që të besojnë vetëm kanalet zyrtare të Andrea Bocelli dhe burimet e akredituara të shtypit për informacion të verifikuar. […] Gjithashtu dëshirojmë të sigurojmë audiencën tonë se të gjitha datat e koncerteve në New York, 17 dhe 18 dhjetor në Madison Square Garden, janë KONFIRMUAR siç janë njoftuar.”
Pretendimi: Studiuesit zviceranë kanë prezantuar një bateri kristali e aftë të gjenerojë energji për shekuj me radhë pa pasur nevojë të rimbushet.
Verdikti: E paprovuar
—————————————————-
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon lajmi ngazëllyes se disa studiues zviceranë kanë shpikur një bateri që mund të gjenerojë energji për shekuj pa patur nevojë për rikarikim.
Sipas postimeve në rrjete sociale, kjo bateri është “ndërtuar duke përdorur struktura kristalore të qëndrueshme” dhe prodhon elektricitet të qëndrueshëm “duke kapur energjinë nga zbërthimi radioaktiv.”
Megjithëse pretendon se kjo bateri është “prezantuar” nga studiues zviceranë, postimi nuk shoqërohet me ndonjë burim, referencë apo provë që mbështet pretendimin e tij. ‘Studiuesit zviceranë’ mbeten anonimë dhe asnjë detaj identifikues si viti i prodhimit, institucioni studimor, apo emri i baterisë nuk ofrohet.
Nga hulumtimi në rrjet, Faktoje nuk gjeti ndonjë burim zyrtar, shkencor apo institucional zviceran që konfirmonte pretendimin e jashtëzakonshëm.
Një bateri bërthamore shfrytëzon energjinë nga zbërthimi i izotopeve të elementeve radioaktive për të gjeneruar energji elektrike. Ato përdorin zbërthimin natyral të grimcave radioaktive alfa, beta dhe gama për të siguruar një burim konstant energjie. Ndërsa këto grimca emetohen, ato përziejnë elektronet në sistemin e baterisë për të krijuar një rrymë.
Edhe pse zakonisht quhen bateri, bateritë atomike teknikisht nuk janë elektrokimike dhe nuk mund të karikohen ose rikarikohen. Megjithëse janë shumë të kushtueshme, ato kanë jetëgjatësi jashtëzakonisht të madhe dhe dendësi të lartë energjie, kështu që ato përdoren zakonisht si burime energjie për pajisje që duhet të funksionojnë pa mbikëqyrje për periudha të gjata, siç janë anijet kozmike, stimuluesit kardiakë, pajisjet mjekësore, sistemet nënujore dhe stacionet shkencore të automatizuara në pjesë të largëta të botës.
Bateri të tilla u përdorën për të furnizuar me energji sondën hapësinore Voyager 1 të NASA në vitet 1970, dhe roverin shumë më të vonë Perseverance, i cili u ul në mars në vitin 2021.
Bateritë bërthamore nisën në vitin 1913, kur Henry Moseley demonstroi për herë të parë një rrymë të gjeneruar nga rrezatimi i grimcave të ngarkuara. Që nga kërkimi dhe zhvillimi fillestar i një baterie bërthamore në fillim të viteve 1950, janë hartuar shumë lloje dhe metoda për të nxjerrë energji elektrike nga burimet bërthamore.
Në 2024, Betavolt në Kinë prezantoi një bateri të bazuar në radioizotopin nikel-63 që lëshon rreze beta dhe një gjysmëpërçues diamanti, për të cilën tha se do të ishte bateria e parë bërthamore e prodhuar në masë.
Ndërkohë, një grup në Universitetin e Bristolit, në Mbretërinë e Bashkuar, po nxjerr izotopet e karbonit-14 nga grafiti i rrezatuar nga ish-centralet bërthamore. Tom Scott dhe kolegët e tij e ndërthurin këtë radioizotop jetëgjatë në diamant të prodhuar në laborator për të gjeneruar rrymë. Në vitin 2020, studiuesit e Bristolit themeluan Arkenlight për të zhvilluar një bateri të tillë dhe zbuluan pajisjet e para me diamantit karbon-14 dhe dioda në shtator 2024. Meqenëse karboni-14 ka një gjysmë-jetë prej 5730 vjetësh, bateritë mund të sigurojnë energji me ndërprerje për mijëra vjet.
Megjithatë, para se të presim të gjejmë këto bateri jetëgjata në pajisjet tona të përditshme, është e rëndësishme të kuptojmë disa kompromise. Jetëgjatësia e madhe e baterive betavoltaike balancohet nga prodhimi i tyre relativisht i ulët i energjisë për njësi mase, i njohur si dendësia e fuqisë. Dendësia e fuqisë së baterive aktuale betavoltaike është aq e ulët sa ato nuk mund të furnizojnë me energji një telefon celular ose laptop.
Ka sfida të tjera që pengojnë përdorimin më të gjerë të këtyre dhe të të gjitha llojeve të baterive bërthamore, veçanërisht furnizimi me materiale dhe parehatia me përdorimin e materialeve radioaktive.
Do të duheshin sasi jashtëzakonisht të mëdha baterish betavoltaike për të prodhuar vat ose kilovat energji. Ndërtimi i baterive të asaj madhësie është i kushtueshëm me teknologjinë aktuale. Një arsye kryesore është se emetuesit nuk përbëhen nga substanca që gjenden natyrshëm. Përkundrazi, ky material radioaktiv duhet të sintetizohet artificialisht dhe kostoja e zhvillimit të baterive të mëdha për aplikime me fuqi më të lartë është e pamundur.
Pretendimi: Ky imazh tregon një polic shqiptar duke shtrënguar duart me një vajzë që iu lut të mos i vendoste gjobë sepse ishte në shkollë
Verdikti: E pavërtetë
————————————————-
Në rrjetetsocialeshqipfolëse po qarkullon një imazh që shoqërohet me një histori prekëse të një vajze, e cila kishte lënë një shënim në xhamin e makinës duke iu lutur policëve të mos i vendosnin gjobë sepse ishte në shkollë. Policët mirëkuptues nuk i kishin vënë gjobë, duke lënë një shënim të tyrin ku e nxisnin atë të mësonte në shkollë.
Historia duket se e ka origjinën në një postim të JOQ Albania dhe nuk është subjekti i këtij verifikimi. Megjithatë, postimi i JOQ Albania nuk përmban imazhin e mësipërm, të shtuar më vonë nga portalet që kanë marrë historinë.
Ky imazh, megjithëse mund të duket se tregon policin dhe vajzën nga historia, në fakt është gjeneruar me programe kompjuterike të inteligjencës artificiale.
Një tregues kryesor i origjinës joreale të imazhit është stema në mëngën e uniformës së policit. Megjithëse i përngjan stemës zyrtare të Policisë Shqiptare, ajo përmban shenja që përngjajnë me tekst, por janë të padeshifrueshme. Njëjtazi edhe stema në kapele, nuk është ajo e shqipojnës dykrenare të artë që mban policia shqiptare.
Stema e gjeneruar (lart) krahasur me stemën reale të Policisë së Shtetit (poshtë)
Më tej, një kërkim pamor me Google Lens tregoi se imazhi është etiketuar si “I bërë me Google AI.”
Një tjetër variant i fotos së gjeneruar me AI është publikuar edhe nga portale të tjera me të njëjtin tekst.
Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.
Një zëdhënës i Google ka thënë për AFP se kur zbulohet një gjurmë SynthID, kjo do të thotë që “imazhi është gjeneruar ose modifikuar me AI.”
SynthID, i lançuar nga laboratori DeepMind AI i Google në 2023, identifikon imazhet e gjeneruara me Google AI.
Pretendimi: Përafërsisht 85% e refugjatëve në botë janë myslimanë, por ata nuk kërkojnë azil në 56 vendet që janë myslimane
Verdikti: E paprovuar
—————————————————————-
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se rreth 85% e refugjatëve të botës janë myslimanë, por ata nuk kërkojnë azil në 56 vende myslimane.
Postimi i mësipërm nuk i referohet ndonjë burimi apo statistike ku është marrë kjo shifër.
Deri në fund të qershorit 2025, në botë kishte 42.5 milionë refugjatë dhe 8.4 milionë azilkërkues, sipas Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR). Për pretendimin se 85% e refugjatëve janë myslimanë, duhen të dhëna mbi përbërjen fetare të refugjatëve në botë.
UNHCR, agjencia e OKB për refugjatët dhe burim kryesor për statistikat e refugjatëve, krijoi Refugee Data Finder, i cili mbledh statistika mbi refugjatët. Megjithatë, ata nuk mbledhin të dhëna mbi përkatësitë fetare të refugjatëve.
UNHCR i merr të dhënat nga operacionet e saj dhe nga qeveritë, të cilat shpesh nuk mbledhin të dhëna mbi fenë e refugjatëve për të mbrojtur privatësinë. Përveç kësaj, meqenëse mbledhja e këtij lloji të dhënash është potencialisht e dëmshme, sistemi i regjistrimit i UNHCR i mbledh ato vetëm nëse janë të rëndësishme për të përcaktuar statusin e refugjatit të një personi.
Qendra Kërkimore Pew, që mbledh karakteristikat demografike dhe sociale të migrantëve, ka kryer një studim me të dhëna mbi përbërjen fetare të migrantëve në botë. Këtu shohim se 47% e të gjithë migrantëve janë të krishterë dhe 29% janë myslimanë, një shifër dukshëm më e ulët se 85%.
Megjithatë, refugjatët janë një grup i ndryshëm nga migrantët. Ndërsa migrimi shpesh kuptohet si lëvizje vullnetare, refugjatët nuk mund të kthehen në shtëpi dhe duhet të mbrohen sipas ligjit ndërkombëtar. Nuk mundëm të gjenim studime të ngjashme për refugjatët.
Duke përdorur shumicën fetare të vendeve të origjinës së refugjatëve, mund të vlerësojmë vetëm nëse pretendimi është i mundshëm. Megjithatë, Janis Kreuder nga UNHCR paralajmëron se duhet të “konsiderojmë se jo të gjithë qytetarët e një vendi kanë të njëjtat gjasa të jenë bërë refugjatë. Shihni, për shembull, refugjatët Rohingya nga Myanmari, të cilët janë shumicë myslimanë, ndërsa Myanmari është një vend me shumicë budiste.”
Nga afërsisht 42.7 milionë refugjatë, 59% vijnë nga vetëm pesë vende. Pothuajse 7 nga 10 e të gjithë refugjatëve dhe personave që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare kanë origjinën nga Siria, Afganistani, Sudani i Jugut, Venezuela dhe Ukraina.
Raporti i UNHCR për Trendet Globale 2024 tregon se venezuelasit dhe ukrainasit, të dy vende me shumicë të krishterë, përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së përgjithshme të refugjatëve. Vetëm refugjatët nga këto dy vende përbëjnë 26% të të gjithë refugjatëve të monitoruar nga UNHCR në fund të vitit 2024. Nëse shtojmë refugjatët nga Sudani i Jugut, gjithashtu një vend me shumicë katolike, përqindja rritet në 31%, gjë që e bën menjëherë të pavlefshme teorinë se 85% e refugjatëve në botë janë myslimanë.
Edgar Scrase i UNHCR shkruan se “duke pasur parasysh se vetëm ukrainasit dhe venezuelasit përbëjnë gati një të tretën e të gjithë refugjatëve, duke përfshirë edhe njerëz të tjerë që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare, përqindja e vërtetë e refugjatëve që janë myslimanë ka të ngjarë të jetë shumë më e ulët.”
Nga ana tjetër, midis vendeve nga të cilat vijnë shumica e refugjatëve, disa janë me shumicë myslimane, duke përfshirë Sirinë dhe Afganistanin.
Është e rëndësishme të theksohet se, sipas UNHCR, nuk ekzistojnë të dhëna gjithëpërfshirëse të nevojshme për të pohuar se 85% e të gjithë refugjatëve janë myslimanë.
Deri në qershor 2025 kishte 8.42 milionë azilkërkues. Një azilkërkues është një person që “kërkon mbrojtje ndërkombëtare nga rreziqet në vendin e tij ose të saj të origjinës, por kërkesa e të cilit për statusin e refugjatit nuk është përcaktuar ligjërisht.”
Postimi i mësipërm pretendon se refugjatët myslimanë nuk aplikojnë për azil në “56 shtete myslimane.” Meqenëse nuk ka shifra gjithëpërfshirëse për të gjithë refugjatët myslimanë, nuk mund të përcaktojmë saktësisht se ku ata kërkojnë azil. Përsëri, mund të bëjmë vetëm vlerësime bazuar në të dhënat e disponueshme.
Pretendimi ndoshta i referohet 57 anëtarëve të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC). Organizata ka patur 56 anëtarë deri në rivendosjen e anëtarësimit të Sirisë në mars 2025. Ky grup përfshin si shtetet që e kanë shpallur Islamin fe zyrtare shtetërore si edhe vendet me shumicë myslimane.
Të dhënat e vitit 2024 nga UNHCR tregojnë se në 2024, Irani dhe Turqia, dy vende me shumicë myslimane, pritën 6.4 milionë refugjatë (respektivisht 3.5 milionë dhe 2.9 milionë), kryesisht nga Afganistani dhe Siria. Ndër vendet me më shumë refugjatë ishin dhe Kolumbia dhe Gjermania (me 2.8 dhe 2.7 milionë, respektivisht), dy vende me shumicë të krishtere. Më pas vinin Uganda, Pakistani dhe Çadi. Dy të fundit janë vende me shumicë myslimane.
Edgar Scrase pohon se të paktën shtatë nga vendet më të mëdha pritëse janë kryesisht myslimane (Bangladeshi, Irani, Libani, Jordania, Turqia, Çadi dhe Pakistani) dhe së bashku ato strehojnë afër 30% të të gjithë refugjatëve. Të gjitha këto vende janë pjesë e OIC.
Dhjetë vendet kryesore që strehuan refugjatë në vitin 2024
Është e rëndësishme të theksohet se nga të gjithë njerëzit që ikin nga konflikti dhe persekutimi, shumica e tyre qëndrojnë në vendet e tyre të origjinës. Kur shkojnë jashtë vendit, ata shkojnë kryesisht në vendet fqinje. Ashtu si në vitin e kaluar, deri në qershor 2025, 2 nga 3 refugjatë u strehuan në vendet fqinje.
Në shumë raste, vendet fqinje kanë përkatësi të ngjashme fetare. Për shembull, refugjatët nga Siria, një vend me shumicë myslimane, kanë shkuar kryesisht në Turqi, një vend tjetër me shumicë myslimane. E njëjta gjë vlen edhe për refugjatët afganë, që ikin kryesisht në Pakistan dhe Iran.
Kështu, refugjatët myslimanë aplikojnë për azil në vendet me shumicë myslimane, duke përfshirë ato që janë pjesë e OIC.
Pretendimi: Kjo video tregon një ushtar britanik duke i bërtitur një polici në rrugë
Verdikti: E pavërtetë
—————————————————-
Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse pretendohet se tregon një ushtar britanik duke qortuar një polic për censurimin e fjalës së lirë dhe neglizhencën ndaj krimeve të kryera nga emigrantët.
Megjithatë, video e mësipërme përmban disa tregues të gjenerimit me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).
Skena zgjat pak sekonda dhe audio është shumë e qartë edhe pse skena po ndodh në ambjent të jashtëm.
Uniforma e ushtarit shfaq emrin “Morley” 3 herë, një gabim i zakonshëm i imazheve të gjeneruara nga AI.
Për më tepër, Ushtria Britanike zakonisht nuk përdor shirita me emra në uniformat e saj MTP.
Më tej, lëvizjet e ushtarit dhe të oficerit të policisë duken të panatyrshme. Polici mbetet i palëvizshëm gjatë gjithë skenës, ndërsa ushtari flet me një ton dramatik dhe bën gjeste të panatyrshme. Elementet e sfondit, duke përfshirë këmbësorët dhe një autobus londinez, janë të sfumuara. Autobusi kalon në sfond, dhe shuhet në një moment.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video ishte botuar fillimisht nga profili UK Mode, i cili ndan rregullisht skena të gjeneruara nga AI. Llogaritë e përdoruesit në TikTok dhe Facebook përmbajnë përmbajtje të ngjashme që sulmojnë emigrantët dhe myslimanët.
Pretendimi: Një studim ka treguar se numri i lartë i vdekjeve si pasojë e arrestit kardiak është shkaktuar nga vaksinimi anti-Covid
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————–
Një postim i ish-shefit të Shërbimit të Kardiokirurgjisë, Edvin Prifti, ka frymëzuar një sërëportalesh dhe mediashshqipfolëse për të raportuar se një studim i fundit ka treguar se rritja e vdekjeve nga ataku kardiak mund të jetë shkaktuar nga vaksinimi anti-Covid.
Megjithëse në postimin e tij, Prifti është i kujdesshëm të mos pretendojë një lidhje shkak-pasojë mes arresteve kardiake, portalet e kanë marrë insinuatën e tij si të mirëqenë.
Në postimin e tij, Prifti i referohet një studimi të botuar në tetor 2024 në revistën Journal of Emergency Medicine me autorë Nicolas Hulscher, Michael Cook, Raphael Stricker, dhe Peter A. McCullough.
Hulscher dhe McCullough njihen për përhapjen e keqinformimit lidhur me sigurinë e vaksinës anti-Covid-19.
Hulscher, është administrator i Fondacionit McCullough dhe drejton llogarinë në X/Twitter të Fondacionit McCullough. Vetë McCullough është drejtues shkencor i The wellness company, e cila shet një protokoll trajtimi të paprovuar kundër “lëndimeve nga vaksina COVID-19”. Kjo përfaqëson një konflikt interesi, ndikimi i mundshëm i të cilit në vlerësimet e McCullough nuk mund të nënvlerësohet.
Studimi konsiston në një analizë krahasimore të dhënash mbi vdekshmërinë e shtuar nga arresti kardiak dhe vaksinimin anti-Covid në King County, Washington, ShBA në periudhën 2015-2023.
Autorët gjetën “një lidhje domethënëse ekologjike dhe kohore midis arresteve të tepërta fatale kardiopulmonare dhe fushatës së vaksinimit Covid-19.” Megjithatë, ata pranojnë se “rritja e vdekjeve të tepërta nga arresti kardiopulmonar mund t’i atribuohet gjithashtu infeksionit Covid-19 dhe ndërprerjeve në kujdesin emergjent gjatë pandemisë.”
Më tej, kur shpjegojnë kufizimet e studimit, vetë autorët paralajmërojnë se ai nuk mund të përdoret për të provuar një lidhje shkak-pasojë mes vaksinimit dhe vdekjeve të tepërta. Provimi i një lidhjeje të tillë “do të kërkonte një gjykim të pavarur klinik të secilit rast, duke përfshirë gjetjet e autopsisë kur kryhet.”
“Studimi ynë ka të gjitha kufizimet e të dhënave ekologjike ku informacioni i nivelit të rastit individual nuk është i disponueshëm. Pohimi i një lidhjeje shkak-pasojë midis vaksinimit kundër Covid-19 dhe vdekjeve të tepërta në studimin tonë do të kërkonte një gjykim të pavarur klinik të secilit rast, duke përfshirë gjetjet e autopsisë kur kryhet.Ka variabla të shumtë potencialë, të pa llogaritur ngatërrues, si ndryshimet në aksesin në kujdesin shëndetësor, variacionet në ndërhyrjet në shëndetin publik, faktorët socio-ekonomikë, përdorimi i drogës dhe infeksioni Covid-19 që mund të kenë ndikuar në rezultatet e arrestit kardiopulmonar. Ngatërrimi i pakontrolluar mund të çojë në një gjetje false pozitive (Gabimi i tipit I), si dhe në një efekt të rremë negativ ose të nënvlerësuar (gabim i tipit II). Kështu, lidhja e vëzhguar midis shkallës së vaksinimit dhe vdekshmërisë së tepërt të arrestit kardiopulmonar mund të duket më e madhe ose më e vogël se marrëdhënia e vërtetë për shkak të variablave ngatërrues të pa llogaritur. Rënia e papritur e popullsisë në King County gjatë pandemisë mund të jetë ndikuar nga migrimi ose zhvendosjet e përkohshme, të cilat nuk janë përfshirë plotësisht në të dhëna. Modeli ynë mbështetet në ekstrapolimin e tendencave para pandemisë, duke supozuar se kushtet themelore mbeten konstante,” shkruajnë autorët.
Nëse zgjerojmë fushëpamjen e studimit, duke krahasuar në rang global të dhënat mbi vdekjet e tepërta me shifrat e vaksinimit, vërehet se vendet me vaksinimin më të lartë, Zelanda e Re, Danimarka dhe Australia, kishin vdekjet e tepërta më të ulëta dhe ato më pak të vaksinuara, për shembull, Shqipëria, Bullgaria, Serbia dhe Mali i Zi, kishin vdekjet e tepërta më të larta.
Prifti ka shpërndarë dhemë parë keqinformim lidhur me vaksinën anti-Covid.